ATV

Author: ATVLive

  • Vrasje në tentativë në Podujevë, arrestohen dy persona

    Vrasje në tentativë në Podujevë, arrestohen dy persona

    Një vrasje në tentativë ka ndodhur të dielën në Podujevë.

    Lidhur me këtë, Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona, pasi që të njëjtit dyshohet se kanë therë me thikë një tjetër person, të cilit i kanë shkaktuar lëndime trupore.

    Viktima si pasojë e plagëve të marra është dërguar për tretman mjekësor në QKMF të Podujevës, e i cili më pas është transferuar në QKUK në Prishtinë.

    Policia thotë se njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë konfiskuar thikën që dyshohet se është përdorur në rast dhe një veturë.

    Ndërkohë, me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    “Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që, të njëjtit kanë therrur me thikë viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Podujevë dhe më pas është dërguar për në QKUK Prishtinë. Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • ​Futbollisti izraelit arrestohet në Turqi, shkak festa e tij e veçantë

    ​Futbollisti izraelit arrestohet në Turqi, shkak festa e tij e veçantë

    Futbollisti izraelit Sagiv Jehezkel u arrestua pas përkujtimit të tij publik të viktimave të masakrës së Hamasit më 7 tetor gjatë një loje në Super Ligën Turke. Agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu e raportoi këtë të hënën mbrëma. U tha se lojtari i klubit të divizionit të parë Antalyaspor akuzohej për rebelim.

    Jehezkel mbajti krahun e tij lartë të fashuar para kamerave në ndeshjen kundër Trabzonsporit të dielën pasi shënoi golin e barazimit. Mbi të ishte shkruar në anglisht “100 ditë” dhe data 7 tetor. Klubi e liroi menjëherë anësorin 28-vjeçar. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe Ministria e Jashtme izraelite po përpiqen ta sjellin lojtarin në Izrael, raportoi transmetuesi izraelit Channel 12, përcjellë KosovaPress.

    Më 7 tetor 2023, terroristët nga Hamasi dhe grupet e tjera ekstremiste kryen një masakër në jug të Izraelit. Ata vranë 1200 njerëz dhe rrëmbyen rreth 250 të tjerë në Rripin e Gazës. Izraeli u përgjigj me sulme masive ajrore dhe një ofensivë tokësore në Rripin e Gazës. Sipas autoritetit shëndetësor të kontrolluar nga Hamasi, pothuajse 24,000 njerëz janë vrarë tani atje.

    Jehezkel është një reprezentues izraelit dhe u transferua nga Hapoel Beer Sheva në Antalyaspor në Super Ligën Turke në shtator. Në 13 ndeshje këtë sezon ai ka tetë gola. Goli i barazimit të dielën ishte goli i tij i gjashtë në ligë këtë sezon.

  • Walker: Kosova, demokracia më e suksesshme në Evropë – Reçaku mori kuptim të ri për mua

    Walker: Kosova, demokracia më e suksesshme në Evropë – Reçaku mori kuptim të ri për mua

    Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, ka marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut.

    Ai e quajti tregim suksesi atë të Kosovës që nga vitet e vështira 1998-1999 e deri më sot.

    “Supozoj që shumë prej jush këtu jeni mbi moshën 35-vjeçare, hajde të themi mbi 30, dhe ju mund ta kujtoni si ka qenë jeta në Kosovë para viteve ’98-’99. Dhe ja ku jem sot duke jetuar në Kosovë që është pabesueshëm më ndryshe nga ai realiteti para viteve ’98-‘99”, ka thënë Walkeri në ceremoni.

    Madje sipas tij Kosova është demokracia më funksionale në Evropë, dhe këtë kuptim e ka marrë për të kjo masakër 25 vjet pasi ka ngjarë, sepse ajo kishte shërbyer si pikë kthese për Kosovën.

    “Sot falë qeverisë që e keni tani, falë qeverive që i keni pasur në të kaluarën, Kosova është një tregim i pabesueshëm suksesi. Sipas mendimit tim, është demokracia më e suksesshme në Evropë”.

    “Liri e shprehjes, liri e shtypit, liri e feve. Për cilëndo liri të flisni, ato janë të pranishme sot në Kosovë”.

    “Ky është një shtet i ri që në pak vite ka arritur të shndërrohet në një demokraci të vërtetë dhe funksionale”.

    “Pra kjo është ajo se çfarë Reçaku do të thotë për mua – tranzicioni nga ajo që kishte ekzistuar këtu, nga ajo se si ishte jeta këtu për shqiptarët që jetonin në Kosovë atëkohë dhe se çfarë do të thotë jeta për shqiptarët e Kosovës sot”.

  • Hovenier: Askush të mos e mohojë çfarë ka ndodhur në Reçak

    Hovenier: Askush të mos e mohojë çfarë ka ndodhur në Reçak

    Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se askush nuk duhet harruar dhe mohuar çfarë ka ndodhur në Reçak.

    Ai në një postim në Twitter ka shkruar se gjithashtu askush nuk duhet të mohojë e as harrojë pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët dolën në mbrojtje të Kosovës.

