ATV

Author: ATVLive

  • Osmani në Turqi takohet me kryediplomatin kenian, paralajmëron vizitë në Kenia

    Osmani në Turqi takohet me kryediplomatin kenian, paralajmëron vizitë në Kenia

    Presidentja Vjosa Osmani është takuar me ministrin e Jashtëm të Kenisë, Musalia Mudavadi, në Turqi ku shkoi për të marrë pjesë në një forum.

    Osmani tha se e ka falënderuar atë për vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa tha se me të ka folur për fushat e bashkëpunimit mes dy vendeve.

    Ajo tha se këto do t’i konkretizojnë gjatë një vizitë që e paralajmëroi në Kenia.

    “Pas vendimit historik për njohjen e Kosovës nga Kenia, në Turqi u takova me Ministrin e Jashtëm të Kenias, njëherësh Kryesekretarin e Kabinetit Presidencial, z. Musalia Mudavadi, të cilin e falënderova edhe një herë për këtë hap të rëndësishëm, i cili kontribuon për paqen e stabilitetin afatgjatë në rajonin tonë. Diskutuam për fushat e bashkëpunimit me interes të përbashkët, të cilat do t’i konkretizojmë gjatë vizitës zyrtare në Kenia dhe përgjatë rrugës sonë të përbashkët si aleatë dhe partnerë”, ka shkruar ajo.

    Kenia njohu pavarësinë e Kosovës muajin e kaluar, duke u bërë kështu shteti i 118-të që e njeh Kosovën.

  • Lufta tregtare SHBA-Kinë, Shtëpia e Bardhë: Presidenti beson se do arrihet një marrëveshje me palën kineze

    Lufta tregtare SHBA-Kinë, Shtëpia e Bardhë: Presidenti beson se do arrihet një marrëveshje me palën kineze

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është optimist se do të arrijë një marrëveshje tregtare me Kinën, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt, mes një lufte tregtare që tensionohet midis dy gjigantëve ekonomikë.

    “Presidenti e ka bërë të qartë se është i hapur për një marrëveshje me Kinën. Nëse Kina vazhdon të hakmerret, kjo nuk do jetë e mirë për ta”, tha zëdhënësja.

    Megjithatë, ajo nuk dha hollësira se pse Trump ishte “optimist” kur një gazetar e pyeti për këtë. Tarifat e vendosura për mallrat e importuara kineze mbeten në 145%, shtoi ajo.

    Duke iu referuar vendeve të tjera, Leavitt tha se tashmë ka më shumë se 15 propozime në tryezë dhe Trump shpreson të ketë marrëveshje të arritura para se të skadojë pezullimi 90-ditor i tarifave. Kur të përfundojë kjo periudhë, “presidenti do të marrë vendimet e tij”, tha ajo.

  • Diaspora e Kosovës – potenciali i pashfrytëzuar për diplomaci

    Diaspora e Kosovës – potenciali i pashfrytëzuar për diplomaci

    Diaspora e Kosovës është një aset i fuqishëm, por i pashfrytëzuar në forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit, thonë njohësit e kësaj fushe. Dikur forcë lëvizëse e përpjekjeve për pavarësi, sot potenciali i saj mbetet i fragmentuar, sipas tyre.

    Me një “potencial të jashtëzakonshëm”, diaspora e Kosovës mund të bëhet faktor në forcimin e pozicionit ndërkombëtar të vendit, por i mungon kauza e unifikuar dhe koordinimi i mirëfilltë, thonë vëzhguesit e veprimtarisë së saj.

    Lirim Krasniqi, analist i politikave në organizatën Germin, thotë se “politikat dhe strategjitë duhet të vijnë nga Kosova” dhe të tillat, sipas tij, mungojnë.

    Më konstatimin e tij pajtohet edhe ish-zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Valon Murtezaj, aktualisht ligjërues i Diplomacisë në Shkollën e Menaxhmentit IESEG në Paris.

    Sipas tij, Kosova nuk e shfrytëzon siç duhet potencialin e diasporës së saj për të hapur shtigje të reja për diplomaci, në të mirë të vendit.

    “Kjo nuk do të thotë se nuk ka veprimtari. Por, veprimtaria e diasporës, e individëve të shquar, e grupeve të ndryshme – qofshin biznesmenë, akademikë, njerëz të kulturës dhe artit – mbetet e fragmentuar dhe e izoluar”, vlerëson Murtezaj për Radion Evropa e Lirë.

    Në regjistrimin e fundit të popullsisë në Kosovë, në vitin 2024, për herë të parë u përfshinë edhe kosovarët që jetojnë në diasporë.

    Prej tyre, u regjistruan rreth 550 mijë, sipas të dhënave që publikoi Agjencia e Statistikave të Kosovës.

    Por, besohet se numri i personave me prejardhje nga Kosova, që jetojnë në diasporë, është shumë më i lartë, vetëm se ata nuk e kanë shtetësinë kosovare.

    Cili ishte dhe është roli i diasporës në diplomaci?

    Viteve të fundit, diaspora ka luajtur rol në ndarjen e ulëseve në Kuvendin e Kosovës, përmes votës.

    Për zgjedhjet e fundit parlamentare, që u mbajtën më 9 shkurt, u regjistruan afro 105 mijë votues nga diaspora, prej të cilëve votuan rreth 80.000 – disa në përfaqësi diplomatike, të tjerët me postë.

    Partitë kryesore politike, para dhe gjatë fushatës zgjedhore, organizuan disa tubime me kosovarët në diasporë – sidomos në Evropë – duke kërkuar mbështetje për vota.

    Profesori Murtezaj thotë se, marrë parasysh potencialin e madh të diasporës, qasja e partive dhe institucioneve të Kosovës ndaj saj është paradoksale, sepse ajo shihet vetëm si burim votash.

    “[Votimi] është minimumi që mund ta bëjë individi. Angazhimi dhe bashkëpunimi do të duhej të ishin shumë përtej kësaj, sepse zgjedhjet janë një ditë në katër vjet, ndërsa kontributi potencial i diasporës është 365 ditë apo tërë jetën”, thotë Murtezaj.

    Ai vlerëson se shembulli më i mirë i fuqisë së veprimit të diasporës është periudha e viteve ’90.

    Asokohe, Kosova gjendej nën regjimin serb të Sllobodan Millosheviqit, aparati shtetëror i të cilit ushtroi dhunë dhe la pa punë shumicën e madhe të kosovarëve.

    Gjatë asaj kohe, remitencat nga diaspora ishin ndër burimet kryesore të mbijetesës për shqiptarët e Kosovës, të cilët organizuan institucionet e tyre paralele.

    Edhe këto lëvizje politike në atë periudhë financoheshin kryesisht nga diaspora, e cila lobonte për çështjen e Kosovës gjetkë në botë.

    Avni Spahiu, ish-ambasador i Kosovës në Shtetet e Bashkuara dhe në Turqi, e përshkruan si të pazëvendësueshëm rolin e diasporës shqiptare në SHBA për çështjen e Kosovës, gjatë viteve 90.

    Ai thekson se diaspora mund ta luajë këtë rol edhe sot, në kohën kur “lobimi në Uashington është në pikën më të ulët”.

    Përmes diasporës, ai thotë se Kosova mund të iniciojë riformatimin e “grupit shqiptar të miqësisë”, që aktualisht mungon në Kongresin amerikan, por që dikur përbëhej nga kongresistë si: Eliot Engel, Tom Lantos, Bob Dole e të tjerë.

    “Tash, sa mund të bëjë diaspora? Ata janë edhe amerikanë dhe kanë të drejtë të kërkojnë të kontaktojnë me Kongresin, ta bëjnë ‘grupin e miqësisë’. Tash kemi nevojë”, thotë Spahiu për Radion Evropa e Lirë.

    Ai shton se diaspora e Kosovës ka individë me ndikim që mund të ndihmojnë në krijimin e “grupeve të miqësisë” edhe në parlamentet e vendeve të tjera perëndimore.

    Gjatë viteve ‘80 dhe ‘90, në vendet perëndimore ekzistonin shumë shoqata, klube dhe organizata të tjera të diasporës së Kosovës, që operonin kryesisht mbi bazën e angazhimit vullnetar.

    Krasniqi, nga organizata Germin, thotë se ato ishin pikëtakime jo vetëm për ruajtjen e kontakteve ndërmjet shqiptarëve të Kosovës, por edhe për organizimin e ndihmave financiare për vendin, si dhe për krijimin e lidhjeve me kanalet politike dhe diplomatike të vendeve ku jetonin.

    Sipas tij, shoqata e organizata të tilla ekzistojnë edhe sot, por nuk mund të pritet që të veprojnë siç vepruan në vitet ‘90.

    Kauza që i bashkonte në atë kohë, ishte lufta për demokraci dhe pavarësi të Kosovës nga ish-Jugosllavia, veçanërisht nga Serbia, sipas Krasniqit.

    “Atëherë, kauza ishte e përbashkët dhe të gjithë vepronin me forca vetanake, duke e ditur mungesën e një shteti që do t’i orientonte dhe organizonte. Sot, nuk mund të pritet një organizim i tillë, sepse sot e kemi një shtet, i kemi institucionet”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas tij, janë institucionet e Kosovës ato që duhet ta orientojnë sot diasporën, për ta shndërruar potencialin e saj në fuqi diplomatike.

    Si të vihet diaspora në funksion të diplomacisë?

    Para gati dy javësh, Radio Evropa e Lirë i drejtoi Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës pyetje në lidhje me koordinimin e mundshëm midis institucioneve të Kosovës dhe diasporës, si dhe për kontributin e saj të mundshëm në forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, por, nuk mori përgjigje.

    Murtezaj, i cili shërbeu si zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Kosovës nga marsi i vitit 2016 deri në qershor të vitit 2017, thotë se një nga sfidat që e ka përcjellë dhe vazhdon ta përcjellë këtë ministri, është mungesa e strategjive të veçanta për çdo vend, marrë parasysh kontekstet e ndryshme në shtetet perëndimore dhe të tjera, ku jetojnë kosovarët ose individë me origjinë nga Kosova.

    “Nuk vlejnë sjelljet dhe objektivat e njëjta për secilin vend. Qeveria e Kosovës duhet të ketë strategji unike, individuale për secilin kontekst shtetëror apo regjional nëpër botë”, thotë Murtezaj, duke shprehur bindjen se institucioneve të Kosovës u mungon edhe të kuptuarit e rolit të diplomacisë publike.

    “Diplomacia publike shkon përtej komunikimeve zyrtare ‘qeveri me qeveri’ apo ‘ambasadë me ambasadë’. Diplomacia publike prek të gjitha shtresat dhe sferat e jetës në një vend përkatës”, thotë Murtezaj.

    Sipas tij, ajo duhet të ketë qëllim edhe krijimin e një terreni për realizimin e ambicieve diplomatike mes autoriteteve të dy shteteve, përmes rritjes së vetëdijes, ndërgjegjësimit dhe më pas edhe njohjes ndërkombëtare të një shteti.

    Në këtë lloj diplomacie, thotë Murtezaj, duhet të përfshihen individë nga Kosova që paraqesin histori suksesi dhe që ndihmojnë në relaksimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore, kulturore, akademike, institucionale, sportive dhe të tjera.

    E, Kosova ka mjaft individë dhe grupe të tilla në diasporë, sipas Murtezajt.

    “Për t’i nxjerrë përfitimet nga kjo minierë potenciale e kontributit për Kosovën, duhet një strategji ombrellë, e cila pastaj ka mundësi t’i orientojë këto kontribute në synime të caktuara”, thekson ai.

    Kosova, aktualisht, nuk ka të angazhuar asnjë kompani lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Ish-ambasadori Spahiu thotë se institucionet e Kosovës po sillen me “komoditet të tepërt” në lidhje me këtë çështje.

    Sipas tij, forcimi i imazhit të Kosovës është i domosdoshëm, në kohën kur raportet Kosovë-SHBA janë lëkundur, si pasojë e disa veprimeve të Qeverisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit, të cilat SHBA-ja i ka konsideruar si të pakoordinuara dhe me ndikim jo të mirë te komuniteti serb lokal.

    “Mendoj se mund të bëhet më shumë. Të kërkojmë forma të reja organizimi dhe që diaspora të mos jetë e shpërqendruar. Iniciativat duhet të nisin nga diplomacia jonë”, thekson Spahiu.

    Për Krasniqin, nga organizata Germin, angazhimi i diasporës në çështjet diplomatike është paksa edhe delikat, sidomos kur bëhet fjalë për kontraktimin e kompanive lobuese ose individëve për këtë çështje.

    Ai sqaron se shumë individë nga diaspora janë shtetas të vendeve ku jetojnë dhe thotë se kjo do të krijonte një situatë të ndjeshme nëse ata do të angazhoheshin për një shtet tjetër – në këtë rast Kosovën.

    Një ide, Krasniqi thotë se mund të jetë krijimi i një departamenti të institucionalizuar, që do të merrej vazhdimisht me çështjet e diasporës dhe angazhimin e saj diplomatik.

    Radio Evropa e Lirë bëri përpjekje t’i kontaktojë disa shoqata të kosovarëve në diasporë, si në Evropë, ashtu edhe në SHBA, për të marrë komentet e tyre për qasjen e institucioneve të Kosovës ndaj angazhimit të diasporës në çështje diplomatike. Por, deri në publikimin e këtij artikulli, ato nuk u përgjigjën.

    Qytetarët e Kosovës, prej kohësh, pranojnë mbi 1 miliard euro remitenca në vit.

    Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë, po ashtu, se diaspora zë vendin e parë sa u përket investimeve të huaja në Kosovë, të cilat bëhen kryesisht në patundshmëri. /Radio Evropa e Lirë

  • Gjini: Rritja e tatimit në pronë do të ngarkojë jashtëzakonisht shumë qytetarët dhe bizneset

    Gjini: Rritja e tatimit në pronë do të ngarkojë jashtëzakonisht shumë qytetarët dhe bizneset

    Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, reagon ashpër ndaj vendimit të Qeverisë për rritjen e tatimit në pronë, duke theksuar se këto politika po i rëndojnë padrejtësisht qytetarët dhe bizneset në Kosovë, raporton EO.

    Sipas Gjinit, komunat nuk janë konsultuar për ndryshimet në normat e tatimit në pronë, të cilat po rezultojnë me barrë të papërballueshme, sidomos për bizneset që tashmë operojnë me kosto të larta.

    “Rivlerësimi i pronave është procedurë, e cila duhet që të ndodhë, por normat janë problematike. Do të kemi biznese, të cilat do të paguajnë më shumë tatim në pronë sesa shpenzime, të cilat i kanë operative, punëtorë që i mbajnë, që i paguajnë me paga. Është shumë”, tha Gjini.

    Ai tha se komunat nuk kanë kërkuar një rritje të tillë të tatimit në pronë, madje kanë qenë kundër saj.

    “Nuk besoj që ka komunë në Kosovë, e cila ka kërkuar rritjen e normave të tatimit në pronë. Nuk e kemi kërkuar një gjë të tillë. Në fakt edhe kemi reaguar, duke thënë që nuk bën, për shkak se do të kemi ngarkesa të mëdha për qytetarët, nuk kemi mbërritur në atë fazë. Sidoqoftë, këto janë vendime, të cilat i ka marrë qeveria pa pajtimin e komunave. Do të ngarkohen qytetarët jashtëzakonisht shumë, do të ngarkohen bizneset. Ka qenë pak cinike që implementimi i tatimit është shtyrë deri pas zgjedhjeve, që do të thotë e kanë pasur të qartë që nuk është diçka që e do populli i Kosovës, prapëseprapë e kanë bërë, e kanë shtyrë që ta kamuflojnë deri pas zgjedhjeve. Ne i kemi treguar qytetarëve të Kosovës edhe bizneseve që do të kenë ngarkesa të larta tatimore, për të cilat komunat kanë qenë kundër”, tha ai.

    Gjini komentoi edhe rritjen e çmimit të energjisë, duke e cilësuar atë të pajustifikueshme dhe shumë më të madhe sesa deklarohet publikisht. Tha se të mos harrohet që nuk është vetëm 16 për qind, që është në rritjen e më përparshme, shumë prej kur ka nisur.

    “Është rritje mbi 150 për qind tash. Kosova duhet që të japë një përgjigje që kjo rritje e çmimit a korrespondon me çmimin e energjisë në tregjet ndërkombëtare. Po na thonë po, në rregull atëherë energjia që KEK ja shet distribucionit a korrespondon edhe ajo apo 35 euro të KEK që e shet energjinë nuk kalkulohet si vlerë e çmimit. Kemi probleme të mëdha edhe me shpjegu por edhe qytetarët do të kenë probleme edhe më të mëdha”, ka përfunduar Gjini.

  • Moti sot dhe nesër

    Moti sot dhe nesër

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe vende-vende me riga shiu.

    Sipas njoftimit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 13-15 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi e lehtë deri mesatare, shkruan KosovaPress.
    “Të dielën do të mbajë mot kryesisht me diell. Vranësira parashihen rreth relievit malor. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -1 deri 2 gradë Celsis, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 15-20gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-3m/s”, thuhet në njoftim.

  • Fluturimi i parë i njeriut në hapësirë

    Fluturimi i parë i njeriut në hapësirë

    Më 12 prill 1961, kozmonauti Yuri Gagarin bëri historinë duke u ngjitur në kapsulën e “Vostok 1” që e çoi drejt hapësirës, ku kreu orbitën rreth planetit e më pas u kthye sërish në Tokë.

    Yuri Gagarin ishte vetëm 27-vjeç kur u bë njeriu i parë që fluturoi në orbitën e Tokës.

    Raketa që transportonte Gagarin në anijen kozmike ‘Vostok 1’ ishte në të vërtetë një raketë e riparuar, e quajtur R-7 “Semyorka”, raporton KP.

    Pavarësisht se shpëtoi nga vdekja duke mos qenë në misionin Soyuz 1, që përfundoi tragjikisht, Gagarin humbi jetë më vonë tragjikisht në një përplasje tjetër.

    Në vitin 1968 ai ishte duke pilotuar një avion luftarak MiG-15 në një fluturim rutinor stërvitjeje kur me bashkëpilotin e tij, humbën kontrollin në mënyrë misterioze dhe avioni u shkatërrua.

    Tragjedia ishte e mbuluar nga Bashkimi Sovjetik për shumë vite. Kohët e fundit një nga kolegët e Gagarin, Aleksii Leonov zbuloi të vërtetën.
    Asambleja e Përgjithshme e OKB-së me anë të rezolutës së 7 prillit 2011, e shpalli 12 prillin si Dita Botërore e Fluturimit të Njeriut në Hapësirë.

  • KDI: Kushtetuta e Kosovës për katër vjet është atakuar në mënyrë brutale nga ana e ekzekutivit

    KDI: Kushtetuta e Kosovës për katër vjet është atakuar në mënyrë brutale nga ana e ekzekutivit

    Në përvjetorin e 17-të të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerësimet për respektimin e saj gjatë mandatit të Qeverisë së Albim Kurtit janë mjaft kritike, raporton Ekonomia Online.

    Hulumtuesi i lartë në KDI, Vullnet Bugaqku, vuri në dukje një sërë shkeljesh dhe qasjesh të papërgjegjshme institucionale që, sipas tij, kanë cenuar thellësisht parimet kushtetuese dhe pavarësinë e institucioneve të drejtësisë në vend.

    Ai thotë se ndërhyrjet e ekzekutivit kanë qenë të vazhdueshme dhe të rënda, duke atakuar Kushtetutën në mënyrë brutale gjatë katër viteve të fundit.

    Ai theksoi se kjo qasje përbën një rrezik serioz për shtetin e së drejtës dhe për imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

    “Në terma të përgjithshëm mund të vlerësojmë që në këtë mandat qeverisës që ka pasur më së shumti kontestime dhe më së shumti vlerësime dhe atakime të kësaj qeverie, por edhe të kësaj legjislature ndaj Kushtetutës së Kosovës dhe kjo ka ardhur kryesisht në dy segmente. Segmenti i parë është në procesin e draftimit, përgatitjes dhe miratimit të ligjeve dhe vendimeve të caktuara dhe shkelja e radhës që është bërë, është bërë në një segment të deklarimeve dhe ndërhyrjeve të vazhdueshme si në parlament ashtu edhe nëpër media dhe në konferenca e të mos flasim nëpër fushata zgjedhore. Krejt qasja e qeverisë dhe ekzekutivit në këtë rast ka qenë një qasje agresive, sidomos ndaj sistemit gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës. Normalisht se ku ka këso qasje është e kuptueshme që do të ketë dhe bien ndesh të gjitha veprimet potencialisht të kësaj legjislature dhe të këtij mandati qeverisës karshi kësaj Kushtetute. Në parim, Kosova ka një Kushtetutë moderne në garantimin që ofron për të drejtat e njeriut. Për të drejtat e pakicave, për standardet që ofron lidhur me parimin e ndarjes dhe kontrollit dhe balancimit të pushteteve me respektimin e kompetencave. Megjithatë ata që marrin pozita të larta shtetërore, kryesisht këta që janë në nivel qeverisës nuk është që po brengosen fort për dispozitat e Kushtetutës”, tha ai.

    Sipas Bugaqkut, Gjykata Kushtetuese ka anuluar disa nga ligjet më të rëndësishme të miratuara gjatë këtij mandati, duke përfshirë Ligjin për KPK-në, Ligjin për zyrtarët publikë dhe Ligjin për Byronë Shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme në konteste civile.

    Po ashtu, janë kontestuar edhe vendime për shkarkimin e anëtarëve të bordeve të institucioneve të pavarura.

    “Një kategori e ligjeve të propozuara, të miratuara në qeveri e Kuvend janë të kontestuara në Gjykatë, janë anuluar nga ana e Gjykatës. Madje edhe jo çfarëdo ligje, po ligje vitale që përfshijnë Ligjin e KPK-së, Ligjin për zyrtarët publikë, Ligjin e Byrosë Shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme në konteste civile. Pastaj ka pasur disa vendime të shkarkimit të anëtarëve të Bordit të RTK-së e disa mekanizmave të tjerë të pavarur, siç është Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës dhe kështu Kushtetuta e Kosovës këto katër vjet është atakuar në mënyrë brutale nga ana e ekzekutivit në Kosovë”, tha ai për EO.

    Bugaqku paralajmëroi se kjo qasje agresive ndaj Kushtetutës rrezikon, jo vetëm funksionimin e brendshëm demokratik të vendit, por edhe pozicionin e tij ndërkombëtar.

    “E afekton goxha shumë parimin e shtetit të së drejtës sepse ne jemi një Republikë e re të themi ashtu edhe pse i kemi gati 17 vjet shtet, ose i kemi përmbushur 17 vjet shtet, megjithatë kur ka këso qasje agresive ndaj respektimit të Kushtetutës, normalisht që kjo reflekton në raporte ndërkombëtare, sidomos në raportet e misioneve të huaja që i kemi këtu, por edhe reflekton edhe në aspektin e integrimit të Kosovës në procesin ndërkombëtar, për shkak se të gjitha këto janë segmente që merren parasysh me rastin e vlerësimit të kapaciteteve të shtetit të Kosovës në respektimin e sundimit të ligjit, respektimin e shtetit të së drejtës, në respektimin e Kushtetutës dhe të kompetencave të organeve të pavarura kushtetuese”, tha ai.

    Me gjithw sulmet e vazhdueshme nga ana e ekzekutivit, Bugaqku thekson se Gjykata Kushtetuese i ka qëndruar mandatit të saj.

    “Gjykata Kushtetuese të gjitha vendimet që i ka ndërmarrë, i ka ndërmarrë brenda suazave dhe kompetencave që i ka së pari në Kushtetutë, pastaj në ligj të Gjykatës dhe në rregulloret e punës së gjykatës. Të gjitha procedurat kanë shkuar sipas procedurave standarde të kontestimit të projektligjeve të miratuar në parlament. Gjyqtarët e Gjykatës e kanë luajtur mandatin e vet dhe kompetencat e tyre i kanë ushtruar në përputhje me Kushtetutën. Sa i përket kualitetit të vendimeve që i ka lëshuar nga Gjykata pothuajse të gjitha kanë qenë të bazuara në Kushtetutë dhe madje të arsyetuara nëpërmjet praktikave dhe standardeve evropiane, qoftë të opinionit të Komisionit të Venecias, por edhe të rekomandimeve ose praktikave më të mira të Gjykatave Kushtetuese në rajon dhe në Evropë. Prandaj, deklarimet dhe sulmi që i është bërë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, normalisht që ka cenuar rëndë pavarësinë e tyre, për faktin që është një lloj presioni i drejtpërdrejtë edhe nëpërmjet mediave, edhe nëpërmjet konferencave, madje edhe në mbledhjet e qeverisë, në parlament ndaj punës së gjyqtarëve. Kjo e afekton pavarësinë gjyqësore të kësaj Gjykate, ky është një shembull i keq”, tha ai.

  • Sot përurohet pikëkalimi i përbashkët Kosovë-RMV në Bllacë, një polic i vetëm më do të kontrollojë qytetarët

    Sot përurohet pikëkalimi i përbashkët Kosovë-RMV në Bllacë, një polic i vetëm më do të kontrollojë qytetarët

    Qeveria në detyrë e Kosovës dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot do të përurojnë pikëkalimin e përbashkët kufitar “Hani i Elezit – Bllacë”.

    Ceremonia do të mbahet nga ora 11:00 brenda territorit të Maqedonisë së Veriut.

    Gjatë kësaj ceremonie mund të ketë ngadalësim të qarkullimit në këtë pikë kufitare, bëri me dije dje Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

    “Me këtë rast, njoftohen të gjithë qytetarët që planifikojnë të shfrytëzojnë këtë pikë kufitare, se nga ora 10:00 deri në ora 12:00, do të ketë ngadalësim të qarkullimit”, u tha në njoftim.

    Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, në shkurt kishte njoftuar se në prill të këtij viti do të fillojë funksionimi i sistemit të kontrollit të përbashkët kufitar, i njohur si “One Stop Shop”, në pikën e Bllacës, që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën.

    Sipas Toshkovskit, ky sistem do të thjeshtojë procedurat kufitare, duke lejuar që qytetarët e të dyja vendeve të kontrollohen nga një polic i vetëm doganor, duke reduktuar “kohën e pritjes dhe duke lehtësuar kalimin e kufirit mes dy shteteve”.

    “Në kuadër të një platforme të përbashkët ‘cloud’, të dhënat ndahen mes dy ministrive përkatëse, me qëllim që të mundësohet hyrja e qytetarëve të Kosovës në Maqedoninë e Veriut dhe anasjelltas, vetëm përmes konstatimit nga një zyrtar policor”, kishte thënë Toshkovski, siç raportonte REL.

    Ai kishte dhënë prillin si muajin e fundit kur do të vihej zyrtarisht në funksion kjo.

    Këto deklarata ministri i kishte bërë gjatë një vizite në pikën kufitare të Bllacës, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Izet Mexhiti dhe homologun e tij nga Kosova, ministrin tashmë në detyrë Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    Sveçla kishte thënë se kjo do t’ia reduktojë kohën qytetarëve që kalojnë kufirin.

    “Për qytetarët e të dyja vendeve është shumë me rëndësi që kalimi të jetë sa më i shpejtë. Për organet e shtetit është që ato të jenë sa më të sigurta. Patjetër se ne po i shfrytëzojmë të arriturat e fundit të teknologjisë që të zvogëlojmë burokracinë, por jo në kurriz të sigurisë, por në të mirë të kohës së qytetarëve”.

    Pika kufitare në Bllacë është përballur kohët e fundit me kolona të gjata në të dy anët e kufirit. Procesi për krijimin e pikave të përbashkëta kufitare ka filluar në qershor të vitit 2024.

  • Cana: Administrata Trump mund të ndikojë në zgjedhjen e presidentit të Kosovës

    Cana: Administrata Trump mund të ndikojë në zgjedhjen e presidentit të Kosovës

    Ish-ambasadori Edon Cana, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ndikimi ndërkombëtar, sidomos ai nga administrata e Donald Trump, mund të jetë faktor përcaktues në vendimmarrjet për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

    Sipas tij, kërkesa për postin e presidentit po përdoret si justifikim nga partitë që hezitojnë të hyjnë në koalicion, ndërsa faktorët ndërkombëtarë mund të përcaktojnë drejtimin që do të marrë kjo çështje.

    “Nëse ka pas ndonjë faktor ndërkombëtar ndonjëherë më të rrezikshëm dhe më të vendosur sesa Presidenti Trump, që nga themelimi i shtetit të Kosovës, mendoj që është një faktor determinues në të ardhmen e vendimeve, të cilat do të merren për punën e Presidentit”, tha Cana.

    Ai paralajmëroi se vonesat në krijimin e institucioneve janë të rrezikshme, veçanërisht në kohën kur Evropa po përballet me pasiguri të madhe gjeopolitike dhe të sigurisë.

    “A ka Kosova luks të jetë pa qeveri? Kujt i shërben kjo, në kohën më kritike në historinë politike që nga Lufta e Dytë Botërore? Sot Evropa është në një panik të sigurisë, në fakt mund të them në një panik të merituar, sepse për pesëdhjetë vite ka bërë shaka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Cana.

    Deklaratën e plotë të Edon Canës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Krasniqi: Kushtet e LDK-së janë të paarsyeshme, po sillet si me qenë partia e parë

    Krasniqi: Kushtet e LDK-së janë të paarsyeshme, po sillet si me qenë partia e parë

    Politikologu Lirim Krasniqi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se LDK po vendos kushte të paarsyeshme për koalicion, duke vepruar sikur të ishte partia fituese, ndonëse ka dalë e treta në zgjedhje.

    Ai tha se brenda sistemit politik dhe kushtetues të Kosovës, partitë janë të detyruara të bashkëpunojnë, përveç në raste kur ndonjëra arrin shumicën absolute.

    “Sistemi politik edhe kushtetues i Kosovës në njërën mënyrë i obligon partitë politike me bashkëpunu, me përjashtim kur e kalojnë pesëdhjetë për qind, qysh ka ndodhë para katër viteve.
    Pavarësisht sa kokëfortë kanë qenë, partitë e kuptojnë që mënyra e vetme e qëndrimit në pushtet është ndërveprimi me partitë tjera”, tha Krasniqi.

    Sipas tij, kokëfortësia e LDK-së në këtë fazë është e pakuptimtë, pasi ajo duhet të pranojë realitetin zgjedhor dhe rolin që i takon si partia e tretë.

    “Më çudit kjo kokëfortësi, sidomos e LDK-së, edhe me e diskutu mundësinë e koalicionit. Është një parti që ka dalë e treta në zgjedhje, që i ka humb zgjedhjet, dhe vendos kushte të patejkalueshme, sikurse me qenë partia e parë ndoshta”, deklaroi Krasniqi.

    Deklaratën e plotë të Lirim Krasniqit në ATV, e gjeni në videon më poshtë: