ATV

Author: ATVLive

  • Ndahet nga jeta ish-kryeprokurori Ismet Kabashi

    Ndahet nga jeta ish-kryeprokurori Ismet Kabashi

    Të dielën më 13 prill, ka ndërruar jetë ish-Kryeprokurori i Shtetit dhe njëherësh ish-kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ismet Kabashi.

    Familjarët e tij njoftuan se Kabashi do të varroset të hënën më 14 prill në varrezat e Shipolit në Mitrovicë.

    Ndërkohë, sot do të mbahet një akademi përkujtimore e cila fillon në orën 15:00, në sallën e Kulturës, në Mitrovicë.

    Ndërkohë, telegram ngushëllimi kanë dërguar ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj dhe ish-kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi.

    Kabashi ka qenë edhe gjyqtar dhe kryetar i Gjykatës Komunale të Skenderajt, gjyqtar në Gjykatën Komunale në Mitrovicë, gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, etj.

    Ai u vlerësua një figurë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë në vendin tonë, duke qenë ndër drejtuesit e institucionit të Prokurorit të Shtetit pas shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ku si rezultat i reformës në drejtësi u krijuan institucionet e reja të pushtetit gjyqësor.

    Gjatë kohës sa shërbeu në sistemin prokurorial, fillimisht si prokuror dhe më pas si Kryeprokuror i Shtetit dhe Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, ai u dallua për integritetin profesional, për përkushtimin ndaj forcimit të sundimit të ligjit dhe dha kontribut të çmuar në fuqizimin e institucionit të Prokurorit të Shtetit.

  • ​Incident në stërvitjen e Real Madridit, përplasen dy yjet e skuadrës

    ​Incident në stërvitjen e Real Madridit, përplasen dy yjet e skuadrës

    Humbja ndaj Arsenalit i bëri shumë dëm Real Madridit. Tensionet u rritën deri në atë pikë sa të premten e kaluar pati një shkëmbim të nxehtë mes Bellingham dhe Rüdiger gjatë stërvitjes, sipas programit ‘El Chiringuito’.

    Nervozizmi ishte aq i madh sa që edhe shokët e skuadrës duhej të ndërhynin për të mos përshkallëzuar incidentin, por ishte e qartë se dhoma e zhveshjes së bardhezinjve e mori shumë keq goditjen që pësuan në “Emirates Stadium”, transmeton KP.

    Konkretisht, gazetari Edu Aguirre vuri në dukje se ka qenë një javë me tension të madh dhe në stërvitjen e së premtes ka pasur një debat të fortë mes dy lojtarëve, si pasojë e tensionit erdhi një sherr mes Bellingham dhe Rüdiger.

    Incidenti ndodhi mes dy lojtarëve gjatë një loje të vogël, kur pati një gjysmë ndërhyrje, një gjysmë fyerje, të dy lojtarët u përballën me njëri-tjetrin dhe duhej të ndaheshin nga bashkëlojtarët.

    Incidenti nuk u përshkallëzua për shkak të ndërhyrjes së shokëve të skuadrës dhe në fund u zgjidh shumë mirë, nuk u përshkallëzua, ata shtrënguan duart.

  • ​Rrëfimi publik i të mbijetuarit të dhunës seksuale gjatë luftës: Policia serbe janë turpi, jo ne

    ​Rrëfimi publik i të mbijetuarit të dhunës seksuale gjatë luftës: Policia serbe janë turpi, jo ne

    Fundin e shtatorit të vitit 1998, Ramadan Nishori thotë se nuk do ta harrojë kurrë.

    Gjatë rrëfimit të tij publik, ai kujtoi ngjarjen që ia ndryshoi jetën përgjithmonë.

    “Kanë ardhur dy policë me uniforma dhe më kanë futur në një banjo, dhe aty ndodhi më e keqja që mund t’i ndodhë një njeriu. Sepse atë kurrë nuk e kisha menduar se do të më ndodhte mua. Dhe njëri më dhunoi, ndërsa, derisa po përgatitej i dyti për dhunë, nga bërtimat e mia, një shqiptar që ishte aty hyri brenda dhe më nxori prej aty”, rrëfen ai.

    Ai foli edhe për maltretimet në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit.

    Ramadan Nishori nga Drenica thotë se njerëzit nuk dëshiron ta shohin me keqardhje. I mbijetuari i dhunës seksuale thotë se jeta pas luftës ishte shumë e vështirë.

