ATV

Author: ATVLive

  • Ka filluar gjykimi ndaj Milorad Gjokoviqit, i dyshuar për krime lufte në Kosovë

    Ka filluar gjykimi ndaj Milorad Gjokoviqit, i dyshuar për krime lufte në Kosovë

    Në mëngjesin e 7 majit të vitit 1999, fshati Ozdrim i Pejës ishte rrethuar nga forcat ushtarake paramilitare serbe, pjesë e të cilave ishte edhe Millorad Gjokoviq.

    Gjokoviq, i cili pas luftës kishte punuar si zyrtar komunal në komunën paralele të Pejës, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale ishte pjesë e forcave serbe, të cilat po në atë datë ishin ndarë në tri grupe, për të sulmuar Ozdrimin, dhe disa fshatra të tjerë përreth.

    Nga të shtënat me armë ishin vrarë 11 civilë shqiptarë, trupat e pesë prej të cilëve nuk janë gjetur as pas më shumë se dy dekadash që nga përfundimi i luftës.

    Gjokoviq akuzohet se në bashkëkryerje me persona të tjerë ka aplikuar edhe masat e torturës, rrahjes, dëbimit, e shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

    Por, Gjokoviq në seancën fillestare në Gjykatën Themelore të Prishtinës, i mohoi këto akuza.

    Mbrojtja e tij kërkoi ndryshim të masës së paraburgimit, duke kërkuar masë më të butë, e madje paraqiti edhe dorëzani në vlerë prej 20 mijë eurosh, megjithatë u refuzua nga Gjykata.

    61-vjeçari ndodhet në paraburgim që nga viti i kaluar, kur u arrestua nga Policia e Kosovës në Vitomiricë të Pejës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni ën videon më poshtë:

  • Kanë kaluar saktësisht 80 ditë që nga miratimi i Deklaratës për Personat e Zhdukur

    Kanë kaluar saktësisht 80 ditë që nga miratimi i Deklaratës për Personat e Zhdukur

    Deklarata për Personat e Zhdukur, e cila u miratua më 2 maj nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u pa si fije shprese për familjarët.

    Por, 80 ditë nga miratimi i saj, në çështjen e personave të pagjetur, nuk ka lëvizje konkrete.

    Megjithatë, të mërkurën në Bruksel, ishte njëra prej temave që delegacioni kosovar i udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, diskutoi me përfaqësuesin e BE-së, Miroslav Lajçak.

    Pas takimit, Bislimi tha se është biseduar për “termat e referencës për Komisionin e Përbashkët qe do ta mbikëqyrë zbatimin e deklaratës.

    Ndërkaq, një muaj pas harmonizimit të këtyre termave komisioni do t’i fillojë takimet.

    “Hiç më larg se mbrëmë i kemi dërgu edhe komentet e fundin në kuadër të termave të referencës, po presim që ato të pranohen edhe nga BE-ja dhe nga pala serbe dhe pastaj të fillojmë me takimet e para të komisionit të përbashkët që do të duhej t’i fillonte brenda 30 ditësh nga data e harmonizimit të këtyre termave të referencës”, tha kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.

    Hoti ka fajësuar palën serbe për zvarritje, teksa ka kërkuar nga Bashkimi Evropian të marrë masa ndëshkuese ndaj saj.

    “Kohë po merr, ju e dini që më 2 maj është miratu deklarata, por për shkak të zhvillimeve të fundit në Kosovë Bashkimi Evropian nuk na ka ftuar për të biseduar për komisionin e përbashkët, megjithatë siç e thashë 30 ditë”, tha Hoti.

    Në deklaratën e miratuar ndër të tjera, parashihet qasja e plotë në të gjitha materialet, shënimet, urdhrat dhe dokumentet, përfshirë ato që kanë statusin “konfidenciale” dhe që janë në posedim të institucioneve të Kosovës dhe të Serbisë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni ën videon më poshtë:

  • Pas zotimit për zgjedhje në veri shqiptarët e punësuar në administratë s’janë të sigurt

    Pas zotimit për zgjedhje në veri shqiptarët e punësuar në administratë s’janë të sigurt

    Vendet që mbetën bosh pas largimit të serbëve nga institucionet në veri u zëvendësuan menjëherë nga Qeveria. Pas konkursit të shpallur për pozitat e hapura për nëpunës administrativ u punësuan 50 qytetarë, shqiptarë nga veriu.

    Atyre më vonë iu bashkuan edhe rreth 200 të tjerë në pozita të njëjta me kontrata pune për një vit.

    Por, tani kur ka zotim për zgjedhje të reja në veri këta punëtorë nuk e dinë nëse do të mbesin në këto pozita.

    “Me sa kam informacion të gjithë ata që kanë konkurruar në konkursin e shpallur nga Ministria e Punëve të Brendshme, i kanë nënshkruar kontratat e tyre, pra kontratat e tyre janë juridikisht të vlefshme, e në rast se qytetarët serbë vendosin të kthehen dhe Qeveria jonë i pranon, ku po mbesin këta punëtorë?”, tha politikologu, Avdullah Sadiku.

    Megjithatë, punësimi i tyre vlerësohet si pozitiv vetëm se kritika ka për pozitat ku janë vendosur.

    “Mirë se janë punësuar njerëz që kanë pasur nevojë, por projektet, vendet të cilat janë një etnike fare nuk ka të punësuar element shqiptar. P.sh siç është spitali, zjarrfikësit, apo ujësjellësi, pikërisht Qeveria e Kosovës në këto projekte duhet fokusuar”, tha Besnik Xhaka, përfaqësues i veriut.

    Sidoqoftë, përveç kohëzgjatjes prej një viti që rregullohet me kontratë, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka kthyer përgjigje nëse atyre do t’u vazhdohet apo do t’iu ndërpritet kontrata.

    Sido që të jetë, për aq sa janë të punësuar ata paguhen 423.85 euro në muaj. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni ën videon më poshtë:

  • Policia e Kosovës ka filluar testimet fillestare rreth përdorimit të kamerave të trupit për policët

    Policia e Kosovës ka filluar testimet fillestare rreth përdorimit të kamerave të trupit për policët

    Shumë shpejt pjesëtarët e Policisë do të pajisen me kamera trupi. Të parët që do të pajisen me këto kamera janë policët e trafikut.

    Sipas Policisë, ky projekt ka për qëllim argumentimin e aktiviteteve policore që kryhen gjatë detyrës zyrtare në terren.

    “Policia e Kosovës përmes projektit të pajisjes së zyrtarëve policorë me kamera të trupit, përveç tjerash ka për qëllim që të argumentojë aktivitetet policore që kryhen gjatë detyrës zyrtare në terren. Për t’u finalizuar si i tillë projekti, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, fillimisht janë përgatitur dokumentacionet e nevojshme dhe Procedurat Standarde të Operimit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Eksperti i Komunikacionit, Bekim Ahmeti, tha se pajisja e policëve me kamera të trupit e rrit seriozitetin e punës.

    “Në shumicën e vendeve të botës, policia e komunikacionit ka kamera në trup. Kjo e rrit seriozitetin në radhë të policisë, si dhe i deselekton selektimet që bëhen nga ana e policisë se kujt duhet t’i shqiptohet gjoba e kujt jo”, tha Bekim Ahmeti, ekspert i komunikacionit.
    Ndërkaq, njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, vlerëson se procesi i monitorimit të kamerave trupore do të mundësojë shmangien e keqpërdorimit të autorizimeve.

    “Procesi për t’i monitoruar veprimet e efektive policore përmes kamerave trupore është një hap tutje drejt mundësisë për të shmangur në njërën anën keqpërdorimin e autorizimeve policore, por edhe deklarimet e rrejshme që qytetaret i bëjnë në raport me punën e zyrtarëve policorë”, tha Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë.

    Policia e Kosovës pas fazës testuese, do të njoftojë opinionin për fillimin e përdorimit të kamerave të trupit, përfshirë edhe dhënien e informacioneve më të detajuara të këtij projekti. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni ën videon më poshtë:

  • Prishtinës iu shtua edhe një hapësirë e re gjelbëruese në dy rrethrrotullimet

    Prishtinës iu shtua edhe një hapësirë e re gjelbëruese në dy rrethrrotullimet

    Prishtinës iu shtua edhe një hapësirë e re gjelbëruese në dy rrethrrotullimet.

    Nënkryetari i komunës, Alban Zogaj, tha se në këtë hapësirë janë punuar rreth 1 mijë hektarë.

    “Jemi duke i punuar rrethet në hyrjet të qytetit. Siç kem premtuar në kampanjë për Prishtinën e gjelbër dhe e kemi pas gjelbërimin si thelbësor, tani veç se keni filluar me i pa frytet, i kemi punuar këto rreth 1 mijë hektarë hapësirë të re, është një formë tjetër e punës. Po punohet në shumë lagje, do ta hapim parkun edhe te Fakultetit Teknik, janë disa parqe që po punohen paralelisht”, tha nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj .

    Për shtimin e hapësirave të gjelbra në kryeqytet, drejtoresha e Hapësirave Publike dhe Parqeve, Donika Çetta, tha se janë ndarë mbi 1 milion euro.

