ATV

Author: ATVLive

  • Fuqizimi i grave kosovare, organizohet panairi i tretë me produkte bujqësore dhe bimore sheshin ‘Zahir Pajaziti’

    Fuqizimi i grave kosovare, organizohet panairi i tretë me produkte bujqësore dhe bimore sheshin ‘Zahir Pajaziti’

    Panairi i tretë radhazi i organizuar nga EcoKosWomen (EKW) nisi punimet në Sheshin Zahir Pajaziti më 20 korrik, i cili ka për qëllim fuqizimin dhe mbështetjen e grave rurale në Kosovë.

    EKW, një organizatë e dedikuar për promovimin e barazisë gjinore dhe mundësive ekonomike për gratë, prezantoi 25 agrobiznese të drejtuara nga gratë kosovare gjatë ngjarjes.

    Këto gra ndërmarrëse kishin një platformë të jashtëzakonshme për të ekspozuar punën e tyre dhe për të tërhequr vëmendjen nga qytete të ndryshme të Kosovës.

    Ekipi i ATV-së ishte prezente në panair, për të vëzhguar nga afër punimet që po bëhen aty dhe duke zhvilluar edhe disa biseda me gratë sipërmarrëse.

    Për më shumë njohuri mbi panairin dhe historitë frymëzuese të grave pjesëmarrëse, shikoni videon më poshtë:

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Sylejman Kllokoqi dhuron tri kamerat me të cilat regjistroi momente historike

    Sylejman Kllokoqi dhuron tri kamerat me të cilat regjistroi momente historike

    Fakultetit të Arteve në Prishtinë i janë dhuruar tri kamera nga Sylejman Kllokoqi, kameramani i cili ishte dëshmitar në 7 luftëra gjithandej botës, ku ndër vite ka regjistruar momente të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar dhe jo vetëm.

    Të ndrysme për nga forma, madhësia e mënyra e të funksionarit, të tria ngërthejnë në vete ngjarje të rëndësishme që formësuan kombin tonë. Këto tri kamera, përmes punës profesionale të kameramanit Sylejman Kllokoqit, regjistruan momentet më kritike në Kosovë e jashtë saj.

    Në një bisedë për ATV-në, Kllokoqi tregoi historinë e tij kur kishte nisur për herë të parë të merrej me fotografi.

    “Unë në Prishtinë, kur kanë qenë vetëm tre katër fotografë, kam fillu me punu me fotografi, se edhe fotografia ka lindë para kameras. Dashuria e ime gjithmonë ka qenë të shkoj më lart dhe ashtu kur mbarova gjimnazin, ashtu edhe qysh në fillore edhe gjimnaz kam punu si fotograf, edhe kam shku në shkollë. Mbas mbarimit të gjimnazit, shkova me e studio kamerën në Beograd. Me thanë të vërtetën ka qenë shumë vështirë sepse vetëm 6 studentë janë pranuar në një vit. Konkurrenca ka qenë shumë e madhe, por shumë më ka ndihmu që kam punu si fotograf dhe pata sukses. Me kamerën e parë që kam punuar këtu, ka qenë kamera amatore e filmit, bile në atë kohë në Zagreb i kemi dërgu në një vend, i zhvilluam me postë, ata na i kanë kthy e mandej u dasht me pas projektorin me projektu. Aty ka qenë si fotograf unë e kam përdor një kamerë amatore, kurse gjatë studimeve, atëherë kam fillu me kamera profesionale”, rrëfeu Kllokoqi.

    Mbas studimeve ai kishte filluar të punojë me kamerë profesionale të filmit në Televizionin e Prishtinës.

    “Mbas mbarimit të studimeve të mija, unë kam fillu me kamerë filmike në Televizionin e Prishtinës. Por, ajo është një teknologji shumë e shtrenjtë sepse është dashur me e ble filmin që ka kushtu diku 100 euro po them metra. U dashtë me gjirua filmin, me shku me e zhvillu atë, pastaj me e montu, prej montimit me e dërgu në emitim. Shumë proces i gjatë. Më vonë e kanë bërë televizionet në botë dhe ka shku teknologjia që kanë dalë këto teknologjia më e re me punu me elektronikë” tregon ai.

