ATV

Author: ATVLive

  • ​Gërvalla takon Kallas, i kërkon heqjen e sanksioneve për Kosovën

    ​Gërvalla takon Kallas, i kërkon heqjen e sanksioneve për Kosovën

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka zhvilluar takim me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas në të cilin theksoi rolin kyç që ka Bashkimi Evropian jo vetëm për ruajtjen e stabilitetit, por për ofrimin e vizionit dhe drejtësisë për të gjithë qytetarët e Evropës.

    Ministrja nënvizoi nevojën që Republika e Kosovës të trajtohet si partnere e barabartë dhe e respektuar në të gjitha proceset integruese evropiane, duke përfshirë përshpejtimin e rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

    Sipas një komunikate të MPJD-së, Gërvalla theksoi se mbështetja për Kosovën nuk mund të mbetet në nivel deklarativ, por duhet të përkthehet në hapa konkretë, përmbylljen e procesit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, avancimin e aplikimit për anëtarësim në BE dhe heqjen e masave të padrejta që cenojnë frymën e partneritetit.

    Ministrja Gërvalla ritheksoi se e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor nuk mund të jetë e plotë pa Kosovën. “Mbështetja për Republikën e Kosovës është një mbështetje për një Evropë më demokratike, më të barabartë dhe më të bashkuar.”

    Ajo po ashtu theksoi se prania dhe angazhimi i Kosovës në rajon është një burim i fuqishëm i stabilitetit dhe sigurisë për të gjithë kontinentin. Në këtë drejtim, Gërvalla tha se tani është koha për vendime të guximshme dhe për një vizion të përbashkët evropian që përfshin edhe Kosovën si pjesë të natyrshme të tij.

  • ​Kur planifikohet të ndërtohet flota ajrore e FSK-së?

    ​Kur planifikohet të ndërtohet flota ajrore e FSK-së?

    Forca e Sigurisë së Kosovës ende nuk ka një bazë ajrore ushtarake. Ani pse toka e ish-aeroportit të Gjakovës, është pronë e FSK-së dhe në rast mund të përdoret si bazë, Kosova prapë se prapë nuk ka një aviacion ushtarak.

    Blerjet e armatimeve për ushtrinë e Kosovës, ku përfshihet edhe helikopteri, duket që po e pengojnë Rusinë.

    Përfaqësuesi i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzia, i cili në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të mbajtur javën e kaluar, përveç dezinformatave tjera rreth Kosovës, ka përmendur edhe planet e vendit tonë për të blerë helikopter.

    “Është bërë shpallja për tranzicionin në fazën përfundimtare të Ushtrisë së Kosovës duke marrë materiale edhe nga vendet e NATO-s, po flasim për drona, automjete të blinduara, sistem anti tank, artileri dhe armatime të tjera. Planet e tyre për të blerë edhe sistem të mbrojtës ajrore por edhe helikopter, po vihen baza për industrinë e mbrojtjes lokale”, tha ai.

    E derisa në Kosovë, ekspertët e sigurisë kanë mendime të ndryshme sa i për ketë periudhës së ndërtimit të bazave ajrore, në Ministrinë e Mbrojtjes, i kanë thënë KosovaPress-it,se po planifikojnë që deri në vitin 2028 të ndërtojnë kapacitetet ajrore të FSK-së.

    Sipas drejtorit të “OCTOPUS”, Arben Fetoshi, edhe pse Kosova është nën ombrellën e NATO-s, kurdo që do të vije mundësia që ky mision të largohet nga Kosova, FSK duhet kompletuar mbrojtjen ushtarake ajrore.

    “Në qoftë se i referohemi asaj çka po ndodh aktualisht, me konfliktet moderne, kur sulmet ajrore dhe sulmet përmes dronëve janë kthyer në element kyç, sa i përket konflikteve të sotme, pa diskutim që është shumë e rëndësishme që Kosova të filloj ngritjen e kapaciteteve të bazave të veta ajrore e në këtë kuptim, krijimi i një baze ajrore do të ishte hapi i parë, i cili do t’i mundësonte Kosovës kompletimin e infrastrukturës së saj mbrojtëse. Pavarësisht që tashmë ne jemi në ombrellën e NATO-s, nëpërmjet misionit të KFOR-it, mirëpo kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet të zhvillojmë kapacitetet tona mbrojtëse, duke i kompletuar ato edhe me mbrojtjen ushtarake ajrore. Kurdo që eventualisht do të krijohen rrethanat për largimin e këtij misioni nga Kosova, Kosova do të duhej të kishte të kompletuara kapacitetet e saj mbrojtëse”, ka thënë Fetoshi.

    Ndërsa, eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka shtuar se gjatë luftës së fundit në vend, brenda territorit të Kosovës, por edhe Serbisë, bombardimet kanë ardhur nga bazat ushtarake në avionët e Italisë e Turqisë.

    Sipas Islamit, Kosova për momentin duhet përqendruar kryesisht në pajisjet ushtarake në vetëmbrojtje dhe në një ardhme të afërt të kompletohet edhe baza ushtarake ajrore.

    “Kosova është e rrethuar nga vendet e Aleancës veri atlantike, në përjashtim Serbinë, sa i përket ndërhyrjeve të shpejta, me anë të aviacionit, pra aviacionet janë afër territorit të Kosovës dhe nuk mendoj që të ketë një bazë ushtarake të aviacionit sepse kemi parë që në luftën e fundit në Kosovë, bombardimet që janë bërë brenda territorit të Kosovës por edhe në Serbi, kanë ardhur nga bazat ushtarake në avionët të Italisë, Turqia dhe nga vendet tjera. Kosova duhet të përqendrohet kryesisht në pajisjet ushtarake në vet mbrojtje”, ka shtuar Islami.

    E nga Ministria e Mbrojtjes, në një përgjigje me shkrim kanë thënë se sapo të ndërtohet kapaciteti i flotës ajrore, ish- aeroporti i Gjakovës, mund të përdoret për qëllime të tilla.

    “Ish Aeroporti i Gjakovës është tashmë pronë e FSK-së, dhe sapo të ndërtohet kapacitetet e flotës ajrore, i njëjti mund të përdoret për qëllime të tilla. Sigurisht se është e nevojshme përderisa planifikojmë që deri në vitin 2028 të ndërtojmë dhe kapacitetet ajrore të FSK-së”, është thënë në një përgjigje me shkrim.

    E sa i përketë bazës ajrore në Golesh, e cila për ushtrinë e Serbisë, gjatë okupimit të vendit tonë, ka qen baza kryesore ajrore në Kosovë, Ministria e Mbrojtjes nuk ka dashur të komentojë. Përndryshe, kjo bazë aktualisht është nën menaxhimin e KFOR-it./kp

  • Deputetët e Listës Serbe mbërritën në Kuvend për regjistrim

    Deputetët e Listës Serbe mbërritën në Kuvend për regjistrim

    Deputetët e Listës Serbe mbërritën në Kuvendin e Kosovës për të kryer procedurat e nevojshme të regjistrimit si deputetë.

    Gjatë ditës së sotme pritet regjistrimi i deputetëve të rinj të Kuvendit të Kosovës nga radhët e koalicionit AAK-Nisma.

    Sipas rezultatit zgjedhor të 9 shkurtit, ky koalicion ka siguruar gjithsej tetë ulëse në Kuvendin e Kosovës, me pesë deputetë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe tre nga Nisma Socialdemokrate.

    Regjistrimi pritet të kryhet deri në orën 16:00.

    Javën e kaluar këtë proces e kanë përfunduar Vetëvendosje, PDK-ja e LDK-ja, ndërsa nesër pritet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

  • Kallas për Ballkanin Perëndimor: Tensione në rritje, duhet të vazhdojmë procesin e zgjerimit

    Kallas për Ballkanin Perëndimor: Tensione në rritje, duhet të vazhdojmë procesin e zgjerimit

    Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, arriti në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, që po mbahet në Luksemburg.

    Ajo para gazetarëve foli edhe për Ballkanin Perëndimor.

    “Kemi pasur një darkë të mirë dje duke diskutuar me miqtë nga Ballkani Perëndimor. Ne shohim tensione që rriten dhe definitivisht duhet të vazhdojmë me procesin e zgjerimit sepse kjo është diçka vërtetë e prekshme dhe ne vërtetë kemi nevojë për storie suksesi”, tha Kallas.

    Shtoi se në këtë takim do të diskutohet për “shumë tema”, fillimisht do të flasin për Ukrainën.

    “Janë bërë një muaj që kur Ukraina u pajtua për armëpushim pa kushte, por se kemi parë këtë nga ana e Rusisë”, tha ajo.

    “Këtë vit shtetet evropiane kanë arritur ndihmat në 23 miliardë euro, më shumë se vitin e kaluar. Por duhet të bëjmë më shumë presion ndaj Rusisë që të ndalet lufta”, shtoi Kallas.

  • Aksidenti afër Klinës,Trainkos: Nuk u respektuan shenjat nga drejtuesi i veturës

    Aksidenti afër Klinës,Trainkos: Nuk u respektuan shenjat nga drejtuesi i veturës

    Pas aksidentit të djeshëm në Jagodë të Klinës, ku treni goditi një veturë dhe la një të vdekur dhe tre të tjerë u lënduan, Kompania Trainkos bëri të ditur se sipas raportit fillestar aksidenti ka ndodhur për shkak të mosrespektimit të shenjave të komunikacionit nga drejtuesi i veturës.

    “Komunikacioni hekurudhor rregullohet me ligje dhe sinjalizime specifike, të cilat obligohemi t’i respektojmë në përpikëri. Rregullat dhe sinjalizimi i trafikut rrugor janë obligative për të gjithë përdoruesit e rrugës, përfshirë drejtuesit e mjeteve rrugore,” thuhet në kumtesën e Trainkosit.

    Trainkos bëri thirrje për kujdes maksimal dhe për respektim të rregullave të komunikacionit rrugor, me qëllim që të parandalohet përsëritja e rasteve të tilla tragjike.

    Në kumtesë po ashtu shprehet keqardhje e thellë për humbjen e jetës, duke i shprehur ngushëllime familjes së viktimës.

  • Sot regjistrohen deputetët nga radhët e AAK-së dhe Nismës

    Sot regjistrohen deputetët nga radhët e AAK-së dhe Nismës

    Sot me fillim nga ora 09:00 e deri në ora 16:00, do të bëhet regjistrimi i deputetëve nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA-s.

    Sipas rezultatit zgjedhor të 9 shkurtit, ky koalicion ka siguruar gjithsej 8 ulëse në Kuvendin e Kosovës, me pesë deputetë AAK-ja derisa tre Nisma Socialdemokrate.

    Derisa javën e kaluar, procesin e regjistrimit e kanë përfunduar tri subjekte politike.

    Ajo e Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Kurse, nesër me fillim nga ora 10:00 është caktuar të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

  • Presidentja Osmani takon presidentin e Indonezisë, diskutohet për thellim të bashkëpunimit

    Presidentja Osmani takon presidentin e Indonezisë, diskutohet për thellim të bashkëpunimit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar presidentin e Indonezisë, Praboëo Subianto, gjatë Forumit Diplomatik të mbajtur në Turqi.

    Ajo ka thënë se i ka uruar atij për mandatin e ri duke shprehur gatishmërinë për rritje të bashkëpunimit në të ardhmen.

    “Në #ADF2025 , përgëzova Presidentin e ri të Indonezisë, Prabowo Subianto, për mandatin e tij dhe i urova atij dhe popullit të mrekullueshëm të Indonezisë çdo të mirë. Mezi presim të rrisim bashkëpunimin tonë në të ardhmen e afërt”, ka shkruar Osmani në X.

  • Kallas sot informon për zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi

    Kallas sot informon për zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi

    Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, sot në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, që do të mbahet në Luksemburg do të informojë lidhur me procesin e dialogut Kosovë – Serbi, si dhe për vizitën që ajo pati në Shqipëri, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

    Takimi fillon në mëngjes në orën 08: 00 dhe do të udhëhiqet nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.

    Pikë kryesore e takimit do të jetë agresioni rus kundër Ukrainës, derisa ministrave të Jashtëm të BE-së do t’u drejtohet përmes një videokonference, ministri Jashtëm i Ukrainës, Andrij Sybiha.

    Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, gjithashtu, do të diskutojnë edhe raportet me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

    “Vendet partnere të Bashkimit Evropian nga Ballkani Perëndimor janë: Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Bashkimi Evropian mbështet perspektivën evropiane të vendeve partnere nga Ballkani Perëndimor. Shumë prej tyre tashmë janë në rrugë për t’u bërë anëtare të Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e reja anëtare”, theksohet në faqen e Këshilli Evropian.

  • Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës në Kosovë, një burrë sot shpalos rrëfimin e tij

    Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës në Kosovë, një burrë sot shpalos rrëfimin e tij

    Sot shënohet Dita Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Fundit në Kosovë. Përmes shënimit të kësaj dite përkujtohen vuajtjet dhe traumat e atyre që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë.

    Kjo ditë synon të njohë padrejtësinë e përjetuar dhe traumën si pasojë e krimeve të tilla dhe njëkohësisht të rrisë ndërgjegjësimin për drejtësinë e vonuar dhe luftën kundër stigmës.

    Në shënimin e kësaj dite, këtë të diel më 14 prill 2025, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRTM), njofton se në Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së fundit në Kosovë, për herë të parë, një burrë i mbijetuar do të ndajë publikisht rrëfimin e tij.

    “Një rrëfim që sfidon frikën, stigmën dhe harresën. Një akt guximi që hap një kapitull të ri për drejtësinë dhe të vërtetën”, njofton QKRTM.

    Ndryshe me propozim të Presidentes Vjosa Osmani, qeveria, 14 prillin e ka caktuar Ditë e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Ky vendim do t’i kontribuojë ruajtjes së memories kolektive, ndërsa ka përmendur nevojën e solidarizimit me të mbijetuarit e dhunës seksuale.

  • Moti sot: I vranët dhe me shi, temperaturat deri në 18 gradë Celsius

    Moti sot: I vranët dhe me shi, temperaturat deri në 18 gradë Celsius

    Sot mbi Kosovë do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe vende-vende me riga shiu.

    Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 5 deri 8 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 15 dhe 18 gardë Celsius.

    Do të fryjë erë nga jugperendimi me shpejtesi 1 deri në 7 metër për sekond.