ATV

Author: ATVLive

  • Kurti në fjalën e fundit të vitit: Çdo marrëveshje që do të nënshkruhet me Serbinë do të jetë në të mirë të vendit tonë

    Kurti në fjalën e fundit të vitit: Çdo marrëveshje që do të nënshkruhet me Serbinë do të jetë në të mirë të vendit tonë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në adresimin e tij të fundvitit ka folur për marrëdhëniet e ngushta të vendit me aleatët ndërkombëtarë dhe procesin e dialogut për normalizim të raporteve me Serbinë.

    Përmes një videomesazhi të publikuar në Facebook, Kurti ka thënë se Kosova ka bashkëpunim me aleatët në procesin e normalizimit me Serbinë me synim për të sjellë paqe e siguri dhe “për ta hequr barrën që do ta ngadalësojë rritjen e prosperitetin tonë”.

    “Do të doja të siguroja qytetarët se çdo marrëveshje që do të nënshkruhet me Serbinë do të jetë në të mirë të vendit tonë dhe nuk do të kërcënojë sigurinë dhe integritetin territorial, kushtetutshmërinë e rendin ligjor të vendit tonë”, ka thënë Kurti, shkruan Sinjali.

    “Kosova jonë është në prag të një të ardhme që është më afër asaj se çka meritojmë dhe për të cilën kemi punuar intenzivisht”.

    Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë e kishin arritur më 27 shkurt të këtij viti kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Ndërsa, më 18 mars ishin pajtuar në Ohër për aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

    Por, ato marrëveshje nuk u nënshkruan pasi një gjë e tillë u refuzua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Mes tjerash marrëveshja kërkon respektimin e integritetit territorial mes palëve ndërsa neni 4 i saj, i cili tash është problematik për Serbinë, parasheh që Serbia të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

  • Lajçak: Presim që zgjedhjet e reja lokale në veri të shpallen sa më shpejt

    Lajçak: Presim që zgjedhjet e reja lokale në veri të shpallen sa më shpejt

    “Presim që zgjedhjet e reja lokale në veri të Kosovës të shpallen pa vonesa të mëtejshme”.

    Kështu tha Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në një intervistë për Politika.

    Lajçak beson se funksionalizimi i plotë i përfaqësuesve lokalë në veri të Kosovës është i domosdoshëm për deeskalimin e situatës dhe për procesin më të gjerë të normalizimit.

    “Është e nevojshme edhe për vazhdimin e krijimit të bashkësisë së komunave me shumicë serbe”, tha Lajçak për Politika.

    “Më vjen keq që regjistrimi i grupeve nismëtare fillimisht u përball me pengesa të papritura administrative, por që atëherë kam marrë garanci nga Kosova se këto probleme do të zgjidhen së shpejti në mënyrë që mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve të fillojë menjëherë”, tha Lajçak

    Ai ka thënë se situata në Kosovë është e brishtë dhe se nuk mund të kemi njëkohësisht përshkallëzim apo tensione dhe progres në normalizimin e marrëdhënieve.

    Ai gjithashtu theksoi se dialogu është platforma e vetme për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura.

  • Pa viza, Aeroporti i Prishtinës përgatitet për fluks më të madh të udhëtarëve

    Pa viza, Aeroporti i Prishtinës përgatitet për fluks më të madh të udhëtarëve

    Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ka shënuar rritje të fluturimeve mbi 4% më shumë në krahasim me vitin 2022, duke kapur shifrën prej 40 mijë fluturime për vitin 2023. Po ashtu, për herë të parë në historinë e aeroportit, kanë udhëtuar rreth 3.4 milionë udhëtarë, si dhe këto shifra udhëtimesh priten të rriten gjatë këtij viti me liberalizimin e vizave për Kosovën. Aeroporti e sheh veten të përgatitur për këtë numër të udhëtarëve, por se janë duke investuar edhe në hapësira të reja për çfarëdo fluksi tjetër të mundshëm.

    Ndërsa, sa i përket liberalizimit të vizave, qytetarët janë shprehur të lumtur për këtë mundësi që tashmë e ka Kosova. Kurse, agjencionet turistike kanë thënë se procedura për udhëtime tashmë do të jetë shumë më e lehtë.

    Zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara ka thënë për KosovaPress, se janë duke shtuar linja ajrore dhe destinacione të reja.

    Gara u ka bërë thirrje të gjithë udhëtarëve që dëshirojnë të udhëtojnë pa viza, të përgatisin të gjitha dokumentet e nevojshme në mënyrë që mos t’i anulohet fluturimi për mungesë të ndonjë dokumenti.

    Ndërkaq, qytetarët shprehen të lumtur për mundësin e udhëtimit pa viza. Ata thanë se Kosova e ka merituar liberalizimin e vizave dhe se do të vizitojnë të gjithë familjarët e tyre jashtë vendit.

    Elbasan Muja tha se Kosova ka qenë i vetmi vend pa liberalizim të vizave.

    Aferdita Zyliu tha se është e lumtur për heqjen e vizave dhe se shkon mysafir në Gjermani.

    Në anën tjetër, në Agjensionin Turistik “Fibula”, kanë thënë për KosovaPress, se heqja e vizvaë është lehtësim i madh si për qytetarët, ashtu edhe për vet ata.

    Fetije Sipahi nga kjo agjensioni, tha se qytetarët tashmë për udhëtime jashtë vendit, me liberalizimin e vizave do të paguajnë 100 euro më pak.

    Sipahi tha se rezervime më shumti ka për Gjermani dhe Zvicërr.

    Sipas të dhënave nga Aeroporti i Prishtinës, totali i udhëtarëve për vitin 2022, ishte mbi 2 milionë, si dhe destinacionet më të frekuentuara kanë qenë Gjermani dhe Zvicërr.

  • Sa shpenzojnë qytetarët dhe ku do ta presin natën më të hareshme të vitit?

    Sa shpenzojnë qytetarët dhe ku do ta presin natën më të hareshme të vitit?

    Pritja e ndërrimit të mot-motit është një ndjesi e veçantë, por për shumicën e qytetarëve nuk festohet njëjtë si vitet e kaluara. Qytetarët thonë se nuk shpenzojnë shumë për shkak të kushteve të rënduara ekonomike.

    Megjithatë disa restorante dhe klube të ndryshme në kryeqytet planifikojnë natë festive nga 30 dhjetori deri më 4 janar 2024, me oferta të ndryshme dhe këngëtarë të famshëm.

    Qytetari Agim Fushtica thotë për KosovaPress, se ai shpenzon vetëm për dhurata për fëmijët, teksa shton se nuk është e njëjta atmosferë si përpara.

    Ndërsa Ali Zhushi thotë se do të shpenzojë sipas mundësive, derisa Vitin e Ri do ta presë me të shoqen.

    Bajram Gashi thotë se shpenzon deri diku për festa, teksa Vitin e Ri do ta presë në shtëpi.

    Ruzhdi Cakiçi ankohet për pagat e ulëta teksa standardi i jetës është rritur dhe shpenzimet janë të mëdha.

    Një qytetar tjetër që nuk deshi të identifikohej tha natën më të hareshme të vitit do ta presë së bashku me bashkëshorten e tij në familje.

    Ndryshe, çmimet për organizimet festive në diskoteka e restorante për Vitin e Ri variojnë nga 20-30 euro për hyrje në diskoteka, ndërsa oferta në restorante nga 60 euro për person. Në diskotekat e kryeqytetit do të këndojnë emra të njohur si Tayna, Capital T, Butrint Imeri, Yll Limani, Dafina Zeqiri e shumë të tjerë.

  • Mehmeti e konsideron si të vështirë 2023-ën, përmend sulmin terrorist, problemet financiare e inflacionin

    Mehmeti e konsideron si të vështirë 2023-ën, përmend sulmin terrorist, problemet financiare e inflacionin

    Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka uruar qytetarët me rastin e Vitit të Ri 2024.

    Mehmeti e ka quajtur vitin 2023 si të vështirë për Kosovën për shkak të sulmit terrorist në shtator në Banjskë.

    Mehmeti ka përmendur gjithashtu edhe problemet financiare dhe inflacionin që sipas tij i ka vendosur nën presion bizneset dhe mirëqenien në familje..

    Postimi i plotë i tij:

    Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

    Urime viti i ri!

    Uroj që në familjet tuaja të mos mungoj shëndeti dhe harmonia. Një vit i ri është një mundësi e re për t’i lënë prapa gjërat e këqija dhe për të vazhduar përpara! Qoftë viti që po vjen vit i mbarë! Gëzuar!

    Të dashur qytetarë,

    Viti 2023 nuk ka qenë një vit i lehtë për Kosovën, për shkak se është sulmuar sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit.

    Gjithashtu problemet financiare dhe inflacioni i ka vendosur nën presion bizneset dhe mirëqenien në familjet tona.

    Një vit gjatë të cilit agjenda politike dhe dialogu dominuan në Kosovë dhe ekonomia mbeti disi e anashkaluar. Dëshiroj që në vitin 2024 të shoh në Republikën e Kosovës një dialog konstruktiv në mes të pozitës dhe opozitës, në mes të nivelit qëndror dhe atij lokal, një avancim të dialogut publiko privat dhe një dialog social më aktiv në interes të qytetarëve dhe stabilitetit social në Republikën e Kosovës.

    Stabiliteti politik është parakusht i zhvillimit ekonomik dhe i tërheqjes së investimeve të huaja, por edhe i diasporës.

    Të pranohet realiteti se, vetëm një sektor privat i fuqishëm është garancë e qëndrueshmërisë ekonomiko sociale, prandaj partneriteti dhe bashkërënditja e aktiviteteve ekonomike në mes të institucioneve dhe biznesit është esenciale për Kosovën.

    Një diplomaci ekonomike, përcaktim i prioriteteve ekonomike për zëvendësimin e importit, funksionalizimin e një zone ekonomike nacionale, dhe kordinimi me shtetet mike siç janë SHBA-të dhe Europa, është më se e nevojshme, jo vetëm për promovim të mundësive për zhvillim ekonomik, por edhe për të përmirësuar imazhin e saj dhe për hjeqjen e masava të BE-së që iu vendosen Kosovës gjatë vitit 2023.

  • Elon Musk reagon pas ‘sulmit’ të robotit ndaj punonjësit në fabrikën Tesla të tij

    Elon Musk reagon pas ‘sulmit’ të robotit ndaj punonjësit në fabrikën Tesla të tij

    Elon Musk ka komentuar në rrjetin e tij X (dikur Twitter) pas publikimit të hetimeve mbi incidentin kur një inxhinier e fabrikës Tesla ‘u sulmua’ nga një robot i kompanisë në impjantin Giga Texas, në SHBA.

    Hetimet treguan se burri ishte mbajtur i shtrirë përtokë nga roboti i fuqishëm në fabrikën pranë Austin para se ai ta shtrëngonte me kthetrat e metalta duke lënë një rrjedhë gjaku prapa.

    Incidenti i rëndë i vitit 2021 kishte dy dëshmitarë dhe i shtohet tmerrit të konfliktit të inteligjencës artificiale me njeriun.

    Megjitha bota u shokua nga ngjarja, Musk tha se nuk i duhet dhënë rëndësi lajmeve: “Gjynah që media gërmon një incident të dy viteve më parë me një robot të thjeshtë industrial Kuka, të cilët tashmë janë zëvendësuar me robotët Optimus.”

    Në një tjetër postim ku publiku krahasonte ngjarjen me një pjesë nga filmi ‘Terminator’ komentet thonin: “Ja si e përshkruajnë ‘mediat e mëdha’ sulmin e robotit ndaj inxhinierit të Giga Texas 2 vjet më parë.” Në përgjigje të kësaj Musk kishte vendosur një simbol të qeshurash.

    Në kopjen e dokumentit për incidentin e Tesla në 2021 thuhej se punonjësi kishte pësuar “çarje dhe një plagë të hapur nga roboti agresiv” por nuk kishte pasur nevojë për ditë pushimi për t’u rikuperuar.

    Por dy dëshmitarët e ngjarjes së frikshme thanë se inxhinieri duhet të luftonte për të shpëtuar nga kapja e makinerisë inteligjente, derisa dikush shtypi butonin e ndalimit të emergjencës të robotit.

    Vetëm atëherë inxhinieri u çlirua nga kapja e robotit që duhej vetëm të mblidhte mbetje metalesh, sipas rrjetit ‘The Information’.

    Në impjant u zbulua gjithashtu se një në çdo 20 punonjës kishte pësuar plagosje në punë gjatë vitit 2022 kur mesatarja për impjante të tilla është 1 në 30 punonjës.

    Numra shqetësues të plagosjeve nga robotët janë raportuar dhe në qendrat e automatizuara të shpërndarjes Amazon.

  • Të shtëna me armë në mes familjarëve, një person i plagosur

    Të shtëna me armë në mes familjarëve, një person i plagosur

    Një person është plagosur dhe ka pranuar tretman mjekësor si pasojë e të shtëna me armë zjarrin nga dy të dyshuar, familjar në mes veti.

    Rasti ka ndodhur dje në fshatin Sopijë të Suharekës, ku dy pistoleta dhe 16 gëzhoja janë konfiskuar.

    Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

  • Ia grabisin portofolin nën kërcënimin me thikë

    Ia grabisin portofolin nën kërcënimin me thikë

    Dy persona nën kërcënimin e thikës i kanë grabitur portofolin në të cilin kishte para dhe dokumente, një personi në Ferizaj.

    Sipas Policisë, rasti ka ndodhur mbrëmë dhe po hetohet.

  • Vrasësi i Ardian Nikulajt mbërrin sot në Shqipëri

    Vrasësi i Ardian Nikulajt mbërrin sot në Shqipëri

    Ky që po shihni në foto është Ruben Saraiva, i cili këtë të dielë në Shqipëri do të ekstradohet si i akuzuar si autor i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj, ngjarje kjo e ndodhur pak muaj më parë në Shëngjin.

    Për këtë qëllim është angazhuar edhe Interpol, ndërsa një grup hetuesish shqiptarë kanë shkuar në marok për të ndjekur nga afër procesin. Kthimi në Shqipëri i tij do të bëhet në mbikëqyrje të lartë policore.

    Nikulaj u vra në 19 prill kur ishte duke qëndruar në lokalin e tij në Shëngjin. Një person me maskë farmacie dhe me kokore motori e qëlloi menjëherë sapo e ka konstatuar viktimën të ulur në tryezë.

    Pas kësaj ai u largua menjëherë duke tentuar të humbë gjurmët. Por nga analiza e të dhënave dhe hetimi i personave që kishin qëndruar në hotel në atë periudhë u zbulua dhe Saraiva si personi që kishte qëlluar

    Shkak dyshohet se është hakmarrja dhe vrasja u konsiderua e porositur. Për vrasjen e Nikulajt janë arrestuar në Angli 3 shtetas britanikë dhe Edmond Haxhia si porositës.

  • ​Opozita kritikon qeverinë: Asnjë progres gjatë vitit 2023

    ​Opozita kritikon qeverinë: Asnjë progres gjatë vitit 2023

    Tri partitë opozitare në Kosovë, PDK, LDK dhe AAK e quajnë të dështuar Qeverinë e Kosovës. Sipas tyre, ekzekutivi gjatë vitit 2023 ka stagnuar në të gjitha nivelet, pasi s’ka pasur asnjë projekt zhvillimor në ekonomi, shëndetësi e arsim, ndërkaq, siç thonë opozitarët Kurti ka lënduar marrëdhëniet edhe me aleatët ndërkombëtarë, pasi vendi është ende nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian. Por të kundërtën e thonë nga ekzekutivi, të cilët konsiderojnë se kanë përmbushur të gjitha prioritetet gjatë vitit 2023.

    Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, thotë për KosovaPress, se Qeveria Kurti s’ka bërë asgjë pozitive gjatë këtij viti. Sipas tij, e njëjta më shumë është fokusuar në tema që kanë pasur qëllim dëmtimin e institucioneve të Kosovës dhe se ka krijuar probleme artificiale në veri për të shmangur problemet reale në Kosovë.

    Kritik është edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i cili thotë për KosovaPress, se Qeveria Kurti në shumë segmente ka dështuar dhe se vendi është afër një bumi social.

    Haziri përmend si të vetmen gjë pozitive reagimin e Policisë së Kosovës ndaj sulmit terrorist serb të 24 shtatorit në Banjskë.

    Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, thotë për KosovaPress, se qeveria përmes propagandës vetëm po mashtron qytetarët, pasi s’ka asnjë rezultat konkret në asnjë sektor në vend.

    Po ashtu edhe analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë se qeveria Kurti ka stagnuar në të gjitha nivelet, krahas premtimeve të mëdha edhe entuziazmit që ka pasur kur ka ardhur në pushtet.

    Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të qeverisë për vitin 2023, tha se synimi i të gjitha vendimeve qeveritare ka qenë qytetari dhe fuqizimi i shtetit.

    Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2023 ka mbajtur 62 mbledhje, derisa janë marrë gjithsej 526 vendime, ndërkaq janë miratuar 66 projektligje dhe pesë nisma legjislative.