ATV

Author: ATVLive

  • Dështimi në dialog, rrezik për eskalim në Veri

    Dështimi në dialog, rrezik për eskalim në Veri

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Edhe një takim pa progres.

    Kryeministri Albin Kurti e presidenti serb Aleksandër Vuqiq, assesi të merren vesh për çështjen e veriut, madje as me ndihmën e ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian për dialog.

    Andaj mos-pajtimet mes palëve sipas njohësve të sigurisë, rrisin gjithmonë rrezikun për eskalim të situatës në veri të Kosovës.

    Në anën tjetër nga Beogradi fajësojnë kryeministrin Albin Kurti se po nxit tensione.

    Në një intervistë për mediat serbe, Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq tha se qëllimi i vetëm i Kurtit është që ta pastroj Kosovën nga serbët.

    “Kurti është gati për çdo gjë. Shqiptarët vetëm duan të provokojnë konflikt dhe qëllimi i Kurtit është ta pastrojë Kosovën nga serbët”, ka thënë Vuçeviq.

    Situata në veri aktualisht është e qetë derisa për sigurinë atje po përkujdeset KFOR-i.

    Ndryshe së fundmi tensionet në veri nisën pasi kryetarët e ri të komunave, hynë në objektet zyrtare për ta ushtruar funksionin e tyre, gjë që u kundërshtua ashpër nga serbët.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • 5 persona vdiqën në tre aksidente, brenda 24 orëve regjistrohen mbi 60 aksidente

    5 persona vdiqën në tre aksidente, brenda 24 orëve regjistrohen mbi 60 aksidente

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    5 persona kanë vdekur një ditë më parë në Kosovë, si pasojë e aksidenteve rrugore.

    Me fare pak diferencë kohore, bëhet fjalë për tri aksidentet më të rënda që ndodhën mbrëmë në Graçanicë, Pejë e Podujevë. Policia ka njoftuar gjithashtu se edhe 62 tjera u shënuan me lëndime te lehta trupore vetëm në 24 orët e fundit.

    Në raportin e policisë thuhet se shkaktar kryesor i aksidenteve ishte mos përshtatja e vozitjes me kushtet e rrugës.

    Por, sipas Bekim Ahmetit, ekspert në komunikacion, rritja e shqiptimit të gjobave në trafik mund të ndikoj në vetëdijesimin e vozitësve në parandalimin e aksidenteve.

    “Ka raste ku po falin shumë Policia edhe mandej vozitësit nuk po jenë të përgjegjshëm as për nga shpejtësia as rruga as shenjat…”, tha Ahmeti.

    Ahmeti për më tepër thotë se ka mundësi që aksidentet të parandalohen edhe nëse nuk ka ngecje nga institucionet përkatëse.

    “Duhet ti rrisin masat për me i parandalu edhe me u shtu siguria…”, tha Ahmeti.

    Lidhur me aksidentet e fundit që ndodhën në vend, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai ka apeluar te çdo pjesëmarrës në komunikacion për kujdes të shtuar dhe respektim të rregullave.

    Ndërkaq, gjatë gjithë vitit të kaluar, në Kosovë kanë ndodhur afër 21 mijë aksidente, ku 95 prej tyre ishin me fatalitet me gjithsej 106 persona të vdekur.

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Trepça fituese e Superkupës së Kosovës, mposht në finale Pejën

    Trepça fituese e Superkupës së Kosovës, mposht në finale Pejën

    Finalja e Superkupës së Kosovës mes Pejës dhe Trepçës ka qenë dramatike deri në sekondat e fundit, në në fund fitore shënuan mitrovicasit me rezultat 78-76.

    Një ndeshje e tensionuar nga fillimi deri në fund me tifozët e të dy skuadrave që ishin në tribuna.

    Në pjesën e parë skuadrat ishin pothuajse të barabarta me mitrovicasit që mbanin një epërsi të lehtë.

    Kur kishin mbetur më pak se një minutë, loja u ndërpre dhe tifozët mitrovicas u nxorën jashtë.

    Pasi u larguan u zhvilluan edhe 58 sekondat e mbetura në pjesën e parë të ndeshjes mes Trepçës dhe Pejës. Në pushim, Trepça ka shkuar me epërsinë prej 40:32.

    Pa tifozët, Trepça vuajti në pjesën e dytë, kur Peja në një kohë e mori edhe epërsinë.

    Pejanët arritën në epërsi prej gjashtë pikësh në një kohë, por që në minutat e fundit u shkri.

    Skuadrat u futën në minutën e fundit në barazim prej 76:76.

    Pas shumë huqjesh, Drilon Hajrizi realizoi dy pikë nga gjuajtjet e lira dhe i dha fitoren Trepçës./Telegrafi/

  • Osmani nga Nju Jorku: Do ta falënderoj Bidenin për aleancën tonë të fuqishme

    Osmani nga Nju Jorku: Do ta falënderoj Bidenin për aleancën tonë të fuqishme

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga Nju Jorku, është deklaruar për takimet që do të ketë me liderët botëror dhe për pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

    Osmani, theksoi në pritjen zyrtare, do të ketë mundësi që ta falendërojë Bidenin për mbështetjen e vazhdueshme.

    “Është shumë me rëndësi që do të kemi mundësi që të marrim pjesë në organizime bashkë me lider të tjerë botëror, takimet do të nisin pas gjysmë ore”.

    “Mirëpo më e rëndësishmja do të jetë pritja e organizuar nga presidenti Biden, ku do të kem mundësi që ta falënderojë në emër të popullit të Republikës së Kosovës, për aleancën tonë të fuqishme dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Osmani.

    Osmani theksoi se në takime me homologët e saj do të flasë për zhvillimet e fundit në Kosovë, sikurse edhe për synimet e Kosovës për krijimin e raporteve me shtetet anëtare të OKB-së dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

    Ajo poashtu do të marrë pjesë edhe në aktivitete e diskutime të shumta të organizuara nga shtetet aleate.

    Në agjendën e Presidentes Osmani do të jenë edhe një sërë aktivitetesh të përbashkëta me mërgatën shqiptare në Amerikë si dhe disa nga shoqatat të cilat e zhvillojnë aktivitet në SHBA.

  • Policia gjermane kërkon ndihmë për gjetjen e shqiptares 15-vjeçare, rezulton e zhdukur nga 11 shtatori

    Policia gjermane kërkon ndihmë për gjetjen e shqiptares 15-vjeçare, rezulton e zhdukur nga 11 shtatori

    Policia në Gjermani dhe familjarët janë duke kërkuar ndihmë për gjetjen e një shqiptareje 15-vjeçare Rahmone Jusufit.

    Jusufi rezulton e zhdukur nga 11 shtatori. Ajo ishte nisur për në shkollë si zakonisht më 11 shtator, por nuk kishte arritur atje, raporton “Bild”.

    “Deri më tash vendndodhja e saj nuk është e ditur”, ka njoftuar Policia.

    Pasi që vajza u deklarua e zhdukur, nisën kërkimet. Hetuesit kontaktuan gjithë kontaktet e njohura. Pasi ato nuk rezultuan me sukses, publikuan foton e saj dhe po kërkojnë ndihmë për gjetjen e saj.

    Policia ka njoftuar se Rahmone Jusufi kishte një pulovër të zezë-gri, një palë pantallona sportive dhe atlete të bardha.

    Edhe familjarët kanë shpërndarë në rrjete sociale kërkesën për ndihmë. Së fundi ajo ishte parë në Hans-Warsch-Platz, Ludwigshafen.

  • Ylli Aga tregon emrat e lojtarëve nga Shqipëria qe duhet t’i bashkohen Kosovës

    Ylli Aga tregon emrat e lojtarëve nga Shqipëria qe duhet t’i bashkohen Kosovës

    Gazetari dhe komentatori, Ylli Aga, në emisionin A PLAY në ATV, deklaroi se ka disa lojtarë që luajnë në kampionatin e Shqipërisë, të cilët do të ishin një zgjidhje e mirë për përfaqësuesen e Kosovës.

    Ai tha se, sikur që lojtarë nga Kosova luajnë për Shqipërinë, nuk do të ishte asgjë e keqe që edhe lojtarë nga Shqipëria të luajnë për Kosovën.

    “Nëse lojtarë të veçantë shprehin dëshirën për të luajtur për përfaqësuesen e Kosovës. Ashtu si lojtarët nga Kosova luajnë për Shqipërinë, pse jo edhe nga Shqipëria për Kosovën. Do më pëlqente shumë që disa lojtarë që luajnë edhe në kampionatin e Shqipërisë të luajnë për Kosovën. Nazmi Gripshi do të ishte një tentativë shumë e mirë për mesfushën e Kosovës. Ilir Daja do të ishte një zgjidhje shumë e mirë për përfaqësuesen e Kosovës”, tha Aga. /atvlive.tv

    Bisedën e tij të plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Xhafer Tahiri fiton garën për kryetar të LDK’së në Vushtrri

    Xhafer Tahiri fiton garën për kryetar të LDK’së në Vushtrri

    Anëtarit të Kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahirit, iu është besuar posti i kryetarit të këtij subjekti politik në Vushtrri edhe për katër vite.

    Kjo, pas mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor të LDK-së në Komunën e Vushtrrisë për zgjedhjen e kryetarit të ri, raporton Gazeta Insajderi.

    Kundërkandidati i Tahirit ishte Adnan Lahu.

    Nënkryetar i degës së LDK-së në Vushtrri është zgjedhur Shkelzen Xhaferi, dikur drejtor nën qeverisjen e Tahirit.

    Mbledhja e Kuvendit Zgjedhor të degës së LDK-së në Vushtrri ishte ftuar sot nga ora 11:00.

  • Sezoni i ri i Termokos, Rama: Kemi kyçur 40 mijë qytetarë në 8900 njësi të reja banimi, jemi gati për tetor

    Sezoni i ri i Termokos, Rama: Kemi kyçur 40 mijë qytetarë në 8900 njësi të reja banimi, jemi gati për tetor

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar për kyçjet e reja që janë bërë sivjet në sistem të ngrohjes të Termokos, derisa ka thënë se janë bërë përgatitjet që gjithçka të fillojë si duhet në tetor.

    Rama ka bërë me dije se gjatë këtyre muajve, kanë kyçur në sistem të ngrohjes 40 mijë qytetarë në 8 mijë e 900 njësi të reja banimi. Poashtu ka thënë se kanë zgjeruar dhe rehabilituar rrjetin në tetë lagje të kryeqytetit.

    “Gjatë këtyre muajve kemi kyçur 40.000 qytetarë në 8900 njësi të reja banimi. Kemi zgjeruar, rehabilituar dhe densifikuar rrjetin në 8 lagje të Kryeqytetit. Mati 1, Arbëri, Dodona, Ulpianë, Qendër, Dardani, Bregu i Diellit, Qafa. Përgatitjet janë bërë që gjithçka të fillojë si duhet në Tetor. Kyçjet e reja do të kontribuojnë në kursim të energjisë dhe ruajtjes së ambientit në mënyrë që të kemi një Prishtinë sa më të gjelbër”, ka shkruar Rama.

  • Abdixhiku për zgjedhjet e brendshme në Prishtinë: Forcë prijëse për shumë vjet

    Abdixhiku për zgjedhjet e brendshme në Prishtinë: Forcë prijëse për shumë vjet

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka komentuar proceset zgjedhore nëpër degë të LDK-së.

    Ai ka thënë se struktura e LDK-së në Prishtinë, po vjen si forcë prijëse për shumë vjet.

    Postimi:

    Të faleminderit Prishtinë – për pjesëmarrje impresive nëpër çdo nëndegë. Përveçse mbështetje po na jepni dhe shpresë.

    Këtë vikend vazhduam me 4 Kuvende të tjera. Si në lagje të reja, sikurse Prishtina e Re III, ashtu dhe në fshatra të Kryeqytetit – Shkabaj, Mramor e Keçekollë – pjesëmarrja qytetare është shenjë konfirmuese për ‘Rrugën e Re’.

    Do të vazhdojmë kështu – dhe më shumë. E ardhmja është e ndritshme. Struktura e Lidhjes në Kryeqytet po vjen si forcë prijëse për shumë vjet.

  • ​Rriten çmimet e naftës, ankohen qytetarët

    ​Rriten çmimet e naftës, ankohen qytetarët

    Rritja e çmimit të karburanteve nuk ka të ndalur këto ditë në vendin tonë. Në tregun e Kosovës një litër naftë ka arritur deri në 1.56 euro ose 10 centë më shumë se një javë më parë. Këtë rritje të çmimeve të derivateve nuk e kanë mirëpritur qytetarët e hiç më pak edhe taksitë, derisa nga Shoqata e Naftëtarëve kjo ngritje arsyetohet me rritjen e çmimeve në bursë.

    Qytetari nga Prishtina, Enver Mulani, tha se rritja e çmimit të naftës është e papërballueshme, derisa shton se çmimet janë ngritur e rrogat e punëtorëve në Kosovë janë të ulëta.

    Po ashtu edhe Rexhep Latifi, i cili punon taksist, shprehet i shqetësuar me rritjen e çmimeve të karburanteve.

    Sipas tij, me standardin e jetesës në Kosovë, çmimi i naftës nuk është aspak në rregull.

    Qytetari Naser Sylejmani thotë se çmimet e naftës po rriten çdo ditë dhe shton se kjo po i kushton shumë në xhep.

    Edhe kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani ka pranuar se këto ditë ka ngritje të çmimeve të karburanteve.

    Sipas tij, çmimet janë përafërsisht për diesel 1.47 euro deri 1.55 euro për litër, ndërsa, benzina 1.46 euro deri 1.51 euro.

    Ai në një përgjigje me shkrim thotë për KosovaPress se çmimi i naftës në Kosovë po rritet sipas çmimeve në bursa.

    Ndërkaq, vendimi i fundit i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës duket se nuk po ndikon fare për uljen e çmimeve.