ATV

Author: ATVLive

  • ​Policia arreston një person të dyshuar për dhunim

    ​Policia arreston një person të dyshuar për dhunim

    Një person është arrestuar pasi dyshohet për dhunimin e një gruaje në Prishtinë, njoftoi të hënën Policia e Kosovës.

    Rasti ka ndodhur më 5 prill dhe personi i dyshuar është shtetas kosovar.

    Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari është arrestuar dhe dërgohet në mbajtje.

  • ​Mbappe për shokun e tij: Se imagjinoj Realin pa atë

    ​Mbappe për shokun e tij: Se imagjinoj Realin pa atë

    Kylian Mbappe po përshtatet me jetën në Real Madrid me lehtësi dhe entuziazëm të madh. Superylli francez është shfaqur së fundmi në programin “El Objetivo”, ku ka folur për aventurën me me Realin, njërin nga klubet me historinë më të lavdishme në botë, përcjellë KosovaPress.

    Gjatë bisedës, Mbappe e bëri të qartë se po shijon çdo moment të rrugëtimit të tij të ri. Mbappe shpjegoi se si filloi admirimi i tij për Real Madridin që në moshë të re. Ndikimi i Zinedine Zidane luajti një rol të madh në këtë. Më vonë, ndikimi i Cristiano Ronaldos në Madrid vetëm sa e forcoi lidhjen e tij.

    “Unë fillova të ndjek Real Madridin për shkak të Zidane. Është klubi më i mirë në botë. Dhe për shkak të ardhjes së Cristianos, idhullit tim tjetër,” filloi të thoshte ai.

    Ai kujtoi takimin me Zidane dhe kaloi një javë në objektin stërvitor të klubit në Valdebebas.

    “E takova Zidane 13 vjet më parë dhe ishte kënaqësi të vesh fanellën për një javë te Valdebebas. E dija që një ditë do të kthehesha këtu. Në atë kohë, kishte një shans për të ardhur, por unë nuk isha gati të largohesha nga vendi im dhe të ndahesha nga familja ime.”

    Pse Mbappe zgjodhi Madridin ndaj PSG-së. Kur u pyet për refuzimin e një oferte rinovimi nga Paris Saint-Germain, Mbappe ishte shumë i sinqertë. Ai përmendi se ndërsa paratë janë gjithmonë një faktor në futboll, dëshira e tij për të veshur fanellën e Real Madridit do të thoshte më shumë se çdo ofertë financiare, përcjellë KosovaPress.

    “Ka gjëra më të rëndësishme se paratë. Doja të luaja për Real Madridin, këtu në Bernabeu. Për mua, gjëja më e rëndësishme është të jem i lumtur. Isha absolutisht i sigurt që do të përfundoja në Madrid. Kisha besim të madh në aftësitë e mia dhe kjo ishte ajo që kisha dashur me gjithë zemër që kur isha fëmijë. Gjithmonë e kisha në kokë idenë për të luajtur për Real Madridin.”

    Mbappe kishte fjalë të mira për trajnerin e tij aktual, Carlo Ancelotti. Ai vlerësoi aftësinë e Ancelottit për të balancuar udhëheqjen me mbështetjen personale, duke thënë se trajneri e di kur të drejtojë si baba dhe kur të drejtojë si shef.

    Ky bilanc, sipas tij, e ka ndihmuar atë të përshtatet pa probleme në dinamikën e ekipit.

    “Ancelotti e di kur duhet të bëhet baba, kur duhet të jetë bos… E vërteta është se ai e bën shumë mirë; ai ka bërë histori këtu dhe dëshiron të vazhdojë ta bëjë këtë.”

    Kur bëhet fjalë për shokun e tij të skuadrës Vinicius Jr., Mbappe nuk mund të fliste më pozitivisht. Ai tha se të dy ndajnë një mirëkuptim të fortë si brenda dhe jashtë fushës.

    “Marrëdhënia është shumë e mirë, është normale që njerëzit të flasin për ne, për dy lojtarë të famshëm që bëjnë diferencën, por unë erdha me idenë për të luajtur me Vinicius”, shpjegoi ai.

    Tani që ata janë shokë skuadre, ai beson se ata formojnë një dyshe të fuqishme dhe shpreson se mund të vazhdojnë të japin rezultate për Real Madridin gjatë pjesës më të rëndësishme të sezonit.

    “Nuk mund ta imagjinoj një Real Madrid pa Vinin. Ne luajmë mirë, mund të jemi më mirë. Njerëzit presin më shumë nga ne dhe kjo është normale. Ne jemi mirë së bashku dhe është pjesa më e rëndësishme e sezonit. Ne do të përpiqemi të ndihmojmë Madridin të fitojë sa më shumë që të mundemi,” shtoi ai.

  • ​Rama nderohet me Medaljen Presidenciale të Nderit në Izrael

    ​Rama nderohet me Medaljen Presidenciale të Nderit në Izrael

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u nderua me Medaljen Presidenciale të Nderit nga presidenti i Izraelit, Isaac Herzog,

    Ramës iu dorëzua medalja në një ceremoni të posaçme, organizuar në Rezidencën Presidenciale në Jeruzalem, ku ai ishte i ftuar me bashkëshorten e tij, Linda Rama dhe delegacionin shqiptar që e shoqëron në këtë vizitë.

    Presidenti i Izraelit Isaac Herzog u shpreh se “Medalja Presidenciale e Nderit të Izraelit nderon ata si ju, që kanë ndriçuar botën me udhëheqjen e tyre të jashtëzakonshme, qartësinë morale dhe vlerat demokratike dhe ata që kanë dëshmuar miqësinë e tyre të guximshme me popullin hebre dhe shtetin e Izraelit”.

    “Kodi shqiptar i besës, betimi i shenjtë i nderit, mbrojtjes dhe integritetit ndihet mjaft i pranishëm në këtë holl. Besa ka udhëhequr kombin shqiptar dhe ka mbajtur pishtarin e dritës në emër të të gjithë njerëzimit në orët e tij më të errëta, gjatë Holokaustit. Populli shqiptar ishte një simbol nderi dhe kuraje. Me kurajë ata iu dhanë strehë grave, burrave hebrenj, të cilët arratiseshin nga pjesë të tjera të Evropës dhe duke e bërë këtë, ndihmuan në mbrojtjen dhe ruajtjen e njerëzimit përballë krimeve më të mëdha midis qenieve njerëzore”, tha Rama.

    Presidenti izraelit solli në vëmendje vizitën e tij në Tiranë në shtator duke u shprehur se “unë personalisht u mallëngjeva nga dhimbshuria juaj dhe dhurata prekëse për Idit Ohel, mamanë e Alon Ohel, i cili ende mbahet në bodrumet e Hamasit në shkelje të çdo parimi njerëzor dhe etik. Ne duhet ta kthejmë atë dhe çdo peng tjetër në shtëpi”.

    “Si artist, ju keni aftësinë unike ta shihni botën, jo vetëm siç është, por siç mund të jetë dhe në këtë cilësi vizionare, kjo përbën shumë për kombin tuaj, edhe kaq shumë për lidhjet që kombet tona ndajnë aktualisht. Lidhja jonë po thellohet në kaq shumë fusha dhe sfera. Fluturimi i ri i drejtpërdrejtë midis Tiranës dhe Tel Avivit po thjeshton shumë udhëtimin dhe po ndihmon shkëmbimin e drejtpërdrejtë”, nënvizoi Herzog.

    Gjithashtu, ai tha se “dua të përgëzoj Sundor Airline që e ka shtyrë përpara këtë zhvillim. Dua t’ju falenderoj personalisht, kryeministër që personalisht i mikpritët izraelitët, të cilët iu bashkuan fluturimit përurues me kaq ngrohtësi e bujari, saqë nuk ndalen së shkruari në WhatsApp, se sa e mrekullueshme ishte kjo gjë. Dua të përgëzoj Qendrën Mjekësore Sheba dhe Qeverinë Shqiptare për nënshkrimin e marrëveshjes për të ngritur një projekt të përbashkët mjekësor në Shqipëri. Dua t’ju falenderoj ju, i dashur Edi, dhe mikun tonë të dashur, profesor Yitshak Kreiss, që është drejtuesi ekzekutiv i Sheba-s për çuarjen e kësaj gjëje përpara”.

    Më tej, presidenti i Izraelit foli edhe për rritjen më tej të bashkëpunimit mes dy vendeve.

    “Vizioni i partneritetit dhe miqësisë sonë shkon përtej vetëm dy kombeve. Ai mishëron modelin e partneritetit midis etnive e besimeve fetare, e ja pse kemi me ne sot udhëheqës kaq të rëndësishëm fetarë, të cilët mund të ndihmojnë ta transformojnë Mesdheun Lindor nga një rajon konflikti, në një korridor bashkëpunimi e ndërlidhjeje, e në një model tolerante paqeje për Lindjen e Mesme, Europën e deri në Indi e më tej në Lindjen e largët në Azinë Juglindore e përtej. Tradita hebreje na mëson se bota qëndron mbi tri shtylla të barabarta: Drejtësia, e Vërteta dhe Paqja”, tha ai.

  • ​Kamberi: Rasti i Kf Tërnocit shpërfaq qasjen albanofobe të Beogradit ndaj shqiptarëve

    ​Kamberi: Rasti i Kf Tërnocit shpërfaq qasjen albanofobe të Beogradit ndaj shqiptarëve

    Futbollistët shqiptar të klubit të futbollit Tërnoci të dielën përjetuan tmerrin nga keqtrajtimi i policisë serbe pas ndeshjes kampionale në kuadër të Ligës Rajonale të Rrethit të Pçinjës me skuadrën vendëse, Mlladost, shkruan KosovaPress.

    Siç bëri të ditur dje KF Tërnoci, pas ndeshjes, policia serbe hyri në zhveshtoret e klubit në mënyrë agresive duke kontrolluar gjithçka që kishte aty, me arsyetimin se kishte dyshime për posedim të armëve të ftohta. Për më tepër, klubi ka bërë të ditur se njëri nga policët e ka goditur futbollistin, Veton Zeqiri, ndërsa ndaj të tjerëve pasojnë fyerjet e ndryshme.

    Për këtë situatë, ka reaguar ashpër edhe deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi. Ai në një shkrim në Facebook, ka dënuar fuqishmë skandalin e ndodhur në Bosiligrad dhe ka kërkuar urgjentisht ndërmarrjen e të gjitha masave, përcjellë KosovaPress.

    Kamberi gjithashtu ka thënë se kreu i KF Tërnocit, do të duhet seriozisht të shqyrtojë pjesmarrjen e mëtejshme të këtij klubi në garën e mëtejshme, meqë djelmoshat e KF Tërnoci nuk kanë siguri.

    Ky ëshët reagimi i plotë i Kamberit:

    Policia keqtrajton futbollistët shqiptarë

    Fyerjet e përditshme me termin ofendues “shiptari” nuk jan brohoritje të turmave të huliganëve, ato janë pjesë e një kampanje shtetërore, që me të gjitha mjetet po tenton të shpopullojë Luginën e Preshevës nga shqiptarët.

    Dënoj fuqishëm skandalin e ndodhur në Bosiligrad dhe kërkoj urgjentisht ndërmarrjen e të gjitha masave! Ky është një apel serioz ndaj Bashkësisë ndërkombëtare në sytë e së cilës Serbia po diskriminon shqiptarët dhe po kryen dhunë etnike.

    Rasti i Bosiligradit, ku u polica serbe keqtrajtoi futbollistët e KF Tërnocit, shpërfaq, sërish, qasjen e Beogradit ndaj shqiptarëve! Shpërfaq sistemin shovinist e albanofob shtetëror i cili është instaluar në të gjithë vendin, në të gjitha institucionet, përfshirë edhe komunat e vogla e multietnike si Bosiligradi!

    E djelmoshat e KF Tërnocit dëshmojnë më së miri se sa i padrejtë e diskriminues është ky shtet ndaj shqiptarëve! Se sa të rrejshme i ka Serbia të “drejtat e njeriut dhe pakicave” dhe sa e madhe është urrejtja e tyre ndaj një komuniteti.

    Goditja që polici i ka bërë lojtarit të KF Tërnocit është goditje e shtetit ndaj qytetarit. Është goditje e sistemit ndaj gjithë shqiptarëve. Është goditje ndaj sportit e vlerave universale.

    Si e tillë, ajo nuk guxon as të izolohet e as të karakterizohet si goditje e rastësishme. Si goditje një individi ndaj tjetrit. Aq më pak të arsyetohet me fjalor policorë.

    Thelbi i sajë është i bazuar te sistemi i kalbur, të cilit i takon polici, te ministria e cila i diskriminon në vazhdimësi të rinjtë shqiptarë edhe kur refuzon ti pranojë në konkurse, te shteti që sistematikisht diskriminon.

    Dhe si e tillë është e patolerueshme. Si të tillë është e papranueshme. Nuk duhet ta përbijmë asnjë arsyetim të policisë se gjoja “paska me i denu” policët që kanë përdorur dhunë. Do ti dënojë ngjashëm siç i ka dënuar ata që kanë kryer krime lufte.

    Kreu i KF Tërnocit, do të duhet seriozisht të shqyrtojë pjesmarrjen e mëtejshme të këtij klubi në garën e mëtejshme, meqë djelmoshat e KF Tërnoci nuk kanë siguri. Ndërsa reagimi politik duhet të jetë unik e i menjëhershëm!

  • ​Katërmbëdhjetë vjet nga zgjedhja e Atifete Jahjagës presidente

    ​Katërmbëdhjetë vjet nga zgjedhja e Atifete Jahjagës presidente

    Me 80 vota pro, Kuvendi i Kosovës më 7 prill 2011 ka zgjedhur ish-zëvendësdrejtoren e përgjithshme të Policisë së Kosovës, Atifete Jahjagën, në postin e presidentes.

    Jahjaga ishte kandidatja e përbashkët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet liderëve të këtyre tri partive politike, me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Christofer Dell, transmeton KosovaPress.

    Ajo fitoi në rrethin e parë të votimit teksa kundërkandidate kishte deputeten e AKR-së, Suzana Novobërdaliun, e cila mori vetëm dhjetë vota, përderisa dhjetë vota të tjera ishin të pavlefshme.

    Presidentja e zgjedhur, Atifete Jahjaga, kishte dhënë betimin para Kuvendit se do të mbrojë Kushtetutën, sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës.

    Në fjalimin e parë në parlamentit, Jahjaga tha se ka vullnet dhe vetëbesim që të ndihmojë reformat dhe ndryshimet pozitive në Kosovë. Procesi i votimit ishte bojkotuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Në fund, me 75 vota për dhe 2 abstenime Kuvendi ka miratuar edhe rezolutën me të cilën përkrah marrëveshjen e arritur ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi, liderit të LDK-së Isa Mustafa, dhe ish-kandidatit për president, Behgjet Pacolli.

    Në këtë marrëveshje është përfshirë edhe pajtimi i treshes për ndryshime kushtetuese, reforma zgjedhore, zgjedhjet presidenciale pas afërsisht një viti e gjysmë dhe zgjedhjet parlamentare pas afërsisht dy vjetësh e gjysmë.

    Kush është Atifete Jahjaga?

    Atifete Jahjaga u lind më 20 prill 1975 në Gjakovë. Shkollimin fillor, atë të mesëm dhe studimet i kreu në Fakultetin Juridik në Prishtinë.

    Përfundoi edhe studimet në Universitetin Leicester në Angli, certifikimin post-diplomik në menaxhimin policor dhe së drejtës penale në vitin 2006/2007 dhe certifikimin post-diplomik në shkenca kriminalistike në Universitetin e Virxhinias në SHBA.

    Karrierën e saj e nisi në Policinë e Kosovës, duke qenë e angazhuar në sektorë të ndryshëm të këtij institucioni, që nga patrullimi e deri te hetuesia.

    Ka kryer edhe trajnimin në Qendrën Evropiane të Sigurisë “George Marshall” në Gjermani dhe në Akademinë Nacionale të FBI-së në Departamentin e Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Jahjaga ka ushtruar postin e zëvendësdrejtores së përgjithshme të Policisë së Kosovës, ndërsa një kohë ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të përgjithshëm të këtij institucioni./KP

  • Dita botërore e shëndetit

    Dita botërore e shëndetit

    Shënimi i Ditës Botërore të Shëndetit këtë vit do të nisë me një fushatë njëvjeçare për shëndetin e nënës dhe të porsalindurve “Fillime të shëndetshme, e ardhme shpresëdhënëse”, e cila do t’i nxisë qeveritë dhe komunitetin e shëndetësisë që të rrisin përpjekjet për t’i dhënë fund vdekjeve të parandalueshme të nënave dhe të porsalindurve.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe partnerët do të ndajnë gjithashtu informacione të dobishme për të mbështetur shtatzënitë dhe lindjet e shëndetshme, si dhe shëndetin më të mirë pas lindjes.

    Bazuar në vlerësimet e publikuara aktualisht, afër 300 mijë gra humbasin jetën për shkak të shtatzënisë ose lindjes së fëmijëve çdo vit, ndërsa mbi 2 milionë foshnja vdesin në muajin e parë të jetës dhe rreth 2 milionë të tjerë lindin të vdekur. Kjo është afërsisht një vdekje e parandaluar çdo 7 sekonda, sipas OBSH-së.

    Bazuar në tendencat aktuale, katër nga pesë vende janë jashtë rrugës për të përmbushur objektivat për përmirësimin e mbijetesës së nënës deri në vitin 2030, ndërsa një në tri vende nuk do të përmbushin objektivat për reduktimin e vdekjeve të porsalindurve, sipas parashikimeve të OBSH-së.

    Sistemet shëndetësore duhet të evoluojnë për të menaxhuar shumë çështje shëndetësore që ndikojnë në shëndetin e nënës dhe të porsalindurit. Këto nuk përfshijnë vetëm komplikime të drejtpërdrejta obstetrike, por edhe gjendje të shëndetit mendor, sëmundje jo të transmetuara dhe planifikim familjar.

    Për më tepër, gratë dhe familjet duhet të mbështeten me ligje dhe politika që mbrojnë shëndetin dhe të drejtat e tyre, thotë OBSH.

    Qëllimet e fushatës

    -Rritja e ndërgjegjësimit për boshllëqet në mbijetesën e nënës dhe të porsalindurit dhe nevojën për t’i dhënë përparësi mirëqenies afatgjatë të grave.

    -Mbështetni për investime efektive që përmirësojnë shëndetin e grave dhe foshnjave.

    -Inkurajoni veprimet kolektive për të mbështetur prindërit, si dhe profesionistët shëndetësorë që ofrojnë kujdes kritik.

    -Të sigurojë informacione të dobishme shëndetësore në lidhje me shtatzëninë, lindjen e fëmijës dhe periudhën pas lindjes.

    Dita Botërore e Shëndetit është një forum për informim dhe diskutim rreth shëndetit në botë. Caktimi i kësaj dite ishte një nga aktet e para zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) pjesë e së cilës është edhe Kosova.

  • 43-vjeçari u qëllua me armë zjarri nga një shqiptar tjetër

    43-vjeçari u qëllua me armë zjarri nga një shqiptar tjetër

    Supozohej të ishte një fundjavë normale, por gjithçka u kthye në tragjedi për familjen e 43-vjeçarit. Sipas asaj që shkruajnë mediat, ngjarja ndodhi pranë një lokali ku njerëzit ishin mbledhur për të shikuar ndeshjen e Serie A, Roma-Juventus.

    43-vjeçari Topjana ka qenë duke folur me një të afërm në vendin e parkimit, para lokalit dhe një tjetër biznesi. Biseda e tyre u ndërpre nga një Audi i bardhë që erdhi me shpejtësi. Nga aty dolën dy persona të tjerë, gjithashtu shqiptarë. Mes të katërve më pas ka nisur një debat i ashpër që ka shkuar deri në ngritje zëri. Kjo ka tërhequr vëmendjen e disa klientëve, të cilët tentuan të rikthejnë qetësinë, por pa sukses.

    Më pas, shqiptarët kanë lëvizur në një hapësirë mes dy bizneseve, ku debati verbal u shndërrua në vrasje. Njëri nga personat nxori armën dhe qëlloi të paktën tre herë. Një nga plumbat e kapën Topjanën në kokë duke i marrë jetën menjëherë.

    Policia njoftoi se pranë vendit të ngjarjes ka qenë rastësisht kunati i tij, i cili fillimisht nuk ka kuptuar se çfarë po ndodhte. Pak pas tij ka mbërritur edhe djali i viktimës. 43-vjeçari, sipas mediave, e frekuentonte shpesh zonën pasi kishte disa të afërm që jetonin aty.

    “Po parkoja dhe sapo dola nga makina dëgjova “Bam! Bam!”. Të shtëna. Shkova me vrap dhe pashë kunatin në tokë, kishte gjak. Kërkova ndihmë. Nuk më ka ndodhur kurrë diçka e tillë”, tha kunati i 43-vjeçarit.

