ATV

Author: ATVLive

  • Paralajmërohet rritja e çmimit të qumështit nëse shtrenjtohet rryma

    Paralajmërohet rritja e çmimit të qumështit nëse shtrenjtohet rryma

    Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërhyjë dhe të ndalohet shtrenjtimi i energjisë elektrike.

    Shoqata ka thënë se shtrenjtimi do ta dëmtojë rëndë sektorin e prodhimit të qumështit.

    Përfaqësuesit e shoqatës kanë thënë se po përballen me kosto të larta për ambalazh, pagat e punëtorëve dhe shpenzime tjera operative.

    Nga prilli pritet të ketë shtrenjtim të rrymës për 15 për qind.

    Propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike në Kosovë (ZRRE) për shtrenjtimin e çmimit të rrymës për 15 për qind nga muaji prill, ka ngjallur reagime të shumta.

    ““Me gjithë sakrificat e bëra deri tani për të ruajtur një paqe sociale për konsumatorët në Kosovë, nëse çmimi i energjisë rritet, do të detyrohemi të veprojmë. Shpresojmë në mirëkuptimin e klientëve tanë”, thuhet në reagimin e Shoqatës”, thuhet në reagimin e Shoqatës.

    “Industria e qumështit në Kosovë ka qenë ndër sektorët më të goditur nga rritja e kostove të prodhimit dhe kërkon nga institucionet që të parandalojnë ndikimin e mëtejshëm të shtrenjtimit të energjisë në zinxhirin e furnizimit me produkte bazike ushqimore”.

  • Kryebashkiaku i Stambollit akuzohet për korrupsion

    Kryebashkiaku i Stambollit akuzohet për korrupsion

    Kryetari i Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, është arrestuar zyrtarisht dhe është akuzuar për korrupsion.

    Imamoglu, një rival i presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, u arrestua të mërkurën, disa ditë përpara se të zgjidhej si kandidat presidencial i vitit 2028.

    Imamoglu mohon akuzat dhe protestat kundër ndalimit të tij – disa nga më të mëdhatë që vendi ka parë në më shumë se një dekadë – kanë vazhduar për katër net.

    Erdogan ka dënuar trazirat dhe ka akuzuar Partinë Popullore Republikane (CHP) në opozitë të Imamoglut se po përpiqet të “prish paqen dhe të polarizojë popullin tonë”.

    Jashtë zyrës së kryebashkiakut në Stamboll, para se protestat të kishin nisur siç duhet, u lëshua gaz lotsjellës.

    Ndërsa turmat ishin shtuar gjatë gjithë mbrëmjes, u bë e vështirë për të marrë frymë pasi raund pas raundi drejt tyre u gjuajt gaz lotsjellës.

    Duke brohoritur “të drejta, ligj, drejtësi”, njerëzit e të gjitha moshave kundërshtuan një ndalim të qeverisë për tubime për të protestuar kundër asaj që ata e shohin si një ndalim të paligjshëm, shkruan BBC.

    Për katër netët e fundit, mijëra njerëz kanë dalë në rrugë anembanë Turqisë në protesta kryesisht paqësore.

    Autoritetet turke thanë se 343 persona u arrestuan të premten, në ditën e tretë të protestave, në të gjithë vendin.

    Imamoglu shihet si një nga rivalët politikë më të frikshëm të Erdoganit. Ai është i vetmi person që pati për të kandiduar për president nga radhët e CHP-së, zgjedhjet e brendshme të kësaj partie do të zhvillohen të dielën.

    Megjithatë, të mërkurën, ai ishte një nga më shumë se 100 personat, përfshirë politikanë të tjerë, gazetarë dhe biznesmenë, të arrestuar si pjesë e një hetimi.

    Një ditë para arrestimit të tij, Universiteti i Stambollit njoftoi se nuk do t’ia njihte diplomën e Imamoglut për shkak të parregullsive të supozuara, një masë – e cila nëse mbështetej – do të vinte në dyshim aftësinë e tij për të kandiduar si president.

    Sipas Kushtetutës turke, presidentët duhet të kenë përfunduar arsimin e lartë për të mbajtur postin.

