ATV

Author: ATVLive

  • Mbi 180 mijë banesa të zbrazëta në Kosovë

    Mbi 180 mijë banesa të zbrazëta në Kosovë

    Kosova po ndërtohet me ritme të shpejta, por pas këtij bumi fshihet edhe një paradoks: mijëra banesa mbeten bosh. Investimet nga diaspora e kanë gjallëruar tregun, por, mësa duket, pa ndikim real në ekonomi.

    Për 13 vjet – nga 2011-ta deri më 2024 – numri i banesave dhe shtëpive në Kosovë është rritur për 43 për qind.

    Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se vendi, me rreth 1.6 milion banorë, ka 590 mijë banesa apo shtëpi të banueshme.

    Kjo do të thotë se, mesatarisht, çdo i treti banor ka “kulm mbi kokë”.

    Të dhënat e dala nga regjistrimi i popullsisë, vitin e kaluar, tregojnë po ashtu se mbi 96 për qind e familjeve janë pronare të shtëpive ku jetojnë.

    Vëzhguesit e këtij trendi thonë se mentaliteti i qytetarëve është që investimi në objekte banimi, siguron zgjidhje afatgjate për mirëqenien e familjes.

    “Kohëve të fundit, çiftet e reja e sigurojnë banesën e tyre edhe më herët dhe numri i anëtarëve në familje është më i vogël se në të kaluarën”, thotë Naser Kabashi, profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, për Radion Evropa e Lirë.

    Por, një shifër që ai e konsideron shqetësuese, është ajo e banesave të zbrazëta.

    Sipas ASK-së, në Kosovë janë mbi 182 mijë të tilla, që përfshijnë banesat ende në ndërtim, të blera dhe të destinuara për shitje.

    Përfaqësues të agjencive të patundshmërive dhe pronarë të kompanive ndërtuese thonë se një përqindje e madhe e banesave të pabanuara, janë pronë e diasporës.

    Këto pohime mbështeten edhe nga të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas të cilave, diaspora zë vendin e parë sa u përket investimeve të huaja që bëhen kryesisht në patundshmëri.

    Nga mbi 856 milionë euro investime të huaja vitin e kaluar, mbi 647 milionë u investuan në sektorin e patundshmërisë.

    Për Kabashin, banesat e blera kryesisht nga diaspora, janë “një pasuri e vdekur e pashfrytëzuar”, e cila nuk sjell asnjë rezultat në zhvillimin ekonomik.

    Me të pajtohet edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, i cili thotë se investimet e tilla e ndihmojnë sektorin e ndërtimit, por shton se, kur këto prona mbeten të pashfrytëzuara për pjesën më të madhe të vitit, ato nuk japin ndonjë kontribut të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik.

    “Është mirë që diaspora ka blerë shtëpi e banesa, por si investim nuk është i orientuar siç duhet”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.

    Ai shton se, sikur këto mjete të investoheshin në industrinë e prodhimit, përfitues do të ishin edhe vetë blerësit, por edhe qytetarët e tjerë të vendit.

    “Nëse do të rritej prodhimi, mërgimtarët do të përfitonin nga dividendi [v.j. shpërndarja e fitimeve nga një korporatë për aksionarët e saj]”, thotë Rafuna.

    “Kosova, pastaj, do t’i zgjeronte kapacitetet prodhuese, do të rriste eksportin dhe do të ulte importin. Në këtë mënyrë, do të përmirësohej mirëqenia sociale dhe do të ulej shkalla e papunësisë”, shpjegon kryetari i OEK-ut.

    Shkalla e papunësisë në Kosovë është mbi 10 për qind, kurse në mesin e të rinjve nga 15 deri në 24 vjeç është gati 20 për qind.

    Kosova mbetet skajshmërisht e varur nga importi i mallrave, por edhe nga remitencat, vlera e të cilave arrin në mbi 1 miliard euro në vit.

    Sa kushtojnë banesat?

    Çmimet e banesave në Kosovë filluan të rriten në vitin 2021, si pasojë e çrregullimeve në tregjet ndërkombëtare që i shkaktoi pandemia COVID-19.

    Ky trend vazhdoi edhe gjatë vitit 2022, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

    Me rritjen e çmimeve të materialeve ndërtimore, banesat u shtrenjtuan mbi 20 për qind.

    Burim Halili, pronar i një agjencie të patundshmërisë në Prishtinë, tregon se çmimi i një metri katror të banesave në Prishtinë, aktualisht, sillet nga 1.000 deri në 2.500 euro – varësisht nga lagjja dhe kompania ndërtuese.

    Në komunat më të vogla, ndërkaq, arrin deri në 800 euro.

    “Fatkeqësisht, nuk kemi ulje të çmimeve. Përkundrazi, kemi ngritje çdo ditë”, thotë Halili.

    Radio Evropa e Lirë ka sjellë disa herë rrëfime të qytetarëve që nuk mund ta përballojnë blerjen e një banese në komunën ku jetojnë.

    Brahim Selimaj, nga Shoqata e Ndërtueseve të Kosovës, pret që çmimet të nisin të bien, meqë, siç thotë, edhe ndërtimet janë në rënie e sipër.

    “Po shkohet në atë drejtim që çmimi të jetë sa më i vogël për shitje, për shkak të mungesës së kërkesës. Kërkesa për blerje është në rënie dhe ndërtuesi nuk ka zgjidhje tjetër pos ta zbresë çmimin”, thotë Selimaj, i cili është edhe pronar i një kompanie ndërtimore.

    Të dhënat e ASK-së tregojnë, po ashtu, për më pak shitje të banesave.

    Sipas Indeksit të Çmimeve të Pronës Banesore, në gjashtë muajt e parë të vitit 2023 janë shitur vetëm 1.628 banesa në të gjithë Kosovën.

    Ky numër ishte dukshëm më i ulët krahasuar me 4.967 sa ishin shitur gjatë gjithë vitit 2022 dhe 6.561 në vitin 2021.

    Komuna e goditur më së keqi ishte ajo e Gjilanit me mbi 90 mijë banorë, ku në gjashtë muajt e parë të vitit 2023 ishin shitur vetëm gjashtë banesa.

    Për gjysmën e dytë të vitit 2023 dhe për vitin 2024, ASK-ja nuk dha shifra për numrin e banesave të shitura, pavarësisht interesimit të Radios Evropa e Lirë.

    Në Kosovë, paga mesatare është rreth 570 euro në muaj.

    Të dhënat e ASK-së tregojnë se pjesa më e madhe e buxhetit familjar në vend ndahet për blerjen e artikujve ushqimorë.

    Madje, pjesa më e madhe e ekonomive familjare e kanë problem të përballojnë ndonjë shpenzim të papritur mbi 200 euro.

  • Më shumë se 50 vende e kanë kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për bisedime tregtare, thotë këshilltari i Trumpit

    Më shumë se 50 vende e kanë kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për bisedime tregtare, thotë këshilltari i Trumpit

    Më shumë se 50 vende i janë drejtuar Shtëpisë së Bardhë për të nisur bisedime tregtare, ka thënë drejtori i Këshillit Kombëtar Ekonomik të SHBA-së, Kevin Hassett, në programin “This Week” të ABC News, siç shkruan The Guardian.

    Ai tha: “Mora një raport nga USTR mbrëmë (zyra e përfaqësuesit tregtar të SHBA) që më shumë se 50 vende i janë drejtuar presidentit për të nisur negociatat”.

    Por ata e bëjnë këtë sepse e kuptojnë se mbajnë barrën më të madhe të tarifave”, shtoi ai.

    Hassett tha se pret “një ndikim të madh te konsumatori në SHBA”, sepse arsyeja pse SHBA ka deficit tregtar të vazhdueshëm dhe afatgjatë është, sipas tij, sepse “këta njerëz kanë furnizim shumë inelastik”.

    “Ata kanë hedhur mallra në vend për të krijuar vende pune, le të themi, në Kinë”.

    Hassett mohoi se tarifat janë pjesë e një strategjie të presidentit Donald Trump për t’i rrëzuar tregjet financiare për të ushtruar presion mbi Rezervën Federale të SHBA-së që t’i ulë normat e interesit, duke këmbëngulur se nuk do të ketë “shtrëngim politik” ndaj bankës qendrore.

    The Guardian shkruan se mallrat e importuara nga dhjetëra vende dhe territore tani do të taksohen me norma shumë më të larta, dhe kjo pritet t’i rrisë kostot e gjithçkaje, nga automjetet deri te rrobat e te kompjuterët.

    Këto tarifa – që mund të arrijnë deri në 50% – synojnë t’i ndëshkojnë vendet për pengesat tregtare që Trump thotë se i kufizojnë padrejtësisht eksportet amerikane dhe shkaktojnë deficit të madh tregtar.

    Nuk është e qartë nëse tarifat do të jenë të qëndrueshme apo nëse Washingtoni do t’i ulë apo heqë ato si përgjigje ndaj negociatave nga vende të tjera për t’i reduktuar tarifat dhe barrierat e tyre tregtare.

    Gjigantët e shitjes me pakicë në SHBA parashikuan se çmimet “me shumë gjasa” do të fillojnë të rriten në SHBA pothuajse menjëherë pas hyrjes në fuqi të një tarife 25% për eksportet nga Meksika drejt SHBA.

    Amerikanët janë paralajmëruar që të përgatiten për çmime më të larta në përgjithësi gjithashtu, me familjet që kanë frikë nga një recesion në të ardhmen dhe inflacion më të lartë për shkak të tarifave.

    Ekipi i Trumpit ka thënë se çdo tronditje afatshkurtër për ekonominë do të vlejë për përfitimet neto të tarifave, të cilat presidenti amerikan pretendon se do të ndihmojnë në rikthimin e prodhimit në SHBA dhe rritjen e të ardhurave nga taksat.

  • Sveçla: 16 persona në katër automjete me targa serbe u ndaluan, 4 prej tyre oficerë të shërbimeve serbe të sigurisë

    Sveçla: 16 persona në katër automjete me targa serbe u ndaluan, 4 prej tyre oficerë të shërbimeve serbe të sigurisë

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se dje dhe sot janë ndaluar 16 persona “të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë”.

    Struktura e të ndaluarve ishte “e kombinuar”, tha ai, “ku katër prej tyre rezultuan të jenë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë”.

    “Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës”, shkroi Sveçla në një postim në Facebook.

    Grupi i parë, i përbërë nga katër persona, ai tha se u ndalua në Gjakovë. “Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën: fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sopatë dhe një dritë rotative. Me vendim të prokurorit, personat janë ndaluar në kohëzgjatje 48 orëshe”.

    “Grupi i dytë, me 12 persona, është ndaluar në Prizren, teksa po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë. Edhe në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe”.

    Ministri tha se “hetimet paraprake kanë konfirmuar se një zyrtar i policisë serbe me gradë të togerit policor, ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Banjskës, Nemanja Radivojevic, nofka “Gandi””.

    “Ky i fundit është i afërt i Vladimir Radivojevic, nofka “Mami”, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku. Zyrtari tjetër ushtarak, i cili bartë gradën e kapitenit të klasit të parë, është lidhje e ish-gjeneralit të inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanovic, i njohur për përfshirjen në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para bombardimeve mbi caqet serbe”, shkroi Sveçla.

    Fakti që u strehuan në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë, sipas tij, “mund të tregojë për një tentativë për të shfrytëzuar institucione fetare për kamuflim ose për të shkaktuar tensione ndëretnike/fetare në Kosovë, duke përdorur ngjarje të sajuara për të nxitur reagime të dhunshme ose trazira”.

    “Organet e sigurisë do të vazhdojnë hetimet dhe do të informojnë opinionin publik për zhvillimet e mëtejshme. Ftojmë qytetarët që të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë dhe të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet tona të sigurisë”, shkroi ai.

    Tëvë1 ka publikuar dokumentet e identifikimit të katër serbëve. Të arrestuarit, sipas televizionit janë: Branko Rakiq me vendbanim në Mitrovicën e Veriut, Nemanja Vamokiq, toger i policisë me vendbanim në Novi Sad, Pavle Kragoviq, me vendbanim në Beograd, si dhe Millovan Steviq, kapiten dhe agjent i ushtrisë serbe me vendbanim në Mitrovicën e Veriut.

    Ky rast u përmend edhe në një komunikatë për media të lëshuara nga Zyra e Kryeministrit sot, pas një mbledhieje të Këshillit të Sigurisë.

    Tëvë1 ka siguruar emrat dhe dokumentet, e katër të arrestuarave, si dhe kartën e njërit nga të arrestuarit të policisë serbe.

  • Largohen katër veturat që rrezikoheshin nga shembja e dheut në Velani

    Largohen katër veturat që rrezikoheshin nga shembja e dheut në Velani

    Në një vendpunishte në lagjen “Velania” në Prishtinë, gjatë ditës së diel pati rrëshqitje dheu.

    Komandanti i Zjarrfikësve, Abdusamed Shkodra, tha se nga kjo shembje dheu, katër vetura rrezikoheshin, përderisa nuk pati të lënduar.

    Lidhur me këtë, Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Kryeqytetit ka ndërmarrë një intervenim të menjëhershëm për largimin e katër veturave.

    Përgjatë intervenimit, rruga u mbyll përkohësisht.

  • Këshilli i Sigurisë i Kosovës diskuton për rritjen e tensioneve dhe ndërhyrjet e Serbisë

    Këshilli i Sigurisë i Kosovës diskuton për rritjen e tensioneve dhe ndërhyrjet e Serbisë

    Këshilli i Sigurisë së Kosovës mbajti mbledhje të jashtëzakonshme pas kërkesës së Kryeministrit Albin Kurti, ku u raportua për gjendjen e sigurisë dhe ndërhyrjet destabilizuese të Serbisë, shkruan Ekonomia Online.

    Gjatë mbledhjes, u diskutua për sulmin në Zveçan, arrestimin e katër shtetasve serbë në Gjakovë, si dhe përpjekjet e Serbisë për të destabilizuar Kosovën përmes ndërhyrjeve në zgjedhje dhe në politikat e brendshme.

    Këshilli i Sigurisë apeloi për gatishmëri të plotë të institucioneve shtetërore dhe falënderoi qytetarët për mbështetje.

  • Në SHBA dhe Evropë mbahen protesta kundër politikave të Trumpit

    Në SHBA dhe Evropë mbahen protesta kundër politikave të Trumpit

    Dhjetëra mijëra persona kanë protestuar në qytetet e mëdha në Shtetet e Bashkuara për të kundërshtuar, siç kanë thënë, politikat përçarëse të presidentit Donald Trump.

    Protestat e 5 prillit ishin demonstratat më të mëdha që kur Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë në janar.

    Kundërshtarët e politikave të presidentit amerikan – nga shkurtimet e stafit në qeveri e deri te tarifat tregtare dhe kufizimi i të drejtave civile – kanë protestuar në Uashington, Nju Jork, Hjuston, Florida, Kolorado, Los Anxhelos dhe në qytete të tjera.

    “Jam shumë e zemëruar gjatë gjithë kohës. Një grup i personave të privilegjuar janë duke e kontrolluar shtetin tonë. Situata nuk është mirë”, tha piktorja nga Nju Jorku, Shaina Kesner, e cila po protestonte në Manhatan.

    Në Uashington, mijëra protestues – shumica që kishin shkuar nga pjesë të tjera të SHBA-së – protestuan kundër politikave të Trumpit.

    “Kemi afër 100 persona që erdhën me autobusë dhe furgonë nga Nju Hampshir për të protestuar kundër kësaj administrate që po bën që të humbasim aleatë në mbarë botën, po shkakton shkatërrim për njerëzit në SHBA”, tha protestuesja Diane Kolifrath.

    “Ata po e shkatërrojnë qeverinë tonë”.

    Në Denver, Kolorado një grup i madh personash protestuan dhe mbajtën pankarta me mbishkrimin: “SHBA-së nuk i duhet një mbret”.

    Tubime kundër Trumpit u mbajtën edhe në disa kryeqytete evropiane, ku protestuesit shprehën kundërshtimin e tyre me politikat tregtare të presidentit amerikan.

    “Ajo çfarë po ndodh në Amerikë është problemi i të gjithëve”, tha për AFP-në Liz Chamberlin, një qytetare me shtetësi amerikane dhe britanike, teksa protestoi në Londër.

    “Është çmenduri ekonomike… Ai po na shtyn drejt një recesioni global”.

    Në Berlin, pensionistja Susanne Fest, tha se Trumpi ka krijuar “një krizë kushtetuese”.

    Protesta kundër politikave të administratës amerikane e organizuar në Berlin të Gjermanisë.
    Protesta kundër politikave të administratës amerikane e organizuar në Berlin të Gjermanisë.
    Në SHBA, një koalicion i grupeve me prirje të majta, sikurse MoveOn dhe Women’s March, tha se ka organizuar ngjarje të quajtura “Duart Larg” në mbi 1.000 qytete.

    Trump ka zemëruar shumë amerikanë, pasi ka marrë vendimin që të bëjë shkurtime të stafit qeveritar, ka rritur presionin ndaj shteteve për tregtinë dhe ka vendosur tarifa ndaj importeve nga shumë shtete, duke tronditur tregjet e aksioneve.

    Shumë demokratë janë të pakënaqur që partia e tyre, që është në opozitë në dy dhomat e Kongresit, duket se është e pafuqishme t’iu kundërvihet veprimeve të Trumpit.

    Protestat e 5 prillit gjerësisht ishin paqësore.

    Pavarësisht kundërshtimeve në mbarë botën për tarifat e vendosura nga Trumpi më herët gjatë javës ndaj importeve nga shumë shtete të botës dhe zemërimit të shumë amerikanëve, Shtëpia e Bardhë i ka shpërfillur protestat.

    “Politikat e mia nuk do të ndryshojnë kurrë”, tha Trump të premten/rel.

  • Pas daljes nga spitali, Papa Françesku shfaqet për herë të parë në publik

    Pas daljes nga spitali, Papa Françesku shfaqet për herë të parë në publik

    Papa Françesku bëri sot daljen e tij të parë publike që nga dalja nga spitali dy javë më parë pas trajtimit për pneumoni të dyfishtë.

    Ai u shfaq në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan me një karrocë me rrota për të përshëndetur turmat, të cilët e pritën me brohoritma.

    “Në ditën e jubileut të të sëmurëve dhe botës së shëndetësisë, i lutem Zotit që kjo prekje e dashurisë së tij të arrijë tek ata që vuajnë dhe të inkurajojë ata që kujdesen për ta”.

    “Lutem edhe për mjekët, infermierët dhe punonjësit e shëndetësisë, të cilët jo gjithmonë ndihmohen të punojnë në kushte adekuate dhe ndonjëherë janë edhe viktima të agresionit”, ishte mesazhi që ndau Papa 88-vjeçar.

  • Serbët nga Kosova sërish ecin në BG për Vuçiqin: “Ta mbështesim, se ai ishte gjithmonë me ne”

    Serbët nga Kosova sërish ecin në BG për Vuçiqin: “Ta mbështesim, se ai ishte gjithmonë me ne”

    Edhe pse kjo paraqitet si një iniciativë spontane qytetare, gjithnjë e më shumë lindin dyshime se bëhet fjalë për një aksion të organizuar nga strukturat politike, ku serbët e Kosovës shfrytëzohen si simbol lojaliteti dhe patriotizmi në funksion të propagandës së Aleksandar Vuçiqit.

    Sipas pamjeve të transmetuara nga mediat pro-qeveritare qe janë në shërbim te Vuciqit shihen të rinj nga vende të ndryshme të Kosovës duke kënduar këngë patriotike dhe duke valëvitur pankarta me mbishkrime si “Graçanica, Kosova dhe Metohia” dhe “Kosova është zemra e Serbisë”. Ata kanë nisur marshimin nga Rudnica, afër pikës kufitare në Jarinjë.

    Ky marshim ka për qëllim mbështetjen e mitingut të 12 prillit në Beograd, ku Vuçiq do të prezantojë projektin e tij të ri politik – “Lëvizja për popullin dhe shtetin”, tashmë e përkrahur edhe nga Lista Serbe, strukturë kjo e lidhur ngushtë me partinë e Vuçiqit SNS.

    Megjithatë, realiteti në Serbi flet për një situatë të ndryshme. Protestat masive të qytetarëve dhe studentëve kundër pushtetit te Vuçiqit, refuzimi në rritje ndaj propagandës shtetërore dhe raportimet për presione ndaj punonjësve të institucioneve për të marrë pjesë në mitingje, hedhin hije dyshimi mbi “vullnetin e lirë” të pjesëmarrësve të serbeve nga Kosova.

    Rastet e ngjashme janë shënuar edhe në vitet 2019 dhe 2023, kur grupe të organizuara të serbëve nga Kosova udhëtuan në Beograd për mitingje politike, shpesh të shoqëruara nga përfaqësues të Listës Serbe dhe nën mbikëqyrjen e strukturave partiake.

    Ndërsa Vuçiq dhe mediat e tij e paraqesin këtë si mbështetje të sinqertë popullore, shumë analistë dhe qytetarë paralajmërojnë se serbët e Kosovës po përdoren sërish – jo si qytetarë me vullnet dhe subjektivitet politik, por si instrument simbolik për nevojat propagandistike të pushtetit në Beograd.

  • Shembet dheu në lagjen Velania, nga zjarrfikësit thonë se nuk ka rrezikuar banorët

    Shembet dheu në lagjen Velania, nga zjarrfikësit thonë se nuk ka rrezikuar banorët

    Në një vendpunishte ne lagjen “Velania” në Prishtinë është shembur dheu.

    Lajmin e ka konfirmuar zv. Komandanti i Zjarrfikësve, Abdusamed Shkodra.

    Ai ka bërë të ditur se tashmë është kryer intervenimi në atë pjesë të lagjes, ku buzë ndërtimit të ri është bërë qarja dhe se rrëshqitja e dheut nuk ka rrezikuar banorët.

    Sipas Shkodrës, katër vetura rrezikoheshin nga kjo shembje.

    “Sapo e përfunduam intervenimin 4 vetura kanë qenë të parkuara dhe ishin të rrezikuara që nga shembja e dheut të binin në vendpunishte, por i larguam. Jemi afër shtatores së “Isa Kastrati”, Brigada ka pranu lajmin në 12:09 minuta, buzë ndërtimit të ri është bërë qarja. Nuk është rrezikuar ndonjë banorë”, tha Shkodra.

  • Berisha prezanton kandidatët në Elbasan, premton investime në arsim: Më 11 maj merr fund dimri 12-vjeçar

    Berisha prezanton kandidatët në Elbasan, premton investime në arsim: Më 11 maj merr fund dimri 12-vjeçar

    Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar sot në qytetin e Elbasanit kandidatët për deputetë të koalicionit PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore, duke shpallur 11 majin si ditën që, sipas tij, “do të shënojë fundin e dimrit 12-vjeçar të qeverisjes së Edi Ramës”.

    Në një takim të mbajtur me qytetarët, Berisha e cilësoi Elbasanin si simbol të rezistencës dhe ndryshimit. “11 maji do të jetë dita e pranverës së vërtetë të demokracisë për Shqipërinë. Në 12 vitet e Edi Ramës, Elbasani u shkretua më shumë se në çdo pushtim, më shumë se në çdo luftë”, u shpreh ai.

    Berisha premtoi se ekipi i tij është i përgatitur për të sjellë një “rilindje të vërtetë” në këtë qytet dhe në mbarë vendin.

    “Deputetët e krahut tjetër politik janë përzierje Ndragheta-Çela. Qyteti nuk do të jetë më i mafias. Bandat do shkojnë aty ku e kanë vendin,” deklaroi Berisha.

    Në të njëjtin takim, Berisha paraqiti edhe një platformë arsimore që, sipas tij, do të transformojë tërësisht sistemin aktual. Një nga premtimet kryesore ishte paga 1500 euro për mësuesit në përfundim të mandatit të parë qeverisës.

    “Jua premtoj këtë nga ky qytet, djep i arsimit. Mësuesit nuk do të largohen më për mungesë orësh apo për paga të ulëta,” u shpreh lideri demokrat.