ATV

Author: ATVLive

  • Minatorët ndërpresin grevën

    Minatorët ndërpresin grevën

    Pas 8 ditësh në grevë, sot minatorët e “Trepçës” e kanë ndërprerë atë. Kështu bëhet me dije nga faqja zyrtare e tyre në Facebook.

    “Minatorët e Artanës dhe punëtorët e flotacionit në Njësinë Biznesore Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë e ndërpresin grevën dhe i rikthehen punës”, thuhet në njoftim.

    Sipas tyre ky është “Vendim i duhur dhe shumë i drejtë nga minatorët dhe punëtor e Kishnicës dhe Artanës”.

  • 31 vjet nga hyrja në fuqi e Traktatit të BE-së

    31 vjet nga hyrja në fuqi e Traktatit të BE-së

    Në vitin 1992 u nënshkrua Traktati Maastricht, i cili hapi rrugën për krijimin e BE-së. Me hyrjen e tij në fuqi më 1 nëntor 1993, u krijua BE me 12 vende anëtare: Belgjika, Danimarka, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Britania e Madhe, Portugalia dhe Spanja.

    Traktati i Maastrichtit njihet më shumë si Traktati i Bashkimit Evropian, pasi me të, nisi rruga që do të çonte në vitin 2002 në hyrjen në qarkullim të monedhës së përbashkët evropiane, euro.

    Negociatat për traktatin e Maastrichtit lindën me vullnetin për të realizuar mes shteteve anëtare të Komunitetit, një integrim në sektorin e politikës ekonomike, përmes një përputhjeje të fortë ekonomike të vendeve anëtare, përmes hedhjes në qarkullim të një monedhe të vetme evropiane.

    Në qershor 1992, përmes referendumit, Danimarka i tha “JO” ratifikimit të Traktatit të Maastrichtit. Ndërkohë që në Francë, Traktati i Maastrichtit, i shtruar për referendum merr vetëm 50,4 për qind të votave: një gjysmë fitore dhe një goditje ndaluese për Evropën. Por me gjithë këto vështirësi, Traktati i Maastrichtit eci përpara, u kërkuan zgjidhje politike duke u bazuar në rezultatet e referendumit danez dhe pak nga pak u kapërcye edhe “jo”-ja e francezëve.

    Traktati i Maastrichtit u firmos zyrtarisht nga ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare, në 7 shkurt 1992, në një qytet të vogël të Holandës, prej nga mori dhe emrin, pranë kufirit me Gjermaninë dhe Belgjikën. Por, Traktati i Maastrichtit, menjëherë pas nënshkrimit të tij, nuk pati jetë të lehtë. Pikërisht sepse shënonte një hap të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit evropian, disa vende nuk e pritën mirë, veçanërisht vendet “evropiane”.

    Për nga rëndësia që pati dhe bazat që hodhi, mund të thuhet se ai shkoi shumë më larg se objektivi ekonomik, të cilin kishte përcaktuar në fillim Komuniteti. Ai shënoi një etapë të re të procesit “të një bashkimi të vazhdueshëm më të ngushtë midis popujve të Evropës”, duke e veshur në këtë mënyrë objektivin ekonomik me një frymë politik.

    Me hyrjen e tij në fuqi më 1 nëntor 1993, u krijua Bashkimi Evropian me 12 vende anëtare të Komunitetit, të cilat ishin: Belgjika, Danimarka, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Mbretëria e Bashkuar, Portugalia dhe Spanja. Numri i anëtarëve do të shkonte në 15 në vitin 1995.

    Ndryshe, rrënjët e BE-së datojnë në fund të Luftës së Dytë Botërore. Qëllimi i Etërve Themelues është të siguronin që masakrat dhe shkatërrimi nga Lufta e Dytë Botërore të mos përsëriteshin më kurrë.

    Më 9 maj 1950, ministri i Jashtëm francez Robert Schuman paraqiti një plan për bashkëpunim të zgjeruar, me të cilin filloi procesi i integrimit të kontinentit të vjetër.

    Në bazë të programit të prezantuar nga Schuman, gjashtë vende (Belgjika, Franca, Gjermania, Italia, Luksemburgu dhe Holanda) nënshkruan një marrëveshje në vitin 1951 për të menaxhuar bashkërisht industritë përkatëse të qymyrit dhe çelikut.

    Duke pasur parasysh suksesin e kësaj iniciative, të gjashtë vendet vendosin të zgjerojnë bashkëpunimin në sektorë të tjerë. Kështu, Traktati i Romës që themeloi Komunitetin Ekonomik Evropian (KEE) u nënshkrua në vitin 1957, me qëllim të lëvizjes së lirë të personave, mallrave dhe shërbimeve.

    Në vitin 1973 KEE u zgjerua në tre vende të tjera: Danimarka, Irlanda dhe Mbretëria e Bashkuar. Gjashtë vjet më vonë, për herë të parë qytetarët e këtyre vendeve zgjodhën drejtpërsëdrejti anëtarët e Parlamentit Evropian të cilët më parë ishin caktuar nga parlamentet kombëtare.

    Në shkurt 1992 u nënshkrua Traktati për Bashkimin Evropian në Maastricht, i cili përcakton rregulla të sakta në lidhje me monedhat e vetme, politikën e jashtme dhe bashkëpunimin në fushën e drejtësisë dhe punëve të brendshme. Sipas Traktatit të Maastrichtit, emri i BE-së zëvendëson atë të Bashkësisë Evropiane.

    Në 1995 Austria, Finlanda dhe Suedia u bashkuan me BE. Kështu, shtetet anëtare bëhen 15 dhe përfshijnë pothuajse të gjithë Evropën Perëndimore. Në mars të të njëjtit vit Marrëveshja Schengen hyn në fuqi në shtatë vende. Që atëherë, udhëtarët e çdo nacionaliteti mund të lëvizin në shtetet që bashkohen me ta, pa treguar pasaportën e tyre në kufij.

    Në vitin 2002, në 12 mbërriti kartëmonedha euro. Dy vjet më vonë, tetë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore (Estonia, Letonia, Lituania, Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Sllovenia dhe Hungaria) hyjnë në BE, duke i dhënë fund ndarjes së kontinentit të vendosur nga fuqitë e mëdha gjashtëdhjetë vjet më parë. Qiproja dhe Malta gjithashtu i bashkohen Bashkimit dhe, në vitin 2007, shtohen Bullgaria dhe Rumania.

    Në vitin 2009, Traktati i Lisbonës hyri zyrtarisht në fuqi me qëllim që BE të jetë në gjendje të merret me sfidat globale dhe t’i japë kompetenca më të mëdha Parlamentit Evropian.

    Më 1 korrik 2013, Kroacia bëhet shteti i 28-të anëtar i Bashkimit Evropian. Pas Sllovenisë, është e dyta nga gjashtë ish-republikat jugosllave që të bashkohen me Bashkimin Evropian. Britania e Madhe ndërkaq u tërhoq nga BE-ja përmes procesit BREXIT, duke bërë kështu që BE sot të numërojë 27 vende anëtare.

    Institucionet kryesore të BE-së janë: Parlamenti Evropian, Këshilli Evropian, Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Komisioni Evropian.

    Parlamenti Evropian

    Zgjidhet çdo pesë vjet nga populli i Bashkimit Evropian për të përfaqësuar interesat e tyre. Detyra kryesore e Parlamentit Evropian është miratimi i ligjeve evropiane në bazë të propozimeve të paraqitura nga Komisioni Evropian. Këtë përgjegjësi Parlamenti Evropian e ndanë me Këshillin e Bashkimit Evropian. Parlamenti dhe Këshilli gjithashtu kanë kompetenca të përbashkëta për miratimin e buxhetin vjetor të BE-së. Takimet kryesore të Parlamentit mbahen në Strasburg (Francë) dhe të tjerat në Bruksel (Belgjikë).

