ATV

Author: ATVLive

  • ​Situata në veri, ZKA dështon në zhvillimin e auditimit në katër komunat veriore

    ​Situata në veri, ZKA dështon në zhvillimin e auditimit në katër komunat veriore

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dështuar të zhvilloi auditimin në katër komunat e veriore të Kosovës.

    Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca gjatë prezantimit të çështjeve kryesore të paraqitura në raportet e auditimit për vitin 2022, ka thënë se për shkak të situatës së krijuara në veri, ZKA nuk ka arrit të bëjë auditimin në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

    Situata në veri ishte tensionuar pasi zyrtarët serbë në atë pjesë të Kosovës më 7 nëntor kishin vazhduar të paraqesin dorëheqjet e tyre në institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie për planin e Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e automjeteve që kishin targa serbe.

    Në konferencën për media, Auditorja e përgjithshme, Spanca ka theksuar se nga 97 opinione të dhëna, 39 janë të modifikuara që do të thotë se janë opinione jo të mira.

    “Në kuadër të auditimeve mandatore me ligj nga auditimet e rregullsisë nga 101 entitete publike janë mbuluar 97 prej tyre. Ju njoftoj se për katër komunat veriore, komunën e Mitrovicës së veriut, Leposaviqit, Zubin Potok dhe Zveçan, ne edhe pse kemi iniciuar auditimin, për shkak të rrethanave të krijuara nuk kemi mundur të zhvillojmë auditimin”, theksoi Spanca.

    Auditorja e përgjithshme ka theksuar po ashtu se krahasuar me një vit më parë rezulton se cilësia e raportimit financiar është përmirësuar dhe ka zvogëlim të numrit të opinioneve të modifikuara.

    “Për secilin entitet publik, ne kemi dhënë individualisht opinione të auditimit. Nga 97 opinione të dhëna, 58 janë të pamodifikuara që do të thotë se janë 58 opinione të mira, ndërsa 39 janë opinione të modifikuara që do të thotë se janë opinione jo të mira. Mbi këtë bazë 51 raporte të auditimit financiar të pajtueshmërisë që ka të bëjë me institucionet qendrore, përkatësisht ministri dhe institucione të pavarura janë dhënë 39 opinione të pamodifikuara, 12 opinione të modifikuara përkatishst të kualifikuara. Në 34 komuna kemi dhënë 16 opinione të modifikuara përkatësisht të kualifikuara, 18 opinione të pamodifikuara, ndërsa tek 12 ndërmarrjet publike janë dhënë 8 opinione të kualifikuara, 3 opinione të kundërta dhe 1 opinion i pamodifikuara për pasqyrat vjetore financiare. Krahasuar me një vit më parë ka rezulton se cilësia e raportimit financiar është përmirësuar. Kemi zvogëlim të numrit të opinioneve të modifikuara si 7 tek institucionet qendrore dhe 6 tek institucione lokale, theksoi Spanca.

    Megjithatë, Spanca ka thënë se edhe më tutje ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar të kontrollit.

    “Rezultatet tona kanë nxjerrë në pah se edhe më tutje ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar të kontrollit. Parregullsitë janë të përhapura pothuajse në secilin cikël dhe fushë të shpenzimeve. Po i përmendi vetëm disa prej atyre që janë kyçe. Në fushën e prokurimit public, në auditimet e vitit 2022 janë identifikuara gjithsejtë 198 gjetje që përfshinë kryesisht investimet kapitale dhe mallra e shërbime, si dhe janë evidente kryesisht tek ministrit dhe komunat”, theksoi ajo.

    Sipas Auditores së përgjithshme prej 97 auditimeve, 51 i takojnë institucioneve qendrore, 34 institucioneve lokale, 12 ndërmarrje publike përfshirë këtu edhe Radio Televizionin e Kosovës. /Kosovapress/

  • ​NATO i zgjat mandatin Stoltenbergut

    ​NATO i zgjat mandatin Stoltenbergut

    Shtetet anëtare të NATO-s i kanë zgjatur mandatin e sekretarit të përgjithshëm, Jens Stoltenberg deri më 1 tetor 2024, njoftoi shefi i aleancës në Twitter.

    “Jam i nderuar nga vendimi i aleatëve për të zgjatur mandatin tim si sekretar i përgjithshëm. Lidhja transatlantike mes Evropës dhe Amerikës së Veriut siguroi lirinë dhe sigurinë tonë për gati 75 vjet dhe, në një botë më të rrezikshme, aleanca jonë e madhe është më e rëndësishme se kurrë”, tha Stoltenberg.

    Stoltenberg është në detyrë që nga viti 2014. Mandati i tij u zgjat për herë të fundit në mars 2022, menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës, deri në shtator 2023.

    Në pamundësi për të rënë dakord për një pasardhës të Stoltenberg, aleatët e NATO-s e zgjatën përsëri mandatin e tij.

    Norvegjezi është tashmë sekretari i përgjithshëm i dytë më i gjatë në detyrë, pas holandezit Joseph Luns, i cili udhëhoqi NATO-n nga viti 1971 deri në 1984.

    Atij i njihet merita për moderimin e mosmarrëveshjes për shpenzimet e ulëta të mbrojtjes nga aleatët evropianë, gjë që çoi në debate veçanërisht të nxehta gjatë mandatit të ish-presidentit amerikan Donald Trump.

    Atij i është dashur gjithashtu të koordinojë reagimin e NATO-s ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë.

    Shtetet e NATO-s tani shpresojnë të bien dakord për një pasardhës në kohë për 75-vjetorin e aleancës në korrik 2024 në Uashington.

    “Aleatët kanë falënderuar sekretarin e përgjithshëm për udhëheqjen dhe angazhimin e tij, të cilat ishin thelbësore për ruajtjen e unitetit transatlantik përballë sfidave të paprecedentë të sigurisë”, thuhet në një shënim të publikuar në faqen e NATO-s.

  • Probleme me mushkonja, Komuna thotë se s’ka mundur të bëjë dezinsektimin gjatë qershorit

    Probleme me mushkonja, Komuna thotë se s’ka mundur të bëjë dezinsektimin gjatë qershorit

    Qytetarët e Komunës së Prishtinës janë duke u ankuar se po kanë probleme të shumta me mushkonjat.

    Nga Komuna e Prishtinës thonë se nuk kanë mundur të bëjnë dezinsektimin efikas gjatë muajit qershor për shkak të reshjeve të shiut.

    Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se tani kanë filluar dezinsektimin e plotë të qytetit.

    “Për shkak të reshjeve të shumta, gjatë muajit Qershor, e kemi pasur të pamundur të bëjmë dezinsektim efikas! Andaj, tani kemi filluar dezinsektimin e plotë të qytetit .Ju kërkojmë mirëkuptim këtë javë”, është shprehur ai.

  • ​Ndahen 2.5 milionë euro për ndërtimin e stadiumit në Gjakovë

    ​Ndahen 2.5 milionë euro për ndërtimin e stadiumit në Gjakovë

    Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini ka bërë të ditur se janë ndarë 2 milionë e 541 mijë euro për vazhdimin e punimeve në stadiumin e qytetit.

    Me këtë buxhet është paraparë ndërtimi i fushës së gjelbërt si dhe tribunat e lindës dhe jugut.

    “Jam shumë i lumtur që sot nënshkruam dy kontrata për dy fazat në vazhdim për ndërtimin e Stadiumit të Qytetit. Do të ndërtohen tribuna lindje, tribuna jug dhe fusha e gjelbër. Ky investim i komunës për të dy llotet është në vlerë prej 2 milionë e 541 mijë euro.”, ka shkruar Gjini në “Facebook”.

    I pari i Komunës së Gjakovës gjithashtu ka bërë të ditur se tashmë janë nënshkruar kontrata me kompanitë që do t’i kryejnë këto punime.

  • ​Hadar: Lojtarët të luajnë për njëri tjetrin dhe për flamurin e Kosovës

    ​Hadar: Lojtarët të luajnë për njëri tjetrin dhe për flamurin e Kosovës

    Trajneri i Kombëtares së Kosovës në basketboll, Rami Hadar ka folur për punën e tij në këto ditë sa po zhvillohen stërvitjet me “Dardanët”, në përgatitje për ndeshjet kualifikuese të Eurobasket 2025.

    Ai ka thënë se është shumë u lumtur që i është besuar puna e trajnerit të Kosovës, ndërsa ka kërkuar nga lojtarët që të japin maksimumin për njëri-tjetrin si dhe për flamurin e Kosovës.

    “Së pari jam shumë i lumtur që jam këtu, krenar që e stërvisë këtë skuadër, krenar që Federata e Basketbollit më zgjodhi për ta stërvitur këtë skuadër. Lojtarët kanë ardhur në formë të mirë, me qasje pozitive. Ne jemi duke bërë stërvitje praktike, është herët të them diçka rreth basketbollit, por me pëlqen përkushtimi dhe shpresoj edhe për lojë të mirë gjithashtu…Ne do të luftojmë për të bërë punën tonë dhe puna ime është që të fitojë ndeshje për Kosovën. Dua ta dërgoj këtë ekip në maksimumin e tij para se gjithash. Të luajnë për njëri-tjetrin dhe për flamurin”, tha Hadar.

    Kosova A është në grup me Zvicrën dhe Danimarkën në rrethin e tretë parakualifikues për Eurobasket 2025.

  • Osmani: Të përkushtuar që sfidat t’i tejkalojmë me partnerë e aleatë

    Osmani: Të përkushtuar që sfidat t’i tejkalojmë me partnerë e aleatë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke aluduar për situatën në veri ka thënë se Kosova është e përkushtuar që sfidat t’i tejkalojë me partnerë e aleatë. Këto komente Osmani i bëri në takimin me kryeministrat evropianë, atë të Holandës, Mark Rutte dhe atë të Luksemburgut, Xavier Bettel.

    Në komunikatën për media thuhet se takimi trepalësh u fokusua në situatën aktuale politike dhe të sigurisë në vend, forcimin e marrëdhënieve trepalëshe, nxitjen e bashkëpunimit dhe diskutimin në fushat kryesore me interes të përbashkët.

    “Presidentja Osmani falënderoi Holandën dhe Luksemburgun për mbështetjen në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe nënvizoi vlerat dhe qëllimet e përbashkëta që lidhin të tri vendet evropiane së bashku.Më tej, Presidentja Osmani theksoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në BE, janë orientim strategjik, ndaj shtroi nevojën e mbështetjes dhe përshpejtimit të anëtarësimit të Kosovës në këto dy organizata.

    E një pjesë e diskutimit me dy kryeministrat u fokusua në situatën aktuale të sigurisë në veriun e vendit.

    Bëhet e ditur se presidentja Osmani ka thënë se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit dhe se vendosja e rendit dhe e ligjit është në përputhje me investimin ndër vite të shteteve të BE-së me qëllim të promovimit, mbrojtjes dhe sundimit të ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

    “Në takim, presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës që sfidat t`i tejkalojnë me partnerë dhe aleatë”, thuhet në komunikatë.

    Osmani potencoi se sulmet ndaj Policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it, qytetarëve dhe gazetarëve nga strukturat ilegale dhe kriminale në veri të vendit, nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar.

    Kurse në raport me procesin e dialogut me Serbinë, Osmani tha se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive, derisa Serbia refuzon zbatimin e marrëveshjeve të arritura, sikurse edhe shkelë marrëveshjen e fundit të Brukselit të arritur në Ohër.

    “Presidentja Osmani dhe kryeministrat Rutte e Bettel, diskutuan edhe për mundësitë për rritjen e bashkëpunimit bilateral në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët”.

    Takimi u përmbyll me rikonfirmimin e përkushtimit të përbashkët për avancimin e bashkëpunimit, nxitjen e paqes dhe promovimin e stabilitetit në rajon e më gjerë, thuhet në fund të komunikatës.

  • Kryeministri i Luksemburgut: Nuk kemi ardhur për të gjykuar Kurtin, por për të gjetur zgjidhje

    Kryeministri i Luksemburgut: Nuk kemi ardhur për të gjykuar Kurtin, por për të gjetur zgjidhje

    Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se Luksemburgu dhe Kosova kanë lidhje të fuqishme.

    Duke folur për tensionet në veri, Bettel ka thënë se nuk kanë ardhur këtu për të gjykuar por për të dëgjuar dhe për t’u munduar për të gjetur një zgjidhje.

    “Kur kemi planifikuar këtë udhëtim nuk kemi pritur që do të jenë këto tensione që janë në rajon, dhe i thamë edhe Kurtit që nuk jemi këtu për të gjykuar por për të dëgjuar dhe të mundohemi të ndërtojmë ura mes fqinjëve. Dje ishim në Beograd e sot në Prishtinë dhe ishte e rëndësishme të shkëmbejmë dhe të dimë se është një udhërrëfyes nga BE-ja”, tha kryeministri i Luksemburgut.

    Bettel shtoi se duhet të shmanget çdo mundësi e ndonjë krize të re.

    “Ju e dini se çka do të thonë tensionet, kështu që ne duhet të shmangim çdo mundësi të ndonjë krize të re të mundshme ku shoqëria civile dhe populli vuan më së shumti. Ju mund të llogarisni në ne, nganjëherë është e vështirë të kemi diskutime me fqinjët, për ne e rëndësishme është të besojmë në punën e përfaqësuesit të lartë të BE-së dhe të dërguarit të BE-së dhe të kemi dialog të hapur”, tha Bettel.

  • ​Arrestohet një femër në Prizren për pjesëmarrje në rrahje me tre meshkuj

    ​Arrestohet një femër në Prizren për pjesëmarrje në rrahje me tre meshkuj

    Policia e Kosovës ka arrestuar një femër në Prizren nën dyshimin për përfshirje në përleshje me tre meshkuj të tjerë.

    Sipas policisë pas një mosmarrëveshje, tre meshkuj dhe një femër kanë pësuar lëndime trupore gjatë një përleshje që ka ndodhur ndërmjet tyre.

    “Tre meshkuj kosovarë dhe një femër kosovare kanë pësuar lëndime trupore gjatë një përleshje që ka ndodhur ndërmjet tyre pas një mosmarrëveshje. Lidhur me rastin është arrestuar e dyshuara femër kosovare dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e fundit të policisë.

  • Edhe sivjet, testi i arritshmërisë po shpërndahet në Viber

    Edhe sivjet, testi i arritshmërisë po shpërndahet në Viber

    Sot në tërë Kosovën mbahet testi i arritshmërisë, të cilit pritet t’i nënshtrohen 23 mijë nxënës të klasave të nënta.

    Edhe këtë vit, pyetjet e përgjigjet po shpërndahen në disa grupe në Viber, të cilat kanë mbi një mijë anëtarë.

    ATV ka siguruar disa nga dëshmi se ky fenomen është duke ndodhur sot gjatë procesit të mbajtjes së testit.

  • Kurti i pret në Qeveri dy homologët, Mark Rutte nga Holanda e Xavier Bettel nga Luksemburgu

    Kurti i pret në Qeveri dy homologët, Mark Rutte nga Holanda e Xavier Bettel nga Luksemburgu

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i pritur në oborrin e Qeverisë dy homologët, Mark Rutte nga Holanda e Xavier Bettel nga Luksemburgu, raporton Ekonomia Online.

    Mëngjesin e së martës Kurti i ka pritur të dy në Aeroportin e Prishtinës. Dy kryeministrat më pas janë takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani.

    Përderisa pas takimit me Kurtin do të mbajnë konferencë për medie.