ATV

Author: ATVLive

  • Rozeta Hajdari shpallet fajtore për aksidentin

    Rozeta Hajdari shpallet fajtore për aksidentin

    Rozeta Hajdari është shpallur fajtore për aksidentin që e ka shkaktuar në Prishtinë, si pasojë e të cilit ishte lënduar një fëmijë.

    Kjo është konfirmuar nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Njoftimi i plotë:

    Prishtinë, 24 tetor 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni i Kundërvajtjes në procedurën kundërvajtëse, ka vendosur lidhur me çështjen kundër të pandehurës R.H, për shkak të aksidentit në komunikacion të kundërvajtjes nga neni 53 paragrafi 1 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor e ndërlidhur me nenin 255 paragrafi 2 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, në bazë të nenit 55 paragrafi 2 dhe nenit 77, 86, 119, 124, 127 të Ligjit për Kundërvajtje, si dhe në bazë të nenit 289 paragrafi 1 pika 1.2 të Kodit Penal të Repulikës së Kosovës.

    Gjykata duke vendosur ne bazë të neneve 3,7,8,9,17 paragrafi 1 pika 1.2,1.5.31 dhe te nenit 35 të Ligjit për Kundërvajtje me nr.05/L-087, të pandehures R.H i shqipton dënim me gjobë në shumën prej dyqind euro (200) €, obligohet e pandehura që gjobën e shqiptuar të paguajë në afat prej 15 dite, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

    E pandehura R.H obligohet që të paguajë shumën prej njëqind (100) € për mendimin e ekspertit të komunikacionit, po ashtu obligohet të paguajë shumën prej nëntëqind (900)€ për super ekspertizë dhe për ekspertizë mjeko – ligjore të paguajë shumën prej 50 €. Nëse e pandehura nuk e kryen pagesën e gjobës në afatin e paraparë me ligj, si dhe shpenzimet e procedurës kundërvajtëse, në të kundërtën ekzekutimi do te bëhet sipas dispozitave të Ligjit të Procedurës Përmbarimore.

    Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pronësore – juridike udhëzohet në kontest civil.

    Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, Divizioni i Kundërvajtjes, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

  • DW: Qeveria gjermane me lehtësime për investimet në rajon, pse Serbia shihet si më tërheqëse për ta?

    DW: Qeveria gjermane me lehtësime për investimet në rajon, pse Serbia shihet si më tërheqëse për ta?

    Qeveria gjermane ka vendosur masa që i bëjnë më të thjeshta dhe më të lira investimet e kompanive gjermane në 34 vende. A vlen kjo edhe për Serbinë?

    Garancitë e investimeve janë thelbësore për politikën gjermane të tregtisë së jashtme. Nëse një kompani gjermane investon në një vend në zhvillim ose në një të ashtuquajtur vend me zhvillim të shpejtë, ajo mund të aplikojë për sigurimin e investimeve nga qeveria federale.

    Në rast se një kompani duhet të anulojë një investim për shkak të shpronësimit, luftës ose shkeljeve të ligjit nga qeveria e vendit të huaj në fjalë, qeveria gjermane do të kompensojë pjesën më të madhe të humbjes. Për shembull: në gjysmën e parë të 2023, qeveria gjermane garantoi rreth 30 miliardë euro investime me sigurimin e saj.

    Por ky sigurim është i lidhur me kosto të caktuara, shpesh miliona, për vetë kompaninë që dëshiron të investojë – si në formën e taksave, burokracisë, ashtu edhe në rast se në fakt ndodh një rast dëmtimi.

    Strategjia e re

    Ndaj lajmi i rëndësishëm është se qeveria gjermane vendosi në fillim të javës të përmirësojë kushtet e garancive të investimeve për ekonominë gjermane në vende të përzgjedhura dhe të përgjysmojë kostot e garancisë. Ka 34 shtete në të gjitha kontinentet për të cilat përmirësohen kushtet. Kur bëhet fjalë për Evropën, këtu renditen Turqia dhe vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

    Vendimi është pjesë e strategjisë së diversifikimit të qeverisë gjermane, e cila synon të reduktojë varësinë e madhe nga disa tregje dhe nyje kritike në zinxhirët e furnizimit. Kushtet e përmirësuara synojnë të inkurajojnë kompanitë të bëjnë investime të reja në tregje ku aktualisht janë pak aktive. “Me stimulimet e reja pozitive, ne po mbështesim më fuqishëm ekonominë gjermane në diversifikimin e rëndësishëm për një qëndrueshmëri më të madhe ndaj krizave,” tha sekretarja e Shtetit për Ekonominë Franziska Brantner për gazetën Handelsblat.

    “Ne zgjodhëm vende që janë partnerë të besueshëm të tregtisë së jashtme dhe të qëndrueshme politikisht”, tha Brantner për gazetën gjermane.

    Bashkëpunimi i madh me Serbinë

    Se çfarë do të thotë kjo për bashkëpunimion me Serbinë, e pyetëm Aleksandar Markus, anëtar ekzekutiv i Bordit të Drejtorëve të Odës Ekonomike Gjermano-Serbe (AHK) në Beograd.

    “Marrëdhëniet ekonomike mes Gjermanisë dhe Serbisë janë tashmë në një nivel të paprecedentë. Me rreth 80.000 vende pune të krijuara, grupi i kompanive me kapital gjerman është ndoshta një nga investitorët më të mëdhenj ose më të mëdhenj të huaj në Serbi për nga numri i vendeve të punës. Tregtia e jashtme midis Gjermanisë dhe Serbisë është rritur me më shumë se 25 për qind në dy vitet e fundit, që në vetvete është e jashtëzakonshme”, tha Markus për DW dhe shtoi: “Çdo thjeshtësim dhe kushte më të mira për garantimin e investimeve është një shenjë e mirë. Në fund, nuk është vetëm shuma që kompania duhet të përballojë në rast dëmtimi, por edhe sa çmimi i garancisë së investimit rrit kostot totale të projektit dhe sa i gjatë dhe burokratik është aplikimi për garanci të tilla. Këto janë pika kyçe nga këndvështrimi i kompanive që duan të investojnë në një vend”.

    Faktorët e rëndësishëm ekonomik

    A ka kompani që i kanë pritur këto kushte të reja, më të favorshme, dhe tani do të investojnë në Serbi?

    “Të gjithë faktorët luajnë një rol kur zgjedh një vend për investim. Megjithatë, si rregull, faktorët ekonomikë luajnë një rol më të madh. Qeveria e Serbisë ofron kushte shumë të volitshme për investitorët, qofshin vendas apo të huaj. Këto kushte me siguri luajnë një rol të madh në raste individuale për shkak të një procesi shumë të lehtë të aplikimit. Sipas raportit vjetor të qeverisë gjermane për garancitë e investimeve, Serbia me katër projekte në vitin 2022, ishte ndër pesë vendet e para për të cilat kërkoheshin garanci të tilla. Kombinimi i kushteve tashmë të përmirësuara nga pala gjermane, me mbështetjen e ofruar nga pala serbe, do të mundësojë që më shumë kompani gjermane ta konsiderojnë Serbinë si një vend tërheqës për investime”.

    A ishin pengesë kostot e reduktuara të investimeve për disa kompani që donin të investonin në Serbi?

    “Bëhet fjalë për sigurimin e rrezikut. Marrëveshja për mbrojtjen e investimeve ndërmjet Gjermanisë dhe Jugosllavisë, e cila ka hyrë në fuqi më 25 tetor 1990, është ende e vlefshme për Serbinë, prandaj investimet nga Gjermania janë në thelb të mbrojtura. Sidoqoftë, garancia e qeverisë gjermane është një mbrojtje shtesë sepse do të thotë se në rast dëmtimi, kompania me siguri do të marrë para nga njëra anë – nga vendi në të cilin ka investuar ose nga qeveria gjermane. Duke qenë se Serbia është në nivelin e katërt në klasifikimin e rrezikut të vendit, vlen edhe një ulje prej dhjetë për qind në kostot vjetore”.

    Aleksandar Markus, nga Dhoma Gjermano-Serbe e Tregtisë në Beograd, tha gjithashtu për DW: “Në përgjithësi, ka më shumë kuptim që disa kompani të investojnë në një nga vendet e Ballkanit Perëndimor, afër BE-së, sesa të shkojnë diku larg në botë. Sidomos në rastet kur tregjet më të rëndësishme për këto kompani janë gjithsesi brenda BE-së”.

    Është po ashtu interesante se edhe projektet gjermane që kontribuojnë në qëllimet klimatike të qeverisë gjermane janë të privilegjuara. Kjo do të thotë, për shembull, se investitorët në 34 vendet tani të privilegjuara, pra edhe në Serbi, mund të kenë përfitime shtesë – nëse investojnë në ekonominë e gjelbër, domethënë në të ashtuquajturat teknologji të gjelbra.

  • Lista Serbe zgjedh kryetarin e ri

    Lista Serbe zgjedh kryetarin e ri

    Lista Serbe ka mbajtur sot zgjedhjet e brendshme të partisë, ku kryetar është zgjedhur Zlatan Elek, raporton ATV.

    Ellek është ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut.

    Ai u zgjodh gjatë një votimi të hapur në seancën e Kuvendit të Listës Serbe të mbajtur të martën në Mitrovicën e Veriut, ku Lista Serbe zgjodhi edhe kryesinë e re. Lider i Listës Serbe deri më tani ishte Goran Rakiq.

    Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit. /atvlive.tv

  • Politikani serb: Më vjen turp nga fjalimi i Bërnabiqit në OKB, krenar me atë çka tha Vjosa Osmani

    Politikani serb: Më vjen turp nga fjalimi i Bërnabiqit në OKB, krenar me atë çka tha Vjosa Osmani

    Sekretari i Përgjithshëm i Institutit për Strategjinë Euro-Atlantike, njëherësh edhe politikan në Serbi, Boban Bogdanoviq, në një reagim në rrjetin social “X”, ka thënë se mbrëmë si serb atij i ka ardhur turp nga Ana Bërnabiq gjatë paraqitjes së saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

    Ai fjalimin e kryeministres serbe e ka quajtur të djathtë dhe autokratik.

    Derisa është ndier krenar me krejt atë çka paraqiti e çka tha presidentja e Kosovës Vjosa Osmani para anëtarëve të KS të OKB-së.

    “Si serb dhe qytetar i Republikës së Serbisë më vjen turp nga fjalimi i djathtë dhe autokratik i Ana Bërnabiq në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Si qytetar i Evropës, jam krenar për fjalimin demokratik të presidentes Vjosa Osmani”, ka shkruar Bogdanoviq në X.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në seancën e djeshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka folur për agresionin serb në Kosovë më 24 shtator.

    Ajo thotë se ky nuk ishte vetëm sulm ndaj Kosovës por përpjekje për destabilizim te Ballkanit Perëndimor.

    Osmani tutje thekson faktin qe Milan Radojiçiq endet i lirë në Serbi përkundër që ka pranuar pjesëmarrjen në sulm.

    Osmani ka dalë më një mori kërkesash për OKB-në që duhet të ndërmarrin ndaj Serbisë, në mesin e tyre edhe vendosjen e masave.

    “Kërkojmë nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe kërkesa jonë është e qartë. Kosova ka nevojë për garanci substanciale në kuadër të kornizës euroatlantike që të ecim përpara duhet të përqendrohemi që Serbia të frenohet nga sulmet terroriste në Kosovë, dhe hetim e sulmit të fundit terrorist”.

    “Për më tepër rritja e sigurisë në kufijtë e Kosovës me Serbinë, miratimi i masave të rrepta ndaj Serbisë siç kërkohet. Një rezolutë do të shënonte zotimin për të ruajtur paqen dhe sigurinë në tërë rajonin dhe në tërë kontinentin e Evropës, kjo do të thoshte se demokracia nuk është e heshtur përballë regjimeve autokratike”, ka thënë Osmani.

  • ​Policia me apel: Mjegulla paraqet rrezik për shoferët

    ​Policia me apel: Mjegulla paraqet rrezik për shoferët

    Policia Rajonale në Ferizaj apelon te shoferët e automjeteve që të bëjnë kujdes gjatë drejtimit në mot me mjegull.

    Sipas Policisë, ka filluar shfaqja e mjegullës në vendet ku pozita gjeografike është më e ulët.

    “Më konkretisht Policia Rajonale e Ferizajt, përmes kësaj komunikate i rekomandon shoferët e automjeteve që Mos harroni se ngasja në mjegull mund të jetë e rrezikshme. Mbani në vëzhgim rrugën për ndryshime të papritura të dukshmërisë, mjegulla më e dendur mund të jetë më afër lumenjve. Përdorni dritat e mjegullës. Nëse automjeti juaj i ka këto drita, kjo ju ndihmon të ndriçohet rruga para jush dhe këto drita e bëjnë automjetin tuaj më të dukshëm për shoferët tjerë. Disa automjete kanë edhe dritat e pasme të mjegullës, të cilat ndihmojnë shoferët që lëvizin mbrapa t’ju shohin juve edhe nga një distancë më e madhe. Mjegulla mund të krijojë një iluzion optik dhe t’i bëjë shoferët të mendojnë se po shkojnë më ngadalë seç janë. Mbani vëmendjen, mos shpejtoni. Ndizni dritat gjatë ngasjes, por mos ndizni dritat me rreze të gjatë. Ngasja e automjetit me drita të gjata mund të reflektojë jashtë mjegullës dhe mund të kthehet në automjetin tuaj, e cila gjithashtu e bën të pamundur që shoferët tjerë t’ju shohin. Mbani ndezur dritat e shkurtra dhe të mjegullës. Mbani nën kontroll shpejtësinë e lëvizjes. Mbani krahun e djathtë të rrugës gjatë lëvizjes”, thuhej në komunikatën e policisë.

  • Rrahje në mes vajzave të mitura në Graçanicë

    Rrahje në mes vajzave të mitura në Graçanicë

    Një vajzë e mitur pas një mosmarrëveshje verbale, e ka sulmuar fizikisht viktimën femër të mitur, të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore.

    Rasti ka ndodhur dje në fshatin Uglar të Graçanicës, ku viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa e dyshuara është intervistuar dhe me vendim të prokurorit, është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

    Policia thotë se rasti vazhdon në procedurë hetimore.

  • Bërnabiq në OKB: Serbia nuk ka qenë e përshirë në sulmin në Banjskë

    Bërnabiq në OKB: Serbia nuk ka qenë e përshirë në sulmin në Banjskë

    Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se Serbia nuk ka qenë e përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

    Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku po diskutohet për raportin për Kosovën, Bërnabiq tha se hetimet do të tregojnë se dy nga tre sulmuesit serbë që u vranë gjatë përleshjeve, janë “vrarë pasi janë dorëzuar”.

    “Beogradi ose forcat e sigurisë, strukturat e sigurisë nuk kanë qenë të përfshirë në këtë ngjarje dhe jemi të gatshëm të ofrojmë dëshmitë te komuniteti ndërkombëtar për të vërtetuar këtë”, tha ajo, duke thënë se ngjarjet në Banjskë janë “pasojë logjike e terrorit që Prishtina ka zbatuar ndaj serbëve”.

    Gjatë fjalimit para Këshillit të Sigurimit, Bërnabiq akuzoi Kosovën se injoron marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Bërnabiq, tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kusht për zbatimin e marrëveshjeve të tjera nga Serbia.

    “Asociacioni është një element i pashmangshëm për zbatimin e çdo marrëveshjeje tjetër”, tha ajo.

    Kosova, sipas saj, ka tri mesazhe për serbët dhe komunitetin ndërkombëtar. Mesazhi i parë, sipas saj, serbët që janë larguar nga Kosova pas luftës më 1999 “nuk janë të mirëpritur” që të kthehen. Mesazhi i dytë, serbët që jetojnë në Kosovë “duhet të largohen” dhe mesazhi i tretë, “marrëveshjet e arritura nuk do të zbatohen”.

    Sipas Bërnabiqit, që kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pushtetin dy vjet më parë, “11 për qind e serbëve janë larguar nga komunat” në veri të Kosovës.

    Ajo akuzoi Kosovën për “fushatë të dhunshme” ndaj serbëve, duke pretenduar se vitin e kaluar kanë ndodhur mbi 400 incidente ndëretnike.

    Shefja e UNMIK-ut kërkon rikthimin në dialogun e Brukselit

    Gjatë mbledhjes, shefja e misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, Caroline Ziadeh, tha se pavarësisht se nuk përfshihet në raportin gjashtëmujor, përmendi “incidentin e sigurisë” në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

    Ajo tha se pas hetimeve, përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë. Ajo tha se ngjarja ku u vra një zyrtar policor i Kosovës dhe tre sulmues, “ka përkeqësuar situatën” e sigurisë, e cila sipas saj, edhe para 24 shtatorit ishte e rëndë.

    “Është thelbësore që hetimet që po zhvillohen aktualisht të ofrojnë mundësinë për të dokumentuar me fakte këto ngjarje dhe për ti mbajtur autorët përgjegjës”, tha ajo.

    Ajo kërkoi që palët t’i kthehen dialogut dhe tha se pret nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë masa të shtensionimit të situatës, duke vënë theksin në nevojën e një “kompromisi politik” në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    “Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, tha ajo.

    Ziadeh tha se shpreson që takimi i diplomatëve ndërkombëtarë në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor do të bëjë që palët t’i kthehen dialogut për normalizimin e raporteve.

    Shefja e UNMIK-ut tha se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duhet të zbatohen.

    Raporti i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, përfshin periudhën gjashtëmujore nga 19 marsi deri më 18 shtator./REL

  • Arbnor Morina: Në Prishtinë çdo lojë është me tension, por nuk i kam pritur këto rezultate

    Arbnor Morina: Në Prishtinë çdo lojë është me tension, por nuk i kam pritur këto rezultate

    Analisti i përhershëm i emisionit ‘EKIPI A’ në ATV, e ka komentuar formën në të cilën po kalon skuadra e Prishtinës.

    Morina ka deklaruar që në Prishtinë çdo lojë është me tension, por nuk i ka pritur këto rezultate.

    ‘Prishtina ka mungesë të disa lojtarëve, mirëpo barrën kryesore po e mbajnë disa futbollist, e nga disa nuk po mbështetën. Blesa po ka problem me finalizim të aksioneve. Ai kishte ardhur me shumë pompozitet. Në Prishtinë çdo lojë është me tension, por nuk i kam pritur këto rezultate’ tha Morina

    Për më shumë ndiqeni emisionin më poshtë./Atvlive.tv

  • Përfaqësuesi i SHBA-së: Sulmi i 24 shtatorit vuri në rrezik jetën e shqiptarëve të Kosovës

    Përfaqësuesi i SHBA-së: Sulmi i 24 shtatorit vuri në rrezik jetën e shqiptarëve të Kosovës

    Përfaqësuesi i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së tha se sulmi më 24 shtator rrezikoi jetën e shqiptarëve të Kosovës.

    Ai tha se SHBA mbështetë dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE.

    “Qeveria ime e dënon sulmin më 24 shtator në veri të Kosovës. Sulmi ishte një akt që vuri në rrezik jetën e shqiptarëve të Kosovës. Duhet të ketë përgjegjësi të plotë në pajtim me sundimin e ligjit për autorët e krimit. Individët që janë në vende tjera duhet të ekstradohen në Kosovë. SHBA punon ngushë me BE dhe NATO-n për të ndërmarrë masa deskaluese. Të dy palët të vazdojnë dialogun me hapa konkret. SHBA mbështet dialogun nga BE. Gjithashtu mirëpresim numrin e rritur të forcës së Kosovës në veri të Kosovës. Kjo prani mbahet sa të ketë nevojë. UNMIK nuk ishte i përfshirë në sulmin e 24 shtator, nuk ka më rol në siguri”, tha ai.

  • Avni Bytyqi: Meritat më të mëdha për këto fitore të Dritës i ka Akis Vavalis

    Avni Bytyqi: Meritat më të mëdha për këto fitore të Dritës i ka Akis Vavalis

    Ish drejtori sportiv i Ballkanit, Avni Bytyqi sonte është i ftuar në emisionin ‘EKIPI A’ në ATV.

    Bytyqi ka thënë që trajneri Akis Vavalis më në fund e ka instaluar lojën e tij të skuadra e Dritës.

    ‘E kam parë komplet takimin Llapi – Drita, unë mendoj që meritat më të mëdha për këto fitore i takojnë trajnerit Akis Vavalis, mendoj që ai më në fund i ka instaluar idet e tij’ tha Bytyqi.

    Për më shumë ndiqeni emisionin më poshtë./Atvlive.tv