ATV

Author: ATVLive

  • ​Osmani takoi një grup të shoqatave të komunitetit shqiptar në SHBA

    ​Osmani takoi një grup të shoqatave të komunitetit shqiptar në SHBA

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, nën organizimin e aktivistit të mërgatës shqiptare dhe shërbimeve filantropike, Mark Gjonaj, ka takuar një grup të organizatave të komunitetit shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Presheva, Medvegja, Bujanoci dhe Mali i Zi, të cilat veprojnë në SHBA.

    Sipas presidentes Osmani, ky takim me mërgatën shqiptare është dëshmi e lidhjeve të forta dhe të qëndrueshme ndërmjet popullit të Kosovës, si dhe komunitetit shqiptar në përgjithësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thuhet në komunikatën për media.

    Në këtë kontekst, Osmani, ka falënderuar komunitetin shqiptar, i cili përveç se në forcimin e lidhjeve të Kosovës me SHBA-të, ka ndihmuar shtetin e Kosovës në procesin e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit.

    “Ju jeni forca shtytëse e shumë proceseve nëpër të cilat ka kaluar Kosova. Liria dhe shteti jonë, janë rezultat edhe i angazhimit të vazhdueshëm të mërgatës sonë këtu, ndaj faleminderit për gjithçka që keni bërë dhe po bëni. Na duhet edhe mëtej angazhimi juaj. Kosova ka nevojë për mbështetjen tuaj dhe të SHBA-ve. E di që nuk hezitoni, ndaj presim që bashkërisht, pa dallim të angazhohemi që ta fuqizojmë shtetin tonë, krahas mbështetjes dhe koordinimit me aleatat tanë”, ka thënë ajo.

    Bëhet e ditur se e para e vendit shtroi nevojën e ruajtjes dhe promovimit të kulturës dhe trashëgimisë sonë në Shtetet e Bashkuara, për të cilën gjë tha se rol më rëndësi luajnë shoqatat, të cilat i grumbullojnë shqiptarët.

    Në bashkëbisedim me mërgatën, Osmani tha se Kosova pret mbështetjen e tyre edhe në fushën e investimeve. Sipas saj, në Kosovë tashmë është krijuar një klimë e përshtatshme për investime, ndaj investimet nga mërgata janë të mirëseardhura.

    Ndërkaq përfaqësues të shoqatave që grumbullojnë shqiptarët në SHBA, falënderuan Osmanin për takimin dhe shprehën mbështetjen e palëkundur për Kosovën dhe përkushtimin për të ndihmuar iniciativa të ndryshme, të cilat synojnë zhvillimin dhe mirëqenien e shtetit.

  • ​FSHF në garë për të sjellë në Shqipëri finalet e një Kampionati Evropian

    ​FSHF në garë për të sjellë në Shqipëri finalet e një Kampionati Evropian

    Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të shqyrtojë në mbledhjen e radhës së 26 shtatorit kandidaturat për organizimin e Kampionatit Evropian U-17 për vitet 2025, 2026 dhe 2027 dhe Kampionatit Evropian U-19 për vitet 2026 dhe 2027.

    Federata Shqiptare e Futbollit është pjesë e kësaj gare të rëndësishme për të cilën ka dorëzuar aplikimet për organizimin e Kampionatit Evropian U-17 për vitet 2025, 2026 dhe 2027 dhe Kampionatit Evropian U-19 për vitet 2026 dhe 2027. Pjesë e kësaj gare janë dhe Federata nga vende të rëndësishme evropiane.

    Në aplikimin e dorëzuar nga Federata Shqiptare e Futbollit është parashikuar që ndeshjet të zhvillohen në “Air Albania Stadium”, “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi” dhe “Arena Egnatia”. Këto stadiume do të presin ndeshjet e fazës së grupeve, ato gjysmëfinale dhe finalen e madhe. Gjithashtu për zhvillimin e një kompeticioni të tillë kërkohen 8 qendra stërvitore me fusha me bar natyral, të cilat do të jenë në aksin Tiranë-Durrës, kjo edhe për shkak të numrit të hoteleve me kushte specifike që kërkohen.

