ATV

Author: ATVLive

  • Rama: Kosova ia bëri kurthin vetës, dramatike nëse e humbasin liberalizimin

    Rama: Kosova ia bëri kurthin vetës, dramatike nëse e humbasin liberalizimin

    Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në konferencën me presidentin francez Emmanuel Macron, tha se Shqipëria do të mbështesë një proces europianizimi me vepra dhe jo me fjalë.

    Gjatë këtij komunikimi, kryeministri Rama teksa u ndal tek konflikti Kosovë-Serbi, tha se Kosova ka në tavolinë planin franko-gjerman, të cilin sipas tij nuk duhet ta refuzojë.

    “Ne mund të flasim për kapituj, por BE është shumë i ndjeshëm. Në vlerësimin e kësaj maturie Europiane të të gjitha vendeve tona dhe këtu hyn krahasimi me të gjitha gjeneratat e ndryshme. Unë dua të sjell këtu u pautorizuar, një fjalë të thënë nga kryeministri i Holandëz. ‘Mos harroni që një kompromos më shumë se çfarë do fitosh është se çfarë nuk duhet të humbasësh. Dhe nëse bëjmë një llogari të gjërave për t’u humbur nga shqiptarët në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut apo Kosovë është me një kosto shumë më të lartë se sa llogaria e atyre që duan të fitojnë duke i marrë këto që i kemi si të mirëqena. Unë mund të them që shqiptarët janë në ditën e tyre më të mirë. Sot flamuri shqiptar është krah për krah, sot gjuha shqipe është gjuhë zyrtare e Maqedonisë së Veriut dhe të gjitha vendimet merren me dy gjuhë”, deklaroi Rama.

    “Sot Kosova është futur vetë në një kurth që ia ka bërë vetes, por nuk ka qenë kurrë më mirë. Por do të ishte dramatike të humbiste një të drejtë për të lëvizur lirisht në BE. Ndërkohë të dyja palët kanë në tavolinë planin franko-gjerman që është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës. Unë dua të përsëris që presidenti Klinton kur ishte këtu në verë, më thuaji miqve në Prishtinë se si i ndodhi Palestinës, që kjo sot nuk kishte ndodhur. Tha në verë, ‘shiko ku është Palestina”. Por kjo marrëveshje që është sot në tavolinë , nëse nuk e firmos nuk kthehet më. Por unë them sot që është një vend që nuk është shkatërruar nga Izraeli, por nga një grup pengmarrësish. Unë jam i bindur që e mira e madhe e Kosovës është jo që të ulet në tavolinë, por të firmosë të gjithë marrëveshjen edhe sikur Serbia të mos e dojë kurrë, dhe më pas t’ja lërë në dorë BE. Sepse e bën për veten e vet, paqja bëhet për vete, ajo bëhet me armikun nuk bëhet me mikun. Nuk mund të flasësh në telefon me mikun që t’i thotë armikut”.

    “Kosova ka në krah të gjithë çlirimtarët dhe njohësit e saj dhe që të mbytet me një lugë ujë, se çfarë thotë apo apo presidenti i Serbisë, por duhet të sillet drejt rrugës Europiane. Këto janë mundësi themeltare për ta çuar përpara procesin e paqes, për mua as që nuk diskutohet që Shqipëria do të mbajë flamurin e paqes, dialogut pa u kapur se çfarë bëri ai tjetri. Më rrënqethet mishi kur mendoj që mund të ketë një ndalim të procesit të liberalimizit të vizave. Të gjitha ato që ndodhën në veri të Kosovës janë të papranueshme, zija kombëtare në Beograd ishte një skandal europian, por kjo nuk mund të jetë një arsye për të frenuar procesin”, tha ai.

  • Specialja e konfirmon lirimin me kusht të Hysni Gucatit

    Specialja e konfirmon lirimin me kusht të Hysni Gucatit

    Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës Ekaterina Trendafilova, vendosi të modifikojë dënimin e Hysni Gucati për lirimin e tij më 18 tetor me kushtet e përcaktuara në vendim.

    Këto kushte do të jenë në fuqi gjatë pjesës së mbetur të dënimit të dhënë nga Paneli i Gjykatës së Apelit, konkretisht për pjesën e mbetur të dënimit me katër vjet e tre muaj.

    Vendimi i plotë:

    Për marrjen e vendimit, Kryetarja u këshillua me gjykatësit e paneleve që dhanë dënimin sikurse parashihet në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”), mori parasysh faktorët e rregullës 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe Provave si dhe mbajti seancë me Gucati.

    Kryetarja mori parasysh se megjithëse veprat penale për të cilat z. Gucati u dënua janë padyshim të rënda, duke marrë parasysh efektin mjaft negativ të zbulimit të informacionit konfidencial mbi dëshmitarë (të mundshëm), ishin disa faktorë që peshuan në favor të modifikimit të dënimit të tij.

    Vlen të theksohet, se Kryetarja konstatoi se z. Gucatit pati mundësi të reflektonte për veprimet e veta gjatë mbajtjes së tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së dhe se sjellja e tij kishte ndryshuar me kalimin e kohës.

    Kryetarja theksoi shprehjet e pendesës së z. Gucati, në veçanti, veçanërisht faljen, gjatë seancës gojore, që
    ai shprehimisht u kërkoi të gjithë atyre që mund të ishin ndier të kërcënuar nga veprimet e ti. Gjithashtu
    Kryetarja, vuri në dukje zotimin e vendosur të z. Gucati se nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij. Kryetarja theksoi se në qoftë se z. Gucati nuk përmbush cilindo prej kushteve të përcaktuara në vendim, atëherë vendimi do të anulohet.

    Vendimi i Kryetares, i cili është vendimi i parë në lidhje me ulje, modifikim ose ndryshim të vendimit, mund të lexohet këtu në faqen e DHSK-së në internet.

    Procedura për ulje, modifikim ose ndryshim të vendimit sikurse parashihet në nenin 51(2) të Ligjit është
    procedurë individuale. Kur personi I dënuar ka vuajtur dy të tretat e dënimit, ai ose ajo plotëson kriterin për shqyrtim për ulje, modifikim ose ndryshim të dënimit, por nuk ka të drejtë që dënimi t’i ulet, modifikohet ose ndryshohet.

  • Nis edicioni i 25-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove “Skampa” në Elbasan

    Nis edicioni i 25-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove “Skampa” në Elbasan

    16 trupa teatrore nga trojet shqiptare dhe jo vetëm, janë bërë bashkë në Elbasan duke nisur kështu edicionin e 25-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove ‘Skampa 23’.

    Drejtori i festivalit, regjisori Adonis Filipi, u shpreh se koncepti i këtij organizimi katër ditor, është i larmishëm ndërsa i shërben promovimit të kulturës teatrale jo vetëm në kufijtë kombëtarë por edhe rajonalë e botërorë.

    “Trupat vijnë nga Italia, Spanja, Franca, Kazakistani, Polonia. Ka edhe trupa shqiptare me një larmi stilesh dhe formash teatrale që i shërbejnë promovimit të kulturës sonë. 25 vite rrugëtim kanë një domethënie shumë të madhe për suksesin dhe rëndësinë e këtij festivali”, theksoi Filipi.

    Organizatorët gjithashtu theksojnë se festivali ndërkombëtar i teatrove ka shërbyer si një laborator i mirëfilltë për plejadën e artistëve të rinj ndërsa paralelisht ka edukuar spektatorin përmes artit.

    Duke nënvizuar vlerat që kanë përcjellë në rrugëtimin e tyre 25-vjeçar, ata kërkojnë që të mbështeten nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë. /Konica.al/

  • Osmani: Më kërcënuan për dekretimin e Isufajt, më thanë ‘do t’i lidhim duart’

    Osmani: Më kërcënuan për dekretimin e Isufajt, më thanë ‘do t’i lidhim duart’

    Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se është përballur me kërcënime dhe shantazhe për dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Blerim Isufaj.

    Në një konferencë për media të martën, në të cilën njoftoi se ka refuzuar ta dekretojë Kryeprokurorin e ri të Shtetit, presidentja Osmani tha se është kërcënuar nga njerëz ‘të sistemit të drejtësisë’.

    “Ka qenë presion i paligjshëm dhe jokushtetues dhe në kundërshtim me çdo praktikë të mëhershme të komunikimit ndërpresonal. Në anën tjetër, unë mund të them se ka pasur presione nga njerëz që dërgonin mesazhe: ‘do të të ngrisim aktakuzë’, ‘do të bëjmë dosje’, ‘do të t’i lidhim duart’”, tha Osmani.

    “Është shqetësuese kur zyrtarë të institucioneve tona të drejtësisë mendojnë se mund ta kërcënojnë kreun e shtetit. Në një vend demokratik, këta që mendojnë se mund ta kërcënojnë kreun e shtetit do të dilnin jashtë sistemit”, tha ajo.

    Osmani tha se asnjëherë më parë, prej kohës kur ndodhet në politikë, nuk ka publikuar pretendime të tilla në publik.

    “Nga viti 1999, jam në politikë dhe asnjëherë nuk kam dal në publik ta them që kam presion dhe jam kërcënuar. Duhet të jeni të sigurt se unë nuk dal e të them gjëra të tilla, pa qenë e bindur në atë çfarë them”, tha presidentja.

  • Policia: Qytetarët në veri kërkojnë vazhdimin e afatit për targat

    Policia: Qytetarët në veri kërkojnë vazhdimin e afatit për targat

    Drejtoria e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut ia ka përcjellë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës kërkesën e qytetarëve për shtyrjen e afatit për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe në ato kosovare.

    Kështu ka thënë për Radion Evropa e Lirë, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, duke theksuar se me këtë kërkesë u janë drejtuar qindra qytetarë.

    “Pres që shpejt të marrim përgjigje nga MPB-ja. Presim një përgjigje pozitive”, ka thënë Elshani.

    Bëhet fjalë për riregjistrimin e automjeteve me targa të lëshuara nga autoritetet serbe me akronimet e qyteteve të Kosovës, si KM (Kosovska Mitrovica), GL (Gjilan), PR (Prishtina) e kështu me radhë.

    Çështja e targave ishte ajo që shkaktoi një sërë krizash në veri të Kosovës.

    Fillimisht, më 31 korrik të vitit të kaluar u ngritën barrikada për shkak të kësaj çështjeje. Më pas, në nëntor, serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri për shkak se ishte suspenduar drejtori i Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi ta zbatonte vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa RKS.

    Plani i Qeverisë së Kosovës i tetorit të vitit të kaluar parashihte që nga 21 prilli 2023 të lejohet qarkullimi i automjeteve vetëm me targa RKS.

    Veton Elshani ka sqaruar se Policia e Kosovës nuk ka shqiptuar gjoba për qytetarët pas skadimit të afatit për riregjistrim për shkak se ka qenë “çështje politike”, dhe rikujton se procesi i riregjistrimit është pezulluar.

    “Tani e kemi përsëritur kërkesën, nëse ka mundësi të përsëritet (procesi i riregjistrimit)”, shton ai.

    Më 23 nëntor 2022, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve,Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për targat, të cilat lëshohen nga autoritetet serbe për qytetet në Kosovë.

    Sipas asaj marrëveshjeje, Serbia pranoi të mos lëshonte targa të reja dhe Kosova hoqi dorë nga plani i riregjistrimit, i cili parashikonte afate specifike, paralajmërime dhe gjoba.

    Megjithatë, të dy palët më vonë e interpretuan ndryshe këtë marrëveshje.

    Më 6 dhjetor 2022, Qeveria e Serbisë miratoi një dekret, në bazë të të cilit automjetet me targa KM lejohen të lëvizin pa etiketë regjistrimi, përkatësisht atyre u duhet vetëm t’u tregojnë zyrtarëve një policë sigurimi dhe një certifikatë kontrolli teknik.

    Prishtina zyrtare e interpretoi këtë hap të Beogradit si rinovim të regjistrimit me arsyetimin se bie ndesh me Marrëveshjen e Brukselit. Kështu, autoritetet e Kosovës ndaluan lëvizjen e automjeteve me targa KM në veri, të cilat ishin regjistruar pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në nëntor të vitit 2022. /rel

  • Osmani nuk e dekreton Isufajn: Procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit pati shumë parregullsi

    Osmani nuk e dekreton Isufajn: Procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit pati shumë parregullsi

    Presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media ka deklaruar se nuk do ta dekretojë për kryeprokuror, Blerim Isufajn.

    Osmani tha se ka gjetur shkelje procedurale të cilat janë cilësuar edhe nga raporti i BE-së si mungesë transparence për zgjedhjen e kryeprokurorit.

    “Bazuar në frymën dhe shkronjën e Kushtetutës sonë, të argumentuar nga aktgjykimet e shumta të Gjykatës Kushtetuese, konsideroj se nuk mund të kemi funksionim kushtetues të institucioneve nëse një proces nuk zhvillohet mbi respektimin e procedurave kushtetuese dhe ligjore”, tha Osmani.

    Presidentja theksoi se procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit është cilësuar si i parregullt, diskriminues, i orkestruar, i kundërligjshëm nga të gjithë vëzhguesit e procesit, si nga organizatat vendore, ashtu edhe nga shumë prej partnerëve ndërkombëtar.

  • Kryetari i Odës Ekonomike të Ankarasë kërkon të rrite bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve

    Kryetari i Odës Ekonomike të Ankarasë kërkon të rrite bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve

    Grupi i Miqësisë Kosovë-Turqi i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka pritur në takim përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Ankarasë, raporton EO.

    Me këtë rast kryetari i Odës Ekonomike të Ankarasë, Gurse Baran, u shpreh falënderues për mikpritjen, duke shtuar se të dy popujt kanë afërsi miqësore.

    Por ai ka kërkuar që të rritet bashkëpunimi ekonomik ndërmjet të dy vendeve, në mënyrë që siç tha të rritet vëllimi tregtar.

    “Para një viti shoku jonë Enisi na ka vizituar dhe na ka ftuar që të vijmë në Kosovë. Kemi pasur një udhëtim të mbushur me emocione duke dëgjuar për historinë e Kosovës. Unë jam kryetar i Odës Tregtare të Ankarasë, dhe kemi mbi 160 mijë anëtarë në Turqi”.

    “Si Oda më e madhe e dyta në Turqi erdhëm që të shohim mundësi me rrit bashkëpunimin që vëllimi tregtar të rritet sa më shumë. Dy popujt që e duan njëri-tjetrin dhe e kanë afërsi miqësore, duhet që të ngritet bashkëpunimi edhe në nivel më të larta. Edhe presidenti jonë edhe populli jonë e ka një afërsi ndaj jush”.

    Enis Kervan, anëtarë i Grupit të Miqësisë Kosovë-Turqi, tha se vizita e Odës ka për qëllim që të shikohen mundësit e investimit, raporton EO.

    “Ne kemi pasur takime në Turqi, kemi pasur takime edhe me Odën e cila është si grupi i dytë i fuqishëm. Prandaj edhe i kemi ftuar në takim, sepse duhet të shikojmë se ku mund të investohet në Kosovë. Do të kenë takime dhe në nivelin e lartë shtetëror dhe do të analizojnë investimet në Kosovë”.

  • ​Peja e gatshme për FIBA Europe Cup

    ​Peja e gatshme për FIBA Europe Cup

    Kampionia e Kosovës, Peja do të fillojë nesër (e mërkurë) garat në grupet e FIBA Europe Cup.

    Pejanët janë mysafirë të skuadrës së njohur gjermane, NINERS Chemnitz.

    Takimi në Gjermani do të zhvillohet nga ora 19:00 dhe shihet si shumë i vështirë për verdhezinjtë, megjithatë, kampionët e Kosovës dhe liderët e Superligës synojnë paraqitje sa më të mirë, ndërsa kanë ftuar bashkëkombësit për përkrahje sa më të madhe.

    Në Grupin H marrin pjesë Heroes Den Bosch nga Holanda dhe Spojnia Stargard nga Polonia.

    Në edicionin 2016-17, Peja gjithashtu kishte garuar në grupet e FIBA Europe Cup.

    Në këtë edicion edhe Trepça do të garojë në grupet e FIBA Europe, megjithatë sfida e parë e mitrovicasve është pezulluar kundër Hapoel Galil Elion, për shkak të situatës në Izrael.

  • I dërguari britanik: Sulmi në Kosovë incident shumë serioz

    I dërguari britanik: Sulmi në Kosovë incident shumë serioz

    I dërguari i posaçëm i Kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se Britania e Madhe e dënon sulmin e grupit të armatosur serb në pjesën veriore të Kosovës më 24 shtator si një incident shumë serioz dhe kërkon hetime të plota për të përcaktuar përgjegjësinë. Ai tha se lufta e Rusisë në Ukrainë ka ngjallur kujtimet e së kaluarës dhe ka shtuar tensionet në Ballkan dhe se Londra mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që të çojë në një formë normalizimi sa më shpejt.

    Ai thekson se qëndrimi i Britanisë së Madhe nuk është krijimi i një Republikës Serbe tjetër në Kosovë, por i një asociacioni që merr parasysh interesat e të gjitha palëve dhe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

    Zëri i Amerikës: Lordi Peach, cili është vlerësimi juaj për atë që ndodhi në Kosovë më 24 shtator?

    Stuart Peach: Ishte një incident shumë serioz, të cilin vazhdojmë jo vetëm ta dënojmë, por të bëjmë thirrje për një hetim të mirëfilltë dhe të vërtetë policor. Ende po mundohemi të zbulojmë faktet.

    Zëri i Amerikës: Autoritetet në Kosovë thonë se ka dëshmi shtesë, përfshirë gjetjen e një sasie të mëdhe armësh këtë javë në pjesën veriore të Kosovës, që provojnë se qëllimi i sulmit ishte aneksimi i territoreve nga Beogradi. A mund të ndodhte një sulm i tillë pa njohurinë dhe përkrahjen e Beogradit?

    Stuart Peach: Natyrisht, gjeografia dihet mirë dhe gjeografikisht këto dyja vende janë afër. Nga përvoja ime ka nevojë të vërtetë për siguri të kufirit dhe ka nevojë për kontrolle të rregullta policore nga dyja anët e atij kufirit. Ata që kryen sulmin ndaj paqeruajtësve të NATO-s në muajin maj dhe sulmin që shkaktoi humbje të jetëve të njerëzve më 24 shtator duhen mbajtur përgjegjës. Përvoja jonë e gjatë nëpër vende të ndryshme të botës na mëson që policisë duhet t’i jepet përparësi. I nxisim të gjithë të ulin retorikën dhe të përqëndrohen në hetime të mirëfilltë për të përcaktuar faktet.

    Zëri i Amerikës: Megjithatë, a do të ishte e mundur të ndodhte një sulm i kësaj shkalle, pa përkrahjen e Beogradit, sipas jush?

    Stuart Peach: Ende nuk e dimë pa u zbardhur faktet shkallën e përkrahjes së Beogradit, siç po e quani ju. Andaj nuk dua të spekuloj përderisa të mos kemi më shumë informacion. Por, nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, është e rëndësishme të mundohemi të nxisim nevojën për dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Zëri i Amerikës: Shumë vëzhgues kanë thënë se dialogu nuk ka më kuptim. Pas këtij incidenti a mund të vazhdohet me dialog sikur nuk ka ndodhur asgjë?

    Stuart Peach: “Të vazhdohet sikur mos të ketë ndodhur gjë” mund të jetë frazë e ngarkuar në aspektin retorik. Dua të them se mes shteteve nuk ka kurrë arsye që të mos bisedohet. Natyrisht, ka gjendje lufte dhe gjendje konflikti dhe situate e tanishme mes Kosovës dhe Serbisë nuk është asnjëra prej tyre. Nuk ka asnjë arsye që Kosova dhe Serbia të mos të flasin me njëra-tjetrën në një dialog, që ne e mbështesim.

    Zëri i Amerikës: Duke pasur parasysh ngjarjet në Lindjen e Mesme, a mendoni se sulmi i grupit të armatosur serb në pjesën veriore të Kosovës, është një rast tjetër aktorësh keqdashës, që krijojnë konflikt, apo i lidhur me kontekstin më të gjerë të luftës në Ukrainë?

    Stuart Peach: Është pyetje shumë komplekse. Nuk mendoj se ka një lidhje në shikim të parë ndërmjet ngjarjeve në Lindje të Mesme, që përbëjnë një tragjedi për të gjitha palët e përfshira dhe situatës në Kosovë dhe ndërmjet Kosovës e Serbisë. Por, do të them se që kur Presidenti Putin filloi luftën e jashtëligjshme kundër Ukrainë në shkurt të vitit 2022, nuk ka dyshim se në Gadishullin Ballkanik kujtimet janë ngjallur dhe ka më shumë tensione. Dhe kjo është për shkak të natyrës së asaj që ka ndodhur dhe mënyrës se si lufta në Ukrainë është zhvilluar. Por, duhet po ashtu të jemi të qartë si brenda bashkësisë ndërkombëtare dhe ndër miq, se duhet të vazhdojmë të bisedojmë me miqtë në rajon, me të gjithë dhe të inkurajojmë dialogun në rajon.

    Zëri i Amerikës: Për momentin ndodheni në Tiranë për takimin e Procesit të Berlinit. Sipas Presidentit Vuçiç, ju dhe të dërguarit e tjerë për Ballkanin, do të shkoni gjatë javës në Beograd dhe Prishtinë. Cila është aryseja e vizitës dhe çfarë do t’u kërkoni udhëheqësve në dyja vendet?

    Stuart Peach: Unë nuk planifikoj të jem pjesë e asaj vizite për të cilin u bë njoftimi. Unë kryej vizita sipas planit tim, si i dërguari i posaçëm i kryeministrit britanik për rajonin. Por, ajo që është e rëndësishme ta them është se Britania e Madhe vazhdon të mbështesë dialogun, dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe vazhdon ta mbështesë me të gjitha burimet që kemi në dispozicion, që kryesisht janë burime të mbrojtjes dhe sigurisë, nëpër tërë rajonin, për t’u siguruar që dialogu të vazhdojë dhe të përpiqemi të arrijmë një formë normalizimi sa më parë që të mundemi. Nuk duam që konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës të bëhet shkas për konflikte të tjera. Nuk e duam një gjë të tillë. Andaj Britania e Madhe vazhdon që, qetësisht, me autoritet dhe përmes veprimeve të mia në emër të qeverisë time, të vazhdojmë të flasim me udhëheqësit dhe mbështesim dialogun nëpër tërë rajonin.

    Zëri i Amerikës: Qeveria juaj, krahas qeverive të tjera perëndimore, ka inkurajuar autoritetet në Kosovës, para këtij sulmi, të punojnë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. A është ky ende qëndrimi juaj dhe cili është vizioni juaj se si duhet vazhduar tutje?

    Stuart Peach: Ne mbështesim dialogun, por ne nuk do të ulemi dhe ta hartojmë dialogun. Nuk na përket ne të themi se çfarë forme duhet të marrë ai. Por, kjo është çështje e pazgjidhur prej kohësh dhe qëndrimi ynë parimor është se, asociacioni nuk është – dhe po e përsëris nuk është – krijimi i një Republika Srpska të dytë. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe duhet të marrë parasysh interesat e të gjitha palëve. Do të vazhdojmë ta mbështesim dialogun dhe procesin që çon drejt normalizimit, që është synimi madhor.

    Zëri i Amerikës: Dhe vizioni juaj për rrugën përpara. A duhet ndryshuar ndonjë aspekt, të përshpejtohet?

    Stuart Peach: Pjesa qenësore e vizionit tonë është të mbështesim ata që do të jenë përgjegjës të hartojnë statutin e asociacionit dhe punën që ata po bëjnë qysh tani. Vazhdojmë ta mbështesim këtë përpjekje përmes procesit të Berlinit, që është një nismë e veçantë, por të gjithë janë të pranishëm, e mbështesim përmes pranisë tonë në NATO dhe përmes marrëdhënieve tona të gjithanshme në tërë Ballkanin në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë.

    Mesazhi im për palët do të ishte që për shkak të të gjitha konflikteve që kanë shpërthyer në botë, tani është koha për dialog, tani është koha të mos shikojmë vazhdimisht në të kaluarën, por të shohim drejt së ardhmes. Ballkani meritojnë të ardhme më të ndritshme./VOA

  • ​BE e konfirmon vizitën e pesëshes në Kosovë dhe Serbi – kërkon përparim konkret

    ​BE e konfirmon vizitën e pesëshes në Kosovë dhe Serbi – kërkon përparim konkret

    Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, ka konfirmuar të martën se përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirolslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të udhëtojnë të shtunën, më 21 tetor në Kosovë dhe Serbi, për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Krahas Lajçakut në këtë vizitë do të jenë edhe Emanuel Bonne, këshilltar për siguri dhe politikë të jashtme i presidentit të Francës , ai i kancelarit gjerman, Jens Plotner, dhe i kryeministres së Italisë, Francesco Talo. Me ta do të jetë në delegacion edhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    “Qëllimi i kësaj vizite është për të arritur përparim konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtensionimin pas zhvillimeve të fundit”, ka thënë zëdhënësi Peter Stano.

    “BE-ja dhe vendet anëtare, sikurse edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbesin mbështetëse të mëdha të procesit të normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe së ardhmes evropiane të të gjithë rajonit. Kemi pritje të qarta nga palët që të vazhdojnë procesin e normalizimit dhe të kryejnë pa vonesa dhe pa kushte obligimet e tyre”, ka thënë Stano.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishin takuar për herë të fundit në një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, më 14 shtator. Në atë takim ata kishin dështuar që të pajtoheshin për një plan për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjeve. Për këtë, BE-ja ia kishte lënë përgjegjësinë palës kosovare, ndonëse kishte thënë se të dyja palët kanë dështuar në përmbushjen e obligimeve nga marrëveshja e arritur në dialog./REL/