    Këshilli Evropian

    Përbëhet nga Kryesuesit e Shteteve apo Qeverive të Shteteve Anëtare, së bashku me Presidentin e tij dhe Presidentin e Komisionit. Në punët e Këshillit merr pjesë edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri. Këshilli Evropian përcakton drejtimin e përgjithshëm politik dhe prioritetet e Bashkimit Evropian, Këshilli nuk ushtron funksione legjislative. Takimet e Këshillit Evropian mbahen dy herë në çdo gjashtë muaj, dhe thirren nga Presidenti i tij. Në rast nevoje, Presidenti fton Këshillin në takime speciale. Mandati i Presidentit është dy vite e gjysmë, dhe ka mundësi të përtëritet vetëm një herë. Këshilli Evropian zakonisht mban takimet e veta në Bruksel.

    Këshilli i Bashkimit Evropian

    Është organi kryesor vendimmarrës i BE-së. Së bashku me Parlamentin Evropian bartë përgjegjësinë për miratimin e ligjeve të BE-së. Këshilli i BE-së përbëhet nga ministrat e qeverive nacionale të të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Në takime marrin pjesë ministrat përgjegjës për temën që diskutohet. Çdo gjashtë muaj, një shtet anëtar i ndryshëm merr përsipër të presidencën e BE-së, që nënkupton kryesimin e këtyre takimeve dhe përpilimin e agjendës së përgjithshme politike. Presidenca e radhës nuk zbatohet në Këshillin për Politikë të Jashtme i cili kryesohet nga Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri.

    Komisioni Evropian

    Është organi ekzekutiv i BE-së dhe përfaqëson interesat e BE-së si tërësi. Përpilon propozime për ligjet e reja evropiane të cilat ia paraqet Parlamentit Evropian dhe Këshillit. Vë në praktikë politikat e përbashkëta të BE-së dhe menaxhon fondet dhe programet e BE-së. Komisioni gjithashtu luan rolin e “kujdestarit të traktateve” duke u siguruar që të gjithë të respektojnë traktatet dhe ligjet e BE-së. Mund të veprojë kundër shkelësve të rregullave, duke i dërguar në rast nevoje edhe në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.

    Komisioni përbëhet nga 27 komisionarë – një për secilin shtet anëtarë të BE-së. Presidenti i Komisionit zgjidhet nga 27 qeveritë e BE-së dhe miratohet nga Parlamenti Evropian. Komisionarët e tjerë emërohen nga qeveritë e tyre nacionale në konsultim me presidentin që vjen dhe duhet të miratohen nga Parlamenti Evropian. Ata nuk përfaqësojnë qeveritë e shteteve nga vijnë. Secili prej tyre është përgjegjës për një lëmi të caktuar të politikave të BE-së. Të gjithë ata emërohen në mandat pesë vjeçar.

  • Zbulohen emrat e disa serbëve që dyshohet se kanë kryer krime në Kosovë

    Zbulohen emrat e disa serbëve që dyshohet se kanë kryer krime në Kosovë

    Në nëntor 1999, në fshatin Kishnicë, afër Prishtinës, në shtëpinë e Sabit Krasniqit, u gjet një listë me 20 emra të paramilitarëve serbë.

    Ata kishin vendosur shtabin operativ paramilitarë dhe nga shumë burime dëshmohet se nga kjo bazë shkonin e bënin krime ndaj popullatës civile shqiptare nëpër shumë pjesë të Kosovës.

    Bazuar në listën me emra e mbiemra dhe në adresat e tyre, rezulton se këta paramilitarë janë nga Kosova me përjashtim të njërit që ishte nga Kurshumlija.

    Një pjesë prej tyre, krime kanë kryer edhe në fshatin Kishnicë. Për këto krime kanë dëshmuar Musa Gashi dhe Bajram Gashi, që kanë shpëtuar nga kjo masakër.

    Në listën e gjetur janë këta emra:

    Berisha Ruzhdi – Bekim, rom

    Iliq Stalin – Velko

    Paniq Pavli – Sinisha, Prelloc i Prishtinës

    Cvejiq Lubisha – Lan, Hallaq i Madh – Lipjan

    Vukadinoviq Jovan – Njegosh, Kurshumli

    Andriq Mirko – Drashko, Prishtinë

    Dikiq Branko – Nebojsha, prilluzhë

    Krastiq Rade – Svetisllav, Skullan i Lipjanit

    Selishnik Jelica – Tomisllav, Kishnicë

    Sinisha Jovanoviq, Kishnicë

    Jovan Karaxhiq, Kishnicë

    Goran Trajkoviq, Kishnicë

    Boban Trajkoviq, Kishnicë

    Dejan Trajkoviq, Kishnicë

    Predrag Gjorgjeviq, Kishnicë

    Petar Saveliq, Kishnicë

    Mile Bulajiq, KIshnicë

    Gjorgje Bulajiq, KIshnicë

    Zhivorad Mitiq – Zhiko, Kishnicë

    Dragan Mitiq – Burdo, KIshnicë

    Dragan Miliq, Kishnicë

    Zoran Trajkoviq, Kishnicë

    Mike Iliq, Graçanicë

    Dushan Iliq, Graçanicë

  • Sot ditëlindja e heroit Zahir Pajaziti

    Sot ditëlindja e heroit Zahir Pajaziti

    1 nëntori shënon ditëlindjen e komandantit të UÇK-së dhe heroit të Kosovës, Zahir Pajazitit.

    Ai është lindur më 1 nëntor 1962 në Turuqicë të Podujevës, ndërsa ra heroikisht me 31 janar 1997 në Pestovë të Vushtrrisë.

    Bashkë me Zahir Pajazitin, u vranë edhe Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

    Më 31 janar 2008, në 11-vjetorin e rënies, ish-presidenti Fatmir Sejdiu i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës, Urdhrin Hero i Kosovës.

  • Gështenjat e pjekura përmbajnë më shumë vitamina, ato të ziera më shumë minerale

    Gështenjat e pjekura përmbajnë më shumë vitamina, ato të ziera më shumë minerale

    Gështenjave u atribuohen veti medicinale, dhe për shkak të vlerës së tyre të lartë energjetike, rekomandohen veçanërisht për atletët dhe fëmijët.

    Ato ndihmojnë me problemet e veshkave dhe të tretjes, çaji i gështenjës funksionon shumë në lehtësimin e simptomave të astmës dhe bronkitit, si dhe mund të hahet në supa dhe sallata.

    Gështenjat shfaqen dhe konsumohen që në kohërat parahistorike në Mesdhe dhe Azi. Fillimisht, ato u rritën në Kinë, Japoni, dhe më pas legjionet romake i sollën në Evropë. Dihet se gështenjat e pjekura shiteshin në rrugët e Romës në shekullin e largët të 16-të, ndaj era dehëse u përhap edhe atëherë nëpër rrugët e qytetit, ashtu si sot.

    Fruta e gështenjës ka ngjyrë të kuqërremtë në kafe dhe ka një sipërfaqe të lëmuar. Ajo rritet brenda një këllëfi me gjemba që ndahet në vjeshtë kur fruta piqet.

    Gështenjat i përkasin grupit të arrave, por ndryshojnë nga të afërmit e tyre (arrat, bajamet dhe lajthitë) në atë se kanë një përmbajtje më të ulët yndyre dhe një përmbajtje të lartë niseshteje dhe janë të vetmet që përmbajnë vitaminë C. Gështenja karakterizohet nga një teksturë e veçantë dhe një shije e ëmbël dhe e butë.

    Njihen njëqind lloje të ndryshme gështenjash. Në përgjithësi ndahen në të zbutura dhe të egra. Ato janë të zbutura dhe të ngrënshme, të cilat janë më të ëmbla dhe më të mëdha se gështenjat e zakonshme. Nga ana tjetër, gështenja e egër, e cila fatkeqësisht nuk është e ngrënshme, ka veti medicinale. Më shpesh përmendet si ndihmës për variçet dhe dëmtimet e kapilarëve dhe ekstraktet e tij përdoren për përgatitjen e preparateve medicinale.