    Shqipëria është kualifikuar nga Komisioni i Tenderimit si një vend që i ka të gjitha aftësitë, kapacitetet dhe plotëson kriteret për organizimin e një Kampionati Evropian për moshat e reja. Ky është padiskutim suksesi parë, duke parë kriteret e larta që aplikohen në organizimin e kompeticioneve të tilla madhore me vëmendje dhe interes të madh ndërkombëtar.

    Sigurimi i të drejtës për organizimin e një Kampionati Europian futbolli, nëse ky besim do t’i jepet nga UEFA në mbledhjen Komitetit Ekzekutiv javën e ardhshme, do të ishte padiskutim aktiviteti dhe ngjarja më e madhe sportive e organizuar ndonjëherë në Shqipëri dhe rajon. Organizimi i një Evropiani tejkalon pa asnjë dyshim dhe organizimin e jashtëzakonshëm të finales historike të UEFA Conference League.

    Për kompeticionet që ka aplikuar Federata Shqiptare e Futbollit do të jenë pjesëmarrëse 8 skuadra, duke sjellë në vendin tonë interes të madh mediash, tifozësh dhe sigurisht skuadra të mëdha që do ta kthenim vendin tonë për një muaj në epiqendër të lëvizjes futbollistike evropiane.

    Një Kampionat Evropian në Shqipëri do të kishte një ndikim të madh edhe tek të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi, që jetojnë me futbollin si dhe do të përfshinte në organizimin e tij mijëra të tjerë, kjo për faktin se do të zhvillohen 15 ndeshje të cilat për nga niveli organizimit janë të barabarta me finalen e UEFA Conference League e zhvilluar majin e vitit të shkuar në Tiranë.

    Në të njëjtën kohë me marrjen e të drejtës së organizimit të një kompeticioni kaq madhor lind dhe detyrimi për të kryer disa investime të rëndësishme shtesë në infrastrukturën e stadiumeve dhe veçanërisht fushave stërvitore ku së bashku me pushtetin qendror dhe atë lokal do të duhet të investohet në Tiranë, Durrës, Kamëz, Elbasan, Shijak, Rrogozhinë e Kavajë.

  • ​Kumnova dorëzoi kallëzim penal ndaj Veljko Odaloviq

    ​Kumnova dorëzoi kallëzim penal ndaj Veljko Odaloviq

    Udhëheqësja e shoqatës “Thirrjet e Nënave”, Nusrete Kumnova, ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës kundër Veljko Odalloviq. Ajo ka thënë se i njëjti dyshohet se është i përfshirë dhe mban përgjegjësi komanduese për kryerjen e veprave penale të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.

    Ajo ka shkruar se Odalloviq duhet të jap përgjigje për krimet e kryera nga forcat e Serbisë gjatë luftës në Kosovë.

    Odalloviq aktualisht është kryetar i Komisionit Qeveritar të Serbisë për persona të zhdukur.

    “Velkjo Odalloviq, që gjatë luftës në Kosovë ishte kryetar i ‘Qarkut të Kosovës’, ndërsa aktualisht mban pozitën e kryetarit të komisionit të Qeverisë së Serbisë për persona të zhdukur, dyshohet se është i përfshirë dhe mbanë përgjegjësi komanduese për kryerjen e veprave penale të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Veljko Odalloviq duhet të jep përgjigje për krimet e kryera nga forcat e Serbisë gjatë luftës në Kosovë e jo të mbajë përgjegjësi për zbardhjen e tyre”, ka shkruar Kumnova./KP

  • Një tjetër projekt i Komunës së Prishtinës për reduktimin e trafikut në qytet

    Një tjetër projekt i Komunës së Prishtinës për reduktimin e trafikut në qytet

    Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, ka thënë se kanë në plan zvogëlimin e numrit të veturave nëpër rrugët e Kryeqytetit. E për ta bërë një gjë të tillë, niveli lokal a në plan ta implementojë projektin “Park and Ride”.

    Projekti “Park and Ride” nënkupton parkimin e veturës nëpër vendet e caktuara dhe shfrytëzimin e trafikut urban me të njëjtën biletë të parkingut.

    Musliu ka deklaruar se një person që hyn në Prishtinë dhe e parkon një veturë jashtë qendrës, do të mund ta shfrytëzojë trafikun urban me biletën e njëjtë të parkingut. Thotë se krahas shfrytëzimit të “Trafikut Urban”, qytetarët mund t’i marrin për shfrytëzim edhe trotinetet ose biçikletat.

    “Gjithashtu shumë ka me i ndikuar mobiliteti dhe projektet e ‘Park and Ride’, ne tani brenda muajit shtator mendojmë me e implementuar projektin e parë te fusha e ‘Ramiz Sadikut’ ku do të bëhet një parking, ky qytetarët kanë me pas mundësi me e parku veturën edhe me pagesën e parkingut për veturë, me e shfrytëzua transportin publik, është një prej formave të cilën mendojmë më e stimulua apo me e rrit shprehin e transportit publik të qytetarëve edhe me i ndal veturat mos me hy në zonën urbane”, u shpreh Musliu për EO, teksa thotë se do t’i shtojnë këto parkingje edhe nëpër zonat tjera.

    “‘Park and Ride’ mendojmë me i pas në zona periferike, mendohet diku me qenë 5-6 projekte me qëllim që me u parku vetura pastaj me pas mundësi me marrë autobusin, transportin publik apo të njëjtën kohë me marrë një biçikletë apo një trotinet elektrik, kjo na ndihmon shumë në aspektin e mobilitetit”, u shpreh tutje Musliu.

    Shkaku i numrit të madh të veturave në rrugët e Prishtinës, Musliu ka bërë të ditur se kanë menduar mbylljen e disa rrugëve.

    “Është e vërtetë që numri i veturave nuk përkon fare me infrastrukturën edhe me numrin e banorëve, ne jemi jashtë çdo norme mesatare, kemi diku 70-80 mijë vetura lokale brenda në Prishtinë, dhe rreth 120 mijë vetura brenda 24 orëve të cilat e përshkojnë kryeqytetin, po flasim diku për 200 mijë vetura, brenda 24 orëve në një infrastrukturë të cilën të gjithë e dimë çfarë e kemi edhe si është trashëguar. Me matje të cilat janë bërë edhe me ndryshime të cilat janë bërë, del që dy segmente janë të ngarkuara, ai i ‘Bill Klintonit’ dhe rruga ‘Tirana’”, u shpreh Musliu, duke thënë se rruga “Luan Haradinaj” është bërë me katër korsi, në mënyrë të zbrazet segmenti që po e ngarkon më së shumti trafikun në Prishtinë.

    “Keni mundur me e pa që prej rrugës ‘Luan Haradinaj’ të Ministria e Drejtësisë po bëhen 4 korsi, rruga që vazhdon është bë njëkahëshe, me qëllim që me pas zbrazje prej segmentit që po ngarkohet mos me pas hyrje pastaj zonën brenda në Qendër, në rrugën “Tirana” realisht në fillim është bë dy kahore pjesa që ndërlidhet me rrethin po në të njëjtën kohë tash po mendohet me u bo një qasje në rrethin po në të njëjtën kohe e dini që aty jemi duke punuar në rrugën tjetër e cila po bëhet në ‘Arbëri’, gjithashtu mendohet me u hap laura (rampa) te ‘Ramiz Sadiku’ me pas një qasje tjetër për me u lidh me rrugën ‘Tirana’. Janë afër 5-6 intervenime në këto segmente që për momentin janë më problematike”, ka thënë Musliu.

    Punë goxha të madhe thotë Musliu po bëhet edhe në aspektin e mirëmbajtjes së Kryeqytetit. Për këtë, synojnë blerjen e kamionëve për ndërmarrjen “Pastrimi” në vlerë prej 1 milion euro.

