ATV

Author: ATVLive

  • Gjunjëzohen çekët në Tiranë, Shqipëria me një këmbë në Evropian

    Gjunjëzohen çekët në Tiranë, Shqipëria me një këmbë në Evropian

    Kombëtarja e Shqipërisë ka regjistruar një fitore të madhe ndaj Republikës Çeke dhe tani me një këmbë është në Kampionatin Evropianin e dytë në histori.

    Kombëtarja shqiptare shkëlqeu në të gjitha aspektet dhe në fund me meritë mori një fitore të pastër. Ndeshja e zhvilluar në “Air Albania” u mbyll me rezultatin 3:0.

    Të përzgjedhurit e Sylvinhos e nisën mirë përballjen, me lojtarin më në formë, Jasir Asani, që la gjurmë me një tjetër gol të bukur dhe në stilin e tij, për epërsinë e parë në minutën e 9-të. Asistues ishte Ylber Ramadani.

    Për “Kuqezinjtë” u lehtësuan gjërat në minutën e 40-të, kur Mojmir Chytil u përjashtua nga ndeshja. Ai mori kartonin e dytë të verdhë për shkak të lojës me dorë, kur edhe shënoi gol për çekët.

    Shqipëria e nisi mirë edhe pjesën e dytë, e cila ishte e rezervuar për Taulant Seferin.

    Sulmuesi nga Kumanova shënoi dy gola. Ai fillimisht dyfishoi epërsinë në minutën e 51-të, pasi u asistua nga Sokol Cikalleshi.

    Seferi vulosi fitoren e Shqipërisë me golin e shënuar në minutën e 73-të, pasi mori një asistim të mrekullueshëm nga Mirlind Daku.

    Arbnor Muja ia doli të gjej golin e parë me fanellën kuqezi në minutën e 82-të, por fatkeqësisht goli i tij u anulua nga VAR-i për shkak të pozitës jashtë loje.

    Shqipëria pas kësaj fitore ka 13 pikë dhe vazhdon kryesimin në Grupin E.

    Çekia është e dyta me 9 pikë dhe me një ndeshje më pak.

    Kombëtarja shqiptare më 17 tetor do të zhvillojë miqësoren me Bullgarinë, për t’u rikthyer në nëntor me ndeshjet e radhës të këtij cikli kualifikues.

    Më 17 nëntor, Shqipëria do të luajë në udhëtim ndaj Moldavisë, kurse më 20 nëntor do të jetë nikoqire e Ishujve Faroe.

  • Debati parlamentar për shqyrtimin e projekt rezolutës për mbështetje financiare për Policinë

    Debati parlamentar për shqyrtimin e projekt rezolutës për mbështetje financiare për Policinë

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Të gjitha ulëset e shumicës parlamentare ishin bosh.

    Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e asnjë nga kabineti qeveritar nuk mori pjesë në seancën e jashtëzakonshme, në të cilën do të duhej të shqyrtohej Propozim-Rezoluta për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

    Pavarësisht që nuk kishte kushte për mbajtje të seancës, e thirrur për në orën 11, kryekuvendari u dha fjalën deputetëve të opozitës.

    Pjesë e seancës së jashtëzakonshme ishin edhe deputetë nga grupi parlamentar multietnik.

    Ndërkohë, deputetja Ganimete Musliu pati një kërkesë, me të cilën u pajtua kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

    Rezoluta e propozuar nga PDK-ja obligon ekzekutivin të bëjë ndarjen e mjeteve për pagesën e shtesës së rrezikshmërisë, pagesën e sigurimit shëndetësor nga fillimi i vitit të ardhshëm e të miratohet projektligji për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policorë.

    Pas dështimit të seancës së jashtëzakonshme, në orën 14 ishte paraparë nisja e seancës së rregullt, në të cilën opozita sërish kërkoi vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme për Policinë, por edhe kjo dështoi në mungesë të deputetëve të pushtetit.

    Rrjedhimisht nuk janë hedhur fare në votim as marrëveshjet ndërkombëtare.