    Hetuesit tashmë po kërkojnë prova që do të ndihmojë në investigim. Me shumë mundësi viktima e njihte vrasësin e tij pasi ky i fundit iu drejtua menjëherë sapo zbriti nga makina.

    Sa i përket autorit, ai është arrestuar nga policia dhe bëhet fjalë për një 30-vjeçar, por shqiptar. Ai fillimisht u arratis nga vendi i krimit, por u kap pas disa orësh teksa ishte nisur në drejtim të një qyteti tjetër, raporton Tv Klan.

  • ​Shtrenjtimi i rrymës, ZRRE-ja kërkon diskutim pa kamera

    ​Shtrenjtimi i rrymës, ZRRE-ja kërkon diskutim pa kamera

    “S’ka asgjë te fshehtë, por takimi duhet të mbahet pa kamera”, ka thënë zyrtari për media në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, Petrit Pepaj.

    ZRRE-ja thirri takim me mediat “me qëllim të diskutimit të çështjeve kryesore të mbi procesin e përshtatjes së rregullt tarifore”.

    Ndonëse ishte paraparë që takimi të fillojë nga ora 10:00, ende nuk ka nisur takimi me gazetarë, për shkak disa paqartësive mes gazetarëve dhe zyrtarëve të ZRRE-së.

    Ftesa ishte që 10 minutat e parë të lejohen pamje dhe kamera, por më pas u tha se kjo nuk lejohet.

    Në anën tjetër, mediat kërkuan që të ketë deklaratë për qëllimin e takimit.

    ZRRE ka paralajmëruar rritje për 15 për qind, nga ky muaj, të faturave të energjisë elektrike.

    Kërkesa për rritje të çmimit të rrymës ka ardhur nga kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë.

    Në 5 prill në Prishtinë është mbajtur protestë nga grupi “Asnjë Cent ma Shumë”, duke kërkuar që të mos merret vendim për shtrenjtimin e energjisë elektrike./kp

  • Kallas sot nis vizitën në Ballkan

    Kallas sot nis vizitën në Ballkan

    Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, nga sot të nis vizitën në Ballkanin Perëndimor dhe më 8 prill qëndrojë në Tiranë.

    Lidhur me këtë vizitë të saj, zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, ka dhënë përgjigje për Klankosova se pse Kaja Kallas nuk do ta vizitojë Kosovën e as Serbinë.

    Në përgjigjen e saj thuhet se Kallas për shkak të kufizimeve kohore, nuk mund të vizitojë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

    “Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme të BE-së mbetet plotësisht e përkushtuar për të gjithë rajonin dhe vizitat e ardhshme në vendet e tjera tashmë janë duke u planifikuar. Mbështetja e BE-së për stabilitetin dhe integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor mbetet një prioritet”, tha ndër të tjera Hipper.

  • Arrestimi i katër oficerëve serbë, Haradinaj: E përshëndes aksionin, ata që ikën të turpëruar në 1999 s’kanë vend këtu

    Arrestimi i katër oficerëve serbë, Haradinaj: E përshëndes aksionin, ata që ikën të turpëruar në 1999 s’kanë vend këtu

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosoës (AAK),, Ramush Haraddiinaj, ka përshendetur aksioin e Policisë së Kosovës në Gjakovë.

    Policia ka arrestuar katër oficerë serbë të paraqitur si “pelegrinë” të shtunën në Gjakovë, për të cilët Qeveria njoftoi se një prej tyre ishte toger i policisë së Serbisë dhe tjetri kapiten i ushtrisë serbe.

    Haradinaj ka thënë se ata që ikën të turpëruar në vitin 1999, nuk kanë më vend në Kosovë.

    “E përshëndesim aksionin e Policisë së Kosovës sot në Gjakovë. Ata që ikën të turpëruar nga këtu në vitin 1999, nuk kanë vend në Kosovë, për asnjë arsye”.

    “Policia e Kosovës dhe të gjitha uniformat e shtetit të Kosovës vazhdimisht tregojnë se Kosova nuk është vend pa të Zot. Nuk u lëkundën dhe nuk na zhgënjyen asnjëherë. Rritja e pagave, dyfishimi i tyre, nuk është vetëm kërkesë, është detyrim i shtetit ndaj kësaj kategorie esenciale të Republikës së Kosovës”, ka thënë Haradinaj.