    “Tani jemi në fazën kur po i vlerësojmë ofertat për blerjen e kamionëve për ndërmarrjen ‘Pastrimi’, mos të harrojmë që është hera e parë që Drejtoria e Shërbimeve Publike në kuadër të Komunës së Prishtinës, që po e bënë një investim direkt në ndërmarrjen ‘Pastrimi’. Po flasin pra për blerjen e kamionëve, në një vlerë prej 1 milion e gjysmë, të cilën po mendojmë më e ndihmuar ndërmarrjen ‘Pastrimi’, për shkak që të gjithë e dimë situatën e vështirë financiare në të cilën ata gjinden, ashtu e kemi trashëgua buzë falimentimi”, thotë Musliu.

    Krahas blerjes së kamionëve, investime për çështjet mjedisore do të bëhet edhe në blerjen e kontejnerëve të rinj.

    “… në të njëjtën kohë jemi në proces të blerjes për më tepër se 1 mijë kontejnerëve, me të cilët kemi me e bo riorganizimin e lokacioneve të kontejnerëve, kemi me e shtuar numrin e tyre. Në kryeqytet ka shumë objekte të cilat janë në mungesë të lokacionit, ka lokacione të cilat kanë numër të vogël të kontejnerëve, shembull është platforma për 8 apo 6 kontejnerë, ekzistojnë 2-3, kanë me u plotësuar këto të gjitha, por ka lokacione që ka kontejnerë të dëmtuar e që do të bëhet zëvendësimi i tyre, me këta 1 mijë kontejnerë, mendojmë me i plotësuar të gjitha lokacionet ekzistuese, me e bo shtimin e lokacioneve të reja”.

  • Gjendet 15-vjeçarja shqiptare që ishte zhdukur në Gjermani

    Gjendet 15-vjeçarja shqiptare që ishte zhdukur në Gjermani

    15-vjeçarja shqiptare Rahmone Jusufi, ishte e shpallur e zhdukur nga familjarët.

    Për gjetjen e saj ishte mobilizuar edhe policia.

    E pas gjashtë ditësh, raportohet se ajo është gjetur.

    Të afërmit përmes rrjeteve sociale kanë njoftuar se adoleshentja është kthyer në shtëpi edhe është shëndosh e mirë.

    Ata shprehën falënderime për njerëzit që u angazhuan për të ofruar ndihmë.

  • Shkolla “Mihal Grameno” e mbingarkuar, dy nxënës ulen në një karrige

    Shkolla “Mihal Grameno” e mbingarkuar, dy nxënës ulen në një karrige

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    E ndajnë një karrige.

    Kështu kalojnë orët shumë nxënës të shkollës fillore “Mihal Grameno”, në Fushë Kosovë, për shkak të numrit të lartë të nxënësve. Rritja e numrit të nxënësve në klasa po ndikon negativisht edhe në mësim, thonë mësimdhënësit.

    “Natyrisht që është problem rritja e numrit të nxënësve, mandej kemi problem edhe me objekte, për shkak që edhe objekti nuk po e menaxhon numrin e madh të nxënësve, mirëpo nëse do të ishin kushtet për numër më të vogël të nxënësve, mësimi do të ishte më efektiv”, tha Gentiana Zeqiraj-Bujupaj, mësimdhënëse e gjuhës angleze.

    Ndonëse, shkolla posedon tre anekse, sipas drejtorit, megjithatë, nuk mjaftojnë.

    “Tash i kemi dy anekse shtesë, mirëpo prapë është fluksi i madh i ardhjeve në të tri objektet, por në veçanti në objektin amë, në objektin që jemi këtu, sepse ka ndërtime të larta që ndërtohen në afërsi të kësaj shkolle dhe më pas banorët e shfrytëzojnë shkollën për fëmijët e tyre këtu”, tha drejtori i shkollës fillore “Mihal Grameno”, Ismet Gashi.

    Aktualisht, në komunën e Fushë-Kosovës, janë 9 shkolla fillore dhe 3 shkolla të mesme dhe për regjistrimin e fëmijëve kërkohen kushte të caktuara.