    “Më 16 mars 2001 jam liruar prej burgut dhe në atë kohë kam qenë i fejuar, dhe pas dy javëve jam martuar. Jetoja me prindër dhe vëllezër në fshat, dhe pasi u martova i thashë vetes: ‘Do të filloj një jetë të re, do të krijoj një familje.’ Por kjo ishte e pamundur, sepse çdo natë më kujtohej çka më kishte ndodhur. Jetoja me frikë mos e hetonte dikush se çka më kishte ndodhur. Pas një viti u vendosëm të jetonim me qira në Fushë Kosovë. Aty u ndjeva pak më i lirë, por përsëri isha i mbyllur në burgun brenda vetes”, tregon ai.

    “Jam një burrë që po mundohem të ndërtoj një jetë normale. Njerëzit dua të më shohin si një njeri që jam munduar shumë, por nuk jam thyer kurrë. Nuk dua që njerëzit të më shohin me keqardhje. Dua të më shohin me respekt, si një njeri që shumë herë jam rrëzuar, por prapë jam ngritur në këmbë. Unë jam sot këtu jo se kam harruar atë që më ka ndodhur”, ka thënë ai.

    Pas tmerrit të përjetuar në vitin 1998, kur u dhunua në një stacion policor, Ramadan Nishori rrëfen për jetën e tij plot sfida.

    “Thosha: unë jam burrë, dhe për këtë që e kam përjetuar nuk duhet të dijë askush, se thosha më nënçmojnë dhe më bullizojnë. Isha shumë i mbyllur në vetvete. Më vinte me qa, me bërtitë me të madhe, ikja natën prej shtëpisë, dilja, qaja dhe shfryhesha. Se turpi ishte më i rëndë se dhimbja”, thotë ai.

    Ai tregon se për vite të tëra nuk e mori guximin të kërkonte ndihmë profesionale.

    “Ka qenë viti 2005. Për herë të parë jam afruar te organizata QKRMT. Kam shkuar dhjetëra herë, por kurrsesi nuk merrja guximin të hyja brenda. Vendosa dhe thashë: më mirë të iki krejt prej Kosovës. Shkova në Mal të Zi, por edhe atje shumë më pengonte gjuha e tyre malazeze. Kështu që u kthyem prapë në Kosovë. Një natë e pashë një intervistë, ishte Vasfije Krasniqi dhe për mua është heroinë e gjallë. I kisha shumë lakmi, thosha: kjo po flet, po shfryhet… dhe kështu i kam marrë dhe i kam shkruar menjëherë”, shtoi ai.

  • Haradinaj: Në parim për konstituim të Kuvendit, qeverinë ta krijojë opozita

    Haradinaj: Në parim për konstituim të Kuvendit, qeverinë ta krijojë opozita

    Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj tha se në parim do ta votojnë kryetarin e e Kuvendit të Kosovës, ndërsa AAK-ja angazhohet për krijimin e qeverisë nga opozita, raporton Ekonomia Online.

    Ai deklaratën e bëri pas regjistrimit si deputet në Kuvendin e Kosovës.

    “Konstiuimi i Kuvendit është interes i të gjithëve. Do të konsultohemi edhe me PDK-në dhe LDK-në. AAK-ja angazhohet që qeverinë ta krijojë opozita në rast se partia e parë nuk e krijon atë”, tha Haradinaj.

  • Lushtaku: PDK nuk merr pjesë në votim pa një zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën

    Lushtaku: PDK nuk merr pjesë në votim pa një zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, tha se PDK nuk do të marrë pjesë në votimin për Kuvendin, përderisa nuk ka një zgjidhje të qëndrueshme për vendin, duke theksuar mbështetjen për kandidaturën e Bedri Hamzës si kryeministër, raporton Ekonomia Online.

    “Sigurisht që qëndrimet e mia janë edhe ato të PDK-së, ne nuk do të marrim pjesë në votim derisa nuk kemi një zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën. Edhe sigurisht që zgjidhja e qëndrueshme për Kosovën është zgjedhja e kryeministrit Bedri Hamza si udhëheqës i qeverisë së Kosovës edhe mendoj që do të krijohet edhe stabiliteti edhe qëndrueshmëria në vend,” tha Lushtaku.

    Ai shtoi se janë bërë thirrje të vazhdueshme ndaj partive tjera politike për të qëndruar në përputhje me premtimet publike sa i përket refuzimit të një mandati të tretë për kryeministrin aktual.

    “Sigurisht ne i bëjmë thirrje edhe individuale edhe publike që ka takim edhe të ndryshme me partitë politike. Që t’i bëjmë thirrje që të ketë një qëndrueshmëri në premtimet që kanë bërë sa i përket mos zgjedhjes së kryeministrit Kurti apo mos dhënies së mundësisë së Kurtit III. Sigurisht që në këtë pjesë do të shihet nesër se si do të veprojnë. Nuk ka asnjë dakordim konkret por besoj që mbetet në qëndrueshmërinë dhe premtimet publike që kanë bërë. Besoj që e ka bërë të qartë PDK se ne kemi pozitën që na ka besuar edhe qytetari i vendit në mundësinë e dytë në formimin e qeverisë, besoj që ne qëndrojmë në premtimet tona,” u shpreh Lushtaku.

  • Haradinaj: Me Limajn s’kam pasur asnjë kontakt që nga intervista e tij, ishte ndarje e turpshme

    Haradinaj: Me Limajn s’kam pasur asnjë kontakt që nga intervista e tij, ishte ndarje e turpshme

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është deklaruar për gazetarë pas regjistrimit si deputet i legjislaturës së nëntë.

    “Ne në princip votojmë kandidatin për kryetar të kuvendit, kuptohet se do të bëjmë konsulta me partitë tjera opozitare, PDK dhe LDK, por besoj që konstituimi i Kuvendit është në interes të të gjithëve më pastaj sikurse e dini Aleanca angazhohet dhe punon që Qeverinë ta krijojë opozita në rast të pamundësisë së krijimit të shumicës nga pozita”, tha ai.

    Ai u pyet për raportet me Nismën.

    “S’kam komunikim nga intervista e fundit e famshme e zotit Limajt. Ka qenë shumë e vështirë pra krijimi i shumicës nga opozita vetvetiu, pozicionimi i hershëm i tij e ka bë edhe më të vështirë, ka qenë i parakohshëm. Nëse Nisma dhe Limaj mbështesin pushtetin, kuptohet që ata ndahen nga ne dhe është ndarje mjaft e turpshme sepse ne kemi kërku votë për ndryshim dhe sjellja e tyre është mjaft e turpshme”, shtoi ai.

    “Për VV i kemi një kërkesë, ata me dalë në opozitë. Për opozitën asnjë kusht”, tha ai kur u pyet nëse ka ndonjë kusht për me hy në koalicion.

  • Ushtarët italianë të KFOR-it inspektojnë urat në Pejë, Klinë dhe Gjakovë

    Ushtarët italianë të KFOR-it inspektojnë urat në Pejë, Klinë dhe Gjakovë

    Trupat italianë të KFOR-it kanë ndërmarrë së fundmi inspektime teknike në disa ura në komunat Pejë, Klinë dhe Gjakovë.

    Ky aktivitet është pjesë e angazhimeve të tyre për të mbështetur përmirësimin e infrastrukturës dhe lehtësimin e qarkullimit në rajon, thuhet në komunikatën.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe garantimin e lirisë së lëvizjes”, thuhet në një njoftim në Facebook.

  • Rama nga Brukseli: Të përkushtuar të përmbyllim negociatat brenda vitit 2027

    Rama nga Brukseli: Të përkushtuar të përmbyllim negociatat brenda vitit 2027

    Kryeministri Edi Rama, në një prononcim të shkurtër për mediat së bashku me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, në prag të konferencës së katërt ndërqeveritare BE-Shqipëri për hapjen e një tjetër grupkapitulli, u shpreh se janë të përkushtuar për të përmbushur të gjitha detyrat për të mbyllur negociatat brenda vitit 2027.

    “Sot është ditë e mirë për ne sepse kemi një tjetër konferencë dhe çelim kapituj të tjerë, ndërkohë që me Presidentin jam shumë mirënjohës për kohën që më ka kushtuar për një bisedë rreth përparimit në këtë proces dhe më pas për samitin e ardhshëm të Komunitetit Politik Evropian, i cili është aktivitet i rëndësishëm në përgjithësi, por ka rëndësi të posaçme në këtë moment. Do të flasim edhe për rajonin, ndaj të cilit Presidenti është veçanërisht i përkushtuar. Në përgjithësi jam i inkurajuar nga këto zhvillime dhe jemi tej mase të përkushtuar për të përmbushur të gjitha detyrat e kalendarit, që është shumë ambicioz, për të përmbyllur të gjitha negociatat brenda 2027”, tha Rama para mediave, shkruan A2.

    Ndërkohë, Presidenti i Këshillit Evropian, Antiono Costa, vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugëtimin evropian dhe duke u ndalur te grupkapitulli që pritet të hapet sot në Luksemburg, Costa tha se ambicia është që të hapin edhe të tjerë brenda këtij viti.

    “Zgjerimi drejt Ballkanin Perëndimor është përparësi e qartë për BE dhe investimi më i rëndësishëm gjeostratregjik për paqen, begatinë dhe stabilitetin e kontinentit tonë. Është inkurajuese të shohësh progresin që ka bërë Shqipëria në këtë rrugëtim. Sot çelim grupkapitullin tjetër dhe ambicia jonë është të çelim edhe të tjerë gjatë këtij viti. Kjo është e rëndësishme për BE dhe Shqipërinë, por mendoj se është shenjë për të gjithë rajonin, se mënyra më e mirë për të garantuar mirëqenien dhe paqen në Ballkanin Perëndimor është BE dhe anëtarësimi në të. Ja pse do të vizitoj personalisht rajonin në mes të muajit maj, për të vizituar të 6 vendet e rajonit, për të rritur bashkëpunimin dhe përpjekjet tona të përbashkëta për të pasur rezultate të mira të anëtarësimit. Kjo është mundësi e mirë për të folur për samitin e Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet më 16 Maj. Evropa është më shumë se BE, por gjithmonë e më shumë është më e rëndësishme që të jemi të gjithë së bashku sepse kështu jemi më të fortë dhe bota ka nevojë për një Evropë më të fortë”, u shpreh Costa.

  • Rashiq skeptik që nesër do mund të votohet Qeveria e re

    Rashiq skeptik që nesër do mund të votohet Qeveria e re

    Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, tha se nuk është optimist, që më 15 prill – kur është caktuar seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës – të mund të formohet edhe ekzekutivi i ri.

    Këto deklarata ai i bëri pasi u regjistrua si deputet i legjislaturës së nëntë në Kuvendin e Kosovës.

    “Nuk jam optimist që nesër do të votojmë për Qeverinë”, tha Rashiq.

    Në seancën e 15 prillit, në rend dite është betimi i deputetëve dhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Rashiq tha se do të marrë pjesë në seancë dhe se do të votojë për kryeparlamentarin – që duhet të propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje – “nëse ka ndonjë propozim që është i arsyeshëm”.

    Rashiq, që aktualisht është ministër në detyrë për Kthim dhe Komunitete, tha se procesi i formimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurt, është një proces i gjatë.

    “Nuk është hera e parë që mund të ndodhë një ngërç i shkurtër. Ju rikujtoj se më 2014 kemi pasur një situatë të tillë, atëherë po ashtu kam qenë deputet, por pas dy-tre muajsh u zgjidh ajo krizë. Në këtë rast, po konsideroj që varianti më i mirë do të ishte që partia më e madhe të formojë qeverinë sepse çdo opsion tjetër do ta komplikonte procesin, qoftë të demokratizimit, qoftë të udhëheqjes qeveritare, qoftë të afrimit të Kosovës drejt BE-së. Prandaj, opsioni më i mirë në këtë moment është që partia më e madhe të marrë përgjegjësinë e udhëheqjes”, tha Rashiq.

    Ai ka fituar një ulëse nga dhjetë sa janë të rezervuara në Kuvendin e Kosovës për komunitetin serb. Nëntë të tjerat i ka fituar Lista Serbe, partia e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

    Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, fillimisht ka deklaruar se preferon të krijojë institucionet e reja me komunitetet joserbe, por së voni e ka pranuar se i duhet bashkëpunimi edhe me partitë shqiptare që kanë fituar ulëse në Kuvend.

  • ​Deputetët e Listës Serbe nuk tregojnë nëse do të marrin pjesë në seancën konstituive

    ​Deputetët e Listës Serbe nuk tregojnë nëse do të marrin pjesë në seancën konstituive

    Deputetët e Listës Serbe nuk janë deklaruar nëse do të marrin pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës dhe as nëse do të votojnë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, raporton KP.

    Pas përfundimit të procedurave të regjistrimit si deputetë të rinj, ata kanë refuzuar të përgjigjen pyetjeve të gazetarëve.