ATV

Author: ATVLive

  • Bastiset shtëpia e ish-këshilltarit të Thaçit, konfiskohet telefoni i Ismajl Sylës

    Bastiset shtëpia e ish-këshilltarit të Thaçit, konfiskohet telefoni i Ismajl Sylës

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Me autorizim të dhomave të specializuara dhe me asistim të zyrtarëve të EULEX-it e të Policisë së Kosovës, zyra e prokurorit të Specializuar ka kryer bastisje të mërkurën në shtëpinë e ish-këshilltarit tjetër të Hashim Thaçit, Ismail Syla.

    Në aksionin që zgjati më shkurt se në dy ditët e kaluara, sipas avokatit Artan Çerkini, është konfiskuar vetëm një telefon.

    “Asgjë nuk është konfiskuar përveç se një telefon, asgjë tjetër dhe se telefoni i përket zotit Syla. Arsyeja e bastisjes është si edhe në rastet e tjera, sipas tyre mund të gjenden prova me relevancë për procedurat të cilat janë duke u zhvilluar pranë dhomave të specializuara, por që nuk kanë dhënë detaje të tjera, derisa po cenohet një e drejtë kushtetuese privatësia dhe paprekshmëria e banesës”, tha Çerkini.

    Sipas Çerkinit, Syla nuk është evidentuar, si i dyshuar në dokumente, derisa shprehu vërejtjen se ka pasur shkelje ligjore dhe kushtetuese.
    “Zotëri Syla siç edhe të tjerët nuk e kanë fare statusin e personit të dyshuar, po edhe përkundër faktit që nuk e ka statusin ata po bastisen, mendoj që është shkelje kushtetuese dhe ligjore dhe ne këto shkelje do t’i adresojmë përmes mjeteve juridike në fazën adekuate të procedurës”, tha Çerkini.

    Se aksionet e bastisjes nuk janë transparente e thotë edhe hulumtuesi në IKD, Lavdim Makshana.

    “Sa i përket bastisjeve, Dhomat e Specializuara dhe zyra e prokurorit të specializuar kanë treguar jotransparencë ndaj publikut dhe ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës. Transparenca e tyre duhet të jetë gjithmonë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kodin e procedurës penale dhe kjo gjithmonë duke ruajtur atë që të mos dëmtohet procedura gjyqësore”, tha Makshana.

    Përveç se operacionet po kryhen në mbështetje të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, nuk dhanë detaje të tjera për ATV-në, lidhur me aksionin e këtyre bastisjeve.

    Kjo është bastisja e 5-të, që është ndërmarrë gjatë këtij viti, ndaj ish-bashkëpunëtorëve të Hashim Thaçit.

    Të hënën, specialja kreu bastisje te Blerim Shala dhe Bashkim Smakaj, të martën u bastis shtëpia e Artan Behramit, ndërsa shkurt zyrtarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar kishin bastisur pronën e Adil Behramajt.

  • Buxheti i vitit 2024, ekspertët thonë s’ka rritje, kritikojnë qeverinë se po manipulon me numra

    Buxheti i vitit 2024, ekspertët thonë s’ka rritje, kritikojnë qeverinë se po manipulon me numra

    Përgatiti: Driton Sadiku

    76 milionë euro më shumë se këtë vit, do t’i ketë shteti në dispozicion në vitin e ardhshëm. Buxheti për vitin 2024 që u miratua nga Qeveria të martën, parashihet të jetë 3 miliardë 314 milionë euro.

    Por, duke marrë parasysh shkallën e inflacionit për një ish-ministër që menaxhoi paranë e shtetit 76 milionë euro, nuk mund të konsiderohet rritje.

    “Nuk është rritje, është zvogëlim, është degradim. Vetëm inflacioni në muajin shtator, sipas ASK-së, është 4,2 për qind, rritja prej 100 milionësh nuk është rritje as 1 për qind, është zvogëlim edhe nominal, edhe real”, tha ish-ministri i Financave, Haki Shatri.