    Me kamerën e parë, Kllokoqi ishte dëshmitar në shkatërrimin e Jugosllavisë, luftërave në Slloveni dhe Bosnje e Hercegovinë. /atvlive.tv

    Bisedën e plotë të Sylejman Kllokoqit në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Një i mitur ther me thikë bashkëmoshatarin e tij në Viti, viktima nuk mbijetoi

    Një i mitur ther me thikë bashkëmoshatarin e tij në Viti, viktima nuk mbijetoi

    Një rast tragjik dyshohet se ka ndodhur në Viti, ku një i mitur u ther për vdekje nga një bashkëmoshatar. Viktima vdiq në spital, ndërkaq rrethanat dhe motivet e rastit janë akoma të panjohura.

    Rasti tashmë është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, por nuk kanë dhënë detaje të tjera lidhur me incidentin tragjik.

    Ajo që dihet deri më tani është se viktima dhe i dyshuari janë të mitur.

    Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se viktima, i cili është nga fshati Lubishtë i Vitisë, fillimisht është dërguar për trajtim mjekësor në Viti, e më pas është transferuar në Gjilan, si pasojë e plagëve që kishte pësuar.

    I riu që u godit me mjet të mprehtë nuk arriti t’iu bëjë ballë lëndimeve dhe fatkeqësisht ndërroi jetë.

  • Ramë Lahaj & Friends sjellin gala mbrëmjen e paharrueshme të Operës në Sheshin ‘Skënderbeu’

    Ramë Lahaj & Friends sjellin gala mbrëmjen e paharrueshme të Operës në Sheshin ‘Skënderbeu’

    Më 23 korrik në ora 20:30 në sheshin e Skënderbeut në gala mbrëmjen e Ramë Lahaj & Friends, do të mund të përjetoni performancën nga yjet më të njohura të operës.

    Programi qendror i këtij edicioni sjell dirigjentin Pier Giorgio Morandi shoqëruar nga Filarmonia e Kosovës.

    Ramë Lahaj, tenor; Yullia Sulejmanova, soprano; Alessandro Safina, tenor; Massimo Cavalletti, bariton.

    Më shumë detaje i gjeni në emisionin e sotëm të mëngjesit ALARM në ATV:

  • Moti për sot dhe nesër

    Moti për sot dhe nesër

    Në ditën e sotme në vendin tonë do të mbizotërojë kryesisht mot i kthjellët dhe vranësira të pakta. Gjatë zonave malore, pritet të ketë edhe reshje të izoluara të shiut.

    Temperaturën minimale do ta mbajë Ferizaj me 17 gradë Celsius, ndërsa maksimalen Prizreni me 35 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në vendin tonë pritet të jetë kryesisht me mot të kthjellët.

    Temperaturën minimale do ta mbajë sërish Prishtina me 17 gradë Celsius, ndërsa maksimalen Prizreni me 37 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 16 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Gjirokastër me 41 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Sanksionet e SHBA-së godasin sërish Serbinë, ky është subjekti i radhës i sanksionuar

    Sanksionet e SHBA-së godasin sërish Serbinë, ky është subjekti i radhës i sanksionuar

    Departamenti amerikan i Thesarit i ka sanksionuar të enjten rreth 120 individë dhe kompani për mbështetje të luftës së Rusisë në Ukrainë.

    Në mesin e tyre është sanksionuar edhe një kompani nga Serbia, MCI Trading DOO, me seli në Beograd.

    Në njoftimin e autoriteteve amerikane është thënë se kjo kompani i ka ndihmuar kompanisë ruse AK Microtech për të blerë pajisje të teknologjisë së lartë nga prodhues prej Azisë, Evropës dhe Lindjes së Mesme.

    Kompania ruse, AK Microtech akuzohet se i ka ofruar Ministrisë ruse të Mbrojtjes, pajisje të teknologjisë së lartë.

    Në njoftim është thënë se kjo kompani specializon në transferimin e teknologjisë së huaj te kompanitë ruse për prodhimin e mikroelektronikës.

    “Një numër i atyre që i pranojnë këto pajisje janë persona dhe entitete të bllokuara nga Shtetet e Bashkuara”, është thënë në deklaratë, duke shtuar se AK Microtech punon me ndërmjetësues jorusë për t’i dërguar pajisjet te pranuesit rusë.

    “Një prej këtyre ndërmjetësuesve është kompania serbe MCI Trading DOO”, është thënë në njoftim.

    Aty është përmendur se kompania serbe ka kryer një mori transferesh për kompaninë ruse prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

    Kompania MCI Trading dhe drejtori i saj Ivan Cvetiq janë shtuar në listën e sanksioneve për, siç është thënë, ndihmë materiale dhe sponsorim apo ofrim të ndihmës financiare apo teknologjike për kompaninë AK Microtech.

    Zëvendëssekretari amerikan i Thesarit, Wally Adeyemo, ka thënë se sanksionet e reja përbëjnë një tjetër hap në përpjekjet e SHBA-së për t’i kufizuar kapacitetet ushtarake të Rusisë.

  • Dialogu shkon në “pushim” pa pajtimin për zbatimin e Marrëveshjes

    Dialogu shkon në “pushim” pa pajtimin për zbatimin e Marrëveshjes

    Me gjithë suksesin e proklamuar nga ana e BE-së pas arritjes së Marrëveshjes Bazë mes Kosovës dhe Serbisë, shumë pika të saj mbeten të pazbatuara. As në takimin e fundit para se dialogu të shkojë në pushim, palët nuk gjetën gjuhë të përbashkët për sekuencimin e Aneksit për zbatimin e Marrëveshjes. Njohësit Daniel Serwer dhe David Phillips ia faturojnë BE-së dhe SHBA-së mungesën e rezultateve dhe kanë shtruar domosdoshmërinë e dinamizimit të procesit

    Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë “ka shkuar në pushim veror” pa ia vendosur pikën shumicës së çështjeve të dakorduara në Marrëveshjen e 27 shkurtit në Bruksel dhe Aneksit për zbatimin e saj të dakorduar në Ohër më 18 mars.

    Dokumentet mbi të cilat palët nuk i vunë nënshkrimet mbetën nën hijen e tensioneve të majit e qershorit në veriun e populluar me shumicë serbe. Dakordim nuk pati as në takimin e fundit që emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, pati me kryenegociatorët e të dyja shteteve. Për pasojë, ai e përsëriti refrenin e muajve të fundit që urgjentisht të ndërmerren hapa për shtensionimin e situatës në veri dhe të shënohet përparim në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

    Eksperti amerikan për çështjen e Ballkanit, Daniel Serwer, e ka fajësuar BE-në dhe ShBA-në për mungesën e rezultateve në dialog.

    “BE-ja dhe SHBA-ja janë duke dështuar si me Prishtinën ashtu edhe me Beogradin. Presidenti Vuçiq e ka bërë të qartë se nuk ka detyrime për marrëveshjet e arritura në shkurt dhe mars. Kryeministri Kurti e ka bërë të qartë se nuk do të lëvizë me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe pa vendosur rend dhe ligj në veri të Kosovës. Amerikanët dhe evropianët nuk janë të gatshëm të bëjnë presion mbi Vuçiqin. Presioni i tyre ndaj Kurtit nuk ka dhënë rezultate”, i ka thënë KOHËS Serwer.

    Pa vullnet mes palëve, ish-diplomati amerikan e sheh të vështirë dinamizmin e këtij procesi.

    “Çështja është tek vullneti politik. Nuk ekziston as në Beograd e as në Prishtinë. Për këtë jam dakord me Gabriel Escobarin. Megjithatë, SHBA-ja ka përdorur shumë shkopinj me Prishtinën dhe shumë karota me Beogradin. Uashingtoni duhet të ribalancojë politikën e tij”, ka thënë Serwer.

    Emisari amerikan, Gabriel Escobar, gjatë raportimit më 18 korrik para Kongresit Amerikan, ka shprehur shqetësimin për mungesën e përafrimit mes Kosovës e ShBA-së. Teksa e ka përsëritur se Kosova duhet ta përmbushë detyrimin për themelimin e Asociacionit, Escobar ka paralajmëruar pasoja për Serbinë nëse serbët nuk marrin pjesë në zgjedhjet në veri.

    Ndërkaq profesori amerikan i Universitetit të Kolumbias në Nju-Jork, David Phillips, e quan dështim dialogun e deritashëm.

    “Nëse e shohim një pamje më të gjerë të çështjeve që e shqetësojnë Kosovën, dialogu është një dështim”, ka thënë Phillips. “Unë gjithmonë kam thënë se angazhimi i SHBA-së është kritik. Megjithatë, SHBA-ja duhet të mbështesë në mënyrë proaktive Kosovën. Qetësia është një qorrsokak”.

    S’ka pajtim në katër çështjet e diskutuara

    ShBA-ja deri tash i ka dhënë mbështetje dialogut që ndërmjetësohet nga Brukseli zyrtar.

    Por dakordimi mungoi edhe në takimin e së mërkurës. Tema e parë ishte ajo e planit të sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes Bazike, për të cilën zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se është parë nevoja të punohet më tej në konkretizimin e disa dokumenteve të rëndësishme për të siguruar zbatim të plotë të Marrëveshjes Bazike. Ai ka shprehur brengën se draftet e deritanishme që Lajçaku ua ka dërguar palëve, “janë selektive, lënë anash disa provizione të rëndësishme të Marrëveshjes Bazike, në mënyrë të njëanshme i kushton më shumë vëmendje kërkesave dhe preferencave të Serbisë dhe po ashtu nuk garanton zbatim të plotë të Marrëveshjes”.

    Përplasjet më të mëdha i ka prodhuar pika që flet për vetëmenaxhimin e serbëve. Serbia vazhdon të insistojë që dialogu të zhvillohet për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, derisa për Qeverinë e Kosovës, Asociacioni nuk mund të ketë epërsi ndaj pikave tjera të marrëveshjes.

    Neni 7 i propozimit të BE-së flet për “vetëmenaxhimin” e komunitetit serb që sipas qeveritarëve të Kosovës dhe emisarit Lajçak nënkupton Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ndërkaq sipas Aneksit të dakorduar në Ohër, “Kosova fillon menjëherë negociatat brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të krijuar aranzhime dhe garanci specifike për të siguruar nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse në dialog, siç përcaktohet nga BE-ja lehtësuese”.

    Asociacioni ka qenë pika që ka prodhuar më së shumti kundërthënie e përplasje brenda vendit, edhe gjatë qeverive paraprake. Edhe veprimet për ngritjen e tij pas marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013 janë shoqëruar me mungesë transparence. Përveç tri vendimeve të qeverive të kaluara lidhur me Ekipin Menaxhues për draftimin e statutit të Asociacionit, edhe Qeveria aktuale nuk ka pasur informacione lidhur me punën dhe përmbajtjen e dokumenteve të draftuara. Pa u koordinuar me Qeverinë, ky ekip e prezantoi edhe draft-statutin në njërin prej takimeve të Brukselit, por i cili u kundërshtua nga pala kosovare, meqë kurrkund nuk i ka referencë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

    Në periudhën kur zhvillonin takimet me palët e përfshira në komunat e populluara me shumicë serbe, Ekipi Menaxhues kishte shprehur përcaktimin për kompetenca ekzekutive të Asociacionit, në fushën e zhvillimit ekonomik, shëndetësi, arsim e planifikim hapësinor.

    Ngecjet në termat e referencës për komisionet e përbashkëta

    Në takimet e zhvilluara deri tash dakordim nuk pati as për terma të referencës për Komisionin e Përbashkët që ka të bëjë me zbatimin e Deklaratës për Personat e Pagjetur.

    “Ka mbetur vetëm një koment substancial me të cilin ata duhet të merren dhe mendoj që ky dokument është shumë afër adoptimit final që kishte me i hapë rrugë dhe funksionalizimit të Komisionit të Përbashkët”, deklaroi Bislimi pas takimit të fundit.

    Çështje tjetër e diskutuar ishte ajo për termat e referencës për Komitetin e Përbashkët që merret me monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike.

    Pala kosovare ka prezantuar komentet që kanë të bëjnë me nevojën që Komiteti i Përbashkët të mbetet brenda kornizave të parapara dhe në Marrëveshjen Bazike, që nënkupton një komitet që merret vetëm me monitorimin e zbatimit të marrëveshjes dhe nuk ka kompetenca vendimmarrëse, ekzekutive, nuk mund të zëvendësojë trupa të tjerë.

    Sa i përket temës së energjisë, e cila është trashëguar prej vitesh nga marrëveshjet e kaluara, Bislimi ka thënë së në takimin e fundit në Bruksel “ka pasur një keqinterpretim nga ana e BE-së për atë se si duhet të duket marrëveshja që garanton nënshkrimin e kontratës”. Por ka shtuar se në Bratislavë është eliminuar ky keqkuptim dhe tash janë shumë afër nënshkrimit të kontratës mes KEDS-it dhe Elektroseverit.

    Obstruksionet e Serbisë

    Me gjithë suksesin e proklamuar nga ana e BE-së rreth aneksit për zbatimin e propozimit të BE-së, zyrtarët serbë në disa raste paralajmëruan se nuk do të zbatojnë atë përderisa nuk themelohet Asociacioni. Kjo u dëshmua edhe në testin e parë të marrëveshjes, ku Serbia në kundërshtim me nenin katër të marrëveshjes doli kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe loboi edhe tek shtetet e tjera që ta pamundësojë një gjë të tillë.

    Por mbështetur në udhërrëfyes, Marrëveshja dhe Aneksi i Implementimit do të bëhen pjesë kryesore e proceseve të tyre të anëtarësimit në BE. Në dokument përmenden edhe pasojat që i presin palët në rast të mosrespektimit të obligimeve, në proceset përkatëse të anëtarësimit dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.

    Aneksi për zbatimin e marrëveshjes flet edhe për organizimin e një konference donatorësh brenda 150 ditëve për të krijuar një paketë investimi dhe ndihmë financiare për Kosovën dhe Serbinë. Kjo mund të ndodhë vetëm atëherë kur të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.

    Jo vetëm që nuk pati ndihma financiare, por Kosovës iu pezulluan edhe ato që ishin në vazhdim e sipër pas tensioneve në veriun e Kosovës.

    Qeveria e Kosovës shpresoj që pas veprimeve për shtensionimin e situatës në veri, BE-ja t’i heqë masat ndëshkuese, por kjo nuk ndodhi. Qeveria pranoi t’i largonte njësitë speciale nga veriu deri në masën prej 25 për qind, si dhe është pajtuar që në katër komunat veriore të mbahen zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, pas verës.

    “Për ne ka qenë e qartë që nga fillimi që kjo është rruga për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës dhe është habi që ende nuk kemi një letër shpjeguese nga ana e z. Borrell që kërkon heqjen e masave nga ana e Komisionit Evropian”, ka theksuar Bislimi.

    Lajçaku vazhdon të flasë për shtensionim të situatës

    Pavarësisht qëndrimit të Qeverisë se iu përgjigj kërkesave të BE-së për shtensionimin e situatës, emisari Lajçak ka vazhduar të flasë për rëndësinë e shmangies së dhunës në veri. E ka bërë këtë pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Lajçaku ka shkruar në Twitter se me Vuçiqin kanë rënë dakord për rëndësinë që urgjentisht të ndërmerren hapa për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Gjithashtu ka përmendur edhe nevojën për përparim në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

    “Ne ramë dakord për rëndësinë që urgjentisht të ndërmerren hapa për të depërshkallëzuar situatën në veri të Kosovës dhe për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve”, shkruan në postimin e Lajçakut.

    Thirrje për zbatimin e Marrëveshjes bazë dhe shmangien e tensioneve ka bërë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai i ka kërkuar Bashkimit Evropian të enjten që të veprojë me vendosmëri në mënyrë që rajoni të mos mbetet peng i një krize të pafundme për shkak të Kosovës e Serbisë.

    “BE-ja duhet të veprojë me vendosmëri për të siguruar një zbatim të shpejtë të Marrëveshjes Bazë. Rajoni ynë nuk mund të bëhet peng i një krize të pafundme mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të lejojmë që as Kosova Veriore, ku kufiri mes krimit të organizuar dhe politikës vendore është i paqartë, të bëhet një Donbas i vogël nga mosngritjet e nxitura nga Rusia dhe as dialogu të bëhet një lojë fajësimi të Ballkanit të Vjetër, nga mungesa e një vullneti real dhe të fortë të palëve të përfshira në të”, ka shkruar Rama në Twitter.

    Por eksperti amerikan, Daniel Serwer, thotë se ekziston rreziku i përsëritjes së tensioneve të para disa javëve në veri.

    “Vuçiq ka përdorur vazhdimisht provokimet në Kosovë për ta larguar vëmendjen nga problemet e tij politike në Beograd. Edhe Kurti shpesh ka reaguar në mënyra që kanë rritur tensionet. Nëse Vuçiqi do t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme, kjo mund t’i krijojë atij një nxitje për të provokuar telashe në Kosovë”, ka theksuar Serwer.

    E profesori David Phillips tek ka folur për rrezikun për kthimin e tensioneve, ka theksuar se ka elementë të cilët do të preferonin që dialogu të dështojë.

    “Ata mund të ndërmarrin veprime për të siguruar një dështim të tillë”, ka thënë ai.

    Gjatë tensioneve të fundit në veri, 93 pjesëtarë të KFOR-it mbetën të lënduar. Cak i sulmeve nga protestues të dhunshëm kanë qenë edhe zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe gazetarët shqiptarë.

  • Në QKUK vazhdon të mungojnë barnat esenciale

    Në QKUK vazhdon të mungojnë barnat esenciale

    Pavarësisht zotimeve për stabilizim të furnizimit me barna e produkte mjekësore, pacientët po vazhdojnë t’i sigurojnë ato në mënyrë vetjake. Pacientë e familjarë me të cilët ka biseduar KOHA, në kushte anonimiteti kanë prezantuar recetat e përshkruara nga mjeku për t’i blerë ato. Në ShSKUK thanë se me disa prej tyre ka filluar furnizimi e me të tjera presin furnizim gjatë ditëve në vijim.

    Barna e produkte esenciale janë duke vazhduar të blejnë pacientët në Qendrën Klinike Universitare (QKUK).

    Gjatë kohës sa ka qëndruar ekipi i KOHËS të enjten në oborr të QKUK-së janë parë pacientë e familjarë teksa bartnin barna të blera nga jashtë.

    Pacientët në kushte anonimiteti kanë treguar për produktet që janë të detyruar t’i sigurojnë çdo ditë për më shumë se një javë.

    Ata kanë prezantuar recetat e përshkruara nga mjekët për t’i blerë në mungesë të posedimit në Barnatoren Qendrore.

    “P.sh., klometol, pantoprazole. Qe klometol p.sh. që i ka thanë me ble”, ka thënë një paciente.

    Përveç pantoprazol e klometol, që blejnë për lukth pacientët e Kirurgjisë Abdominale, pacientë të tjerë kanë treguar se ka mungesë edhe të albuminave, shiringave, pambukut, kanellave, fashave e produkteve të tjera mjekësore nga lista esenciale.

    E kjo mungesë është vërejtur veçanërisht në klinikat e Kirurgjisë dhe në Emergjencë.

    Në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) thanë se njëri nga prioritetet e menaxhmentit të ri është stabilizimi i furnizimit me barna dhe material shpenzues.

    Bazuar në përgjigjet e ofruara me shkrim thuhet se Barnatorja Qendrore është furnizuar dy ditë më parë me albumina.

    “Sa i përket materialit shpenzues, kontratat janë lidhur dhe presim furnizim në ditët në vijim. Lidhur me pantoprazol ampulla, ato janë në Listën e re Esenciale (produkte për të cilat ende nuk kemi filluar kontraktimin për shkak të procedurave). Deri më tani kemi pasur alternativë omeprazol ampulla, por për të njëjtat është ndërprerë kontrata për arsye të vendimit për t’u tërhequr nga tregu (nga organet kompetente)”, thuhet në përgjigjen e ShSKUK-së.

    Në fillim të javës para Komisionit Parlamentar për Shëndetësi drejtori i ri i ShSKUK-së, Elvir Azizi, ka deklaruar se vazhdon të mbetet sfidë furnizimi me barna dhe se mision i tij është që të inkuadrojë listën e re esenciale.

    E ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, javë më parë ka deklaruar se deri në tetor nuk do të ketë probleme me barna esenciale nëpër spitale. Sipas tij, fjala mungesë dhe urgjencë në furnizime nuk do të jetë më në fjalor e në terminologji.

  • Osmani: Institucionet tona dhe ShBA-të e kanë një qëllim, shtensionimin në veri

    Osmani: Institucionet tona dhe ShBA-të e kanë një qëllim, shtensionimin në veri

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, është takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeffrey Hovenier.

    Osmani dhe Hovenier, diskutuan për dialogun Kosovë-Serbi dhe për zhvillimet në vend.

    E para e vendit tha se institucionet tona dhe ShBA-të e kanë një qëllim, shtensionimin e situatës në veri.

    “Në takim u diskutua edhe për vazhdimin e bashkërendimit me partnerët”, tha Osmani.

  • Gjykata Speciale në Hagë ka mbyllur dyert për tri javë, për shkak të pushimit veror

    Gjykata Speciale në Hagë ka mbyllur dyert për tri javë, për shkak të pushimit veror

    Ka përfunduar deklarimin dëshmitari i 15-të në rastin ndaj katër ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Meqë mbrojtja s’pati pyetje për dëshmitarin 04586, trupi gjykues ia bëri disa.

    Genël Metro, gjykatës i Gjykatës Speciale: Pasi ndodhën këto ngjarjet kur jua morën vëllain edhe çdo gjë tjetër, gjatë asaj periudhe, ti a u përpoqe t’i tregoje ndokujt apo të raportoje ndokujt këtë që i ndodhi të afërmit tuaj?

    Dëshmitari: Po.

    Genël Metro, gjykatës i Gjykatës Speciale: A mund të na tregosh kujt ia tregove këto ngjarje?

    Por, pjesa më e madhe e seancës ishte e mbyllur për publikun. Madje edhe të akuzuarit, seancën e ndoqën online nga qendra e paraburgimit.

    Njëkohësisht kjo ishte seanca e fundit, meqë për tri javët e ardhshme Gjykata Speciale nuk do të punojë për shkak të pushimit veror. Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, seancat e deritanishme në Hagë janë karakterizuar me disa çështje.

    “Problematikat kryesore kanë qenë vonesat e prokurorisë, pastaj kemi pasur redaktimet e shumta që e kanë pengu mbrojtjen dhe barazinë e palëve”, tha Eranda Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    Kur gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së kishte filluar të vlerësohet se do të zgjaste deri në fund të vitit 2023, por, duke marrë parasysh rrjedhën e deritanishme, pritet të zgjasë më shumë.

    “Vetëm ngritja e aktakuzës ka zgjatur 5 vjet diku. Ka pasur çalime të prokurorisë. Ka pasur vonesa që i kanë ndiku mbrojtjes. Duke pasë parasysh procesi mund të zgjasë më shumë sesa është planifikuar”, tha Zekaj.

    Më 14 gusht, Gjykata Speciale do të rinisë punën. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni ën videon më poshtë: