ATV

Author: ATVLive

  • ​LVV pretendon se i ka numrat për formimin e Qeverisë

    ​LVV pretendon se i ka numrat për formimin e Qeverisë

    Anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët janë regjistruar sot si deputetë në Kuvendin e Kosovës, janë deklaruar të bindur se ky subjekt i ka numrat për formimin e qeverisë.

    Hekuran Murati, i cili është regjistruar si deputet në Kuvendin e Kosovës, tha se sa më shumë numra të kenë do të ishte më mirë.

    “Me votat e deputetëve të Kuvendit… Për të gjitha këto është çështja e subjektit, sekretariatit të subjektit… Patjetër që po [i kemi numrat e qeverisë]. 61 i kërkon Kushtetuta, sa më shumë, sa ma mirë… me deputetët e Kuvendit të Kosovës”, deklaroi Hekuran Murati, transmeton KP.

    Në zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV-ja mori 48 mandate, numër ky i pa mjaftueshëm për të qeverisur e vetme në Kosovë.

    Por, Halil Thaçi nga Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se formimi i Qeverisë do të bëhet pa partitë opozitare.

    Pas regjistrimit si deputet ai u shpreh i bindur se do të arrijnë të formojnë Qeverinë me 63 vota.

    “Po shpresoj që do ta bëjmë edhe pa PDK-në edhe kryeministër do të jetë Kurti dhe kryeparlamentar Glauk Konjufca… Ashtu me vota, 63 vota”, deklaroi ai.

    Ndërsa ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nuk është përgjigjur sa i përket ftesës për partitë opozitare.

    “Para dy dite kam dhënë të gjitha deklarimet rreh këtyre çështjeve, nuk kam diçka për të shtuar”, deklaroi Haxhiu.

    Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka takuar më 8 prill kryetarët e partive politike në vend, lidhur me përgatitjet për seancën konstituive. Presidentja Vjosa Osmani e ka caktuar 15 prillin si datë për konstituimin e Kuvendit, pasi Kosova mbajti zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt.

  • ​A ka humbje të mjeteve financiare në Fondi i Kursimeve Pensionale, flasin nga Trusti

    ​A ka humbje të mjeteve financiare në Fondi i Kursimeve Pensionale, flasin nga Trusti

    Fondi për Kursime Pensionale të Kosovës (Trust), deri më 4 prill të këtij viti ka pasur nën menaxhim 3 miliardë e 34 milionë euro, derisa në fund të dhjetorit të vitit 2024, ky fond ka qenë në vlerë prej 3 miliardë e 181 milionë euro. Fitimet e Trustit nga investimet në tregjet ndërkombëtare shihet se kanë një luhatje, (me një diferencë minus 147 milionë euro), raporton KosovaPress.

    Për këtë përformancë sot KosovaPress ka kontaktuar me zyrtarë të Trust-it, mirëpo të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin për diferencën e mjeteve financiare dhe sa po rrezikohen mjetet e kursimtarëve kosovarë si rrjedhojë e krizës globale (në tregjet ndërkombëtare).

    Zyrtarë të Trustit kanë thënë se nesër do të dalin me një raport sqarues lidhur me fondin e Trustit. Po ashtu dje dhe sot është raportuar në media se ka pasur “rënie të mjeteve të Trustit të investuara në tregjet ndërkombëtare”. Mësohet se kriza globale ka ndikuar negativisht në investimet e mjeteve të Trustit.

    Në anën tjetër kryesuesi i Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trust), Emanuel Bajra ka thënë për KosovaPress ditë më parë se nuk ka nevojë për shqetësim. Ai ka thënë se “këto janë rënie momentale të tregut që dikur e marrin edhe tatëpjetën”.

    “Kontributet nuk preken, për shkak se kontributet që jepen në Trust investohen. Vlera e investimeve nëse e shohim lakoren e ngritjes së investimeve që nga viti 2002 kur është themeluar Fondi Pensional gati 1 miliardë e kemi arrit kthimin, aty ku ka luhatje vjen momenti kur ka shembull rënie, ka momente kur ka ringritje. Sepse zakonisht diskursi ka qenë në Kosovë në veçanti humbje, humbje Trusti, nuk janë këto humbje, këto janë rënie momentale të tregut që dikur e marrin edhe tatëpjetën. Fundi fundit më mirë është të investosh në tregje se t’i mbash paratë në bankë, për shkak se është ajo teoria e akumulimit të vlerës së parasë, një 100 euro sot, nuk e ka vlerën e njëjtë sikur do ta ketë në vitin 2035, apo 2040…08:25 Nuk ka vend për shqetësim, ngritje, rëniet janë pjesë normale e tregjeve, kështu ne jemi të diversifikum, kështu nuk ka vend për shqetësim”, thotë Bajra.

    Ndryshe mendon, njohësi për çështje të ekonomisë, Adem Qorrolli.

    Adem Qorroli thekson se të vetmet investime jashtë vendit janë paratë e Trustit dhe sipas tij, “ky devlalvim i tregut apo kjo rrezikshmëri e tregut do ta kap pjesën e përfitimeve të Trustit”.

    Ai thekson se ka rrezik të madh që sipas tij, të ketë një humbje edhe më të madhe mjeteve të fitutara nga investimet të Trustit.

    “Tarifat nga ShBA-të tashmë kanë dhënë frytet e veta dhe sigurisht shtetet me konkurrencën ma të madhe do të kenë edhe pasoja më të mëdha, dhe shtetet me industri më të fortë sigurisht do të kenë edhe pasoja industriale. Kurse vendet e varfra apo vendet që nuk kanë industri të zhvilluar, sigurisht do t’i ndjekin kostot e veta, këtë e reflekton edhe Kosova. Ku të vetmet investime jashtë vendit janë paratë e Trustit dhe sigurisht ky devlalvim i tregut apo kjo rrezikshmeri e tregut do ta kap edhe pjesën e tregut, apo pjesën e përfitimeve te Trustit që realisht është një rrezikshmëri e madhe që të ketë një humbje edhe të madhe”, thotë Qorrolli.

    Mësohet se numri i llogaritë aktive në vitin 2024 ishte mbi 400 mijë.

    Ndryshe, presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se po aplikon një pauzë 90-ditore për tarifat e reja pasi lufta e tij tregtare trondit ekonominë botërore, por nuk ishte menjëherë e qartë se për cilat vende do të zbatohej pauza. Në të njëjtën kohë, Trump njoftoi se po rriste normat e tarifave ndaj Kinës në 125 për qind. /kp

  • ​Si e shohin qytetarët paralajmërimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike?

    ​Si e shohin qytetarët paralajmërimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike?

    Paralajmërimi i ZRRE-së për ngritje të çmimit të energjisë elektrike prej 15% ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët dhe bizneset.

    Qytetarët e shohin të papranueshme rritjen e çmimit të energjisë, disa prej tyre mendojnë se ka të bëjë me mungesën e strategjisë adekuate për zhvillim energjetik, ndërsa për dikën tjetër kjo duket e pashmangshme për shkak të zhvillimeve globale.

    Lutfi Murtezi, qytetar, thotë se rritja e çmimit të energjisë vjen si pasojë e vendimeve jo adekuate në të kaluarën. Ai kritikon shoqërinë civile dhe faktorët ndërkombëtarë për pengimin e ndërtimit të termocentraleve që do të kishin siguruar energji më të lirë për vendin.

    “Nuk është në rregull në këtë kohë krize, po çfarë ti bësh. Ne edhe informatat nuk i kemi si duhet. Kemi bërë gabime edhe para 20 viteve, është dashur t’i ndërtojmë termocentralet tona, të kemi energji të lirë. Shoqëria civile është e para që e ka kundërshtuar dhe e ka kundërshtuar pa të drejtë… të blejmë gjeneratorë dhe energji me çmime të pavolitshme për konsumatorët tonë, nuk kemi pasur politikë të mençur”, tha Murtezi.

    Edhe Hasan Berisha konsideron se rritja e çmimit të energjisë elektrike nuk është e arsyeshme dhe propozon që çdo ndryshim të vlerësohet nga institucionet me kujdes.

    “Nuk është mirë të shtrenjtohet, është mirë organet kompetente financiare, ata që merren me makro-financa me analiza të standardit të popullsisë me vlerësuar atë, nëse ka nevojë, atëherë edhe nëse bëhet një rritje ajo të mos jetë e madhe. Por, ndryshe në kushtet e tanishme është e pa qëllueshme me ngrit qysh ata po thonë 15% edhe po bëjnë manipulime njëherë prej 1 prill, tani prej 1 majit, nuk është mirë me rrit, aq më tepër kur KEK-u, industria e prodhimit të rrymës, ka deklaruar që brenda vitit nuk do të rritet çmimet e rrymës, atëherë mbetet me pyet pse agjensioni kompetent (ZRRE) po propozon me rritë”, tha ai.

    Izet Zhura e sheh si normale rritjen e çmimit të energjisë, duke theksuar se kjo është një dukuri globale. Sipas tij, kërkesat për energji janë rritur pas luftës për shkak të ndërtimit të shumtë të objekteve që konsumojnë më shumë rrymë.

    “Mendoj që është normale në këtë kohë edhe shtrenjtimi, sepse është shtrenjtuar energjia në krejt botën, jo vetëm te na. Kosova dikur e ka mbuluar veten kur ka qenë më e vogël, ka pasur më pak banesa e shtëpi, më pak e ka mbuluar kërkesat e veta. Tash pas luftës janë bërë shumë ndërtesa. Ato tash shpenzojnë energji elektrike”, potencoi ai.

    Kujtojmë, më 11 prill pritet të miratohen tarifat e reja të energjisë elektrike nga ZRRE-ja, pasiKOSTT, KEDS dhe KESCO kërkuan një gjë të tillë për shkak të importit të energjisë elektrike. Nisma qytetare “Asnjë centë më shumë” do të mbajë të premten protestën e radhës për kundërshtuar e shtrenjtimin e energjisë elektrike.

    Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike në Kosovë (ZRRE) bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës që shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars.

    Më 2024, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë tre për qind, por më 2023 tarifat u rritën 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

    Konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë në muaj, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa mbi 800 kilovatë pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim 14.45 centë.

    Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavatë rrymë në orë, ndërsa nevojat në stinën e dimrit arrijnë në 1.300. Mbi 20 për qind e energjisë elektrike prodhohet nga burimet alternative, si hidrocentralet, panelet solare dhe centralet me erë. Strategjia për Energji 2022-2031 përqendrohet tek investimet në energji të ripërtërirë, por një pjesë përfshin edhe TC Kosova A. /kp

  • Tarifat e vendosura nga Trump, Bashkimi Europian i kundërpërgjigjet SHBA-së

    Tarifat e vendosura nga Trump, Bashkimi Europian i kundërpërgjigjet SHBA-së

    Bashkimi Evropian ka mbështetur kundërmasat e tij të para kundër tarifave të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, pasi vendet anëtare miratuan sot një propozim të bërë në përgjigje të tarifës prej 25% që SHBA vendosi për eksportet e çelikut dhe aluminit të BE-së.

    “BE i konsideron tarifat e SHBA të pajustifikuara dhe të dëmshme, duke shkaktuar dëm ekonomik për të dyja palët, si dhe për ekonominë globale. BE-ja ka deklaruar preferencën e saj të qartë për të gjetur rezultate të negociuara me SHBA, të cilat do të ishin të balancuara dhe reciprokisht të dobishme”, tha Komisioni Europian në një deklaratë.

    Ai tha se do të fillojë të mbledhë detyrime nga 15 prilli, duke theksuar se “këto kundërmasa mund të pezullohen në çdo kohë, nëse SHBA bie dakord për një rezultat të drejtë dhe të balancuar të negociuar”.

    Komisioni nuk dha menjëherë detaje rreth tarifës që do të vendoste për disa mallra të importuara nga SHBA.

  • ​Kënd do ta preferonin qytetarët në koalicion qeverisës?

    ​Kënd do ta preferonin qytetarët në koalicion qeverisës?

    Formimi i qeverisë së re në Kosovë vazhdon të jetë një temë e debatit të gjallë publik pas zgjedhjeve të fundit dhe qëndrimeve të ndryshme të partive politike.

    Qytetarët shprehin mendime të ndryshme për mënyrën se si duhet ndërtuar shumica parlamentare, me theks të veçantë në nevojën për stabilitet, bashkëpunim mes partive shqiptare dhe përjashtimin e varësisë nga Lista Serbe.

    Hasan Berisha, qytetar, mendon se qeveria e ardhshme e vendit do të ishte më stabile nëse ajo do të formohej nga Lëvizja Vetëvendosje me ndonjërën nga partitë e tjera.

    “Ka qenë e natyrshme, LDK-ja me iu bashkëngjit, mirëpo deklarata e djeshme që e dha kryetari i partisë nuk më ka pëlqyer, është politikë me inati, ndryshe duhet formuar sa ma shpejt qeverinë, sipas kushtetutës ajo parti që e fituar shumicën. Po stabile do të ishte, njëra prej partive më të mëdha me iu bashkëngjitur Vetëvendosjes ose PDK-ja ose Lidhja Demokratike ka qenë e natyrshme”, ka thënë ai.

    Ndërsa Hajrush Emini thotë se në bazë situatës aktuale është mirë që tri partitë e mëdha të bëjnë koalicion së bashku, dhe të mos varen nga Lista Serbe.

    “Jemi në situatë të rëndë në tona anët po na kërcënon Serbia, prandaj sipas mendimit tim është dashur që shqiptarët tri partitë e mëdha në koalicion me krijuar një qeveri me 90 e diçka deputetë shqiptarë, të mos varen prej kurrkujt”, tha ai.

    Një tjetër qytetar Mirsad Krasniqi thotë se tani mundësia ka mbetur një koalicion ndërmjet VV dhe PDK-së, por nuk beson se do të jetë stabile.

    “LDK-ja definitivisht nuk është, së paku ashtu u deklaruan, tash ka ngelë vetëm me PDK-në. Nuk e di sa është e qëndrueshme me atë, unë prapë mendoj se do të bëhet, por do të jetë shumë në numër jo të madh do të jetë jo stabile”, tha Krasniqi.

    Kujtojmë për datën 15 prill është thirrur seanca konstituive e Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje pas zgjedhjeve të 9 shkurtit kishte paralajmëruar se do të formojë e vetme qeverinë, ndërkohë që partitë e tjera kanë refuzuar mundësinë e koalicionit me partinë fituese.

    PDK-ja ka kërkuar që qeverinë ta formojë së bashku me LDK-në, AAK-NISMA e minoritetet, nëse dështon Lëvizja Vetëvendosje të formojë qeverinë.

    Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka pranuar më 8 prill se qeveria e ardhshme është e pamundur të krijohet pa koalicione qeverisëse.

    Ai tha se qëllimi i LVV-së ishte të formonte qeverinë vetëm, mirëpo rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit e determinon nevojën për koalicion, andaj edhe iu kanë drejtuar me ftesë Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka dhënë emrin e kryetarit të Kuvendit.

    Por, nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se qeverinë e ardhshme e formon Lëvizja Vetëvendosje ose shkohet në zgjedhje të reja. Ajo e përjashtoi mundësinë që ekzekutivin e ardhshëm ta formojnë partitë të tjera nëse LVV-ja dështon ta bëjë një gjë të tillë.

    Në zgjedhjet e shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 48 deputetë, PDK-ja 24 deputetë, LDK 20, AAK-NISMA 8. Minoritet kanë 20 vende të rezervuara, prej tyre dhjetë për serbët. Lista Serbe e përkrahur nga Serbia, ka fituar 9 ulëse, një ulëse e ka fituar politikani serb dhe ministri në detyrë në Qeverinë Kurti 2, Nenad Rashiq./

  • Çeku njofton se kanë nisur procedurat për ndërtimin e stadiumit të Suharekës

    Çeku njofton se kanë nisur procedurat për ndërtimin e stadiumit të Suharekës

    Ministri në detyrë i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se kanë nisur procedurat për ndërtimin e stadiumit të ri të Suharekës, raporton KosovaPress.

    Ai ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se ky stadium do të jetë i kategorisë 2, me kapacitet 6518 ulëse, dhe plotëson standardet më të larta ndërkombëtare.

    “Një tjetër projekt i madh për infrastrukturën sportive po bëhet realitet. Kemi shpallur procedurën për ndërtimin e stadiumit të ri të Suharekës. Stadiumi për të cilin kemi ndarë 13 milionë euro, do të jetë i kategorisë 2, me kapacitet 6518 ulëse, dhe plotëson standardet më të larta ndërkombëtare. Sapo të kontraktohet operatori do të nis realizimi i punimeve” , ka shkruar Çeku.

  • ​Kryetari i Obiliqit Xhafer Gashi nderon të rënët në Betejën e Koshares

    ​Kryetari i Obiliqit Xhafer Gashi nderon të rënët në Betejën e Koshares

    Me rastin e 26-vjetorit të Betejës së Koshares, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Koshare, aty ku prehen dëshmorët e njërës prej betejave më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Ish-bashkëluftëtari i Sali Çekajt, Xhafer Gashi, duke kujtuar këtë përvjetor, tha se kjo është një ditë e veçantë, e mbushur me dhimbje, por edhe me krenari të thellë për sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit.

    “Është një ditë e veçantë me plot dhembje dhe krenari, pasi falë gjakut të sakrificës së gjithë këtyre që sot pushojnë këtu në varreza në po e gëzojmë lirinë. Duke qenë edhe pjesë e kësaj beteje na kujtomë shumë momente të vështira gjatë periudhës së zhvillimit të betejës….Është bërë shumë përgatitje në këtë drejtim, kanë qenë njerëzit më të mirë në procesin e përgatitjes dhe si rezultat i kësaj ka ndodh edhe thyerja e kufirit Shqipëri-Kosovë dhe është zhvilluar një betejë e mirë organizuar”, ka thënë Gashi.

    Në kuadër të manifestimit përkujtimor për 26-vjetorin e Betejës së lavdishme të Koshares, në emër të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur Donika Kada-Bujupi, e cila ka theksuar rëndësinë historike të kësaj beteje, të cilën e ka quajtur si një pikë kthese për lirinë dhe shtetformimin e Kosovës, raporton KosovaPress.

    Ajo rikujtoi nisjen e betejës më 9 prill 1999 dhe rolin udhëheqës të strategut ushtarak dhe heroit kombëtar, Agim Ramadani.

    Beteja e Koshares më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në aspektin strategjik beteja e Koshares kishte rëndësi të veçantë jo vetëm marrjen dhe pastrimin e kufirit por edhe krijimit të prapavijës së qëndrueshme për mbështetje dhe operacione logjistike, ndihmë mjekësore etj.

    Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë.

  • Te Bayerni janë të bindur se do ta përmbysin Interin

    Te Bayerni janë të bindur se do ta përmbysin Interin

    FC Bayern u mund 2-1 nga Interi në ndeshjen e parë të çerekfinales së Ligës së Kampionëve të martën në mbrëmje, shkruan KosovaPress.

    Megjithatë, edhe pas humbjes së ngushtë, Bayerni ende beson se mund të kalojë në gjysmëfinale pas zhvillimit të ndeshjes së dytë në Itali.

    “Ne e dimë se ka ende shumë për të luajtur,” tha Thomas Müller për mediat pas ndeshjes.

    “Ne patëm mundësinë për të shënuar më shumë se një gol. Është ndeshja e parë, ne ende besojmë plotësisht se kemi shans në Milano,” tha trajneri Vincent Kompany , duke parë përpara.

    “Ata gjithashtu kanë cilësi në sulm, nuk është kurrë e sigurt kundër tyre. Por ne ishim gjithashtu të rrezikshëm dhe patëm raste. Ne ishim shumë dominues në pjesën e dytë dhe luajtëm me guxim. Është turp të pranojmë golin e dytë, por është gjithmonë përgjegjësia jonë. Interi në shtëpi është shumë i rrezikshëm.. Tani do të luajmë së pari me Dortmundin dhe më pas do të përqendrohemi qind për qind te Interi”, shtoi Kompany, përcjellë KosovaPress.

    Nga ana tjetër, trajneri i Interit, Simone Inzaghi u shpreh shumë i kënaqur me lojën e futbollistëve të tij:

    “Jam i kënaqur me fitoren, ne luajtëm një lojë të shkëlqyer dhe nuk duhet të fokusohemi te rezultati, por në vend të kësaj në performancën që kemi bërë kundër një kundërshtari teknikisht të fortë, koheziv dhe të madh. Pas një jave duhet të luajmë në të njëjtën mënyrë, por sonte jemi të kënaqur me këtë paraqitje”, deklaroi ai pas ndeshjes.

  • Osmani për masakrën në Lagjen e Re dhe në Rakoc të Kaçanikut: Ata u flijuan për lirinë tonë

    Osmani për masakrën në Lagjen e Re dhe në Rakoc të Kaçanikut: Ata u flijuan për lirinë tonë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar me nderim të thellë përvjetorin e Masakrës në Lagjen e Re dhe në Rakoc të Kaçanikut.

    Aty, 28 dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ranë heroikisht, ndërsa 32 civilë u vranë mizorisht nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

    Presidentja theksoi se kujtimi për këta martirë do të mbetet gjithmonë udhërrëfyes për Kosovën dhe brezat që vijnë.

  • Dita e Kushtetutës, Hamza: Secili nga ne duhet të punojë që çdo dispozitë e Kushtetutës të jetë realitet

    Dita e Kushtetutës, Hamza: Secili nga ne duhet të punojë që çdo dispozitë e Kushtetutës të jetë realitet

    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, i ka uruar qytetarët e Kosovës për Ditën e Kushtetutës.

    Ai ka vlerësuar se Kushtetuta sot është udhërrëfyes i shoqërisë kosovare.

    Në profilin e tij në “Facebook”, Hamza ka shkruar se duke respektuar të drejtat e liritë e çdo qytetari, do të forcohet shteti i Kosovës.

    “Çdo popull e ka fuqinë ta formësojë të ardhmen e vet dhe me miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, 17 vjet më parë, ne i dhamë formë shtetit të së drejtës dhe të ardhmes sonë evropiane. Kushtetuta sot është udhërrëfyese e shoqërisë sonë dhe duke respektuar të drejtat e liritë e çdo qytetari, ne do ta forcojmë shtetin tonë! Secili nga ne duhet të përkushtohet dhe punojë që çdo dispozitë e Kushtetutës së Kosovës, çdo fjalë brenda saj, të jetë realitet për të gjithë qytetarët tanë!”, ka shkruar Hamza.