  • Kurti paralajmëron rrezikun në rritje për inskenime të sulmeve të dhunshme nga Serbia

    Kurti paralajmëron rrezikun në rritje për inskenime të sulmeve të dhunshme nga Serbia

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Situata në veri të vendit pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit vazhdon të jetë e brishtë. Madje, për kryeministrin Albin Kurti, rreziku i përsëritjes së akteve të tilla në shenjë hakmarrjeje është në rritje.

    Në nisje të mbledhjes së kabinetit qeveritar, kryeministri tha se këtë e bazon në informatat e institucioneve të sigurisë dhe të inteligjencës.

    “Lirimi i Millan Radoiçiq-it, më pak se 24 orë pas arrestimit, është dëshmi dhe sinjal i potencialit për rigrupim dhe hakmarrje, sepse më 24 shtator, Beogradi zyrtar e militar dështoi. Institucionet tona të sigurisë dhe të inteligjencës, së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimeve të sulmeve të dhunshme, nga grupe të strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për ta arritur këtë, nuk kanë vënë çmim tavan. Nuk do të zgjedhin mjet”, tha Kurti.

    Për këtë arsye, i pari i ekzekutivit u bëri thirrje në veçanti serbëve të Kosovës të jeni të vëmendshëm, në rast të situatave të tilla të inskenuara dhe dashakeqe.

    “Andaj, ju bëj thirrje, veçanërisht juve të nderuar bashkëqytetarë serbë, që ditëve, javëve dhe muajve në vijim të jeni të vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur nga cytjet e aktet e dhunës të inskenuara dhe dashakeqe. Në Kosovë, jemi të gjithë të barabartë, sepse shteti është ligjor dhe demokratik. Nuk ka komunitete të padëshiruara. Të raportoni sjelljet e dyshimta në komunitetet tuaja, t’i përcillni njoftimet e institucioneve, të ruani qetësinë në çdo situatë dhe të mos bini pre e dezinformatave”, tha Kurti.

    Ngjarjet e 24 shtatorit ia kanë ndryshuar ekzekutivit edhe planin për procesin zgjedhor në komunat veriore, të cilin ekzekutivi ishte i gatshëm ta përkrahë si masë për shtensionim të situatës atje.

    “Ndodhi që ne largojmë policët nga objektet e komunave edhe grupet kriminale organizohen në mënyrë që të bëjnë këto veprime terroriste, të planifikuara me datën 24. Masat për Kosovën kanë qenë të padrejta, atëherë mbesin të padrejta edhe sot, edhe duhet të shihet situata drejt dhe të veprohet në bazë të situatës faktike në terren. Kosova ka bërë çkado që ka qenë në dorën e saj për mbështetjen e këtij procesi, mirëpo Beogradi çfarë ka bërë? Ka dërguar një grup të terroristëve që ta aneksojnë veriun e Kosovës”, tha ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi.

    Qeveria ndër tjera në mbledhjen e 165-të të saj mori edhe disa vendime, përfshirë atë për lirim nga akciza të disa produkteve për prodhuesit vendorë.

  • Rizvanolli akuzon Serbinë për bojkotim të udhërrëfyesit për energjinë

    Rizvanolli akuzon Serbinë për bojkotim të udhërrëfyesit për energjinë

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Qeveria e Kosovës më nuk do ta paguajë rrymën e shpenzuar nga qytetarët në katër komunat veriore.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, konfirmoi se ekzekutivi nuk ka ndarë mjete financiare për pagesën e faturave të energjisë elektrike për banorët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

    “Kemi pasur kërkesa të vazhdueshme nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT) që nga ajo kohë, mirëpo nuk kemi ndarë mjete shtesë si Qeveri”, tha Rizvanolli.

    Rizvanolli ka akuzuar Serbinë për sabotim të udhërrëfyesit për energji, të dakorduar në Bruksel, më 21 qershor të vitit të kaluar.

    “Ne e kemi bërë të qartë për të gjitha palët se, një mënyrë e tillë e funksionimit, nuk mund të funksionojë. Institucionet tona kanë kryer detyrat në afatet e duhura të marrëveshjes, kurse nga pala tjetër ka sabotim”, tha Rizvanolli.

    Udhërrëfyesi i dakorduar para 1 viti parashihte që kompania “Elektrosever”, të licencohet nga Zyra e Rregullatorit për Energji, por pavarësisht licencimit, kompania në fjalë ka shkelur të gjitha afatet e parapara dhe kështu rryma në veri vazhdon të mos faturohet.

    Pika e 8-të e udhërrëfyesit parashihte që brenda 100 ditësh nga lëshimi i licencës, në rast se Elektrosever, nuk i kryen obligimet, ZRRE-ja mund t’ia tërheqë licencën e operimit kompanisë serbe. Mirëpo, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

    Së fundmi, Qeveria kishte ndarë 40 milionë euro për KOSTT-in për mbulimin e humbjeve deri me një tetor të vitit të kaluar, konkretisht 100 ditë pas marrëveshjes së Brukselit.

    Ndërkohë, vlera e humbjeve në katër komunat veriore, në gjashtë muajt e parë të këtij viti, llogaritet të jetë mbi 20 milionë.

  • Opozita s’e pret, dështon raportimi i Bislimit në Komision

    Opozita s’e pret, dështon raportimi i Bislimit në Komision

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, nuk u paraqit për raportim lidhur me dialogun në Komisionin për Punë të Jashtme, në asnjërin nga dy terminet e konfirmuara.

    Në mbledhjen e komisionit, që kishte vetëm një pikë në rend dite, nuk u paraqitën as pesë nga gjashtë deputetët e koalicionit qeverisës, duke pamundësuar kuorumin.

    Pasi pritën afër 15 minuta përtej terminit të dytë të konfirmuar, katër deputetët opozitarë, anëtarë të komisionit u larguan nga salla.

    Teksa akuzoi opozitarët për bojkot, kryesuesja e komisionit, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, e cila ishte e vetmja deputete e Vetëvendosjes që u paraqit në sallë, mbrojti mos-paraqitjen e Bislimit dhe mungesën e bashkë-partiakëve të saj deputetë.

    “Nuk ka standard ose praktikë për këtë punë, sepse ka raste të shumta kur ne i presim sepse janë në pozita të atilla… Një deputete e jona është jashtë vendit në një trajtim shëndetësor, ndërkohë meqenëse shumica e deputetëve udhëtojnë ndoshta kanë pasur problem me trafikun”, tha Kryeziu-Hyseni.

    Pasi tha se anëtarët nuk kanë pranuar asnjë dokument apo raport për përgatitje paraprake për mbledhjen, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, tha se me mos-paraqitje për raportim zëvendëskryeministri ka bërë shkelje ligjore.

    “Që nga fillimi i këtij mandati kemi dy apo tri raportime. E dimë sa shumë çështje të rëndësishme kanë ndodhur dhe ne nuk kemi asnjë informatë. Të gjitha ato që i marrim janë përmes Twitterit apo platforma tjera të rrjeteve sociale, që nuk mendoj se është korrekte sepse, tek e fundit, politika e jashtme dhe dialogu janë më shumë politika nacionale, sesa politikë që ne si PDK preferojmë të fitojmë vota apo t’i trajtojmë si politika lokale”, tha Musliu-Shoshi.

    Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, akuzoi zëvendëskryeministrin Bislimi për mungesë transparence dhe ikje nga përgjegjësia.

    “Duhet me ardhë me raportu, sepse është zëvendëskryeministër fundja, dhe e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë mbledhje. E ka konfirmuar për në orën 9, e ka shtyrë për orën 10. Ne kemi seancë në orën 11, në qoftë se dikujt i duket krejt e natyrshme që t’i mbledhë 5-6 deputetë të presin kot dhe të mos vijë, atëherë mendoj se standardet e Kuvendit i kemi të ndryshme”, tha Kica-Xhelili.

    Kryesuesja Kryeziu-Hyseni paralajmëroi mundësinë që zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, të ftohet për raportim sërish javën e ardhshme.

  • Për të tretën ditë me radhë kanë protestuar specializantët e QKUK-së

    Për të tretën ditë me radhë kanë protestuar specializantët e QKUK-së

    Përgatiti: Sara Shehu

    Më shumë se 50 specializantë të QKUK-së, tentuan të futen brenda objektit të Ministrisë së Shëndetësisë.

    Por, u penguan nga Policia e cila intervenoi bashkë me personelin e sigurimit. Megjithatë, ata doli t’i takojë sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, i cili i dëgjoi kërkesat e tyre.

    “Po i dëgjoj kërkesat tuaja, mund të flisni por një nga një….”, tha Bardiqi.

    “Nuk mendoj që është e drejtë që me punu e n’fund as kujdestaria mos me na u pagu, këtu ka familjarë që s’paguhet, është shumë e rëndë”, tha Arianit Zajmi, organizator i protestës.

    “Po dërgojmë kërkesa e ankesa të shumta, po asnjëherë nuk keni kthy përgjigje me shkrim, na injoroni deri në fund. Për shkak të injorimit tuaj ne kemi arritur në këtë gjendje, s’ka përgjigje, as plotësim të kërkesave, s’ka asgjë”, tha Uran Halimi, protestues.

    Bardiqi tha se me udhëzimin administrativ për shkollimin specialistik, specializantët në kontratën e nënshkruar nuk e kanë të paraparë kompensimin e dy kujdestarive, por vetëm përmbushjen e orëve të përcaktuara.

    “Ju jeni aktualisht të acaruar, jeni tu e konstatu situatën sipas mendimit tuaj. Por unë jua shpjegoj se kur është hartuar ky akt ligjor për shkollimin specialistik, hartuesit i kanë bërë këto definime, të cilat janë në fuqi e që duhet të zbatohet. Përndryshe ankesat që jeni duke i bo sot, është dashur me i ba para se me hy ky udhëzim administrativ në fuqi”, tha Bardiqi.

    Sa i përket transparencës së këtij dikasteri, ai tha se janë të gatshëm që çdo kërkesë të tyre ta shqyrtojnë.

    Kjo është dita e tretë e protestës së specializantëve të klinikave të QKUK-së, derisa kanë paralajmëruar edhe aksione të tjera.

  • Mandati i KFOR-it nuk do të ndryshojë, NATO fton Kosovën dhe Serbinë të angazhohen në dialog

    Mandati i KFOR-it nuk do të ndryshojë, NATO fton Kosovën dhe Serbinë të angazhohen në dialog

    Sot përsëri ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s janë mbledhur për të diskutuar parandalimin dhe mbrojtjen, për Ukrainën, Izraelin dhe situatën në Ballkanin perëndimor, veçanërisht atë në Kosovë.

    Fillimisht në takimin e parë, ministri i Mbrojtjes së Izraelit i ka informuar ministrat mbi sulmet që i ka pasur nga Hamas-i dhe vazhdimin e tyre.

    Aleatet e NATO-s i dënojnë këto sulme dhe kërkojnë urgjentisht të kthehen pengjet e marra nga Hamas-i.

    “Izraeli ka te drejte ta mbroje veten”, pohuan ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s.

    Në anën tjetër ministri i Mbrojtjes së Turqisë konfirmoi që Turqia qëndron prapa marrëveshjes së samitit në Vilnius për ta finalizuar pranimin e Suedisë.
    Sot ministrat e mbrojtjes adresuan çështjen e misioneve te NATO-s në Ballkanin perëndimor dhe në Irak.

    Në përgjigje të ngritjes së tensioneve gjatë ditëve e fundit në Kosovë, ministrave të Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s iu është bashkëngjitur edhe Bashkimi Evropian.

    NATO e ka mbështetur misionin e KFOR-it me qindra forca të shtuara këto javët e fundit, me ç’rast po kryhen patrullime të shumta në veri të Kosovës, e këto janë disa hapa që i mundësojnë KFOR-it t’i ketë kushtet e duhura për të vazhduar përmbushjen e mandatit të Kombeve të Bashkuara.

    Në pyetjen që gazetarja e ATV-së, Flaka Vitaku i bëri sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se si e sheh situatën në Kosove në aspektin e sigurisë dhe sa do të zgjasë mandati i misionit të NATO-s në Kosovë, ai tha se e kanë të qartë mandatin e marrë nga Kombet e Bashkuara, të cilin do të vazhdojnë ta përmbushin dhe se nuk ka ndonjë indikacion se ky mandat mund do të ndryshojë.

    ”Ne e kemi një mandate te kombeve te bashkuara shume te qarte dhe ne do vazhdojmë ta përmbushim atë mandat dhe nuk kemi indikacione që ai mandat do ndryshojë. NATO ka një histori, ka përgjegjësi në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, në Kosove veçanërisht. Se fundmi janë shtuar më shumë trupa misionit tonë në Kosove. Sot kjo çështje u diskutua mes ministrash. Kemi rritur prezencën veçanërisht në veri dhe mesazhi kryesor është që Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen ne dialog. Në Kosovë po punojnë së bashku NATO dhe Bashkimi Evropian për t’i tejkaluar këto tensione përmes sigurisë dhe politikë bërjes. Beogradi dhe Prishtina duhet të sillen me përgjegjësi dhe t’i rikthehen dialogut, kjo është mënyra e vetme për paqe”, ishte përgjigja e sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg. /atvlive.tv

  • Publikohet formacioni i Shqipërisë kundër Çekisë

    Publikohet formacioni i Shqipërisë kundër Çekisë

    Armando Broja dhe Ardian Ismajli janë mungesat e vetme e Shqipërisë për “finalen” ndaj Çekisë, që do të zhvillohet të enjten në “Air Albania” (20:45).

    Trajneri Sylvinho theksoi në konferencën për shtypin se sulmuesi i Chelseat nuk ia ka dalë dot të rikuperohet për nesër, ndërkohë që SuperSport mëson rreshtimin e mundshëm të kuqezinjve kundër Çekisë.

    Etrit Berisha rikthehet titullar mes shtyllave, duke i zënë vendin Thomas Strakoshës, i cili e nisi nga fillimi ndeshjen me Poloninë.

    Arlind Ajeti do zëvendësojë Ismajlin e dëmtuar, duke formuar dyshen e qendrës së prapavijës me Berat Gjimshitin.

    Në krahë të zakonshmit Elseid Hysaj dhe Mario Mitaj. Nuk ndryshon as mesfusha krahasuar me duelin e fituar2-0 ndaj Polonisë.

    Repart ku konfirmohen si titullarë Kristjan Asllani, Ylber Ramadani dhe Nedim Bajrami.

  • Kryeministri Kurti e djali i Adem Jasharit në përkrahje të Shqipërisë: Evropiani po na pret

    Kryeministri Kurti e djali i Adem Jasharit në përkrahje të Shqipërisë: Evropiani po na pret

    Kryeminstri Albin Kurti është nisur për në Tiranë për të mbështetur kombëtaren shqiptare në sfidën ndaj Çekisë.

    Shqipëria është afër të përsëris suksesin e para tetë viteve, duke u kualifikuar në Kampionatin Evropia. Kuqezinjtë do të kenë përball Çekinë.

    Kurti ka marrë rrugë për në Tiranë, së bashku me djalin e komandantit legjendar, Adem Jashari.

    “Bashkë me Lulzim Jasharin rrugës për Tiranë në përkrahje të Shqipërisë. Forca djema. Evropiani po na pret”, shkroi kryemnistri Kurti në Facebook.

    Ndeshja mes Shqipërisë e Çekisë do të zhvillohet me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Air Albania”.

  • Ndeshja Shqipëri – Çeki, Shkurte Fejza do të këndojë “Mora fjalë” në Air Albania

    Ndeshja Shqipëri – Çeki, Shkurte Fejza do të këndojë “Mora fjalë” në Air Albania

    Atmosfera në stadiumin “Air Albania” për ndeshjen mes Shqipërisë dhe Çekisë pritet të jetë tepër emocionuese dhe elektrizuese. Ikona e muzikës shqiptare, Shkurte Fejza do të këndojë këngën më të famshme të tifozave kuqezi në stadiumin “Air Albania”, “Mora fjalë”, kushtuar komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.

    E ftuar speciale për këtë ndeshje, këngëtarja Shkurte Fejza do t’ju bashkohet 22 mijë tifozëve që do të jenë të pranishëm në arenë për të parë duelin kualifikues për Euro 2024, me këngën e saj të njohur që është kthyer tashme në himnin e kuqezinjve në çdo ndeshje të kombëtares.

    Pamja pritet të jetë spektakolare në stadium, pasi më herët është njoftuar se në çdo ulëse do të jetë vendosur një plis.

    Këtyre u shtohet edhe fakti se tifogrupet e pranishme në stadium kanë përgatitur gjithashtu banderolat e tyre të cilat shpalosen në fillim të takimit.