ATV

Author: ATVLive

  • ​Opozita kundërshton Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës

    ​Opozita kundërshton Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës

    Opozita nuk po pajtohet me versionin e ri të Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Deputetë të partive opozitare deklaruan se kjo nismë ligjore shkatërron sistemin prokurorial dhe nuk është marrë parasysh aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe opinioni i Venecias.

    Kështu u tha në shqyrtimin në parim të këtij projektligji para Komisionit për Legjislacion, ku ka marrë pjesë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Përkundër diskutimeve, me gjashtë vota për dhe vetëm një kundër, ky projektligj është proceduar për shqyrtim të mëtejmë në Kuvend.

    Ministrja Haxhiu tha se në kuadër të objektivave reformuese, kanë vazhduar me prioritet hartimin e versionit të ri të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

    Për më tepër, ajo shtoi se është në përputhje të plot me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, por edhe me opinionet e Komisionit të Venecias.

    “Projektligji përmban disa risi, më lejoni që shkurtimisht t’i përmendi të njëjtat sepse jam e bindur që do të ketë diskutime dhe debat, duke pasur parasysh që unë konsideron që konsensus për këtë projektligj nuk do ta mbërrijmë asnjëherë, sepse qëndrimet janë shumë të ndryshme, megjithatë projektligji adreson ndryshimin e përbërjes së Këshillit Prokurorial të Kosovës, vendosjen e kritereve shtesë për anëtarësinë në këshill, fuqizimin e rolit të këshillit, rritjen e transparencës por edhe ndryshimet tjera që ndërlidhen me mandatin e anëtarëve të Këshillit Prokurorial. Sa i përket përbërjes së këshillit janë bërë dy ndryshime thelbësore. Së pari, përbërja e përhershme prej shtatë anëtarëve, përbërja e përhershme dhe afatgjate e KPK-së do të jetë shtatë anëtarë në përputhje edhe me synimet tona si qeveri, por edhe me strategjinë e sundimit të ligjit”, tha Haxhiu.

    Anëtari i komisionit, Driton Selmanaj u shpreh kritik ndaj këtij projektligji, me çka sipas tij tha se rrezikohet Këshilli Prokurorial.

    “Konsiderohet si përpjekje e dytë e radhës për kapjen edhe shkatërrimin e sistemit prokurorial në Kosovë. Fatkeqësisht ky dokument nuk i ka marrë për bazë as aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe as rekomandimet e Komisionit të Venecias. Dhe për neve është e papranueshme. Është e papranueshme se si edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk e kuptoni që jeni në rrugën e gabuar. Po ndalëm tek përbërja, ne normalisht që kur preket përbërja, preket e gjithë sistemi. Duke e parë që me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e keni të pamundur ndërprerjen e mandateve të prokurorëve ose anëtarëve të Këshillit Prokurorial, ju çfarë po bëni? Një fazë kalimtare deri në vitin 2026, po i shtoni edhe tetë anëtarë jo prokurorë, që i zgjedh politika, Kuvendi i Kosovës. Me çdo kusht me e pamundua vendimmarrjen profesionale”, u shpreh ai.

    Për më tepër, deputeti i LDK-së theksoi se kjo iniciativë është e papranueshme, ku tha se kanë pranuar letër edhe nga Zyra e BE-së.

    “Dje na është drejtuar me një letër përmes zyrës së BE-së, ku na rekomandon që projektligji përfshin dispozita të reja që nuk janë vlerësuar më parë nga Komisioni i Venedikut dhe ju rekomandoj të ri-këshilloni edhe një herë Komisionin e Venecias. Por sikur të ishin përfshirë gjithë ato rekomandime që po na thoni, Zyra e BE-së nuk na i kishte dërguar dje këtë letër. Ju po thoni që jeni konsultuar, por nuk po duket që jeni konsultuar…Me çdo mjet do të ju ndalim, kapja nuk tolerohet ”, shtoi Selmanaj në Komisionin për Legjislacion.

    Edhe deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri u shpreh se ky projektligj është problematik, duke përmendur edhe çështjen e përbërjes prej 19 anëtarëve.

    “Unë i kam tri probleme të mëdha me këtë ligj, e para lidhet me vendimmarrjen e cila buron prej vet anëtarëve dhe ne kemi bërë një rritje me këtë ligj prej 13 deri në 19 anëtarë. Prej tyre tetë anëtarë janë jo-prokurorë, potencialisht jurist, ekonomist që i zgjedh kuvendi. Çka nënkupton kjo? Një instancë e sundimit të ligj në KPK sfidohet seriozisht prej përbërjes së re qe buron prej kuvendit, e cila do të votohet prej kuvendit. Edhe është çështje edhe problem i madh se kjo i jep prapë politikës gjatë gjithë kohës të ketë ndikim të drejtpërdrejt në procesin vendimmarrjes. Reforma bëhet për ta forcuar shtetin, mirëpo edhe për të përmbushur disa standarde evropiane”, theksoi ai.

    Në Komisionin për Legjislacion, janë përplasur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra.

    “Tash e një kohë të gjatë që jeni në qeveri, gjitha ligjet që i keni sjellur kanë rënë në desh me kushtetutën. Ky është synim me kap… shumicën e ligjeve që i keni sjellur në kuadër të reformës në drejtësi.

    Haxhiu: Mos manipulo. Po manipulon. Vec Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës. nuk është në rregull që të manipulosh.

    Deliu-Kodra: Nuk është punë e jotja oj zonja ministre Haxhiu. Ju jeni qeveri dhe mos hajde me bërë thirrje për konsensus dhe të bësh përpjekje që të manipulosh opinionin që po vjen të bësh thirrje për konsensus tek opozita e në anën tjetër të konfrontohesh”, kanë thënë ata.

    Paraprakisht deputetja e opozitës tha se Haxhiu po qaset në mënyrë të habitshme me opozitën.

    “Është e habitshme mënyra se si edhe sot ju ministre i qaseni opozitës. Ju po flisni për një reformë të njëanshme, për të cilën keni folur shumë gjatë. Synimet e juaja për drejtësi dhe punësim, ose ajo motoja e LVV-së për drejtësi dhe punësim, sot po zbërthehet në qasje të njëanshme të juajën si qeveri, si Ministri e Drejtësisë, për të ju qasur edhe ndryshimeve të cilat sapo i keni sjellur në Ligjiin e KPK-së. Ju konsensusin e shihni njëanshëm zonja ministre, nuk mjafton të ftohet opozita në takime për ndryshimet të cilat i ka identifikuar aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Deliu Kodra.

    Në këtë mbledhje u diskutua edhe mbi raportin me amendamente të komisionit funksional për projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. /KP

  • Stoltenberg: 93 trupa të KFOR-it u lënduan nga tensionet në veri

    Stoltenberg: 93 trupa të KFOR-it u lënduan nga tensionet në veri

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se 93 trupa të KFOR-it janë lënduar nga dhuna në veri të Kosovës.

    Ai ka potencuar se Kosova dhe Serbia duhet të parandalojnë përshkallëzimin dhe të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

    “Kënaqësi të takohem me presidentin Vuçiç për të diskutuar dhunën e fundit në veri të Kosovës, e cila la të plagosur 93 trupa të KFOR-it. NATO ka dërguar trupa shtesë dhe zbaton mandatin e saj të OKB-së në mënyrë të paanshme. Prishtina dhe Beogradi duhet të parandalojnë përshkallëzimin dhe të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE.”, ka shkruar Stoltenberg në twitter.

  • 20 të plagosur nga sulmet ruse në Odessa dhe Mykolaiv

    20 të plagosur nga sulmet ruse në Odessa dhe Mykolaiv

    Të paktën 20 persona, përfshirë pesë fëmijë, u plagosën mbrëmë në sulmet ruse në Odessa dhe Mykolaiv në jug të Ukrainës, thanë autoritetet lokale, sipas Ukrinform.

    Në Mykolaiv, kreu i administratës ushtarake rajonale Vitaly Kim njoftoi se 13 të rritur dhe pesë fëmijë u plagosën.

    Dy persona, një burrë dhe një grua, saktësoi ai, janë nxjerrë nga rrënojat e një pallati, shkruan Ansa, përcjell KosovaPress

    Në Odessa, guvernatori lokal Oleg Kiper raportoi se dy persona u plagosën dhe u shtruan në spital.

  • ​Haradinaj: S’do të heshtim para situatës që e ka sjell Kurti

    ​Haradinaj: S’do të heshtim para situatës që e ka sjell Kurti

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për gjendjen e krijuar në vend, ku ndaj Kosovës vazhdojnë masa ndëshkuese nga aleatët ndërkombëtar.

    Pas tryezës së diskutimit me përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave, Haradinaj ka thënë se do të vazhdojnë dialogun e brendshëm, sipas tij, për ta rikthyer Kosovën në normalitet.

    “Po vazhdojmë edhe dialogun e brendshëm. Para pak ditësh kemi zhvilluar një tryezë me sindikatat e Kosovës në sektorin publik. Sot kemi pas një takim mjaft të mirë me shoqërinë civile dhe mediat… Ishte një konkluzion i këtij takimi se nuk duhet të heshtim para një situate që kemi në vend. Para një situate kur Kosova është e sanksionuar nga mbështetësit kryesor të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë. Ne do të vazhdojmë me punë edhe të ardhmen me sektorë të tjerë që të dalin nga kjo gjendje dhe bllokadë që ka vendi”, ka thënë ai.

    Duke e cilësuar takimin si produktiv, Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria të koordinohet me mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës për rrugëtim drejt NATO-s dhe ecjen përpara në dialog me Serbinë.

    “Shqetësim i madh se s’ka juridike sot. Qoftë për individin, organizatat përshirë edhe mediat, siç është rasti i Klan Kosovës për të cilin shprehi mospajtim jo veç si parti politike, por si qytetar që me u mbyll një medie. Ishte kërkesa që opozita të bashkëpunojë më shumë ndërmjet veti, me shoqërinë civile dhe mos të heshtin dhe të përballemi me gjendjen e krijuar. Ishte një dëshirë me rikthy Kosovën në normalitet, po flas me aleatët tonë dhe rrugëtimin tonë drejt NATO-s. Po ashtu edhe një normalitet në rajon me ecjen përpara me rezultatet e dialogut”, ka shtuar Haradinaj.

    Takimi i Haradinajt me shoqërinë civile dhe mediat është mbajtur i mbyllur për media, përveç fjalës hyrëse të tij, ku ka thënë se kryeministri Kurti po i ikë përgjegjësisë që ka marrë nga qytetarët.

    Takime të ngjashme me shoqërinë civile dhe mediat ka mbajtur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës./kp

  • Një donator shpëtoi katër jetë në Maqedoninë e Veriut

    Një donator shpëtoi katër jetë në Maqedoninë e Veriut

    Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se sot në mëngjes një donator ka shpëtuar katër jetë.

    Sipas ministrisë, kjo ka ndodhur për herë të parë në historinë e shëndetësisë maqedonase, që katër organe në një akt janë implantuar nga një donator.

    “Falë humanizmit të një familjeje, dashurisë, mirësisë dhe ndjeshmërisë së tyre që mbartin në vete, herët në mëngjes një zemër e re filloi të rrahë në gjoksin e një pacienti 40-vjeçar nga Shkupi. Një shans i ri për jetën dhe mëlçinë iu dha një pacienti me sëmundje kronike të mëlçisë, dhe dy pacientë në dializë gjatë ditës do të marrin veshka. Përveç kësaj, një shans për një cilësi më të mirë të jetës, në ditët e ardhshme do t ‘u jepet pacientëve me sëmundje të kockave.”, është bërë e ditur në njoftim.

    Ministria e Shëndetësisë ka falënderuar familjen e dhuruesit, si dhe të gjitha ekipet mjekësore.

    “Edhe një herë faleminderit familjes së dhuruesit që me vendimin e tyre vetëmohues na solli një mëngjes plot shpresë dhe besim në mirësinë e pakushtëzuar. Faleminderit të gjitha ekipeve mjekësore që kanë punuar dhe janë ende duke punuar në klinikat kirurgjikale dhe interne të Shkupit në 24 orët e fundit. Pacientëve që kanë marrë organet ju urojmë shërim të shpejtë.Jemi krenarë për çdo sukses të ri në shëndetësinë maqedonase.”, është bërë e ditur tutje nga ministria.

  • ​Biletat ditore, Rama: 10 mijë udhëtarë më shumë po përdorin autobusët e trafikut urban

    ​Biletat ditore, Rama: 10 mijë udhëtarë më shumë po përdorin autobusët e trafikut urban

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se 10 mijë udhëtarë më shumë po përdorin autobusët e Trafikut Urban, pas vendimit për bileta ditore.

    Në janar të këtij viti, Komuna e Prishtinës kishte vendosur që të vendosë në përdorim biletat ditore, me çmim prej 80 cent, të cilat mund të shfrytëzohen për 24 orë në të gjitha linjat e trafikut urban.

    Ndërsa bileta njëdrejtimëshe në autobusët e Trafikut Urban në Prishtinë kushton 50 cent.

    Rama gjithashtu ka shkruar se shumë shpejtë do të shtohen edhe 30 autobusë të rinj, gjashtë prej të cilëve do të jenë elektrik.

    “Superlajm! 10.000 udhëtarë më shumë po përdorin autobusët e “Trafiku Urban”, si rezultat i vendimit të marrë në muajin janar të këtij viti për përdorimin e biletës ditore. Shumë shpejt flotës së Trafikut Urban do t’i shtohen edhe 30 autobusë të rinj, 6 prej të cilëve do të jenë elektrik. Kjo do të përmirësojë tutje shërbimet e ofruara për qytetarët”, ka shkruar Rama.

  • Aksidenti i rëndë me tre të lënduar në Veternik, dalin pamjet

    Aksidenti i rëndë me tre të lënduar në Veternik, dalin pamjet

    Një aksident i rëndë ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në lagjen Veternik, ku për pasojë, janë lënduar tre persona, një femër dhe dy meshkuj, raporton ATV.

    Aksidenti ka ndodhur rreth orës 3:40 të mëngjesit.

    Në videon e siguruar nga ATV, shihen Policia dhe qytetarë të shumtë duke ndihmuar në nxjerrjen e të lënduarve që ndodheshin në veturën e aksidentuar me targa të Shqipërisë.

    ATV, po ashtu mëson së të lënduarit janë shtetas të Shqipërisë. /atvlive.tv

  • Van Damme në Kosovë – merr vëmendje me varësen me shqiponjë

    Van Damme në Kosovë – merr vëmendje me varësen me shqiponjë

    Aktori i famshëm, Jean – Claude Van Damme, është aktualisht në Kosovë.

    Ai ka qenë sot (e mërkurë) në ambientet e qendrës Prishtina Mall për të promovuar markën e orëve, ‘Helfer’ nga Zvicra.

    Ylli i filmave aksion mori më së shumti vëmendje me një varëse ari në qafë, në të cilën mbante simbolin e shqiponjës, transmeton Telegrafi.

    Foto: Screenshot/Facebook

    Kjo mbase duket t’i jetë bërë dhuratë, ndonëse ka shumë miq shqiptarë dhe se ruan raporte të mira me ta.

    I njëjti u takua edhe me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn, që njihet ndryshe si ‘Rambo’.

    Veç kësaj, Van Damme gjatë ditës u takua edhe me disa sportistë, përfshirë ish-karateistin Enver Idrizi.

    Aktori në fjalë shquhet për paraqitjet në filmat si: “Bloodsport”, “Kickboxer”, “Lionheart”, “Hard Target”, “Double Impact”, “Street Fighter” etj.

  • ​Kosova bie në renditjen e re të FIFA-së, Shqipëria ruan pozitë e njëjtë

    ​Kosova bie në renditjen e re të FIFA-së, Shqipëria ruan pozitë e njëjtë

    FIFA, ka publikuar renditjen e re të përditësuar të ekipeve kombëtare.

    Edhe pse nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje nga përditësimi i parafundit, Kosova ka pësuar rënie në renditjen e FIFA-s.

    “Dardanët” ishin në pozitën e 108-të me 1179.69 pikë, ndërsa tani zënë vendin e 109-të me po kaq pikë.

    Në anën tjetër, kombëtarja e Shqipërisë gjithashtu nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje gjatë kësaj kohe, por nuk ka pësuar asnjë ndryshim në renditje.

    Kuqezinjtë vazhdojnë të renditen në pozitën e 65-të me 1357.39 pikë.

    Top 10-shja ka vazhduar të mbetet i pandryshuar, me Argjentinën, Francën dhe Brazilin në tri pozitat e para. Pas tyre vijnë Anglia e katërta , Belgjika e pesta, Kroacia e gjashta, Holanda e gjashta, Italia e teta, Portugalia e nënta dhe Spanja e 10-ta.

  • ​Krasniqi takoi ambasadorin amerikan: Zgjedhjet e parakohshme janë alternativa e vetme

    ​Krasniqi takoi ambasadorin amerikan: Zgjedhjet e parakohshme janë alternativa e vetme

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur në takim ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Ata kanë biseduar për situatën aktuale politike në vend dhe qëndrimet e kësaj partie lidhur me veprimet që i konsideron të nevojshme.

    Sipas Krasniqit, Qeveria Kurti e ka humbur rrugën e duhur andaj zgjedhjet e parakohshme janë alternativa e vetme.

    “Për PDK-në, siç kemi thënë nga fillimi, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës, të cilat përtej dëmtimit të progresit dhe imazhit të vendit, i sollën Kosovës edhe sanksione nga partnerët kryesorë ndërkombëtare, janë tërësisht të papranueshme. Ky nuk është vullneti i qytetarëve dhe ajo për të cilën ata kanë votuar, rrjedhimisht, Ambasadorit amerikan i shpreha qëndrimin që Kosova të mos vuaj masa ndëshkuese për shkak të kryeneçësisë politike të një individi. PDK vlerëson se kjo Qeveri e ka humbur rrugën e duhur, njëkohësisht edhe kredibilitetin e saj, prandaj, zgjedhjet e parakohshme janë alternativa e vetme”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

    Ai gjithashtu ka thënë se e ka siguruar ambasadorin amerikan se PDK do të angazhohet përmes të gjitha mjeteve demokratike të luaj rolin e saj konstruktiv në shërbim të interesit të qytetarëve.