    Hovenier ka shkuar se mban mend mirë ditën kur ka ndodhur Masakra e Reçakut.

    “Sipas fjalëve të Dr. Martin Luther King: ‘Padrejtësia kudo është një kërcënim për drejtësinë kudo’. Askush të mos harrojë apo mohojë atë që ndodhi në Reçak, apo pse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë dolën në mbrojtje të popullit të Kosovës. E mbaj mend mirë atë ditë”, ka shkruar ai.

  • Kurti: Gjysma e këtij viti do të jetë i shënuar me përvjetorë të masakrave të kryera nga Serbia mbi shqiptarët

    Kurti: Gjysma e këtij viti do të jetë i shënuar me përvjetorë të masakrave të kryera nga Serbia mbi shqiptarët

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se 25 vjet më parë, Serbia aktivizoi tërë aparatin e saj shtetëror për ta mjegulluar dhe mohuar masakrën e Reçakut.

    Kurti, duke folur për Aleksandër Vuçiqin, tha se atëherë nga pozita e Ministrit të Informacionit, kurse sot nga ajo e Presidentit të Serbisë, ai e ka mohuar në vazhdimësi këtë krim kundër njerëzimit.

    “Si viti i 25-të i pasluftës, viti 2024, përkatësisht gjysma e parë e këtij viti, do të jetë shënuar me përvjetorë të masakrave të kryera nga Serbia mbi shqiptarët në Kosovë si dhe me përkujtime të dëshmorëve të lirisë dhe betejave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, deklaroi Kurti në akademinë përkujtimore të 25-vjetorit të Masakrës së kësaj ngjarjeje.

    “25 vjet më parë, Serbia aktivizoi tërë aparatin e saj shtetëror, nga ushtria tek mjekësia ligjore dhe nga media tek propaganda shtetërore, për ta mjegulluar dhe mohuar masakrën e Reçakut, për t’a fshehur krimin dhe për t’i mbrojtur kryerësit dhe urdhërdhënësit” dhe dihet se kush ishte atëherë Ministër i Informacionit, në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Atëherë nga pozita e Ministrit të Informacionit, kurse sot nga ajo e Presidentit të Serbisë, ky njeri e ka mohuar në vazhdimësi këtë krim kundër njerëzimit, të kryer nga shteti i Serbisë”, është shprehur Kurti.

  • Osmani në Reçak: Në këtë fshat të vogël me histori të madhe u vranë civilë të pambrojtur, drejtësia i jep kuptim paqes

    Osmani në Reçak: Në këtë fshat të vogël me histori të madhe u vranë civilë të pambrojtur, drejtësia i jep kuptim paqes

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në akademinë përkujtimore në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut, ka thënë që kërkimi për drejtësi është detyrë e shenjtë që kapërcen etnitë dhe përkatësitë politike, raporton EO.

    Nga aty, e para e shtetit deklaroi që vetëm drejtësia i jep kuptim paqes teksa ritheksoi këtë detyrim e kërkesë të shqiptarëve të Kosovës.

    “Sot kemi nevojë që ta themi vazhdimisht e kudo se në këtë fshat të vogël me histori të madhe u vranë civilë të pambrojtur e të paarmatosur, ndaj thirrja për drejtësi për ta është në funksion të mbrojtjes së dinjitetit njerëzor të viktimave dhe të familjeve të tyre. Kërkimi i drejtësisë nuk është thjesht një kërkesë, është një detyrë e shenjtë që kapërcen kufijtë, kapërcen etnitë, dhe përkatësisë politike”, ka thënë Osmani.

    “Familjet e të masakruarve të Reçakut të cilët vazhdojnë të mbajnë barrën e humbjes dhe dhimbjes së anëtarëve të tyre meritojnë që autorët e këtij krimi kundër njerëzimit të dalin para drejtësisë”.

    “Ata dhe shteti ynë janë në anën e së vërtetës e kjo e vërtetë është e përmbledhur më së miri në fjalitë e ambasadorit [William] Walker: Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit. Në Reçak edhe njëherë sikurse edhe në çdo masakër kundër civilëve në vendin tonë është shpërfaqur qëllimi i regjimit të atëhershëm serb për të shfarosur popullin shqiptar në Kosovë”.

    “Thirrja për drejtësi riafirmon besimin tonë për triumfin e së vërtetës ndaj mizorisë, përgjegjësisë kundrejt pandëshkueshmërisë dhe njerëzores kundër urrejtjes”.

  • Szunyog takohet me Cramon, flasin për situatën politike dhe atë të sigurisë në Kosovë

    Szunyog takohet me Cramon, flasin për situatën politike dhe atë të sigurisë në Kosovë

    Tomas Szunyog, Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë ka njoftuar se është takuar me Eurodeputeten dhe njëherësh raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon dhe me shefin e EULEX-it në Kosovë Giovanni Pietro Barbano.

    Përmes një postimi ne platformën “X”, Szunyog ka thënë se në këtë takim ata kanë shkëmbyer mendime për situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon.

  • ​Vdes bashkëshortja e futbollistit Alban Shillova

    ​Vdes bashkëshortja e futbollistit Alban Shillova

    Kaltrina Fazliu-Shillova, është ndarë nga jeta në moshë të re, në orët e para të së hënës.

