ATV

Author: ATVLive

  • Një tjetër incident në bregdetin e Shëngjinit, pushuesi nga Kosova rrezikon të mbytet

    Një tjetër incident në bregdetin e Shëngjinit, pushuesi nga Kosova rrezikon të mbytet

    Një tjetër pushues 41-vjeç nga Kosova ka rrezikuar të mbytet në bregdetin e Shëngjinit.

    Ngjarja ka vetëm pak minuta që ka ndodhur dhe është transportuar menjëherë në spital nga ambulanca pasi i është dhënë ndihma e parë nga mjekët në bregdet.

    Pushuesi po merr trajtimin e nevojshëm në spitalin e Lezhës, dhe gjendja e tij shëndetësore është drejt normalizimit./TCh/

  • Kryeministri Kurti bashkëbisedon me bizneset nga Sektori i Plastikës për identifikimin e profileve të nevojshme

    Kryeministri Kurti bashkëbisedon me bizneset nga Sektori i Plastikës për identifikimin e profileve të nevojshme

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar edhe sot bashkëbisedimin me bizneset. Sot mirëpriti përfaqësues nga Sektori i Plastikës, ku përveç ndërmarrësve, të pranishme ishin edhe ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

    Ai i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë bashkëbisedim për këtë temë aq të rëndësishme e vendimtare për transformimin socio-ekonomik të Kosovës dhe jo vetëm.

    Duke marrë parasysh që hendeku i zotësive është një ndër faktorët që po shpie edhe tek emigrimi i vazhdueshëm, por edhe te problemet e ndryshme sociale kryeministri tregoi se e kemi vënë prioritet lidhjen e arsimit me ekonominë, derisa ura mes këtyre dyjave është sistemi dual i edukimit, përkatësisht arsimimi dhe aftësimi profesional.

    Kësisoj, kryeministri sqaroi se në bashkëpunim të ngushtë me odat ekonomike dhe tregtare, me shoqatat sektoriale dhe ndërmarrjet aktive, arsimi dual sipas modeleve të vendeve gjermano-folëse ka nisur pilotimin në vitin 2022-2023 në katër shkolla profesionale, në tre komuna, me katër profile: kuzhinier, floktar, kamerier dhe murator. Ndërkaq tani, për shkak të interesimit të vet komunave dhe shkollave, viti shkollor 2023-2024, do të na gjej me 21 shkolla profesionale në 13 komuna ku do të ofrohen edhe tetë profile shtesë, përfshirë atë si rrobaqepës, automekanik, përpunues i metalit, përpunues i drurit, instalues i ngrohjes dhe klimatizimit, instalues elektrik, tregtar me shumicë dhe pakicë, dhe estetist.

    “Ne jemi të interesuar pra që nevojat e industrisë dhe planprogramet e shkollave të komunikojnë me njëra-tjetrën dhe si Qeveri dëshirojmë të ndërmjetësojmë suksesshëm”, përfundoi kryeministri drejtuar ndërmarrësve duke i falënderuar për kontributin dhe angazhimin në fushën e tyre.

    Ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, pasi përshëndeti të pranishmit tha se jemi së bashku për të adresuar rolin kryesor të Arsimit dhe Aftësimit Profesional për rritjen e punësimit cilësor në vendin tonë, por edhe për zhvillimin ekonomik, mjedisor dhe ambiental të Republikës sonë. Ajo cilësoi se zhvillimi i sektorëve të industrisë përpunuese është shumë i rëndësishëm për ekonominë e vendit ngase kontribuon drejtpërdrejtë në rritjen e vlerës së prodhimit në vend dhe në rritjen e të punësuarve me profile të ndryshme.

    Rëndësinë e zbatimit të mësimit dual e ritheksoi edhe njëherë gjatë bashkëbisedimit ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

    “Mësimi në shkollat profesionale ofron disa mundësi, ofron mundësinë e zhvillimit të praktikës në objektin e shkollës, ku në shkolla kanë kabinetet dhe laboratorët, ku ata mbajnë mësimin profesional, punën praktike, ofron mundësinë e ofrimit të punës praktike në biznese për një kohë të caktuar dhe mësimin dual”, potencoi ajo ndër të tjera.

    Gjatë bashkëbisedimit, përfaqësuesit e bizneseve të Sektorit të Plastikës shfaqën para kryeministrit dhe ministreve falënderimet e tyre për rolin dhe angazhimin konkret në këtë çështje.

    Gjatë ditës, Kryeministri gjithashtu do të zhvillojë një bashkëbisedim edhe me përfaqësues të bizneseve nga sektori i metaleve.

  • “Na ka hup ni teze e noshta e gjajna”, nipi e kërkon tezen në mes të Ulqinit

    “Na ka hup ni teze e noshta e gjajna”, nipi e kërkon tezen në mes të Ulqinit

    Gazetarja e ATV-së zhvilloi mbrëmë disa intervista në Ulqin me disa pushues nga Kosova.

    Një pushues nga Prishtina që kishte dalë për të shijuar jetën e natës buzë detit në Ulqin, i thotë me shaka gazetares se u ka humb një teze në mes të Ulqinit.

    “Na ka humb një teze qetu, ndoshta e gjejmë tashti”, thotë ai me shaka.

    Shikoni videon e më poshtme për ta dëgjuar bisedën e tij me ATV-në.

    Në videon e më poshtme e gjeni emisionin e plotë “n’mal A n’det” që u transmetua mbrëmë:

  • “18 mijë euro në vit”, mërgimtarët tregojnë cila ka qenë shuma më e madhe e parave që u kanë lënë familjarëve në Kosovë

    “18 mijë euro në vit”, mërgimtarët tregojnë cila ka qenë shuma më e madhe e parave që u kanë lënë familjarëve në Kosovë

    Gazetarja e ATV-së zhvilloi mbrëmë disa intervista me mërgimtarë në sheshin e Prishtinës, të cilat u transmetuan në emisionin veror “n’mal A n’det”.

    Mërgimtarët treguan para kamerave të ATV-së se cila ka qenë shuma më e madhe e parave që u kanë lënë familjarëve të tyre në Kosovë.

    “Vlera më e madhe ka qenë 18 mijë euro për një vit që i kam ndihmuar familjarët”, thotë një mërgimtar.

    Në këto intervista, edhe shumë mërgimtar të tjerë nuk hezituan të tregojnë se ata vazhdimisht u ndihmojnë familjarëve të tyre në Kosovë.

    Për më shumë, shikoni videon më poshtë:

    Në videon e më poshtme e gjeni emisionin e plotë “n’mal A n’det” që u transmetua mbrëmë:

  • Legalizimi i kanabisit mjekësor në Shqipëri jehonë në mediet e huaja

    Legalizimi i kanabisit mjekësor në Shqipëri jehonë në mediet e huaja

    Pas seancës maratonë me debate, Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të tij për qëllime mjekësore dhe industriale”.

    Ligji u miratua me 69 vota pro, 23 kundër dhe 3 abstenime. Tre deputetët që abstenuan ishin socialistët Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erjon Braçe.

    Miratimi i projektligjit ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare si Associated Press e cila në një artikull të saj shkruan se “Kuvendi i Shqipërisë legalizoi të premten kanabisin për qëllime mjekësore në një vend që dikur njihej si udhëkryq evropian për trafikun e marijuanës”.

    Qeveria beson se lejimi i prodhimit të kufizuar të kanabisit mund të rrisë të ardhurat nga taksat.

    “Rritja e marihuanës lulëzoi në Shqipëri në të kaluarën pasi trafikantët e drogës shfrytëzonin mungesën e qeverisjes së fortë në vendin postkomunist.

    Pas ardhjes në pushtet në vitin 2013, qeveria e majtë e Partisë Socialiste e kryeministrit Edi Rama vendosi shkatërrimin e bimëve të kanabisit si objektiv kryesor.

    Gjatë dy viteve, ajo shkatërroi miliona bimë kanabisi me një vlerë tregu të vlerësuar prej 7 miliardë euro (8.5 miliardë dollarë), më shumë se dy të tretat e prodhimit të brendshëm bruto vjetor të vendit në atë kohë.

    Në vitin 2014, një oficer policie u qëllua për vdekje gjatë një operacioni në fshatin Lazarat, në jug të vendit.

    Shqipëria është ende një rrugë kryesore për trafikimin e drogave të forta. Policia ende godet rastet e izoluara të rritjes së kanabisit, por shumë më rrallë se një dekadë më parë”, mbyll artikullin “AP”.

  • “Natën nisë me e prekë malësoren, e kësaj i qëllon një dru ngat…” historia e udhëtarit që e zuri belaja në një han

    “Natën nisë me e prekë malësoren, e kësaj i qëllon një dru ngat…” historia e udhëtarit që e zuri belaja në një han

    Emisioni veror i ATV-së, “n’mal An’det”, që nisi transmetimin të hënën, vazhdon të sjellë për shikuesit argëtim, intervista dhe eksplorim kulturor.

    Në këtë emision, pos rubrikave të shumta argëtuese, çdo ditë do të ketë edhe tregime popullore.

    Mbrëmë, në ciklin e tregimeve popullore, u rrëfye një histori e një malësori, të cilin e kishte zënë belaja kur kishte shkuar në një han me fjetë. Aty kishte takuar një malësore, e cila nuk doli të ishte edhe aq mikpritëse.

    Tregimin e plotë mund ta shikoni në videon më poshtë.

    Emisioni n’mal An’det, i cili vjen në një format më ndryshe, drejtohet nga yjet e ATV-së, Roberti, Emira dhe Jeta dhe jepet çdo ditë nga e hëna deri të premten prej orës 21:10.

    Në videon e më poshtme e gjeni emisionin e plotë “n’mal A n’det” që u transmetua mbrëmë:

  • Ekipi kosovar i xhudos merr pjesë në Kampin Olimpik në Holandë

    Ekipi kosovar i xhudos merr pjesë në Kampin Olimpik në Holandë

    Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Federata e Xhudos e Kosovës e ka bërë të ditur se ekipi kosovar po merr pjesë në Kampin Olimpik, që po mbahet në Arnhem të Holandës.

    Kampi Olimpik në Arnhem po zhvillohet në qendrën sportive olimpike, Papendal dhe njëkohësisht është kampi i fundit para IJF Mastert që do të mbahet në Hungari nga 4 deri më 6 gusht, raporton KosovaPress.

    Pjesë e ekipit kosovar të xhudos janë Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Laura Fazliu, Akil Gjakova dhe Dardan Cena, të cilët po stërviten nën udhëheqjen e trajnerit, Driton Kuka dhe asistent trajneres, Majlinda Kelmendi.

    Ky kamp ka mbledhur 400 xhudistë nga 34 shtete të botës, duke veçuar edhe pjesëmarrjen e Japonisë, Brazilit e Uzbekistanit.

  • Ardhje masive e mërgimtarëve në Kosovë, 59 aeroplanë aterojnë në “Adem Jashari” vetëm sot

    Ardhje masive e mërgimtarëve në Kosovë, 59 aeroplanë aterojnë në “Adem Jashari” vetëm sot

    Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror ka njoftuar se 59 fluturime janë realizuar vetëm sot në aeroportin e Kosovës “Adem Jashari”.

    118 ardhje janë realizuar ardhje-vajtje, duke konfirmuar aktivizimin e diasporës drejt ardhjes në atdhe.

    Ky numër i ardhjes së aeroplanëve sot është thuajse dyfish më i madh se dje që kishin arritur 37 aeroplanë.

    Ardhjet nga Gjermania, Zvicra e Turqia e dominojnë numrin e aterimeve deri më tani në aeroportin “Adem Jashari”.

  • ​Largohet guri përkujtimor i Nanë Pashkes në Gjakovë

    ​Largohet guri përkujtimor i Nanë Pashkes në Gjakovë

    Guri përkujtimor i Pashke Markut, nënës që dogji vetën pas kthimit dhe varrimit të mbetjeve të bijve të saj të vrarë dhe të djegur nga kriminelët serbë, është larguar nga një pronë private në Korenicë të Gjakovës.

    Shkrimtari Ag Apolloni, i cili e ka bërë të ditur lajmin, ka thënë se guri është larguar nga pronari i tokës.

    Studiuesi Apolloni ka thënë se ai gur është pjesë e kujtesës kolektive kombëtare, derisa ka kërkuar që i njëjti të kthehet në vend.

    “Lus Qeverinë dhe qytetarët e Kosovës ta mbrojnë këtë simbol, duke e kthyer gurin aty ku ka qenë, në atë arë të Korenicës (Gjakovë). Ekzistojnë dyshime se heqja e këtij guri është bërë për arsye fetare (sepse pronari është frikësuar se aty mund të ngritet një kishë, pavarësisht se familja e Pashkës e ka siguruar që nuk do të ngritet asnjë kishë aty), dhe për arsye politike, se s’i paska pëlqy që kryeministri e paska shkelë arën e tij, kur ka bërë homazh te guri.Ai gur nuk është objekt fetar, as nuk është gurthemel kishe, as që ka të bëjë fare me politikë. Çdo kryeministër në të ardhmen duhet të bëjë homazh tek ai gur. Ai gur është simbol i një tragjedie kombëtare.”, ka shkruar ndër të tjera Apolloni.

    Më pas, lajmi është konfirmuar edhe nga familjarë të Markut.

    “Asnjë shkëmb nuk do mund ta përshkruante dhimbjen e Nanës Pashkë për bijtë e vrarë nga forcat armike serbe dhe as një gur i hequr nuk mund ta zbehë kurrë sakrificën dhe mesazhin e saj për Boten me aktin e Vetëflijimit”, ka shkruar Flamur Marku.

