ATV

Author: ATVLive

  • Pa viza, të hënën në orën 8:00 të mëngjesit bëhet fluturimi i parë

    Pa viza, të hënën në orën 8:00 të mëngjesit bëhet fluturimi i parë

    Kanë mbetur një orë nga liberalizimi i vizave, ku qytetarët e Kosovës do të kenë të drejtë të udhëtojnë pa viza në 27 vende të zonës Shengen.

    Fluturimi i parë i kosovarëve do të jetë të hënën në orën 8:00 të mëngjesit. Një fluturim tjetër i veçantë të hënën do të jetë do të jetë me fillim nga ora 10:30.

    Kjo pasi Qeveria e Kosovës në kuadër të fushatës informuese e ka organizuar udhëtimin e parë pa viza për fituesit me fat nga kuizi i BE-së.

    Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, do të urojnë dhe përshëndesin qytetarët e parë që do të udhëtojnë pa viza, dhe do të mbajnë konferencë për media.

  • Presidentja Osmani me portret familjar uron Vitin 2024

    Presidentja Osmani me portret familjar uron Vitin 2024

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka uruar Vitin e Ri 2024 me një portret familjar.

    Viti 2024 qoftë i mbushur me shëndet, dashuri e suksese shkruan, presidentja Osmani.

  • Urimi i Edi Ramës për Vitin e Ri me një video të krijuar përmes inteligjencës artificiale

    Urimi i Edi Ramës për Vitin e Ri me një video të krijuar përmes inteligjencës artificiale

    Në natën e ndërrimit të viteve, Kryeministri Edi Rama uroi mbarë shqiptarët për një vit të mbarë, meshëndet, paqe e dashuri, si dhe me mundësi të reja për realizimin e ëndrrave dhe përmbushjen e shpresave.

    Këtë herë, urimi tradicional i fundvitit u shoqërua me një video të krijuar nga Departamenti i Inteligjencës Artificiale të AKSHI-t, dëshmi se progresi teknologjik, ashtu si në mbarë botën, po shënon një fazë të rëndësishme edhe për Shqipërinë.

  • Kurti, Konjufca e Sveçla i shkojnë në konak Hetemit

    Kurti, Konjufca e Sveçla i shkojnë në konak Hetemit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga kryetari i kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq i kanë shkuar në konak kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemit.

    Kurti theksoi se Hetemi u tregoi për punët e mira që po bëhen në komunën e Leposaviqit, për rregullin e vendosur, planet zhvillimore dhe korrektësinë e praktikuar.

    “Para tri ditëve, kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, doli nga zyra e tij dhe e vizitoi kryetarin e komunës veriore të Mitrovicës, Erden Atiqin. E ky ia ktheu sonte vizitën në shtëpinë e Lulzimit ku ishin mbledhur familja e gjerë e tij. Me Erdenin ishim edhe ne: Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe, unë”, shkroi Kurti.

    “Na njoftoi për aq shumë palë që i pret gjatë ditës, përditë, çdo orë. Ua dëgjon me vëmendje ankesat e kërkesat dhe i shqyrton ato me seriozitet e i trajton me shpejtësi. Serbishtja e tij nuk është aq e mirë, ashtu qysh nuk është e mirë as shqipja e serbëve në Leposaviq, mirëpo shumë mirë po merren vesh sepse e kanë qëllimin e mirë, interesimin e njëmendtë dhe interesin e përbashkët për mirëqenie dhe të drejta për të gjithë qytetarët pa dallim. Lulzim Hetemi është udhëheqës i drejtë dhe punëtor”, shtoi tutjej shefi i qeverisë.

    “Në festën e Vitit të Ri në gjirin familjar ishin edhe Kosovarja, vajza e Kryetarit, dhe Albaniku, të dy mbesë e nip të dëshmorës Fatime Hetemi, e që pardje u bënë pjesë e 325 rekrutëve të rinj të cilët iu bashkuan ushtrisë sonë, Forcës së Sigurisë së Kosovës”.

    Ai theksoi se pasi e kanë përfunduar vizitën, Hetemi është kthyer në zyrën e tij në Leposaviq.

    “Pas kësaj vizite sonte në familjen e Lulzim Hetemit, ne u kthyem në Prishtinë për të vazhduar festën, ndërkaq ai u nis për në zyrën e tij në Leposaviq për të punuar dhe festuar me disa kolegë të tij si dhe me policët tanë e ushtarët e KFOR-it amerikan”.

    “Viti 2023 ishte fort i veçantë për Lulzim Hetemin: nuk ia ka marrë mendja që do të bëhet kryetar komune e mandej aq më pak që do ta pres ndërrimin e motmoteve si kryetar komune. Kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, është kryetari më i rëndësishëm, jo vetëm në Kosovë, jo vetëm i komunës. Gëzuar 2024!”.

  • ATV-ja, televizioni bindshëm më i shikuar në Kosovë

    ATV-ja, televizioni bindshëm më i shikuar në Kosovë

    ATV mbyll vitin 2023 me rekord të video shikimeve të përmbajtjes në facebook.

    Të dhënat janë bazuar në analizat e CrowdTangle, ndërsa ky sukses i ATV-së është reflektim i strategjisë së shkëlqyer dhe përmbajtjes së përshtatshme të ofruar për shikuesit dhe ndjekësit e vet.

    Le të jetë ky sukses i jashtëzakonshëm dhe ky pozicion i palëkundur i ATV-së një dhuratë për shikuesit e vet dhe të gjithë shqiptarët kudo janë, për Vitin e Ri 2024!

  • Osmani uron qytetarët për 2024: Qoftë vit i arritjeve pozitive

    Osmani uron qytetarët për 2024: Qoftë vit i arritjeve pozitive

    Presidentja Vjosa Osmani uron qytetarët e Kosovës me rastin e ndërrimit të mot-motit duke thënë se 2024-ta të jetë një vit në të cilin të gjithë do të ndihen të vlerësuar, duke mos u zmbrapsur përpara sfidave dhe duke përmbushur aspiratat si shoqëri dhe shtet.

    Ajo ka thënë se 2023-ta ishte një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe shpirtit të palëkundur kundrejt sfidave, teksa 2024-ta është mundësi e mirë për të hapur perspektivë të re për të gjithë, për ta rritur shpresën, besimin dhe angazhimin se krahas me ndryshimin e viteve, do të jemi më mirë se në vitin e mëparshëm.

    “Të përkushtohemi që 2024-ta, të jetë vit në të cilin dëgjohet secili, vit në të cilin të gjithë do të ndihemi të vlerësuar e të përmbushur. Viti që po vjen, qoftë vit i përmbushjes së aspiratave tona si shoqëri dhe si shtet. Përpara sfidave nuk duhet të zmbrapsemi, por duhet të synojmë t’i arrijmë lartësitë.

    Urojmë që ky vit i ri t’i sjellë të gjitha të mirat për të gjithë qytetarët tanë. Më shumë dashuri për të vegjlit tanë, më shumë suksese për rininë tonë, më shumë begati për punëtorët e pensionistët tanë dhe më shumë kujdes, humanizëm e solidaritet për të pambrojturit dhe për ata që kanë më së shumti nevojë”, ka thënë Osmani.

    E para e shtetit tonë një falënderim të veçantë ka për të gjithë ata që në këtë natë ndërrimi të mot-motit kujdesen për shëndetin dhe sigurinë e vendit tonë, si dhe për të gjithë të tjerët në krye të detyrës.

    “Viti 2024 qoftë i mbushur me shëndet, dashuri, suksese dhe shkëlqim në të gjitha fushat. Qoftë vit arritjesh pozitive, ku veprat flasin më shumë se fjalët, ku mundësitë janë pafund e ku gëzimi, mbarësia dhe hareja na rrethojnë në çdo anë! Shumë urime për vitin 2024! Gëzuar!”, përfundon urimi i presidentes Osmani.

  • Në arrest shtëpie, Berisha uron Vitin e Ri: Shqipëria humbi shumë këtë vit, dua të jap mesazh shprese

    Në arrest shtëpie, Berisha uron Vitin e Ri: Shqipëria humbi shumë këtë vit, dua të jap mesazh shprese

    GJKKO vendosi ditën e djeshme, 30 dhjetor, masën e sigurisë “arrest shtëpiak” për ish-kryeministrin Sali Berisha. Këtij të fundit nuk i lejohet as komunikimi me persona të tjerë, ndërsa do të kontrollohet periodikisht nga një oficer policie.

    Sot më 31 dhjetor, në natën e ndërrimit të viteve, Berisha uron gjithë shqiptarët përmes një postimi në Facebook.

    “Kjo natë magjike e ndërrimit të viteve, është nata e dashurisë, mirënjohjes dhe shpresës”, shkruan Berisha.

    Në urimin e tij, Berisha shpreh keqardhje dhe thotë se Shqipëria i është rikthyer rrugës së diktaturës.

    Por, sipas tij, shpresa është magjia e kësaj nate. Ai thotë se kurrë nuk do të dorëzohet së luftuari për të vërtetat që beson për Shqiprinë.

    Mesazhi i Berishës:

    Mesazh urimi për Vitin e Ri

    Të dashur qytetetarë dhe qytetare shqiptarë.

    Gëzuar vitin e ri 2024, kudo që po festoni sonte. Në vatrat tuaja familjare, në lokale, clube, udhëtime, spitale apo institucione të vuajtjes të dënimit. Kjo natë magjike e ndërrimit të viteve, është nata e dashurisë, mirënjohjes dhe shpresës.

    Për shumicën e shqiptarëve, mirënjohja dhe shpresa, mund të jenë të vështira në mbyllje të një viti si ky që po lejmë pas.

    Shqipëria nuk është më e njëjta. Vendi ynë është nxjerrë nga rruga e demokracisë dhe i është rikthyer udhës qorre të dikurshme. Diktaturës! Në retrospektivë Shqipëria humbi shumë këtë vit.

    Shqipëra u nda perfundimisht me votën e lirë. Në 2023 pamë një fushatë elektorale që nisi me tritol, u kontrollua nga bandat, dhe u mbyll me arrestime politike.

    Shqipëria humbi pluralizmin. Në 2023 pamë luftën më të egër ndaj opozitës që nga koha e Enver Hoxhës. Opozitës ju vodh logo e partisë. Ju ndalua emri i kryetarit në fletën e votimit. Dhe kreu i tyre u burgos, pa prova apo fakte.

    Opozites ju mohua e drejta kushtetuese e kontrollit mbi qeverisjen. Shqipëria humbi Parlamentarizmin. Humbi demokracinë.

    Mirënjohja dhe shpresa mund të jenë të vështira, në kohë si këto.

    Mirënjohja dhe shpresa mund të jenë të vështira, në vitin e 2 që Shqipëria ka më shumë vdekje se sa lindje.

    Mirënjohja dhe shpresa mund të jenë të vështira, në një kohë kur 81% e shqiptarëve duan të largohen.

    Por sonte unë dua ti jap çdo shqiptari një mesazh shprese. Sepse ne fakt shpresa është magjia e kësaj nate. Viti i ri është festa e fillimit të ri. Është festa e rikthimit të shpresës. Është festa që na kujton, se nuk ka të keqe të pafundme. Se gjithmonë ka një kohë më të mirë.

    Ky vit, pati të mirat e veta.

    Ky ishte viti ku nga errësira ne sollëm në dritë të vërtetën. Prandaj çdo demokrat sonte duhet të jetë krenar, dhe çdo shqiptar duhet të ketë shpresë. Sepse çdo e keqe sjell një të mirë.

    Zgjedhjet e 2023 ishin si ato të Rusisë së Putinit. Por 600.000 shqiptarë me votën e tyre na dhanë mesazhin se ka shpresë.

    Parlamenti shqiptar sot është si ai i Bjellorusisë së Lukashenkos. Por 43 deputetë qëndrestarë dhanë mesazhin se ka shpresë.

    U burgos padrejtësisht kreu i opozitës. Por ky është veçse inspirim sepse tregon se regjimi ka frikë. Prandaj do ju kujtoj se Sali Berisha kurrë nuk do dorëzohet së luftuari për të vërtetat që beson për Shqipërinë. Nuk do dorëzohet së luftuari për të rinjtë që largohen, për fermerët e braktisur, per minatorët e harruar, për arsimtarët me rrogat më të ulëta në rajon, për artistët që drejtohen nga patronazhistët, për mjekët e vjedhur nga koncesionet që zgjidhje të vetme shohin largimin, për intelektualët që mediat e reigjimit i kanë zëvendësuar me gramafonë të paguar, për ish-pronarët që shohin se si u vidhen pronat nga familjarët e ministrave si “investitorët strategjikë”, për studentët qe nuk shohin siguri për të ardhmen, për prodhuesit, mundi dhe djersa e të cilëve është shkatërruar nga paraja e zezë a narkotrafikut, për pensionistët që nuk kanë mundësi të blejnë as ilaçet, për të varfërit, të papunët dhe të majtët e tradhëtuar.

