ATV

Author: ATVLive

  • Prokuroria e Hagës iu referua Kosovës si “Kosova dhe Metohija”, tha se ishte gabim

    Prokuroria e Hagës iu referua Kosovës si “Kosova dhe Metohija”, tha se ishte gabim

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Me “Kosova dhe Metohija” në Serbi gjithmonë i referohen Republikës së Kosovës.

    Por, me këtë term, iu referuan vendit edhe në një institucion që konsiderohet të jetë i saj, respektivisht Zyrën e Prokurorit të Specializuar, në Hagë.

    Në një dokument të muajit shkurt 2023, përshkruhet se duke iu drejtuar Sefer Goxhulit, njëri nga dy hetuesit e ZPS-së të cilët po e intervistonin e përmendën emrin për çka i intervistuari ishte ankuar më pas, përmes avokatit të popullit.

    “Në fillim të intervistës, njëri prej punonjësve, gjatë leximit të një dokumenti, iu referua Republikës së Kosovës me fjalët ‘Kosovo i Metohija’ (‘Kosovë dhe Metohi’. Në atë moment, ankuesi nuk ngriti ndonjë kundërshtim dhe shqetësim në lidhje me përdorimin e shprehjes ‘Kosovë dhe Metohi’, pasi u këshillua të mos e bënte këtë nga mbrojtësi i tij. Megjithatë, në fund të intervistës, ai shprehu shqetësimin e tij për përdorimin e kësaj shprehjeje në dokumentacion”, thuhet në ankesën e Avokatit të Popullit.

    Në përgjigjen ndaj ankesës, ZPS aso kohe kishte pranuar se hetuesi e kishte përdorur termin, por gabimisht. Por, Goxhuli, po në atë ankesë, shprehej i bindur se nuk ishte vetëm lëshim.

    Ankuesi gjithashtu pretendon se përdorimi i termit nuk ishte thjesht rezultat i një gabimi gjuhësor nga ana e përfaqësuesit të ZPS-së, dhe vë në dukje faktin se përfaqësuesi në fjalë po e lexonte nga një dokument ku përdorej termi.

    Me apo pa qëllim, përdorimi i këtij termi sipas njohësve të punës së këtij institucioni, konsiderohet shkelje e rëndë.

    “E konsideroj si një skandal, dhe si një tendencë për ta zhvleftësuar sistemin juridik të Kosovës. Konsideroj që Institucionet e Kosovës, qeveria që do themelohet, se kjo që ishte nuk interesohej, do duhej t’ia shkruante një letër, kryetares së dhomave të specializuara”, tha Xhevdet Smakiqi, avokat.

    Kjo shpërfaq edhe diçka tjetër, thotë një tjetër avokat.

    “Është e papranueshme dhe e pafalshme. Kjo shpërfaqë faktin se prapa këtij procesi qëndron Serbia”, tha Ardian Bajraktari, avokat.

    Sefer Goxhuli, në kohën kur u intervistua, siç kupton ATV, ishte shef i një departamenti në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

  • Një segment i rrugës Mitrovicë – Prishtinë bllokohet nga dheu që rrëshqiti

    Një segment i rrugës Mitrovicë – Prishtinë bllokohet nga dheu që rrëshqiti

    Përgatiti: Egzona Mema

    Qysh në fillim tabela informon se segmenti I magjistrales që lidh Mitrovicën me Prishtinën nuk është lëshuar ende për qarkullim pasi që nuk kanë përfunduar ende punimet në të, mirëpo ky segment shfrytëzohet prapë nga automjetet.

    Por ngasësit detyrohen ta ulin shpejtësinë pasi që në rrugë ka pengesa.

    Ka kaluar aq kohë kur nga rrëshqitja e dheut njëra pjesë e këtij shiriti rrugor është dëmtuar saqë mbi dheun ka mbirë edhe bari. Këtu nuk ka asnjë sinjalizues tjetër përpos kësaj shenje që tregon se ka rrëshqitje dheu në këtë pjesë rrugore, e mundësia e vetme që u mbetet shoferëve ta kalojnë këtë pjesë është që ngasjen e makinës ta bëjnë në shiritin e tejkalimit.

    Dheu që rrëshqiti në këtë pjesë të rrugës disa herë u bë shkas edhe për aksidente trafiku. Madje gjurmët nga ai i fundit i para dy ditëve ende shihen.

    Ministria e Infrastrukturës gjatë ditës nuk i ka kthyer përgjigje ATV-së se kur do intervenohet në lirimin e rrugës.

  • Kosova ende larg heqjes së masave nga Bashkimi Evropian

    Kosova ende larg heqjes së masave nga Bashkimi Evropian

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Komiteti i Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian miratoi një raport në të cilin përgëzohet progresi që Kosova shënoi në rrugën drejt integrimit evropian.

    Në raport vlerësohen reformat në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian duke theksuar vendosmërinë e “sigurt” për këtë.

    Megjithatë, Kosova është larg heqjes së masave të Bashkimit Evropian ndonëse disa prej euro deputetëve gjatë seancës të së mërkurës bënë thirrje për këtë.

    “Ne e dimë në çfarë situate jemi duhet konsensus i plotë, qytetari nuk i vëren, mirëpo shteti po, shumë projekte mbesin pezull, jemi larg mundësisë mu marrë një vendim i tillë, duhet të formohet një qeveri legjitime e që bën pastaj hap me bashkimin evropian”, tha Bekim Kabashi, njohës politik.

    Bashkimi Evropian ndëshkoi Kosovën në qershor të 2023-s për shkak të veprimeve të njëanshme të Qeverisë dhe nxitjen e tensioneve etnike në veri.

    “Ka shtete të cilat nuk pajtohen dhe këtë gjë mirë e dimë, nuk është procedurë e lehtë, nuk besoj që do të hiqen së shpejti…”, tha Basri Muja, njohës politik.

    Kosova ka aplikuar për t’iu bashkuar bllokut 27-anëtarësh qysh në dhjetor të vitit 2022, por që nga ajo kohë nuk ka marrë kurrfarë përgjigje.

  • Komuna e Pastrimi ende pa ujdi, qytetarët kërcënohen me përmbarues privat nëse s’i paguajnë faturat

    Komuna e Pastrimi ende pa ujdi, qytetarët kërcënohen me përmbarues privat nëse s’i paguajnë faturat

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Tash e tre muaj, ujdi s’bënë.

    E qytetarët të zënë mes të mospajtimeve, faturën për mbeturina po ia paguajnë ose kompanisë rajonale “Pastrimi” ose Komunës së Prishtinës.

    Por ata të cilët nuk i kanë kryer pagesat në ndërmarrje për shërbimet që i morën kanë kohë edhe 10 ditë në të kundërtën Pastrimi do t’i përballë me përmbaruesin.

    Shtyrja e datës sipas kompanisë ‘Pastrimi’ u bë ngase deri më atë datë po presin edhe reagimin e Komunës së Prishitnës.

    “Kam drejtuar shqetësimet tek Kryetari i Komunës Përparim Rama për ta njoftuar me veprimet e kundërligjshme që janë duke ndodhur tani, në mënyrë që të veprojnë deri më datë 20.04.2025 dhe të njoftojnë qytetarët me atë çfarë realisht përcaktohet për pagesat që duhet të bëhen në KRM “Pastrimi”, e që në radhë të parë të qartësojnë qytetarët duke mos i lënë në mjegull me keqinformimet e fundit. Pas datës 20.04.2025 ne do të procedojmë të gjithë ata që nuk kanë paguar obligimet e tarifave për këtë periudhë kohore tek Përmbaruesi Privat”, tha Petrit Reqica, shef ekzekutiv i KRM ”Pastrimi”.

    Por, nga komuna i thanë ATV-së se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuesë për të parë se kush ka të drejtë në këtë çështje. Sidoqoftë, sipas Komunës qytetarët do të paguajnë veç një herë.

    “Jemi ne proces gjyqsor, po presim vendimin, nëse jemi në te drejten tonë presim që kompania me i kompenzu inkasimet qe ika bë. Ndërsa nëse ka të drejt kompania do ia rimbursojmë kompanise in-kasimim qe e kemi bërë ne”, tha drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci.

    Komuna e Prishtinës kishte marrë vendim më 5 shkurt që pagesat për mbeturina t’i bëhen komunës duke e akuzuar Pastrimin për mosefikasitet.

    Kompania akuzoi pastaj komunën që do të bëjë kontrata të kundërligjshme operatorëve privat me vlerë mbi 18.5 milionë që do të vlenin vetëm 3 vjet.

  • Hap dyert panairi ​Kosova 2025, turizmi vlerësohet urë e bashkëpunimit rajonal dhe global

    Hap dyert panairi ​Kosova 2025, turizmi vlerësohet urë e bashkëpunimit rajonal dhe global

    Përgatiti: Armand Hoti

    Kosova ishte adresë turistike për më shumë se 24 mijë vizitorë të huaj, gjatë shkurtit.

    Disa preferuan t’i vizitojnë malet e Kosovës, e të tjerë zonat urbane.
    Për ta stimuluar edhe më shumë turizmin në vend, të premten u mbajt edicioni i radhës i panairit ndërkombëtar të turnizmit “Kosova 2025”.

    “Si një shtyllë kyçe e zhvillimit ekonomik dhe rritjes së qëndrueshme, turizmi ka rolin themelor në lidhjen e njerëzve dhe kulturave në rajon dhe botë. Vetëm në këtë mandat kemi rritje prej 50% të numrit të turistëve krahasuar me vitet 2017–2020”, tha Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

    Panairin e shfrytëzuan edhe shtete që nuk e njohin Kosovën shtet, por edhe biznese që operojnë matanë oqeanit.

    “Filluam me 60 kompani para katër vjetësh, ndërsa sot kemi mbi 340 biznese nga 16 shtete. Sot kemi përfaqësues edhe nga Kanadaja, Austria dhe Norvegjia”, tha kryetari i Unionit të Turizmit, Baki Hoti.

    Hotelier nga Shqipëria, thonë se kosovarët vazhdojnë t’i kenë mysafirë kryesor.

    Kishte edhe të atillë që panairin dy ditor e përdorën për të promovuar diçka që karakterizon vetëm shqiptarët.

    Kosova e ka edhe një strategji përmes së cilës synohet zhvillimi i turizmit. Strategjia, që ka afat deri në vitin 2030, mes tjerash përcakton edhe zhvillimin e infrastrukturës turistike.

  • Gjilani shpalli presidentin e Shqipërisë Begaj, qytetar nderi

    Gjilani shpalli presidentin e Shqipërisë Begaj, qytetar nderi

    Përgatiti: Egzona Mema

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, u mirëprit të enjten, në Komunën e Gjilanit, nga zyrtarët e kësaj të fundit.

    Vizita e Begajt, pati një qëllim.

    “Jemi mbledhur për të nderuar Presidentin e Shqipërisë. Teksa Kuvendi Komunal ju shpall qytetar nderi, një titull që vjen shenjë mirënjohje dhe respekti, për mbështetje veçanërisht në ditët më të errëta”, tha kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni.

    Në mesin e duartrokitjeve, kryetari Alban Hyseni, i dha mysafirit të tij titullin ‘’Qytetar nderi’’. Presidenti Begaj, për dekoratën që iu dha u shpreh se e ka të vështirë të gjej fjalë për të shprehur mirënjohje.

    “Është e vështirë të gjej fjalët e duhura, teksa pranoj këtë titull. Gjilani ky qytet I sakrificës, më bën sot pjesë të tij, vlerësim që e bëj me shumë përulësi”, tha Begaj.

    Ndërkaq, kjo ceremoni u mbajt për të nderuar siç u tha, kontributin e Presidentit Bajram Begaj, gjatë vitit 1998-99, kohës së luftës në Kosovë.

  • Ndalohet kthimi gjysmërrethor nga Dardania deri te Menza

    Ndalohet kthimi gjysmërrethor nga Dardania deri te Menza

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Nga e mërkura, në një prej rrugëve kryesore të kryeqytetit, u bë një ndryshim në komunikacion.

    Ngasësit e automjeteve ankohen për këtë vendim të komunës, duke thënë se po u shkakton telashe.

    “Na kanë sakatue se po duhet me shku te parkingu atje me u kthye”, tha Gani Mulolli, taksist.

    “Kjo nuk është normale e pengon secilin prej neve. Ndalesa për mos me u kthy në Larkishte te katedralja nuk ka sens nuk e di cili është ai ekspert i komunikacionit që e merr një vendim të tillë”, tha Gazmend Gashi, taksist.

    Nga komuna thonë se shenja u vendosën për ta liruar trafikun e dendur.

    Por njohësi i komunikacionit, Visar Baxhaku, këtë vendim e quan të nxituar.

    “për shkak që nuk ka alternativa. Të gjitha rrugët e tjera bartin ngarkesa të pa nevojshme në mungesë të mundësisë për kthim”, tha Baxhaku.

    Edhe banorët e qendrës e kanë kundërshtuar ndalimin kthimit gjysmërrethor, por thonë se kanë marrë një premtim nga komuna.

    Në këtë rrugë janë bërë edhe më herët prova, por që ende nuk është bërë zgjidhje e përhershme për kolonat e gjata.

  • Kosova qe tre ditë po përballet me sulme kibernetike prej Rusisë e Serbisë

    Kosova qe tre ditë po përballet me sulme kibernetike prej Rusisë e Serbisë

    Përgatiti: Armand Hoti

    500 klikime në minutë i erdhën në ueb-faqe, Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë. Megjithatë, organizata thotë se ky nuk ishte interesim për t’i lexuar materialet online, por sulm kibernetik i hakerëve rusë dhe serbë.

    “Ky aktivitet keqdashës duket se e ka origjinën nga grupe hakerash të lidhura me rrjetet ruse dhe serbe. Si masë paraprake, ne e kemi nxjerrë përkohësisht faqen jashtë linje për të siguruar zbatimin e masave efektive të sigurisë dhe për të parandaluar ndërprerje të mëtejshme”, thuhet në përgjigjen e QKSS-së.

    Njohësi i sigurisë kibernetike, Halil Berisha, thotë se ka informacione që një grup i hakerëve rusë e kanë në shënjestër infrastrukturën online të disa institucioneve dhe organizatave në Kosovë. Sipas tij, arsye është përkrahja e Kosovës ndaj Ukrainës.

    “Këto sulme janë kryer nga grupe të ndryshme të hakerëve rus, që dyshohet se edhe e kanë mbështetjen direkte shtetit rus. Target kanë qenë faqja e kryeminitrit, faqja e Kuvendit, e disa ministrive, po ashtu edhe e aeroportit”, tha Berisha.

    Qeveria nuk e konfirmoi të enjten nëse kanë hasur në këso sulmesh.

    Megjithatë, Berisha konsideron se shteti ka kapacitet për t’i ruajtur faqet nga sulme të tilla.

    “Duke pasur parasysh llojin e sulmit dhe reagimin e shpejtë që është bërë, mundësia e rrjedhjes së informatave është shumë e vogël”, tha Berisha.

    Kosova e ka aktive Strategjinë Kombëtare për Siguri Kibernetike 2023-2027.

  • Rohde takon edhe Abdixhikun, kryetari i LDK: Folëm për qëndrimet tona lidhur me zhvillimet politike në vend

    Rohde takon edhe Abdixhikun, kryetari i LDK: Folëm për qëndrimet tona lidhur me zhvillimet politike në vend

    I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot për takim ambasadorin gjerman Jorn Rohde.

    Në postimin tij, kryetari i LDK ka bërë të ditur se ai me Rohde’n kanë biseduar për situatën politike në vend dhe qëndrimet e kësaj partie lidhur me këto çështje.

    Po ashtu, Abdixhiku ka theksuar nevojën urgjente për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian.

    ”Bëra dhe thirrje për rishqyrtim të këtij vendimi, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mos mbajnë barrën e zhvillimeve politike”, ka shkruar ai mes tjerash.

    Postimi:

    Kam pritur sot në Selinë Qendrore ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, z. Jorn Rohde.

    Gjatë takimit, diskutuam për zhvillimet e fundit politike në vend si dhe për qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me këto çështje. Shpreha mirënjohjen time dhe të LDK-së për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë dhe vazhdon t’i jap Kosovës në rrugëtimin e saj euroatlantik, në forcimin e institucioneve demokratike dhe në zhvillimin ekonomik.

    Ndërsa me theks të veçantë, fola për nevojën urgjente për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se këto masa po ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në mirëqenien e qytetarëve tanë. Bëra dhe thirrje për rishqyrtim të këtij vendimi, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mos mbajnë barrën e zhvillimeve politike.

    Përmes ambasadorit Rohde, shfrytëzova rastin ta uroj koalicionin e ri qeverisēs nē Gjermani, duke besuar në vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë dhe të frytshëm ndërmjet vendeve tona, por në veçanti besoj shumë në bashkëpunimin e shkëlqyeshëm mes CDU-së dhe LDK-së, si dhe shpreha angazhimin tonë të përbashkët për forcimin dhe avancimin e këtij bashkëpunimi politik e institucional mes partive tona.

  • Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj shpallet “Qytetar Nderi” i Gjilanit: Është një vlerësim që unë e pranoj më përulësi

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj shpallet “Qytetar Nderi” i Gjilanit: Është një vlerësim që unë e pranoj më përulësi

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj është shpallur qytetar nderi i Komunës së Gjilanit.

    Begaj pasi u shpall “Qytetar Nderi” tha se është e vështirë për të shprehur mirënjohje.

    “Gjilani si qytet i sakrificës dhe i qëndresës më bënë sot pjesë të tij dhe ky është një vlerësim që unë e pranoj më përulësi. Ky titull i përket të gjithë shqiptarëve që në momentet më të vështira qëndruan pranë dhe krah jush si pjesë e pandashme… Kosova nuk është e lirë rastësisht, ajo është një fitore e madhe. Madje nuk hoqi dorë nga ëndrra për pavarësi”, tha ai.

    Tutje begaj theksoi se e din mirë peshën dhe sakrificën e lirisë.

    “Gjilani ka heronjtë e vet, Idriz Seferi, Ramiz Cërnica , Kadri Zeka, Rexhep Malaj,Nuhi Berisha, Agim Berisha, Rrahim Beqiri, Xhevat Qerimi. Sot ky qytet është i mbushur me jetë, me shpresë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe që e dinë shumë mirë sa sakrifica u desh për liri dhe kjo liri nuk është çuar dëm. Liria duhet të mbrohet dhe të ndërtohet çdo ditë”, tha ai duke shtuar se “Shqipëria ka qenë pranë Kosovës dhe kështu do të jetë gjithmonë”.

    “Ne do të qëndrojmë kurdo herë edhe në kohë paqe. Ne jemi një komb që ndonëse nuk e harron të kaluarën , sheh drejtë së ardhmes. Shqipëria dhe Kosova duhet ta shohin të ardhmen të përbashkët drejt Integrimit Evropian. Qyteti i Gjilanit ka ruajtur frymën e atdhe dashurisë, në rrugët e tij ndjehet shpresa për të ardhmen”, ka thënë presidenti i Shqipërisë, Begaj./Telegrafi/