ATV

Author: ATVLive

  • ​Këshilltari i Trump: Jemi afër marrëveshjes tregtare me më shumë se 15 vende

    ​Këshilltari i Trump: Jemi afër marrëveshjes tregtare me më shumë se 15 vende

    Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë ofertat nga 15 vende për marrëveshje tarifore dhe janë afër marrëveshjeve me disa prej tyre, tha sot këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë, Kevin Hassett, pasi presidenti Donald Trump ndryshoi papritur kursin dhe uli shumicën e tarifave.

    Hassett tha se udhëheqësit e politikës tregtare të administratës do të takohen në Shtëpinë e Bardhë gjatë ditës për të “siguruar që vendet që janë më të rëndësishmet për arritjen e qëllimit janë ato që ne paraqesim të parët”.

    “Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së (USTR) na ka informuar se ndoshta 15 vende kanë paraqitur tani oferta të qarta, të cilat ne po i studiojmë dhe po i shqyrtojmë dhe po vendosim nëse ato janë mjaft të mira për t’ia paraqitur Presidentit”, u tha Hassett gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

    Ai tha se pret shumë përparim në marrëveshjet tregtare në tre ose katër javët e ardhshme.

    “Ky tani është një proces vërtet i shpejtë që nuk ka filluar sot dhe nuk ka filluar dje. Ka filluar shumë kohë më parë. Shumë nga biznesi është brenda mundësive,” tha Hassett për CNBC, përcjell KosovaPress.

    Kthesa e papritur e Trump të mërkurën, më pak se 24 orë pas vendosjes së tarifave të reja për shumicën e partnerëve tregtarë, pasoi valën më intensive të paqëndrueshmërisë së tregut financiar që nga fillimi i pandemisë Covid.

    Trazirat kanë fshirë triliona dollarë nga tregu i aksioneve dhe kanë shkaktuar një rritje shqetësuese në thesarin e SHBA, gjë që duket se ka tërhequr vëmendjen e Trump.

    Mbetet tarifa bazë doganore?

    Hassett tha se tarifa bazë prej 10 për qind ka të ngjarë të mbetet në fuqi për shumicën e vendeve si pjesë e çdo marrëveshjeje tregtare të negociuar.

    “Do të duhet një lloj marrëveshjeje e jashtëzakonshme që presidenti ta ulë atë normë,” tha Hassett.

    Një afat kohor 90-ditor për marrëveshjet tregtare është “shumë i realizueshëm”, shtoi ai.

    Ndikimi në tregun e obligacioneve

    Hassett tha gjithashtu se paqëndrueshmëria në tregjet e bonove dhe thesarit nuk ishte një arsye e drejtpërdrejtë për shtyrjen e tarifave të Trump, por ndoshta shtoi “pak më shumë urgjencë” për marrjen e një vendimi të tillë.

    “Gjithçka po shkonte në një mënyrë të rregullt. Nuk ka dyshim që tregu i Thesarit dje pati një ndikim që, e dini, është koha e fundit që vendimi të merret, mendoj, ndoshta me pak më shumë urgjencë. Por ai vendim do të kishte ndodhur gjithsesi,” pohoi Hassett.

  • Avdullah Hoti mungon në mbledhjen e grupit të ri parlamentar të LDK-së

    Avdullah Hoti mungon në mbledhjen e grupit të ri parlamentar të LDK-së

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, mungoi në mbledhjen e parë të grupit të ri parlamentar të kësaj partie.

    Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, tha se Hoti ka njoftuar me kohë mungesën për shkak të një obligimi.

    Takimin e grupit të ri parlamentar të LDK-së e bëri publik kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në Facebook.

    “Nga takimi i parë i Grupit të ri Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Mes deputetëve të rinj e atyre me plot përvojë, mes zërit të 171 mijë votuesve tanë, në rrugëtimin e palëkundur për Lidhjen tonë, për Republikën tonë, për qytetarët tanë! Një zë, një shtëpi, një qëllim!”, shkroi Abdixhiku.

  • S’u provua pjesëmarrja e tij në ISIS, gjykata liron të akuzuarin për terrorizëm

    S’u provua pjesëmarrja e tij në ISIS, gjykata liron të akuzuarin për terrorizëm

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit për terrorizëm, Blerim Syla.

    Në këtë rast, Blerim Syla akuzohej për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist dhe armëmbajtje pa leje. Bashkë me të ngarkoheshin edhe nëntë të akuzuar tjerë për të cilët ka përfunduar procedura, mirëpo ndaj Sylës lënda është veçuar pasi ishte jashtë vendit,.

    Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë të enjten kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ngadhnjim Arrni.

    Gjykatësi Arrni tha se i akuzuari Syla lirohet nga akuza për veprën penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste”, me arsyetimin se nuk është provuar se ka qenë pjesë e grupit terrorist ISIS.

    Ndërsa, për pikën dy dispozitivit të aktakuzës për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”, Gjykata shpalli aktgjykim refuzues, me arsyetimin se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

    Ndërkaq, urdhëroi konfiskimin e armëve të përshkruara si në aktakuzë.

    Po ashtu, gjyqtari Arrni njoftoi se me aktvendim të posaçëm, të akuzuarit Syla i ndërpritet masa e paraburgimit. Syla nuk ishte i pranishëm në shpallje të aktgjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 7 maj 2015 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, të akuzuar në këtë rast janë Irfan Haqifi, Ernest Beqiri, Fidan Ibrahimaj, Kujtim Bllaca, Blerim Syla, Fitim Dema, Emri Bushi, Vehbi Gërxhaliu, Fisnik Bushi dhe Kenan Rushiti

    Irfan Haqifi dhe Ernest Beqiri akuzohen për veprën penale “Rekrutimi për terrorizëm”. Fidan Ibrahimi, Fitim Dema, Emri Bushi,Vehbi Gërxhaliu, Fisnik Bushi, Kenan Rushiti, Kujtim Bllaca dhe Blerim Syla akuzohen për “Organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste”. Dy të fundit edhe për armëmbajtje pa leje.

    Sipas aktakuzës, i akuzuari Blerim Syla, më 3 nëntor 2013, me qëllim për t‘iu bashkëngjitur grupit terrorist ISIS, në Siri, përmes aeroportit të Prishtinës ka udhëtuar drejt qytetit të Stambollit në Turqi, pastaj nga aty ka shkuar në qytetin Hatai, për të vijuar më pas në qytetin Azra në Siri.

    Aty thuhet se fillimisht ishte vendosur në një qendër stervitore, ku ka kryer ushtrimet me armë në qytetin Tarifat të Sirisë, e më pastaj drejtpërsëdrejti ka marrë pjesë edhe në luftime, ku ka qëndruar më shumë se tre muaj, ndërsa më 17 maj 2014, është kthyer në Kosovë.

    Për këto veprime, i akuzuari Syla ngarkohej se ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste” nga neni 143, par.2 të Kodit Penal.

    Syla po ashtu akuzohej se më parë është furnizuar pa autorizim, ka mbajtur armë dhe atë: materie eksplozive- dy TNT, së bashku me pajisjet që shërbejnë për aktivizimin e kësaj materie, si dhe një revole, të cilat janë gjetur dhe konfiskuar me rastin e bastisjes që kishte ndërmarrë policia në shtëpinë e të pandehurit në Gjilan.

    Për këto veprime, Syla akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.1 të Kodit Penal.

  • Në QKUK u krye një operacion i rrallë, zgjati më shumë se pesë orë

    Në QKUK u krye një operacion i rrallë, zgjati më shumë se pesë orë

    Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, për herë të parë në Kosovë është kryer një operacion shumë i rrallë, Bypass aorto-bifemoral, me graft vaskular “Dacron”.

    Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se në këtë rast aorta e barkut, e cila ishte e mbyllur në pjesën e poshtme të saj, ishte e shoqëruar jo zakonshëm me venën e barkut të dyfishtë, një anomali shumë e rrallë 0.05% të rasteve.

    “Intervenimi ka zgjatur më shumë se 5 orë, te një pacient i moshës 48 vjeç. Pacienti përveç mbylljes të segmentit të poshtëm të enës kryesore të gjakut (aorta abdominalis), nga sëmundja aterosklerotike, për çka kishte kërkuar ndihmën mjekësore, kishte edhe një anomali, me çʾrast aorta e barkut ndodhej në mesin e venës kava inferor të dyfishtë, (doubly vena cava inferiror)”.

    “Të vetëdijshëm se bëhej fjalë për një rrezik operativtë konsiderueshëm,ekipimjekësore nëpërbërje: Prof.Ass.Dr. Lulzim Vokrri, Dr.Hajriz Rudari, Dr. Ramë Gashani, Dr. Albion Haxhijaha dhe Antigona instrumentare si dhe Anestezioni; Dr. Flora Marashi – Anesteziolog dhe Reanimator, Mirja teknike vendosi që pacienti t’i nënshtrohet intervenimit kirurgjik, në kushte të anestezionit gjeneral”, thuhet në njoftim.

    Ndër tjera, u shtua se për të arritur deri te aorta abdominale dhe vena “cava inferior” e dyfishtë, preparimi ishte shumë i vështirë, për shkak të pozitës jo normale të këtyre dy enëve të mëdha të gjakut dhe obezitetit të pacientit.

    ShSKUK shton se pas punës disa orëshe, mjekët realizojnë urëzimin prej një pjese të shëndoshë të aortës së barkut, nën veshka, deri në dy arteriet kryesore të këmbëve. Për këtë qëllim u përdor grafti vaskular sintetik “Dacron” në formë “Y” me dimensione 18/9mm.

  • 27 vjeçari nga Hasi që u zhduk në Malet e Pashtrikut gjendet i vdekur, nis operacioni për tërheqjen e trupit

    27 vjeçari nga Hasi që u zhduk në Malet e Pashtrikut gjendet i vdekur, nis operacioni për tërheqjen e trupit

    Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, kanë njoftuar se janë njoftuar nga autoritetet shqiptare për lokalizimin e viktimës A.LL i moshës 27 vjeç nga fshati Kishaj i Hasit.

    Një skuadër e Kërkim-Shpëtimit Malor bashkë me policinë e shtetit kanë rifilluar operacionin për tërheqjen e viktimës nga vendi i ngjarjes.

    “OPERACION!Pas marrjes së informatave nga autoritetet shqiptare të lokalizimit të viktimës, A.LL, 27 vjeçar nga fshati Kishaj-Has, një skuadër e ShKShMK së bashku me policinë e shtetit, ka rifilluar operacionin për tërheqjen e viktimës nga vend i ngjarjes.Për më shumë informata do të njoftoheni me kohë”, thuhet në njoftim.

  • Rohde i kërkon Kurtit zgjedhje të shpejtë të Kryeparlamentarit dhe formimin e Qeverisë, flet edhe për masat

    Rohde i kërkon Kurtit zgjedhje të shpejtë të Kryeparlamentarit dhe formimin e Qeverisë, flet edhe për masat

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dje ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

    Ky i fundit njoftoi sot për takimin e djeshëm ku tha se ia kishte Kurtit rëndësinë që të zgjidhet sa më shpejt kryetari i Kuvendit dhe të formohet Qeveria.

    Po ashtu në këtë takim, Rohde tha se i kishte theksuar edhe përpjekjet që vendi i tij po bën për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.

    “Faleminderit për takimin produktiv Kryeministër! Theksova edhe një herë përpjekjet e vazhdueshme të Gjermanisë për të hequr sa më shpejt masat kundër Kosovës. Theksova gjithashtu rëndësinë e zgjedhjes së shpejtë të Kryetarit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re”, tha Rohde.

    Kurti dje tha se Rohden e ka uruar për përfundimin e suksesshëm të procesit të formimit të koalicionit qeverisës në Gjermani.

  • Rriten sërish çmimet e produkteve të konsumit

    Rriten sërish çmimet e produkteve të konsumit

    Çmimet e produkteve të konsumit në Kosovë kanë shënuar rritje 2.9 për qind në mars, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërsa, inflacioni mujor ishte 0.8 për qind në muajin mars, raporton KosovaPress.

    Rritje të çmimeve në mars kanë shënuar kafeja, çaji dhe kakaoja me 17.1 për qind, perimet 8.7 për qind dhe mishi me 8.3 për qind. Ngritje të çmimeve pati edhe buka dhe drithërat me 2.1, raporton KosovaPress.

    “Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,9% në muajin mars 2025, krahasuar me muajin mars 2024. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet: kafe, çaj dhe kakao (17,1%); perime (8,7%); mish (8,3%); shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (7,6%); qumësht, djathë dhe vezë (7,1%); pemë (6,7%); pije alkoolike (6,3%); gazeta, libra dhe materiale për zyra (6,2%); shërbime hoteliere (5,8%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (5,4%); këpucë (5,4%); shërbime financiare (5,2%); shërbime ambulantore (5,2%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (4,8%); kujdes personal (4,3%); vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht (3,7%); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (3,2%); duhan (2,9%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (2,4%); veshje (2,4%); bukë dhe drithëra (2,1%); pajisje shtëpiake (1,9%); shërbime për transport (1,8%); qelqurina, takëme dhe mjete të kuzhinës (1,3%)”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

    Ndërsa, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rënie e çmimeve për lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 6,7 për qind, si dhe karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (-5,0%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0,6 për qind) në IHÇK.

    Kurse, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0,8% në muajin mars 2025, krahasuar me muajin shkurt 2025.

    “Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: perime (5,3%); pemë (4,5%); shërbime ambulantore (3,3%); vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht (2,7%); këpucë (2,6%); shërbime hoteliere (2,5%); kafe, çaj dhe kakao (2,4%); mish (2,3%); pije alkoolike (1,8%); kujdes personal (1,6%); qumësht, djathë dhe vezë (1,4%); shërbime për transport (1,3%); veshje (1,2%); gjëra dhe pajisje të tjera rekreative, kopshte dhe manare (1,0%); bukë dhe drithëra (0,5%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1,0 për qind në IHÇK”, bën të ditur ASK, raporton KosovaPress.

  • ​Kjo është kronologjia e futjes dhe ndalimit të tarifave Trump

    ​Kjo është kronologjia e futjes dhe ndalimit të tarifave Trump

    Në 79 ditët që nga marrja e detyrës, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka iniciuar një sërë masash dhe ndryshimesh tarifore që kanë riformuar në mënyrë dramatike marrëdhëniet tregtare globale.

    Ja se si u shpalos gjithçka gjatë ditës:

    20 janar – Në ditën e inaugurimit, Trump përdor fjalimin e tij për të njoftuar një kthesë të plotë në politikën tregtare. Ai njofton vendosjen e tarifave ndaj vendeve të huaja me qëllim “mbrojtjen e punëtorëve amerikanë”, duke shtuar se SHBA-ja “do të përparojë si kurrë më parë”.

    1 shkurt – Trump shpall një tarifë prej 25% për importet nga Kanadaja dhe Meksika dhe 10% shtesë për produktet kineze.

    3 shkurt – Kanadaja dhe Meksika bien dakord me Uashingtonin për një vonesë njëvjeçare të tarifave të SHBA.

    10 shkurt – Trump njofton vendosjen e një takse 25% për të gjitha importet e çelikut dhe aluminit në SHBA.

    4 mars – Shtëpia e Bardhë vendos tarifa shtesë për importet kineze.

    12 mars – Tarifat prej 25% të Trump për çelikun dhe aluminin hyjnë në fuqi.

    26 mars – Shpallen tarifat e reja prej 25% për importin e makinave dhe pjesëve të automjeteve në SHBA. Zbatimi fillon më 2 prill.

    2 prill – Trump njofton se SHBA do të vendosë “tarifa reciproke” në një numër vendesh në mbarë botën dhe një tarifë universale prej 10% për të gjitha importet e tjera.

    5 prill – Hyn në fuqi një tarifë doganore “bazë” prej 10% për të gjitha importet që nuk janë të rregulluara në mënyrë specifike.

    9 prill – Tarifat speciale për rreth 60 vende – të cilat Shtëpia e Bardhë i quan “shkelësit më të mëdhenj” – hyjnë në fuqi. Në të njëjtën ditë, Trump shpall një pauzë 90-ditore për të gjitha vendet e tjera, përveç Kinës. Për Kinën, tarifat po rriten në 125%.

    10 prill – Bashkimi Evropian vendos në pritje kundërmasat kundër SHBA-së për shkak të pauzës 90-ditore amerikane, raporton KP.

  • Arrestohet ministrja boshnjake

    Arrestohet ministrja boshnjake

    Në kuadër të aksionit me emrin e koduar “Zarf”, me urdhër të prokurorit përgjegjës të Prokurorisë së Kantonit të Sarajevës, hetuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kantonit të Sarajevës kanë arrestuar ministren e Ministrisë për Shkencë, Arsimin e Lartë dhe Rininë e Kantonit të Sarajevës, Adna Mesihoviç, dhe ndihmësen e saj, Gjenita Viteskiq.

    Ato dyshohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autorizimeve zyrtare.

    Më saktësisht, dyshohen për punësime të paligjshme në Ministri, shkruan klix.ba.

    Herët në mëngjes janë kontrolluar banesat e të dyshuara dhe zyrat e Ministrisë për Shkencë, Arsimin e Lartë dhe Rininë e Kantonit të Sarajevës. Janë gjetur dokumente dhe sende të tjera që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale në vijim.

    Aksioni është, ndër të tjera, rezultat i protokollit të nënshkruar për ndjekjen penale të veprave korruptive ndërmjet Prokurorisë së Kantonit të Sarajevës, Zyrës për Luftën kundër Korrupsionit të Kantonit të Sarajevës dhe Drejtorisë së Policisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kantonit të Sarajevës.

    Ndihmë ka ofruar edhe Agjencia për Siguri dhe Informacion e Bosnjë dhe Hercegovinës (OSA). Në fund, të dyshuarat, pas procedurës hetimore pranë MPB-së së KS-së, do t’i dorëzohen për kompetencë të mëtejshme Prokurorisë së KS-së. /Telegrafi/

  • ​Qeveria e ardhshme, flet Ahmet Isufi

    ​Qeveria e ardhshme, flet Ahmet Isufi

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është në kontakt të vazhdueshëm me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) e Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për të formuar Qeverinë e Kosovës.

    Kështu ka deklaruar ish-deputeti Ahmet Isufi i pyetur nga mediat në Gjilan nëse AAK-ja ka pranuar ftesë nga Lëvizja Vetëvendosje për takim.

    Isufi tha se edhe po të pranonte një ftesë të tillë, AAK-ja nuk do ta pranojë shkak i raporteve.

    “AAK-ja, nuk ka pranuar ftesë, por edhe sikur të pranonte nuk do t’i përgjigjej për shkak të raporteve të krijuara qysh më herët dhe konsiderojmë që opozita duhet ta krijojë qeverinë, sepse sjellja e kësaj qeverie për një mandat ka treguar që nuk meriton të vazhdojë… Ne kemi qenë dhe jemi në kontakt me PDK-në, LDK-në dhe parti të tjera të cilët e përbejnë parlamentin e Kosovës”, tha Isufi.

    Vetëvendosje i ka dërguar ftesë LDK-së, por kryetari Lumir Abdixhiku ka deklaruar se qëndron vetëm për postin e kryeministrit.

    Ahmet Isufi tha se nuk është koha për të ndarë rolet, pasi Kosova meriton një qeveri tjetër.

    Ndërsa, rreth koalicionit me NISMA-n, ish-deputeti i AAK-së u shpreh se kanë pasur një takim, por interesi është te partitë tjera opozitare.

    “Meriton Kosova një qeveri tjetër, andaj nuk kemi ambicie për rolet kryesore të qeverisjes në Kosovë, por do të jemi pjesë e qeverisjes, sepse mendojmë se kështu i kontribuojmë zhvillimeve të reja në Kosovë që të dërgojmë përpara Kosovën… Ne kemi pasur një koalicion parazgjedhor, ka përfunduar. Edhe me Nismën kemi pasur më herët takim. Kohëve të fundit jemi të interesuar me partitë opozitare PDK, LDK, NISMËN e partitë e minoriteteve jo serbe të krijojmë qeverinë e re”, tha Isufi.

    Rikujtojmë se më 15 prill do të mbahet mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje ka 48 ulëse të fituara nga zgjedhjet e 9 shkurtit dhe nënkryetari kësaj partie tha se do të jetë e vështirë formimi i qeverisë pa koalicion qeverisës. Krejt kundër është shprehur Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se LVV-ja do ta formojë e vetme qeverinë ose do të shkohet në zgjedhje të reja. PDK-ja ka shprehur gatishmërinë të formojë qeverinë me LDK, AAK-në e Nismën nëse LVV-ja dështon ta krijojë qeverinë. PDK ka 24 ulëse, LDK 20, AAK-NISMA 8. /kp