ATV

Author: ATVLive

  • Lirohen nga akciza disa produkte për prodhuesit vendës

    Lirohen nga akciza disa produkte për prodhuesit vendës

    Qeveria e Kosovës ka shtuar në listën e saj për lirim nga akciza disa produkte për prodhuesit vendës, raporton EO.

    Në mbledhjen e Qeverisë, ministri i Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati, ka thënë se do të lirohen disa aksesorë për montim të prodhuesve e kanaçet nga çeliku.

    “Si Qeveri jemi të përkushtuar në mbështetjen për prodhuesit vendor, duke filluar nga subvencionet e ndryshme, pjesëmarrjen nëpër panaire e kështu më radhë. Në diskutime me akterë të ndryshëm, listës së lirimit nga akciza i shtohen disa mallra rezervë të makinerive”, ka thënë Murati.

  • Putin largohet nga Rusia për herë të parë në këtë vit

    Putin largohet nga Rusia për herë të parë në këtë vit

    Presidenti rus Vladimir Putin mbërriti në Republikën e Azisë Qendrore të Kirgistanit mëngjesin e sotëm.

    Kjo është vizita e tij e parë e huaj këtë vit dhe gjithashtu hera e parë që shefi i Kremlinit largohet nga Rusia që kur Gjykata Penale Botërore në Hagë lëshoi ​​urdhër-arrestin.

    Udhëheqësi i Kremlinit planifikon të mbajë një sërë takimesh dypalëshe në Kirgistan dhe gjithashtu të marrë pjesë në samitin e Komonuelthit të Shteteve të Pavarura (CIS), në të cilin ish-republikat sovjetike punojnë së bashku.

  • Kurti thirrje qytetarëve serbë në Kosovë: Vetëpërmbahuni nga cytjet dashakeqe

    Kurti thirrje qytetarëve serbë në Kosovë: Vetëpërmbahuni nga cytjet dashakeqe

    Në mbledhjen 165-të të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti, ka bërë të ditur se institucionet e sigurisë dhe të inteligjencës kanë vërejtur rrezikun në rritje të inskenimeve të sulmeve të dhunshme nga grupe të strukturave kriminale të Serbisë në Kosovës.

    Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve serbë në Kosovës që të jenë të vëmendshëm dhe të vetëpërmbahen nga cytjet e inskenuara dhe dashakeqe të Serbisë.

    “Ju bëj thirrje veçanërisht juve të nderuar bashkëqytetarë serbë, që ditëve, javëve dhe muajve në vijim, të jeni të vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur nga cytjet dhe aktet e dhunës të inskenuara dhe dashakeqe”, ka thënë Kurti.

    Ai ka theksuar se në Kosovë të gjithë janë qytetarë të barabartë sepse shteti është ligjor dhe shoqëria është demokratike.

    “Nuk ka komunitete të padëshiruara. Ata që duan të na rrënojnë, nuk do të ia dalin sepse jemi të përgatitur dhe bashkë për paqe, siguri dhe demokraci”, ka thënë tutje kryeministri Albin Kurti.

  • Pse Radoiçiqi nuk është më pronar i kompanive miliona dollarëshe në Serbi?

    Pse Radoiçiqi nuk është më pronar i kompanive miliona dollarëshe në Serbi?

    Nga bashkëpronar i bizneseve miliona dollarëshe te një qytetar që zyrtarisht nuk ka asnjë kompani në emër të tij – Millan Radoiçiq e kaloi atë rrugë në Serbi për vetëm tri ditë.

    Radoiçiqi, i cili publikisht mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, bashkëpronësinë në kompaninë ombrellë “Inkop” dhe degët e saj ua transferoi partnerëve të biznesit, vëllezërve Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq.

    Millan Radoiçiq deri më 6 tetor kishte 40 për qind të aksioneve në “Inkop”.

    Me këtë, ai ishte bashkëpronar në katër kompani të tjera të lidhura me “Inkop” në Serbi, të cilat janë të angazhuara në aktivitete të ndryshme – nga ndërtimi e deri tek industria e hotelerisë.

    Asetet e këtyre kompanive, siç tregon hulumtimi i Radios Evropa e Lirë (RSE), kapin vlerën e së paku 38 milionë eurove. Këtu përfshihen pajisje ndërtimi dhe prona të ndryshme të paluajtshme – lokale afariste, tokë, hotel në Kopaonik, vilë në Beograd.