    “Jemi në vazhdën e rritjes së hapësirave të gjelbëruara, sot është përpunimi në dy rrethet në hyrje të Prishtinës. Këtë vit në buxhet 1 milion e 300 mijë për hapësira të gjelbra dhe parqe”, tha Çetta.

    Por, qytetarët kanë mendime të ndryshme për këto investime.

    “Është një hap shumë i duhur krijimi i hapësirave të tilla. Janë të qëlluara për qytetarët e kryeqytetit”, tha një qytetar.

    “Nuk ka mjaftueshëm vende të gjelbëruara, institucionet duhet të krijojnë më shumë hapësira të tilla, ata janë vonuar shumë”, thotë një qytetar tjetër.

    Ndryshe, zyrtarët komunalë kanë bërë të ditur se me rritjen e numrit të hapësirave të gjelbra do të përmirësohet edhe cilësia e ajrit në kryeqytet. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni ën videon më poshtë:

  • Projektligji i miratuar në Qeveri për Këshillin Prokurorial, ka shkaktuar përplasje mes deputetëve

    Projektligji i miratuar në Qeveri për Këshillin Prokurorial, ka shkaktuar përplasje mes deputetëve

    Një javë pasi u miratua nga ekzekutivi, Projektligji për Këshillin Prokurorial është diskutuar në Komisionin për Legjislacion. Sipas opozitës, në projektligj nuk janë adresuar vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese e as të Komisionit të Venecias.

    Por, një deklaratë e deputetes Blerta Deliu – Kodra shkaktoi reagimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Përkundër vërejtjeve të opozitës, me gjashtë vota për dhe vetëm një kundër, Projektligji për Këshillin Prokurorial është proceduar për shqyrtim të mëtejmë në Kuvend.

    Kritika për projektligjin e ri ka pasur edhe shoqëria civile, duke thënë se rritja e numrit të anëtarëve, tetë prej të cilëve do të zgjidhen me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi, rrezikon politizimin e KPK-së.

    Rreth përmbajtjes së Projektligjit të ri për KPK-në, reagoi javën e kaluar edhe KPK-ja, duke theksuar se do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar.

    Ligjin e miratuar për KPK-në e kishte shpallur Gjykata Kushtetuese të pavlefshëm, duke gjetur vërejtje edhe në balancimin e anëtarëve prokurorë dhe joprokurorë. /atvlive

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni ën videon më poshtë:

  • Skenderaj dhe Vukovari binjakëzohen, qytetet vuajten shumë gjatë luftërave

    Skenderaj dhe Vukovari binjakëzohen, qytetet vuajten shumë gjatë luftërave

    E kishin fatin e ngjashëm dhe armikun e njëjtë. Skenderaj dhe Vukovari gjatë luftërave në ish-Jugosllavi u bënë dy qytete që numëronin mijëra martirë.

    Sot në liri, Skenderaj dhe Vukovari arritën marrëveshje për binjakëzim.

    “Sigurisht që Vukovari dhe Skenderaj kanë elemente të përbashkëta, këtë e kam thënë edhe në kuvend. Vukovari ka filluar rrënimin e sistemit të koniunkturës Jugosllave, kurse Skenderaj e ka përfunduar këtë katrahurë. Kështu që ne sot gëzojmë lirinë”, tha kryetari i Skenderajt, Fadil Nura.

    “Ajo që mua më bën krenar dhe më bën të mendoj për të ardhmen është që infrastruktura dhe ekonomitë tona, ishin 95 për qind të shkatërruara. Kurse, sot qytetet janë rimëkëmbur dhe po lulëzojnë”, tha kryetari i Bashkisë së Vukovarit, Ivan Peneva.

    Bashkë me zyrtarë komunalë, Skenderajn e vizitoi edhe Kllaudia Boras, e bija e dëshmorit shqiptar të luftës në Kroaci, Jose Gojani.

    “Jam shumë krenare dhe e emocionuar që kam ardhur në Kosovë. Marrëveshja e arritur është diçka shumë e madhe edhe për Vukovarin edhe për Skenderajn. Nuk duhet t’i harrojmë sakrificat për lirinë e vendeve tona”, tha Boras.

    Përtej vlerave simbolike, kryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura, tha se marrëveshja do të sjellë bashkëpunime në shumë fusha.

    “Formalizuam një marrëveshje që shpresoj që në të ardhmen do të ndikojë edhe në bashkëpunimi kulturor, ekonomik e historik”, tha Nura.

    Vukovari, me të cilin Skenderaj u binjakëzua, ishte qyteti më i sulmuar kroat gjatë luftës. Në fillim të luftës, qyteti përjetoi rrethim prej 87 ditësh që njihet si Beteja e Vukovarit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni ën videon më poshtë:

  • Europa-Dukagjini, formacionet zyrtare

    Europa-Dukagjini, formacionet zyrtare

    Sot me fillim nga ora 17:00 stadiumi “Victoria” do të jetë nikoqir i ndeshjes mes Europës dhe skuadrës sonë, Dukagjinit.

    Përballja e sotme është ndeshja e kthimit mes dy skuadrave, ku në ndeshjen e javës së kaluar që u zhvillua në “Fadil Vokrri”, Dukagjini mposhti Europan 2:1, raporton KosovaPress.

    Dukagjini debutoi në garat evropiane javën e kaluar me fitore, ndërsa sot do të synojë që ta sigurojë biletën drejt raundit të dytë të kualifikimeve të Ligës së Konferencës.

    Sa i përket ndeshjes së sotme, të dy trajnerët kanë vendosur për formacionet zyrtare, dhe ato i gjeni më poshtë.

  • Tahiri: Seanca e fundit plenare e Kuvendit, ishte caktuar dhe ftuar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës

    Tahiri: Seanca e fundit plenare e Kuvendit, ishte caktuar dhe ftuar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës

    Abelard Tahiri shkruajti një status në llogarinë e tij në Facebook se seanca e fundit plenare e Kuvendit, ishte caktuar dhe ftuar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, prandaj si e tillë, duhet të anulohet dhe bashkë më të, edhe të gjitha vendimet që janë marrë në këtë seancë jokushtetuese.

    Postimi i tij i plotë:

    Të nderuar qytetarë,

    Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, ju njoftoj se kemi kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, vendimin për caktimin e Seancës Plenare të javës së kaluar.

    Si palë e autorizuar pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kemi parashtruar kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit për caktimin e Seancës Plenare të datës 13 korrik 2023 të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me kërkesën që i njëjti në tërësi të anulohet.

    Seanca e fundit plenare e Kuvendit, ishte caktuar dhe ftuar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, prandaj si e tillë, duhet të anulohet dhe bashkë më të, edhe të gjitha vendimet që janë marrë në këtë seancë jokushtetuese.

    Si parashtrues të këtij rasti, vlerësojmë se, Kryetari i Kuvendit, ka bërë shkelje kushtetuese në dy drejtime: e para, në mospërmbushjen e afatit për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare dhe, e dyta, duke mos e vendosur për miratim rendin e ditës të kësaj seance – në mungesë të konsensusit të Kryesisë si rezultat i mungesës së kuorumit të nevojshëm, përkatësisht dështimit të mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë.

    Si i tillë, ky vendim ka prodhuar pasoja kushtetuese dhe ligjore sepse ka rezultuar me mbajtjen e seancës plenare të ftuar sipas një procedure jokushtetuese, në të cilën janë miratuar ligje dhe projektligje si dhe vendime të tjera për zgjedhjen/shkarkimin e bartësve të institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të pavarura.

    Krahas kërkesës për anulimin e kësaj seance dhe vendimeve që janë marrë në të, kemi kërkuar edhe Masë të Përkohshme, që deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, të pezullohet efekti i të gjitha vendimeve që kanë rezultuar nga kjo seancë jokushtetuese.

  • Borrell ia zgjat mandatin edhe për ni vit Tomas Szunyog si shef i BE-së në Kosovë

    Borrell ia zgjat mandatin edhe për ni vit Tomas Szunyog si shef i BE-së në Kosovë

    Tomas Szunyog do të jetë edhe për një vit shef i BE-së në Kosovë.

    Këtë vendim e ka marrë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, për t’ia zgjatur atij mandatin deri më 31 gusht 2024, thuhet në njoftimin e Këshillit Europian.

    Tomáš Szunyog u emërua Përfaqësues Special për Kosovën më 1 shtator 2020. Mandati i tij përfshin detyrën e ofrimit të këshillave dhe mbështetjes së BE-së në procesin politik dhe promovimin e koordinimit të përgjithshëm politik të Unionit në Kosovë.

    Përveç Szunyog, Këshilli Europian ka miratuar sot një sërë vendimesh për zgjatjen e mandateve ekzistuese edhe të dy përfaqësuesve specialë të BE-së për një vit.

    Johann Sattler në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Toivo Klaar u emërua për Kaukazin e Jugut.

    Përfaqësuesit specialë të BE-së propozohen nga Përfaqësuesi i Lartë për të promovuar politikat dhe interesat e BE-së në rajone dhe vende të veçanta dhe për t’i siguruar BE-së një prani politike aktive në ato zona.

    Aktualisht, dhjetë përfaqësuesit specialë mbështesin punën e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell. Këtu përfshihen tre përfaqësuesit specialë të përmendur më lart, si dhe ai për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, si dhe të tjerë.