ATV

Author: ATVLive

  • Qeveria deklarohet pas problemit me ueb-faqet e institucioneve

    Qeveria deklarohet pas problemit me ueb-faqet e institucioneve

    Telashet për qasje në Gazetën Zyrtare e Republikës së Kosovës, ueb-faqen e Qeverisë si dhe në platformën e-kosova janë sanuar dhe tani ato janë funksionale, tha zëdhënësi i ekzekutivit, Përparim Kryeziu.

    Ai theksoi se kishte probleme teknike të cilat u rregulluan shpejt.

    “Në mëngjes ka pasur një problem teknik i cili është rregulluar shpejt. Të gjitha webfaqet tani janë funksionale”, tha ai, përcjellë KosovaPress.

    Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës dhe ueb-faqja e Qeverisë ishin jashtë funksionit mëngjesin e 7 prillit. Gjithashtu, probleme pati edhe platforma e shërbimeve online, e-kosova.

  • ​Dy të vet plagosur me armë në Prishtinë brenda dite

    ​Dy të vet plagosur me armë në Prishtinë brenda dite

    Një person ka pranuar tretman mjekësor pasi i njëjti dyshohet se ishte vet plagosur.

    Policia thotë se rasti ka ndodhur dje në Prishtinë, ku nga i njëjti është sekuestruar një pistoletë me 14 fishekë dhe një gëzhojë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    Sipas Policisë, po në Prishtinë, një i dyshuari mashkull kosovar ka kërkuar ndihmë mjekësore, pasi që sipas tij ishte plagosur me armë zjarri.

    Pistoleta me pesë fishekë është sekuestruar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

  • Në mungesë të Sveçlës dhe Pacollit, dështon seanca për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

    Në mungesë të Sveçlës dhe Pacollit, dështon seanca për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

    Në mungesë të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe deputetes Fitore Pacolli-Dalipi, ka dështuar të mbahet seanca e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku të njëjtit bashkë me deputetin tjetër të Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Drita Millaku, akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të 2018-ës.

    Gjykatësi Sabit Sadikaj tha se i akuzuari Sveçla përmes e-mailit zyrtar ka njoftuar se gjendet jashtë vendit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Në seancë mungoi edhe e akuzuara Pacolli-Dalipi, për të cilën, gjykatësi tha se nuk ka dëshmi se e ka pranuar ftesën për seancën e sotme.

    Gjykatësi Sadikaj tha se procesverbali iu shërben si ftesë e rregullt të akuzuarve tjerë, kurse për Sveçlën dhe Pacolli-Dalipin do të përsëritet ftesa.

    Ai tha se me ftesë të rregullt do të ftohet edhe avokatja e Zybës, Laura Kuqi, e cila mungoi në këtë seancë. Për mungesën e saj, avokati i Sveçlës- Laur Prenaj tha se ajo mungon për arsye shëndetësore.

    Në këtë seancë, prezent ishin e akuzuara Millaku me avokatin e saj- Veton Robaj, i akuzuari Zyba, si dhe avokatët Laur Prenaj dhe Lavdrim Salihu (avokat i Pacolli-Dalipit). I pranishëm ishte edhe prokurori Milot Krasniqi.

    Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2024 ka konfirmuar aktakuzën ndaj Ministrit i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe tre deputetët Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-ës. Kurse, vendimin e Themelores e vërtetoi më pas Gjykata e Apelit.

    Ndryshe në seancën fillestare të mbajtur më 26 mars 2024, ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

    Ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, por për këtë vepër në seancën fillestare gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, kishte njoftuar se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

    “Betimi për Drejtësi”, në tetor të vitit 2021 kishte raportuar ekskluzivisht për aktakuzën e ngritur ndaj ministrit Sveçla dhe deputetëve Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi.

    Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila rezulton të jetë ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.

    Aty thuhet se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.

    Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

    Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës ne kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

  • Vendimi për rrymën më 11 prill, zbatimi nga 1 maji, ZRRE-ja arsyeton shtrenjtimin: Pasojë e rritjes së çmimit në bursa

    Vendimi për rrymën më 11 prill, zbatimi nga 1 maji, ZRRE-ja arsyeton shtrenjtimin: Pasojë e rritjes së çmimit në bursa

    Drejtori menaxhues i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Petrit Pepaj, tha se arsyeja kryesore e propozimit për rritje të çmimit të energjisë elektrike 15 për qind, është për shkak të rritjes së çmimit në bursa, raporton EO.

    Kjo u bë e ditur në një takim me përfaqësues të mediave, i cili kishte për qëllim diskutimin e çështjeve kryesore që lidhen me procesin e përshtatjes së rregullt tarifore.

    Pepaj tha që nga vendosja në konsultim publik të këtij raporti ZRRE-ja ka pranuar 396 komente nga qytetarët, 8 nga OJQ dhe sindikata, 4 nga bizneset, një deputet, një koment nga Ministria e Ekonomisë dhe një koment nga Presidenca e Kosovës.

    Ai tha se vendimi, që pritet të merret më 11 prill, pritet të zbatohet nga 1 maji.

    “Në momentin kur e kemi publikuar raportin e konsultimit kemi deklaruar se për këtë rritje shkaktari kryesor është çmimi që ka ndodhur në bursa. Nuk ka diçka tjetër që ka ndodhur. Ne jemi duke punuar me orar të zgjatur, do të arrijmë që të përgjigjemi në komentet e qytetarëve deri më 11 prill, kur mund të jemi të gatshëm. Vendimi, që pritet të merret më 11 prill pritet të fillojë zbatohet më 1 maj”, tha drejtori menaxhues i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Petrit Pepaj.

  • Kallas: Jemi duke i analizuar gabimet e dialogut Kosovë – Serbi

    Kallas: Jemi duke i analizuar gabimet e dialogut Kosovë – Serbi

    Bashkimi Evropian është duke i zbërthyer gabimet në dialogun e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që t’i japë gjallëri procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje, tha të hënën në Podgoricë shefja e politikës së jashtme të bllokut, Kaja Kallas.

    E pyetur për ngecjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Kallas tha gjatë një konference për media se “ajo çfarë po bëjmë këtë muaj është analizimi” së bashku me të dërguarit e BE-së për dialogun, Peter Sorensen, i cili e mori detyrën në shkurt.

    “Çfarë është me rëndësi për neve është normalizimi i marrëdhënieve, sepse pa këtë asnjëra nga to nuk mund të ecë përpara ne rrugën drejt BE-së”, tha Kallas.

    Kallas nuk dha më shumë hollësi se cilat mendon që ishin gabimet apo çfarë nuk ka shkuar deri tani në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku.

    Me gjithë dialogun e zhvilluar ndër vite dhe nënshkrimin e marrëveshjeve, procesi ka ngecur dhe tensionet janë rritur.

    Nën ndërmjetësimin e BE-së, në vitin 2023 Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, prej atëherë, blloku i ka kritikuar ato të dyja vendet se nuk e kanë zbatuar marrëveshjen pavarësisht se ajo është e detyrueshme për to.

    Kallas, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 2 prill, ka thënë se Bashkimi Evropian është i interesuar për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, qoftë përmes dialogut apo ndonjë instrumenti tjetër.

    “Ndoshta është dialogu, ndoshta është një tjetër mjet. Jam e gatshme ta shqyrtoj këtë çështje, dhe do ta bëj këtë së bashku me përfaqësuesin e Posaçëm [për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen] në ditët në vijim”, kishte thënë Kallas.

    Për shkak të krizave në veriun e Kosovës, që rritën tensionet mes dy vendeve, që nga shtatori i vitit 2023 në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë rund i dialogut politik, por ka pasur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve.

    Përfaqësuesja e Lartë për Politika të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, nga 7 deri më 9 prill është duke e vizituar disa shtete në Ballkanin Perëndimor.

    Në vizitën e parë të saj në rajon si shefe e diplomacisë evropiane, Kallas do të qëndrojë në Mal të Zi, Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë.

    Ajo nuk ka paralajmëruar t’i vizitojë Kosovën dhe Serbinë.

    Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – përveç Kosovës – si dhe Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Turqia janë kandidate për anëtarësim në BE. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në bllokun evropian, por aplikimi i saj nuk është shqyrtuar ende./REL/

  • Serbët e arrestuar në Gjakovë dyshohen për armëmbajtje pa leje

    Serbët e arrestuar në Gjakovë dyshohen për armëmbajtje pa leje

    Prokuroria e Shtetit ka nisur hetimet për armëmbajtje pa leje ndaj katër serbëve të arrestuar në Gjakovë të shtunën.

    Në një njoftim për media të hënën, Prokuroria Themelore në Gjakovë tha se ka kërkuar nga gjykata caktimin e paraburgimit për një muaj ndaj katër të dyshuarve: Branko Rakiq,
    Nemanja Vamoviq, Pavle Kragoviq dhe Millovan Steviq.

    Ndonëse sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të arrestuarit dyshohen se “kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme”, Prokuroria e Shtetit ka nisur hetimet ndaj tyre për kryerjen e një vepre tjetër penale.

    Ata dyshohen për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, tha Prokuroria e Gjakovës.

    “Të pandehurit në bashkëkryerje e duke vepruar në kundërshtim me ligjin për armët Nr. 05/L-022, neni 2 pika 1.24, posedojnë armë të ftohta, dhe atë një (1) sopatë, një (1) thikë me këllëf, dhe një (1) thikë sharrë, në atë mënyrë që pas ndalimit nga ana e zyrtarëve policor për shkak se të njëjtit me automjetin e llojit Toyota ngjyrë hiri, i cili drejtohej nga i pandehuri B.R., kishte tejkaluar shpejtësisë në zonën e kufizuar të shpejtësisë”, thuhet në komunikatë.

    “[…] dhe pasi ngasësi i veturës gjatë procedimit të rregullt është pyetur nga zyrtarët policor se a posedon diçka ilegale në veturë i njëjti ishte përgjigjur se nuk ka diçka të jashtëligjshme me vete, ku edhe kishte shprehur dëshirën për kontroll të veturës dhe pas një kontrolle të veturës nga ana e zyrtarëve policor janë gjetur mjetet e mprehta të cekura me lartë, ku te njëjtat të pandehurit i kanë mbajtur gjatë vizitës në mënyrë të organizuar në disa nga Manastiret Ortodokse në Republikën e Kosovës”.

  • ZRrE tregon se përse pritet të shtrenjtohet çmimi i rrymës

    ZRrE tregon se përse pritet të shtrenjtohet çmimi i rrymës

    Zyra e Rregullatorit për Energji ka deklaruar se shkaku kryesore i propozimit për shtrenjtim të energjisë elektrike është çmimi në bursa.

    Zyrtari për media në ZRrE, Petrit Pepaj në takimin që po mbahet me gazetarë, tha se kjo është arsyeja kryesore.

    Kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike kanë dal disa parti politike. Ndërkohë, qytetarë të shumtë kanë protestuar të shtunën kundër ngritjes së çmimit të rrymës, shkruan KP.
    Ata kanë paralajmëruar se protestat nuk do të ndalen.

  • ​Prokuroria kërkon paraburgimin prej 30 ditësh për katër serbët e kamufluar si pelegrinë

    ​Prokuroria kërkon paraburgimin prej 30 ditësh për katër serbët e kamufluar si pelegrinë

    Prokurori Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj katër të pandehurve me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., të nacionalitetit serb. Bëhet fjalë për katër të arrestuarit në fundjavë në Gjakovë.

    Bazuar në kërkesën e Prokurorisë ndaj këtyre katër të arrestuarve, kanë nisur hetimet dhe ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit B.R., N.V., P.K., M.S., kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

    KosovaPress mëson se sot pasdite pritet të mbahet seanca për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë Themelore të Gjakovës.

    “Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., të nacionalitetit serb, me datë 05.04.2025, në Rr. “Gasper Karaqi” në Gjakovë, të pandehurit në bashkëkryerje e duke vepruar në kundërshtim me ligjin për armët, posedojnë armë të ftohta, dhe atë një sopatë, një thikë me këllëf, dhe një thikë sharrë, në atë mënyrë që pas ndalimit nga ana e zyrtarëve policor për shkak se të njëjtit me automjetin e llojit Toyota ngjyrë hiri, i cili drejtohej nga i pandehuri B.R., kishte tejkaluar shpejtësisë në zonën e kufizuar të shpejtësisë dhe pasi ngasësi i veturës gjatë procedimit të rregullt është pyetur nga zyrtarët policor se a posedon diçka ilegale në veturë i njëjti ishte përgjigjur se nuk ka diçka të jashtëligjshme me vete, ku edhe kishte shprehur dëshirën për kontroll të veturës dhe pas një kontrolle të veturës nga ana e zyrtarëve policor janë gjetur mjetet e mprehta të cekura me lartë, ku te njëjtat të pandehurit i kanë mbajtur gjatë vizitës në mënyrë të organizuar në disa nga Manastiret Ortodokse në Republikën e Kosovës”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

    16 persona të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë u arrestuan të shtunën dhe të dielën në Gjakovë dhe Prizren. Kështu bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla mbrëmë, i cili tha se katër prej tyre rezultuan të jenë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë, raporton KosovaPress.

    Sipas Sveçlës, njëri nga të arrestuarit është i afërt me të dyshuarin kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku.

    E me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dje u mbajt një mbledhje e Këshillit të Sigurisë.

  • ​Dogana e Kosovës konfiskon 28 mijë cigare në aeroport

    ​Dogana e Kosovës konfiskon 28 mijë cigare në aeroport

    Dogana e Kosovës njoftoi të hënën se ka konfiskuar 144 boksa cigaresh, gjatë kontrollit doganor derisa ka ndaluar një udhëtar në fluturimin Prishtinë-Londër, në Aeroportin e Prishtinës.

    Në njoftimin e Doganës thuhet se 28 mijë cigaret janë gjetur në bagazhin e një shtetasi shqiptar.

    “Më datë 06.04.2025, rreth orës 10:30, në dalje të Aeroportit të Prishtinës, gjatë kontrollit doganor është ndaluar një udhëtar me fluturimin Prishtinë–Londër, shtetas shqiptar. Gjatë kontrollit të bagazheve të tij, të realizuar përmes skanimit dhe në prani të tij, është zbuluar mall i padeklaruar-konkretisht, sasi e konsiderueshme e cigareve me banderola të Shqipërisë dhe RKS-së”, thuhet në njoftim.

    Dogana tha se malli është ndaluar sipas procedurave si dhe rasti është duke u trajtuar si kundërvajtje doganore, derisa mallrat janë konfiskuar.

  • ​Bien tregjet e aksioneve, shkak tarifat

    ​Bien tregjet e aksioneve, shkak tarifat

    Efekti i tarifave ka çuar tregjet aziatike të aksioneve në një rënie të thellë në fillim të javës, dhe një “E hënë e zezë” duket se po afrohet edhe për tregjet evropiane, raporton ANSA.

    Në tregtinë parahapëse, Stoxx 50 ka humbur deri në 5%. Indeksi DAX në Frankfurt nuk është shumë pas ndërsa pret hapjen e tregut. Ndërkohë, në Gjermani prodhimi industrial ra më shumë se sa pritej në shkurt, duke u ulur me -1.3% pas një rritjeje prej +2% në janar.

    Në Azi, Tokio ra me gati 8%, Hong Kongu u rrëzua me -11.6%, Shanghai me 7.6%, Shenzhen me 10.5%, dhe Seuli me 5.57%. Diferenca (spread) mes obligacioneve italiane BTP dhe atyre gjermane Bund u rrit në hapje në 128 pikë bazë dhe vazhdon të rritet, duke kaluar 130 pikë.

    Obligacionet 10-vjeçare italiane u rritën me 3 pikë bazë në 3.8%, ndërsa ato gjermane ranë me 8 pikë bazë në 2.48%. Nafta dhe gazi janë në rënie të lirë, duke zbritur në nivelet e shtatorit të kaluar. Nafta e lehtë amerikane (WTI) ka rënë mbi 3% në 60 dollarë për fuçi, ndërsa Brent ka rënë me 2.9% në 63 dollarë për fuçi.

    Në Amsterdam, kontratat TTF për gaz natyror kanë rënë me 6.8% në 33.9 euro për megavat orë. Euro vazhdon të forcohet ndaj dollarit, duke u tregtuar në 1.10.