    Sepse në këtë diktaturë të re, ku shqiptarët janë të tradhëtuar nga të gjitha anët, antikomformistet, guximtarët dhe qëndrestarët janë shpresa e vetme për Shqipërinë.

    Dhe për të gjithë ata që mund ta kenë të vështirë të shohin dritë në këtë kohë të errët, kam vetëm një fjali për ta. Një shprehje të pavdekshme nga Nelson Mandela:

    “Çdo gjë duket e pamundur… deri sa realizohet.”

    Shqiptarët do të triumfojnë këtë vit të ri. Misioni ynë hyjnor për shpëtimin e Shqipërisë do realizohet.

    Prandaj uroj çdo shqiptar të hyj në 2024 krenarë, i buzëqeshur dhe me dy gishtat lartë. E ardhmja u takon atyre që guxojnë! Gëzuar miq. Gëzuar vitin e ri, 2024!

  • “Çmime të arsyeshme”- Sa po kushton nafta në ditën e fundit të 2023-ës

    “Çmime të arsyeshme”- Sa po kushton nafta në ditën e fundit të 2023-ës

    Në ditën e diel (31 dhjetor) çmimi I naftës dizel po lëviz nga 1.30-1.39 centë. Ndërkaq, benzina 1.26-1.30 centë.

    Kështu ka bërë të ditur kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, duke thënë se viti 2023 po lihet pas me çmime të arsyeshme.

    “Po e lam vitin 2023 me qmime te arsyshme: Dizelli 1.30 cent deri 1.39 cent, Benzina 1.26 cent deri 1.30 cent. Me shpres qe ne vitin 2024 trendi i ramjes te derivateve te jet ne ramje”, ka thënë ai.

    “Ne emer tim personal dhe te shoqates se naftarve te kosoves ju uroj vitin e ri 2024. Suksese Shendet . Vitin qe e lam pas ishte me shum sfida dhe problem. Deshiroj qe viti 2024 te jet ma i favorshem per ne”, ka thënë ai.

    Tutje, Berjani ka thënë se do të jetë me shpresë se tregu kosovar do t’i ketë çmimet më të ulëta në rajon.

    Më tej, ai thotë se derivate ka mjaftueshëm në Kosovë.

  • Mehaj tregon shifrën se sa u investuan në blerjen e sistemeve të armatimeve për dy vite

    Mehaj tregon shifrën se sa u investuan në blerjen e sistemeve të armatimeve për dy vite

    Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj përmes një grafike ka bërë të ditur se që nga vitit 2021 e deri më 2023, investimet në blerjen e sistemeve të armatimit kanë kaluar mbi 292 milionë euro.

    Ai është shprehur se të arrihet ky investim në Ushtrinë e Kosovës, sipas tij, ka qenë objektivi kryesor gjatë drejtimit të Ministrisë së Mbrojtjes.

    “Me arritë këtë investim në ushtrinë e Kosovës, ka qenë objektivi ynë kryesore gjatë drejtimit të Ministrisë së Mbrojtjes (mars 2021-gusht 2023). Jam i lumtur që gjatë periudhës 2021-2023 për fushën e mbrojtjes janë arritur shifra të larta të investohen në blerjen e armatimit për nevojat e ushtrisë së Kosovës”.

    “Kjo është arritur fal punës sonë, bashke me Kabinetin tim, Shtabin e FSK-së, personelin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe fal përkrahjes të kryeministrit Albin Kurti. Në këtë zinxhir të bashkëpunimit nuk harrojmë as aleatet tonë të NATO-së në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe marrëveshjet shtet me shtet që i bëra gjatë mandatit”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

    Mehaj u shpreh se Kosova duhet të anëtarësohet në NATO sepse, sipas tij kjo është siguri për vet NATO-n.

    “Kosova, duhet të anëtarësohet në NATO sepse kjo është siguri për vet NATO-në, Ballkanin dhe Republikën e Kosovës. Uroj që objektivat e fushës së mbrojtjes të i arrinë edhe me tytje nga 2024. Konsideroj se e kam kryer një pjesë të amanetit në drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe falënderoj dëshmorët e kombit, familjet e tyre, veteranët dhe invalidet e luftës”.

    “Uroj vitin e ri 2024 gjithë shqiptarëve ku do që janë dhe vendeve tona partnere, me shpresën për paqe, siguri e stabilitet në gjithë botën. Një fjalë e urtë popullore thotë: “punë shumë, e fjalë pak” e konsideroj se populli është vlerësuesi me i drejte i punës sime dhe punës sonë në shërbim të popullit”.

    “Në vizitë që ju kam bërë mbi 500 familjeve të dëshmorve gjithandej Kosovës dhe shqiprisë, kam theksuar se misioni im i vetëm është forcimi i ushtrisë së Kosovës, objektiv të cilën e kemi arritur si asnjëherë me parë. Atëherë kur e kërkon populli dhe shteti, unë si asnjëherë me parë jam i gatshëm të i shërbej atdheut tim”, ka shkruar tutje Mehaj.

  • Franca dhe Gjermania rrisin sigurinë përpara festimeve të Vitit të Ri mes frikës së sulmeve terroriste

    Franca dhe Gjermania rrisin sigurinë përpara festimeve të Vitit të Ri mes frikës së sulmeve terroriste

    Franca dhe Gjermania kanë shtuar sigurinë në prag të festimeve të Vitit të Ri pas paralajmërimeve se konflikti i vazhdueshëm midis Izraelit dhe Hamasit ka rritur rrezikun e sulmeve terroriste, shkruan CNN.

    Policia në qytetin gjerman të Këlnit po shton forcat e saj pas një raportimi se grupet islamike mund të planifikojnë një sulm në katedralen e famshme të qytetit në natën e Vitit të Ri.

    Oficeri Martin Lotz tha në një konferencë për shtyp mbi oficerët që mbanin automatikë dhe mbanin jelekë mbrojtës do të vendoseshin në qytet.

    Katedralja e qytetit njoftoi se do të hapet vetëm për shërbimet e kishës deri në njoftimin e mëtejshëm “për shkak të situatës aktuale të sigurisë”, sipas një deklarate të postuar në mediat sociale.

    Ndërkohë, në Berlin, policia po përpiqet të rrisë ndërgjegjësimin për rreziqet e fishekzjarreve përmes kanaleve të mediave sociale.

    “Mos na sulmoni. Mos na qëlloni me fishekzjarre dhe raketa. Shmangni dënimet ose disa vite burgim”, paralajmëroi policia e Berlinit në një video të publikuar në X, e njohur më parë si Twitter, në prag të natës së Vitit të Ri.

    Shqetësimet janë shtuar pasi festimet e Vitit të Ri të vitit të kaluar në Berlin u shndërruan në trazira të dhunshme. Disa u plagosën, duke përfshirë oficerë policie dhe zjarrfikës të cilët thanë se fishekzjarrët ishin drejtuar qëllimisht kundër tyre. Mjetet piroteknike ndezën edhe zjarre në rrugë.

    “Kërcënim shumë i lartë terrorist”

    Ndërkohë, Franca do të vendosë 90,000 oficerë pasi vendi përballet me “kërcënim shumë të lartë terrorist”, tha të premten Ministri i Brendshëm francez Gérald Darmanin.

    “Kam kërkuar një mobilizim shumë të fortë të policisë dhe xhandarëve tanë në një kontekst të një kërcënimi shumë të lartë terrorist, natyrisht për shkak të asaj që po ndodh në Izrael dhe Palestinë,” u tha Darmanin gazetarëve.

    Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme franceze, numri i policëve të mobilizuar është afërsisht i njëjtë me atë për natën e Vitit të Ri vitin e kaluar.

    Përveç kërcënimeve terroriste, Franca tradicionalisht sheh një rritje të shkeljeve të vogla, veçanërisht djegies së makinave, ndërsa njerëzit festojnë ardhjen e Vitit të Ri.

    Siguria e përforcuar vjen pasi masa të ngjashme u vendosën në disa vende evropiane përpara natës së Krishtlindjes.

    Vendet, duke përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Austrinë, rritën kontrollet e sigurisë dhe mbrojtjen për kishat përpara meshës dhe festimeve të natës së Krishtlindjes.

    Më herët në dhjetor, katër anëtarë të dyshuar të Hamasit të dyshuar për planifikimin e sulmeve terroriste në tokën evropiane u arrestuan nga autoritetet gjermane dhe holandeze.