    “Është bërë një rregullore në nivel komune dhe i kemi ndarë zonat, ku përfshihet territori i secilës shkollë dhe anekseve dhe shkollës amë dhe mbi bazën e kësaj ne kërkojmë kontratën, ose para-kontratën e banesës se ku jeton familja dhe nëse i takon territorit të kësaj shkolle, ne e bëjmë regjistrimin e tyre në këtë shkollë, kërkojmë certifikatën e lindjes ose fletë-kalimin nëse ka ndjekur mësimin në shkollat tjera dhe mbi bazën e kësaj regjistrohet si nxënës i kësaj shkolle”, tha Gashi.

    Lidhur me çështjen e mbingarkesës së shkollave në Fushë-Kosovë, zyrtarët e komunës nuk kanë kthyer përgjigje për ATV-në.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Klina ende s’ka Emergjencë të re

    Klina ende s’ka Emergjencë të re

    Përgatiti: Sara Shehu

    Shërbimi emergjent në Klinë vazhdon të funksionojë vetëm në kuadër të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.

    Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, kohë më parë kishte premtuar se do të fillojë ndërtimi i një objekt të ri në afërsi të qendrës që do të shërbente vetëm si Emergjencë, por ky premtim ende nuk është realizuar.

    Teksa nevoja për emergjencën e re është e madhe, Drejtori i QKMF-së në këtë komunë, Gazmend Bojaj, tha se projekti së shpejti do të realizohet në koordinim me drejtorinë e shëndetësisë.

    “Krijimi i këtij projekti do të ndodhë shumë shpejt. Drejtoria e Shëndetësisë është në bashkëpunim me të huajt, për ndërtimin e saj, kemi biseduar rreth kësaj teme. Me krijimin e emergjencës së re me të vërtetë do të na lehtësohet edhe më shumë puna, pasi që në urgjencën e cila është në QKMF kemi shumë fluks të lartë të pacientëve…”, tha Bojaj.

    Sa i përket ndërtimit të Emergjencës së re, Drejtoria e Shëndetësisë në këtë komunë i ka thënë ATV-së, se kostoja e projektit kap vlerën 400 mijë euro.

    Por derisa qytetarët presin ndërtimin e emergjencës së re përpos kritikave që kanë për mungesë të objektit adekuat, kanë ankesa edhe për mungesë të pajisjeve ampulare.

    “Vallahi një emergjencë e re gjithqysh është dashtë me kanë, po institucionet s’po punojnë veç premtojnë kot. Po hall tjetër oshtë edhe mungesa e injeksioneve edhe infuzioneve në urgjencë, saherë m’bje me shku e që po duhet privat me i ble, qe kqyri n’kese, sa pagujta 50 e diçka euro”, tha Sinan Sadikraci, pacient.

    “Çdo ilaç e injeksion për kontroll po duhet vetë mi ble, na pleq jem bre, edhe emergjencë t’re hala s’ka. Keq shumë në këtë urgjencë”, thotë një tjetër pacient.

    Por, Bojaj pretendimet e pacientëve i hedh poshtë.

    “Sa u përket shërbimeve në urgjencë e në mjekësi familjare ne kemi të gjitha, jemi të furnizuar me injeksione, infuzione, të gjitha i kemi ofruar pa asnjë problem. Furnizimi me ampula ka qenë i dobët, korrik dhe gusht, por tani jemi shumë mirë se me buxhetin tonë i kemi siguruar, jo me të MSh-së”, tha Bojaj.

    Në urgjencën e kësaj qendre, brenda 24 orëve ofrohen rreth 300 shërbime mjekësore e numri i stafit mjekësor arrin në 20.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Rritet interesimi për ndërtime të larta në Vushtrri, ulet në Ferizaj

    Rritet interesimi për ndërtime të larta në Vushtrri, ulet në Ferizaj

    Përgatiti: Sara Shehu

    Kërkesat për ndërtimin e objekteve me kate të larta, nga ana e kompanive ndërtuese janë rritur këtë vit në Komunën e Vushtrrisë.

    Tashmë në qendër të qytetit shihen disa apartamente shumëkatëshe.

    Ndonëse nuk kishte njohuri për shifra të sakta, kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se krahasuar me vitet e kaluar, interesimi për ndërtime të larta është rritur.

    “Vazhdimisht ka ndërtime të objekteve të larta. Ndonëse ende nuk kemi ndonjë shifër pasi që duhet një analizë më e madhe. Por është rritur shumë-shumë interesimi për objekte të larta të ndërtuara në krahasim me vitet e kaluara. Kemi ligjin e legalizimit, e cila ka qenë e angazhuar për shikimin e situatës për objektet pa leje të ndërtuara që ka mjaft këtu”, tha Idrizi.

    Sipas ekspertëve të ndërtimtarisë, kjo po ndodh për shkak të numrit të madh të kërkesave për blerje të patundshmërive.

    “Mendoj se nëpër komunat e vogla kanë më shumë bashkatdhetarë dhe ata po investojnë më shumë në ndërtimin e apartamenteve të tilla…”, tha Arsim Rapuca, inxhinier i ndërtimtarisë.
    Por, ndërtesat e larta nuk po u pëlqejnë vushtrriasve.

    “Oshtë shumë e rrezikshme, ka shumë ndërtime të larta, qyteti s’oshtë i madh. N’rast të fatkeqësive natyrore oshtë tmerr duhet me u ndal këto ndërtime”, thotë një qytetar.

    “Tepër keq që janë duke ndërtu këto objekte të larta, komuna duhet me i ndalu ato e jo me i leju”, thotë një tjetër qytetar.

    Por ndryshe nga Vushtrria, në qytetin e Ferizajt, këtë vit, kërkesat për ndërtime të objekteve me kate të larta kanë shënuar ulje.

    “Kërkesat për leje për ndërtime të larta këtë vit janë ulur. Nga janari deri më tani kemi pasur vetëm 20 deri në 30 kërkesa të cilat janë duke u shqyrtuar. Duke marrë parasysh që gjatë vitit të kaluar, ky numër ka qenë më i lartë. Arsyeja e mosinteresimit është rritja e tarifës”, tha drejtori i Urbanizmit në Komunën e Ferizaj, Arbër Bytyqi.

    Prishtina dhe Fushë-Kosova vazhdojnë të prijnë me numrin më të madh të ndërtimit të objekteve shumëkatëshe.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Miratimi i ligjeve, pushteti akuzohet se është në kundërshtim me Kushtetutën

    Miratimi i ligjeve, pushteti akuzohet se është në kundërshtim me Kushtetutën

    Përgatiti: Fitim Majkovci

    Një tjetër ‘’luftë’’ ka nisur mes pushtetit dhe opozitës në vend, ku Vetëvendosje po akuzohet për miratim të ligjeve në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

    Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se opozita po fiton çdo betejë me pushtetin në Gjykatën Kushtetuese, për shkak se ata janë shkelësit më të mëdhenj të saj.

    “E keni të qartë tashmë se sa betejat si opozitë i kemi fituar në raport me këta njerëz të padijshëm në Gjykatën Kushtetuese. Këta janë edhe të padijshëm edhe të dëmshëm. Të bësh një veprim të tillë që cenon direkt pavarësinë e nivelit lokal të komunave duhet me qenë, ose i marrë, ose shumë i padijshëm. Nëse e kanë bërë pa vetëdije këta janë të padijshëm pasi gjërat bazike që duhet t’i dijë një qeveri, këta nuk po i dinë”, tha Tahiri.

    Ndërkaq, edhe nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thonë se qeveria aktuale nuk po shkruan ligje në përputhje me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare.

    “Sa i përket përmbajtjes se si është duke shkruar qeveria, ne kemi evidentuar probleme kushtetuese të shkrimit të këtyre ligjeve. Ta zëmë Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës Civil, ka hyrë nën ombrellën e Ministrisë së Drejtësisë. Një ligj i tillë nuk është dërguar nga opozita, por ligji përmban të meta kushtetuese dhe nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Konsiderojmë se Qeveria nuk është duke draftuar ligje në pajtim me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare”, tha Naim Jakaj, hulumtues në IKD.

