ATV

Author: ATVLive

  • Mehmeti: Vendimet e BQK-së për shtyrje të kredive e shpëtuan ekonominë e sektorin financiar

    Mehmeti: Vendimet e BQK-së për shtyrje të kredive e shpëtuan ekonominë e sektorin financiar

    Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se falë vendimeve që i kanë ndërmarrë gjatë kohës së pandemisë, kanë arritur ta shpëtojnë ekonominë vendëse. Sipas tij, raporti më i mirë i likuiditetit ka qenë gjatë periudhës së pandemisë me 39 për qind, raporton Ekonomia Online.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Mehmeti ka thënë se me vendimin për shtyrje dhe ristrukturim të kredive, janë shpëtuar ekonomitë familjare dhe sektori financiar. Këtë të fundit, Mehmet e quan mirë të kapitalizuar, teksa përformancën e tyre e sheh në dobi të ekonomisë kosovare.

    E rritjen e aseteve të sektorit bankar, Mehmeti e vlerëson shumë, e cila aktualisht është mbi 60 për qind.

    “Ju e dini që Banka Qendrore e Kosovës gjatë mandatit tim pesëvjeçar që të ketë një stabilitet financiar, çka ka qenë edhe objektiv primar. Një sistem financiar likuid mirë i kapitalizuar, nuk është që e themi në por edhe në raportet e institucioneve ndërkombëtare, siç është Banka Botërore e Fondi Monetar Ndërkombëtar e institucionet tjera relevante. Sa i përket sektorit bankar si komponentë kryesore e sistemit financiar është rritur si në numër e po ashtu edhe ka zhvillime pozitive apo rritje të të gjitha aktivitetet e saj, duke marrë parasysh faktin që prej 10 bankave që kanë qenë, aktualisht i kam lënë 12 banka. Pastaj kemi rritje të aseteve tek ky sektor gjatë periudhës pesëvjeçare mbi 60 për qind, pastaj rritje të kredive mbi 57 për qind, pastaj rritje të depozitave mbi 65 për qind, në anën tjetër kreditë performuese kanë qenë 2 për qind dhe mirë të provizionuara”.

    E sa i përket periudhës më të rëndë jo vetëm në ekonominë vendëse por edhe botërore, Mehmeti e sheh në pandemi. Ai ka thënë se falë vendimeve që i kanë marrë si institucion, kanë arritur ta shpëtojnë ekonominë.

    “Raporti më i mirë i likuiditetit ka qenë gjatë periudhës së pandemisë me 39 për qind. Kjo tregon se bankat kanë pasur kapital të mjaftueshëm për të suportuar ekonominë e vendit. Ajo që është e rëndësishme të potencohet është që ne kemi qenë shumë proaktiv në vendimmarrje, sidomos gjatë periudhës pandemisë. Ka qenë një sfidë jo vetëm për Bankën Qendrore por edhe për nivel global, për arsye se nuk e kemi ditur se cilat janë efektet e pandemisë dhe pasojat që mund të vijnë. Kemi marrë vendim që e kanë shpëtuar ekonominë e vendit, e kanë shpëtuar sektorin financiar e po ashtu e kanë shpëtuar edhe ekonomitë familjare, kur kemi marrë vendim për shtyrje të pagesës së këstit të kredive për tre muaj”, u shpreh ai, teksa përmendi edhe vendimin për ristrukturimin e kredive për dy herë radhazi.

    “Mund të imagjinoni sikur mos të kishim qenë proaktiv qysh në ditën e parë me marrë vendime të tilla, duke pasur parasysh se as në mars e prill, nuk ka paguar askush këst të kredive dhe si rezultat i kësaj në masë të madhe do të ishte rrit përqindja e kredive përformuese dhe në anën tjetër edhe bizneset e ekonomitë familjare nuk i kishin pas mundësi të përballojnë një gjë të tillë por edhe sektori bankar me një kapital që e ka pasur dikund rreth 450 milionë euro, nuk do ta përballonte një gjendje të tillë që kishte ardhë si rezultat i pandemisë”, u shpreh ai.