    Hulumtimi tregoi gjithashtu se në vitin 2022, ato kompani kanë fituar mbi 24.5 milionë euro dhe janë lidhur marrëveshje fitimprurëse me shtetin.

    Sot nuk janë më në posedim të Radoiçiqit.

    Kërkesa për ndryshimin e pronarit, në ditën e arrestimit të Radoiçiqit

    Kërkesa për largimin e Radoiçiqit nga pronësia e kompanisë “Inkop” është kërkuar më 3 tetor, thuhet në një dokument të publikuar në faqen e Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve të Serbisë (APR).

    Po të njëjtën ditë, Radoiçiqi është arrestuar nga policia dhe ka dhënë deklaratë në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, si i dyshuar për disa vepra penale në lidhje me sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë.

    Të nesërmen, më 4 tetor, i është hequr masa e paraburgimit.

    Hetimet kundër Radoiçiqit janë duke vazhduar, ndërsa aktakuza ende nuk është ngritur.

    Profesoresha e pensionuar e drejtësisë, Vesna Rakiq-Vodineliq, shpjegon për Radion Evropa e Lirë se nuk kishte asnjë pengesë ligjore që Radoiçiqi t’ua kalonte pronësinë partnerëve të biznesit në atë moment.

    “Fakti që Radoiçiqi është i dyshuar, për fat të keq nuk është pengesë. Për shkak se ai nuk ishte urdhëruar të disponojë me pronën në atë procedurë. Ai mund ta jepte atë, të bënte çfarë të donte me të, ai nuk kishte asnjë ndalim”, shton ajo.

    Rakiq-Vodineliq thekson se nëse në hapat e ardhshëm të hetimit, Radoiçiqit i ndalohet të disponojë me pronën e tij, kjo vlen për atë që ai posedon në atë moment.

    Jo në mënyrë retroaktive.

    “Ai zyrtarisht ua transferoi kompaninë ortakëve të tij. Nëse ndalohet, kjo do t’i referohet asaj që ai nuk ua ka dhënë tashmë vëllezërve Vesellinoviq”, shpjegon ajo.

    ‘Gjimnastika e kontabilitetit në regjistrin tregtar’

    Agjencia për regjistrat ekonomikë e miratoi kërkesën për tri ditë.

    Kështu më 6 tetor është vendosur që Radoiçiqi të fshihet nga lista e pronarëve të kompanisë miliona dollarëshe “Inkop” nga Quprija në Serbinë qendrore.

    Radoiçiqi ndau pjesën e tij në mënyrë të barabartë me vëllezërit Vesellinoviq, 20 për qind secili.

    Zvonko Vesellinoviq tani ka 60 për qind të pronësisë në “Inkop” dhe kompanitë e ndërlidhura, dhe Zharko 40 për qind.

    Se pse është ndërruar pronari, kompania “Inkop” nuk është përgjigjur për REL-in deri në publikimin e tekstit.

    “Qëllimi është që nëse ka ndonjë dëm, kompania nuk do të dëmtohet”, thotë redaktori i së përjavshmes NIN, Millan Çulibrk.

    Ai e quan ndryshimin në regjistrin tregtar të Serbisë “gjimnastikë e kontabilitetit”.

    “Nuk duhet të harrojmë se Radoiçiqi ka marrë 40 për qind në Inkop në të njëjtën mënyrë. Sepse nuk ka qenë kompania e Vesellinoviqit dhe Radoiçiqit në fillim, por para disa vitesh, një nga të afërmit e tyre u ka dhënë hise”, kujton Çulibrk.

    Ai shton se pavarësisht ndryshimeve formale, “Inkop” dhe kompanitë e lidhura me të “ndoshta vazhdojnë të punojnë sipas të njëjtit model”.

    Partnerët e biznesit nën sanksionet e SHBA-së

    Edhe para sulmit ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator, i cili u cilësua si akt terrorist në Prishtinë, autoritetet kosovare e lidhën Millan Radoiçiqin me aktivitete kriminale.

    Zvonko Vesellinoviq ndërlidhet me krimin në Kosovë.

    Por as Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk i njeh as akuzat e autoriteteve të Kosovës.

    Sulmi në Banjskë nuk trajtohet si terrorizëm dhe Radoiçiqi nuk akuzohet për vrasjen e policit Afrim Bunjaku në procedurë para Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd.

    Ndër krimet e dyshuara janë shkaktimi i rrezikut publik dhe posedimi dhe mbajtja pa leje e armëve.

    Edhe Beogradi zyrtar ka vendosur që të mos zbatohen sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Radoiçiqit dhe vëllezërve Vesellinoviq, sepse për këtë nuk ka detyrime ndërkombëtare.

    Ata u futën në listën e zezë të SHBA-së në dhjetor 2021 për shkak të dyshimeve për krim të organizuar dhe korrupsion.

    Një vit më vonë, Britania e Madhe vendosi sanksione ndaj Zvonko Vesellinoviqit dhe Millan Radoiçiqit nën akuzat për korrupsion.

    Çfarë bën “Inkop”?

    Ndër kompanitë të cilat i zotëronte Radoiçiqi, më së shumti para ka sjellë “Inkop”, makineritë e së cilës kanë ndërtuar rrugë në disa lokacione në Serbi.

    “Inkop” fitoi rreth 17.4 milionë euro në vitin 2022.

    Sipas raporteve financiare të analizuara nga REL-i, pasuritë e paluajtshme dhe pajisjet e “Inkop” vitin e kaluar kapin vlerën e rreth 10 milionë eurove.

    Kjo kompani, së bashku me pronarët e saj, u vendos nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 2021.

    Por, meqenëse nuk janë të detyrueshme për Serbinë, “Inkop” funksionon pa pengesa.

    Ndër punët e hetuara më parë nga REL-i, spikat ndërtimi i një rruge me shpejtësi të madhe nga Pozharevci në Golupac në Serbinë lindore.

    Aty, në shkurt të vitit 2022, shteti dha pëlqimin që “Inkop” të ishte një nga nënkontraktorët e kompanisë kineze Shandong, për të cilën REL-i ka shkruar më parë.

    Në Serbi, si kompani amë, “Inkop” ka edhe katër degë – kompanitë e ndërtimit “Novi Pazar-put” dhe “Betonjerka” nga Aleksinac, kompania hoteliere “Dolly Bell” dhe kompania e transportit rrugor “Velmotrans” nga Quprija.

    Redaktori i NIN, Millan Çulibrk, thekson se “Inkop” dhe kompanitë e lidhura me të “brenda natës” e gjetën veten në listën e fitimtarëve më të mëdhenj në Serbi.

    “A është rezultat i ‘aftësive dhe sensit të biznesit’, apo pasojë e kombinimeve të ndryshme me shtetin, sepse më së shumti bëjnë punë, faturat e të cilave i paguajnë qytetarët e Serbisë përmes buxhetit”, pyeti ai.

    I pyetur nëse për shkak të reputacionit ndërkombëtar, Serbisë i shkon për shtat edhe një ndryshim në “Inkop”, sepse nuk ka më Radoiçiq, i cili u identifikua si organizator i sulmit në Banjska, Çulibrk përgjigjet:

    “Asgjë nuk mund ta ‘lajë’ shtetin. Fytyra e tij u njollos në momentin që u lidhën marrëveshjet me ato kompani, pa tenderë, por përmes marrëveshjeve të drejtpërdrejta, dhe pronarët ishin në listën e zezë të SHBA-së. Falë kësaj, ato kompani u bënë kaq të fuqishme, dhe pronarët e tyre ndër njerëzit më të pasur në Serbi”.

    “Hetimi do të përcaktojë se nga kanë ardhur paratë për armët pa leje”

    Pasurinë e Radoiçiqit e ka komentuar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

    Më 11 tetor, ai deklaroi se në hetimin për sulmin e armatosur në Banjskë dhe rolin e Radoiçiqit, do të shqyrtohen të gjitha aspektet, përfshirë këtu edhe nga kanë ardhur paratë për blerjen e armëve në tregun e zi.

    Policia e Kosovës pas sulmit në Banjskë ka konfiskuar një arsenal armësh dhe municioni.

    Vuçiq shtoi se “nuk është prokuror që të flasë për këtë”, por në të njëjtën kohë shprehu mendimin e tij se disa politikanë opozitarë në Serbi “kanë më shumë para” se Radoiçiqi.

    Ndër pronat e fundit të Radoiçiqit në Serbi ishte hoteli luksoz “Grey” në Kopaonik.

    Autoritetet e Kosovës pretendojnë se Radoiçiqi dhe një grup i armatosur e kanë shfrytëzuar atë hotel para sulmit në Banjskë, dhe si dëshmi e këtij pretendimi kanë publikuar pamjet nga një dron, i cili dyshohet se është sekuestruar në një operacion policor.

    Në atë kohë, Kosova publikoi gjithashtu pretendime se Radoiçiqi përdorte objektet e Ushtrisë Serbe për trajnimin e sulmuesve, të cilat autoritetet në Beograd i mohuan.

    Megjithatë, ata nuk i komentuan pretendimet për grupin e armatosur në pronën e Radoiçiqit.

    “Ajo që Radoiçiq bën në pronën private nuk është punë e Forcave të Armatosura të Serbisë”, tha shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, më 2 tetor.

    Kontratë me shtetin pas sulmit në Banjskë

    Tri ditë pas sulmit ndaj policisë së Kosovës në Banjskë, kompania “Novi Pazar-put” mori punë nga shteti.

    Në kohën e dhënies së kontratës, më 27 shtator, pronarët e fundit të kompanisë ishin Millan Radoiçiq dhe vëllezërit Vesellinoviq.

    Ndërmarrja publike “Rrugët e Serbisë” ia besoi asaj kompanie ndërtimin e urës në Adrane afër Kralevës, me vlerë rreth një milion euro.

    REL-i ka pyetur kompaninë “Rrugët e Serbisë” se pse “Novi Pazar-put” ka marrë vendin e punës dhe nëse vendimi është rishqyrtuar pas sulmit të armatosur në Banjskë të organizuar nga Radoiçiqi.

    Ata u përgjigjën se Ligji për Prokurimin Publik “nuk parasheh rishikimin e vendimit për dhënie të kontratës” në atë rast.

    Ata shtuan se “nuk ka rëndësi se kush është pronari i kompanisë që merr pjesë në prokurimin publik”.

    Qeveria e Serbisë dhe ministria kompetente nuk u janë përgjigjur pyetjeve të REL-it se në çfarë bazë kanë fituar tenderët kompanitë e ndërtimit në pronësi të Vesellinoviqit dhe Radoiçiqit.

    Pyetja se a ndërpritet bashkëpunimi i shtetit me ato kompani, pasi Radoiçiqi u identifikua si organizator i sulmit në Banjskë, mbeti pa përgjigje.

    Kush janë Radoiçiqi dhe Vesellinoviqi?

    Në publikun serb, Radoiçiqi dhe Vesellinoviqi prezantohen si partnerë biznesi, biznesmenë me origjinë nga Kosova.

    Deri në sulmin e armatosur ndaj policisë së Kosovës, Radoiçiqi ka qenë nënkryetar i Listës Serbe, partia udhëheqëse e serbëve nga Kosova, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Kur ai e pranoi përgjegjësinë për sulmin në Banjska në një letër publike më 29 shtator, ai gjithashtu njoftoi se po jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe.

    Ministri i Policisë së Kosovës, Xhelal Sveçla, e cilësoi atë si një nga drejtuesit e strukturave kriminale në veri të Kosovës.

    Prokuroria e Kosovës i lidh Vesellinoviqin dhe Radoiçiqin me vrasjen e politikanit kosovar, Oliver Ivanoviq.

    Ata përmendeshin si organizatorë të dyshuar të grupit kriminal, por ndaj tyre nuk u ngrit asnjë akuzë pasi në atë moment ishin në arrati.

    Ligji i Kosovës nuk lejon ngritjen e aktakuzave kundër të arratisurve, përveç nëse ata janë hetuar më parë.

    Në dhjetor të vitit 2021, duke komentuar vendimin e SHBA-së për listën e zezë të Radoiçiqit dhe Vesellinoviqit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se autoritetet kompetente do të hetojnë gjithçka nëse ka “disa akuza serioze”.

    Në muajt pas kësaj deklarate, opinioni në Serbi nuk mësoi nëse akuzat ishin hetuar dhe as Qeveria dhe Presidenca nuk iu përgjigjën kësaj pyetjeje të Radios Evropa e Lirë.

    Millan Radoiçiqi u shfaq në tubime zyrtare, përkrah Aleksandar Vuçiqit. /REL

  • Lista e fituesve të BET Hip Hop 2023

    Lista e fituesve të BET Hip Hop 2023

    Çmimet BET Hip Hop 2023 kanë mbërritur! Nata më e madhe e Hip hop-it nderoi këngët dhe videot më të mira të vitit.

    E organizuar edhe një herë nga reperi Fat Joe, festimi i sivjetshëm i mbushur me yje shfaqi disa fitore të mëdha, homazhe emocionale dhe performanca të fuqishme. Cardi B dhe 21 Savage kryesuan nominimet me 12 secili, ndërsa fituesi i madh i vitit të kaluar, Drake, pasoi me nëntë nominime.

    Megjithatë, ishte Kendrick Lamar ai që doli të ishte fituesi i madh i natës, duke fituar çdo kategori për të cilën ishte nominuar. Shikoni listën e të nominuarve dhe fituesve të BET Hip Hop 2023:

    BEST HIP HOP VIDEO
    Lil Uzi Vert, “Just Wanna Rock” — FITUES
    Coi Leray, “Players (DJ Smallz 732 – Jersey Club Remix)”
    Latto Feat. Cardi B, “Put It On Da Floor Again”
    Dababy, “Shake Sumn”
    Burna Boy Feat. 21 Savage, “Sittin’ On Top Of The World”
    Drake & 21 Savage, “Spin Bout U”
    Glorilla & Cardi B, “Tomorrow 2”

    BASHKËPUNIMI MË I MIRË
    Lil Durk Feat. J. Cole, “All My Life” — FITUES
    DJ Khaled Feat. Rick Ross, Lil Wayne, JAY-Z, John Legend & Fridayy, “God Did”
    Coi Leray Feat. Busta Rhymes, “Players (DJ Saige Remix)”
    Ice Spice & Nicki Minaj, “Princess Diana”
    Latto Feat. Cardi B, “Put It On Da Floor Again”
    Burna Boy Feat. 21 Savage, “Sittin’ On Top Of The World”
    Glorilla & Cardi B, “Tomorrow 2”

    BEST DUO
    City Girls
    DJ Drama & Jeezy
    Drake & 21 Savage — FITUES
    Earthgang
    Larry June & The Alchemist
    Quavo & Takeoff
    Rae Sremmurd

    PERFORMUESI MË I MIRË LIVE
    Burna Boy
    Busta Rhymes
    Cardi B
    Coi Leray
    Dababy
    Drake
    Kendrick Lamar — FITUES
    Megan Thee Stallion

    TEKSTI I VITIT
    21 Savage
    André 3000
    Burna Boy
    Cardi B
    Conway The Machine
    Drake
    J. Cole
    Kendrick Lamar — FITUES

    KËNGA E VITIT
    Lil Durk Feat. J. Cole, “All My Life”
    DJ Khaled Feat. Rick Ross, Lil Wayne, JAY-Z, John Legend & Fridayy, “God Did”
    Lil Uzi Vert, “Just Wanna Rock” — FITUES
    Coi Leray, “Players”
    Latto Feat. Cardi B, “Put It On Da Floor Again”
    Drake & 21 Savage, “Rich Flex”
    Burna Boy Feat. 21 Savage, “Sittin’ On Top Of The World”
    Glorilla & Cardi B, “Tomorrow 2”

    HIP HOP ALBUMI I VITIT
    Glorilla, Anyways, Life’s Great…
    Coi Leray, Coi
    DJ Khaled, God Did
    Drake & 21 Savage, Her Loss — FITUES
    Metro Boomin, Heroes & Villains
    Jack Harlow, Jackman
    Lil Uzi Vert, Pink Tape
    Megan Thee Stallion, Traumazine

    HIP HOP ARTISTI I VITIT
    21 Savage
    Burna Boy
    Cardi B
    Drake
    Glorilla
    J. Cole
    Kendrick Lamar — FITUES
    Lil Uzi Vert

    PRODUCENTI I VITIT
    ATL Jacob
    DJ Khaled
    Dr. Dre
    Hit-boy
    Hitmaka
    Kaytranada
    London On Da Track
    Metro Boomin — FITUES
    The Alchemist

    DJ I VITIT
    Chase B
    D-NICE
    DJ Cassidy
    DJ Clark Kent
    DJ Drama
    DJ Jazzy Jeff
    DJ Khaled
    Kaytranada
    Metro Boomin — FITUES.

  • ​Klauzola miliardëshe, Reali blindon dy yjet e ekipit

    ​Klauzola miliardëshe, Reali blindon dy yjet e ekipit

    Eduardo Camavinga dhe Federico Valverde thuhet se kanë nënshkruar marrëveshje të reja me Real Madridin, duke përfituar rritje të konsiderueshme të pagave.

    Sipas një raporti të “COPE”, mesfushori francez ka arritur një marrëveshje për të qëndruar në “Santiago Bernabeu” deri në vitin 2028. Camavinga do të ketë një rritje të konsiderueshme të pagës dhe klauzola e tij e lirimit do të rritet në 1 miliardë euro, duke shmangur çdo interesim të mundshëm nga klubet tjera.

    Mesfushori 20-vjeçar është bërë pjesë integrale e planeve të Carlo Ancelottit dhe është paraqitur në 11 ndeshje deri më tani këtë sezon duke grumbulluar 645 minuta lojë, përcjellë KosovaPress.

    Partneri i mesfushës së Camavinga, Valverde, gjithashtu ka nënshkruar një marrëveshje të re deri në vitin 2028, një zgjatje njëvjeçare nga kontrata e tij aktuale e cila do të skadojë në vitin 2027. Uruguaiani do të ketë gjithashtu klauzolë lirimi prej 1 miliardë eurosh, e cila nënvizon statusin e tij si titullar i padiskutueshëm në Real Madrid.

    Ashtu si Camavinga, ai gjithashtu ka bërë 11 paraqitje, por ka luajtur dukshëm më shumë minuta (838) dhe ka dhënë një gol dhe tre asistime këtë sezon.

  • “Zona më e bukur në Gaza u bë rrafsh me tokë”, gazetari palestinez tregon pamjet e shkatërrimit

    “Zona më e bukur në Gaza u bë rrafsh me tokë”, gazetari palestinez tregon pamjet e shkatërrimit

    Në rrjetet sociale janë publikuar pamje nga droni të një lagje të shkatërruar të Gazës, që forcat izraelite e bënë rrafsh me tokë nga sulmet ajrore.

    Një gazetar palestinez derisa ecte në këtë lagje tashmë të shkatërruar tha se ishte ‘zona më e bukur e Gazës, po tani ka mbetur i pafjalë‘.

    “Nuk e di çfarë të them, por më besoni është trishtimi më i madh që ka pasur ndonjëherë Gaza”, u shpreh gazetari.

    Kujtojmë se, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi ka thënë se numri i viktimave në Gaza nga sulmet ajrore izraelite është rritur në 1 mijë e 100.

    Sipas shifrave të reja, ministria thotë se numri i përgjithshëm i personave të lënduar është mbi 5 mijë e 300, shkruan BBC.

    Nga 1 mijë e 100 të vdekur, ministria e Shëndetësisë në Gaza ka bërë të ditur se në mesin e tyre janë 326 fëmijë, 171 gra dhe 603 burra.

    Kurse, nga 5 mijë e 339 të lënduar, 1 mijë e 217 janë fëmijë, 744 gra dhe 3 mijë e 378 burra.

  • Kastrati i PDK-së: Është çudi si u lanë të ikin terroristët në Banjskë, është dashur të asgjësohen ose dorëzohen

    Kastrati i PDK-së: Është çudi si u lanë të ikin terroristët në Banjskë, është dashur të asgjësohen ose dorëzohen

    Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, është i mendimit se në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, Kosova i ka lënë të lirë terroristët përmes një marrëveshjeje politike.

    Ai në emisionin DPT te Fidani, në ATV, ka thënë se si pasojë e kësaj tash terroristët serbë janë rrezik potencial për çdo natë i trupave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në veri, shkruan Reporteri.net.

    “Kush i lëshoi Radojiçiqin me ata terroristat me ecë? Nuk i ka lëshu policia, është bo negociatë në nivel politik. Ata janë rrezik potencial prapa trupave të KFOR-it dhe policisë tonë çdo natë tash e tutje”.

    “Në situata të tilla kur një shtet të sulmon, një brigadë armatim e ka sjellë, ti duhesh ose me i asgjësu ose me i bo me u dorëzu”.

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, para një jave pati treguar se nuk ka pasur kurrfarë marrëveshje për krijimin e një korridori që do t’ua mundësonte ikjen terroristëve serbë.

    Ai ka thënë se është tentuar që të komunikohet me terroristët, në mënyrë që të dorëzohen, mirëpo se ata nuk u janë bindur kërkesave të policisë dhe janë përgjigjur me armë zjarri.

    Tutje ka shtruar pyetje edhe se si u la të hyjë në Manastirin e Banjskës armatimi që u përdor gjatë sulmit, e që u sekuestrua pas tij.

    “E dyta, si u fut gjithë ai armatim, u leju me ardhë deri te Manastiri i Banjskës prej një depoje? S’jemi t’u folë për katër kallashnikova por për armatim për një brigadë të tanë”.

    “A ka shpjegim dikush prej qeverisë? A ka dikush shpjegim pse janë liru ata? Ata ecshin si fëmija në ekskursion”.

    “Nuk po konstatoj, unë dyshoj që dikush është prapa gjithë aksionit. Policia nuk është në dijeni. Si u lanë ashtu me ikë ata 30 veta është kogja çudi”, ka thënë Kastrati i PDK-së.

  • Gjendet i vdekur regjisori izraelit, Yahav Winner

    Gjendet i vdekur regjisori izraelit, Yahav Winner

    Trupi i regjisorit izraelit, Yahav Winner, u gjet mbrëmjen e djeshme (10 tetor) në kibutin jugor të Izraelit në Kfar Aza.

    Yahav u zhduk të shtunën (7 tetor) pasi terroristët e Hamasit pushtuan shtëpinë e tij.

    Winner po ruante dritaren e banesës së familjes së tij për t’i lënë kohë gruas së tij, regjisores Shaylee Aary dhe vajzës së tyre një muajshe Shaya, që të shpëtonin nga sulmuesit.

    Trupi i Yahav u gjet në Kfar Aza nga ushtria izraelite. Shumë njerëz që jetonin atje, duke përfshirë fëmijë dhe familje të tëra, u vranë gjithashtu në Kfar Aza.

    Filmi i shkurtër i Winner “The Boy” fitoi çmimin për ‘kinematografinë më të mirë’ në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Studentor të Tel Avivit të këtij viti.

    Kompania izraelite e shitjeve dhe shpërndarjes ‘Go2Films’ konfirmoi po ashtu vdekjen e Yahav.

    Në një deklaratë, Go2Films tha: “Me dhimbje të madhe ndajmë lajmin shkatërrues se regjisori ynë i dashur, Yahav Winner, u gjet i vdekur në Kfar Aza mbrëmjen e djeshme, pas tre ditësh në të cilat ai konsiderohej i zhdukur. Humbja e Yahav ka lënë një boshllëk të pashlyeshëm në zemrat tona dhe ne shprehim ngushëllimet tona më të thella për Shaylee Aary, gruan e tij, familjen, miqtë dhe të gjithë ata që u prekën nga arti dhe shpirti i tij”.

    “Pas kësaj tragjedie, gjejmë ngushëllim në mendimin për të festuar jetën dhe veprën e Yahavit. Filmi i shkurtër i Yahav, The Boy, shpalos një rrëfim që hedh dritë mbi jetën në Kfar Aza. Filmi fitoi çmimin për kinematografinë më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Studentëve të Filmit në Tel Aviv dhe do të shfaqet si pjesë e konkursit ndërkombëtar në Filmschoolfest Munich. Për të nderuar kujtimin dhe veprën e tij, jemi të përkushtuar që të shfaqim The Boy në sa më shumë vende”, thuhet më tej.

  • Arrestohet shtetasi serbë, postoi foto me armë në dorë në rrjetet sociale

    Arrestohet shtetasi serbë, postoi foto me armë në dorë në rrjetet sociale

    Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme në orët e hershme të mëngjesit ka arrestuar një shtetas serb të komunës së Leposaviqit.

    Shtetasi serb i arrestuar kishte postuar foto me armë në dorë në rrjetet sociale.

    Pas arrestimit është bërë kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit por nuk është gjetur diçka e dyshuar.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.