ATV

Author: ATVLive

  • ​Britania publikoi një deklaratë për inteligjencën artificiale

    ​Britania publikoi një deklaratë për inteligjencën artificiale

    Britania e Madhe shpalli sot Deklaratën e Bletchley-t, të rënë dakord me vende të tilla si Shtetet e Bashkuara dhe Kina, për të rritur përpjekjet globale për të bashkëpunuar në sigurinë e inteligjencës artificiale.

    Deklarata, e nënshkruar nga gjithsej 28 vende, u publikua në ditën e hapjes së samitit të inteligjencës artificiale në Bletchley Park, Anglia qendrore.

    “Deklarata përmbush qëllimet kryesore të samitit në vendosjen e një marrëveshjeje dhe përgjegjësie të përbashkët për rreziqet, mundësitë dhe vazhdimin e procesit të bashkëpunimit ndërkombëtar për sigurinë dhe kërkimin e inteligjencës artificiale, veçanërisht përmes bashkëpunimit më të madh shkencor,” tha Britania në një deklaratë të veçantë.

    Britania mblodhi së bashku qeveritë, akademinë dhe kompanitë që punojnë në inteligjencën artificiale për Samitin inaugurues të Sigurisë së inteligjencës artificiale (AI) të mërkurën për të diskutuar se si të frenohen rreziqet e teknologjisë dhe nëse mund të bëhet.

    Takimi është ideja e kryeministrit Rishi Sunak, i cili dëshiron që Britania të bëhet një ndërmjetëse midis blloqeve ekonomike të Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe Bashkimit Evropian.

    Lista e 100 të ftuarve përfshin liderë botërorë, udhëheqës të teknologjisë si Elon Musk dhe shefi i ChatGPT, Sam Altman, dhe akademikë. Ata mblidhen të mërkurën dhe të enjten në Bletchley Park, shtëpia e kodeve britanike të Luftës së Dytë Botërore.

    Çfarë thotë deklarata?

    Deklarata e miratuar bën thirrje për transparencë dhe llogaridhënie të aktorëve që zhvillojnë teknologjinë më të avancuar të AI në planet e tyre për të matur, monitoruar dhe zbutur aftësitë potencialisht të dëmshme.

    Ai vendosi një agjendë me dy drejtime që synon identifikimin e rreziqeve me interes të përbashkët dhe ndërtimin e një kuptimi shkencor të tyre, si dhe politika të përbashkëta për të zbutur rreziqet.

    “Kjo përfshin, përveç rritjes së transparencës së aktorëve privatë që zhvillojnë aftësitë e AI, standardet e duhura të vlerësimit, mjetet e testimit të sigurisë dhe zhvillimin e aftësive përkatëse të sektorit publik dhe kërkimit shkencor”, thuhet në deklaratë.

    Mbreti britanik Charles III tha sot se komuniteti ndërkombëtar duhet t’i përgjigjet rreziqeve të inteligjencës artificiale me një ndjenjë urgjence dhe uniteti, si në rastin e ndryshimeve klimatike.

    “Kjo është mënyra se si komuniteti ndërkombëtar u përpoq të trajtonte ndryshimet klimatike, të ndriçonte rrugën drejt emetimeve zero dhe të mbronte të ardhmen e planetit tonë,” tha mbreti në një video-mesazh të shfaqur në samitin e inteligjencës artificiale.

    “Ne duhet t’i përgjigjemi në mënyrë të ngjashme rreziqeve që paraqet inteligjenca artificiale, me një ndjenjë urgjence, uniteti dhe forcë kolektive”, tha Charles III.

    Skeptikët pyesin se sa ndikim mund të ketë Britania edhe kur SHBA, G7 dhe Bashkimi Evropian po përpiqen të shtyjnë nisma të tjera, disa prej të cilave tashmë kanë përparuar.

  • ​Ballkani i fortë për Dritën, Malisheva e njofton Egbon me humbje

    ​Ballkani i fortë për Dritën, Malisheva e njofton Egbon me humbje

    Kanë përfunduar ndeshjet e sotme të Superligës së Kosovës, ku kemi rezultate tejet interesante.

    Pas plot 90’ minutave lojë në stadiumin e qytetit në Suharekë, Ballkani e ka fituar derbin kundër Dritës me rezultat minimal 1:0, raporton KosovaPress.

    Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Lumbardh Dellova, i cili i siguroi Ballkanit fitoren në minutën e 36’.

    Fitore sot regjistroi edhe Gjilani, i cili e mposhti 2:1 Feronikelin ’74. Golat për gjilanasit i shënuan Redon Ismaili (minuta e 44’) dhe Nasko Milev (minuta e 63’), kurse golin e nderit te Feronikeli ’74 e shënoi Shilova në minutën e 88’.

    Ndërkaq, skuadra e Malishevës e ka njoftuar Emmanuel Egbon me humbjen e parë në Superligë, pasi e mposhti Prishtinën 1:0.

    Egbo e riktheu qysh në ndeshjen e parë të tij Prishtinën drejt fitores, kurse sot u mposht nga Malisheva 1:0, ku golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Ilir Mustafa nga penalltia në minutën e 85’.

    Rezultatet finale i gjeni më poshtë.

    FC Ballkani 1:0 Drita

    Gjilani 2:1 Feronikeli ‘74

    Malisheva 1:0 Prishtina

  • ​Stacioni Policor në Istog pranon donacion nga KFOR-i

    ​Stacioni Policor në Istog pranon donacion nga KFOR-i

    Stacioni Policor në Istog, sot ka pranuar donacion pёr “dhomёn mike” nga KFOR-i, e cila do tё pёrdoret nga hetuesit e dhunёs nё familje për intervistimin e viktimave të dhunës familjare dhe personave të mitur.

    Donacioni ёshtё dhuruar nga komandanti i brigadёs Perёndimi, kolonel Gabriele Vacca, ndërsa u pranua nga komandanti i Stacionit Policor nё Istog, kapiten Enver Gashi.

    Nё ceremoni ishte prezentë kolonel Shaban Shala, drejtor i Drejtorisё rajonale tё Policisё nё Pejё dhe kryetari i Istogut, Ilir Ferati.

    Policia e Kosovës, do të jetё gjithmonё falënderuese dhe mirënjohëse për ndihmën e ofruar si dhe bashkëpunimin e vazhduar në fusha tё ndryshme dhe atё të sigurisë, thuhet në komunikatën për media.

  • ​Arrestohen 51 persona me urdhëresa tё gjykatave gjatë muajit tetor

    ​Arrestohen 51 persona me urdhëresa tё gjykatave gjatë muajit tetor

    Stacionet Policore, pranё Drejtorisё Rajonale tё Policisё nё Pejё, gjatё muajit tetor 2023, kanё realizuar urdhëresat e gjykatёs ndaj personave tё kёrkuar.

    Gjatё tetorit janё arrestuar 51 persona tё dyshuar pёr vepra tё ndryshme penale, disa prej tyre janё dёrguar nё vuajtje tё dënimit nё qendrat e paraburgimit, ndёrsa disa janё dёrguar ne seanca gjyqёsore, dhe pasi kanё bёrё pagesën e dënimit (gjobёn) janё liruar.

    Drejtoria Rajonale e Policisё nё Pejё, do tё vazhdojë me realizimin e urdhёresave tё lёshuara nga gjykatat kompetente, thuhet në një komunikatë për media.

  • Iu konfiskuan dy iPad-at e fëmijëve, Behrami i drejtohet me shkresë Speciales

    Iu konfiskuan dy iPad-at e fëmijëve, Behrami i drejtohet me shkresë Speciales

    Zyra e Prokurorit të Specializuar tash e tri ditë është duke zhvilluar bastisje në Kosovë.

    Cak i këtyre bastisjeve këto ditë kanë qenë ish-këshilltarët e ish-presidentit Hashim Thaçi, Blerim Shala, Bashkim Smakaj, Artan Behrami dhe Ismail Syla.

    E ish-këshilltari i Thaçit, Artan Behrami banesa e të cilit u bastis dje nga ZPS-ja, ka treguar se gjatë kësaj bastisje iu konfiskuan edhe dy iPad-at e fëmijëve të tij.

    Ai ka publikuar një e-mail të cilin ia ka drejtuar Gjykatës Speciale derisa i ka pyetur se kur do t’ua kthejë iPad-at fëmijëve të tij.

    “Të nderuar, dje gjatë një aksioni të paprecedent për bastisje në banesën time, janë konfiskuar dy iPad-at e fëmijëve të mi, Teos (9) dhe Reit (7).

    Sot në mëngjes, Teo dhe Rei i kërkuan iPad-at e tyre, sepse iu duheshin për praktikat ditore në shkollë. Përmes këtij e-maili ju pyes: kur do t’ua ktheni iPad-at fëmijëve të mi”, shkruan në e-mailin që Behrami i ka drejtuar Gjykatës Speciale.

    Ndryshe kujtojmë se sot ZPS-ja ka bastisur shtëpinë e ish-këshilltarit të Thaçit, Ismail Syla.

  • Abdixhiku për protestën e FIT: Heronjtë e veriut, djemtë më të zot, të poshtëruar nga Qeveria

    Abdixhiku për protestën e FIT: Heronjtë e veriut, djemtë më të zot, të poshtëruar nga Qeveria

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas protestës së njësisë më elitare të Policisë së Kosovës, e njohur si FIT, para Qeverisë së Kosovës.

    Ai thotë se heronjtë e veriut, djemtë më të zot, janë të poshtëruar nga një Qeveri që nuk dëgjon për ta kur ata kanë nevojë.

    “Trishtim. Dëshpërim. Njësia më elitare e shtetit detyrohen në protestë. Heronjtë e veriut, djemtë më të zot, të poshtëruar nga një Qeveri që nuk dëgjon për ta kur ata kanë nevojë. Kosova meriton më mirë. Kosova mundet më shumë”, shkruan Abdixhiku.

  • Nisin punimet për ndërtimin e objektit të Qendrës Rinore dhe Kulturore në Rahovec

    Nisin punimet për ndërtimin e objektit të Qendrës Rinore dhe Kulturore në Rahovec

    Në Rahovec kanë nisur sot (e mërkurë) punimet për ndërtimin e objektit të Qendrës Rinore dhe Kulturore.

    Ky objekt do të jetë multifunksional, pasi që do të ketë shkollën e muzikës, bibliotekën, salla e madhe me 400 ulwse, parkingje nëntokësore dhe amfiteatër të jashtëm .

    Kryteari i Komunws së Rahovecit, Smail Latifi tha se kjo qendër do t’i dedikohet rinisë, kulturës, artit dhe inovacionit.

    Kryetari Latifi tregon se ky projekt kap shumën mbi 2 milionë euro dhe pret të përfundojnë punimet në vitin 2025.

    “I dedikohet rinisë, kulturës, artit dhe inovacionit. Ka hapësira për parkingje nëntokësore gjithsej 34, dhe garazha, hapësira për parkingje të jashtme plus 20 , salla universale, rreth 400 salla, salla e madhe e koncerteve, korridore me mjedise të bukura të përshtatshme, skena dhe prapaskena, zhveshtore, salla për prova e të tjera. Gjithashtu do të ketë edhe shkollë të muzikës me studio për kërcim, klasa, ushtrimore individuale dhe në grupe, për balet, orë instrumentale. Do të ketë qendër për inovacion dhe teknologji me përmbajtje si laboratori, punëtori, sallë për trajnime, zyra të hapura dhe të ndara. Një bibliotekë ku përfshihen sallat për lexim grupor dhe individual, ekspozim i librave dhe sallë për kompjuterë. Një kafiteri me kuzhinë dhe terraca e jashtme. Vlera e kësaj kontrate është rreth 2 milionë e 82 mijë euro. Është paraparë që ky objekt të ketë edhe hapësira të përshtatshme për vendosjen e galerisë së arteve”, tha Latifi.

    Ai ka shtuar se projekti do të mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës.

    “Ministria e Kulturës përkatësisht vet ministri Çeku ka thënë se asnjëherë në Ministrinë e Kulturës nuk ka ardhur një projekt kaq i mirë dhe kaq i kompletuar. Prandaj, edhe nuk është e rastësishme që ne kemi marrë një zotim nga ana e ministrit Çeku që të mbështetet financiarisht ky projekt. Kur të miratohet buxheti ndoshta dhe detyrohemi të ndryshojmë panon, sepse do të jemi në bashkëpunim Komuna e Rahovecit me Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit. Besoj që ky punim do të përmbyllet me sukses në vitin 2025”, tha ai.

    Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Afrim Dina tha se ky projekt ka hapësira të mëdha për zhvillimin e aktiviteteve kulturore.

    “Kemi hapësira jashtëzakonisht të mëdha për zhvillimin e aktiviteteve, si dhe Shkollën e Muzikës Profesionale. Krejt kjo është bërë për shkak te angazhimit të kërkesës që ka qenë për të rinjtë tanë dhe dedikon mundësitë më të mira e të mëdha për qytetarët tanë. Besoj që deri në vitin 2025 të përfundoi ky objekt”, tha Dina.

    Ndërkaq drejtori i Shkollës së Muzikës në Rahovec, Naser Vula tha se për komunën e Rahovecit është projekt më modern dhe më i përsosuri. Ai ndihet i lumtur që për stafin e shkollës të muzikës do të ketë një hapësirë të mirë për punë.

    “Kam një ndjenjë të veçantë dhe emocionale, sepse ky është një investim shumë i qëlluar për kulturë. Për komunën tonë ky është projekti më modern dhe më i përsosuri. Unë si drejtor i Shkollës së Muzikës gëzohem shumë për stafin tim që do të kemi një hapësirë për shkollë të muzikës”, theksoi Vula.

  • ​Kupa e Botës 2034 do të zhvillohet në Arabinë Saudite

    ​Kupa e Botës 2034 do të zhvillohet në Arabinë Saudite

    Pritësi i Kupës së Botës në vitin 2034 do të jetë Arabia Saudite, pasi presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka konfirmuar se turneu do të kthehet në Lindjen e Mesme.

    U raportua të martën se ofertuesi tjetër që ishte Australia u larguan nga gara, pasi iu dha një afat 25-ditor nga FIFA për të shprehur interesimin e tyre.

    Kjo e la Arabinë Saudite si ofertuesin e vetëm për edicionin e Kupës së Botës 2034 dhe presidenti Gianni Infantino ka konfirmuar vendin e Lindjes së Mesme si kombin pritës të kësaj ngjarje sportive, përcjellë KosovaPress.

    “Futbolli bashkon botën si asnjë sport tjetër, një Kupë Botërore është vitrinë e përsosur për një mesazh uniteti dhe përfshirjeje. Kultura të ndryshme mund të jenë së bashku”, tha ai.

  • Këto janë kërkesat njësisë elitare të Policisë

    Këto janë kërkesat njësisë elitare të Policisë

    Njësia më elitare e Policisë së Kosovës, e njohur si FIT sot ka protestuar para Qeverisë së Kosovës. Ata shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj Qeverisë për vendimin për shtesat e rrezikshmërisë, të marrë javën e kaluar.

    Protesta e tyre ishte paqësore, derisa përmes një letre shprehin pakënaqësitë dhe kërkesat.

    “Kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve.
    Rrezikshmëria të caktohet në 50% të pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës”, janë dy kërkesat e tyre.

    Më poshtë letra e tyre drejtuar kryeministrit Albin Kurti:

  • Qeveria: Dokumenti i publikuar për Asociacionin s’përkon me propozimin evropiano-amerikan

    Qeveria: Dokumenti i publikuar për Asociacionin s’përkon me propozimin evropiano-amerikan

    Dokumenti që është publikuar dhe që ka qarkulluar mbrëmjen e së martës në disa media si “draft-statut i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe” nuk përkon me propozimin evropiano-amerikan që i është dorëzuar kryeministrit Kurti në takimin e 21 tetorit si plan për ecjen përpara. Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

    Ai ka shkruar në Facebook se ai dokument nuk përkon absolutisht me propozimin evropiano-amerikan.

    “Dokumenti që është publikuar dhe që ka qarkulluar mbrëmë në disa portale dhe televizione si “draft-statut i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe” absolutisht nuk përkon me propozimin Evropiano-Amerikan që i është dorëzuar kryeministrit Kurti në takimin e 21 tetorit si plan për ecjen përpara”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

    Ndërkohë ai iu është drejtuar edhe mediave.

    “Falënderojmë ato medie të cilat para publikimit apo shpërndarjes së këtij lajmi kanë kontaktuar Zyrën e Kryeministrit për konfirmim dhe verifikim të raportimit, duke shmangur kështu keqinformimin e mëtejmë të publikut”, ka përfunduar ai.