    Lidhur me këtë ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje në Gjakovë, duke theksuar se një veprim i tillë nga ana e pronarit është i papranueshëm.

    “Një akt i tillë nga pronari i tokës i cili fillimisht kishte pranuar vendosjen e asaj shenje përkujtimore në tokën e tij, ndërsa tani pa një arsye të qëndrueshme dhe logjike vendosë të bëjë një akt të tillë, është i pa pranueshëm dhe i dënueshëm, ngase tragjedia e Nënës Pashke dhe familjes Marku nuk është vetëm e tyre, por është tragjedia jonë si popull, andaj përdhosje të tilla nuk mund të tolerohen. Ju bëjmë thirrje fillimisht pronarit të tokës e më pas institucioneve vartëse, që sa më parë të mirren masat adekuate dhe ajo shenjë përkujtimore të kthehet në vendin e saj”, është theksuar në reagim./KosovaPress

  • Kosovarët reduktojnë pushimet sivjet, shkak rritja e lartë e çmimeve në bregdetin shqiptar

    Kosovarët reduktojnë pushimet sivjet, shkak rritja e lartë e çmimeve në bregdetin shqiptar

    “Është viti i pestë që unë nuk mund të shkoj në pushime me familjen time, për shkak se nuk arrijmë t’i tubojmë paratë”, thotë Florim Beqiri, shitës i librave në një kioskë në Prishtinë.

    Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se çmimet e larta të produkteve të konsumit të përditshëm dhe të shërbimeve të tjera, përballë nivelit të pagave në vend, ua pamundësojnë rreth 57 për qind të familjeve në Kosovë përballimin e një pushimi njëjavor, qoftë në det apo diku tjetër.

    Shifra bazohet në rezultatet e anketës mbi të ardhurat dhe kushtet e jetesës në vitin 2021.

    Profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Nagip Skenderi, vlerëson se shifra mund të jetë edhe më e lartë sivjet, marrë parasysh rritjen e vazhdueshme të çmimeve të produkteve të konsumit.

    Përfaqësues të bizneseve, të cilat bëjnë oferta për pushime jashtë Kosovës, thonë se çmimi i tyre është rritur për së paku 15 për qind më shumë se një vit më parë.

    Florim Beqiri thotë se ai dhe bashkëshortja e tij janë të punësuar, por se nuk arrijnë të ndajnë të holla për të siguruar një pushim të shkurtër në det.

    “Çmimet, posaçërisht të ushqimit, janë shtrenjtuar në masë shumë të madhe, por edhe banimi është shtrenjtuar. Për sivjet e kemi ‘fshirë’ detin”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Mërgim Bekteshi punon në sektorin publik, ashtu sikurse edhe bashkëshortja e tij. Ai thotë se vitin e kaluar nuk kanë mundur të bëjnë pushime, ndërsa, sivjet, planifikojnë të shkojnë në bregdetin e Shqipërisë, por për kohë të shkurtër.

    “Në mungesë të mjeteve ndoshta do të jetë për kohë më të reduktuar. Një ose dy ditë, jo më shumë. Kjo është e tëra. Jeta është bërë shumë e shtrenjtë. Këto çmime janë të papërballueshme me paga nga sektori publik. Kjo është arsyeja”, thotë Bekteshi.

    Destinacione më të shpeshta pushimesh për qytetarët e Kosovës janë bregdeti i Shqipërisë dhe ai i Malit të Zi.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, paga mesatare bruto në vend, për dhjetë vjet, është rritur 138 euro. Nga 383 euro sa ka qenë në vitin 2012, ajo është bërë 521 euro në vitin 2022.

    Vitin e kaluar, ndërkaq, Kosova e ka përmbyllur me normë mesatare të inflacionit gati 12 për qind.

    Profesori i ekonomisë, Nagip Skenderi, thotë se kjo normë përfshin gjithë nivelin e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve në treg.

    Në këtë kontekst, sipas tij, realitetet ekonomike ndryshojnë kur bëhet fjalë për produktet bazike apo ato që përbëjnë shportën familjare.

    “Për shembull, prej vitit 2022 deri në vitin 2023, në disa produkte kemi ngritje të çmimeve për 60 deri në 70 për qind. Prandaj, realitetet ekonomike me ato statistikore tash ndryshojnë . Qytetarët orientohen që t’i plotësojnë elementet bazike, t’i paguajnë qiratë, t’i paguajnë kreditë hipotekare, mandej t’i paguajnë shërbimet komunale. Në këtë kontekst, pushimi mbetet në dorë të dytë ose si një nga objektivat e dyta”, thotë Skenderi.