ATV

Author: ATVLive

  • Qetësohet situata në Francë

    Qetësohet situata në Francë

    Trazirat në mbarë Francën, që u nxitën pas vrasjes së një 17-vjeçari, janë qetësuar në natën e gjashtë. Por, ndërtesat publike, makinat dhe koshat e plehrave kanë qenë cak i zjarrvënieve dhe vandalizmit gjatë natës.

    Ministria e Brendshme franceze tha se gjatë natës janë arrestuar 157 persona. Që nga 27 qershori, kur nisën trazirat, në Francë janë arrestuar 3.354 persona, teksa janë sulmuar edhe dy stacione policore.

    Afër 45.000 oficerë u dislokuan në mbarë vendin ku janë mbajtur protesta kundër diskriminimit ndaj personave që kanë prejardhje nga ish-kolonitë franceze dhe që jetojnë në lagjet me të ardhura të ulëta. Nahel, adoleshenti që u vra të martën e kaluar, ishte me prejardhje algjeriane. Ai u vra nga një polic në Nanterre, në periferi të Parisit.

    Në mbarë Francën, 297 makina janë djegur gjatë natës, ndërkaq zjarrvënie ka pasur edhe në 34 ndërtesa.

    Një zjarrfikës 24 vjeç vdiq pas një sulmi në zemër, teksa po punonte në shuarjen e zjarrit në një garazhë nëntokësore, tha policia në Paris. Shkaku i zjarrit në këtë ndërtesë banimi po hetohet, thanë autoritetet.

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka fajësuar rrjetet sociale për përhapjen e trazirave dhe u ka bërë thirrje prindërve që të jenë përgjegjës për fëmijët e tyre adoleshentë.

    Ministri i Drejtësisë, Eric Dupond-Moretti, tha për një radio franceze se prindërit që heqin dorë nga kjo përgjegjësi “ose për shkak të mosinteresimit ose qëllimisht” do të ndiqen penalisht.

    Nahel, 17 vjeç, u vra gjatë një kontrolli në trafik. Familjarët e tij kanë bërë thirrje që të ndalen trazirat. /rel

  • Shtrenjtohen kreditë në Kosovë

    Shtrenjtohen kreditë në Kosovë

    Bankat komerciale në Kosovë kanë shtrenjtuar kreditë për klientët

    Sipas raportit të sistemit financiar për muajin maj 2023, të përgatitur nga Banka Qendrore e Kosovës, norma mesatare e interesit në kredi ka arritur në 6.5%, krahas 6.3 % sa ka qenë në muajin prill 2023.

    Përderisa norma mesatare e interesit në kreditë dhe lizingjet që jepen nga institucionet mikrofinanciare arrinë në 19.1%, raporton Front Online.

    Përndryshe, vetëm në pesë mujorin e parë të këtij viti nga shtrenjtimi i kredive dhe shërbimeve, bankat komerciale në Kosovë kanë arritur fitim të pastër prej rreth 66 milionë euro.

  • Lista Serbe kërkon nga Serbia të shpallë Policinë e Kosovës organizatë terroriste

    Lista Serbe kërkon nga Serbia të shpallë Policinë e Kosovës organizatë terroriste

    Lista Serbe i ka nisur letër Qeverisë së Serbisë, duke i kërkuar që të reagojë ndaj “njësive speciale në veri”, që sipas kësaj partie, po mbahen në mënyrë të paligjshme nga kryeministri Albin Kurti.

    Në letrën e publikuar në Facebook të hënën, Lista Serbe tha që qeveria serbe duhet të merr “një vendim të duhur në përputhje me kompetencat, me procedurë urgjente”.

    “Ju sugjerojmë që të merrni një vendim të duhur në përputhje me kompetencat tuaja, me procedurë urgjente… Baza e këtij vendimi qëndron në aktivitetet e numëruara të kryera nga këto struktura de facto në periudhën e mëparshme, të cilat përmbushen nga parimet dhe standardet ndërkombëtare të agjencive botërore dhe të OKB-së, elementet bazë të përkufizimit të terrorizmit sepse këto aktivitete janë në kundërshtim me parimet dhe qëllimet e OKB-së, të cilat nënkuptojnë veprime në përdorimin e dhunës së paligjshme”, thuhet në njoftim.

    Ky subjekt politik i listoi “shkeljet”, që siç pretendon, janë kryer nga institucionet e Kosovës.

    Lista Serbe akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që nëpërmjet strukturave të caktuara parapolicore “kryen regjim”.

    Ajo tha se për dy vjet, serbët e Kosovës po vuajnë nga terrori dhe represioni “i regjimit antiserb i Albin Kurtit”.

  • PDK: Zgjidhja e vetme është rrëzimi i Qeverisë Kurti

    PDK: Zgjidhja e vetme është rrëzimi i Qeverisë Kurti

    Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se zgjidhja e vetme për situatën e krijuar në vend, është rrëzimi i Qeverisë Kurti.

    Kështu është shprehur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

    Tahiri, ka thënë se masat e vendosura nga Bashkimi Evropian të vendosura ndaj Kosovës e dëmtojnë rëndë të ardhmen euroatlantike të vendit.

    “Shpreh shqetësimin që Qeveria dhe kjo mazhorancë tentoj ta mbajë të feshur komunikimin që i kishte bërë BE-ja nga data 28 qershor që këto sanksione kanë hyrë në fuqi. Kemi hyrë në një shkallë të rrezikshme të zhvillimeve me BE-në. Kjo është mjaft shqetësuese, masa të tilla e dëmtojnë rëndë të ardhm3en tonë euroatlantike, e dëmtojnë raportin tonë me secilin shtet të BE-së, konsideroj që si opozitë tashmë jemi në prag të një udhëkryqi ku do të na imponohet të marrim vendime që janë të rëndësishme për të ardhmen e vendit tonë”, tha Tahiri.

    Shefi i deputetëve të PDK-së, më tej theksoi se edhe Kuvendi është i dështuar.

    “Një Kuvend i dështuar që nuk e meriton me vazhdu asnjë ditë të vetme, sepse ka blloku agjendën e vendit, gjithçka ka stagnuar. Jemi në gjendje të mjerueshme si vend si rezultat i kësaj qeverisje. Zgjidhje është rrëzimi i kësaj qeverie. Ne e dimë aktualisht me numra sesi jemi në këtë Kuvend, e rëndësishme është që ne të gjejmë rrugën ta gjejmë drejtimin dhe të mos vuajmë për protagonizëm. Dështimi i mocionit do të thotë që tre muaj të ardhshëm nuk mundemi të bëjmë një mocion të ri, dhe ne nuk duam që ta lëmë këtë qeveri të vazhdoj më tutje”, tha Tahiri.

  • Gjykata Themelore e cakton masën e arrestit shtëpiak për 30 ditë ndaj Arbnor Rifatit dhe Daut Mehmetit

    Gjykata Themelore e cakton masën e arrestit shtëpiak për 30 ditë ndaj Arbnor Rifatit dhe Daut Mehmetit

    Trajneri kosovar, Arbnor Rifati dhe gjyqtari Daut Mehmeti janë arrestuar të premten, pas një aksioni nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, nën akuzat për kurdisje të ndeshjeve.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, ndaj të njëjtëve ka caktuar masën e sigurisë të arrestit shtëpiak prej 30 ditë.

    ATV ka siguruar aktvendimin e Gjykatës Themelorë në Prishtinë, në të cilin janë dhënë detaje për vendimin e prokurorisë.

    Avokati Florim Shefqeti në rolin e mbrojtësit të trajnerit Arbnor Rifati, tha se kundërshton masën e paraburgimit për palën e tij, për arsye se prokuroria nuk ka mbështetje dhe se ka gabime faktike të referimit të ndeshjeve për të cilat akuzohet trajneri.

    Edhe avokati i gjyqtarit Daut Mehmeti, Mehmet Berisha, ka deklaruar nuk ka elemente të kryerjes së veprës penale nga pala e tij për të cilën pretendon prokuroria e shtetit.

    Arbitri Mehmeti javë më parë u përjashtua nga basketbolli me vendim të FIBA-s, për kurdisje të ndeshjeve në Ligën Ballkanike. Rifati ka qenë trajner shumëvjeçar te Ponte Prizreni dhe së fundi drejtues i këtij klubi të basketbollit. /atvlive.tv

  • ​Llapi transferon ish-mesfushorin e Prishtinës dhe Dritës

    ​Llapi transferon ish-mesfushorin e Prishtinës dhe Dritës

    Klubi i futbollit Llapi ka bëtë të ditur se ka nënshkruar kontratë me mesfushorin, Ergyn Ahmeti.

    Mesfushori 27-vjeçar vjen në klubin nga Podujeva pas eksperiencës dy-vjeçare tek Dukagjini, ndërsa më parë ka mbrojtur ngjyrat edhe të Prishtinës e Dritës.

    Në praninë e Drejtorit Sportiv, Mentor Zhdrella, Ahmeti ka firmosur kontratën e vlefshme deri në vitin 2024, përcjellë KosovaPress.

    Ahmeti do jetë forcë shtesë për repartin e mesfushës dhe do bashkohet me ekipin e trajneri Tahir Batatina në përgatitjet për edicionin e ri që do i fillojmë nga dita e sotme.

    Mesfushori mitrovicas ka fituar dy-herë Kupën e Kosovës me Prishtinën dhe është paraqitur në ndeshjet ndërkombëtare me klubin kryeqytetas dhe Dritën.

  • Osmani selfie me ushtarakun e KFOR-it që ia prezantoi Rakiqit numrin e ushtarëve të plagosur në veri

    Osmani selfie me ushtarakun e KFOR-it që ia prezantoi Rakiqit numrin e ushtarëve të plagosur në veri

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka realizuar një selfie me komandantin e Brigadës së 76-të të Këmbësorisë, nënkolonelin Jared B. Sheets.

    Ky ushtarak i KFOR-it, ditë më parë ia prezantoi kryetarit të Listës serbe, Goran Rakiq, numrin e ushtarëve të plagosur nga ana e bandave kriminale të maskuara në veri.

    Ndryshe, sot presidentja Vjosa Osmani, ka dekoruar me Medaljen Presidenciale Ushtarake udhëheqësit ushtarakë amerikanë në KFOR.

  • ​Kurti për masat: Janë ngujuar afër 150 milionë euro, me BE-në jam në kontakt të përditshëm

    ​Kurti për masat: Janë ngujuar afër 150 milionë euro, me BE-në jam në kontakt të përditshëm

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të hënën se janë paralajmëruar edhe sanksione të tjera nga Bashkimi Evropian, por siç u shpreh ai, aktualisht Kosova i ka të ngujuara afër 150 milionë euro kredi dhe grante, që duhet të kalojnë me 2/3 në Kuvendin e Kosovës.

    Kurti shtoi se këto masa janë të përkohshme e të padrejta.

    “Është e vërtet se janë paralajmëruar masa të cilat edhe janë zbatuar disa prej tyre, si ushtrimi i madh “Defender Europe 2023”, sidomos në Gjakovë kur e kishim të planifikuar çdo gjë, u anulua. Bëhet fjalë edhe për vizitë, por gjithsesi bëhet fjalë për masa të përkohshme e të cilat janë të padrejta për bindjen time, mirëpo ajo çfarë ne duhet të bëjmë është që në Kuvendin e Republikës me 2/3 e deputetëve t’i kalojmë ato kredi dhe grande të cilat kanë ngelur të ngujuara dhe të cilat nuk po mund t’i gëzojë ekonomia e Kosovës në vlerën e përgjithshme prej afër 150 milionë euro, kredi dhe grade që nuk kalojën pa 2/3 në Kuvend. Ne kemi ngujim aktual që mund ta kalojmë bashkë”, tha Kurti.

