ATV

Author: ATVLive

  • “Më të forta se frika”, një tjetër aktivitet për parandalimin e kancerit të gjirit

    “Më të forta se frika”, një tjetër aktivitet për parandalimin e kancerit të gjirit

    Përgatiti: Sara Shehu

    “Më të forta se frika” është motoja e organizimit të radhës, në kuadër të aktiviteteve sensibilizuese për parandalimin dhe luftimin e kancerit të gjirit.

    Drejtoresha e organizatës “Have Hope Kosova” tha se mbetet ende shqetësues fakti që gratë interesohen për mamografi vetëm gjatë muajit tetor.

    “Realisht gratë interesohen më shumë për mamografi gjatë muajit rozë, por ne fushata vetëdijesuese kemi bërë e vazhdojmë të bëjmë në të gjithë muajt, për rritjen e vetëdijesimit që gratë t’i kushtojnë vëmendje më shumë kontrolleve të mjekut, sesa një grimi në përditshmëri, andaj interesimi duhet të rritet edhe muajve të tjerë”, tha Arnisa Osmani nga OJQ “Have Hope Kosova”.

    Ndërsa, duke bërë thirrje për kujdes, anëtarja e bordit të kësaj organizate, Saranda Bujupi-Ramaj, tha se këtë vit aktiviteti është organizuar për gratë që vdiqën nga kanceri në gji.

    “Ne mendojmë për përkrahjen e grave me kancer, por këtë vit po i kujtojmë më shumë edhe ato gra që vdiqën nga kjo sëmundje. Mbështesim gratë të cilat po luftojnë, u bëjmë thirrje pa masë që të mos anashkalohen kontrollet”, tha Saranda Bujupi-Ramaj, anëtare e OJQ “Have Hope Kosova”.

    Derisa në Klinikën e Onkologjisë në QKU, për shtatë muaj janë regjistruar mbi 270 raste me kancer të gjirit, nga 1 tetori, institucionet e vendit dhe organizata të ndryshme joqeveritare, kanë realizuar aktivitete të ndryshme vetëdijesuese për këtë sëmundje.

  • “Bistro X21, kafeneja ku do të punojnë persona me nevoja të veçanta

    “Bistro X21, kafeneja ku do të punojnë persona me nevoja të veçanta

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Po e përgatit kafenë e parë.

    Por, këtë punë Qëndresa do ta bëjë edhe ditëve në vazhdim, në kafenenë e cila u hap në qendrën e Down Syndrome Kosova në Mitrovicë.

    “Unë jam shankiste këtu, do të përgatis kafe. Jam shumë e lumtur”, tha Qëndresa Sylejmani, anëtare në DSK në Mitrovicë.

    Bashkë me Qëndresën do të punojë edhe shoku i saj me down syndrom, Gentrit Ahmeti.

    “Unë do të punoj si kamerier. Kam me shërbye pije, ushqim…”, tha Gentrit Ahmeti, anëtar në DSK në Mitrovicë.

    Hapja e lokalit dhe punësimi i personave me Down Syndrom po vlerësohet pozitive për këtë kategori të shoqërisë.

    “Kjo do t’iu shërbejë atyre për t’u pavarësuar….”, tha kryetarja e DSK-së, Sebahate Hajdini.

    Qendra down syndrom Kosova në Mitrovicë, numëron rreth 100 anëtarë.

  • Hoxha: Luftrat nuk i fitojnë ata që kanë më shumë armatim, por ata që luftojnë për kauzë të drejtë

    Hoxha: Luftrat nuk i fitojnë ata që kanë më shumë armatim, por ata që luftojnë për kauzë të drejtë

    Sot bëhet një muaj nga sulmi terrorist serb ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku humbi jetën heroi i Kosovës, rreshteri Afrim Bunjaku.

    Radio Televizioni ATV ka realizuar një dokumentar ekskluziv të titulluar “Dritëhijet e 24 shtatorit”, përmes të cilit ka vënë në dritë detaje të padëgjuara deri më tani lidhur me këtë ngjarje.

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në këtë dokumentar flet për vazhdimin e betejës deri në largimin e sulmuesve, për çka thotë se i gjithë operacioni ishte i koordinuar me KFOR-in dhe EULX-in.

    Ai tutje se Policia e Kosovës lufton për një kauzë të drejtë.

    “Të gjitha informacionet ua kemi përcjellë KFOR-it pashtu edhe shefit të misionit EULEX, gjeneralit Barbano (Giovanni Pietro Barbano) Ka qenë koordinim i mirë. Gjithë operacioni është kry nga planifikimi, ekzekutimi nga Policia e Kosovës. Luftat dhe betejat nuk i fitojnë ata që kanë më shumë armatim. Por, ata të cilët luftojnë për kauzë të drejtë dhe njëkohësisht kanë zemër gjatë luftimeve”, u shpreh Hoxha./atvlive.tv/

    Për më shumë detaje se çfarë ndodhi në orët e hershme të 24 shtatorit, ndiqni dokumentarin e plotë në videon e mëposhtme:

  • “Jemi të gatshëm për t’u ballafaqu me çfarëdo sulmi, Kosovës do t’i garantojmë siguri qoftë edhe me jetën tonë”

    “Jemi të gatshëm për t’u ballafaqu me çfarëdo sulmi, Kosovës do t’i garantojmë siguri qoftë edhe me jetën tonë”

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në dokumentarin “Dritëhijet e 24 shtatorit” në ATV, derisa ka vlerësuar lartë aktin heroik të rreshterit Afrim Bunjaku në sulmin terrorist në Banjskë, thotë se janë të përgatitur që t’i përgjigjen çfarëdo lloj sulmi.

    “Ne jemi të gatshëm për t’u ballafaqu me çfarëdo sulmi, si të kësaj natyre, por edhe tjera. A mund të ketë pasoja, edhe mund të ketë. Por ne jemi të përkushtum si Polici e Kosovës që t’i garantojmë Kosovës siguri, qoftë edhe me jetën tone”, thotë ai. /atvlive.tv

    Për më shumë detaje se çfarë ndodhi në orët e hershme të 24 shtatorit, ndiqni dokumentarin e plotë në videon e mëposhtme:

  • “Nuk është zgjedhur rastësisht Manastiri”, Qalaj zbulon planin e terroristëve për sulmin në Banjskë

    “Nuk është zgjedhur rastësisht Manastiri”, Qalaj zbulon planin e terroristëve për sulmin në Banjskë

    Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në dokumentarin “Dritëhijet e 24 shtatorit” në ATV, ka zbuluar se plani i terroristëve ishte vrasja e pelegrinëve, për të fajësuar pastaj institucionet e Kosovës.

    “Nuk është zgjedhur rastësisht Manastiri. Aty atë ditë ka pasur shumë pelegrinë që kanë ardhë në Kosovë.. Është teori e imja, që kanë pasur plan t’i vrasin një numër të pelegrinëve dhe punonjësve dhe pastaj ti fajësojnë institucionet e Kosovës. Dhe çka mund të presësh nga kriminelët – vetëm viktima”, tha ai.

    Ai thotë se nuk e beson asnjëherë që Serbia mund ta aneksojë Veriun.

    “Kosova ka institucionet e sigurisë. Mos të harrojmë partnerët EULEX-in dhe KFOR-in sidomos. Mirëpo mos të harrojmë që është edhe FSK-ja dhe mbi të gjitha – populli i Kosovës, dhe kurrë Policia nuk do të ishte vetëm”, vlerëson Qalaj. /atvlive.tv

    Për më shumë detaje se çfarë ndodhi në orët e hershme të 24 shtatorit, ndiqni dokumentarin e plotë në videon e mëposhtme:

  • Qalaj për operacionin e 24 shtatorit: Ka qenë meritë e Afrim Bunjakut dhe e policëve që u ballafaquan me terroristët

    Qalaj për operacionin e 24 shtatorit: Ka qenë meritë e Afrim Bunjakut dhe e policëve që u ballafaquan me terroristët

    Radio Televizioni ATV ka realizuar një dokumentar ekskluziv të titulluar “Dritëhijet e 24 shtatorit”, përmes të cilit ka vënë në dritë detaje të padëgjuara deri më tani për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

    Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në këtë dokumentar vlerëson se operacioni i 24 shtatorit, ka qenë meritë e heroit Afrim Bunjaku dhe i policëve që u ballafaquan me terroristët për disa orë të tëra.

    “Puna më e madhe, më e guximshme, ajo që për mu ka qenë ngjarja kryesore, ka qenë konfrontimi i policëve të rendit me terroristët serbë, dhe pastaj mbështetja që u është bërë nga Njësiti i Reagimit të Shpejtë të Kufirit. Duhet me e ditë që ata për disa orë i kanë mbajtë luftimet”, thotë Qalaj.

    Ai përmend se ballafaqimi i policëve nuk ka qenë i lehtë, duke pasur parasysh se terroristët kanë qenë të stërvitur.

    “Zolla është armë ushtarake. Dhe në këtë rast grupet paramilitare terroristët të cilët jam I bindur se kanë qenë pjesë e strukturave zyrtare të Serbisë, kanë qenë të stërvitura edhe për përdorimin e këtyre raketave të dorës. Realisht ka qenë fat i madh që nuk janë qëlluar automjetet e Policisë së Kosovës”, tha Qalaj. /atvlive.tv

    Për më shumë detaje se çfarë ndodhi në orët e hershme të 24 shtatorit, ndiqni dokumentarin e plotë në videon e mëposhtme:

  • “Mundet me na vra gjithkush, po me na frikësu askush”, Shala zbulon si i motivonte kolegët heroi Afrim Bunjaku

    “Mundet me na vra gjithkush, po me na frikësu askush”, Shala zbulon si i motivonte kolegët heroi Afrim Bunjaku

    Radio Televizioni ATV ka realizuar një dokumentar ekskluziv të titulluar “Dritëhijet e 24 shtatorit”, përmes të cilit ka vënë në dritë detaje të padëgjuara deri më tani për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, përmes rrëfimit të policit Fahri Shala, i cili mori komandën në natën kritike pas rënies së rreshterit Afrim Bunjaku.

    Shala, në rrëfimin e tij për këtë dokumentar, tregon se sa herë që bënin plane për ndonjë aksion, heroi Afrim Bunjaku i motivonte kolegët me një thënie të cilën e përdorte shpesh.

    “Kur është bërë plani për me pasë aksione, Afrimi e ka pasë gjithmonë një thënie: “Neve mundet me na vra gjithkush, po me na frikësu nuk mundet askush”. Me këtë motiv edhe kemi vazhdu”, rrëfen Shala. /atvlive.tv

    Për më shumë detaje se çfarë ndodhi në orët e hershme të 24 shtatorit, ndiqni dokumentarin e plotë në videon e mëposhtme:

  • “Ishim vra të gjithë, po prapë e kishim tërheqë”, polici Fahri Shala rrëfen se si u bë tërheqja e trupit të heroit Afrim Bunjaku

    “Ishim vra të gjithë, po prapë e kishim tërheqë”, polici Fahri Shala rrëfen se si u bë tërheqja e trupit të heroit Afrim Bunjaku

    Sot bëhet një muaj nga sulmi terrorist serb ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Radio Televizioni ATV ka realizuar një dokumentar ekskluziv të titulluar “Dritëhijet e 24 shtatorit” kushtuar kësaj ngjarje, përmes të cilit ka vënë në dritë detaje të padëgjuara deri më tani, përmes rrëfimit të policit Fahri Shala, i cili mori komandën në natën kritike pas rënies së rreshterit Afrim Bunjaku.

    Ai tregon se pas shpërthimit, kishin një përleshje të armatosur me terroristët, ku këta të fundit kishin përdorur artileri të rëndë.

    “Jam dalë mbrapa kamionit, dhe kom shti në drejtim të tyre, për me parandalu gjuajtjen e tyre. Ata kanë përdorë artileri të rëndë, që është përdorë kundër autoblindave. Ka pasë pushkomitrolez dhe armatim të rëndë. Prej kamionit të parë, menjëherë kam dalë në kamionin e dytë, sepse pati shumë të shtëna në drejtim timin. Edhe Kur dola mbrapa, e kam vërejt rreshterin. Nuk kam dashtë me ba asnjë veprim tjetër, veç me e tërheqë rreshterin. Nuk e kishim lënë kurrë. Kanë mujt me na vra edhe neve, po nuk e kishim lanë aty. Qëllimi kryesor ka qenë me u tërheq rreshteri. Pika e parë tu shpresu që po shpëton, por pika e dytë, edhe me e ditë që ka vdekë, e kishim tërheqë prapë. Ishim vra të gjithë, po prapë e kishim tërheqë”, rrëfen Shala.

    Ai zbulon se kishte bërë një plan për tërheqjen e trupit të rreshterit Afrim Bunjaku, pa i menduar pasojat

    “E kam ba një plan shumë të shpejtë për me mendu qysh me tërheqë dhe mos me pasë pasoja më të mëdha. Më ka shku në mendje me e thy ndriçimin publik. Aty ju kam thanë kolegëve me i gjuajtë (dritat) kush afër. i kemi thy të trija dritat, dhe është bë erresim si për neve, edhe pë rata (sulmuesit). Ata kanë vazhdu me na gjujtë, por nuk kanë mundur ta vërejnë ku po gjuajnë. Më nuk kanë mundur të na marrin në cak. Atëherë kam kërku nga kolegtët, vetura e NJRSH-së (Njësitit të Reagimit të Shpejt), që ka qenë afër tyre, distancë rreth 15 metra. Janë mundu me e ndezë atë veturë. Por ajo është goditë nga predhat, dhe nuk është ndezë dhe ka mbetur në mes të udhëkryqit. Atëherë, kolegu që është mundu me e ndezë veturën, ka njoftu që çelësat janë në veturën tjetër, dhe mundësh me shku me i marrë. Ka vrapu, i ka marrë. Unë e kam ba mbulimin me zjarr, derisa kolegët, e kanë vendosë (Afrimin) në veturë për me u nisë”, rrëfen Shala. /atvlive.tv

    Për më shumë detaje se çfarë ndodhi në orët e hershme të 24 shtatorit, ndiqni dokumentarin e plotë në videon e mëposhtme:

  • Banjska, një muaj pas sulmit

    Banjska, një muaj pas sulmit

    Përgatiti: Nora Luta

    Në mëngjesin e hershëm të 24 shtatorit, në këtë vend, në krye të detyrës u vra rreshteri Afrim Bunjaku e u plagos polici Alban Rashiti, pas të shtënave nga një grup personash të nacionalitetit serb. Ky grup më vonë nga institucionet e Kosovës u quajt terrorist.

    Një muaj pas sulmit edhe dy kamionët e vendosur në hyrje të fshatit, dyshimet pas të cilëve e sollën Policinë aty, janë larguar. Aty, megjithatë, vazhdon të qëndrojë Policia e Kosovës e banorët i janë kthyer normalitetit.

    Policia është e vendosur në disa pika në Banjskë.

    Autoritetet e Kosovës vazhdojnë të thonë se do të kërkojnë ekstradimin e Radojicicit por, ende nuk kanë ndërmarrë asgjë. E vetëm disa ditë pas sulmit, si pjesë e një aksioni të Policisë dhe Prokurorisë Speciale, pasuria e ish-nënkryetarit të Listës Serbe është sekuestruar, përfshirë vila milionëshe buzë liqenit të Ujmanit.

    Ndërkaq, gjatë këtij muaji Policia kreu edhe disa aksione të tjera nëpër komunat veriore, që ndërlidhen me sulmin duke paralajmëruar të tjera ditëve në vijim.

    Situata e sigurisë tani është e qetë, ndërkaq Policia thotë se banorët e Banjskës e kanë kuptuar se ndodhet aty për të kryer punën e saj. Po ashtu, një polic serb që kishte dhënë dorëheqje, tash është kthyer në detyrë.

    Gjatë shkëmbimit të zjarrit në Banjskë, u vranë edhe tre sulmues, kurse disa të tjerë që s’ia dolën të arratisen, u arrestuan.

    Një ditë pas sulmit u sekuestrua sasi e madhe e armatimit, e cila u ekspozua në kampin “Enver Zymeri”, bashkë me shumë dëshmi të tjera, nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ndër të tjera kishte thënë se Serbia gjatë këtij sulmi tentoi ta aneksonte veriun.

    Hetimet Prokuroria Speciale është duke i vazhduar, megjithatë të dhëna në këtë fazë nuk janë publikuar për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

    Tre të arrestuarve muajin e kaluar, Dushan Maksimoviç, Vladimir Toliç dhe Blagoje Spasojeviç, nën dyshimet për pjesëmarrje në sulm terrorist, e vrasjen e rreshterit Bunjaku, u është vazhduar masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore e Prishtinës edhe për dy muaj.

  • BE e konfirmon ftesën për Kurtin dhe Vuçiqin, thotë së ka një “propozim evropian” për Asociacionin

    BE e konfirmon ftesën për Kurtin dhe Vuçiqin, thotë së ka një “propozim evropian” për Asociacionin

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Bashkimi Evropian ka përgatitur një propozim-model evropian për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    BE-ja, po ashtu, u ka bërë ftesë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për një takim në Bruksel në margjina të punimeve të Këshillit Evropian këtë javë.

    Propozime të ndryshme janë diskutuar – disa prej tyre në formë të shkruar – dhe këto diskutime do të vazhdojnë. Kjo përfshinë një propozim modern evropian për (statutin) e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ne presim veprim të shpejtë nga palët, që ato të dëshmojnë se janë të përkushtuara për vazhdimin e procesit të normalizimit – duke përmbushur obligimet respektive të dialogut nga Marrëveshja për rrugë drejt normalizimit, e po ashtu, marrëveshjet e kaluara pa asnjë parakusht ose vonesë. Liderët e Kosovës dhe Serbisë janë ftuar në takime në mbështetje të dialogut në margjina të takimit të Këshillit Evropian më vonë këtë javë”, tha për ATV-në zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano.

    Ky njoftim vjen tri ditë pas vizitës së pesë emisarëve euro-amerikanë në Prishtinë dhe Beograd.

    Pa dhënë detaje, mundësinë e takimit e konfirmoi presidenti i Serbisë.

    “Pres që brenda 2 apo 3 ditëve të ardhshme unë e Kurti të shkojmë serish në Bruksel. Është detyrë e jona që të ruajmë Serbinë nga shkelja e interesave tonë. Se çfarë do të jetë agjenda besoj do të jetë në kuadër të asaj që biseduam me Pesëshen, e për çka tani s’mund të flasë sepse marrëveshja ishte e atillë që asnjëra palë të mos deklarohet. Pas kësaj do të kemi më shumë informata dhe do ta dimë më mirë për çfarë bëhet fjalë. Ne do ta ruajmë Serbinë nga masat e mundshme dhe besoj se do t’ia dalim”, tha Vuçiq.

    Por, Qeveria e Kosovës, nuk konfirmoi nëse kryeminsitri Kurti do të shkojë në Bruksel.

    Në fundjavë, pesë emisarët prezantuan një plan të ri për rrugën përpara në dialog, përmbajtja e të cilit nuk është bërë ende publike.

    Të enjten dhe të premten, liderët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, në takimet e Këshillit, do të shqyrtojnë draft-konkluzionet për raportet Kosovë-Serbi.

    Mes tjerash, në draftin e përpiluar nga ministrat e jashtëm të BE-së dënohen sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës, kërkohet që përgjegjësit të vihen para drejtësisë dhe që “Serbia të bashkëpunojë plotësisht”.

    Në draft kërkohet shtensionim i plotë i gjendjes në veri, organizim i zgjedhjeve të reja dhe pjesëmarrje e aktive e komunitetit serb në to – ndërsa theksohet se dështimi për diçka të tillë do të përcillet me pasoja.

    Këshilli Evropian, po ashtu, shpreh keqardhje për, siç thuhet, mungesën e vullnetit nga të dyja palët për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon e më poshtme: