ATV

Author: ATVLive

  • Gjermania e Merzit ngushton Rregulloren e Ballkanit për punëtorët, Kosova mes vendeve të prekura

    Gjermania e Merzit ngushton Rregulloren e Ballkanit për punëtorët, Kosova mes vendeve të prekura

    Në Gjermani është arritur një marrëveshje e re për formimin e qeverisë së ardhshme, nën drejtimin e kancelarit të pritshëm Friedrich Merz (CDU).

    Në qendër të kësaj marrëveshjeje janë politikat e reja të migracionit, kufizimi i ndjeshëm i Rregullores së Ballkanit Perëndimor dhe ndryshimet në ligjin për shtetësinë, transmeton klankosova.tv.

    Sipas kontratës qeverisëse, kuota vjetore për leje pune për qytetarët e Ballkanit Perëndimor do të përgjysmohet – nga 50.000 që u vendos vitin e kaluar, në 25.000.

    Kjo prek drejtpërdrejt qytetarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia.

    Ekspertët argumentojnë se sistemi i migracionit duhet të bazohet më shumë në kualifikime profesionale sesa në origjinën gjeografike.

    Migracioni: Kontrolle dhe kthime

    Po ashtu, do të ashpërsohen rregullat për marrjen e shtetësisë gjermane: në të ardhmen, ajo nuk do të mund të merret më pas tre vitesh qëndrimi, por vetëm pas pesë vitesh.

    Masat përfshijnë gjithashtu ndalimin e bashkimeve familjare për disa kategori refugjatësh dhe përfundimin e pranimeve vullnetare, përfshirë për ata nga Afganistani.

    Kancelari i ardhshëm Friedrich Merz e përshkroi marrëveshjen si një “sinjal të fortë për Evropën”, duke shtuar se “Gjermania është në rrugën e duhur”, se “Evropa mund të mbështetet te Gjermania”, dhe – në drejtim të presidentit amerikan Donald Trump – se Gjermania do të përmbushë detyrimet në fushën e mbrojtjes dhe do të rrisë konkurrueshmërinë e saj.

    Përtej migracionit, sipas Deutsche Welle, marrëveshja parashikon masa për të ringjallur ekonominë gjermane pas tre vitesh recesion: ulje taksash për sipërmarrjet, përjashtim nga tatimi i orëve shtesë të punës dhe më shumë fleksibilitet për pensionistët që duan të punojnë.

    Ndërkohë, Ballkani Perëndimor mbetet në axhendën ndërkombëtare të Berlinit. Procesi i Berlinit do të vijojë si platformë për mbështetjen e vendeve të rajonit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

  • Rritet pasiguria në SHBA/ Sondazhet: Shumë amerikanë kanë frikë se do të humbasin punën këtë vit

    Rritet pasiguria në SHBA/ Sondazhet: Shumë amerikanë kanë frikë se do të humbasin punën këtë vit

    Një shumicë e madhe e amerikanëve janë të shqetësuar se mund të humbasin punën e tyre këtë vit, tregon një studim i ri i tregut të punës. Një raport i titulluar The Great Stay: 2025 State of the Labor Market, i kryer nga platforma My Perfect Resume, zbulon pasigurinë në rritje midis punëtorëve në SHBA.

    Sipas një sondazhi të kryer në mesin e 1,115 punonjësish, rreth 81% e të anketuarve kanë frikë se do të humbasin punën këtë vit, dhe 20% e tyre thonë se janë “shumë më të shqetësuar” se vitin e kaluar, raporton Newsweek.

    Bëhet e ditur se njerëzit po ndryshojnë punë më rrallë sepse janë të shqetësuar për pushimet nga puna dhe një recesion të mundshëm. Rreth 76% e të anketuarve presin më shumë pushime nga puna në vitin 2025, dhe deri në 92% besojnë se një recesion po vjen. Pothuajse dy të tretat (63%) mendojnë se më shumë kompani do të mbyllen këtë vit se sa vitin e kaluar.

    Dhe shqetësimet nuk janë të pabaza.

    Në mars, punëdhënësit amerikanë njoftuan 275,240 pushime nga puna – më shumë se në të njëjtin muaj pesë vjet më parë, kur shpërtheu pandemia, sipas një raporti nga Challenger, Grey & Christmas.

    Nga këto, deri në 216,215 pushime nga puna vijnë nga administrata federale.

    Në dy muajt e fundit, gjithsej 280,253 persona u pushuan nga puna në 27 agjenci qeveritare.

    Drejtuesi kryesor i valës së pushimeve nga puna është Departamenti i sapokrijuar për Efiçencën e Qeverisë, i cili drejtohet nga Elon Musk dhe synon të ulë burokracinë dhe kostot e qeverisë.

    Raportohet se marsi ishte muaji më i keq për sa i përket pushimeve nga puna që nga shkurtimet historike në prill dhe maj 2020, kur më shumë se një milion njerëz humbën punën për shkak të pandemisë, sipas të dhënave që Challenger ka gjurmuar që nga viti 1989.

    “Nuk është vetëm frika e pushimit nga puna. Njerëzit kanë frikë se sistemi do t’i harrojë ata.”

    “Asgjë nuk është më e sigurt”

    Patrice Williams Lindo, CEO i Career Nomad, tha se njerëzit nuk po dramatizojnë, ata thjesht po monitorojnë atë që po ndodh, përcjell Telegrafi.

    “Pushimet nga puna po ndodhin ende, dhe ato po ndodhin rregullisht, edhe pse janë të paparashikueshme. Ekonomia duket e paqëndrueshme. Doganat po ndryshojnë vazhdimisht. Lajmet nuk mbarojnë kurrë. Punëtorët janë të lodhur dhe ky ankth është i dukshëm”, tha Lindo.

    “Ata nuk kanë frikë vetëm se mos humbasin punën e tyre. Ata kanë frikë se mos harrohen, mos mbeten pa një rrjet sigurie – pa të ardhura, pa sigurim shëndetësor, asgjë.”

    Sipërmarrësja dhe trajnerja e biznesit Adriana L. Cowdin tha se situata nuk është e paprecedentë, por është “veçanërisht destabilizuese”, sepse edhe institucionet e qëndrueshme – si qeveria federale – “po tregojnë shenja se asgjë nuk është më e sigurt”.

    “Kam parë se si ndryshimet politike dhe ekonomike e ndryshojnë perceptimin e sigurisë – nga goditja me dot-com e vitit 2000, në 11 shtator, në krizën financiare të 2008, në pandemi. Kur ndjenja e parashikueshmërisë zhduket, njerëzit pyesin veten: nëse nuk mund të mbështeten më tek tregu, shteti apo kompanitë e mëdha – në çfarë mund të mbështeten.”

    Ndryshe, ndërsa shkalla e papunësisë në SHBA mbetet e ulët, kompanitë e mëdha të mediave dhe teknologjisë që kanë pushuar së fundmi një numër të madh punëtorësh po krijojnë presion psikologjik, sipas Sam Wright nga Huntr.

    Pasiguria në punë gjithashtu çon në stres më të madh.

    Më shumë se gjysma e të anketuarve (52%) presin që stresi të rritet. Si arsye kryesore përmendet pasiguria në punë (43%). Për të qëndruar konkurrues, 61% punëtorëve planifikojnë të investojnë më shumë në arsim dhe trajnim deri në vitin 2025.

    Lindo tha se kjo flet më shumë për mosbesimin ndaj sistemit sesa për gjendjen e keqe të tregut.

    “Tregu i punës nuk po rrënohet, por besimi i njerëzve tek ai po shembet. Këtë e tregojnë realisht këto të dhëna”, tha ajo. Cowdin shton se paniku aktual mund të mos zgjasë, por se punëtorët po bëjnë gjënë e duhur duke u përgatitur dhe duke punuar vetë.

  • Policia liron Jozin pasi e goditi shuplakë Gjestin gjatë spektaklit LIVE në BBVA

    Policia liron Jozin pasi e goditi shuplakë Gjestin gjatë spektaklit LIVE në BBVA

    Pas incidentit të rëndë që u shënua brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri, ku gjatë transmetimit live të spektaklit të Big Brother Jozi goditi Gjestin, Top Channel menjëherë lajmëroi policinë për ngjarjen në fjalë.

    Shërbimet e policisë shoqëruan në komisariat Jozefin Markun, i cili u mor në pyetje lidhur me ngjarjen në fjalë dhe u la i lirë rreth orës 05.00 të mëngjesit, raporton TCH.

    Ky është momenti kur banori pas eliminimit, del nga shtëpia dhe futet në makinën e policisë me pranga në duar.

    Jozefin Marku u rikthye në shtëpinë e Big Brother disa javë më parë, teksa ka pasur një raport të mirë me Gjestin gjatë kësaj periudhe, ku bashkë kanë shkëmbyer batuta dhe situata gazmore brenda shtëpisë, të cilat janë pritur mirë nga publiku jashtë.

    Mbetet e paqartë arsyeja që shtyu Jozin të godiste Gjestin, teksa ai do hetohet në gjendje te lirë nga prokuroria e Tiranës.

  • Një i arrestuar në Vushtrri, tentoi t’i marrë fëmijët nga ish-bashkëshortja

    Një i arrestuar në Vushtrri, tentoi t’i marrë fëmijët nga ish-bashkëshortja

    Një person u arrestua në Vushtrri, nën dyshimin se ka tentuar t’ia marrë fëmijët ish-bashkëshortes, bëri të ditur Policia e Kosovës.

    “Vushtrri 12.04.2025 – 18:12. Është raportuar se ish-bashkëshorti, i dyshuari mashkull kosovar, ka tentuar t’i marrë fëmijët nga nëna e tyre. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Rohde: Formimi i një qeverie të qëndrueshme, kyç për stabilitetin e Kosovës

    Rohde: Formimi i një qeverie të qëndrueshme, kyç për stabilitetin e Kosovës

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, theksoi rëndësinë e formimit të një qeverie të qëndrueshme për Kosovën, duke e krahasuar situatën me atë në Gjermani pas zgjedhjeve.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Rohde tha se një shumicë e qëndrueshme dhe konsensusi janë kyçe për të siguruar stabilitet dhe zhvillim afatgjatë.

    “E dini, si në vendin tim, sapo patëm zgjedhje. Duhet kohë për të formuar një qeveri. Më e rëndësishmja është që të kemi një qeveri të qëndrueshme me një shumicë të mirë dhe konsensus për të formuar qeverinë e re. Dhe kështu po shoh drejt Gjermanisë. Shpresojmë të formojmë një qeveri deri javën e ardhshme. Dhe mendoj se është e vetëkuptueshme, e përmenda edhe në një intervistë javën e kaluar, që, e dini, veçanërisht në këto kohë të paqëndrueshme gjeopolitike, ajo që është në interes të vendeve dhe të popujve është të kenë qeveri të qëndrueshme”, tha Rohde.

    Rohde gjithashtu nënvizoi ndikimin e politikave ekonomike ndërkombëtare si ato të SHBA-së, në stabilitetin ekonomik global dhe tregjet financiare.

    “Sigurisht. Në afat të gjatë, nëse nuk ka stabilitet, do të ketë ndikim në zhvillimin ekonomik. Dua të them, ju e shihni tani: keni politikën doganore amerikane, e cila ndikon në çdo vend dhe vendet po reagojnë ndaj saj. Dhe kjo, natyrisht, ndikon në stabilitetin ekonomik. E shihni edhe në tregjet e aksioneve, të cilat po bien”, tha ai.

    Ambasadori përmendi gjithashtu nevojën për një “patriotizëm kushtetues”, duke e cilësuar Gjykatën Kushtetuese si një nga shtyllat më të rëndësishme të një demokracie të shëndoshë, e cila siguron që rregullat e lojës të respektohen.

    “Nevojitet patriotizëm kushtetues, sepse tre shtyllat e një demokracie janë gjyqësori, pushteti ekzekutiv dhe legjislativ, prandaj është shumë e rëndësishme të kemi një institucion si Gjykata Kushtetuese. Dhe demokracia kushtetuese mund të lulëzojë vetëm nëse respektohen rregullat e lojës. Dhe Gjykata Kushtetuese është aty për t’u siguruar që rregullat e lojës të respektohen. Pra, në këtë kuptim, çdo institucion duhet të bëjë pjesën e vet dhe vetëm atëherë kemi një demokraci të gjallë”, tha ambasadori Rohde.

  • AKB: Kosova të heq taksat për produktet e SHBA-së, miqësia jonë të konvertohet në interes biznesor

    AKB: Kosova të heq taksat për produktet e SHBA-së, miqësia jonë të konvertohet në interes biznesor

    Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, kërkoi nga Qeveria e Kosovës heqjen e taksave për produktet e importuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Shahini tha se kjo do të ndihmonte në përjashtimin e Kosovës nga masat tarifore të SHBA-së dhe do të mbante tregun e eksportit të hapur për prodhuesit kosovarë.

    “Trump ka marrë një vendim reciprok ndaj shumë shteteve, por ne Qeverinë e Kosovës e kemi paralajmëruar qysh më 5 mars që të heq taksat nga produktet e importuara nga SHBA, për arsye që Kosova të përjashtohet nga këto masa dhe të tarifohen eksportet e Kosovës. Kërkesat kur vijnë nga komuniteti i biznesit janë burime të sakta, sepse kemi pasur paralajmërime të sakta që është duke u bërë kjo përpilim”, tha Shahini.

    Ai tha se Kosova ka pasur një bilanc tregtar pozitiv me Amerikën, me eksporte që kalojnë 440 milionë euro dhe importe mbi 400 milionë euro. Ai shtoi se heqja e taksave për 10 për qind do të ndikonte pozitivisht në rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.

    “Për katër vjet, Kosova ka pasur eksport mbi 440 milionë euro produkte të ndryshme, po ashtu ka pasur edhe importe mbi 400 milionë euro. Ne e vlerësojmë bilancin tregtar më të mirë si shtet me Amerikën. Është dashur që Kosova të rishikojë këto mundësi dhe vlerësojmë shumë lart Qeverinë e Kosovës nëse merr hap për të hequr taksat 10 për qind. Natyrisht, kjo do të ndikojë në rritjen e çmimeve për ato produkte që importohen, por do të ndikojë edhe te prodhuesi vendor, i cili do të detyrohet të ulë fitimin për 10 për qind ose të humbasë tregun në SHBA. E vlerësojmë se humbja e këtij tregu është një humbje e madhe për prodhuesit dhe Kosovën,” tha ai.

    Shahini gjithashtu kërkoi masa reciproke pa taksa për të dyja shtetet, duke theksuar rëndësinë e këtij hapi për të forcuar marrëdhëniet ekonomike dhe miqësore.

    “Kosova ka pasur që nga viti 2008 preferenca tregtare për mbi 3,500 produkte për eksport në SHBA pa taksa dhe ka qenë mundësi e madhe për të promovuar produktet tona. Kosova dhe SHBA duhen të kenë masa reciproke me taksa zero në të dy anët, në mënyrë që miqësia jonë të konvertohet edhe në interes biznesor-ekonomik dhe në rritjen e shkëmbimeve tregtare”, tha ai.

  • Në Nju-Jork bie një tjetër avion me 6 persona në bord

    Në Nju-Jork bie një tjetër avion me 6 persona në bord

    Një avion i vogël me gjashtë persona në bord u rrëzua të shtunën pasdite në një fushë me baltë rreth 80 kilometra në jug të Albany-t në shtetin e Nju jorkut, duke shkaktuar të paktën një viktimë të konfirmuar, sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA) dhe Zyrës së Sherifit të Qarkut Columbia.

    Avioni, i tipit Mitsubishi MU-2B, u rrëzua rreth orës 12:15 pasdite me orën lokale në zonën rurale të Copake, pranë kufirit me shtetin Massachusetts. Sipas autoriteteve, aeroplani ishte nisur për në Aeroportin e Columbia County, afër qytetit Hudson, NY.

    Zyrtarët nuk kanë konfirmuar ende numrin e plotë të të lënduarve apo viktimave të mundshme. Ekipet e emergjencës po përballen me vështirësi për shkak të terrenit të lagësht dhe borës që ka përfshirë zonën.

    Shkaku i rrëzimit nuk është bërë ende i ditur. Hetuesit nga Bordi Kombëtar për Sigurinë e Transportit (NTSB) pritet të mbërrijnë në vendngjarje dhe të japin më shumë informacion gjatë së dielës.

    Dy ditë më parë një helikopter turistik u rrëzua në lumin Hudson, duke i marrë jetën të gjashtë personave në bord. Ngjarja ndodhi pasditen e së premtes, pranë Pier 25, midis rrugëve Ëest dhe Canal, një zonë e njohur turistike në Manhattan.

    Sipas autoriteteve, në bordin e helikopterit të tipit Bell 206 ndodheshin piloti dhe një familje turistësh nga Spanja, dy të rritur dhe tre fëmijë. Fatkeqësisht, askush nuk mbijetoi nga aksidenti.

  • Sot në Kosovë mot pranveror

    Sot në Kosovë mot pranveror

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe stabil pranveror. Temperaturat do të shënojnë rritje, por mëngjesi mund të ketë acar të lehtë, ndërsa do të fryjnë erëra drejtimesh të ndryshme me tendencë kthimi nga jugu. Temperaturat pritet të luhaten nga -1 deri në 21 gradë Celsius.

    Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi sot pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të pakta lokale. Temperaturat do të shënojnë rritje të ndjeshme.

    Fillimi i javës së re i ngrohtë, por me kalime të shpeshta vranësira me mundësi edhe për riga shiu kalimtare. Temperaturat mund të pësojnë ulje krejtësisht të lehta për shkak të vranësirave, por priten edhe intervale kohore me diell. E Marta më shumë vranësira dhe më shumë riga e rrebeshe shiu. Temperaturat prapë shënojnë ulje të lehta.

    Nga e mërkura ndjeshëm më ngrohtë dhe me më shumë diell./MeteoBallkan

  • Sudani njeh pavarësinë e Kosovës, Presidentja Osmani: Fillimi i një partneriteti të madh

    Sudani njeh pavarësinë e Kosovës, Presidentja Osmani: Fillimi i një partneriteti të madh

    Republika e Sudanit ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Republikës së Kosovës, duke shënuar kështu një moment të rëndësishëm në përpjekjet ndërkombëtare të shtetit të Kosovës për zgjerimin e njohjeve.

    Lajmi është konfirmuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi zyrtar në rrjetin social X, ku ajo shprehu mirënjohjen në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje historike.Sudani ka njohur Republikën e Kosovës dhe dy vendet tona kanë rënë dakord të vendosin marrëdhënie diplomatike. Faleminderit nga populli i Republikës së Kosovës. Ky është fillimi i një partneriteti të madh!”, ka deklaruar Osmani në X.

  • PS hap fushatën, Rama: Kemi mundësinë historike të ulim zonjën Shqipëri në sallën e BE-së

    PS hap fushatën, Rama: Kemi mundësinë historike të ulim zonjën Shqipëri në sallën e BE-së

    Kryeministri Edi Rama ritheksoi në çeljen e fushatës zgjedhore të PS rëndësinë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

    Ai u shpreh se vetëm shqiptarët dhe askush tjetër nuk ka në dorë fatin europian të Shqipërisë dhe kjo mund të realizohet duke votuar PS.

    “Ti ndryshojmë rrjedhën historisë, tamam këtu mu në një kryqëzim në mes palësh zgjedhjesh politike, një mundësi historik që në vetëm 4 vite mund të behet zonjë anëtare e familjes së bashkuar evropiane, ne dhe vetëm ne askush tjetër kemi në dorë fatin europian të Shqipërisë, kemi 30 ditë para për tu lidhur dorë për dore me çdo shqiptar që e do zonjën e Shqipërisë në sallonin e BE dhe veten e vet qytetar të barabartë të Evropës”.

    “Edhe është krejt ndryshe nga herët e tjera mbledhja jonë sot këtu, në këtë shesh ku qëndron dëshmitar dhe udhërrëfyes shëmbëlltyra e profetit tonë kombëtar, ka thënë dikur një mendimtar nëse është e vërtetë siç e pohon vetë Kurani nëse zoti i ka dhuruar një profet, heroin që mbolli fatin e tij. Nën këmbët tona me qindra dhe mijëra pllakëza në sheshin që mban hijen e profetit”, tha ai.