ATV

Author: ATVLive

  • Aktakuzë kundër 12 personave për vepra të ndryshme penale

    Aktakuzë kundër 12 personave për vepra të ndryshme penale

    Prokuroria Themelore në Prizren ka informuar sot se ka ngritur aktakuzë kundër 12 personave për vepra të ndryshme penale.

    Sipas prokurorisë, aktakuza është ngritur ndaj personave me inicalet, Sh.K., V.Gj., B.K., E.K., Z.Xh., Z. (F)Xh., P.Xh., K.Q., G.K., L.K., Q.K., dhe R.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Lëndimi i rëndë trupor”, “Pjesëmarrja në rrahje”.

    “Sipas aktakuzës, i pandehuri Sh.K., Më datë 07.05.2023 rreth orës 01:23min në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, përballë njërës prej qendrave tregtare, me dashje fillon kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë të cilën nuk e përfundon ndaj të dëmtuarve Q.K., dhe R.K., dhe me atë rast me dashje e vë në rrezik jetën e personave tjerë siç janë G.K., L.K., B.K., G.K., dhe P.Xh., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshjeje rreth dyshimeve për vjedhje të një zinxhiri të arit, përfshihet në rrahje një numër i madh personash nga të dyja palët, ku pasi ndërpritet përleshja, i pandehuri Sh.K., paraqitet në vendin e ngjarjes dhe menjëherë hedhet në sulm, i cili nxjerr armën e zjarrit cilën e drejton në drejtim të G.K., aty ndërhynë Q.K., duke ia kapur armën nga dora mirëpo persona tjerë e sulmojnë Q.K., dhe pasi ky i fundit rrëzohet në tokë i pandehuri shtënë me armë në drejtim të tij, të cilit i shkakton dëmtime të lehta trupore, të shkaktuar nga veprimi dinamik i predhës së hedhur nga arma e zjarrit, tek i cili deri në ngritjen e kësaj aktakuze predha metalike ka mbetur në brendi të trupit për shkak të gjakderdhjes gjatë nxjerrjes së saj, pasi i dëmtuari Q.K., largohet me shpejtësi duke u hedhur rreth 2 metra poshtë në oborrin e qendrës tregare që gjindej aty afër, i pandehuri shkon në pjesën tjetër të turmës ku po konfrontoheshin fizikisht me grushte e shqelma dhe shtënë dy herë në drejtim të dëmtuarit R.K., të cilit i shkakton dëmtime të lehta trupore, përkatësisht dy plagë nga veprimi dinamik i predhës së hedhur nga arma e zjarrit.”, ka bërë të ditur prokuroria.

    Me këto veprime, i pandehuri Sh.K., ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” e ngelur në tentativë dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.

    “I pandehuri B.K., me qëllim që t’ i shkaktoj lëndime trupore personave tjerë, i sulmon të dëmtuarit V.Xh., dhe Z.(F)Xh, me ç’rast i shkakton lëndime të rënda trupore, të shkaktuara nga veprimi mekanik i mjetit të fortë. Me këto veprime, i njëjti kryen veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” sipas KPRK-së. I pandehuri V.Xh., me qëllim që t’ i shkaktoj lëndime trupore personit tjetër, e sulmon të dëmtuarin/pandehurin L.K., paraqitet në vend të ngjarjes më një thikë me gjatësi tehu prej 9cm, e godet disa herë të pandehurin, m ç’rast i shkakton lëndime të rënda trupore. Me këto veprime, i pandehuri V.Xh. ka kryer veprat penale “Lëndimi i rëndë trupor” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së. Të pandehurit: E.K., L.K., Z.(F)Xh., K.Q., dhe G.K., me qëllim që t’ i shkaktojnë lëndime trupore personave tjerë, marrin pjesë në rrahje, e cila rezulton me lëndim të rëndë trupor, të cilët përdorin mjete të rrezikshme si: brisk, shufra metalike dhe boks hekuri. Me këto veprime, secili veç e veç ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” sipas KPRK-së. Të pandehurit: Z.Xh., P.Xh., Q.K., dhe R.K., me qëllim që t’ i shkaktojnë lëndime trupore personave tjerë, marrin pjesë në rrahje, e cila rezulton me lëndim të rëndë trupor. Me këto veprime, secili veç e veç ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” sipas KPRK-së.”, ka bërë të ditur tutje prokuroria.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

  • KMDLNj: ZRRE dhunuesi më i madh i buxhetit familjar

    KMDLNj: ZRRE dhunuesi më i madh i buxhetit familjar

    KMDLNj ka dalur me një reagim në të cilin thotë se ZRRE është keqbërësi dhe dhunuesi më i madh i buxhetit familjar dhe bizneseve duke legjitimuar vjedhjen përmes faturave.

    Sipas KMDLNJ-së, ZRRE është njëri ndër shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut në Kosovë, referuar çështjes së pagesës së faturave të rrymës nga ana e banorëve të veriut.

    Për më shumë, ja reagimi i plotë:

    ”ZRRE, pas përfundimit të luftës, që nga koha kur u themelua ishte keqbërësi dhe dhunuesi më i madh i buxhetit familjar si dhe i bizneseve duke përligjur vjedhjen klasike përmes fryerjes së faturave me ç’rast e pësonin paguesit e rregullt të energjisë elektrike ndërsa përfitonin qytetarët e veriut të Kosovës që deri më sot nuk e kanë paguar asnjë cent për rrymën e shpenzuar.

    Mjetet e grumbulluara përmes veprës penale (vjedhjes përmes fryrjes së faturave) ndaheshin për strukturat paralele në veri ku lulëzonte biznesi me kryptovaluta dhe kultivimi i lëndëve narkotike për çka duhej një sasi e madhe e rrymës. Pas ankesave të shumta të qytetarëve, KMDLNj–ë ka reaguar rregullisht për të sinjalizuar këtë plaçkitje të kundërligjshme duke kërkuar që të ndërpritet me këtë praktikë të mbrapshtë dhe të bëhet zhdëmtimi i qytetarëve për dëmet e shkaktuara.

    Fillimisht nga ZRRE dhe Operatori mohohej ky veprim i kundërligjshëm deri në kohën kur edhe Avokati i Popullit bëri një reagim duke e dërguar lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Komisioni përkatës parlamentar pati konstatuar se ka shkelje mirëpo nuk kishte bërë asgjë ta ndërpresë plaçkitjen dhe të propozojë masa kundër keqbërësve. Përveç kësaj, të gjitha qeveritë e pasluftës përfshirë edhe qeveritë Kurti 1 dhe Kurti 2 kanë ndarë mjete të konsiderueshme, dhjetëra miliona euro brenda një viti kalendarik për ta paguar rrymën për veriun e Kosovës.

    Qytetarët e veriut të Kosovës përveç rrymës nuk kanë paguar as faturat e ujit, mbeturinave e as tatimin në pronë e që nuk i paguajnë as sot e kësaj dite. KMDLNj në një takim pati kërkuar nga kryeministri Haradinaj që të ushtrojë autoritetin dhe ta ndërpres pagesën e rrymës për veriun e Kosovës sikur që qytetarët e Kosovës, pagues të rregullt të kompensohen për dëmet e shkaktuara. Ishte një lëvizje e vogël por që shpejtë u harrua duke vazhduar me praktikën e vjetër, pagesën e rrymës për veriun nga Buxheti i Kosovës ndërsa fryrja e faturave ishte ndërprerë.

    Së fundi Gjykata Supreme e Kosovës mori vendim që ZRRE të urdhërojë operatorin aktual të energjisë elektrike të kompensojë qytetarët e dëmtuar për mjetet e plaçkitura dhe Rregullatori i Energjisë Elektrike për të fituar kohë, me një mentalitet prej kusari që e kishte përdorur gjatë tërë këtyre viteve, po përpiqet të gjejë mënyra të shmangë pagesën e kompensimit duke deklaruar se për faktin se nuk e kanë të qartë se si duhet të kompensohen qytetarët, e kanë dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese me të cilën kërkohen sqarime se si do të kompensohen qytetarët.

    Blerje tipike e kohës.

    ZRRE është njëri ndër shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut në Kosovës dhe praktikuesi më i madh i diskriminimit për faktin se qytetarët e Kosovës nuk i trajton si konsumatorë që duhet të paguajnë për rrymën e shpenzuar por i keqtrajton ekskluzivisht në baza etnike dhe sipas oportunitetit politik. Blerja e kohës nënkupton se qytetarët do të lodhen nga kërkesa e tyre e drejtë për kompensim dhe se kjo çështje pas një kohe do të harrohet.

    Caktimi i modalitetit të kompensimit, dinamika e kompensimit i futë qytetarët në një labirint burokratik dhe përfitues të vetëm këtu do të jenë, ZRRE, si organizatë e strukturuar kriminale si dhe Operatori aktual që pamëshirshëm i plaçkitë konsumatorët përmes rritjes së çmimit të rrymës në kohën kur qytetarët e Kosovës po përballen me probleme të mëdha të natyrës ekzistenciale.

    Reduktimet e paralajmëruara që po arsyetohen se janë shkaku i prishje në fakt është se rryma po iu shitet vendeve të rajonit që po kanë mungesë të energjisë elektrike.

    KMDLNj thërret qytetarët e Kosovës të kërkojnë kompensim përmes padive individuale dhe të mos heqin dorë nga realizimi i kësaj të drejte që me vendimin e saj ua ka njohur edhe Gjykata Supreme e Kosovës. KMDLNj –ë do t’i përkrahë qytetarët e Kosovës që kërkojnë kompensim sikur që kërkon përgjegjësi ligjore për abuzuesit me të drejtat e njeriut përmes plaçkitjes së buxhetit familjar në dobi të një pale tjetër, qytetarëve të veriut të Kosovës”.

  • “Rrnoftë Albin Kurti, osht i pakorruptuem, i shkolluem, i ka t’gjitha”, mërgimtarja del jashtë teme, tregon se është fanse e kryeministrit

    “Rrnoftë Albin Kurti, osht i pakorruptuem, i shkolluem, i ka t’gjitha”, mërgimtarja del jashtë teme, tregon se është fanse e kryeministrit

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, që nisi transmetimin vetëm tre ditë më parë, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Një ndër rubrikat që do ta përcjellin këtë emision është edhe rubrika “Shqipnisht”, përmes së cilës mësohen fjalë dhe shprehje të ndryshme, që përdoren në regjione të rajonit.

    Në kuadër të kësaj rubrike, gazetarja e ATV-së i ka pyetur qytetarët se a e dinë ata kuptimin e fjalës “çarranik”.

    Shumë nga qytetarët e Vushtrrisë nuk e kanë ditur kuptimin e kësaj fjale, por disa nga ta thanë se e kanë dëgjuar këtë shprehje.

    Mirëpo, një mërgimtare shfrytëzoi rastin që para kamerës së ATV-së të dalë jashtë teme. Ajo tregoi se është admiruese e flakët e kryeministrit Albin Kurti.

    “Rrnoftë Albin Kurti, osht i pakorruptuem, i shkolluem, i ka t’gjitha”, dëgjohet duke thënë ajo para kameras së ATV-së.

    Emisioni n’mal An’det, i cili vjen në një format më ndryshe, drejtohet nga yjet e ATV-së, Roberti, Emira dhe Jeta dhe jepet çdo ditë nga e hëna deri të premten prej orës 21:10. /atvlive.tv

    Në videon e më poshtme e gjeni emisionin e plotë që u transmetua të mërkurën mbrëma:

  • Shefi i Zyrës së BE’së: Ka shumë dhunë në Evropë s’mund ta përballojmë një konflikt tjetër

    Shefi i Zyrës së BE’së: Ka shumë dhunë në Evropë s’mund ta përballojmë një konflikt tjetër

    Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovës, Tomas Szynog, ka folur sot për dialogun Kosovë-Serbi, me ç’rast tha se marrëveshja ndërmjet palëve do të jetë e dobishme për të dyja shtetet.

    Ambasadori Szunyog, tha se prioritet i Bashkimit Evropian është de-eskalimi në veri të vendit dhe e konsideroi jetike gjetjen e një zgjidhje për siç tha garantimin e sigurisë për qytetarët.

    “Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është dobishme edhe për stabilitetin dhe prosperitetin e tërë rajonit dhe është kyçe për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe njohjet ndërkombëtare të Kosovës. E kemi parë muajt e fundit përkeqësim të situatës në veri të Kosovës se si mund të shkaktojë dhunë edhe në tërë rajonin. Prioritet i yni është që të arrijmë de-eskalim dhe të gjejmë zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri dhe për të garantuar siguri për të gjithë qytetarët dhe zbatim të marrëveshjes për normalizim”, tha Szunyog, teksa shtoi se Evropa nuk mund ta përballojë një tjetër konflikt, pas asaj në Ukrainë.

    Ai tha se se nuk mund të përballojnë një tjetër konflikt në Evropë.

    “Të dyja, Kosova dhe Serbia pritet të kontribuojnë në bashkëpunim rajonal dhe t’i tejkalojnë të kaluarën. Kemi shumë dhunë në Evropë tashmë dhe nuk mund ta përballojmë një tjetër konflikt tjetër. Strategjia e BE-së ka objektiva për ta zgjeruar dialogun, për ta rritur kontributin e Ballkanit Perëndimor në misionet operacionale të BE-së dhe ta zgjerojë bashkëpunimin në inteligjencë dhe mbrojtje”, u shpreh ai.

    Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), të enjten ka prezantuar gjetjet dhe rekomandimet për bashkëpunimin rajonal të sigurisë në Ballkanin Perëndimor nga procesi i konsultimit.

    Ramadan Ilazi, udhëheqës i hulumtimeve në QKSS, tha se diskutimi do të shërbejnë në plasmini e ideve e mendimeve se si mund të gjenet një zgjidhje në rajon.

    Përderisa Mentor Vrajolli tha se bashkëpunimi rajonal në sektorin e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor është shumë me rëndësi për çka edhe kanë nxjerrë një raport me rekomandimet për institucionet.

    Lura Limani, drejtoreshë e programeve në KFOS, tha se është e pamundur të bisedojmë për bashkëpunimin ekonomik dhe forma tjera të bashkëpunimit, pa e adresuar çështjen kryesore e që më së shumti na duhet është bashkëpunim i bazuar në vlerat kryesore.

    “Për neve ka qenë nder i madh që Qeveria shqiptare na mbështeti një event që mblodhi liderë të Bashkimit Evropian. Jemi pjesë e fondacionit për politika evropiane dhe të huaja dhe kemi dal me një koncept për punën që është bërë deri më tani dhe një risi në adresimin e çështjeve që janë urgjente për rajonin dhe njëra prej këtyre çështjeve do të thonim se është tema që po e diskutojmë sot, gjendja gjeopolitike dhe siguria, dhe si ndikohet rajoni ynë nga çështjet e jashtme dhe tema është pritur mjaftë natyrshëm në diskutimet tona sepse kemi menduar që është e pamundur të bisedojmë për bashkëpunimin ekonomik dhe forma tjera të bashkëpunimit, pa e adresuar çështjen kryesore e që më së shumti na duhet është bashkëpunim i bazuar në vlerat kryesore”, tha ajo.

    Arbana Pasholli, deputete në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, tregoi për sfidat e saj në kohën e studimeve. Ajo përmendi konfliktet që i ka pasur Maqedonia e Veriut ndër vite.

    “Isha 20 vjeçare në Universitetin e Shkupit kur filloi konflikti në Maqedoni. Në atë kohë kur u regjistrova në fakultet, Kosova ishte në luftë dhe Shqipëria po rimëkëmbej nga konflikti dhe ne po luftonim për edukim në gjuhen shqipe. Konflikti nuk është i mirë dhe jam krenare që e ka tejkaluar këtë konflikt, që e tejkaloi përmes marrëveshjes së Ohrit për pakicat shqiptare. Tani më nuk kam frikë për fëmijët e mi sepse kanë më shumë të drejta se unë që i kisha”, tha ajo, raporton EO.

    “Konflikti nuk ishte sfida e vetme sa i përket stabilitetit por edhe në rajon. Një moment tjetër ishte kur u krijua një konflikt tjetër që u krijua një grup etnik. Kjo u bë që të rikthehej prania e NATO-s. Një problem tjetër ishte me Bullgarinë, ku vendi po përballej me probleme tjera me propozimin francez, bëri që të kontestohej nga autoriteti bullgar”, tha ajo.

  • Rama i reagon Lajcakut: Veproni me vendosmëri, veriu i Kosovës s’mund të bëhet Donbas

    Rama i reagon Lajcakut: Veproni me vendosmëri, veriu i Kosovës s’mund të bëhet Donbas

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në Twitter lidhur me takimin e djeshëm në Bruksel të kryenegociatorëve me emisarin sllovak, Miroslav Lajcak, takime nga të cilat s’ka pasur pothuajse kurrfarë progresi.

    Rama në reagimin e tij ndaj njoftimit të Mrisoalac Lajcak, ka thënë se BE-ja duhet të veprojë me vendosmëri për të siguruar zbatim të shpejt të Marrrëveshjes Themelore.

    Kreu i Qeverisë shqiptare ka thënë se rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk mund të bëhet peng i një krize të pafund mes Kosovës dhe Serbisë dhe sipas tij nuk duhet lejuar që veriu i Kosovës të bëhet një “Donbas i Vogël” nga trazirat e nxitura nga Rusia.

    “BE-ja duhet të veprojë me vendosmëri për të siguruar një zbatim të shpejtë të Marrëveshjes Themelore. Rajoni ynë nuk mund të bëhet peng i një krize të pafund mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të lejojmë që as veriu i Kosovës, ku kufiri mes krimit të organizuar dhe politikës lokale është i mjegulluar, të bëhet një Donbas i Vogël nga trazirat e nxitura nga Rusia dhe as Dialogu të bëhet një lojë fajësimi e Ballkanit të Vjetër nga mungesa e një vullneti real dhe të fortë të palëve të përfshira në të! Diskutimet janë të mira, por ajo që i nevojitet rajonit është një përparim para se të jetë tepër vonë”, ka shkruar Rama në Twitter.

  • Aksident në Fushë Kosovë, vetura përplaset me pemën në skaj të rrugës

    Aksident në Fushë Kosovë, vetura përplaset me pemën në skaj të rrugës

    Një aksident sapo ka ndodhur në rrugën Fushë Kosovë – Prishtinë, ku një veturë është përplasur me një pemë që gjendej në skaj të rrugës, raporton ATV.

    Në videon e më poshtme të siguruar nga ATV, policia shihen se kanë arritur në vend të ngjarjes.

    Ende nuk dihet për të lënduar apo edhe shkaqet që çuan në këtë aksident.

    Për detaje të reja, ATV do t’ju informojë me kohë.

  • “Mixha Ukë, kur mbetet njeriu jetim”, fjalët e pleqnarit që mbeten në mendjen e djalit që i kishte vdekura baba

    “Mixha Ukë, kur mbetet njeriu jetim”, fjalët e pleqnarit që mbeten në mendjen e djalit që i kishte vdekura baba

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, që nisi transmetimin vetëm tre ditë më parë, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Në këtë emision, pos rubrikave të shumta argëtuese, çdo ditë do të ketë edhe tregime popullore. Mbrëmë, në ciklin e tregimeve popullore, u rrëfye një histori e një pleqnari, fjalët e të cilit i kishin mbetur në mendje djaloshit që prindi. Pleqnari i kishte treguar këtij djaloshi kuptimin e plotë fjalës “jetim”.

    Tregimin e plotë mund ta shikoni në videon më poshtë.

    Emisioni n’mal An’det, i cili vjen në një format më ndryshe, drejtohet nga yjet e ATV-së, Roberti, Emira dhe Jeta dhe jepet çdo ditë nga e hëna deri të premten prej orës 21:10.

    Në videon e më poshtme e gjeni emisionin e plotë që u transmetua të mërkurën mbrëma:

  • 14 vjeç u largua nga Kosova, sfidat dhe sukseset e kampionit të shumëfishtë të kikboksit

    14 vjeç u largua nga Kosova, sfidat dhe sukseset e kampionit të shumëfishtë të kikboksit

    Është 14 herë kampion i botës në kikboks. Azem Maksutaj, këtë sukses e kishte ëndërruar qysh si fëmijë.

    Rrugëtimi i tij ishte plotë sfida të cilat nisën qysh në moshën 14-vjeçare kur ai vendosi të largohej nga Kosova drejt Zvicrës.

    Në një bisedë për ATV-në, Maksutaj tregoi rrugën e tij të vështirë drejt përmbushjes së ëndrrës së tij për t’u bërë kampion bote.

    “Kam qenë si 14-vjeçar. Ka qenë si ëndërr për mua. Kam ëndërruar qysh si fëmijë me u ba kampion bote. I kam parë këta filmat e Rokit dhe kam thënë, një herë të jesh kampion bote dhe të bëhesh shumë i pasur edhe ta mbrosh shtetin tënd, të rrahesh kundër një rusi apo një serbi, këto kanë qenë mendimet e mia si fëmijë. Në Kosovë kam lind në vitin 1975. Si fëmijë, babai ka dalë në Zvicër, pastaj kur kam qenë në moshën 8-vjeçare, ka dalë edhe nëna. Jam rritë disa vite pa nënë, pa baba, ka qenë shumë vështirë, por prapë se prapë ka qenë një kohë e mirë sepse kemi qenë shumë fëmijë, jam rritur me gjyshen, por po të mungojke nëna dhe baba”, rrëfen kikbokseri Maksutaj.

    Largimi nga vendlindja për kampionin e shumëfishtë, nuk ishte i lehtë.