  • Sulmet izraelite vrasin të paktën 19 persona në Gazë

    Sulmet izraelite vrasin të paktën 19 persona në Gazë

    Sulmet ajrore izraelite në mbarë jugun e Rripit të Gazës kanë vrarë të paktën 19 palestinezë gjatë natës midis 22 dhe 23 marsit.

    Në mesin e të vrarëve janë edhe një udhëheqës i lartë politik i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – dhe disa gra dhe fëmijë.

    Ushtria izraelite ka urdhëruar njerëzit që të evakuohen nga pjesë të qytetit të Rafahut, që gjendet në kufi me Egjiptin. Ushtria tha se shumë shpejt do të veprojë kundër militantëve në zonën e Tel al-Sultan – që ka pësuar dëme të mëdha për shkak të bombardimeve paraprake – në Rafah. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse urdhri për evakuim sinjalizon një operacion të ri tokësor të Izraelit.

    Izraeli kishte nisur një ofensivë të madhe në Rafah majin e vitit të kaluar, kur mori nën kontroll një korridor strategjik përgjatë kufirit me Egjiptin dhe një pikëkalimi të rëndësishëm.

    Ndërkaq, Hamasi tha se Salah Bardawil, anëtari i byrosë të tij politike dhe Parlamentit palestinez, u vra gjatë sulmeve në Mavasi. Edhe gruaja e tij është vrarë gjatë sulmeve.

    Bardawil ishte një anëtar i njohur i krahut politik të grupit radikal palestinez, i cili gjatë viteve të fundit ka pasur edhe interviste për media të ndryshme.

    Ndërkaq, dy spitale në jug të Gazës thanë se kanë pranuar trupat e 17 palestinezëve të vrarë në sulmet gjatë natës, përfshirë gra dhe fëmijë.

    Izraeli javën e kaluar i dha fund armëpushimit që kishte me Hamasin dhe nisi një valë sulmesh ajrore që kanë lënë të vrarë qindra palestinezë në Gazë.

    Armëpushimi i arritur në janar, pezulloi luftimet e ashpra që u nxitën nga sulmi i Hamasit kundër Izraelit më 7 tetor 2023. Hamasi kishte vrarë afër 1.200 persona dhe kishte rrëmbyer afër 250 të tjerë.

    Si pasojë e ofensivës izraelite në Gazë janë vrarë 49.747 palestinezë dhe sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, mbi gjysma e viktimave ishin gra dhe fëmijë. Izraeli, ndërkaq, pa ofruar dëshmi ka pretenduar se ka vrarë afër 20.000 militantë.

  • Sorensenit i propozohet ta “vëjë në ballë të dialogut njohjen reciproke, që ta zgjidhë konfliktin përgjithmonë”

    Sorensenit i propozohet ta “vëjë në ballë të dialogut njohjen reciproke, që ta zgjidhë konfliktin përgjithmonë”

    Tetëmbëdhjetë muaj pa një takim të nivelit të lartë – dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka mbetur në vendnumëro. Me të dyja vendet të përfshira nga sfidat e brendshme, marrëveshja përfundimtare duket e largët. Analistët argumentojnë se bashkësia ndërkombëtare duhet të shtyjë përpara njohjen reciproke mes tyre, jo thjesht normalizimin e marrëdhënieve, dhe të ketë një plan B nëse dialogu dështon.

    Vizita e parë e Peter Sorensenit në Prishtinë, si i dërguar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, erdhi në një moment kur ky proces nuk duket se është në agjendën e dikujt.

    Në Kosovë, vëmendja mbetet te çështjet paszgjedhore, ndërsa Serbia përballet me protesta dhe trazira të brendshme.

    Pavarësisht këtyre, mesazhi i emisarit evropian ishte i qartë: dialogu duhet të vazhdojë.

    “Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime. Se a do të thotë kompromis a jo, iu takon palëve për ta përcaktuar. Dialogu është për këtë dhe këtë jemi duke e bërë që nga viti 2011”, tha Sorensen më 17 mars në Prishtinë.

    Para 14 vjetësh kanë nisur rundet e para të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Ndër vite, ato janë zhvilluar herë më me vrull, herë më ngadalë. Ka pasur me dhjetëra marrëveshje e zotime, por shumë prej tyre nuk janë zbatuar.

    Udhëheqësit, ndërkohë, kanë ndërruar në Bruksel, në Prishtinë e në Beograd, por, njësoj, ka ndërruar edhe narrativi. Nëse dikur flitej për njohjen e ndërsjellë si qëllim kryesor, tani flitet vetëm për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

    Sorensen, pasi takoi krerët shtetërorë të Kosovës, theksoi nevojën për të vazhduar dialogun, por tha se do që t’i dëgjojë të dyja palët, përpara se të vendosë për hapat e ardhshëm.

    “Qëllimi është që të vazhdojë procesi dhe të ecet përpara. Unë kam diskutime këtu në Prishtinë, por më duhet të shkoj edhe në Beograd. Pasi t’i zhvilloj këto biseda, do të ulem dhe të shoh se ku jemi”, tha Sorensen.

    Dy palët nuk duket se janë askund afër. Bisedime të nivelit të lartë mes tyre nuk ka pasur qysh në shtator të vitit 2023.

    Më 14 të atij muaji, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar në Bruksel, me ndërmjetësimin e udhëheqësve të atëhershëm evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak.

    Dhjetë ditë pas atij takimi ka ndodhur sulmi i armatosur në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh kanë vrarë një polic të Kosovës.

    Përpjekjet e mëvonshme të BE-së për t’i ulur dy liderët bashkë në tryezë, kanë dështuar – kryesisht për shkak të kushteve që i ka paraqitur njëra palë, e që tjetra i ka kundërshtuar.

    Pas takimit me Sorensenin, edhe Kurti, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kanë pasur një sërë kërkesash për të: nga heqja e masave ndëshkuese të BE-së kundër Kosovës deri te dorëzimi i grupit që ka sulmuar Banjskën tek autoritetet e Kosovës.

    Për vëzhguesit e procesit të dialogut, topi, në fakt, është në fushën e BE-së. Ata thonë se është koha që ky bllok të fokusohet te një qëllim specifik, që është njohja e ndërsjellë mes dy vendeve, pasi, sipas tyre, kjo është zemra e problemit dhe kjo duhet të adresohet direkt.

    Leon Hartwell, bashkëpunëtor i lartë në LSE IDEAS – Shkolla e Londrës për Ekonomi, flet më shumë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë:

    “Është vërtet e rëndësishme që njohja e ndërsjellë të vihet në ballë të këtij dialogu, sepse ideja e normalizimit është shumë e papërcaktuar. Nëse nuk keni një qëllim të qartë, ju as nuk përpiqeni të arrini diçka specifike”.

    “Ndaj, mendoj se Sorensen duhet ta vendosë këtë qëllim përpara, që të mund t’i lëvizë palët në një drejtim të caktuar dhe ta zgjidhë këtë konflikt njëherë e përgjithmonë”, thotë Hartwell.

    Vuçiq këmbëngul se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Fokusi i tij është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë – gjë të cilën shpesh e nxjerr edhe si kusht për vazhdimin e dialogut me palën tjetër.

    Për këtë asociacion ka një marrëveshje qysh në vitin 2013, porse Kosova – pavarësisht trysninë ndërkombëtare – nuk e ka zbatuar kurrë, nga frika se një mekanizëm i tillë, me kompetenca të gjera, do të mund të ndikonte në funksionalitetin e shtetit.

    Kosova ka kohë që ka marrë një draft të hartuar nga BE-ja për statutin e këtij asociacioni, por edhe ai duket se është jashtë tryezës tashmë.

    Presidentja Osmani tha këtë javë se drafti, si i tillë, nuk do të merrte dritë jeshile nga Gjykata Kushtetuese e vendit.

    “Unë, personalisht, besoj se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, nuk është në përputhje as me vlerat dhe normat e Bashkimit Evropian dhe standardet e Këshillit të Evropës, e as me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015″, tha Osmani.

    Një asociacion me kompetenca të gjera do të vinte me rrezikun e krijimit të një Republike Sërpska në Kosovë, thotë Hartwell, duke iu referuar entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë, i cili ka pushtet legjislativ.

    “Ekziston një perceptim i fortë se Asociacioni do të ndihmonte në përparimin e dialogut, por unë jam shumë skeptik për këtë. Një opsion ndoshta për Kosovën do të ishte që të prezantonte një version të zbutur të Asociacionit dhe, në njëfarë mënyre, ta zbatonte atë, vetëm për t’i heshtur kritikët”.

    “Por, theksoj se zbatimi i Asociacionit me kompetenca të forta ekzekutive do të bëhej mjaft problematik për Kosovën”, thotë Hartwell.

    Kurt Bassuener, nga Këshilli për Politikën e Demokratizimit në Berlin, thotë se Bosnje e Hercegovina, për shkak të organizimit të brendshëm që ka, ka mbetur çështje e hapur prej dekadash. Nuk e përjashton mundësinë që edhe kontesti mes Kosovës dhe Serbisë të mbetet i tillë, ndaj sugjeron që të gjitha palët t’i kthehen qëllimit të deklaruar fillestar: njohjes së ndërsjellë.

    “Askush nuk flet më për njohje të ndërsjellë. Të gjithë flasin për një normalizim dhe kjo nuk është në interesin e Kosovës, e do të thosha se nuk është as në interesin e një Serbisë demokratike”, thotë Bassuener.

    Në vazhdën e ndryshimeve të shpejta gjeopolitike, ai thotë se Ballkani Perëndimor në përgjithësi është një rajon ku BE-ja ka potencial të madh për të ndikuar në stabilizimin e situatës dhe çështja e Kosovës dhe Serbisë, sipas tij, është thelbësore për këtë stabilitet.

    “Shpresoj të ketë një rivlerësim dhe riorganizim të politikave nga Bashkimi Evropian. Nuk shoh ende asnjë provë për këtë – as në institucionet e BE-së dhe as në shtetet anëtare – edhe pse duhet kohë më e gjatë për ta kthyer anijen në drejtim tjetër”.

    “Është e kuptueshme që janë fokusuar në atë se si t’i ndihmojnë ukrainasit, nëse amerikanët tërhiqen, si ta mbrojnë veten në mënyrë legjitime… Këto janë prioritete, por Ballkani Perëndimor është i vetmi vend në botë ku BE-ja mund të jetë vërtet vendimtare”, thotë Bassuener për Exposenë.

    Analistët besojnë se BE-ja ka ende leva ndaj Kosovës dhe Serbisë për t’i shtyrë përpara drejt një marrëveshjeje, edhe pse kushtëzimi i integrimit të tyre evropian me normalizimin e marrëdhënieve, deri më tash nuk ka dhënë rezultate.

    Hartwell thotë se Perëndimi duhet të ketë një plan të qartë B nëse dialogu dështon.

    “Një nga zgjidhjet mund të jetë që pesë shtetet që nuk e kanë njohur ende Kosovën, ta njohin atë. Sepse, në atë rast, Serbia nuk mund të thotë se çështja e njohjes së Kosovës është ende në ajër. Asaj do t’i duhej të merrej me një Kosovë që njihet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. Dhe, nëse vërtet dëshiron të anëtarësohet në BE, Serbia do të duhet të punojë brenda kësaj kornize”, thotë Hartwell.

    Megjithatë, disa kanë hamendësuar se me presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Serbia ka më shumë hapësirë veprimi, për shkak të lidhjeve të saj më të ngushta – qofshin politike, qofshin ekonomike – me njerëz të afërt me Trumpin.

    Ndaj, analistët thonë se fokusi i Kosovës duhet të jetë te ruajtja e mbështetjes dypartiake në Uashington.

    Sipas Hartwellit, vendi duhet të pozicionet si një partner i besueshëm, sidomos në çështjet e sigurisë dhe ekonomisë, si dhe të rrisë bashkëpunimin me SHBA-në në fushën e energjisë dhe mbrojtjes.

    Viteve të fundit, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, është përballur me kritika të herëpashershme nga zyrtarët amerikanë, për shkak të disa veprimeve në veri të vendit, të cilat i kanë cilësuar si të pakoordinuara dhe me ndikim të keq te komuniteti serb.

    Kontakti i fundit i ditur, që Kosova ka pasur me Shtëpinë e Bardhë, ka qenë një letër që presidenti Trump i ka dërguar presidentes Osmani, me rastin e 17-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, në muajin shkurt.

    Në atë letër, Trump është zotuar për zgjerimin e lidhjeve me Kosovën dhe nuk e ka përmendur fare dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

    Në BE nuk i janë përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse planifikojnë të thërrasin ndonjë takim mes udhëheqësve të të dyja vendeve së shpejti. Po ashtu, nuk është e qartë nëse ata do t’i përgjigjeshin ftesës.

    Me Kosovën ende pa qeveri të re, pas zgjedhjeve të shkurtit, dhe me protestat e vazhdueshme në Serbi, e vetmja gjë që lëviz me siguri përpara, është kalendari.

  • Dyshimet për keqpërdorime, Sejdiu: Paratë e besimtarëve për sadaka janë të pacenueshme

    Dyshimet për keqpërdorime, Sejdiu: Paratë e besimtarëve për sadaka janë të pacenueshme

    Anëtarë i Këshillit të BIK në Prishtinë, Bahri Sejdiu ka mohuar akuzat për keqpërdorim të fondeve, duke i cilësuar si të pabazuara pretendimet e ish-arkëtarit Bahri Rexha, raporton Ekonomia Online.

    Përveç kësaj, Sejdiu ka deklaruar se të paratë e qytetarëve që jepen për sadaka, janë të pacenueshme dhe nuk janë prekur në këtë çështje.

    Tutje ndaj kësaj kallëzimi penal, hoxha ka thënë se është keqpërdorur mirëbesimi i Këshillit të BIK-ut.

    “Financat dhe kartelat janë në vazhdën e hetimet por nuk janë futur të gjitha. Këto dhe padi të tjera janë në procesin ligjor.

    Të gjithë besimtaret ju tregojnë që janë fonde të pa cenueshme dhe nuk janë prekur në ketë çështje që po prekim sot. Bë fillim nuk kemi dyshuar është keqpërdorur mirëbesimi ynë ndaj tij. Besimi i këshillit ka ardhur deri tek këto ngecje”, ka thënë ai.

  • OEK i drejtohet Avokatit të Popullit për liberalizimin e tregut të energjisë

    OEK i drejtohet Avokatit të Popullit për liberalizimin e tregut të energjisë

    Oda Ekonomike e Kosovës i është drejtuar institucionit të Avokatit të Popullit, duke i kërkuar që të iniciojë lëndë në Gjykatën Kushtetuese për të pezulluar për një vit vendimin për kalimin e bizneseve në tregun e hapur të energjisë.

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka kërkuar që të gjitha kompanitë me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro, të dalin në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori.

    Oda Ekonomike i kërkoi Avokatit të Popullit që ta dërgojë këtë lëndë në Kushtetuese, pasi argumentoi se një kalim i tillë në treg të hapur do të ketë ndikim të drejtpërdrejt në koston e prodhimit apo shërbimit.

    “Një rritje e tillë do të ndikonte negativisht në konkurrueshmërinë e bizneseve në tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm, duke ulur gjithashtu standardin jetësor të qytetarëve”, tha OEK-u.

    Në kërkesën drejtuar Avokatit të Popullit, OEK renditi arsyet e kërkesës për një pezullim njëvjeçar. Kjo odë tha se bizneset argumentojnë se dalja nga tregu i rregulluar mund të sjellë rritje të ndjeshme të kostove të energjisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë financiare.

    “Shumë kompani nuk janë të përgatitura për këtë kalim dhe kanë nevojë për më shumë kohë për t’u përshtatur me modelin e tregut të lirë”, tha OEK-u, duke shtuar se një kalim i menjëhershëm në një treg të liberalizuar të energjisë do të bënte që bizneset më të vogla të penalizoheshin më shumë, duke “ndikuar negativisht në konkurrencë”.

    Po ashtu, OEK-u kërkon që me këtë vendim të mos caktohet një numër i përcaktuar i punonjësve apo një prag mbi vlerën e qarkullimit si kritere për daljen në tregun eghapur.

    “Duke marrë parasysh këto shqetësime, bizneset i bëjnë thirrje ZRRE-së që të shqyrtojë mundësinë e shtyrjes së afatit për kalimin në tregun e hapur të energjisë për të paktën një vit. Një periudhë tranzicioni më e gjatë do t’u lejonte kompanive të përshtatin strategjitë e tyre dhe të shmangin goditjet e papritura financiare”, tha OEK-u në kërkesën drejtuar Avokatit të Popullit.

    Si pjesë e Ligjit për energjinë elektrike, vendimi i ZRRE-së nënkupton që bizneset duhet ta zgjedhin vetë furnizuesin e tyre me energji elektrike.

    Sipas ZRRE-së, konsumatorët që dalin në tregun e liberalizuar të energjisë, mund të furnizohen nga çdo kompani vendore që posedon licencë ose nga kompani të huaja.

    Operatori për Furnizim me Energji (KESCO) është furnizuesi kryesor i licencuar për energji elektrike në Kosovë. Çmimet e produkteve të KESCO-s e përcakton ZRRE-ja.

    Por, ZRRE-ja ka thënë se në vend janë të licencuar edhe 18 kompani të tjera që ofrojnë këtë shërbim.

    Më 5 mars, përmes një njoftim, KESCO tha se bazuar në kërkesën e ZRRE-së, kompanitë që kanë mbi 50 punëtorë apo qarkullim mbi 10 milionë euro, do të duhet të zgjedhin furnizuesin me rrymë brenda 15 ditësh, pasi, nga data 1 qershor, nuk do të jenë më në listën e konsumatorëve me tarifa të rregulluara.

    Ato do të kalojnë në furnizim me çmime të parregulluara, të cilat përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.

  • Rritja e rasteve të dhunës ndaj prindërve nga fëmijët në Kosovë, fenomen në rritje

    Rritja e rasteve të dhunës ndaj prindërve nga fëmijët në Kosovë, fenomen në rritje

    Dhuna nga fëmijët ndaj prindërve është bërë një fenomen në rritje në Kosovë, duke shqetësuar shoqërinë dhe institucionet, raporton EO.

    Sipas sociologut Bekim Selishta, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se ky trend ka pasur një zhvillim të vazhdueshëm gjatë dekadës së fundit, duke treguar se ka nevojë për një trajtim më serioz dhe ndërhyrje nga autoritetet për të ndaluar këtë dukuri shqetësuese.

    “Në 10 vitet e fundit e kemi trajtuar si fenomen që është në rritje dhe shqetësimet i vazhdueshëm është zhvilluar vazhdimisht ky shqetësim mes prindërve dhe fëmijëve, këtë temë duhet edhe institucionet me trajtuar më seriozisht. Të cilët kanë mundësi që të trajtojnë këto raste më serioze dhe të gjejnë shkaqet e nxitjes dhe të urrejtës, fillimisht këtu duhet ta kemi parasysh që tek ne fëmijët e vegjël dhe prindërit e rijnë nuk kanë pasur kujdes tek rrjetet sociale ku janë kyçur fëmijët, ose lojërat që kanë përdorur, dhe fenomenet e tjera vazhdimisht tek ne është promovuar dhuna, agresiviteti dhe nxitja e dhunës dhe i kanë kthyer në normalitet, këto tema është problem t’i ndalojmë me një diskutim”, deklaroi Selishta.

    Ai theksoi se ky shqetësim është bërë gjithnjë e më i dukshëm në vitet e fundit, duke shtuar nevojën për trajtim më serioz të këtij fenomeni nga institucionet, si dhe ngritjen e vetëdijes për dhunën dhe agresivitetin që shpesh promovohen nëpërmjet rrjeteve sociale dhe lojërave.

    “Sipas raportimeve që pashë vetëm në vitin 2024 kanë qenë mbi 2400 raste të dhunës në familje, kjo tregon që është trend i rritjes që në familjet tona nuk ka qenë normale këto dukuri të devijuara. Familja tek ne ka qenë e shenjtë por i kemi harruar dhe kemi filluar të kalojmë në diçka tjetër, kemi raste të njëjta dhe prej shkollave që duhet të kenë më shumë trajtim në lëndët shoqërore që të ngritët vetëdije se si të sillen me familjen, shoqërinë dhe të ardhmen. Tek ne duhet të kemi emisioni edukative kundër dhunës, ti tregohet secilit të ri që secili që ka dosje të dhunës në polici është në ngjyrën e kuqe dhe vazhdimisht inspektohet nga policia”, shtoi ai.

    Ai kërkoi që prindërit dhe fëmijët të trajtohen më rigorozisht dhe të ndërmerren masa për të parandaluar përhapjen e dhunës në shoqëri.

    “Secili i ri duhet t’i ik këtij fenomeni, unë e shoh fëmijët që përdorin dhunë aty me një qortim të vogël lirohet ku tek ne është dashur që ky fenomen të ndëshkohet. Prindërit të cilët nuk merren më seriozisht me këta fëmijët të trajtojnë institucionet apo të gjobiten. Ne nuk mundemi me parandaluar me diskutime duhet dhe të veprojmë”, ka theksuar ai.

  • Zjarri përfshin një shtëpi dhe kulmin e një shtëpie tjetër në Rahovec

    Zjarri përfshin një shtëpi dhe kulmin e një shtëpie tjetër në Rahovec

    Një shtëpi në Rahovec është përfshirë nga zjarri.

    Përveç saj, zjarri ka kapluar edhe kulmin e një shtëpie afër saj.

    Zjarrfikësit e kanë shuar zjarrin, ndërsa nuk raportohet për të lënduar.

    “INCIDENT ZJARRI- Rr. Malush Meriqi, Rahovec / 22.03.2025 – 22:15. Raportohet se në rrethana të pa njohur në zjarr është përfshirë shtëpia e ankuesit mashkull kosovar, ndërsa nga zjarri është përfshirë edhe kulmi i një shtëpie tjetër afër saj me ankues mashkull kosovar. Zjarrfikësit kanë shuar zjarrin. Nuk raportohet për të lënduar. Rasti është duke u hetuar.”

  • Vidhen stoli ari, para të gatshme e ora me vlerë në Prizren

    Vidhen stoli ari, para të gatshme e ora me vlerë në Prizren

    Një burrë ka raportuar se persona të panjohur kanë hyrë në shtëpinë e tij dhe kanë vjedhur stoli ari, para të gatshme dhe ora me vlerë.

    Rasti po hetohet.

    “VJEDHJE E RËNDË- Prizren / 22.03.2025 – 17:45. Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se persona të pa njohur kanë depërtuar në shtëpinë e tij dhe kanë vjedhur stoli ari, para të gatshme dhe disa ora me vlerë. Rasti është duke u hetuar.”

  • Arrestohen 10 persona në Gjakovë për organizim të lojërave të fatit, Policia tregon çka sekuestroi

    Arrestohen 10 persona në Gjakovë për organizim të lojërave të fatit, Policia tregon çka sekuestroi

    10 persona janë arrestuar në Gjakovë nën dyshimin për organizim të skemave piramidale.

    Gjatë kontrollit në dy lokacione janë gjetur dhe sekuestruar 3 aparate APEX, para të gatshme 5645 €, 250 franga Zvicerane, 140 $, 90 pound, çipa të pokerit, dhe po ashtu në veturën e njërit nga të dyshuarit është gjetur e konfiskuar një revole.

    Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    “ORGANIZIM I SKEMAVE PIRAMIDALE- Gjakovë / 22.03.2025 – 03:00. Janë arrestuar dhjetë (10) të dyshuar kosovarë nën dyshimin se kanë kryer veprën e cekur. Gjatë kontrollit në dy lokacione janë gjetur dhe sekuestruar 3 aparate APEX, para të gatshme 5645 €, 250 franga Zvicerane, 140 $, 90 pound, çipa të pokerit, dhe po ashtu në veturën e njërit nga të dyshuarit është gjetur e konfiskuar një revole. Me vendim të prokurorit, të gjithë të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.”