  • Ushtria izraelite paralajmëron civilët e qytetit të Gazës që të evakuohen

    Ushtria izraelite paralajmëron civilët e qytetit të Gazës që të evakuohen

    Ushtria izraelite të premten u bëri thirrje të gjithë civilëve në qytetin e Gazës që të evakuohen “në drejtim të jugut”, ndërsa vazhdon bombardimet e saj në enklavën bregdetare në përgjigje të sulmeve terroriste të Hamasit që vranë më shumë se 1200 njerëz.

    “IDF bën thirrje për evakuimin e të gjithë civilëve të qytetit të Gazës nga shtëpitë e tyre në drejtim të jugut për sigurinë dhe mbrojtjen e tyre dhe të lëvizin në zonën në jug të Wadi Gazës”, thonë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit në një deklaratë.

    Kombet e Bashkuara paralajmëruan të enjten se një urdhër ushtarak izraelit për të evakuuar të gjithë popullsinë 1.1 milionëshe të Gazës veriore në jug të enklavës së rrethuar ishte “e pamundur” pa shkaktuar pasoja të mëdha humanitare.

    Në deklaratën e saj të premten, IDF tha se civilët e evakuuar do të jenë në gjendje të kthehen në qytetin e Gazës “vetëm kur të bëhet një njoftim tjetër që e lejon atë”.

    “Terroristët e Hamasit fshihen në qytetin e Gazës brenda tuneleve nën shtëpi dhe brenda ndërtesave të populluara me civilë të pafajshëm të Gazës”, tha IDF, duke pretenduar se militantët e Hamasit “po përdorin” civilët e Gazës si “mburoja njerëzore”.

    Izraeli ka grumbulluar më shumë se 300,000 rezervistë përgjatë kufirit të tij jugor me Gazën, por nuk ka konfirmuar nëse po planifikon një operacion të intensifikuar ushtarak.

    Më shumë se 1500 njerëz janë vrarë në Gaza, sipas ministrisë palestineze të shëndetësisë. Sulmet ajrore kanë zhvendosur gjithashtu qindra mijëra njerëz.

  • Inskenimi i rasteve në Kosovë, strategji e vjetër e Serbisë

    Inskenimi i rasteve në Kosovë, strategji e vjetër e Serbisë

    Ndonëse nuk shërben më pije për mysafirët, mbetet ndër lokalet më të njohura në Kosovë. Që nga data 7 tetor është futur në listën e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme.

    Lokali “Panda” në Pejë hyri në histori më 14 dhjetor 1998, ditë kur u vranë gjashtë të rinjë serbë. Për këtë vrasje u arrestuan dhe u malltretuan të rinj shqiptarë, pa pasur asnjë lidhje me rastin.

    Edhe vetë presidenti Aleksandar Vuçiq para 10 viteve kishte deklaruar se nuk ka prova që krimin e kanë kryer shqiptarët.

    Edhe më 1 maj 1985 nuk kishte prova, por u përhap lajmi se Gjorgje Martinoviqin e kanë përdhunuar seksualisht 2 shqiptarë në arat e Gjilanit.

    Këtë rast e kujton shumë mirë profesori Fadil Maloku, atë kohë student i sociologjisë.

    “Kulmi i propagandës që bënte atë botë Serbia për t’i stigmatizuar dhe për ti paragjykuar shqiptarët. …Në atë historinë e orgjive të veta u vet-lëndua edhe kur shkoi në spital ai ka deklaruar se është i vet-lënduar edhe më vonë duket që shërbimi sekret serb si rast e ka marr edhe ka dashur që fajin t’iu lë shqiptarëve”, ka thënë ai.

    Maloku thotë se edhe tash shteti serb nuk e ka harruar zakonin e inskenimit të rasteve, prandaj i fton inctitucionet të jenë sy-hapur.

    “Edhe sot e kësaj dite përdor pothuajse të njëjtat metoda për t’i stigmatizuar shqiptarët, se gjoja se janë duke i dhunuar (sulmuar serbët e Kosovës), duke bërë pengesa atje në pjesën veriore, dhe këtë e bënë me qëllim”, ka deklaruar Maloku.

    Propagandë me krime ordinere bënë vazhdimisht edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Për shembull në korrikun e 2022, ata propagandonin se shqiptarët ia kanë thyer xhamin e veturës, Davor Petkoviqit, ish-nënkrytearit të Ranillugut.

    Ky lajm ishte në kundërshtim me realitetin në terren dhe ishte përgënjeshtruar nga vet komandanti i Policisë për RTV Dukagjini, po ashtu me përkatësi etnike serbe.

    Edhe më 1 qershor 2022 shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, gjatë një vizitë në shtëpinë e një serbi kishte thënë se incidentet ndëretnike janë shtuar.

    RTV Dukagjini e kishte vizituar shtëpinë ku ishte Szunuog, e po ashtu fshatarët tjerë të cilën flisnin të kundërtën.

    As Zyra e shefit të Zyrës së BE-së nuk kishte treguar se ku janë bazuar për këtë deklarim. Ndërkaq Policia e Kosovës kishte treguar se për tri vite në Vushtrri ishte regjistruar vetëm një rast për ‘nxitje të përçarjes dhe mos durimit’.

  • Numri i të vdekurve nga sulmet e Hamasit në Izrael është rritur në 1 300

    Numri i të vdekurve nga sulmet e Hamasit në Izrael është rritur në 1 300

    Të paktën 1 300 civilë dhe ushtarë janë vrarë në Izrael pasi Hamasi filloi një sulm të befasishëm gjatë fundjavës, thanë të premten Forcat Mbrojtëse të Izraelit.

    Në një përditësim, zëdhënësi i IDF-së, nënkoloneli Jonathan Conricus, shtoi se më shumë se 3,000 njerëz janë plagosur në sulmet terroriste, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

    Si kundërpërgjigje, Izraeli po godet Gazën me sulme ajrore, duke goditur qindra objektiva dhe duke i kthyer në rrënoja lagjet.

  • UNRWA zhvendoset në jug të Gazës

    UNRWA zhvendoset në jug të Gazës

    Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë (UNRWA) ka zhvendosur qendrën e saj qendrore të operacioneve dhe stafin ndërkombëtar në Gaza në jug të enklavës së rrethuar, sipas një deklarate të premten.

    UNWRA do të vazhdojë operacionet e saj humanitare dhe do të ofrojë mbështetje për stafin e saj dhe për refugjatët palestinezë, tha ajo.

    “Ne u bëjmë thirrje autoriteteve izraelite që të mbrojnë të gjithë civilët në strehimoret e UNRWA, përfshirë shkollat”, tha UNWRA në një deklaratë të postuar në X, dikur Twitter.

    “Këto shkolla të OKB-së dhe të gjitha strehimoret e tjera të OKB-së janë objekte të OKB-së. Ato duhet të mbrohen në çdo kohë dhe kurrë nuk duhet të sulmohen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare”, raporton CNN transmeton Klankosova.tv

    Më shumë se dy të tretat e 423,000 njerëzve të zhvendosur në Gaza po strehohen në shkollat e drejtuara nga UNWRA, sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).

    UNRWA tha të enjten se 12 nga personeli i saj janë vrarë në Gaza që nga 7 tetori.

    Pak kontekst: Ushtria izraelite të premten u bëri thirrje të gjithë civilëve në qytetin e Gazës që të evakuohen “në drejtim të jugut”. OKB-ja ka thënë se urdhri që 1.1 milion njerëz të largohen nga Gaza veriore ishte “i pamundur” pa pasoja të mëdha humanitare.

  • Eksperti amerikan: Vuçiq nuk tregon karakteristikat e partnerit, pas sulmit në Bansjkë ai doli pak jashtë kontrollit

    Eksperti amerikan: Vuçiq nuk tregon karakteristikat e partnerit, pas sulmit në Bansjkë ai doli pak jashtë kontrollit

    Pozita e Beogradit është dobësuar pas sulmit në fshatin Banjskë në veri të Kosovës dhe në mesin e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare po ngrihen dyshime për besueshmërinë e presidentit serb Aleksandar Vuçiq si partner deri më tani, tha eksperti amerikan për Ballkani, Edward Joseph.

    Joseph, një lektor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, i tha Zërit të Amerikës se Vuçiq, ndryshe nga Kisha Ortodokse Serbe (SPC), nuk u distancua nga veprimi i një grupi të armatosur serbësh në Banjska më 24 shtator.

    “Vuçiq nuk tregon karakteristikat e partnerit. Është përshkallëzuar pas 24 shtatorit dhe ka mundur ta qetësojë sadopak situatën. KPS-ja u distancua nga ajo ngjarje, madje u shprehën ngushëllime shqiptarëve për vdekjen e një polici. Edhe ai mund të distancohej pak nga ajo, por bëri të kundërtën. Kemi një përshkallëzim mediatik, madje ka dërguar ushtrinë drejt kufirit. Shtëpia e Bardhë, e cila ka probleme sa të duash, ka reaguar ndaj saj”, tha Joseph.

    Ai vlerësoi se Uashingtoni dhe Brukseli tani duhet të ushtrojnë presion më të fortë ndaj Vuçiqit, por edhe ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe shtoi se “duhet të përcaktohen përgjegjësitë e të gjithëve”.

    “E pamë atë që presidenti Vuçiq tha menjëherë pas takimit në Ohër (18 mars) – se ai nuk ka nënshkruar asgjë, se nuk vlen, se Serbia nuk do ta njohë Kosovën. Pas një qëndrimi të tillë, si mund të presim që të formohet Bashkimi i Komunave Serbe”, pyeti Jozeph.

    Ai shtoi se përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, “duhet, së bashku me amerikanët, të përfitojë nga ajo situatë”, të prezantojë parimin “merre ose lëre” dhe të thotë se cilat janë pasojat. janë për Serbinë në rast refuzimi.

  • Lufta në Izrael, Hamasi planifikoi sulmin për dy vjet: Çfarë zbulojnë dokumentet dhe hartat

    Lufta në Izrael, Hamasi planifikoi sulmin për dy vjet: Çfarë zbulojnë dokumentet dhe hartat

    Wall Street Journal ka prezantuar ditën e sotme dokumente dhe harta që zbulojnë se militantët e Hamasit kanë planifikuar sulmin ndaj Izraelit për dy vjet.

    Ideja e sulmit “lindi” në vitin 2021, kur organizata filloi të përgatitej intensivisht duke studiuar taktikat dhe strategjitë e kundërshtarit të saj, sipas Abu Obaidah, një zëdhënës i krahut ushtarak të Hamasit.

    Obaidah zbuloi gjithashtu shtrirjen e planifikimit të grupit të tij për herë të parë në një fjalim të regjistruar paraprakisht dhe e quajti operacionin “Xhihad”, qëllimi i të cilit ishte “ose të fitojnë palestinezët ose të martirizohen”.

  • ShBA-ja nuk mbështet kërkesën e Osmanit për Asociacion me amerikanët, Hovenier: Stimujt për të bërë gjërat e vështira i takojnë BE-së

    ShBA-ja nuk mbështet kërkesën e Osmanit për Asociacion me amerikanët, Hovenier: Stimujt për të bërë gjërat e vështira i takojnë BE-së

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se janë shumë të përkushtuar për të parë përparim në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    I pyetur nëse mund të pritet ndonjë lëvizje në ditët në vijim për ta çuar përpara këtë proces, Hovenier ka thënë se pret përpjekje të reja, duke shtuar se duhet të ecet përpara urgjentisht dhe se s’ka kohë për të humbur.

    “Ne jemi shumë të përkushtuar për të parë përparim në dialog. Nuk mund të flas për veçanti, por pres përpjekje të reja sepse është urgjente. Siç e thashë edhe më parë, 24 shtatori tregoi se nuk kemi kohë për të humbur. Ne duhet të ecim përpara urgjentisht me arritjen e mirëkuptimit të përbashkët se si të zbatohen plotësisht, në mënyrë efektive, detyrimet që janë marrë nga të dyja vendet sipas marrëveshjes bazë dhe aneksit të zbatimit të saj”, ka deklaruar Hovenier.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar para disa javësh përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA’së në dialog. Lidhur me këtë kërkesë, Hovenier ka thënë se nuk është i sigurt se sa më shumë Shtetet e Bashkuara mund të përfshihen në këtë proces, derisa ka shprehur mbështetje të plotë për Emisarin e BE’së, Mirosllav Lajçak.

    “Ky është me të drejtë një dialog i lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Kjo është me vend, sepse në fund të fundit, stimujt për të bërë gjërat e vështira i takojnë Bashkimit Evropian. Në fund të fundit, siç deklaroi Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell në Ohër, këto angazhime që janë marrë duhet të bëhen pjesë e proceseve të anëtarësimit për të dyja vendet. Dhe meqë bëhet fjalë për një proces evropian me detyrime evropiane dhe angazhime evropiane, është e përshtatshme që Bashkimi Evropian të marrë drejtimin dhe lehtësimin e atij që në fund nuk është një dialog me Evropën, por ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë treguar sa e sa herë se sa seriozisht e marrim këtë, sa të përkushtuar jemi që ta shohim këtë çështje të zgjidhur me sukses. Miroslav Lajçak gëzon mbështetjen tonë të plotë. Ky dialog e gëzon mbështetjen tone”, ka thënë ambasadori.

    Tutje, Hovenier ka thënë se kohën më të madhe e shpenzon në këto çështje dhe se ndonjëherë ndihet në siklet kur e pyesin se sa më shumë mund të përfshihet ShBA’ja në këtë process se sa që është e përfshirë tash.

    “Unë shpenzoj më shumë kohë në këto çështje se në çdo gjë tjetër që bëj si ambasador amerikan në Kosovë. Kolegu im në Beograd është shumë i përfshirë. I dërguari ynë i posaçëm është shumë, shumë i përfshirë. Kështu që ndonjëherë jam në siklet kur njerëzit pyesin sa më të përfshirë mund të jemi kur mendoj se sa të përfshirë jemi tashmë. Në fund të fundit ne duam të shohim sukses për Kosovën. Duam të shohim sukses edhe për Serbinë. Dhe ne duam të shohim sukses për Bashkimin Evropian për t’i parë këto vende plotësisht në rrugën e integrimit në bllok, gjë që do të rriste qëndrueshmërinë, do të rriste përparimin dhe do të ndihmonte realizimin e kësaj pikëpamjeje që ne të gjithë e ndajmë për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe. Ky është qëllimi përfundimtar”, ka deklaruar Hovenier në një intervistë për Zërin e Amerikës.

  • Sarrazin: Shpresojmë që Serbia nuk do të bëjë ndonjë budallalëk dhe të futë ushtrinë në Kosovë

    Sarrazin: Shpresojmë që Serbia nuk do të bëjë ndonjë budallalëk dhe të futë ushtrinë në Kosovë

    Në prag të Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë i ngarkuari i qeverisë gjermane, shpjegon vlerën e kësaj platforme dhe kërkesat e Gjermanisë ndaj Serbisë dhe Kosovës.