    Ndonëse, ministri i Financave, Hekuran Murati, theksoi se me rritjen e buxhetit do ketë ndarje më të madhe në pothuajse të gjitha dikasteret, Shatri vlerëson se qeveria po manipulon me numra.

    “Si ka me u rritë kur janë krejt 100 milionë e kanë me u nda në 60 organizata buxhetore, nuk është rritje ajo, është zvogëlim i të hyrave buxhetore për organizata buxhetore, është mashtrim ordiner”, tha Shatri.

    Sidoqoftë, sipas profesorit të ekonomisë Medain Hashani, me politikat aktuale fiskale, Qeveria as që do të mundë të realizojë buxhetin prej 3.3 miliardë eurosh.

    Hashani ka rezerva që edhe rritja e koeficientit të pagave prej 110 eurosh, të cilin e paralajmëroi ministri Murati, nuk mund të realizohet me këtë buxhet të paraparë.

  • Kurti: Pjesëtarët e Njësisë Speciale kanë pajisje në vlerë 10 mijë euro, të ardhurat e tyre sivjet shkuan mbi 2200 euro

    Kurti: Pjesëtarët e Njësisë Speciale kanë pajisje në vlerë 10 mijë euro, të ardhurat e tyre sivjet shkuan mbi 2200 euro

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas protestës së njësitit më elitar të Policisë së Kosovës.

    Kurti ka thënë se rreth 27% të policëve të Kosovës kanë marrë më shumë se 1000 euro, ndërkaq, 203 policë këtë vit kanë pasur të ardhura më të larta sesa presidentja, ndërkaq thotë se të ardhurat mesatare të shumicës dërrmuese të pjesëtarëve të kësaj njësie elitare sivjet shkuan mbi 2.200 euro në muaj.

    ”Paga mesatare në sektorin privat në Kosovë është 470 euro, ndërkaq në atë publik është 700 euro. Të punësuar në sektorin privat janë rreth 340 mijë qytetarë, kurse në atë publik rreth 80 mijë qytetarë”.

    ”Secili pjesëtar i NjSI ka pajisje në vlerë prej afër 10 mijë euro. Të ardhurat mesatare të shumicës dërrmuese të pjesëtarëve të kësaj njësie elitare sivjet shkuan mbi 2.200 euro në muaj (paga bazë plus shtesat). Tash do ta kenë edhe shtesën e rrezikshmërisë prej 150 euro në muaj, përderisa vazhdon kjo situatë në veri të vendit, e që është niveli më i lartë i kësaj shtese. Në fund të muajit nëntor i bie që përveç pagës së rritur, secili prej tyre do të marrë edhe shumën neto prej 1.350 euro retroaktivisht (shtesa e rrezikshmërisë shkurt-nëntor 2023)”, ka thënë Kurti.

    Më tutje, ai ka falënderuar njësitin speical për kontributin, por ka thënë se në Kosovë BPV për kokë banori është rreth 460 euro në muaj, duke aluduar se policët paguhen më shumë.

    ”Nevojat, jo vetëm dëshirat, janë përherë e shumë herë më të thjeshta se zgjidhjet. Jetojmë në Kosovë, ku BPV për kokë banori në muaj është rreth 460 euro. E sivjet, 2.134 policë të Kosovës, apo gati 27% morën më shumë se 1.000 euro në muaj mesatarisht. Janë 203 policë të Kosovës që sivjet patën të ardhura më të larta sesa Presidentja e Republikës (1.890 euro bruto, koeficienti 18), e në muajt qershor e korrik ishin afër 700 sosh (ku sigurisht bëjnë pjesë shumica absolute e pjesëtarëve të NjSI). Ju falemnderit pjesëtarëve të NjSI-së për shërbimin ndaj atdheut dhe zbatimin e ligjit”, ka deklaruar Kurti.

    Njësiti elitar ka protestuar të mërkurën para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar kushte më të mira”.

  • Komuna e Shtërpcës shpenzoi vetëm 5% të buxhetit për investime kapitale

    Komuna e Shtërpcës shpenzoi vetëm 5% të buxhetit për investime kapitale

    Përgatiti: Benita Zeneli

    I ka të alokuara mbi 1 milion e 200 euro, por për 9 muaj të këtij viti i shpenzoi vetëm mbi 66 mijë euro. Rrjedhimisht, Shtërpca është komuna me më së paku shpenzime në projekte kapitale, vetëm 5%, dhe renditet pas 4 komunave veriore që kanë 0% shpenzime.

    Pak nga buxheti për projekte kapitale ka shpenzuar edhe komuna Ranillug, vetëm 11%, Hani i Elezit 15% dhe me nga 16% komuna e Fushë-Kosovës, ajo e Novobërdës dhe ajo e Vushtrrisë.

    “Tash jemi në vlugun e punës, kështu që ajo nuk duhet të qëndrojë, të presim edhe pak dhe ta shohim finalen kur të arrijmë te 80%”, tha Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi.

    Ndërkaq, më mirë qëndrojnë komunat si Prizreni me 50% të mjeteve të shpenzuara për investime kapitale, Graçanica me 57% si dhe Skenderaj e Ferizaj me nga 59%.

    “Shumica e komunave, në vitin 2022 kanë shpenzuar më shumë se 90% respektivisht 100% të buxhetit, dhe kjo gjë besoj fuqishëm që do të ndodhë edhe me buxhetin e vitit 2023”, tha kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.

    Ndërkohë, në listën e shpenzimeve për 9 muaj prin komuna e Malishevës me 93% të buxhetit për projekte kapitale, 91% Obiliqi, kurse Deçani me progres prej 78%.

  • Komunikimi i “butë” i BE-së me Serbinë karshi “njohjes de fakto”

    Komunikimi i “butë” i BE-së me Serbinë karshi “njohjes de fakto”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    “Njohja de-fakto e Kosovës”, “sulmi terrorist” dhe “masa ndëshkuese”, janë tri fraza që u shmangën nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, në vizitën e saj në Beograd.

    Në prani të saj, presidenti serb Aleksandar Vucic me krenari tha se “njohja e Kosovës nuk është fare çështje për Serbinë”.

    Duke konstatuar nuanca më të buta në komunikimin me Serbinë, profesori i diplomacisë në Paris, Valon Murtezaj, vlerësoi se kjo është një strategji afatgjate e BE-së, si tërësi, për të afruar Serbinë me perëndimin.

    “BE-ja ende e sheh një lloj hezitimi të Serbisë, në ecjen përpara në anëtarësimin në BE, duke pasur parasysh relacionet e Serbisë me Rusinë dhe me Kinën, kohëve të fundit sidomos, dhe për këtë arsye është kjo gjuhë e komunikimit. Mund të jetë e vërejtshme. Megjithatë, për herë të parë në mënyrë më eksplicite është kërkuar nga Serbia njohja de-fakto e shtetit të Kosovës, nga ana e tre liderëve të shteteve kryesore të Evropës”, tha Murtezaj.
    Me gjithë mungesën e vullnetit për integrim, sot për sot, profesori Murtezaj theksoi nëse Serbia synon BE-në, në planin afatgjatë, nuk do të jetë i mundur qëndrimi mes perëndimit, në një anë, dhe Rusisë e Kinës, në anën tjetër.

    Në këtë kontekst, pavarësisht nuancave e gjuhës aktuale, ai vlerësoi se njohja e Kosovës është çështje kohe.

    “Sido të jenë shprehjet, të gjithë e dinë se për çfarë flitet. Kosova është shtet i pavarur dhe sot apo nesër Serbia duhet ta njohë. Ky është realitet i pakthyeshëm. Nuancat e komunizmit nga BE-ja shpeshherë duken kështu ironike, duke ditur se me kë kanë të bëjnë, megjithatë, qasja e BE-së është serioze dhe ata janë të kujdesshëm, sepse në fund të fundit e shohin edhe Serbinë si partner të BE-së në një afat kohor më të largët”, tha Murtezaj.

    Në tone e konkluzione krejt ndryshe nga krerët shtetërorë të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, pas takimeve në Bruksel, javën e kaluar foli edhe Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell.

  • FIT protestoi sot Qeverisë, kërkuan nga kryeministri të mos luajë me dinjitetin e tyre

    FIT protestoi sot Qeverisë, kërkuan nga kryeministri të mos luajë me dinjitetin e tyre

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Përgatitjet e nevojshme pas paralajmërimit për protestë u bënë me kohë.

    Por, të mërkurën para objektit të Qeverisë, protestuesit nuk ishin të rëndomtë.
    Njësitë më elitare të Policisë së Kosovës protestuan para hyrjes kryesore të objektit qeveritar.

    Pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese së bashku me ata të Njësisë Speciale Operative, kërkuan nga ekzekutivi rikategorizimin dhe rishikimin e shtesave të rrezikshmërisë.

    “Ne e kemi dëshmuar veten në shumë raste, madje se fundmi kur neutralizuam grupin terrorist më 24 shtator. Ne nuk zmbrapsemi, pavarësisht vështirësive që na dalin në rrugë. Prandaj edhe një herë kërkojmë nga ju që propozimin e dhënë për shtesat e rrezikshmërisë ta rishikoni dhe t’i merrni parasysh kërkesat tona dhe presim që së shpejti të takohemi dhe së bashku t’i zgjidhim. Kërkesat tona janë si në vijim: Kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve dhe Rrezikshmëria të caktohet në 50% të pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës”, tha një pjesëtar Njësisë Speciale Intervenuese.

    Teksa paralajmëruan veprime të tjera, nëse Qeveria nuk reflekton, pjesëtarët e dy njësive më elitare, kërkuan nga kryeministri Albin Kurti trajtim të dinjitetshëm.

    “I nderuar kryeministër, ju i dini shumë mirë kërcënimet dhe rreziqet që operatorët e këtyre njësive speciale i bartin gjatë gjithë kohës, jo vetëm gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, por edhe në jetën private. E kjo është pikërisht për shkak të natyrës së punës të cilën e bëjmë. Prandaj mos luani me dinjitetin tonë dhe ndjenjat e familjeve tona”, tha një pjesëtar Njësisë Speciale Intervenuese

    Pjesëtarët e këtyre njësive policore janë të certifikuar për luftën kundër terrorizmit, lirimin e pengjeve, si dhe në rastet kur cenohet siguria kombëtare, përkatësisht janë të specializuar për trajtimin e kërcënimeve me eksplozivë dhe bomba.

    Më 27 tetor, ekzekutivi prezantoi shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë të ndara në shtatë kategori.

    Për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë prej 150 eurosh mbi pagën bazë. Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe çminim, shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.

    Para hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat, shtesat për NJSI-në ishin 225 euro, kurse pjesëtarët e NJSO-së, merrnin shtesa të rrezikshmërisë në vlerë prej 200 eurosh.

  • Qeveria nuk e ndryshon, ASK-ja s’e zbaton, regjistrimi nuk fillon

    Qeveria nuk e ndryshon, ASK-ja s’e zbaton, regjistrimi nuk fillon

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Pavarësisht kërkesës për shtyrje të procesit të regjistrimit të popullsisë nga Agjencia e Statistikave, Qeveria nuk e ka ndryshuar 1 nëntorin si datë të nisjes. Pavarësisht kësaj, regjistrimi i popullsisë nuk filloi këtë të mërkurë.

    Zyrtarë nga ASK-ja i thanë televizionit se asnjëri nuk ka dalë në terren për shkak të mungesë së pajisjeve digjitale, me të cilat është paraparë të realizohet ky proces.

    Derisa regjistrimi i popullsisë do të duhej të përfundonte brenda 45 ditëve, ASK-ja shpreson që javën e ardhshme të furnizohet me tabletë.

    “Pritet brenda ditëve të vijnë tabletët dhe brenda ditëve të realizohet rekrutimi i 4 mijë e 500 regjistruesve e mbikëqyrësve dhe të bëhen trajnimet. Kërkesën tonë për shtyrje të regjistrimit të popullsisë nuk e ka pranuar kryeministri Albin Kurti dhe afati për regjistrim fillon nga sot (1 nëntor) deri më 15 dhjetor dhe kryeministri Kurti na ka thënë se e keni afatin prej 45 ditësh dhe ky proces duhet të përfundojë”, thuhet në përgjigjen e ASK-së.

    Ndonëse, procesi i regjistrimit të popullsisë do të duhej të ishte i përgatitur mirë, demografi Hazer Dana thotë se mosregjistrimi ka pasoja.

    Në anën tjetër, kritikohet edhe qëndrimi i Qeverisë.

    Pas katër shtyrjeve, 1 nëntori u vendos si datë për fillimin e regjistrimit të popullsisë.

    Por, meqë nuk u furnizua me tabletë, ASK-ja kërkoi sërish shtyrje.

  • Vazhdon gjykimi ndaj Caslav Joliqit, dyshohet për krime lufte në Istog

    Vazhdon gjykimi ndaj Caslav Joliqit, dyshohet për krime lufte në Istog

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Gjergj Palokaj ishte dëshmitari i radhës në gjykimin ndaj Caslav Jolicit, i cili akuzohet për krime lufte në Istog. 59-vjeçari nga Gurakoci deklaroi se mikun e tij, Zef Malësinë, e kishte parë në gjendje të rëndë, pasi ishte rrahur nga disa persona në kohën e luftës, vepër e cila rëndon mbi të akuzuarin Jolic.

    “Gazetarë të Reuters-it e kanë lutë me i çu te vendi i ngjarjes. Ky ka hezitu, por e kanë bindë dhe i ka çu. Kur kanë shku atje, kanë dalë disa persona edhe e kanë rrah (Zef Malsijen), në mesin e tyre ka qenë edhe i pandehuri (Caslav Jolic). Aq shumë e kanë rrah, sa ka mbetë pa shenja jete. Gazetarët e kanë çu në shtëpi se ky s’ka pranu me shku në spital. Në shtëpi kam shku e kam pa pas 2-3 ditëve. Atë ditë dukej se sikur ishte nxjerrë nga varri”, tha Palokaj.

    Në fakt, Jolicin që e kishte bashkëfshatar, Palokaj thotë se nuk e ka parë duke kryer krime, por dëshminë e bazon në bisedën me viktimën e këtij rasti.

    Me Zefin kemi pasë atë ditë bisedë të shtruar. Informimin e kam pasë direkt prej tij. Zefi thoshte se të gjithë kanë qenë anëtarë të familjeve serbe, që i kemi pasë afër. E ka përmend emrin Caslav Jolic”, tha Palokaj.
    Dëshmitari i vetëm i kësaj seance u sfidua për deklarimin e parë në polici, vitin e kaluar, pas arrestimit të Jolicit, meqenëse sipas avokatit mbrojtës, ka dallim me dëshminë në gjykatë.

    Gjykimi në këtë rast pritet të vazhdojë të enjten, me dëshmitë e dy personave të tjerë, njëri prej të cilëve, sipas aktakuzës, ishte viktimë e dhunës nga një grup pjesë e të cilit ishte edhe i akuzuari.

    Caslav Jolic, që akuzohet se në bashkëkryerje ka shkaktuar vuajtjeve të mëdha, apo cenim të integritetit trupor ose shëndetit kundër popullsisë civile, ishte arrestuar në qershor të vitit 2022 në komunën e Istogut.

  • Në Amerikë prodhohet qepa që nuk shkakton lotim dhe erë të keqe të gojës

    Në Amerikë prodhohet qepa që nuk shkakton lotim dhe erë të keqe të gojës

    Nëse keni përgatitur ndonjëherë qepë në kuzhinë, atëherë e dini se kjo është një nga punët më të vështira të kuzhinës. Të gjithë kuzhinierët pajtohen për një gjë, dhe kjo është se sytë çdo herë lotojnë kur presin qepë, dhe përveç bartjes së syzeve mbrojtëse, deri më tani nuk ka pasur zgjidhje adekuate.

    Megjithatë, shkencëtarët dhe fermerët nga Shtetet e Bashkuara kanë dalë me zgjidhje për këtë problem, i cili për dekada të tëra po i mundon kuzhinierët dhe me forca të përbashkëta e kanë prodhuar një qepë e cila nuk shkakton lot, përcjell Washington Post.

    Produkti i ri është quajtur Sunion dhe është rezultat i një gërshetimi natyral të disa lloje të qepëve, në të cilin shkencëtarët kanë punuar në fermat në Nevada dhe Washington që nga viti 1980.

    Krijuesit e perimes së re theksojnë se konsumatorët nuk duhet të shqetësohen për cilësinë e saj, sepse kjo bimë i përmban të gjitha shijet, si qepët e zakonshme, përveç se nuk shkakton lot gjatë përgatitjes dhe është eliminuar era e pakëndshme e cila mbetet pas konsumimit të qepës së zakonshme.

    Tek prerja e qepës së zakonshme lirohen enzimet, të cilat e prodhojnë gazin sin-propantial-S-oksid. Kur arrin te sytë prodhohet acidi i butë sulfurik, i cili shkakton djegie. Derisa mbaresat nervore e njohin një reagim të tillë si rrezik, trurit i dërgohet sinjali nga i cili rrjedhin lotët mbrojtës. Ajo që është interesante është se nga qepa e zakonshme këto substanca bëhen më të forta nëse qepa është ruajtur më gjatë, ndërsa edhe kuzhinierët pajtohen me këtë të dhënë.

    Te produkti i ri, qepa Sunion, ky fenomen është neutralizuar krejtësisht dhe sa më gjatë që qëndron e ruajtur, efekti i lotëve në sy është gjithnjë e më i vogël.

    Sunion tashmë gjendet në tregun amerikan, dhe janë konfirmuar deklaratat e shkencëtarëve që ajo nuk shkakton lot dhe nuk lë erë të pakëndshme në gojë, ndërkohë që ka ruajtur të njëjtën shije. Disa prej tyre vunë në dukje se ajo ishte aq e shijshme sa që mund të konsumohej si kokoshka.

    Për fat të keq, për dashamirësit e tjerë të këtij ushqimi të shëndetshëm, qepa e re Sunion aktualisht mund të blihet vetëm në Nevada dhe Washington. Prodhuesit e këtij produkti kanë vënë në dukje se janë duke u bërë përpjekje të mëdha që produkti i ri të plasohet në raftet e supermarketeve anembanë botës.

  • A ia vlen njohja “de facto” e Kosovës nga Serbia? Flasin njohësit

    A ia vlen njohja “de facto” e Kosovës nga Serbia? Flasin njohësit

    Dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë, tashmë nuk po e ka synimin primar për njohje reciproke mes të dyja vendeve.

    Pas takimit të fundit në Bruksel të kryeministrit të vendit, Albin Kurti, me pesëshen e liderëve nga Evropa, Kosovës iu kërkua themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbisë njohja “de-facto” e Kosovës.

    Njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, shpjegon se termi “de-facto” përdoret për të treguar se një vend, qeveri apo etnitet është funksional dhe ekziston në realitet, por nuk është njohur në mënyrë zyrtare, në këtë rast Kosova nga Serbia.

    “Njohja ‘de-facto’ është një njohje efektive e situatës aktuale në terren, ku s’ka nevojë të ketë një deklaratë formale nga Serbia dhe kjo nga BE-ja dhe ShBA-ja po shihet se mund të jetë një fazë paraprake drejt njohjes ‘de-jure’”.

    “Njëfarë mënyre s’po e zgjidhim problemin, vetëm po ecim një hap drejt problemit përfundimtar, pra kjo është vetëm një fazë, nga këndvështrimi im sepse njohja ‘de-jure’ është njohje zyrtare dhe ligjore e një vendi, një qeverie”, tha Arifi.

    Sipas tij, për palët njohja “de-facto” nuk paraqet obligime ligjore, por është një veprim që vendet mund ta bëjnë në bazë të kujdesit dhe qëndrimit të tyre ndaj situatave aktuale, teksa shtoi se nga njohja “de-facto” është më vështirë të lëvizet drejt asaj “de-jure”.

    “Nga njohja ‘de-facto’ është më vështirë të shkohet drejt njohjes zyrtare apo ‘de-jure’, pasi Serbia do të blinte kohë jashtëzakonisht shumë për ta arritur që ta ndryshonte qëndrimin dhe ta kishim njohjen ‘de-jure’, ligjërisht të obligueshme”.

    “Në një mënyrë edhe vetë Perëndimi po i ikë atij obligimi, marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, e cila i bie eksplicit njohje ‘de-jure’ e Kosovës. Mendoj që vetëm po humbim kohë shumë të vlefshme për Kosovën, por jo për Serbinë. E gjithë kjo humbje e kohës do të jetë reflektojë në dëm të zhvillimit të shtetit të Kosovës”, tha Arifi .

    Ndërsa, për njohësin e zhvillimeve politike, Arbnor Sadikun, njohja “de-facto” konsiderohet si hap i parë drejt njohjes ‘de-jure’, e po ashtu paraqet njohje të përkohshme të një shteti.

    Sadiku tha se njohja “de-facto”, në bazë të Konventës së Montevidios është atëherë kur një shtet ka kontroll të mjaftueshëm mbi një territor të caktuar.

    “Bazuar në të Drejtën Ndërkombëtare Publike, me njohje ‘de facto’ nënkuptohet nëse një shtet ka vendosur marrëdhënie normale diplomatike me një qeveri të një shteti të ri. Kjo bëhet në formën që në këtë rast Serbia bën një deklaratë se shteti i Kosovës është efektiv dhe ekziston në praktikë, por jo legal“.

    “Pra, thënë ndryshe, me njohje ‘de facto’ Serbia e njeh realisht Kosovën në praktikë, dhe shkëmben ambasadorët me Kosovën, njeh dokumentet zyrtare, etj. Por, nuk e njeh ‘de jure’ Kosovën përderisa pavarësia e saj nuk pranohet nga Rusia, Kina dhe aleatet e tyre, që i bie se pranon legalitetin e pavarësisë së Kosovës, por, jo legjitimitetin e saj ndërkombëtar, pra, Serbia e njeh realisht, por jo nominalisht Republikën e Kosovës, derisa Kosova të pranohet në OKB”, tha Sadiku,

    Më tej, Sadiku tha se njohja “de-facto” do të ishte diçka e re, ndonëse thuhet se Serbia e ka njohur Kosovën “de-facto” që nga Marrëveshja e Kumanovës, njohje që sipas tij, s’ka ekzistuar më parë, pasi s’ka pasur komunikim normal midis dy vendeve.

    “Në rastin e Kosovës kusht për njohje ‘de-facto’ është zbatimi marrëveshjes së Brukselit, dhe Aneksit të Ohrit, nga Serbia, kurse me njohje ‘de-juro’ nënkuptojmë njohje ligjore të shtetit sovran të Kosovës nga Serbia, dhe pranimin e saj në OKB, me të drejta plota si të gjitha shtetet anëtare të saj”, tha Sadiku.

    Kujtojmë se kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë takimeve në Bruksel që pati me pesëshen evropiane ka thënë se ishte i gatshëm për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë, Aneksit të Ohrit dhe planin e ri evropiano-amerikan për draft-statutin e Asocicaionit.

    Por, sipas tij, kjo gjë nuk u bë, pasi ishte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai i cili refuzoi të hedh firmat në këto dokumente.