ATV

Author: ATVLive

  • Të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës kërkuan më shumë angazhim institucional

    Të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës kërkuan më shumë angazhim institucional

    Me rastin e 14 Prillit, Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës në Kosovë, të mbijetuarat kërkuan më shumë angazhim institucional, raporton Ekonomia Online.

    E mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfie Krasniqi, tha se shumë viktima i kontaktojnë, ndërsa Serbia vazhdon të mohojë krimet. Ajo kërkoi nga qeveria zgjatjen e mandatit të Komisionit për njohjen e statusit të viktimave.

    “Ka raste që nuk merren parasysh. Komisioni duhet të marrë masa ose të ndryshohet. Kam shumë viktima që na kontaktojnë neve. Serbia i mohon krimet në Kosovë. Lus qeverinë që të merr parasysh këto raste dhe t’i zgjatet mandati komisionit që të njihet statusi i viktimave. Ka qenë shumë e vështirë. Para se tregojë vetë Ramadan Nishori rastin më ka treguar mua. Më ka marrë në telefon dhe kemi qarë bashkë. Sot ndihem mirë që po marrin guximin të mos heshtin. Nuk është hera e parë që kam kërkuar që komisioni të njohë viktima që nuk merren parasysh. Komisioni duhet të marrë masa, ose të ndryshohet, ose të ketë diçka tjetër për të trajtuar ato raste dhe të aprovohen”, tha Krasniqi.

    Shyhrete Tahiri-Sylejmani vlerësoi mbështetjen e Presidentes dhe KRCT-së, por theksoi se qeveria duhet të bëjë më shumë për drejtësinë.

    “Mendoj se duhet të bëjmë më shumë. Mendoj se presidentja e Kosovës po bën më të mirën dhe ne duam ta falënderojmë për mbështetjen e saj. Dua të jem më specifike, sepse ajo është nga ato të rralla që na mbështet në çdo hap. Dua ta falënderoj edhe KRCT-në për përkrahjen. Siç e pamë sot, sot ishte një ditë shumë e veçantë, pasi një person i ri, një mik, një vëlla iu bashkua rrugëtimit tonë. Mendoj se qeveria duhet të punojë më shumë për drejtësinë. Në rastin tim, ata janë thjesht aty, pa bërë asgjë. Nuk mund të them nga këndvështrimi im se nuk ka shkuar mirë, ende jo, por mendoj se kanë nevojë për më shumë njerëz që të punojnë në këtë drejtim. Kjo është shumë e rëndësishme për ne. Dhe nëse nuk kemi drejtësi, nuk do të kemi paqe. Kjo është përgjigjja ime”, tha Sylejmani.

  • Limaj i përgjigjet Haradinajt për “ndarjen e turpshme”: S’ka marrëveshje që na ndalon të takohemi

    Limaj i përgjigjet Haradinajt për “ndarjen e turpshme”: S’ka marrëveshje që na ndalon të takohemi

    Kryetari i Nisma, Fatmir Limaj ka mohuar zërat që mund të ketë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se deri më tani nuk kanë marrëveshje me askënd.

    Ai u është përgjigjur edhe kritikave nga partneri i tij i koalicionit parazgjedhor, Ramush Haradinaj nga AAK.

    Limaj tha se nuk ka ndonjë dakordim që dikush mos me u taku.

    “Unë nuk kam asnjë shkresë nga askush dhe nuk kam parë ndonjë takim, ndonjë dakordim që dikush mos me u taku. Nëse ju keni parë ndonjë takim apo marrëveshje dhe unë kam munguar, atëherë keni të drejtë të thoni. Kushdo që ofrohet ne jemi të gatshëm e u ul me bisedu”, tha Limaj.

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj sot e quajti të turpshme sjelljen politike të Limajt, për të cilin tha se nuk ka pasur komunikim që nga “intervista e fundit e famshme”.

    “S’kam komunikim që nga intervista e fundit e famshme e z.Limaj. Ka qenë shumë e vështirë krijimi i shumicës nga opozita. Pozicionimi i tij i hershëm e ka bërë edhe më të vështirë. Nëse NISMA dhe Limaj mbështesin pushtetin, kuptohet që ndahen nga ne, por është një ndarje mjaft e turpshme sepse ne kemi kërkuar votën për ndryshim dhe sjellja e tyre dhe veprimi i tyre është mjaft i turpshëm. Me u sill në një mënyrë të tillë nuk është në rregull”, tha Haradinaj.

  • ​Kërkesa për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës deri në 2027

    ​Kërkesa për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës deri në 2027

    Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhje elektronike, në të cilën ka ndryshuar dhe plotësuar vendimin e Qeverisë me të cilin mandati i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, shtyhet deri më 15 maj 2028.

    Ndërkohë, me këtë ndryshim, afati për të parashtruar kërkesën për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës zgjatet deri me 15 maj 2027.

    “Pika 1.6 e Vendimit të Qeverisë Nr. 16/48 të datës 7.12.2020 zëvendësohet me këtë tekst: “znj. Kimete Haxholli, Udhëheqëse e Divizionit për Përpunim dhe Arkivim në IKKL”, thuhet në njoftim.

  • ​Kosova përfiton 5 milionë euro grant nga BERZH

    ​Kosova përfiton 5 milionë euro grant nga BERZH

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka nënshkruar sot marrëveshjen e grantit në vlerë prej 5 milionë euro, së bashku me drejtorin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Sergiy Maslichenko, dhe përfaqësuesin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, Bashkim Kurti.

    Sipas MF-së, ky grant është pjesë e projektit për zhvillimin e infrastrukturës së ujërave të zeza në rajonin e Mitrovicës, dhe parasheh ndërtimin e një impianti modern për trajtimin e ujërave të zeza, si dhe rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit ekzistues në komunat e Mitrovicës dhe Vushtrrisë, përfshirë edhe zonat përreth.

    “Projekti do të përmirësojë ndjeshëm kushtet e jetesës për rreth 123,000 banorë të kësaj zone, duke reduktuar ndjeshëm ndotjen mjedisore dhe duke kontribuar në mbrojtjen e burimeve ujore lokale nga shkarkimet e ujërave të zeza të patrajtuara. Deri më tani, vlera totale e financimit për këtë projekt arrin në rreth 38 milionë euro, ku granti prej 5 milionë euro është siguruar si rezultat i aplikimit të suksesshëm të Kosovës në Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Kjo marrëveshje është dëshmi e përkushtimit për zhvillim të qëndrueshëm, mbrojtje të mjedisit dhe garantim të shërbimeve cilësore për qytetarët”, thuhet në komunikatë.

  • Gjyqi i UÇK në Hagë! Prokuroria solli 125 dëshmitarë, tani është radha e mbrojtjes

    Gjyqi i UÇK në Hagë! Prokuroria solli 125 dëshmitarë, tani është radha e mbrojtjes

    Pas dy vjetësh e dëshmive të dhëna nga më shumë se 125 dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria e Specializuar, kësaj të fundit po i përfundon koha për të vërtetuar akuzat e saj ndaj ish-krerëve te UÇK-së.

    Tetorin e vitit 2020 u konfirmuan aktakuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen se kishin qenë pjesë e një “sipërmarrjeje të përbashkët kriminale” që shënjestronte ata që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë” për të “fituar pushtet” gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë.

    Avokatët e të akuzuarve kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj klientëve të tyre, duke argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë komande efikase. Në kohën e ngritjes së aktakuzës, Thaçi ka qenë president i Kosovës; Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK); Selimi, deputet dhe udhëheqës i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV); dhe Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës. Të katërt, sipas Prokurorisë, mbanin poste të larta edhe përgjatë kohës që mbulon aktakuza.

    Tani, pas intervestimit të 125 dëshmitarëve, Prokuroria do ta mbyllë çështjen e saj në 15 prill, thotë REL, do të jetë radha e ekipeve mbrojtëse, që të përpiqen të rrëzojnë pretendimet e organit të akuzës.

  • ​Krasniqi dhe Rexhepi pro Qeverisë Kurti

    ​Krasniqi dhe Rexhepi pro Qeverisë Kurti

    Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka bërë të ditur se grupi parlamentar i komuniteteve, të cilit i përket ai, do të mbështesë formimin e institucioneve të reja, përfshirë edhe qeverinë e tretë të mundshme të drejtuar nga Albin Kurti.

    Ai pas regjistrimit si deputet, theksoi se ky grup parlamentar mbështet qeverinë Kurti, duke u bazuar në rezultatin zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila sipas tij, përfaqëson shumicën shqiptare në Kuvend.

    “Ne jemi grupi parlamentar i komuniteteve. Në këtë grup do të jenë së paku edhe dy deputetë KDTP të partisë turke. Jemi 7 aktualisht, nënkuptojnë që… ne jemi për votimin e kryetarit të Kuvendit edhe të qeverisë. Ky grupi i deputetëve që jemi sot këtu, duke përfshirë edhe ata të KDTP-së, ne jemi për qeverinë Kurti për shkak se Kurti i ka fituar zgjedhjet edhe ka shumicën e shqiptarëve, edhe tash po i relativiozjmë numrat është 42.3, është shumë thujase sa të gjithë të tjerët bashkë”, ka thënë Krasniqi.

    Zëvendëskryeministrja në detyrë, Emilja Rexhepi është shprehur se e di se kush është kandidati për kryetar të Kuvendit, por sipas saj, kjo është diçka që duhet ta bëjë publike vetë kryeministri.

    “Neser votojmë kryetarin i parlamentit e shohim pastaj se si do të shkoj proceduara. Unë besoj që qeverinë Kurti 3 ta votojmë sa më shpejtë. Ne e dimë (se kush është kandidat për kryetar të Kuvendit) por këtë kryeministri duhet ta thotë. Jo mua asnjë nuk me ka ftuar”, ka thënë Rexhepi.

    Përndryshe, sot janë regjistruar edhe deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe së shpejti do të nënshkruhet edhe ata të Nismës Socialdemokrate.

  • Autobusi prishet në Serbi, raportohet se rreth 70 udhëtarë që po udhëtonin nga Gjermania për në Kosovë janë në pritje të autobusit tjetër

    Autobusi prishet në Serbi, raportohet se rreth 70 udhëtarë që po udhëtonin nga Gjermania për në Kosovë janë në pritje të autobusit tjetër

    Rreth 70 udhëtarë që po vinin nga Gjermania për në Kosovë kanë mbetur në Serbi, disa kilometra larg pikës kufitare në Merdar, pasi autobusi me të cilin udhëtonin pësoi prishje gjatë rrugës.

    Dukagjini nga burimet e veta merr vesh se në dalje të Rudares ka ndodhur prishja e autobusit, ndërsa në mesin e udhëtarëve ka edhe gra e fëmijë.

    Kompania është kontaktuar nga Dukagjini dhe të njëjtit e kanë konfirmuar rastin dhe kanë njoftuar se autobusit të prishur do t’i dërgohet menjëherë zëvendësimi – pasi është disa minuta larg kufirit – në mënyrë që udhëtarët të vazhdojnë udhëtimin për në Kosovë.

  • Zelensky: Nëse nuk ndalet, Rusia do të nisë Luftën e Tretë Botërore

    Zelensky: Nëse nuk ndalet, Rusia do të nisë Luftën e Tretë Botërore

    Rusia do të përshkallëzojë luftën e saj në Ukrainë dhe do të shkaktojë një konflikt global nëse nuk ndalet së shpejti, ka paralajmëruar presidenti ukrainas Volodymyr Zekensky.

    Presidenti i Ukrainës po fliste për gazetën amerikane CBS përpara sulmit shkatërrues të Rusisë në Sumy, i cili vrau 34 persona.

    “Nëse nuk qëndrojmë të vendosur, ai do të përparojë më tej”, citohet të ketë thënë Zelensky.

    “Nuk janë thjesht spekulime të kota; kërcënimi është real. Qëllimi përfundimtar i (Vladimir) Putinit është të ringjallë perandorinë ruse dhe të rimarrë territoret aktualisht nën mbrojtjen e NATO-s. Duke marrë parasysh të gjitha këto, unë besoj se mund të përshkallëzohet në një luftë botërore”, ka thënë më tej ai.

    Ai shtoi: “Nuk do të ketë një vend të sigurt, nuk do të ketë një vend të sigurt për (askënd)”.

    Ndryshe, kujtojnë mediat e huaja, Steve Witkoff, i dërguari i posaçëm i Donald Trump, ka kërkuar të mbajë kanalet diplomatike të hapura me Rusinë, duke pretenduar muajin e kaluar se Putini “dëshiron paqe”.

    Kur u pyet për ambiciet territoriale të presidentit rus përtej Ukrainës, Witkoff u përgjigj: “Unë thjesht nuk shoh se ai dëshiron të marrë të gjithë Evropën”.

  • ​Filmi “Minecraft” kalon 500 milionë dollarë të ardhura

    ​Filmi “Minecraft” kalon 500 milionë dollarë të ardhura

    Adaptimi në ekran i lojës video nga Warner Bros dhe Legendary, me vlerësim PG (Mbikëqyrje prindërore), është padyshim në rrugën e tij drejt kufirit të paarritshëm prej 1 miliard dollarësh, pasi shitjet e biletave kaluan 500 milionë dollarë pas dy fundjavave nga dalja në kinema, raporton revista Variety.

    Deri tani, “Minecraft” ka gjeneruar një shumë të madhe prej 550.6 milionë dollarësh globalisht, duke përfshirë 269.6 milionë në arkën ndërkombëtare dhe 281 milionë në SHBA. Është tashmë filmi me fitimet më të larta të vitit, duke lënë pas “Captain America: Brave New World” të Disney dhe Marvel, i cili ka arkëtuar 213 milionë ndërkombëtarisht dhe 410 milionë globalisht pas nëntë javësh në ekran.

    Gjatë fundjavës, “A Minecraft Movie” shtoi edhe 79.6 milionë dollarë nga 76 tregje ndërkombëtare, me një rënie prej 45% krahasuar me debutimin e saj jashtë vendit. Tregjet kryesore përfshijnë Mbretërinë e Bashkuar (39.8 milionë dollarë), Kinën (20.3 milionë), Gjermaninë (18.9 milionë) dhe Meksikën (18.7 milionë).

    Thrilleri i Disney dhe 20th Century, “The Amateur,” për hakmarrjen e një agjenti të CIA-s, pati nisjen më të fortë mes premierave të reja, me 17.2 milionë dollarë nga 52 tregje. Franca ishte tregu me më shumë të ardhura (1.6 milionë dollarë), e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar dhe Meksika me nga 1.4 milionë secila. “The Amateur”, me Rami Malek në rolin e një analisti të CIA-s që ndjek terroristët që i vranë gruan, u hap në Amerikën e Veriut me 15 milionë dollarë për një nisje globale prej 32.2 milionë. Këto shitje fillestare janë më të larta se sa pritej, por me një buxhet prodhimi prej 60 milionë dollarësh, “The Amateur” ka nevojë për qëndrueshmëri në arkë për të justifikuar investimin, transmeton KosovaPress.

    Një tjetër premierë e re, filmi horror i Universal dhe Blumhouse, “Drop”, dështoi në debutimin ndërkombëtar me vetëm 2 milionë dollarë nga 47 tregje. Filmi pati (pak) më shumë audiencë në Amerikën e Veriut me 7.7 milionë dollarë, duke e çuar totalin global në 10 milionë. Fatmirësisht, “Drop” ka marrë vlerësime të mira dhe ka kushtuar vetëm 11 milionë dollarë, kështu që nuk ka nevojë për shumë për të hyrë në fitim. Aktorja e njohur nga “The White Lotus”, Meghann Fahy, luan rolin e Violet, një nënë e ve që merr mesazhe telefonike gjithnjë e më kërcënuese dhe djallëzore gjatë një takimi të parë me një burrë të quajtur Henry (i luajtur nga Brandon Sklenar nga “It Ends With Us”).

  • Arabia Saudite konfirmon: Haxhi nuk do të mbahet më në verë deri në vitin 2041

    Arabia Saudite konfirmon: Haxhi nuk do të mbahet më në verë deri në vitin 2041

    Arabia Saudite përgatitet për pelegrinazhin e fundit veror përpara kalimit në stinët më të freskëta, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Insajderi.

    Qendra Kombëtare Meteorologjike e Arabisë Saudite ka konfirmuar se Haxhi i vitit 2025 do të jetë hera e fundit që ky pelegrinazh i rëndësishëm zhvillohet gjatë sezonit të nxehtë veror—të paktën për 16 vitet e ardhshme.

    Ky ndryshim vjen si rezultat i kalendarit hënor islam, i cili zhvendoset rreth 10 ditë më herët çdo vit.

    Si pasojë, duke nisur nga viti 2026, Haxhi do të zhvendoset gradualisht në stinën e pranverës dhe do të vazhdojë të bie në dimër deri në vitin 2041. Kushtet e nxehta të verës nuk do të rikthehen deri në vitin 2042, kur cikli kalendarik do të përsëritet.

    Ky lajm sjell lehtësim pas shumë viteve me temperatura ekstreme gjatë Haxhit.

    Në vitin 2024, në Mekë u regjistruan temperatura deri në 51°C, duke shkaktuar mbi 2,700 raste të goditjeve nga dielli brenda një dite të vetme, si dhe disa viktima.

    Nga viti 2026 deri më 2033, Haxhi do të zhvillohet gjatë pranverës, ndërsa nga 2034 deri më 2041 në dimër—duke ofruar kushte më të buta për miliona pelegrinë që udhëtojnë drejt vendit të shenjtë.

    Duke qenë të vetëdijshëm për rreziqet që sjell nxehtësia, autoritetet saudite kanë shtuar përpjekjet për të mbrojtur pelegrinët. Këto masa përfshijnë ndërtimin e zonave të hijëzuara, stacione ujitjeje, njësi ftohëse mobile, si dhe fushata ndërgjegjësimi për sigurinë nga nxehtësia.

    Vetëm në vitin 2024, u hapën 33 stacione të reja meteorologjike dhe u përdorën radarë mobil për të monitoruar në kohë reale kushtet atmosferike në vendgrumbullimet e pelegrinëve.

    Rreth 1.8 milionë pelegrinë pritet të marrin pjesë në Haxhin e vitit 2025.

    Autoritetet saudite janë në gatishmëri të lartë për ta menaxhuar këtë sezon të fundit të nxehtë, me shpresën se Haxhet e ardhshme do të jenë më të rehatshme, më të sigurta dhe më të qëndrueshme për të gjithë.