    Megjithatë, njëjtë s’mendon deputeti i pushtetit, Adnan Rrustemi, që këto kritika i ka cilësuar si tentim bllokimi për reforma të caktuara të qeverisë.

    “Motivi i opozitës është në dy pika, e para për të vonuar reforma të caktuara të Qeverisë. Dërgimi në Gjykatën Kushtetuese po merr një periudhë të gjatë të shqyrtimit. Motivi i dytë është krejtësisht inkriminues në kuptimin e mbrojtjes së interesave individuale dhe grupore që kanë. Kur opozita e konteston në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për Byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme nuk po e konteston se ka mospajtime me përmbajtjen pasi nuk e ka bërë asnjë kritikë për përmbajtjen, por thjesht po e konteston idenë për një byro”, tha Adnan Rrustemi, deputet i LV-së.

    Muaj më parë në Kushtetuese u rrëzua Ligjin për Këshillin Prokurorial, ndërsa, aktualisht janë duke u shqyrtuar edhe ligjet për paga në sektorin publik, ligji byronë, pagën minimale si dhe ai i tatimit në pronë.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Insitucionet paralele vazhdojnë punën

    Insitucionet paralele vazhdojnë punën

    Përgatiti: Armand Hoti

    Dyert janë të hapura. Komuna paralele e Prishtinës në Graqanicë, po vazhdon punën normalisht.

    Stafi i punësuar këtu, nuk pranoi të flasë për televizionin. Por, një nëpunës i kësaj komune, jo-zyrtarisht tregoi për ATV-në disa nga shërbimet që ofron kjo komunë.

    “Ofiqari punon, vërtetime, fotokopje të gjitha punojnë. Kemi drejtori, lëshojmë subvecione. E gjitha financohet nga Serbia. Marrim pagë rreth 550 euro”, thuhet në përgjigjen e nëpunësit të kësaj komune.

    Mirëpo, komuna paralele e Prishtinës në Graqanicë, sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve serbe, është vetëm njëra nga mbi 20 komunat paralele që operojnë në territorin e Republikës së Kosovës, që nga paslufta.

    Politologu Fidan Ukaj, thotë këto institucione paralele cenojnë integritetin e shtetit të Kosovës.

    “Këto institucione padyshim se janë të jashtë-ligjshme. Me një fjalë këto institucione duhet të mbyllen dhe nuk duhet të ekzistojnë më”, tha Ukaj.

    Duke iu referuar marrëveshjes së vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë, Ukaj thotë se këto institucione do duhej të inkuadroheshin në kuadër të institucioneve e Kosovës.

    “Edhe pse me marrëveshjen për normalizimin e raporteve të vitit 2013, parashihet inkuadrimi i tyre në institucionet e Kosovës, Serbia vazhdon me këtë destruktivitet të saj, duke i mbajtur gjallë insitucionet paralele, duke lëshuar dokumentacion për komunitetin serb në Kosovë”, tha Ukaj.

    As Bashkimi Evropian e as Qeveria e Kosovës, nuk iu kanë përgjigjur pyetjeve të ATV-së lidhur me këtë temë.

    Kurse, profesori universitar Basri Muja thotë se pikërisht Bashkimi Evropian ka rol kyç për shuarjen e tyre.

    “Të jem i sinqertë nuk mendoj që mundë të ketë një zhbërje vullnetare të tyre nga Qeveria e Serbisë, Qeveria e Kosovës duhet të ushtrojë presion tek bashkësia ndërkombëtare sepse çelësi është aty”, tha Muja.

    Ndërsa në rast të themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas profesorit Muja, institucionet paralele në Kosovë vetëm se do fuqizoheshin edhe më tepër.

    Pos komunave, Serbia investon edhe në sistemin arsimor të Serbisë në Kosovë. Ndërsa njëjtë vepron edhe me sistemin e shëndetësisë, kulturës e të tjera.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: