ATV

Author: ATVLive

  • Aktakuzë për sulmin ndaj gazetarit të RTV 21 në Zveçan

    Aktakuzë për sulmin ndaj gazetarit të RTV 21 në Zveçan

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Përgjithshëm, pas hetimeve të zhvilluara ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kundër të pandehurit D.S., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizmi“ nga neni 404 par. 1, dhe “Sulmi“ nga neni 184 par. 3 nën par. 3.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    I pandehuri, me datë 29 maj 2023 dhe me 31 maj 2023, në Zveçan, me dashje, ka marrë pjesë në turmën e mbledhur të personave, të cilët me veprimet e tyre ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm, ashtu që, derisa persona të maskuar ishin duke e sulmuar veturën e Policisë së Kosovës, i pandehuri së bashku me persona tjerë kanë sulmuar gazetarin e mediumit RTV-21 B.Z., policët e Kosovës, dhe gazetarët tjerë që ishin prezent.

    Gjithashtu, me datë 31.05.2023, në Zveçan, i pandehuri D.S., me dashje përdor forcën ndaj të dëmtuarit – gazetarit të mediumit “RTV 21” B.Z., i motivuar në bazë të kombësisë, në atë mënyrë, që derisa i dëmtuari ishte duke i përcjellë protestat që zhvilloheshin nga komuniteti serb afër objektit të komunës së Zveçanit, dhe ishte një grup i protestuesve me maska të cilët nisen në drejtim të një veturë të Policisë së Kosovës, ku i dëmtuari niset në drejtim të tyre me qëllim të fotografimit dhe xhirimit, në ato momente një grup prej tre personave i kërkojnë të dëmtuarit që t’i fik pajisjet, dhe e fyejnë si dhe kërkojnë që të largohen ekipa e mediumit, ku në momentin që fillojnë të largohen, grupi i personave fillojnë ti ndjekin dhe gjatë largimit, i pandehuri përdor forcën ndaj të dëmtuarit – gazetarit B.Z., duke e goditur me grusht në bel në anën e djathtë.

    Prokurori i Shtetit, në aktakuzë ka propozuar, që gjykata të pandehurin ta shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe ta dënojë sipas ligjit.

  • ​Kissinger: Ky mund të jetë qëllimi i vërtetë i Hamasit, Gjermania bëri një gabim të madh

    ​Kissinger: Ky mund të jetë qëllimi i vërtetë i Hamasit, Gjermania bëri një gabim të madh

    Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit, i cili po festohet në rrugët e Berlinit, tregon se Gjermania ka lejuar shumë të huaj të hyjnë në vend, sipas ish-sekretarit amerikan të shtetit, Henry Kissinger.

    “Ishte një gabim i madh të liroheshin kaq shumë njerëz me kultura, fe dhe koncepte krejtësisht të ndryshme, sepse krijon një grup presioni brenda çdo vendi që e bën këtë,” tha ish-diplomati amerikan 100-vjeçar në një intervistë me CEO i kompanisë më të madhe mediatike gjermane Axel Springer Mathias Döpfner. Axel Springer është kompania mëmë e Politica.

    Kissinger me origjinë gjermane, i cili iku nga nazizmi me familjen e tij në vitin 1938 dhe u bë arkitekti i politikës së jashtme të SHBA gjatë Luftës së Vietnamit, tha se ishte “e dhimbshme” kur u pyet se si i shikonte arabët në Berlin që festonin sulmin e fundjavës së kaluar në Izrael.

    Në një sulm të befasishëm që filloi të shtunën në mëngjes, militantët e Hamasit dolën nga Rripi i Gazës, duke vrarë më shumë se 1.200 izraelitë dhe duke rrëmbyer dhjetëra, ndërsa qëlluan me raketa qytete duke përfshirë Tel Avivin dhe Jerusalemin. Izraeli që atëherë është kundërpërgjigjur duke nisur një rrethim të Gazës dhe duke gjuajtur raketa hakmarrëse, duke vrarë mbi 1.300 palestinezë.

    Paralajmëron për përshkallëzim

    “Akti i hapur i agresionit të Hamasit duhet të përballet me njëfarë ndëshkimi,” tha Kissinger, ndërsa paralajmëroi për potencialin për një përshkallëzim të rrezikshëm në rajon.

    “Konflikti në Lindjen e Mesme është në rrezik të përshkallëzimit dhe përfshirjes së vendeve të tjera arabe nën presionin e opinionit të tyre publik,” paralajmëroi Kissinger, duke treguar mësimet e nxjerra nga Lufta e Yom Kipurit e vitit 1973, gjatë së cilës një koalicion arab i udhëhequr nga Egjipti dhe Siria sulmoi Izraelin.

    “Qëllimi i vërtetë i Hamasit dhe mbështetësve të tij mund të jetë vetëm mobilizimi i botës arabe kundër Izraelit dhe prishja e negociatave paqësore”, tha Kissinger. “Është gjithashtu e mundur që Izraeli të mund të ndërmarrë veprime kundër Iranit nëse beson se Teherani kishte një dorë në sulm”, shtoi ai.

    Më gjerësisht, tha Kissinger, agresioni i vazhdueshëm rus në Ukrainë së bashku me sulmin e Hamasit ndaj Izraelit përfaqësojnë një “sulm themelor ndaj sistemit ndërkombëtar”.

  • Rama: Pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës po i vështirëson përpjekjet tona

    Rama: Pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës po i vështirëson përpjekjet tona

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës dhe sipas tij gabimet e Prishtinës zyrtare në procesin e dialogut po vështirësojnë përpjekjet e Shqipërisë. Ai përsëriti kërkesën e tij që KFOR-i të marrë në kontroll veriun, meqë sipas tij forcat ekzistuese të kontrollit të kufirit janë krejt të pamjaftueshme. Rama foli në seancën e Kuvendit të Shqipërisë ku po diskutohet për agresionin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

    Kuvendi i Shqipërisë po mban interpelancë me kryeministrin Edi Rama, të ftuar nga deputeti demokrat Kreshnik Çollaku. Interpelanca është ftuar me arsyetimin “dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve lidhur me qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, hapat që parashikohen të ndërmerren dhe qëndrimet në raport me zhvillimet e pritshme në marrëdhëniet ndërshtetërore në Ballkan”.

    Në këtë seancë, Rama teksa foli për agresionin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, u shpreh se lajmi i vrasjes së policit Afrim Bunjaku ishte bombë që shpërtheu me forcën tronditëse.

    “Ai agresion i nxori sërish thonjtë e krizën të veriut të Kosovës dhe ja nguli më fortë se asnjëherë mu në fyt procesit të dialogut, normalizimit, shtet-njohjes përfundimtare të Republikës së Kosovës. Shfaqja ogurkeqe e hijes së përgjakshme të së shkuarës me armë dhe me uniforma ushtarake në skenën e ngarkuar me frymën e ekstremizmit nacionalist serb, armatimet e trafikuara për sulm, jo për vetëmbrojtje dhe thasët e financimeve kriminale në veriun e Kosovës ishte si kronika e zezë e një vdekje të paramenduar. Lajmi i vrasjes së efektivit të Policisë së Kosovës në krye të detyrës ishte si një bombë, që shpërtheu me forcën tronditëse të një sinjali pa ekuivok, përshkallëzimit të konfliktit në atë skenë ku prej kohësh tani më prodhohet tensioni që kthen dhe rikthen prapësht sistematikisht procesin e dialogut, normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, e ndez llambën e vjetër të krizës ballkanike në sytë e botës demokratike”, deklaroi ai.

    Zhvillimet e mëtejme, siç tha Rama, kishin pamjen e materialit arkivor nga lufta e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

    “Fundi i ngjarjes ishte shembullor, falë veprimeve të forcave të sigurisë së Kosovës, të cilat nuk ranë në kurthin e ngritur prej organizatorëve, por me gjakftohtësi të admirueshme dhe me profesionalizëm të lartë e neutralizuan rrezikun e zgjerimit dhe zgjatjes së paparashikueshme të konfliktit, duke iu përgjigjur në mënyrën më të mirë dhe më të drejtë të mundshme të provokimit djallëzor të grupit kriminal serb. Ndërsa, epilogu i ngjarjes, shpallja e zisë kombëtare nga autoritetet e Beogradit për kriminelët e eliminuar nga forcat e sigurisë së Kosovës pasi i morën jetën një polici të Republikës së Kosovës, ishte shëmbëlltyra e gjallë e hijes së së shkuarës e cila bashkëjeton me Serbinë qysh nga disfata e saj finale e vitit 1999 në Kosovë, si hija që e ndjek kudo njeriun sapo del drita”, shtoi ai para deputetëve shqiptarë”, theksoi Rama.

    Kryeministri shqiptar theksoi se për herë të parë Shqipëria nuk u linjëzua me deklaratën e Bashkimit Evropian.

    “Prisnim një deklaratë të dytë të BE-së ku do të dënoheshin qoftë organizatorët e agresionit kriminal, qoftë organizatorët e zisë kombëtare në Beograd dhe të kërkohej fillimi i menjëhershëm i një hetimi ndërkombëtar. Na shpjeguan se kohët dhe procedurat e BE-së nuk e mundësonin dot një deklaratë të dytë. Sipas nesh e domosdoshme paralelisht në të njëjtën kohë me të parën. Kështu që si përfundim ne nisëm mesazhin zyrtar të mos linjëzimit me deklaratën e parë. Për herë të parë në marrëdhëniet tona me Bashkimin Evropian. Një mos linjëzim me politikën e jashtme të BE-së nuk është një fjalë goje, për një vend kandidat që negocion anëtarësimin në BE dhe që përgatitet në javët e ardhshme të nis me një prej pjesëve të negociatave që lidhet pikërisht me politikën e jashtme”, theksoi Rama.

    Tutje, Rama tha se pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së dhe ShBA-së e bëjnë të vështirë përpjekjen e Shqipërisë.

    “Ne nuk bëmë një gjest konsumi të brendshëm elektoral, siç janë prej kohësh tanimë dhe fatkeqësisht e them me keqardhje një sërë gjestesh të qeverisë në Prishtinë në raport me dialogun e normalizimit, përfshirë edhe ndaj qeverisë sonë përmes zërash të dytë dhe të tretë. Por mbajtëm një qëndrim parimor dhe politik në funksion të nxitjes së Brukselit për të siguruar një përqapje serioze për një qëndrim të unifikuar të 27 vendeve anëtare, jo thjesht lidhur me ngjarjen dhe me qëndrimin e papranueshëm të Beogradit ndaj ngjarjes, jo thjesht me fjalë por edhe me masa kuptimplote në adresë të Serbisë, por edhe lidhur me çfarë vjen, çfarë mund të vijë dhe çfarë duhet të vijë nesër. Pozicioni i vet dobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së dhe ShBA-së gjithashtu, si dhe vetë viktimizimi diplomatik i Serbisë në ato sy falë dhuratave politike të marra bujarisht gabimet e Prishtinës zyrtare në procesin e dialogut e bëjnë jo të lehtë këtë përpjekje nga ana jonë, e kemi vazhduar në çdo instancë”, përfundoi ai.

    Kryeministri shqiptar, Edi Rama u shpreh se Kosova po rrezikon ta humbas shansin historik, siç e quajti ai, që i jep plani franko-gjerman.

    “E kam thënë në samitin e NATO-s, mbi domosdoshmërinë e marrjes së kontrollit të veriut të Kosovës nga KFOR-i. Fokusimi tek suksesi dhe jo te dështimi i planit tejet të favorshëm franko-gjerman dhe dhënies drejtim të atij asociacioni të komunave me shumicë serbe sepse është një nyje, e cila pikërisht pse ka marrë proporcione komplet të pa merituara për substancën që e ka, nuk duhet të mbahet si një litar në këmbë që veç e pengon Kosovën në rrugën e saj dhe veç e largon objektivin për tu bërë pjesë e OKB-së, BE-së. Ajo nyje duhet të këputet, ai litar duhet këputur një orë e më parë. Nuk duhet shkencë këtu, duhet vetëm logjikë e ftohtë elementare për të kuptuar se ai asociacion duke mos u bërë është kthyer në një litar”, potencoi ai.

    Teksa përmendi edhe deklaratën e tij në samitin e NATO-s për kontrollin e veriut, ai shtoi se është sulmuar nga një “armatë e hedhur në veprim”.

    “Këtyre thirrjeve të zakonshme momentesh të pazakonshme, këtë herë ju shtuan edhe piskamat për sovranitetin e kërcënuar nga kërkesa ime e përsëritur për NATO-n që KFOR-i të marrë në kontroll veriun. Ku kufiri me Serbinë është katandisur prej vitesh në një rrjetë të çarë ngado, prej nga hyjnë sërbes armatime, drogë, dreqi me të birin, ndërkohë që forcat ekzistuese të kontrollit të kufirit janë krejt të pamjaftueshme”, përfundoi Rama.

    Rama shtoi se KFOR-i do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë meqë “nuk ka ku të shkojë, deri kur dialogu të ketë garantuar paqen përfundimtare”.

    Në këtë seancë parashihet edhe një mocion me debat dhe miratimi i projektrezolutës në mbështetje të Kosovës.

    Debati pritet të zgjasë minimalisht 5 orë, ndërsa nga seanca e kaluar ka pasur përplasje të forta me opozitën që ka kritikuar mazhorancën për mënyrën se si e ka trajtuar “24 shtatorin”, ndërsa për partinë në pushtet opozita kërkon të bëjë politikë me Kosovën. /KP

  • Spanca: Pavarësisht sfidave, auditimi ka vlerë thelbësore në dobi të qytetarëve

    Spanca: Pavarësisht sfidave, auditimi ka vlerë thelbësore në dobi të qytetarëve

    Auditimi i organizatave buxhetore është një proces me sfida, por pavarësisht vështirësive sjell vlera thelbësore që fondet publike të administrohen në dobi të qytetarëve. Kështu u tha në konferencën “Roli i Institucioneve Supreme të Auditimit në dobi të qytetarëve”, me rastin e 20 vjetorit të themelimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA).

    Auditorja e Përgjithshme në Zyrën Kombëtare të Auditimit, Vlora Spanca tha se roli i auditimit është thelbësor, meqë sipas saj transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve publike çdo herë e më shumë bëhet më e domosdoshme.

    “Transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve publike çdo herë e më shumë bëhet më e domosdoshme, prandaj roli i auditimit është padyshim thelbësor. Auditimi është një proces i përcjellë me sfida, por pavarësisht vështirësive, sjell vlerë thelbësore që fondet publike të administrohen në dobi të qytetarëve e me këtë edhe rrit besimin e publikut në ata që i administrojnë fondet e besuara. Që nga themelimi ZKA ka pasur një zhvillim të hovshëm si në aspektin organizativ ashtu edhe në atë profesional. Tani ZKA numëron rreth 170 punonjës prej tyre rreth 87 për qind janë staf auditues”, tha Spanca.

    Ajo shtoi se përmes auditimit për temën “Efektiviteti i Institucioneve për trajtimin e rasteve të dhunës në familje”, është vendosur në qendër të vëmendjes së Qeverisë, Kuvendit dhe qytetarëve nevoja për të adresuar dukurinë e dhunës në familje.

    Tutje, Spanca tha se auditimi për temën “Programi i Trajtimit të Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike”, ka ndikuar në përshpejtimin e përditësimit te Udhëzimit Administrativ, derisa shtoi se kjo u lehtësoi qytetarëve procedura e aplikimit.

    “Rezultatet e auditimit të performancës “Programi i Trajtimit të Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike” përmes së cilit është përshpejtuar përditësimi i Udhëzuesit administrativ me anë të të cilit qytetarëve u është lehtësuar procedura e aplikimit dhe mundësia për të përfituar nga programi tani është e barabartë për të gjithë. Po ashtu, nëse rekomandimet e dhëna merren seriozisht dhe zbatohen, atëherë, qytetarët përfitojnë përshpejtim të vlerësimit të aplikacioneve dhe mundësi të vlerësimit të saktë dhe meritorë për secilin rast. Qytetarët mund të përfitojnë vetëm për rastet të cilat realisht nuk trajtohen në institucionet shëndetësore publike, gjë që mundëson përfitim nga ky subvencionim për një numër të madh të qytetarëve”, potencoi Spanca.

    Ndërkaq, përmes një video mesazhi, drejtori i përgjithshëm i Iniciativës për Zhvillim, Einar Gorrisen tha se ka ndjekur zhvillimin e Zyrës së Auditimit të Kosovës, derisa shtoi se ka vërejtur zhvillime të suksesshme.

    “Ndikimi i auditmit në përmirësimin e financave publike ngre një temë shumë të rëndësishme. Shpresojmë që do të sigurojmë që auditimet tona do të çojnë në ndryshime shoqërinë tonë dhe jo vetëm të kemi si raporte të tilla. Nga eksperienca ime kjo kërkon marrjen në konsideratë të shumë gjërave gjatë auditimit, për shembull fillimin me selektimin e temave nga shoqëria civile dhe trajtimin e rekomandimeve të auditimit…Kam pasur privilegjin të punoj m ISA-në në të gjithë botën. Kam ndjekur zhvillimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, dhe kam parë zhvillime dhe kam parë të zhvillohet një institucion auditimi i suksesshëm”, tha Gorrisen.

    Ndërsa, auditori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Gene Dodaro vuri në pah rëndësinë e avancimit të teknologjisë informatike, duke thënë se në këtë mënyrë mund të rritet siguria kibernetike.

    Ai shtoi se pandemia Covid-19 nxori në pah se institucionet supreme të auditimit kanë shumë sfida, derisa shtoi se duhet përgatitur më mirë ndaj situatave urgjente.

    Ndryshe, në kuadër të 20 vjetorit të themelimit të ZKA-së, nga ky institucion u zotuan se do të vazhdojnë të mbajnë standarde të larta, kjo ngase sipas tyre janë gardianë të llogaridhënies, transparencës dhe mbrojtës të fondeve publike./KP

  • ​Vetëvendosje nuk merr pjesë në seancën e jashtëzakonshme për Policinë

    ​Vetëvendosje nuk merr pjesë në seancën e jashtëzakonshme për Policinë

    Partia në pushtet ka vendosur të mos marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, e ftuar nga opozita, ku është paraparë të shqyrtohet propozim-rezoluta për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës. Kjo është bërë e ditur nga shefja e deputetëve të mazhorancës, Mimoza Kusari-Lila, në një konferencë për media, në kohën kur parashihej të fillonte seanca.

    Kusari-Lila ka kritikuar partitë opozitare për mos votim të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe sipas saj kërkesat e tyre kanë synim dëmtimin e interesit të shtetit.

    “Arsyeja e ftesës për këtë konferencë është që para opinionit publik të shpalosim qëndrimin e Grupit Parlamentar të LVV-së për mospjesëmarrje në seancën e jashtëzakonshme të ftuar sot nga opozita e drejtuar në ftesën e sotme nga Grupi Parlamentar i PDK. Që nga java e kaluar Grupi Parlamentar i PDK-së ka tentuar që të ndryshojë rendin e ditës në seancë për të futur një pikë të cilën nuk e kanë pasur ende të dorëzuar me shkrim, që ka të bëjë me një rezolutë për kushtet dhe disa prej legjislacionit që ata konsiderojnë tash të nevojshëm për të kaluar për Policinë e Kosovës. Përderisa ky material tashmë është dorëzuar, ne e vlerësojmë se tendenca apo qëllimi i PDK-së dhe AAK-së që nuk votojnë asgjë në Kuvendin e Kosovës, nuk votojnë marrëveshje ndërkombëtare dhe ligje me rëndësi jetike për qytetarët, nuk ka të bëjë me gjendjen apo statusin e PK-së, por ka të bëjë vetëm me arsyetimin dhe argumentimin e tyre se kinse Qeveria nuk është e angazhuar sa duhet dhe synimi i tyre i vetëm është pushteti dhe jo interesi i shtetit. Ne sot po qëndrojmë në mbi 400 milionë euro marrëveshje ndërkombëtare të pa votuara, disa prej të cilave janë edhe për mbështetje të drejtpërdrejt të buxhetit të Kosovës, të cilët do të përfitonin të gjitha kategoritë shoqërore, përfshirë edhe Policinë e Kosovës. Përderisa ata refuzojnë të votojnë, kanë kërkesat të cilat synimin e vetëm e kanë dëmtimin e interesit të shtetit, vetëm për çmimin e tyre të ardhjes në pushtet”, ka thënë Kusari-Lila.

  • ​S’ka kuorum, dështon mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

    ​S’ka kuorum, dështon mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

    Ka dështuar mbledhja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme për shkak të mungesës së kuorumit.

    Deputetët e partive opozitare kanë lëshuar sallën. Në këtë mbledhje ishte paraparë që zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi të raportonte lidhur me dialogun Kosovë-Serbi i cili nuk është para aty.

    E pranishme nga Lëvizja Vetëvendosje ishte vetëm kryetarja e këtij komisioni, Arbëreshë Kryeziu- Hyseni.

  • NATO dënon sulmin terrorist të Hamasit, Stoltenberg: Izraeli nuk është vetëm

    NATO dënon sulmin terrorist të Hamasit, Stoltenberg: Izraeli nuk është vetëm

    Në selinë e NATO-s në Bruksel, sot është duke u zhvilluar dita e dytë e takimeve të të gjithë ministrave të Mbrojtjes të Vendeve anëtare të NATO-s.

    Në orët e mëngjesit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, mirëpriti në një takim me një paraqitje para mediave edhe sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së, Lloyd J. Austin, i cili ka ardhur mu për këtë takim për të diskutuar gjitha çështjet edhe situatat të cilat janë duke ndodhur tani për tani sa i përket anës së sigurisë në botë, raportoi në një lidhje të drejtpërdrejt nga Brukseli, gazetarja e ATV-së, Flaka Vitaku.

    Pak minuta më parë edhe u mbajt një takim me të gjithë ministrat e Mbrojtjes në vendeve aleate të NATO-s, por gjithashtu në mënyrën virtuale u lidh në këtë takim edhe ministri i Mbrojtjes së Izraelit, i cili edhe për nga afër iu paraqiti gjitha informacionet e fundit se çfarë po ndodh në Izrael.

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e dënoi të gjithë këtë sulm që iu bë Izraelit dhe të gjitha shtetet aleate të NATO-s janë duke e dënuar këtë sulm terroristë, duke thënë se Izraeli ka të drejtën ta mbrojë vendin e tyre. Stoltenberg shtoi në këtë takim se Izraeli nuk është vetëm.

    Në mbledhjen e sotme të ministrave të vendeve aleate të NATO-s, gjatë ditës do të diskutohet edhe mbështetja për Ukrainën. /atvlive.tv

  • E konfirmuar: Ministrat e NATO-s sot do të diskutojnë edhe për Kosovën

    E konfirmuar: Ministrat e NATO-s sot do të diskutojnë edhe për Kosovën

    Në selinë e NATO-s në Bruksel, sot është duke u zhvilluar dita e dytë e takimeve të të gjithë ministrave të Mbrojtjes të Vendeve anëtare të NATO-s.

    Në takimin e mbajtur në orët e hershme të mëngjesit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se gjatë ditës së sotme do të diskutohet edhe për Kosovë, raportoi në një lidhje të drejtpërdrejt nga Brukseli, gazetarja e ATV-së, Flaka Vitaku.

    Temë e diskutimit do të jetë siguria në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor, më specifikisht për sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator., ku është parë e arsyeshme që të rritet numri i pjesëtareve të misionit të NATO-s në Kosovë. /atvlive.tv

  • Netanyahu: Çdo anëtar i Hamasit është njeri i vdekur

    Netanyahu: Çdo anëtar i Hamasit është njeri i vdekur

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se çdo anëtar i Hamasit është “njeri i vdekur”, pas takimit të tij të parë me anëtarët e kabinetit të qeverisë së formuar mbrëmë, raporton BBC.

    Netanyahu pranoi që formojë qeverinë e luftës me ish-ministrin e Mbrojtjes, Benny Gantz. Ata vendosën të lënë anash mosmarrëveshjes dhe rivalitetin politik.

    Benny Gantz tha se tani “është koha për luftë” dhe porositi qytetarët izraelitë se qeveria e re e formuar mbrëmë është e “bashkuar” dhe e “gatshme” të heq nga faqja e dheut Hamasin.

    E rivali kryesor nga opozita Yair Lapid akoma nuk i është bashkuar qeverisë së luftës, por Netanyahu dhe Gantz në një kumtesë të përbashkët njoftuan se është rezervuar një vend edhe për të, përcjell Telegrafi.

  • Qeveria aprovon kërkesën e Telekomit për huamarrjen 15 milionë euroshe

    Qeveria aprovon kërkesën e Telekomit për huamarrjen 15 milionë euroshe

    Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka aprovuar në parim kërkesën e Telekomit për huamarrje prej 15 milionë eurosh për projekte investive në këtë ndërmarrje, transmeton Reporteri.net.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ministria ka shqyrtuar kërkesën e Telekomit e cila fillimisht ka qenë 20 milionë euro.

    “Kjo kredi do të shërbejë për investime në pajisje dhe sisteme telekomunikuese dhe përmirësimin e shërbimeve nga Telekomi”, ka thënë ai duke shtuar se Telekomi ka pasur nevojë për këtë kredi shtesë.

    Qeveria në mbledhjen e së enjtes ka shtyrë disa projektligje të cilat ishin të planifikuara për këtë vit për shkak të numrit të madh të tyre.

    Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për bashkëpunim ndërkomunal, ai për planifikim hapësinor, për harmonizim të ligjeve të veçanta me Ligjin për inspektimet dhe ai për harmonizimin e ligjeve të veçanta me Ligjin për leje dhe licenca, janë projektligjet që u shtynë për vitin e ardhshëm.

    Telekomi i Kosovës është kompani publike, e transformuar në shoqëri aksionare.

    Qeveria e Kosovës është pronare e të gjitha aksioneve të Telekomit.

    Deri në vitin 2015, kjo ka qenë kompania më fitimprurëse në vend.

    Nga viti 2008 deri më 2015, ajo i ka paguar Qeverisë së Kosovës mbi 250 milionë euro dividenda – mjete që ndahen kur kompania shënon rezultate të mira financiare.

    Por, viteve më pas, është përballur me përkeqësim të situatës financiare.

    Kjo, sipas ekspertëve të telekomunikacionit, ka ndodhur si pasojë e kontratave të dëmshme, vendimmarrjes së gabuar, mungesës së investimeve, ndërhyrjes së politikës në vendimmarrje strategjike të kompanisë dhe nepotizmit.