ATV

Author: ATVLive

  • Poetja izraelite i kërkon poetit kosovar Lulzim Tafa që të shruajë për paqen

    Poetja izraelite i kërkon poetit kosovar Lulzim Tafa që të shruajë për paqen

    Luftërat dhe katastrofat njerëzore, siç është ajo që po ndodh në luftën mes Izraelit dhe Palestinës ka vënë në pah fuqinë e madhe të fjalës së shkruar.

    Poetja e famshme Izraelite Tsipi Sharoor i ka drejtuar një kërkesë të veçantë poetit të njohur kosovar, Lulzim Tafa, në profilin e tij në Facebook, për të shkruar një poezi dedikuar luftës në Izrael.

    Poezia e Tafës ka demonstruar ndikimin e saj të madh në shpërndarjen e mesazhit të paqes, siç ka bërë edhe në rastin e luftës në Ukrainë.

    Kjo thirrje për të shkruar një poezi lidhur me konfliktin në Izrael është një kërkesë për ndërhyrje artistike të poetit të mirënjohur kosovar i cili ishte i bërë shumë i njohur në botë me poezinë e tij të famshme “Speak to Russian Poets” (Fol me poetët Rusë), që poeti Tafa e kishte shkruar pak para fillimit të luftës në Ukrainë, meqë rast ai kishte marr shumë nderime nga Ukraina, përfshi edhe dekoratën më të lartë të Patriarkut të Shenjtë të Ukrainës, Patriarkut Filaret.

    Lulzim Tafa është njëri nga poetët më të njohur kosovar në botë, veprat e të cilit janë përkthyer në dhjetëra gjuhë botërore.

    Poetja e famshme Izraelite, Tsipi Sharoor
  • NLB Banka organizoi ngjarjen transformuese mbi Parimet ESG: Ndërtimi i një të ardhmeje të qëndrueshme

    NLB Banka organizoi ngjarjen transformuese mbi Parimet ESG: Ndërtimi i një të ardhmeje të qëndrueshme

    Në këtë kohë ku planeti ynë përballet me sfida mjedisore, shoqëritë tona përballen me pabarazi sociale dhe bizneset mbahen përgjegjëse për praktikat e tyre etike, sot shënuam një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një të ardhmeje më të qëndrueshme. Ngjarja për parimet ESG-së e organizuar nga NLB Banka sot mblodhi biznese, ekspertë, liderë dhe individë të pasionuar që janë të përkushtuar për të nxitur ndryshime pozitive. ESG nuk është thjesht një akronim; ajo përfaqëson një qasje gjithëpërfshirëse ndaj praktikave të qëndrueshme dhe të përgjegjshme që prekin jo vetëm botën e biznesit, por të gjithë komunitetin tonë global.

    Gjatë kësaj ngjarje, të pranishmit u njoftuan për së afërmi me Agjendën e Grupit NLB, Kornizën e Qëndrueshmërisë dhe rrugëtimin në integrimin e ESG-së. Për më tepër, ata u informuan për produktet dhe shërbimet e Bankës të krijuara për t’i ndihmuar bizneset drejt integrimit të objektivave të ESG-së, përfshirë edhe partneritetet me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Fondin Kosovar për Garanci Kreditore. Ngjarja kulmoi me një panel diskutimi dinamik, i pasur me ekspertë të fushës, ku u diskutuan sfidat dhe mundësitë për biznese në integrimin e ESG-së.

    Ndër të tjera, z. Gazmend Kadriu, Kryetar i Bordit Udhëheqës të Bankës tha: “Klientët tanë, Banka jonë dhe çdo palë e interesuar sot janë forcat lëvizëse që do të kthejnë parimet e ESG-së në realitet, jo vetëm për ne, por për botën. Së bashku, ne do të ndërtojmë një të ardhme të qëndrueshme dhe më të përgjegjshme.”

    Qëllimi ynë është të eksplorojmë dhe promovojmë parimet dhe praktikat më të mira të ESG-së, si dhe të nxisim bashkëpunimin mes palëve të interesuara për të krijuar një botë më të qëndrueshme.

    Më shumë informata rreth Qëndrueshmërisë: www.nlb-kos.com/qendrueshmeria

  • OKB bën thirrje për armëpushim në Gazë

    OKB bën thirrje për armëpushim në Gazë

    Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, pretendoi se ka pasur shkelje të ligjit ndërkombëtar teksa Izraeli sulmon nga ajri Gazën dhe bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar.

    “Jam thellësisht i shqetësuar për shkeljet e qarta të ligjit ndërkombëtar që ne po shikojmë në Gazë. Më lejoni të jemi i qartë: asnjë palë në një konflikt të armatosur nuk është mbi ligjin ndërkombëtar humanitar”, tha Guterres gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, pa përmendur në mënyrë eksplicite Izraelin.

    Guterres, që personalisht ka vizituar pikëkalimin mes Egjiptit dhe Gazës, në përpjekje për të mundësuar që ndihma të arrijë në Gazë përmes pikëkalimit Rafah. Këtë pikëkalim u lejuan që ta kalonin tre autokolona me ndihma.

    “Por, kjo sasi e ndihmës është si një pikë ujë në oqean. Për më tepër, furnizimet me karburante të OKB-së në Gazë do të harxhohen brenda ditësh. Ajo do të jetë një fatkeqësi e re”, tha Guterres.

    “Për të lehtësuar vuajtjet epike, për të bërë që ndihma të arrijë më lehtë dhe më sigurt, për të lehtësuar lirimin e pengjeve, unë përsëris thirrjen time për një armëpushim të menjëhershëm humanitar”.

    Militantët palestinezë të Hamasit më 7 tetor nisën sulme të koordinuara ndaj Izraelit duke vrarë të paktën 1.400 palestinezë dhe duke marrë mbi 220 pengje, kanë thënë autoritetet izraelite.

    Mbi 5.700 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës nga bombardimet hakmarrëse të Izraelit, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në territorin që udhëhiqet nga Hamasi.

  • Vdes ushtari italian i KFOR-it në aksidentin në Pejë

    Vdes ushtari italian i KFOR-it në aksidentin në Pejë

    KFORi ka konfirmuar se viktima e aksidentit në rrugën Prishtinë – Pejë është një ushtar Italian në kuadër të misionit paqeruajtës.

    Sipas misionit të NATO-s në Kosovë, fillimisht ushtari në gjendje të rëndë u transportua me helikopter në Prishtinë, ndërsa rreth orës 16:50 tashmë i ndjeri ndërroi jetë.

    “Në makinën e përfshirë në aksident ndodhej edhe një ushtar tjetër, i cili me ambulancë u transportua në spital me një gjendje më të qëndrueshme në “Cam Villago Italia” dhe më pas u dërgua në spitalin ushtarak në Camp Film City për kontrolle të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e tyre.

    Në lidhje me aksidentin tragjik, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutas, i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës.

    “Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta. Mendimet e mia janë me familjen dhe miqtë e ushtarit që ndërroi jetë në këto rrethana tragjike. I urojmë dhe shpresojmë tjetrit një shërim të shpejtë”, thuhet tutje në komunikatë.

    Sipas njoftimit, autoritetet vendore dhe ndërkombëtare po e hetojnë shkakun e aksidentit.

  • Ura mbi Liqenin Artificial në Mitrovicë, larg përfundimit

    Ura mbi Liqenin Artificial në Mitrovicë, larg përfundimit

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Çdo ditë kalon në anën tjetër të Liqenit artificial të Mitrovicës, ani pse përballet me rrezik. Akoma më të vështirë e ka, kur moti është i lig.

    “Është rrezik me kaluar nga kjo pjesë, për fëmijë është më rrezik, për shkak që mund të rrëzohen dhe të bien në ujë, më bjen çdo ditë me kalu në këtë pjesë dhe është rrezik”, tha Ibrahim Peci, qytetar.

    Por, nuk është i vetmi që kalon çdo ditë këtë urë.

    “Kjo urë është e nevojshme për të përfunduar, për moshatarë, për shkak që po duhet të ecim kilometra më shumë, nuk e di ku është problemi pse janë ndërprerë këto punime, me rregullu këtë urë është mirë për shkak që po duhet të kalojmë mbi hekura”, tha Avni Sejdijaj, qytetar.

    “Unë shpesh vij në këtë pjesë, por që më duhet mu kthy me ecë më shumë për shkak që është rrezik, e po duhet që të ecim rreth e rrotull, e këtu punët i fillojnë, por që nuk i përfundojnë me kohë”, tha Selim Putoku, qytetar.

    Derisa qytetarët janë lodhur nga pritja, Drejtori i Infrastrukturës në komunën e Mitrovicës ka premtuar se ura mbi liqenin artificial do të duhej përfunduar deri në fund të vitit.

    “Punimet janë ndalur përkohësisht, derisa jemi pajisur me pëlqim nga departamenti ujor, pra nga ministria, presim që ura të përfundojë në një afat kohor brenda këtij viti, do të mundohemi që punimet të përfundojnë sa më shpejtë, pasi që tani kushtet atmosferike fillojnë të ndryshojnë”, tha drejtori i infrastrukturës në Mitrovicë, Granit Tmava.

    Punimet në urën mbi Liqenin Artificial në Mitrovicë, kanë filluar vitin e kaluar, derisa projekti kushton rreth 220 mijë euro dhe është financuar nga Komuna e Mitrovicës, në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.

  • Punimet në ndërtimin e “Rrugës A”, janë duke vazhduar

    Punimet në ndërtimin e “Rrugës A”, janë duke vazhduar

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Aktvendimi i Gjykatës Komerciale, i cili aprovon si të bazuar kërkesën e paditësit “Pro & CO Group”, për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të nxjerrë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, më 19 prill 2023, lidhur me “Ndërtimin e Rrugës A – Pjesa e Parë”, është publikuar më 23 tetor.

    Vendimin për pezullimin e punimeve, kompania e kontraktuar, “Sallahu Shpk” e ka vlerësuar të njëanshëm, meqë siç thotë Gjykata Komerciale, nuk e ka përfshirë në proces si palë e interesuar gjatë trajtimit të lëndës. Kompania pretendon se çështja nuk ka marrë epilog, andaj punimet janë duke vazhduar.

    “Nga faktet e prezantuara, përveç zbatimit të gabuar të dispozitave materiale dhe procedurale, si dhe tejkalimit të kompetencave në procesin e vendimmarrjes lidhur me rastin në fjalë, në Arsyetimin e Aktvendimit KA 181/23, shohim se Gjyqtarja Vlora Pacolli – Rexhepi, u ka falur besimin provave dhe të dhënave të pavërteta – të rrejshme dhe të paqëndrueshme të një pale të cilës i ka humbur legjitimiteti, duke paraqitur kështu një gjendje inekzistente. Konsiderojmë se Gjykata nuk i ka trajtuar të gjitha aspektet e lëndës, rrjedhimisht vendimin e konsiderojmë të njëanshëm. Njëherësh jua bëjmë me dije se për shkak të evidentimit të gabuar të fakteve, ne do t’i drejtohemi me Kërkesë Gjykatës Komerciale, për të na përfshirë në proces si palë e interesuar gjatë trajtimit të lëndës nga Dhoma e Shkallës së Dytë e Gjykatës Komerciale, si dhe Ankesë ndaj Aktvendimit të lartcekur”, thuhet në reagimin e “SALLAHU SHPK”.

    Megjithatë, sipas juristëve, punimet duhet të ndalen.

    Sidoqoftë, “Rruga A” konsiderohet si një prej projekteve me rëndësi të madhe për kryeqytetin.

    Teksa ishte cilësuar si projekti më i madh i dekadës së fundit në kryeqytet, pjesa e parë e rrugës “Jim Xhema” ishte paraparë të kushtojë 8.4 milionë euro.

  • Për të pestën herë dështon konstituimi i komisionit hetimor për rezervat

    Për të pestën herë dështon konstituimi i komisionit hetimor për rezervat

    Ka kaluar më shumë se 1 muaj prej kur Kuvendi votoi për themelimin e Komisionit hetimor për rezervat shtetërore. Ndonëse ky komision ka vetëm 6 muaj mandat, ai ende nuk ka arritur të mbajë asnjë mbledhje në mungesë të kuorumit.

    Mbledhja e radhës, e paraparë për këtë të martë, e cila ishte e pesta me radhë, sërish dështoi në mungesë të deputetëve të pushtetit.

    Kurse, për deputetët e opozitës, mungesa e tyre po konsiderohet si urdhër nga kryeministri.

    Deputetët e pushtetit janë duke e bojkotuar këtë dhe punën e komisioneve të tjera për shkak se opozita nuk po i voton marrëveshjet ndërkombëtare. Takimi i radhës i këtij komisioni do të mbahet të enjten nga ora 09:30. /atvlive.tv

  • Monitoruesit e drejtësisë mirëpresin vendimin e Gjykatës Themelore

    Monitoruesit e drejtësisë mirëpresin vendimin e Gjykatës Themelore

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Monitoruesit e sistemit të drejtësisë e kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila e ka anuluar tërësisht vendimin e Qeverisë Kurti, sipas të cilit, pagat e gjyqtarëve e prokurorëve uleshin.

    “Bazuar edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ref. AGJ 1584 /2020, i cili ka përcaktuar se zvogëlimi i buxhetit nga pushteti ekzekutiv, është një shembull se burimet e gjyqësorit mund të vihen në presion të tepruar dhe të padëshiruar. Nuk ekziston një rregull që krijon garanci absolute se pagat në sektorin publik nuk mund të zvogëlohen, por se ulja e pagave duhet të jetë e arsyetuar dhe asnjëherë arbitrare, andaj ulja e pagave të gjyqësorit mund të ndodhë vetëm nën kushte të një krize të theksuar financiare”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Këtë vendim Qeveria e kishte marrë më 23 nëntor 2022. E, në vazhdën e reagimeve që ngjalli vendimi, Shoqata e Prokurorëve vendosi ta paditë Qeverinë. Tani nga kjo shoqatë shpresojnë që njësoj si Gjykata Themelore do të veprojnë edhe gjykatat e shkallëve më të larta.

    “Shoqata e Prokurorëve e ka pritur mirë vendimin e Departamentit Administrativ të Gjykatës Themelore, duke besuar se edhe në shkallët e tjera vendimet do të kenë epilog si ky”, thuhet në reagimin nga Shoqata e Prokurorëve.

    Edhe pse pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve vazhdojnë të mbeten të njëjta bazuar në vendimin paraprak, atë të Qeverisë Haradinaj nga viti 2017, me ç’rast, bashkë me rritjen e pagave për zyrtarët qeveritarë, u rritën edhe të gjyqtarëve e të prokurorëve, megjithatë situata pritet të ndryshojë pas miratimit të Ligjit për Pagat në muajin shkurt. Por edhe ky ligj po shqyrtohet në Kushtetuese, i cili, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thonë se është anti-kushtetues.

    Megjithatë, prokurorët e gjyqtarët në vitin e parë të fillimit të zbatimit të Ligjit për Paga, nuk i marrin me ulje. Vetëm në vitin e dytë të fillimit të zbatimit të tij do t’i marrin me 50% të shtesës tranzitore.

  • Lista serbe e ndërron kryesinë, por jo qasjen

    Lista serbe e ndërron kryesinë, por jo qasjen

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Saktësisht një muaj pasi ish-nënkryetari i saj, Milan Radojicic, udhëhoqi sulmin terrorist në Bansjkë, Lista Serbe ndryshoi strukturën udhëheqëse.

    Pas 10 vjetëve që nga themelimi i partisë, kryetari Goran Rakiq liroi pozitën për t’ia lëshuar atë pasardhësit, Zlatan Elek, që njëherësh është edhe Drejtor i Spitalit të Mitrovicës së Veriut.

    Edhe pse mori detyrën e re, nuk foli për të, meqë me nxitim iku në punën e parë.

    “Tanimë duhet të kthehem në spital, por jeni të bindur se do të komunikoj me media shumë, por sot më falni që duhet të pranoni vetëm një komunikatë më vonë”, tha kryetari i ri i Listës Serbe, Zlatan Elek.

    Për ndryshimet në Listën Serbe, qytetarët e Mitrovicës së Veriut nuk e kishin idenë.

    Megjithatë, jo vetëm kryetarin, Lista Serbe ndërroi edhe nënkryetarët e emëroi njerëz edhe në disa pozita të tjera.
    Siç njoftuan përmes një komunikate, aty u zgjodhën pesë nënkryetarë të rinj, njëri prej tyre Dragisha Miloviq, ish-kryetar i komunës së Zveçanit.

    Pavarësisht ndryshimit në udhëheqësi, qasja e Listës Serbe mbetet e njëjtë. Siç tha edhe vetë kryetari i ri, të gjitha vendimet do të merren në koordinim me Beogradin.

  • Linjat e trafikut urban ndërrojnë qarkullimin

    Linjat e trafikut urban ndërrojnë qarkullimin

    Përgatiti: P. Krasniqi/ E. Aliu

    Rrugët që i përshkonin deri para dy ditësh, autobusët e Trafikut Urban nuk i kanë më të njëjta, ngase nga e hëna ka hyrë në fuqi vendimi i Komunës së Prishtinës për ndryshimin e linjave të autobusëve.

    Qytetarët kanë mendime të ndryshme sa i përket qarkullimit të autobusëve.

    Mirëpo, sipas iniciuesit kryesor të këtij projekti, Gent Sejdiu, kjo do të ndikojë pozitivisht në shumë aspekte për kryeqytetin, vetëm nevojitet kohë për adaptim.

    “Natyrisht që kemi bërë faza parapërgatitore, e kemi analizuar mirë këtë ndryshim të linjave 1, 1A, 3, 3B, 3C, 4 dhe 7C, pasi përderisa të njëjtën rrugë përshkonin dy-tri linja të njëjta, tashmë është bërë koordinim i tyre, çdo stacion i fundit që mund t’i lë qytetarët autobusi, kanë larg qendrën vetëm 10 minuta”, tha Sejdiu.

    Në kuadër të ndryshimit të linjave, vazhdimisht priten edhe plane të tjera për transportin publik.

    Njëra prej linjave të reja e cila tashmë është funksionalizuar është linja numër 19, Prishtinë – Kishnicë.