ATV

Author: ATVLive

  • Bota po “digjet” , temperatura rekorde në tokë dhe dete

    Bota po “digjet” , temperatura rekorde në tokë dhe dete

    Synimi që ndryshimet klimatike të mos lejohen të shkaktojnë ndryshime të temperaturës mbi 1.5 gradë Celsius në krahasim me kohën para-industriale është duke u bërë i paarritshëm, thonë ekspertë të ambientit. Ata shprehen të shqetësuar që shtetet nuk kanë arritur të vendosin caqe ambicioze për klimën, pavarësisht se janë shënuar temperatura rekorde në tokë dhe det.

    Teksa përfaqësues të shumë vendeve u mblodhën në Bon të Gjermanisë në fillim të Gjermanisë për t’u përgatitur për negociatat vjetore për klimën, që do të mbahen në nëntor, temperaturat mesatare globale të ajrit ishin, për disa ditë rresht, mbi 1.5 gradë Celsius më të larta se temperaturat e kohës para-industriale, tha Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus (C3S) i financuar nga Bashkimi Evropian.

    Megjithëse temperaturat mesatare kishin kaluar përkohësisht pragun prej 1.5 gradëve Celsius edhe në të kaluarën, kjo është hera e parë që ky ndryshim është regjistruar gjatë periudhës së verës në hemisferës veriore të Tokës. Temperaturat në dete gjithashtu thyen rekordet e prillit dhe majit.

    “Neve na ka mbaruar koha sepse edhe ndryshimi kërkon kohë”, tha Sarah Perkins-Kirkpatrick, një klimatologe në Universitetin Australian të Uellsit të Ri Jugor.

    Përderisa të dërguarit e dy shteteve që emetojnë më së shumti gazra serrë, SHBA-së dhe Kinës, përgatiten të takohen muajin e ardhshëm, rekordet për temperaturat më të larta gjatë muajit qershor u thyen në kryeqytetin kinez, Pekin, ndërsa valët ekstreme të të nxehtit kanë goditur Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Pjesë të Amerikës së Veriut ishin rreth 10 gradë Celsius mbi mesataren sezonale në qershor dhe tymi nga zjarret e pyjeve mbuloi Kanadanë dhe bregun lindor të SHBA-së. Emetimet e karbonit vlerësohet se arritën një rekord prej 160 milionë tonë metrikë.

    Në Indi, një nga rajonet më të rrezikuara nga ndryshimet klimatike, vdekjet u raportuan të jenë rritur si rezultat i temperaturave të larta. Nxehtësi ekstreme është raportuar edhe në Spanjë, Iran dhe Vietnam, duke rritur frikën se vera vdekjeprurëse e vitit të kaluar mund të kthehet në një rutinë.

    Liderët e shteteve kishin rënë dakord në Paris në vitin 2015 që të përpiqen t’i mbajnë rritjet mesatare afatgjata të temperaturës brenda 1.5 gradë Celsius, por tani ka një mundësi prej 66 për qind që mesatarja vjetore të kalojë këtë prag, sipas parashikimeve të Organizatës Botërore Meteorologjike në maj.

    Temperaturat mesatare globale të sipërfaqes së detit arritën në 21 gradë Celsius në fund të marsit dhe kanë mbetur në nivele rekorde gjatë gjithë prillit dhe majit. Agjencia e motit në Australi paralajmëroi se temperaturat e deteve të Paqësorit dhe Oqeanit Indian mund të jenë 3 gradë Celsius më të ngrohta se zakonisht deri në tetor.

    Ngrohja globale është faktori kryesor, tha Piers Forster, profesor i fizikës klimatike në Universitetin e Leeds, por El Nino, rënia e pluhurit të Saharës mbi oqean dhe përdorimi i karburanteve të transportit me squfur të ulët kanë ndikuar gjithashtu.

    “Pra, në përgjithësi, oqeanet po sulmohen nga një goditje e katërfishtë”, tha ai. “Është një paralajmërim për gjërat që na presin”.

    Mijëra peshq të ngordhur u shfaqën në plazhet e Teksasit, ndërsa lulëzimi i algave të shkaktuara nga nxehtësia është cilësuar si faktor kryesor i vrasjes së luanëve të detit dhe delfinëve në Kaliforni.

    Detet më të ngrohta mund të nënkuptojnë më pak erë dhe shi, duke krijuar një rreth vicioz që çon në edhe më shumë nxehtësi, tha Annalisa Bracco, një klimatologe në Institutin e Teknologjisë në Gjeorgji./rel

  • Bill Clinton mbërrin në Shqipëri, pritet nga Edi Rama

    Bill Clinton mbërrin në Shqipëri, pritet nga Edi Rama

    Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Clinton, ka mbërritur në Shqipëri.

    Avioni i tij u ul në Rinas.

    Aty ai u prit nga kryeministri Edi Rama.

    Për nder të Clintonit, do të organizohet një ceremoni zyrtare ku të pranishëm do të jenë dhe qytetarë, transmeton Klankosova.tv

    Kjo ceremoni do të zhvillohet pasditen e të hënës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

    Pas ekzekutimit të himnit kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, kryeministri Edi Rama dhe ish-presidenti Bill Clinton do të bëjnë parakalimin ceremonial dhe do të nderojnë flamujt e dy vendeve.

    Kryeministri Rama do të mbajë fjalën e rastit dhe më pas do të nderojë Clinton me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike”.

    Pas vlerësimit, rreth orës 19: 25, ish Presidenti amerikan do të ketë dhe një fjalim për të pranishmit.

    Kjo është vizita e parë e ish-kreut të Shtëpisë së Bardhë në Shqipëri.

  • Papa Françesku dënon djegien e Kuranit

    Papa Françesku dënon djegien e Kuranit

    Papa Françesku ka thënë se djegia e një kopjeje të librit të shenjtë të myslimanëve, Kuranit, e ka zemëruar dhe neveritur atë. Ai shtoi se e dënon dhe refuzon lejimin e një akti të tillë si një formë të shprehjes së lirisë së fjalës.

    “Çdo libër që konsiderohet i shenjtë duhet të respektohet për t’i respektuar ata që besojnë në të”, tha Papa Françesku në një intervistë të dhënë për gazetën e Emirateve të Bashkuara Arabe, Al Ittihad, të publikuar më 3 korrik. “Ndihem i zemëruar dhe i neveritur nga këto veprime”.

    “Liria e fjalës nuk duhet të përdoret kurrë si një mjet për t’i përçmuar të tjerët dhe lejimi i kësaj refuzohet dhe dënohet”, shtoi ai.

    Një burrë grisi dhe dogji një kopje të Kuranit në kryeqytetin e Suedisë, Stokholm, javën e kaluar. Ky veprim solli kritika të shumta nga disa shtete, përfshirë Turqinë, mbështetjen e së cilës Suedia duhet ta fitojë për anëtarësim në aleancën ushtarake të NATO-s.

    Policia në kryeqytetin suedez lejoi që demonstrata të vazhdonte, përkundër që veprime të ngjashme ishin ndaluar në shkurt.

    Gjykatat suedeze kishin vendosur që policia nuk kishte të drejtë ta refuzonte lejen për djegien e Kuranit.

    Incidenti shkaktoi protesta në Iran dhe Irak. Teherani zyrtar ka shtyrë marrjen e vendimit për emërimin e një ambasadori të ri në Suedi.

    Më 2 korrik, një organizatë islamike prej 57 shtetesh tha se nevojiten masa kolektive për t’i parandaluar aktet e përdhosjes së Kuranit dhe ligji ndërkombëtar duhet të përdoret për ta ndaluar urrejtjen fetare.

  • Policia kërkon ndihmë për kapjen e një personi për vjedhje në vlerë të 31 mijë eurove

    Policia kërkon ndihmë për kapjen e një personi për vjedhje në vlerë të 31 mijë eurove

    Policia e Kosovës ka publikuar fotografinë e një personi, i cili dyshohet se ka kryer vjedhje në vlerë prej 31.000 euro në një shtëpi në Suharekës.

    Në njoftimin e bërë për media thuhet se, i dyshuari ka vjedhur stoli ari në vlerë prej 20 mijë euro, dhe 11 mijë euro kesh.

    “Më date 21.05.2023 rreth orës 20:05 është raportuar një vjedhje e rëndë në Shirok të Suharekës, është raportuar se persona të panjohur duke tejkaluar pengesa kanë hyrë në shtëpi të viktimës dhe nga aty kanë vjedhur stoli ari me vlerë rreth 20000 (Njëzet mijë ) euro si dhe para të gatshme 11000 (njëmbëdhjetë mijë ) euro. Lidhur me rastin policia ka siguruar video incizime dhe foto të dyshuarit që dyshohet që i ka vjedhë parat, janë bërë hetime te vazhdueshme për I identifikimin e personit të dyshuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Policia shton se, përkundër përpjekjeve të bëra, deri më tani nuk është arrit që të identifikohet dhe të lokalizohet vendqëndrimi i të dyshuarit.

    “Me qëllimin që të zbulohet sa më parë vendndodhja dhe identiteti i tij, nga Prokurori i Shtetit lëshohet “Autorizim” për publikimin e fotografive të mara nga kamerat e sigurisë . Andaj kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë qytetarët, që nëse kane çfarëdo informate , apo din diçka për vendndodhjen e të dyshuarit në foto, të raportojnë policinë në Suharekë , apo në cilin do stacion të policisë në Kosovë”.

  • Mbytet në Golem një pushues nga Kosova

    Mbytet në Golem një pushues nga Kosova

    Një pushues nga Kosova është mbytur në detin e Golemit.

    Rreth orës 15:00, në Golem, dyshohet se duke u larë në det, është mbytur aksidentalisht shtetasi R. O., rreth 80 vjeç, nga Kosova.

    Njësitet përkatëse janë duke vazhduar hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

  • Mbyllet për qarkullim bulevardi “Xhorxh Bush”

    Mbyllet për qarkullim bulevardi “Xhorxh Bush”

    Nga sot do të mbyllet për qarkullimin e automjeteve dhe mjeteve tjera të transportit bulevardi “Xhorxh Bush”.

    Sipas njoftimit të komunës, ky bulevard do të jetë i mbyllur deri më 14 korrik.

    Në njoftim thuhet se tani autobusët do të qarkullojnë nga sheshi “Xhorxh Bush” në drejtim të Bulevardit “Bill Kllinton” dhe do të përshkojnë rrugën “Robert Doll” .

    “Ju njoftojmë se bulevardi “Xhorxh Bush” i cili gjendet në qendër të kryeqytetit do të mbyllet për qarkullimin e automjeteve e mjeteve tjera të transportit nga data 03.07.2023 deri më 14 korrik 2023. Kjo do të bëhet për t’i mundësuar Universitetit Ndërkombëtar Veror të zhvillojë aktivitetet në këtë bulevard”.

    “Ndërsa rrjedha e qarkullimit të autobusëve të Ndërmarrjes Publike Komunale “Trafiku Urban” në linjat 1, 1A, 3, 4, dhe 7C do të ndryshojë. Tani autobusët do të qarkullojnë nga sheshi “Xhorxh Bush” në drejtim të Bulevardit “Bill Kllinton” dhe do të përshkojnë rrugën “Robert Doll” , thuhet tutje në njoftim.

  • ​Kurti: Duhet një bashkëpunim i mirëfilltë në mes të sektorit publik dhe privat

    ​Kurti: Duhet një bashkëpunim i mirëfilltë në mes të sektorit publik dhe privat

    Komisioni Ekzekutiv për zhvillimin e sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional, i udhëhequr nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbajti sot takimin e pestë me radhë.

    Në kuadër të këtij takimi në fokus të diskutimit ishin tri çështje, përfshirë atë të qeverisjes së arsimit dhe aftësimit profesional, për të cilin MAShTI, ka themeluar grupin punues për rishikimin e Ligjit për Arsimin dhe Aftësimin Profesional.

    Temë tjetër e diskutimit ishte edhe zbatimi dhe sfidat e arsimit dual gjatë vitit të kaluar shkollor, si dhe për planet të cilat parashikojnë zgjerimin e arsimit dual. Në këtë pikë theks të veçantë iu vu rolit të Odës Ekonomike për të koordinuar zbatimin e arsimit dual, pasi siç tha kryeministri Kurti duhet të ekzistojë një bashkëpunim i mirëfilltë në mes të sektorit publik dhe atij privat.

    Në praninë e Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, si dhe anëtarëve të Komisionit Ekzekutiv e përfaqësuesve të ministrive përkatëse, u shpalosën rezultatet, hapat e ndërmarrë dhe planet për përmirësimin e arsimit dhe aftësimit profesional.

    Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

    E nderuara znj. Ministre Hajdari, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,

    I nderuar z. Ministër Murati, Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve,

    E nderuara znj. Artane Rizvanolli, Ministre e Ekonomisë,

    E nderuara znj. Majlinda Rizvanolli Bajraktari, këshilltare për Arsim dhe Aftësim Profesional, nga MAShTI,

    I nderuari Enis Spahiu, Ushtrues i Detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm, të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve,

    Të nderuar të pranishëm,

    Të nderuar anëtarë të Komisionit Ekzekutiv për Zhvillimin e Sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional,

    Sot, po e mbajmë takimin e pestë me radhë të këtij Komisioni. Gjatë këtij takimi do të shpalosim rezultatet dhe hapat e ndërmarrë për përmirësimin e arsimit dhe aftësimit profesional dhe do të diskutojmë për sfidat që po na shfaqen si pengesë për avancimin e mëtutjeshëm.

    Janë tri çështje që do t’i diskutojmë sot me fokus më të madh: Së pari është çështja e qeverisjes së arsimit dhe aftësimit profesional të cilën ende nuk kemi arritur ta diskutojmë dhe të marrim vendim lidhur me skenarin e propozuar. Për njërin nga skenarët duhet të vendosim sot, për shkak se MAShTI ka themeluar grupin punues për rishikimin e Ligjit për Arsimin dhe Aftësimin Profesional. Është me rëndësi që të ketë orientim për punën e tyre të mëtejme.

    Gjithashtu gjatë takimit do të diskutojmë për zbatimin e arsimit dual, me fillim të vitit të kaluar shkollor, sfidat me të cilat është ballafaquar implementimi i arsimit dual përgjatë këtij viti shkollor si dhe për planet të cilat parashikojnë zgjerimin e arsimit dual.

    Po ashtu, një pikë e rëndësishme për të cilën duhet të diskutojmë dhe të marrim vendim, është roli i Odës Ekonomike për të koordinuar zbatimin e arsimit dual. Arsimi dual nuk mund të mbijetojë dhe ekzistojë pa një bashkëpunim të mirëfilltë në mes të sektorit publik dhe atij privat, andaj edhe nevojitet një bashkëpunim i mirëfilltë në mes këtyre. Ne si Qeveri duhet të kemi vëmendjen e duhur dhe të marrim vendime lidhur me fuqizimin e këtij bashkëpunimi.

    Ideja e themelimit ka qenë që të kemi koordinim më të mirë ndërinstitucional, në mënyrë që të kontribuojmë së bashku për avancimin e arsimit dhe aftësimit profesional. Marrë parasysh këtë kërkoj nga të gjitha institucionet dhe anëtarët që përfaqësojnë ministritë dhe dikasteret e ndryshme të japin informacione lidhur me zhvillimet që i kanë në kuadër të institucioneve të tyre lidhur me zhvillimin e AAP-së. Koordinimi sa më i mirë do të mundësojë shfrytëzimin më efikas edhe të donatorëve, por edhe të buxhetit shtetëror.

  • Ministri gjerman i mbrojtjes i bën thirrje Turqisë që të lejojë Suedinë të anëtarësohet në NATO

    Ministri gjerman i mbrojtjes i bën thirrje Turqisë që të lejojë Suedinë të anëtarësohet në NATO

    Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius i bëri thirrje Turqisë që të pranojë Suedinë në NATO “së shpejti”, gjatë një deklarate të përbashkët për shtyp të hënën me homologun e tij polak Mariusz Blaszczak.

    “Për sa i përket luftës në Ukrainë, situata e re që po përjetojmë, situata e sigurisë, na detyron të flasim përsëri për parandalimin dhe aftësinë mbrojtëse dhe është e rëndësishme që Suedia të bëhet së shpejti anëtare e NATO-s, që Turqia të heqë dorë nga rezistenca e saj. ”, tha Pistorius përpara një vizite në një bazë në Zamosc, Polonia Lindore, ku janë vendosur sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot.

    Si Suedia ashtu edhe fqinji i saj Finlanda deklaruan synimin e tyre për t’u bashkuar me NATO-n përmes politikës së dyerve të hapura në maj të vitit të kaluar, vetëm disa javë pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.

    Finlanda u pranua përfundimisht në prill të këtij viti, duke dyfishuar kufirin e aleancës mbrojtëse me Rusinë, por pranimi i Suedisë aktualisht është i bllokuar, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

    Në përgjithësi pranohet se forcat e armatosura të Suedisë janë në përputhje me NATO-n. Suedia ka një delegacion të përhershëm në NATO dhe konsiderohet një partner i ngushtë i aleancës, që do të thotë se anëtarësimi duhet të jetë relativisht i drejtpërdrejtë.

    Por Turqia – një anëtare e rëndësishme strategjike e NATO-s për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike si në Lindjen e Mesme ashtu edhe në Evropë, dhe fuqia e dytë më e madhe ushtarake e aleancës – ka bllokuar pranimin e Suedisë për një sërë arsyesh.

    Midis tyre është pretendimi se Suedia lejon anëtarët e grupeve të njohura terroriste kurde të veprojnë në vend, veçanërisht Partinë militante të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

    Suedia ndryshoi ligjet e saj për terrorizmin në fillim të këtij viti, duke e bërë krim të jesh pjesë e këtyre grupeve, por nuk është e qartë nëse kjo do ta bindë Turqinë që të lejojë vendin të anëtarësohet në NATO.

  • Rama e Sadiku i dorëzojnë QKMF-së pajisje në vlerë prej mbi 283 mijë euro

    Rama e Sadiku i dorëzojnë QKMF-së pajisje në vlerë prej mbi 283 mijë euro

    Komuna e Prishtinës ka blerë pajisje mjekësore për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në vlerë prej mbi 283 mijë euro, raporton Ekonomia Online. Dorëzimin e tyre e bërën kreu i Prishtinës, Përparim Rama dhe drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku.

    Me blerjen e këtyre pajisjeve, kryetari Rama tha se do të ofrohen shërbime më të mira për pacientët.

    “Kemi marr tash një numër të madh të aparaturave të cilat do të shfrytëzojmë në sektorin primar. Gjithë ky transformim i kryeqytetit, i shërbimeve duke u fokusuar në sektorin primar është duke ndodhur, kemi aparatura me kosto afër 300 mijë euro, e cila do të shpërndahet në QKMF në pjesë të ndryshme të kryeqytet”.

    “Ultrazërat janë shërbimi i pari në sektorin primar në kryeqytet por edhe gjithë vendin. Do të fillojmë së shpejti që ta bëjmë këtë në të gjitha QKMF. Kjo do t’i ndihmojë shumë gjithë nivelit shëndetësor, për arsyeje se qytetarët do ta mund ta marrin këtë shërbim në sektorin primar pa pas nevojë të shkojnë në atë sekondarin apo terciarin për t’i marrë këto shërbime, kjo është përmirësim i kushteve në të gjitha nivelet. Kjo është risi për kryeqytetin, Kosovën”, tha Rama.

    Me këto para janë blerë; 200 Tensionmetra, 5 Ultrazëra për përdorim gjeneral, 11 Tavolina multifunksionale, 2 Numërues hematologjik, 2 Analizues biokimik me sistem të hapur, 10 EKG- elektrodiagram, 70 copë glikometër, 10 Turbina stomatologjike, 120 Pulksosimetra për tavolina, 50 Otokop/Oftalmoskop, 230 Stetoskopë, 10 Kundërkënde stomatologjike, 4 Pajisje elektronike për kompresion të gjoksit 3 tek RKP.

  • ​Clinton mbërrin në Shqipëri

    ​Clinton mbërrin në Shqipëri

    Presidentit të 42-të të Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, tashmë ndodhet në Shqipëri, raportojnë mediat shqiptare.

    Sipas agjendës, në orën 19:00, Clinton do të pritet nga kryeministri Edi Rama në një ceremoni të posaçme zyrtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë kryeministrisë, me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve.

    Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të SHBA-së dhe Shqipërisë, Rama dhe Clinton do të bëjnë parakalimin ceremonial dhe do të nderojnë flamujt e dy vendeve.

    Në orën 19:05, kryeministri Rama do të mbajë fjalën e rastit dhe më pas do të ftojë presidentin Clinton të marrë çmimin e akorduar.

    Ndërsa, në orën 19:25 do të zhvillohet ceremonia e nderimit të presidentit të 42-të të SHBA-ve, Bill Clinton me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike” që do të pasohet nga fjalimi i presidentit.

    Ndryshe, rrugët e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” janë të mbushura me flamuj amerikanë dhe shqiptarë, sakaq një pankartë e madhe me foton e Clinton dhe mbishkrimin “Mirë se erdhe zoti President!” është varur mbi fasadën e Politeknikut.