ATV

Author: ATVLive

  • Hiqen tarracat e kafeneve, krijohet hapësirë për qytetarët e Prishtinës

    Hiqen tarracat e kafeneve, krijohet hapësirë për qytetarët e Prishtinës

    Drejtoria komunale e Investimeve Kapitale dhe e Menaxhimit të Kontratave ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm për qytetin e Prishtinës, duke e nisur një projekt që do të ndryshojë mënyrën se si qytetarët shfrytëzojnë hapësirat publike, raporton EO.

    Duke pasur parasysh kërkesat në rritje për hapësira më të gjera dhe më të aksesueshme, autoritetet vendosën të largojnë tarracat e kafeneve në hapësira publike për periudha të gjata.

    Ky projekt pritet të krijojë mundësi për një qytet më të hapur dhe më të aksesueshëm, duke përmirësuar infrastrukturën dhe ofruar më shumë mundësi për qytetarët që të shijojnë hapësirat e tyre të përbashkëta.

  • Të prangosur dhe nën masa sigurie, serbët e arrestuar paraqiten në Gjykatën e Gjakovës

    Të prangosur dhe nën masa sigurie, serbët e arrestuar paraqiten në Gjykatën e Gjakovës

    Sot, në Gjykatën Themelore të Gjakovës u mbajt seanca dëgjimore ndaj katër shtetasve serbë të arrestuar dy ditë më parë nga Policia e Kosovës, raporton ATV.

    Të dyshuarit, përfshirë një toger të Policisë së Serbisë dhe një kapiten të ushtrisë serbe, u sollën të prangosur në sallën e gjyqit, nën masa të rrepta sigurie.

    Sipas raportit policor, ata u ndaluan më 5 prill në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë, ku gjatë kontrollit të veturës së tyre me targa të Serbisë, u gjetën dhe sekuestruan dy thika dhe një sëpatë. Rasti po trajtohet si “armëmbajtje pa leje”.

    Qeveria e Kosovës njoftoi se arrestimi i tyre lidhet me një situatë të përkeqësuar sigurie në veri të vendit, ku kohët e fundit janë regjistruar disa sulme me granata dore në objekte publike. /atvlive.tv

  • Kallas nesër në Shqipëri, takohet me presidentin Begaj dhe kryeministrin Rama

    Kallas nesër në Shqipëri, takohet me presidentin Begaj dhe kryeministrin Rama

    Përfaqësuesja e Lartë për Politika të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, mbërrin nesër në Tiranë, ku do të pritet nga presidenti Bajram Begaj rreth orës 08:50.

    Në orën 10.30 do të ketë një konferencë për shtyp me kryeministrin Edi Rama, që do të paraprihet nga një takim të delegacioneve përkatëse.

    Në mbyllje të konferencës, në Ministrinë e Jashtme do të mbahet një tryezë për sigurinë. Takime të tjera zyrtarja e lartë do të ketë me ministrin e Jashtëm, Igli Hasani dhe ministrin e Mbrojtjes Piro Vëngu, raporton Euroneës.al.

    Përfaqësuesja e Lartë për Politika të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, nisi sot vizitën në Ballkanin Perëndimor.

    Në vizitën e parë të saj në rajon, Kallas do të qëndrojë në Mal të Zi, Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë.

  • Macron kërkon veprime të forta kundër Rusisë pas sulmeve në Ukrainë

    Macron kërkon veprime të forta kundër Rusisë pas sulmeve në Ukrainë

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje për “veprim të fortë” nëse Rusia vazhdon të refuzojë paqen, pas një sulmi të fundit që vrau 20 persona, përfshirë nëntë fëmijë, në qytetin e Kryvyi Rih, qyteti i lindjes së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.

    Macron e quajti të papranueshëm vazhdimin e sulmeve ruse që vrasin fëmijë dhe civilë. Ai shprehu ngushëllime për viktimat e sulmeve të përgjakshme, duke përfshirë sulmin e 4 prillit në Kryvyi Rih. Presidenti francez theksoi se ishte urgjente arritja e një armëpushimi sa më shpejt, dhe kërkoi “veprime të forta” nëse Rusia vazhdon të refuzojë propozimet për paqe.

    “Pavarësisht përpjekjeve të SHBA-së dhe Europës për të siguruar paqen, Rusia po vazhdon të vrasë fëmijë dhe civilë,” deklaroi ai.

    Në anën tjetër, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, komentoi kërcënimet e vazhdueshme nga Rusia, duke theksuar se sulmet e fundit kishin filluar nga Deti i Zi, duke treguar se Moska po refuzon një armëpushim të pakushtëzuar për të ruajtur mundësinë e goditjes së qyteteve dhe porteve të Ukrainës nga deti. “Ata duan të ruajnë aftësinë për të goditur qytetet dhe portet tona nga deti,” tha Zelenskyy, duke shtuar se një armëpushim në det është çelësi për sigurinë dhe afrimin e paqes.

    Po ashtu, ai njoftoi se Rusia kishte shtuar bombardimet ajrore pas një sulmi masiv me raketa dhe dron në Ukrainë gjatë natës, i cili vrau dy persona. “Presioni ndaj Rusisë është ende i pamjaftueshëm,” tha Zelenskyy, duke kërkuar veprime më të forta ndërkombëtare për të ndaluar agresionin rus.

  • Prezantohet programi “Kujdesi në grup për prindërim”, në përkrahje të prindërve dhe foshnjave

    Prezantohet programi “Kujdesi në grup për prindërim”, në përkrahje të prindërve dhe foshnjave

    Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Shëndetësisë, Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës prezantoi programin më të ri “Kujdesi në grup për prindërim”, që synon përkrahjen dhe fuqizimin e prindërve të rinj, me fokus të veçantë te prindërit dhe foshnjat, raporton EO.

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se ky program është pjesë e një procesi më të gjerë që ka nisur para dy vjetësh me vizitat në shtëpi për prindërit e foshnjave të sapolindura dhe trajnime për gratë shtatzëna.

    “Për trajnimet që kemi filluar sot është dita e parë e trajnimit të prindërve që kanë foshnje të sapolindura, për t’u trajnuar me informata shtesë që u nevojiten për të pasur një periudhë sa më të shëndetshme, si në aspektin psikik, ashtu edhe fizik, si për foshnjat, ashtu edhe për prindërit. Ky është një proces që e kemi filluar para dy vjetësh me vizita nëpër shtëpi te prindërit që kanë foshnje të sapolindura dhe po ashtu me trajnime me nënat shtatzëna që i kemi filluar para një viti”, tha kryetari Rama.

    Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku, tha se ky është programi i tretë që i kushtohet kësaj kategorie dhe ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve për gratë, nënat dhe fëmijët.

    “Përmes këtyre projekteve ne dëshirojmë që t’i forcojmë programet për nënat dhe fëmijët, për arsye se sot në botë, për fat të keq, vdesin 300 mijë gra gjatë shtatzënisë në vit dhe dy milionë fëmijë të porsalindur dhe dy milionë të tjerë gjatë lindjes. Përmes këtyre programeve dhe përkrahjes që ofron UNICEF-i dhe Ministria e Shëndetësisë, ne kemi arritur t’i krijojmë kapacitetet për këto tri programe”, tha Sadiku.

    Shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko, vlerësoi progresin e bërë në përmirësimin e shëndetit të fëmijëve, por theksoi se ende ka nevojë për angazhim më të madh.

    “Dua të falënderoj partnerët, Komunën, Ministrinë e Shëndetësisë si dhe partnerët për përparimin e mirë të bërë në fushën e shëndetit të fëmijëve. Megjithatë, ende mbetet shumë për t’u bërë. Fëmijët janë kapitali më i madh njerëzor i Kosovës. Vetëm një në tre fëmijë ushqehen me gji në mënyrë të plotë. Shumë fëmijë ende nuk marrin vaksinat, përfshirë edhe fëmijët romë, ashkalinj dhe egjiptianë. Prandaj, programe si vizitat në shtëpi duhet të zgjerohen, por edhe prindërit duhet të kenë më shumë njohuri për kujdesin ndaj fëmijëve, siç është edhe sesioni i sotëm që shpresojmë të zgjerohet. UNICEF është i përkushtuar të vazhdojë punën tonë për fëmijët me të gjithë partnerët në Kosovë për mirëqenien e tyre”, tha ajo.

    Qwndresa Qarreti, e cila është bërë nënë për herë të parë dhe është bërë pjesë e këtij programi, ka thënë se ky trajnim i ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë.

    “Për mua ka qenë ndihmesë shumë e madhe, sidomos për gjidhënien, sepse jemi nëna të reja dhe nuk kemi shumë informata për ushqyerjen e bebës, cila është më e mira për foshnjën e porsalindur, dhe për këtë gjë jam shumë falënderuese”, tha Qarreti.

  • ​Osmani bisedon me Prattipatin për sigurinë në Kosovë

    ​Osmani bisedon me Prattipatin për sigurinë në Kosovë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani takoi të hënën të ngarkuarën me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon.

    “Duke folur për situatën e sigurisë dhe zhvillimet në këtë sferë, presidentja Osmani theksoi tendencat e vazhdueshme të Serbisë për destabilizimin e Kosovës dhe të të gjithë rajonit përmes veprimeve të mirëkoordinuara me struktura ilegale dhe banda kriminale serbe”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

    Takimi Osmani – Prattipati vjen një ditë pas arrestimit të qytetarëve serbë në Gjakovë dhe Prizren, të cilët pretendonin se ndodheshin në pelegrinazh.

    “Hetimet e deritashme kanë treguar se këto grupe kishin ndërlidhje me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës”, tha Presidenca duke theksuar se Osmani diskutoi me diplomaten amerikane edhe për arrestimin e serbëve.

    Sipas njoftimit, Osmani theksoi se ky veprim është pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme nga Serbia për destabilizimin e Kosovës, përmes kërcënimeve dhe dhunës.

    Sipas Presidentes, kjo përbën një ndërhyrje të papranueshme në sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës.

    “Më tej, Presidentja Osmani dënoi me vendosmëri këto veprime desabilizuese dhe të papranueshme, duke theksuar se Kosova nuk do të tolerojë asnjë ndërhyrje që rrezikon paqen, rendin kushtetues dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim përkatësie”, thuhet në njoftim.

    Prokuroria ka kërkuar 30 ditë paraburgim për katër të ndaluarit, të cilët akuzohen për armëmbajtje pa leje.

    16 persona të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë u arrestuan të shtunën dhe të dielën në Gjakovë dhe Prizren, bëri të ditur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla të dielën.

    Ai tha se katër prej tyre rezultuan të jenë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë, raporton KP.

  • Vetplagoset një person në Prishtinë

    Vetplagoset një person në Prishtinë

    Një person ka pranuar tretman mjekësor pasi dyshohet se ishte vetplagosur.

    Atij i është sekuestruar pistoleta me 14 fishekë dhe një gëzhojë.

    “SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM- Prishtinë 06.04.2025 – 00:35. Lidhur me rastin i dyshuari mashkull kosovar ka pranuar tretman mjekësor pasi i njëjti dyshohet se ishte vet plagosur. Nga i njëjti është sekuestruar një pistoletë me 14 fishekë dhe një gëzhojë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.”

  • Kosova përballet sot me Norvegjinë në Kampionatin Botëror të Tenisit

    Kosova përballet sot me Norvegjinë në Kampionatin Botëror të Tenisit

    Në Larnaka të Qipros është zhvilluar ceremonia e shortit për edicionin e vitit 2025 të Kampionatit Botëror “Billie Jean King Cup” që do zhvillohet në datat 7-12 prill.

    Përfaqësuesja e Kosovës edhe këtë vit do të garojë në grupin e II të këtij kampionati në “Pool C”, ku do të përballet me Norvegjinë, Maqedoninë e Veriut dhe Afrikë Jugore.

    Kombëtarja jonë përbëhet nga tenistet: Vesa Gjinaj, Adrijana Lekaj, Forta Morina, Learta Muharremi dhe Aja Broqi. Kapiteni i ekipit është Osman Reçica.

    Ndeshjet e fazës grupore fillojnë sot dhe ekipi kosovar do të përballet me Norvegjinë në takimin e parë, i cili zhvillohet nga ora 10:00 (09:00 sipas kohës lokale në Kosovë).

  • ​Vrasja e dyfishtë në Klinë, ngritët aktakuzë

    ​Vrasja e dyfishtë në Klinë, ngritët aktakuzë

    Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit, J.H për shkak të veprës penale “Vrasje e rëndë”.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri më datë 13 nëntor të vitit 2024, me dashje dhe me armë zjarri ka privuar nga jeta viktimat, R.Sh dhe A.Sh, në Klinë, rreth orës 14:11 minuta, duke vënë në rrezik jetën edhe të personave tjerë që ishin prezent në lokalin ku kishte ndodhur vrasja e dyfishtë.

    Sipas një komunikate, i pandehuri paraprakisht i kërkon shtëpitë e viktimave, kurse me pas përmes rrjetit social Facebook i kontakton viktimat dhe me të njëjtit lejnë takim në një lokal në qendër të Klinës.

    “Pas një bisede disa minutëshe me dy viktimat me të cilët ishte i ulur në të njëjtën tavolinë, i pandehuri J.H ngritët në këmbë dhe duke qenë i kthyer me shpinë ka viktimat, nxjerr armën nga xhaketa e tij, dhe fillon të gjuaj në drejtim të viktimave, me ç’rast vëllai i viktimës R.Sh, dëshmitari E.Sh, hedhet në armë të pandehurit duke e parandaluar të njëjtin të gjuaj me tutje, kurse ne ato momente bie në dysheme arma e te pandehurit, ndërsa me pas i pandehuri J.H largohet nga vendi i ngjarjes, ku si pasojë nga të shtënat e armës se zjarrit, gjen vdekjen në vendin e ngjarjes viktima A.Sh, ndërsa viktima R.Sh dërgohet pa shenja jete në Spitalin Rajonal të Pejës. I pandehuri J.H, sipas aktakuzës se ngritur nga prokurori i shtetit, akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet në komunikatë, raporotn KosovaPress.

    Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallën fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila i vihet në barrë.

    Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë.

  • ​A do të ketë koalicion LVV-Nisma, këto janë zhvillimet e fundit

    ​A do të ketë koalicion LVV-Nisma, këto janë zhvillimet e fundit

    Lëvizja Vetëvendosje në koalicion qeverisës me Nismën Socialdemokrate dhe komunitetet jo shumicë, përjashto Listës Serbe, po konsiderohet skenari më real për formimin e qeverisë së re në Kosovë. Megjithatë, në partinë e Albin Kurtit si dhe atë të Fatmir Limajt nuk kanë konfirmuar për KosovaPress nisjen e diskutimeve për arritjen e një koalicioni, përkundër që është raportuar për një takim në mes tyre.

    Mirëpo, derisa kanë mbetur edhe tetë ditë nga seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, arritja e një dakordimi të tillë po shihet e mundshme, shkruan KosovaPress.

    Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, rrjedhimisht do t’i ketë 48 deputetë në Kuvend. Ndërkaq, Nisma Socialdemokrate ka siguruar tre deputetë në legjislativ, duke garuar në koalicion parazgjedhor me AAK-në e Ramush Haradinajt.

    Në bazë të këtyre rezultateve, ulëse në Kuvend ka fituar edhe PDK-ja me 24 deputetë, LDK me 20 deputetë si dhe AAK me 5 deputetë.

    Serbëve u takojnë gjithashtu dhjetë ulëse në Kuvendin e Kosovës. Sipas rezultateve, një ulëse e ka fituar politikani serb dhe ministri në detyrë në Qeverinë Kurti 2, Nenad Rashiq, dhe 9 ulëse do t’i takojnë Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë e cila financohet nga Beogradi.

    Ky rezultat i zgjedhjeve sipas politologut, Albinot Maloku “e determinon nevojën që Lëvizja Vetëvendosje të bëjë koalicion qeverisës me ndonjë prej partive shqiptare”.

    Ai e sheh më të mundshme arritjen e një koalicioni mes LVV-së dhe Nisma-s, mirëpo nuk e përjashton edhe mundësinë e, siç e quan, “kontrabandimit të deputetëve”.

    Madje, sipas tij, nëse ndodh një gjë e tillë, ekzekutivi i ardhshëm do të konsiderohet si “qeveria e kontrabanduesve”.

    “[Lëvizja Vetëvendosje] Si e vetme nuk mund të formojë qeverinë, për rrjedhojë se deklarimet e tyre se ne mund të formojmë qeverinë janë vetëm në aspektin e mundësive që i lejohet të parit, por nuk është se po arrin ta bëjë. Sikur të mos hezitonte, do të provonte të njihte realitetin e numrave dhe të bënte një partner koalicioni. Pjesa tjetër është që nëse Albin Kurti provon që përmes kontrabandimit të deputetëve të bëjë qeverinë, atëherë qeveria e ardhshme do të jetë e kontrabanduesve, të cilët nuk i nevojiten Kosovës”, thotë ai.

    Në anën tjetër, analistja politike, Magbule Shkodra thotë për KosovaPress se nëse Nisma Socialdemokrate merr “hisen” e saj në qeveri, atëherë ajo do të votojë pro qeverisë Kurti III.

    Ajo nuk e përjashton mundësinë që edhe deputetë nga tabori opozitarë të kalojnë në LVV.

    “[Nisma]Nëse e merr një përgjegjësi në qeveri, atëherë unë besoj se do të votojë qeverinë Kurti. E kaluara na ka treguar se ka pasur raste që deputetët pikërisht në seancën konstituive kanë ndërruar partinë. Kjo mund të ndodh dhe ndoshta zotëri Kurti po llogaritë në një gjë të tillë. Mirëpo, ka gjasa që nëse i ofrohet Nisma-s me përgjegjësitë që ata duhet t’i kenë, të votojnë LVV-në dhe të kemi qeveri”, deklaron ajo.

    Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet me 15 prill.

    Për përgatitjen e kësaj seance, kryetari në detyrë i Kuvendit, Glauk Konjufca do të mbajë takim konsultativ të martën me liderët e partive politike./KP