    “Të mësohesh, të rritesh në Kosovë dëri ën fitin 1991, ka qenë shumë vështirë sepse s’ke pasë shumë shokë atje, nuk e ke ditë gjuhën, ka qenë ushqimi shumë i ndryshëm, nuk kishte për shembull, pite, fli e gjëra të tilla, por ka qenë krejt i ndryshëm dhe unë s’e kam dashtë, kam dashtë me u kthy në Kosovë. U ktheva, por prapë se prapë u dasht me u shpërngul se i pash gjasat e mija gjatë treningut dhe thash se këtu kam me u ba kampion bote, pikërisht në Zvicër”, tregoi Maksutaj. /atvlive.tv

    Bisedën e tij të plotë për ATV-në e gjeni në videon më poshtë:

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Hovenier: Mbështesim FSK-në teksa tranformohet në forcë mbrojtëse territoriale ndërvepruese me NATO-n

    Hovenier: Mbështesim FSK-në teksa tranformohet në forcë mbrojtëse territoriale ndërvepruese me NATO-n

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hoveneir, ka pritur sot në Ambasadën e SHBA në Prishtinë, ushtarin e FSK-së, Ylli Dalladaku, i cili ka përfunduar një prej kurseve ushtarake amerikane që është prej më rigorozeve.

    Dalladaku ka përfunduar kursin e Shkollës Ushtarake të West Point, duke u bërë kështu ushtari i parë i FSK-së që kalon në Akademinë amerikane.

    Hovenier ka thënë se SHBA e mbështet FSK-në teksa transformohet në një forcë multi-etnike, profesionale dhe forcë e mbrojtjes territoriale e ndërvepruese me NATO-n.

  • ​U dëgjuan 15 dëshmitarë, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve rikthehet pas tri javësh

    ​U dëgjuan 15 dëshmitarë, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve rikthehet pas tri javësh

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, e ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i pesëmbëdhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë vendosur të mos parashtrojnë kundërpyetje për këtë dëshmitar.

    Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe në fillim të seancës deklaroi se deri te ky vendim erdhi si rezultat i situatës së djeshme.

    Në seancën e së mërkurës dëshmitari në fjalë shpesh herë nuk i ka kuptuar pyetjet që i ka parashtruar ZPS rreth disa dokumenteve.

    Madje, ai ka thënë se ka probleme pasi sipas tij vuan edhe nga diabeti.

    Kehoe: Ekipet mbrojtëse nuk do të parashtrojnë kundërpyetje për dëshmitarin

    “Sa i takon kundër-pyetjeve të këtij dëshmitari ne u konsultuam me njëri tjetrin dhe bashkë me kolegët në këtë pikë asnjë nga ekipet e mbrojtjes nuk do të bëjë pyetje këtij dëshmitari. Më duhet tu them që ky vendim u morë si rezultat e situatës së djeshme pasi pamë dëshmitarit. Nëse është nevoja mund t’i bëjmë kundër-pyetjet por bashkërisht morëm vendim që askush nuk do t’i bëjë pyetje këtij dëshmitari”, ka deklaruar ai.

    Por, për dallim nga mbrojtja, trupi gjykues ka pasur disa pyetje për dëshmitarin i cili pretendon se vëllai i tij ishte ndaluar nga anëtarë të UÇK-së në vitin 1998, në Drenoc.

    Gjykatësi Metro e ka pyetur dëshmitarin nëse i kanë raportuar diku ato që pretendojnë se u kanë ndodhur.

    Metro: Pasi ndodhën këto ngjarjet kur iu morën vëllain edhe çdo gjë tjetër gjatë asaj periudhe, ti a u përpoqe t’i tregoje ndokujt apo të raportoje ndokujt këtë që i ndodhi të afërmit tuaj?

    Dëshmitari: Po.

    Metro: A mund të na tregosh kujt ia tregova këto ngjarje?

    Përgjigjet e dëshmitarit lidhur me këtë janë transmetuar me përmbajtje të redaktuar për publikun.

    Me përfundimin e kësaj dëshmie, Gjykata Speciale i ka përfunduar seancat për këtë sezon ndërsa procesi gjyqësor do të vazhdojë nga data 14 gusht.

    E ish-krerët e UÇK-së seancën e sotme gjyqësore e kanë ndjekur nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.

    Deri më tani në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve kanë dëshmuar pesëmbëdhjetë dëshmitarë të ZPS-së, pothuajse të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

    Dëshmia publike dhe pa masa mbrojtëse ka ardhur vetëm nga ish-komandanti i Zonës operative të Llapit, Rrustem Mustafa si dhe një oficer i ushtrisë britanike i cili ka shërbyer gjatë luftës në Kosovë, në kuadër të misionit të OSBE-së.

    Gjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse, ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./kp