    Deutsche Welle: Z. Sarrazin, situata mes Kosovës dhe Serbisë mbetet e tensionuar. Sa jeni të shqetësuar se kjo mund të përshkallëzohet deri në konflikt të hapur?

    Manuel Sarrazin: Situata është deri diku e rrezikshme. Kjo është arsyeja pse ne po kërkojmë masa shpërshkallëzuese nga pala serbe, por deri diku edhe nga pala kosovare. Ne kemi premtimin e qartë nga Serbia, se nuk do të bëjë ndonjë budallalëk dhe të përfshijë ushtrinë apo policinë serbe në Kosovë. Kështu që ne po shpresojmë që situata do të jetë nën kontroll tani, por duhet të bëjmë hapa më tej me masa shpërshkallëzuese për të mbajtur situatën të qetë dhe për t’u kthyer sërish në një atmosferë produktive.

    Deutsche Welle: Çfarë po e pengon normalizimin mes dy vendeve dhe shpërshkallëzimin e situatës.

    Manuel Sarrazin: Nga njëra anë, duhet të kemi masat shpërshkallëzuese. Serbia duhet ta bëjë të qartë se nuk do të bëjë përpjekje për dhunë ndaj Kosovës. Duhet të ketë një ndjekje penale të autorëve të sulmit të 24 shtatorit. Dhe gjithashtu është e qartë se diçka e tillë nuk duhet të përsëritet dhe se bashkësia ndërkombëtare duhet të angazhohet më shumë që njerëzit në veri të Kosovës të ndihen të sigurt. Natyrisht, kemi edhe çështje të hapura me palën kosovare lidhur me kryetarët e bashkive dhe policinë speciale, këto janë gjëra që duhet të adresohen. Pra, duhet të flitet për këto çështje, por vetëm trajtimi i këtyre çështjeve nuk do ta zgjidhë problemin. Kështu që ne duhet të kthehemi në tryezë për të zbatuar marrëveshjen Ohrit, e cila ishte një kthesë historike, në shkurt të këtij viti, dhe nuk është zbatuar deri tani. Pra, ne po përpiqemi t’i bëjmë të dyja: nga njëra anë, duke bërë presion për një shpërshkallëzim në terren, por duke mos e lënë këtë përshkallëzim të situatës të kalojë, që të mos flasim më për rezultatin dhe duam që të dyja palët të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të bien dakord mbi një udhëzyes për zbatimin e marrëveshjes.

    Deutsche Welle: Dhe sa jeni të shqetësuar për ndikimin rus sa i përket nxitjes së këtyre tensioneve në veçanti kur shohim Serbinë?

    Manuel Sarrazin: Epo, dua të them, lidhur me Rusinë në rajon, veçanërisht në Serbi, dhe në një farë mase edhe në strukturat paralele të Kosovës veriore, është pak si macja e Shrodingerit. Rusia është brenda, por kurrë nuk do të jemi në gjendje ta përcaktojmë se sa. Pra, nga njëra anë, ne nuk mund të nënvlerësojmë mundësinë teorike që Rusia është në një farë mase duke u përpjekur të ushqejë konfliktin në rajon dhe po përpiqet gjithashtu ta implementojë këtë. Nga ana tjetër, mund të jetë gjithashtu një justifikim i madh për disa njerëz të thonë, Oh, nuk ishim ne, ishte Rusia. Kështu që në fund nuk do të jemi në gjendje t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje. Dhe deri tani nuk kemi ndonjë sinjal të qartë se situata nga 24 shtatori mund të jetë një komplot rus apo plan rus paraprakisht, të paktën. Sigurisht, ata do të përpiqen të përdorin situatën dhe linjat ekzistuese të konfliktit për të na dobësuar.