    Kurti gjatë mbikëqyrjes së punimeve që kanë nisur në magjistralen Prishtinë-Podujevë, theksoi janë identifikuar 45 persona që bëjnë pjesë në dy organizatat e shpallura terroriste nga Qeveria javën e kaluar, “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.

    “Deri më sot janë identifikuar 45 persona, identifikim i saktë që kanë marrë pjesë në sulme, dhune kundër ushtarëve të KFOR-t policisë e gazetarëve, por njëkohësisht edhe kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm duke përdorur armatim të ndryshëm, prej granatave të dorës tek shok bomba, por edhe te plumbat qofshin ato të automatikeve ose të revolverëve. U pa me datën 23 qershor çfarë armatime dhe municioni u konfiskua në një automjet me targa të Beogradit që i përket ndërmarrjes publike hekurudhat të Serbisë. Është një situatë në të cilën ka shumë kriminel, kjo s’ka të bëjë me popullsinë serbe, popullsia serbe atje është paqësore, ajo dëshiron jetë të mirë në vendin tonë, mirëpo janë këta dhjetëra kriminel të spikatur të cilët dhunën e parë nuk e kanë bërë as me 26 maj as me 29 në Zveçan, por shumë më herët, përveç atyre 45 qe janë identifikuar, kjo nuk do të thotë që s’ka edhe më shumë, por minimumi është 46. Qytetarë serb janë më të frikësuarit prej këtyre kriminelëve, ne na dërgojnë informacion çdo herë kur vepron ligji”, theksoi Kurti.

    Kryeministri Kurti theksoi po ashtu se me Bashkimin Evropian është në kontakt të përditshëm.

    “Me BE-në jam në kontakt të përditshëm dhe me Brukselin. Dje kam biseduar në telefon afër gjysmë ore edhe më përfaqësuesin e lartë për siguri, pra unë jam në kontakt edhe me ndërmjetësin Lajçak, jam i interesuar edhe për deeskalim edhe për normalizim. Deeskalimi nënkupton sundim të ligjit që i zmbraps këta kriminelë duke i detyruar të ballafaqohen më drejtësi ose të shkojnë në Serbi”, theksoi ai.

    Këto komente Kurti i bëri në Podujevë gjatë inspektimit të punimeve që kanë nisur javën e kaluar në magjistralen Prishtinë-Podujevë. /kp

  • ​Tensionet në veri, Abdixhiku do të nisë takimet e paralajmëruara të mërkurën

    ​Tensionet në veri, Abdixhiku do të nisë takimet e paralajmëruara të mërkurën

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar se nga e mërkura do të nisë takimet e para me profesionistë të ndryshëm për të nxjerrë propozimet për dalje nga kriza e tanishme izoluese dhe tensionuese e Kosovës.

    “Javën e shkuar kam shpalosur idenë e nisjes së artikulimit të një mendimi të përbashkët shoqëror, si rrugë e re e Republikës së Kosovës, përballë politikave përplasëse të Qeverisë së Kosovës me aleatët historikë të saj – dhe së këndejmi, rrezikimit të shtyllave qenësore të sovranitetit dhe vet shtetësisë sonë. Kam ftuar për angazhim të përbashkët të shoqërisë sonë, atyre që besojnë në Republikën e Kosovës dhe rrugëtimin e saj euroatlantik, në artikulimin e qartë të kësaj rruge. Kam ftuar në angazhim mbipartiak e përtejpartiak si thirrje e fundit ndaj zhvillimeve të kohës”, shkroi Abdixhiku.

    Kreu i LDK-së tha se është i lumtur me reagimin e parë publik ndaj vet iniciativës.

    “Jam i lumtur me mbështetjen e gjerë të dhënë nga vet akterët për këtë qëllim. Jam i bindur se shoqëria kosovare ka masën kritike të domosdoshme brenda saj, për të bërë gjënë e duhur në momentin e duhur. Dhe ky është momenti i duhur”, tha ai.

    Sipas tij, nga e mërkura, do të organizojë katër takimet e para me opinionistë, gazetarë, organizata të shoqërisë civile, profesorë universitarë e ish-diplomatë dhe biznese nga sektori privat në vend.

    “Në të katër takimet e para, do të shtrojmë jo vetëm nevojën e ndërtimit të një mendimi e rrugëtimi të përbashkët euroatlantik, por dhe propozimet tona për dalje nga kriza e tanishme izoluese e tensionuese. Këto propozime do të përmbajtësohen nga vet pjesëmarrësit; e rruga e re e Republikës, do të lindë natyrshëm nga angazhimi gjithëshoqëror”, përfundoi Abdixhiku.

  • Qeveria gjeorgjiane synon ndalimin e lindjeve nga nënat surrogate për çiftet e huaja

    Qeveria gjeorgjiane synon ndalimin e lindjeve nga nënat surrogate për çiftet e huaja

    Për më shumë se dy dekada, shteti post-sovjetik i Kaukazit ka qenë pjesë e një liste të vendeve të pakta që e lejojnë lindjen nga nënat surrogate për “altruizëm” apo i përdorin për përfitime, duke përfshirë edhe ato nga prindër biologjikë nga shtetet e tjera, me kosto shumë më të ulëta sesa në vendet më të pasura.

    Mirëpo, më 12 qershor kryeministri gjeorgjian, Irakli Gharibashvili, njoftoi për hartimin e një draft-ligji të ri për ta rregulluar sistemin mbi lindjet nga nënat surrogate, një proces kur një grua lind një fëmijë me fekondim in vitro (IVF) pa pasur lidhje gjenetike.

    Ai paralajmëroi për karakterin e “urdhrit të drejtpërdrejtë” të sektorit të fertilitetit, ofertën e një “të ashtuquajturi biznes të sofistikuar për gratë tona gjeorgjiane dhe rrezikun që ai fëmijë të ketë prindër të së njëjtës gjini jashtë vendit”.

    Sipas blogut Mayo Clinic, fekondimi in vitro nënkupton fertilizimin e spermatozoidit dhe vezës në kushte laboratorike dhe mund të përdoret për të trajtuar të gjitha llojet e infertilitetit, qoftë mashkullor apo femëror.

    “Po flitet se çiftet e së njëjtës gjini janë duke i marrë fëmijët që janë duke i lindur këtu, dhe pastaj kjo mund të sjellë shumë probleme”, tha Gharibashvili.

    Projektligji aktual nga Ministria e Shëndetësisë, Punës dhe Çështjeve Sociale do të ndalonte lindjen nga nënat surrogate për qëllime komerciale, duke e kufizuar atë vetëm në “parimin e altruizmit ” dhe do t’i kufizonte gratë gjeorgjiane të lindin foshnja vetëm për prindër biologjikë të huaj pas vitit 2023.

    Surrogacia komerciale i referohet çdo marrëveshjeje për lindje surrogate, ku nëna kompensohet për shërbimet e saj përtej rimbursimit të shpenzimeve mjekësore.
    Përfaqësuesit e agjencive surrogate dhe dhuruese të vezëve në Gjeorgji shprehën “tronditje” ndaj planit të Gharibashvilit, pavarësisht faktit se ministria ka punuar në projektligje në këtë fushë për më shumë se një vit.

    Ata, gjithashtu, vunë në pikëpyetje arsyetimin e deklaruar të kryeministrit gjeorgjian për kufizimin jashtë shtetit, duke pretenduar se tashmë ekzistojnë masa për të kufizuar lindjen e nënave surrogate gjeorgjiane për prindërit meshkuj dhe femra.

    “Unë nuk e di se nga e mori [Gharibashvili] informacionin e tij. Çështja e birësimit të një fëmije nga një çift i së njëjtës gjini nuk është në rendin e ditës dhe sigurisht nuk mund të jetë arsyeja e ndalimit të ofrimit të shërbimeve për çiftet nga vendet e huaja”, tha për Shërbimin Gjeorgjian të Radios Evropa e Lirë, Natia Janadze, shefe e departamentit ndërkombëtar në klinikën private ReproART dhe menaxhere e përgjithshme e IVF Tours Georgia.

    Thea Tsulukiani, ministre e Kulturës, Sportit dhe Rinisë e Gjeorgjisë, miratoi një ndryshim në ligjin gjeorgjian në vitin 2020 që forcoi kërkesat e licencimit për lindjet me IVF. Tsulukiani deklaroi në atë kohë se masa kishte për qëllim të kufizonte më tej procesin vetëm për “një burrë dhe një grua” dhe për të “parandaluar krimin transnacional të trafikimit të foshnjave”, si dhe për të parandaluar që lindja me nënat surrogate në Gjeorgji të sjellë viktima të “shfrytëzimit seksual, torturë dhe trajtim çnjerëzor, për të parandaluar çiftet fiktive të krijojnë një fëmijë përmes një nëne surrogate për qëllime kriminale” e t’i çojnë jashtë vendit.

    Ajo pretendoi se bizneset “bëjnë miliona” përmes atij që ajo e quajti “krim të organizuar”.

    Analistët kanë parë një rritje në ndikimin e aktivitetit që lidhet me Kishën Ortodokse Gjeorgjiane që bën fushatë kundër komunitetit LGBT, e cila ka kundërshtuar të drejtat e këtij komuniteti dhe ka perceptuar sulme ndaj vlerave tradicionale të familjes në bazë të fesë. Doktrinat e kishës kanë qenë herë pas here shumë të ngjashme me pikat zyrtare të bisedimeve të qeverisë.

    Agjencia e Janadze ka organizuar mbi 1000 lindje surrogate që nga viti 2014 dhe ajo pranon se rregullimi i rreptë është në interesin më të mirë, si të ministrisë, ashtu edhe të sektorit.

    Ajo priste ndryshime në ligj për të përshtatur përgjithësisht legjislacionin gjeorgjian me rregulla ekuivalente jashtë vendit, por ajo nuk e parashikoi ndalimin për çiftet e huaja.

    “Ne prisnim që projektligji të ishte gati deri në vjeshtë, por fatkeqësisht ky largim i papritur na tronditi… Ne ende presim diçka tjetër dhe vazhdojmë të përballemi me një realitet tjetër”, tha Janadze një ditë pas deklaratës së kryeministrit gjeorgjian.

    Klientët e huaj

    Sipas Janadze, rreth 95 për qind e klientëve të saj janë nga vendet e huaja, duke përfshirë Kinën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraelin, Turqinë, Azerbajxhanin, Kanadanë, Australinë, Greqinë, Spanjën dhe Indinë.

    Meqenëse kjo procedurë është e lejueshme vetëm për çiftet e martuara ose që bashkëjetojnë meshkuj-femra, me kërkesat e noterizimit për ta konfirmuar atë, çiftet e së njëjtës gjini e kanë absolutisht të ndaluar me ligj që të transferojnë jashtë vendit fëmijët e lindur nga nënat surrogate gjeorgjiane.

    Ministri i Shëndetësisë, Punës dhe Çështjeve Sociale, Zurab Azarashvili, ka kërkuar që “parimi i altruizmit” të kontrollohet me ligj, megjithëse ministria ka mbetur relativisht e heshtur se si duhet të përcaktohet.

    Azarashvili theksoi gjithashtu komponentin demografik të këtij debatit, duke vënë në dukje rregulloret e zëvendësimit dhe IVF-në si “mundësi” për të trajtuar një popullsi në rënie në një vend me më pak se 4 milionë banorë.

    Janadze përmendi pyetjet se si futja e propozuar e një “parimi vetëmohues” do të ndikojë në shpenzimet e nënave me lindje surrogate nëse projektligji miratohet në formën e tij aktuale.

    Surrogatët duhet të marrin kompensim “logjik” për kohën dhe punën e tyre, “por për shkak se kërkesa për nëna me lindje surrogate do të bjerë për shkak të ndalimit të shërbimeve të tilla për çiftet nga vendet huaja, mund t’ju them se shuma e kompensimit gjithashtu do të bjerë”, tha ajo.

    Sipas ekspertëve të kësaj fushe, nënat me lindje surrogate përfitojnë nga 17.000 deri në 23.000 dollarë për shtatzëni e deri në lindje, me më shumë përfitime për binjakët. Ata pretendojnë se shumica e grave që nënshkruajnë këto kontrata kanë vështirësi financiare.

    Dallimet në botë për lindjen me surrogaci

    Që nga viti 1985, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë vendi i parë në botë për lindje surrogacie gestacionale, vetëm një grup i vogël i vendeve deri tani kanë legalizuar lindjen me surrogaci.

    Shumë vende i kanë bërë të paligjshme të gjitha format e lindjes me surrogaci, ndërsa të tjera vende kanë lejuar lindje me surrogaci jokomerciale varësisht nga rrethanat ose kanë shmangur legalizimin e kësaj çështjeje.

    Një dekadë pasi ishte një nga vendet e para në botë që vendosi rregulla që lejojnë riprodhimin me përfshirjen e palës së tretë, Gjeorgjia kreu me sukses lindjen me surrogaci të parë gestacionale në vitin 2007.

    Ajo aktualisht lejon si lindje surrogate komerciale edhe të ashtuquajturin surrogaci altruiste, në të cilin nëna surrogate merr trajtim dhe rimbursim për kostot përkatëse, por nuk paguhet më tej.

    Nuk dihet numri i foshnjave të lindura nga nëna surrogate në Gjeorgji dhe më pas të dërguara jashtë.

    Ministria e Drejtësisë e Gjeorgjisë i ka referuar më parë pyetjet e Radios Evropa e Lirë në lidhje me këtë çështje në Ministrinë e Brendshme, e cila tha se nuk përpilon statistika për kalimet kufitare “të fëmijëve të lindur nga nënat surrogate në Gjeorgji”.

    ‘Ne bëhemi nëna surrogate nga nevoja për para’
    Për disa gra që planifikojnë të bëhen nëna surrogate, projektligji në zhvillim, është shqetësues.

    “Kush do të pranonte të jetë një nënë surrogate nëse nuk merr më shumë shpërblim adekuat? Ne e bëjmë këtë sepse gjërat janë të vështira [financiarisht] për ne”, tha Maya, një grua 31-vjeçare me dy fëmijët e saj të vegjël.

    Ajo pohoi se pavarësisht se punonte në punë të ndryshme, pasi bashkëshorti i saj ka vdekur, ajo ka vështirësi ta paguajë qiranë. Përpjekja e saj e parë për lindje si nënë surrogate kishte për qëllim t’i fitonte rreth 18.000 dollarë, por i dështoi.

    Ajo synon të provojë edhe një herë. Megjithatë, ajo deklaroi se tani do të presë të paktën deri në janar 2024, sepse nuk është e sigurt se cili do të jetë interpretimi i ministrisë për shpërblimin bazuar në “parimin e altruizmit”.

    “Shumëçka varet nga shuma që duhet të marr si rezultat i një lindje surrogate… Mirëqenia e fëmijëve të mi është prioritet. Do të ishte bukur të jetosh në një vend ku gratë pranojnë të bëhen nëna me lindje surrogate vetëm për motive altruiste, por ne për fat të keq nuk e bëjmë këtë”, shpjegoi ajo.

    Gjeorgjia ka shënuar një rritje ekonomike relativisht të mirë në pjesën më të madhe të dekadës së kaluar, përveç një viti të dobët për shkak të pandemisë me COVID-19.

    Menjëherë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, Tbilisi shpejtoi aplikimin e saj për anëtarësim në BE. Megjithatë, shqetësimet e bllokut rreth një ndryshimi të supozuar të sundimit të ligjit dhe demokracisë, si dhe kundërshtimi i partisë qeverisëse Ëndrra Gjeorgjiane për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, kanë penguar kandidaturën e saj zyrtare.

    Eka, 30 vjeç, fitoi 20.000 dollarë si nënë me lindje surrogate për prindërit biologjikë kinezë dy vjet më parë. Ajo dëshiron ta provojë përsëri me shpresën për të blerë një apartament. Ajo është nënë e tre fëmijëve. Ajo tha për Radion Evropa e Lirë se “nuk mund të fitosh para të tilla duke punuar si konsulente, në një sallon bukurie apo duke pastruar”. Ajo tha se kishte dëgjuar se mund të kishte ndryshime në rregullat që rregullojnë lindjen me surrogaci të kompensuar.

    “Gratë pranojnë të jenë nëna me lindje surrogate vetëm sepse kanë nevojë për para. Përndryshe, kush do të dëshironte të mbetej shtatzënë për nëntë muaj, kur tashmë ka tre ose katër fëmijë?”, tha ajo.

    Prindërit në pritje

    Ka pyetje të ngjashme që vijnë nga ana tjetër e lindjes me surrogaci, për njerëzit që shpresojnë të bëhen prindër.

    Në mediat sociale, ka pasur shumë spekulime se sa do të kushtojë për të paguar dikë për të mbajtur dhe lindur një fëmijë pasi të huajve u ndalohet shërbimi në Gjeorgji. Por, kjo mund të jetë paksa shumë shpresëdhënëse.

    Vendimi i Qeverisë indiane për t’i dhënë fund lindjes me nënë surrogate komerciale me vlerë 400 milionë dollarë në vit, e frekuentuar nga të huajt në vitin 2015, u akuzua për “shkatërrimin” efektiv të tregut vendas të nënave surrogate.

    Salome, 35 vjeçe, nga Gjeorgjia, zbuloi gjashtë muaj më parë se nuk ishte në gjendje të mbante shtatzëninë për shkak të një gjendjeje mjekësore. Mjeku i saj i sugjeroi asaj të provonte një nënë surrogate pasi kishte parë shumë specialistë, pohoi ajo.

    “Ai ishte i befasuar” që ajo ishte e hapur ndaj idesë, tha ajo. “Ne as që u ofrojmë çifteve gjeorgjiane që të kenë një fëmijë në këtë mënyrë, sepse ata në fakt nuk kanë mjete financiare të mjaftueshme për ta bërë këtë.”

    Megjithatë, Salome deklaroi se për shkak se bashkëshorti i saj mban nënshtetësi suedeze, ata tani janë të shqetësuar se çdo rregullore e ardhshme do t’ua ndalojë atyre të përdorin shërbimet e lindjes me nëna surrogate. Ajo, gjithashtu, vuri në dyshim nëse ata do të ishin në gjendje ta merrnin fëmijën jashtë Gjeorgjisë edhe nëse do t’u lejohej të kishin një fëmijë përmes një surrogate atje.

    Salome tashmë po i nënshtrohet trajtimit mjekësor për të siguruar një embrion për një grua tjetër që ta çojë deri në fund, tha ajo.

    “Ne planifikonim që embrioni do të implantohet dhe një fëmijë do të lindte me ndihmën e një nëne surrogate në vitin 2024”, tha ajo. “Tani, rezulton se duhet të nxitojmë dhe të gjejmë shpejt një nënë surrogate në mënyrë që kjo të bëhet para fillimit të janarit 2024”.

    Ajo vuri në dukje se lindja me surrogate është e ndaluar në vendet skandinave, duke përfshirë edhe Suedinë.

    “Pra, meqenëse ne patëm mundësinë për këtë në Gjeorgji, ne donim ta shfrytëzonim këtë opsion. Por, tani nuk e dimë se çfarë do të ndodhë apo si do të jetë”. /REL