    Vlera ushqyese e gështenjave

    Për sa i përket përbërjes ushqyese, gështenjat janë të ngjashme me orizin kaf, dhe janë një burim i shkëlqyer i elementëve gjurmë (minerale që na duhen në sasi shumë të vogla).

    Proteinat nuk janë pika e tyre e fortë, por për këtë arsye ato janë shumë të pasura me niseshte dhe nga këto fruta mund të bëhet edhe miell. Gështenja është arra e vetme që përmban vitaminë C, dhe është një burim i shkëlqyer i vitaminës B6. Gështenjat janë gjithashtu një burim i mirë i kaliumit dhe acidit folik, si dhe fibrave dietike të nevojshme për funksionimin e duhur të sistemit tretës.

    Gështenja është një ushqim që karakterizohet me një vlerë pak më të lartë energjetike, pasi 100 gramë gështenjë të pjekur përmban rreth 245 kcal. Edhe pse fruta e gështenjës është shumë ushqyes, është mjaft i vështirë për t’u tretur. Është interesante se gështenjat e pjekura përmbajnë më shumë vitamina, dhe gështenjat e ziera përmbajnë më shumë minerale.

    Si të zgjidhni gështenjat?

    Kur blini gështenja, duhet t’i kushtoni vëmendje faktit që frutat janë më të mëdhenj, me shkëlqim, pa vrima në guaskë, gjë që është shenjë se nuk ka larva të padëshirueshme.

    Kur i marrim në duar, masa e tyre duhet të korrespondojë me madhësinë e tyre dhe nuk duhet të kenë një tingull bosh kur tunden. Gështenjat duhet të ruhen në një vend të ftohtë deri në dy javë dhe është e dobishme të kontrolloni nëse janë shfaqur vrima në fruta të caktuara dhe më pas frutat e tilla duhet të ndahen.

    Gështenjat si ilaç

    Vlera relativisht e lartë e energjisë për shkak të përmbajtjes së lartë të niseshtesë i bën gështenjat një zgjedhje të shkëlqyer për atletët, njerëzit e ekspozuar ndaj sforcimit fizik dhe fëmijët.

    Duke qenë se janë të pasura me kalium dhe në të njëjtën kohë të ulëta në natrium, gështenjat përshtaten në mënyrë të përkryer në dietën e njerëzve me sëmundje kardiovaskulare dhe të veshkave.

    Gjithashtu, fibrat dietike që përmbajnë ato mund të jenë të dobishme për të gjithë njerëzit me jashtëqitje të çrregullt.

    Çaji nga gjethet e gështenjës është një ilaç popullor i njohur për problemet e frymëmarrjes si bronkiti dhe astma, ndërsa lëvorja dhe druri i gështenjës përdoren si astringent për shkak të pasurisë së tyre me tanine.

    Përgatitja e gështenjave

    Aplikimi gastronomik shkon shumë më tej sesa thjesht shijimi i gështenjave të ziera ose të pjekura.

    Gama e pjatave me gështenja është e larmishme dhe shtrihet nga supat tek pjatat kryesore deri tek ëmbëlsirat dhe produktet e pjekura.

    Gështenjat shpesh shtohen në sallata dhe pjata me makarona. Në shumë vende të botës, Krishtlindjet janë të paimagjinueshme pa një gjeldeti të mbushur me mbushje gështenjash.

    Pureja e gështenjave të ziera (për shkak të konsistencës së ngjashme me patatet) përveç që shijohet me krem ​​pana, përdoret edhe si mbushje për brumëra të ndryshëm. Përdoret edhe në përgatitjen e salcave që shërbehen me gjahun.

    Gështenjat e pjekura mund të thahen dhe bluhen në miell, i cili jep një kore të pasur dhe të shijshme gjatë përgatitjes së ëmbëlsirave dhe byrekut.

  • Çfarë ndodh në tru gjatë menstruacioneve?

    Çfarë ndodh në tru gjatë menstruacioneve?

    Për herë të parë, shkencëtarët kanë treguar ndryshime strukturore në të gjithë trurin gjatë menstruacioneve.

    Ndryshimet e vazhdueshme në nivelet e hormoneve që drejtojnë ciklin menstrual nuk ndikojnë vetëm në anatominë riprodhuese.

    Ata gjithashtu riformojnë trurin, dhe një studim i ri na ka dhënë njohuri se si ndodh ai proces, shkruan Science Alert.

    Të udhëhequr nga neuroshkencëtarët Elizabeth Rizor dhe Victoria Babenko nga Universiteti i Kalifornisë, Santa Barbara, një ekip studiuesish ndoqi 30 gra gjatë ciklit të tyre menstrual. Ata dokumentuan në detaje ndryshimet strukturore që ndodhin në tru ndërsa nivelet e hormoneve luhaten.

    Rezultatet, të cilat ende nuk janë rishikuar nga kolegët, sugjerojnë se ndryshimet strukturore në tru gjatë menstruacioneve mund të mos kufizohen në rajonet që lidhen me ciklin menstrual.

    “Këto rezultate tregojnë ndryshime të njëkohshme në mikrostrukturën e lëndës së bardhë njerëzore dhe trashësinë kortikale që përkojnë me ritmet hormonale të nxitura nga cikli menstrual,” shkruajnë studiuesit, duke shtuar se efektet e fuqishme të ndërveprimeve të trurit-hormonit mund të mos kufizohen në hipotalamus-hipofizën e njohur klasike.

    Çdo grua e shëndetshme do të ketë rreth 450 perioda gjatë jetës së saj, ndaj do të ishte e dobishme të dimë sa më shumë efekte të ndryshme që mund të kenë në funksionimin e trurit dhe të trupit në përgjithësi.

    Megjithatë, edhe pse kjo është diçka që i ndodh gjysmës së popullsisë së botës gjatë gjysmës së jetës së tyre, hulumtimi ka munguar disi. Shumica e kërkimeve mbi efektet hormonale në tru janë fokusuar në komunikimin e trurit gjatë detyrave njohëse, jo në vetë strukturat e trurit.

    “Luhatjet ciklike të hormoneve ushtrojnë efekte të fuqishme të sjelljes, strukturore dhe funksionale nëpërmjet veprimeve në sistemin nervor qendror të gjitarëve,” vërejnë Rizor, Babenko dhe ekipi i tyre, dhe theksojnë se dihet shumë pak se si këto luhatje ndryshojnë nyjat strukturore dhe informacionin në rrugët e trurit të njeriut.

    Mikrostruktura e lëndës së bardhë, rrjeti i fibrave neuronale që bartin informacionin midis rajoneve të materies gri, është zbuluar se ndryshon me ndryshimet hormonale, duke përfshirë efektet e pubertetit, përdorimin e kontraceptivëve oralë dhe terapinë hormonale.

    Një ekip ekspertësh kryen imazhe të rezonancës magnetike të subjekteve të tyre gjatë tre fazave menstruale: menstruacioneve, ovulacionit dhe mesit të lutealit. Në kohën e secilit prej këtyre skanimeve, studiuesit matën gjithashtu nivelet e hormoneve të pjesëmarrësve.

    Rezultatet e hulumtimit treguan se ndërsa hormonet luhaten, luhaten edhe vëllimet e lëndës gri dhe të bardhë, si dhe vëllimi i lëngut cerebrospinal.

    Në veçanti, pak para ovulacionit, kur nivelet e hormoneve 17 beta-estradiol dhe hormonit luteinizues rriten, truri i pjesëmarrësve shfaqi ndryshime në lëndën e bardhë, duke treguar një transmetim më të shpejtë të informacionit.

    Folikuli që rritet para ovulacionit dhe ndihmon në stimulimin e folikulave ovariane, u shoqërua me lëndë gri më të trashë.

    Progesteroni, i cili rritet pas ovulacionit, u shoqërua me zmadhimin e indeve dhe reduktimin e vëllimit të lëngut cerebrospinal.

    Çfarë do të thotë kjo për funksionimin dhe ndikimin e trurit me ndryshime të tilla nuk dihet ende, por hulumtimi hedh bazat për studimet e ardhshme dhe ndoshta një kuptim të shkaqeve të problemeve të pazakonta, por të rënda të shëndetit mendor që lidhen me menstruacionet.

    “Pavarësisht nga fakti se aktualisht nuk kemi raporte të pasojave funksionale ose korrelacione të ndryshimeve strukturore të trurit, gjetjet tona mund të kenë implikime për ndryshimet hormonale në sjellje dhe njohje”, shkruajnë studiuesit.

    Ekipi i shkencëtarëve vuri në dukje se kërkimi mbi marrëdhëniet midis trurit dhe hormoneve është i nevojshëm për të kuptuar funksionimin e sistemit nervor të njeriut në baza ditore, gjatë periudhës së tranzicionit hormonal dhe gjatë gjithë jetëgjatësisë së njeriut.

  • Kosovarët shënojnë rekord në kursime, 5.89 miliardë euro në banka

    Kosovarët shënojnë rekord në kursime, 5.89 miliardë euro në banka

    Shuma e kurimeve që qytetarët e Kosovës kanë në banka ka arritur në vlerën prej 5.89 miliardë euro.

    Këtë e ka bërë të ditur Banka Qendrore e Kosovës pikërisht të martën në Ditën Botërore të Kursimeve.

    Kjo vlerë konsiderohet më e larta që është shënuar deri më tani

    “Depozitat e klientëve në shtator 2023 kanë shënuar rritje për rreth 14.63 milionë euro krahasuar me muajin paraprak. Vlera e depozitave në shtator 2023 arriti vlerën 5.89 miliardë euro”.

    Rreth 25% e kursimeve janë me afat.

    “Ekonomitë familjare dominojnë me rreth 66.5% të totalit të depozitave (apo rreth 3.88 miliardë euro). Vlera e depozitave të reja në muajin shtator ishte 87.02 milionë euro”.

  • Nis rigjykimi në rastin Veteranët, 12 të akuzuarit deklarohen të pafajshëm

    Nis rigjykimi në rastin Veteranët, 12 të akuzuarit deklarohen të pafajshëm

    Përgatiti: Nora Luta

    Agim Çeku, Rrustem Berisha e Shkumbin Demalijaj do ta vazhdojnë përballjen me drejtësinë edhe një herë tjetër, rreth akuzave se jashtëligjshëm aprovuan mijëra aplikacione për njohjen e statusit të veteranëve.

    Përveç tyre, edhe nëntë të akuzuarit e tjerë erdhën të martën në sallën e gjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ku pas disa dështimeve u arrit të mbahet shqyrtimi fillestar.

    Në rigjykim fajësinë për keqpërdorim me listat e veteranëve e mohuan 12 të akuzuarit.

    Megjithatë, prokurori special, Valdet Gashi, në fjalën hyrëse tha se të akuzuarit, në bashkëkryerje, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre si anëtarë të Komisionit Qeveritar, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, sipas tij, vazhdon të rritet çdo ditë.

    Ndërkohë, mbrojtja e ish-ministrit të Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ka kontestuar kohën e kryerjes së veprës penale, siç është e përshkruar në aktakuzë.

    E Shukri Buja, i cili në seancën e kaluar nuk u paraqit në seancë, e ndaj të cilit gjykata paralajmëroi urdhëresë për shoqërim, këtë herë nuk u pajtua me avokatin e caktuar nga Gjykata, meqë ai nuk e kishte përzgjedhur një.

    Sipas aktakuzës, fryrja e listës së veteranëve i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit mbi 88 mijë euro, e janë rreth 19 mijë e 500 persona që pretendohet se përfituan rrejshëm statusin e veteranit.

    Në vitin 2021, Gjykata i kishte liruar nga akuzat Çekun e të tjerët, por nga prilli i vitit të kaluar kur rasti u kthye në rigjykim, nuk kishte arritur të mbahet asnjë seancë deri tash.

  • Dhuna ndaj të moshuarës në Pejë, mbahet seanca fillestare ndaj ish infermiereve

    Dhuna ndaj të moshuarës në Pejë, mbahet seanca fillestare ndaj ish infermiereve

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Para një viti punonin bashkë në shtëpinë e moshuarve në Pejë, e bashkë por në rrethana të tjera, tri ish-infermieret u paraqitën në gjykatoren e këtij qyteti.

    Aurona Pelajn, Altina Rexhepin e Remzije Kuqin, Prokuroria po i akuzon se kryen dhunë ndaj të moshuarës Minire Bytyqi- Nura, akt të cilin edhe e xhiruan.

    Megjithëse pala e dëmtuar refuzoi, Gjykatësja, megjithatë vendosi që seancën fillestare ta mbyll për publikun.

    Përveç mediave e publikut, disa minuta më vonë nga seanca dolën edhe vajza e viktimës dhe avokati, meqenëse paraprakisht nuk ishin përfshirë si palë në procedurë.

    “Sot u ndjeva shumë keq. Më komod ishin ato (tri të akuzuarat) që kanë ushtru dhunë, sesa unë sot. Nuk e di cka po ndodh në këtë kosovë. Besoj në drejtësi, dhe do vazhdoj të besoj deri në fund”, tha vajza e të dëmtuarës, Xhaneta Nuha.

    “Kjo procedurë besoj se do kryhet pa prezencën tonë, siç duket është e përgatitur mirë…po shkon gjithçka në favor të palës kundërshtare”, tha Meshari Selimaj, avokat i palës së dëmtuar.

    Sidoqoftë, televizoni merr vesh se nga tri të akuzuarat, vetëm Aurona Pelaj e pranoi fajësinë, për ngjarjen e 29 tetorit të vitit 2022, e cila u xhirua nga vet e pandehura Remzije.

    “Me kërkesë të të pandehurës Aurona, e pandehura Remzije, të xhirojë me telefon veprimet e përdorimit të forcës ku ashtu edhe vepron, për çka i njëjti incizim është publikuar në portalet elektronike të mediave, vërehet gjersa e pandehura Altinae kap për dorën e majtë viktimën duke e mbajtur, ndërsa pasi e njëjta e lëshon, e pandehura Aurona vazhdon me përdorimin e forcës ndaj viktimës, duke e kapur me të dyja duart në pjesët e parakrahut, duke e goditur disa herë me shuplaka në fytyrë, si dhe duke e goditur tri herë me gjunjë në pjesë abdominale”, thuhet në aktakuzë.

    Tri të pandehurat ishin liruar pasi kishin mbajtur një muaj paraburgim, ndërsa viktima Minire Bytyqi – Nura, sot e asaj dite vazhdon trajtimin dhe qëndrimin në shtëpinë e vajzës, Xhaneta.

  • Bastisjet e Speciales, Behrami: Specialja dëshiron të ngjallë frikë

    Bastisjet e Speciales, Behrami: Specialja dëshiron të ngjallë frikë

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Aksionet e bastisjeve, Zyra e Prokurorit të Specializuar i vazhdoi edhe këtë të martë. Cak i bastisjeve për më shumë se 8 orë, ishte prona e ish-këshilltarit të ish-presidentit Hashim Thaçit, Artan Behrami. Gjatë aksionit u bastis edhe shtëpia e prindërve të tij.

    Sipas tij, aksioni i Dhomave të Specializuara është aksion politik.

    Derisa, avokati Artan Çerkini bastisjet i quajti veprime të dëshpëruara.

    Çerkini për më tepër tha se ish-këshilltari i Thaçit nuk është i evidentuar si i dyshuar.

    Sipas nënkryetares së PDK-së, bastisjet si këto të ditës së martë janë përndjekje politike.

    Për aksionet ka reaguar edhe ish-këshilltari tjetër i Thaçit, Adil Behramaj, i cili ka thënë se Gjykata Speciale po provon të gjejë arsyen e dështimit në banesat e tyre.

    Të hënën janë bastisur edhe pronat e dy ish-këshilltarëve tjerë të Hashim Thaçit, Blerim Shala dhe Bashkim Smakaj.