    Deutsche Welle: Gjermania do të dërgojë, si pjesë e KFOR-it, një kompani për të zëvendësuar një kompani austriake në prill të vitit 2024. A mendoni se një prani ushtarake më e fortë edhe brenda Kfor-it mund ta ndihmojë këtë situatë?

    Manuel Sarrazin: Ne kemi thënë se jemi të gatshëm të dërgojmë më shumë trupa dhe tani kjo varet nga partnerët, që të vendosin se cilat kapacitete janë të nevojshme dhe deri në ç’masë dhe se cili është momenti i përshtatshëm. Jam i sigurt se një Kfori i fortë nuk është vetëm një sinjal, por mund të ndihmojë edhe për të mbyllur më mirë kufirin për armët që vijnë nga Serbia drejt Kosovës. Pra, sigurisht, është arsyeshme. Përveç sinjalit politik edhe në terren.

    Deutsche Welle: Ministrja Baerbock ishte në Tiranë për të përgatitur Procesin e Berlinit, kancelari Scholz do të jetë atje së shpejti për samitin. Sa i fortë është mekanizmi i Procesit të Berlinit në vetvete për të kontribuar edhe në shpërshkallëzimin dhe uljen e tensioneve?

    Manuel Sarrazin: Epo, mendoj se çdo tablo ku të gjashtë janë ulur së bashku në tryezë dhe mund të jenë duke u grindur ose jo, por janë ulur së bashku dhe madje bien dakord për përfitimet ekonomike për të gjitha palët duke nënshkruar marrëveshje, janë sinjale pozitive. Ndoshta jo shpërshkallëzim konkret, por tërthorazi: Kjo do t’u tregojë njerëzve se ata mund të besojnë se rajoni do të shkojë përpara si i tëri drejt Bashkimit Evropian. Edhe pse kemi këtë situatë shumë, shumë të rrezikshme në terren, në Banjskë, pas 24 shtatorit.

    Deutsche Welle: Dhe sa pozitive është perspektiva lidhur me ambiciet e këtyre vendeve për t’u bashkuar me BE-në?

    Manuel Sarrazin: E pra, unë personalisht do të dëshiroja të shihja më shumë përparim, dhe mendoj se shumica e përfaqësuesve të vendeve të rajonit do të donin që Bashkimi Evropian të tregonte më shumë sinjale pozitive në rajon. Kështu që unë mendoj se ne duhet të përpiqemi nga të dyja palët. Vendet duhet të kryejnë më shumë reforma për të përmbushur kriteret e Kopenhagës dhe për të ardhur në përputhje me acquis dhe tregun e përbashkët rajonal. Dhe tani Procesi i Berlinit, me përpjekjen për të rigjallëruar Tregun e Përbashkët Rajonal mund të jetë një mjet për arritjen e kësaj. Por sigurisht që edhe Bashkimi Evropian duhet t’u përmbahet premtimeve të tij. Dhe kur të arrihet përparim gjithashtu ne duhet të bëjmë hapat në procesin e zgjerimit nga ana jonë.

    Deutsche Welle: Dhe një pyetje e fundit. A është e qartë për vendet se nëse tensionet vazhdojnë të mbeten aq të larta sa janë, rruga drejt Bashkimit Evropian bëhet më e vështirë?

    Manuel Sarrazin: Epo, mendoj se kjo është evidente për të gjithë dhe kjo është arsyeja pse një situatë e tillë mund të jetë toksike jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për të gjithë rajonin, sepse njerëzit mund të humbasin shpresën në zhvillimin e rajonit, nëse kthehet dhuna. Kështu që ne nuk mund ta lejojmë këtë.

  • Arrestohet një i dyshuar për dhunim në Pejë, Policia jep detaje

    Arrestohet një i dyshuar për dhunim në Pejë, Policia jep detaje

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për dhunim në Pejë, raporton Express.

    Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se me vendim të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje.

    “DHUNIM Pejë 12.10.2023 – 08:40. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti dyshohet se ka kryer vepren e lartcekur. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.