    Lajmi është njoftuar nga familjarët e saj përmes rrjeteve sociale.

    Ata kanë bërë të ditur se varrimi i së ndjerës do të bëhet në fshatin Zllatar të Prishtinës sot, me kohë të ikindisë.

    “Sot me dt: 15/01/2024 vajza jone ndërroi jete! Ju njoftojmë se vorrimi bëhet me ikindi ne fshatin Zllatar- komuna Prishtinë! Të pikëlluar familja Fazliu-Shillova!”, thuhet në njoftim.

    Për vdekjen e saj ka njoftuar edhe bashkëshorti i saj, Alban Shillova, i cili është futbollist dhe ka qenë pjesë e klubeve si Malisheva e FC Prishtina.

    “Me pikëllim të thellë dhe zemra të thyera ju njoftojmë që Kaltrina jonë e dashur ndërroi jetë! Varrimi bëhet me namazin e ikindisë në fshatin Zllatar”, thuhet në njoftimin e tij.

  • Kurti: Civilët në Reçak u varrosën pas 4 javësh, kjo tregon që Serbia u përpoq ta deformonte të vërtetën

    Kurti: Civilët në Reçak u varrosën pas 4 javësh, kjo tregon që Serbia u përpoq ta deformonte të vërtetën

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se civilët e vrarë në masakrën e Reçakut nuk u varrosën deri pas katër javësh, pasi kishte luftime. Nga aty, Kurti shtoi se ky është tregues që Serbia është përpjekur ta deformojë të vërtetën, raporton Ekonomia Online.

    Gjatë nderimeve që i bëri të hënën në Reçak ka falënderuar ish-ambasadorin e misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili i tregoi botës se çfarë kishte ndodhur në këtë vend.

    “Masakra e Reçakut këtu e 25 vjet më parë, ku u vranë 45 civilë shqiptarë e tronditi si opinionin publik ndërkombëtar, gjithashtu edhe diplomacinë botërore dhe e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Kur ndodhi masakra e Reçakut, ambasadori William Walker si udhëheqës i misionit të OSBE-së në Kosovë erdhi këtu te fshatarët dhe e foli të vërtetën, tha kjo është masakër dhe krim kundër njerëzimit. E dimë që e vërteta është armiku më i madh i diktatorëve dhe shovinistëve andaj edhe sot e kësaj dite ambasadori William Walker vazhdon të jetë ndërkombëtari më i sulmuar edhe më i urryer në Serbi, ku vazhdon të dominojë një regjim autoritar me ç’rast ish-ministri i informatave të asaj kohe sot është president i Serbisë”, ka thënë ai.

    Kurti ka kujtuar edhe 11 ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kanë rënë në betejë duke mbrojtur trupat e masakruar në këtë fshat.

    “Më 15 janar në një dimër jashtëzakonisht të ftohtë pati ndodhur ky krim makabër, ndërkaq varrimi i 45 civilëve ka ndodhur vetëm katër javë më vonë sepse ka pasur luftë të madhe për Kosovën. I kemi edhe 11 ushtarë të UÇK-së që kanë rënë në betejë për mbrojtjen e trupave të masakruar nga Serbia dhe ato katër javë tregojnë se Serbia është përpjekur ta deformojë të vërtetën, ta justifikojë krimin dhe prandaj edhe një herë po e theksoj rëndësinë e të vërtetës të ambasadorit William Walker, të cilit i jemi mirënjohës që në një moment historik për popullin tonë e foli vetëm të vërtetën”, ka thënë ai.

  • Walker: Nga sakrifica e shumë djemve të Reçakut Kosova gëzon demokracinë

    Walker: Nga sakrifica e shumë djemve të Reçakut Kosova gëzon demokracinë

    Ish-ambasadori i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka nderuar viktimat e Masakrës së Reçakut në përvjetorin e 25-të të kësaj masakre, raporton Ekonomia Online.

    Walkeri ka thënë se nga sakrifica e shumë djemve të fshatit, Kosova sot gëzon një demokraci plotësisht funksionale.

    Ai ka thënë se ndihet krenar që ndodhet në mesin e familjarëve të viktimave këtë ditë.

    “Kjo nuk është vizita ime e parë në Reçak, mendoj se është e 21, 22 apo 23. Unë vij të nderoj fshatin Reçak, vij të përshëndes miqtë e mi, familje nga fshati Reçak, disa prej tyre i njoh prej 25 vitesh, disa fatkeqësisht kanë ndërruar jetë. Kjo është hera e parë që duhet të vij me shkop, por prapë dua të jem në Reçak në çdo rast që mundem. Për mua është shumë emocionuese. Është një histori e mrekullueshme për të cilën populli i këtij fshati fatkeqësisht është dashur të sakrifikojë shumë djem të fshatit. Ju tani keni një Republikë të Kosovës, një president, një kryeministër, një demokraci plotësisht funksionale dhe jam shumë krenar që jam këtu me ju në këtë vend që do të thotë shumë për mua, për popullin e Reçakut dhe për të gjithë Kosovën”, është shprehur ai.