ATV

Author: ATVLive

  • ​Kjo mund të jetë goditja e fuqishme e PSG-së

    ​Kjo mund të jetë goditja e fuqishme e PSG-së

    Paris Saint-Germain po bëhet gati për ta rrëmbyer yllin e Newcastle United, Bruno Guimaraes.

    “Magpies” mund të detyrohen të shesin disa nga asetet e tyre më të çmuara për të mbledhur fonde transferimi për afatin kalimtar veror.

    Që nga kalimi në pronësi të sheikëve, “Magpies” kanë qenë shumë të kujdesshëm për t’u siguruar që të mos shkelin rregullat e FFP dhe të marrin ndonjë dënim.

    PSG është një ekip që mund të shikojë të përfitojë nga kjo situatë me një lëvizje për mesfushorin brazilian, përcjellë KosovaPress.

    Ai aktualisht ka një klauzolë lirimi prej 100 milionë funtesh në kontratën e tij dhe ata do të ishin të pafuqishëm ta ndalonin largimin e tij nëse do ta përmbushnin atë.

    Mbrojtësi Sven Botman dhe sulmuesi Alexander Isak janë emrat më të çmuar në ekip dhe për të dy ka oferta, jo vetëm në Premier League, por edhe midis klubeve elitare të Evropës.

    Humbja e Guimaraes do të ishte një goditje e madhe për Newcastle, pasi ai është edhe lojtari i preferuar i tifozëve.

    Ai iu bashkua klubit për 40 milionë funte në janar 2022 nga Lyoni, duke refuzuar Arsenalin për t’u transferuar në verilindje.

    Braziliani ka luajtur 87 herë për klubin dhe ka shënuar 11 gola.

  • ​Partitë opozitare optimiste se do ta formojnë qeverinë në zgjedhjet e ardhshme

    ​Partitë opozitare optimiste se do ta formojnë qeverinë në zgjedhjet e ardhshme

    Sesioni pranveror i Kuvendit të Kosovës do të nisë të enjten me një seancë të jashtëzakonshme, në lidhje me çmimet e energjisë elektrike, të iniciuar nga PDK-ja dhe përkrahur edhe nga dy partitë të tjera opozitare, LDK dhe AAK. Partitë opozitare përmes rezolutës do të kërkojnë zbritjen e çmimit të rrymës dhe largimin e bllok-tarifës. Krahas kësaj, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, opozitarët shprehën gatishmërinë për shkuarjen në zgjedhje të reja, derisa nënvizuan se të njëjtat do të krijojnë qeverinë e ardhshme dhe jo partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se pas stabilizimit të çmimit të energjisë nivel global duhet të ketë reflektim edhe në Kosovë, duke zbritur çmimin e energjisë dhe largimin e bllok-tarifave.

    “Ne si Grup Parlamentar i PDK-së me mbështetje edhe të 40 deputetëve nga radhët e partive opozitare kemi thirrur një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar çështjen e çmimit të energjisë elektrike në vendin tonë. Konsiderojmë se sot nuk ka asgjë më të rëndësishme që sesioni parlamentar të fillojë me diskutimet për çmimin e energjisë elektrike. Ju e dini shqetësimet e mëdha që i kanë shprehur qytetarët e Kosovës që po paguajnë padrejtësisht çmimet e larta të energjisë elektrike në vend…Njëkohësisht kemi propozuar Kuvendit një rezolutë në bazë të cilës kërkojmë zbritjen e çmimit të energjisë dhe heqjen e bllok-tarifave”, tha ai.

    Fillimin e sesionit pranveror të Kuvendit me seancë të jashtëzakonshme e konsideroi si jo të mbarë, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se legjislativi do të duhej të fillonte me një seancë të rregullt dhe me agjendën legjislative.

    Ajo akuzoi PDK-në, e cila sipas saj po tenton të krijojë situata të jashtëzakonshme për të mos lejuar rrjedhën normale të punës në Kuvend.

    “Përtej asaj nuk kemi të caktuar një seancë të rregullt që unë e konsideroj në fakt jo fillim i mbarë në një far mënyre, pasi do të duhej të kishim një seancë që fillon me deklarime jashtë rendit të ditës dhe me agjendën që tashmë i ka 31 pika, ku janë një mori projektligjesh dhe marrëveshje ndërkombëtare”, tha ajo.

    Mirëpo kritik ndaj mazhorancës për bllokim të punës në Kuvend u shpreh shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili tha se LVV-ja po pengon funksionimin e rregullt të Komisionit hetimor për rezervat shtetërore.

    Në anën tjetër, duke shprehur gatishmërinë për zgjedhje të jashtëzakonshme në Kosovë, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se partitë opozitare do të krijojnë qeverinë në zgjedhjet e ardhshme dhe jo partia e tanishme në pushtet, LVV-ja.

    “Konsiderojmë se ajo çka do të ishte më e mira, do të ishte që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Edhe ashtu jemi hy në kohën e vitit kalendarik kur iu ofrohemi zgjedhjeve, ky është viti i fundit i kësaj qeverie. Konsiderojmë se sa më herët që shkojmë zgjedhje do të përfitojnë qytetarët….Jemi të gatshëm dhe jemi të bindur se këto zgjedhje, kurdo që do të mbahen, LVV-ja nuk do të arrijë të krijojë qeverinë, por qeverinë do të krijojë opozita”, theksoi Tahiri.

    Me bindje të njëjtë u shpreh edhe kolegu i tij opozitar nga LDK-ja, Arben Gashi.

    “Kemi hy në vitin e fundit të qeverisjes Kurti. Ky është viti i fundit dhe maksimumi i mundshëm deri kur Kurti do të jetë në pushtet do të jetë një vit i plotë, por zgjedhjet maksimalisht do të duhej të shpalleshin në fund të shtatorit dhe të mbahen diku në fillim të muajit janar apo shkurt të vitit 2025. Ky është kalendari i rregullt zgjedhor, mirëpo situatat politike ato janë çështje të jashtëzakonshme që do të japim përgjigje në kohën e duhur”, deklaroi Gashi.

    Të gatshëm për zgjedhje u shprehën edhe AAK-ja, ku thanë se Lëvizja Vetëvendosje nuk do t’i fitojë kurrë më 50 për qind të votave.

    “Viti 2024 është vit zgjedhor. AAK-ja në këtë vit zgjedhor hyn më e përgatitur se kurrë. AAK-ja do të jetë boshti politik i të gjithë qytetarëve, subjekteve të tjera politike dhe të koalicioneve të ndryshme në mënyrë që me dhënë veprimin e duhur kurdo që mbahen zgjedhjet. Pres që zgjedhjet të jenë të rregullta, pasi Kurti nuk ka mundësi që të le tërë këtë privilegj, pasi e dinë mirë se kurrë më nuk do t’i merr 50 për qind”, tha shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

    Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se qeveria dhe Kuvendi në vitin e fundit të mandatit qeverisës janë të përkushtuar për të kryer sa më shumë deri në zgjedhjet e rregullta parlamentare.

    “Ne vazhdojmë të mbetemi të përkushtuar në legjislativ dhe ekzekutiv që të kryejmë sa më shumë punë nga kontrata me qytetarët në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021 dhe në zgjedhje të shkohet në orar të rregullt. Nuk është fshehtësi, dihet se ky është viti i fundit i këtij mandati dhe si i tillë është një shtytje për ne që të shtojmë dinamikën dhe të realizojmë sa më shumë punë që janë nisur në vitet paraprake”, deklaroi Kusari-Lila./KosovaPress/

  • Rrahje mes disa personave në sheshin e Prishtinë, arrestohen pesë persona

    Rrahje mes disa personave në sheshin e Prishtinë, arrestohen pesë persona

    Një rrahje ka ndodhur mes disa personave në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë të hënën.

    Zëdhënësi i Policisë për Prishtinën, Agron Borovci, tha se pesë persona janë arrestuar.

    “Rreth orës 12:30 është pranuar informata për një rrahje në mes të disa personave, të ndodhur në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe ka shoqëruar në stacionin policor pesë persona”, tha zëdhënësi i policisë.

    Po ashtu, tre persona të lënduar kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

    “Aktualisht po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme operativo-policore me qëllim të zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, tha Borovci.

  • ​Mitrovicë e Veriut, peticioni për shkarkimin e kryetarit do të mbahet në palestrën sportive

    ​Mitrovicë e Veriut, peticioni për shkarkimin e kryetarit do të mbahet në palestrën sportive

    Kuvendi Komunal i Mitrovicës Veriore ka vendosur sot t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së grupit inicues të qytetarëve për peticionin në lidhje me shkarkimin e kryetarit të kësaj komune, i cili ka kërkuar që mbledhja e nënshkrimeve të zhvillohet në objektin e palestrës sportive në veri të Mitrovicës.

    Kështu, qytetarët e kësaj Komune do të kenë mundësi që deri më 22 janar, përkatësisht 6 shkurt, të mbledhin gjithsej 3 mijë e 640 nënshkrime, sa është e nevojshme, për të shkarkuar kryetarin e komunës së Mitrovicës Veriore.

    Nexhat Uglanin, kryesues i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, ka bërë të ditur për KosovaPress se disa këshilltarë të këtij Kuvendi janë takuar sot dhe kanë dhënë pëlqimin që hapësira publike për mbledhjen e peticionit të jetë palestra sportive.

    Sipas tij, udhëzimi administrativ parasheh lehtësim për grupin inicues, që në rast të mos arritjes së numrit të nevojshëm të nënshkrimeve, afati të shtyhet edhe për 15 ditë tjera.

    “Kemi vendosur si Kuvend Komunal me dhënë hapësirën publike ku e kanë kërkuar, e ajo është palestra e sporteve në pjesën veriore, për mbledhjen e peticionit për shkarkimin e kryetarit… Sipas afatit, ata janë të obliguar deri më 22 janar të sjellin peticionin tek kryesuesi i Kuvendit Komunal, i cili detyrohet sipas udhëzimit administrativ ta dërgojë në komisionin zgjedhor. Por, udhëzimi administrativ pasrashikon edhe një lehtësim për grupin inicues, që në rast të ndonjë telasheje, mund të kërkojnë afat shtesë edhe 15 ditë… Nga komisioni zgjedhor kemi marrë numrin e 20 për qindshit i cili është 3 mijë e 640 nënshkrime”, ka thënë Uglanin.

    Ndryshe, serbët e veriut të vendit pasi bojkotuan zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, me ç’rast për kryetarë të komunave u zgjodhën shqiptarët, ndryshuan qëndrimin dhe në tetor të këtij viti vendosën të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës.

  • ​Von Cramon: Ishte gabim i madh që palëve nuk iu kërkua nënshkrimi i marrëveshjes së Ohrit

    ​Von Cramon: Ishte gabim i madh që palëve nuk iu kërkua nënshkrimi i marrëveshjes së Ohrit

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon deklaroi se Kosova duhet të bëjë progres në procesin e dialogut, para zgjedhjeve të Bashkimit Evropian më 9 qershor. Ajo përmendi edhe marrëveshjen bazike mes Kosovës dhe Serbisë të muajit shkurt, dhe aneksin e zbatimit, për çka tha se BE ka bërë gabim që nuk ka kërkuar nënshkrim nga palët.

    Në konferencë për media, deputetja në Parlamentin Evropian deklaroi se masat ndëshkuese ndaj Kosovës duhet të hiqen.

    “Masat duhet të hiqen sepse kemi dëm kolateral dhe kryetarët e komunave të cilët dëshirojnë të aplikojnë për fonde të Bashkimit Evropian janë duke vuajtur për arsye të këtyre masave. Unë jam kundër dhe do të jem kundër dhe shpresoj që të largojmë këto masa sa më shpejt që të është e mundur. Jo të gjithë janë të lumtur me performancën, me të drejtë mendoj se duke krahasuar me shtetet tjera nuk është fer fare”, deklaroi Von Cramon

    Teksa e quajti vetën shoqe të mirë të Kosovës, ajo kërkoi progres më të madh të dialogut para zgjedhjeve në Bashkimin Evropian.

    “Gjërat janë shumë dinamike, kemi parë pak progres….Pse unë jam pak në siklet sa i përket kësaj është se ne kemi zgjedhjet me 9 qershor të këtij viti dhe ju e keni parë disa rezultate që partitë e djathta janë duke u fuqizuar, e sidomos të djathtat ekstrem. Një kompozim i ri i Bashkimit Evropian mund të ketë efekt direkt në relacion me Kosovën dhe shtetet tjera të cilat potencialisht mund të jenë edhe shtete kandidate të Bashkimit Evropian. Çfarë është brengosëse për mua është që në pjesën e dytë të vitit 2024 do të kemi presidencën Viktor Orbán të Hungarisë dhe do ta kemi edhe parlamentin e ri. Ku nuk e kemi një fotografi të qartë të shumicës së qartë të përkrahjes sa i përket Kosovës. Unë si shoqe e mirë e Kosovës, dëshiroj të shoh progres brenda këtyre muajve para se të shkojmë në kampanjat në zgjedhje. Pasi Brukseli do të mbyllet dhe të gjitha do të jenë të zënë sa i përket zgjedhjeve”, shtoi ajo.

    E pyetur për rolin e Bashkimit Evropian në raport me Kosovën e Serbisë, ajo tha se vitin e kaluar është bërë gabim i madh, ku nuk është insistuar për nëshkrimin e aneksit të marrëveshjes.

    “Gjithmonë mund të akuzoni pjesën tjetër që nuk janë duke bërë mjaftueshëm, kështu bëjmë ne politikanët edhe në Berlin e di që e fajësojnë Brukselin për këtë. Për shembull thonë se ‘keni marrë një vendim të gabuar sa i përket kësaj apo asaj politikre’. Pavarësisht kësaj unë mund të them se bashkësia e komunave serbe nuk është diçka e re, ideja për bashkësinë e komunave serbe vjen nga 2013, nuk është e re. Është diçka që 11 vjet e që në një pikë të caktuar Kosova duhet të vijë me një propozim të një marrëveshje të ratifikuar dhe mendoj se është komunikuar qartë dhe mund të themi pse s’duhet të jetë një implemtim i kapshëm. Të gjitha gjërat duhet të jenë të vendosura si duhet. Është dëshirë e jona që të vijmë me një njohje de-facto, para se të bashkësia e komunave serbe, është kërkesë legjitime e juaja. Mendoj se është bërë një gabim vitin e kaluar sa i përket Ohrit, duke mos insistuar në nënshkrimin e këtij aneksi dhe marrëveshjes. Dhe mendoj që kjo ka qenë një gabim i madh, mirëpo çka është brenga ime është nëse vonojmë të gjithë procesin, atëherë mund të kemi probleme. Sepse do të kemi zgjedhjet e Bashkimit Evropian që na presin në mes verë”, deklaroi ajo.

    Tutje, ajo mohoi se ka pasur zbutje të termave për aktin e agresionit në Banjskë të Zveçanit.

    “Unë jo personalisht, mirëpo nuk jam e sigurt se çfarë kanë thënë në fillim në deklaratat e mia që i kam bërë në Twitter, nuk jam e sigurt se di a e kam përmendur fjalën sulm terrorist apo jo. Mirëpo ka qenë një involvim serioz prej grupeve të ndryshme të armatosura nga Serbia dhe ka qenë e rëndësishme të kuptohet se si këto forca të armatosura do të reagojnë dhe si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të reagojnë dhe a është rrezik i një lufte të shpejt. Fatmirësisht ne i kemi ushtarët e KFOR-it këtu dhe mendoj se është mirë që NATO-ja ka vendosur që të rris praninë e numrit të ushtarëve në Kosovë. Kjo ju siguron juve që për një arsye të mirë NATO do të jetë këtu dhe mendoj se është vendim i mirë që NATO të merr një vendim të shpejt sa i përket ngritjes së sigurisë në nivel më të lartë dhe nuk e di”, theksoi ajo në konferencë për media.

    Po ashtu, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian foli edhe për zgjedhjet në komunat e veriut të Kosovës, për çka tha se të njëjtat duhet të mbahen.

    “Unë mendoj se situata është e qartë, kush ka interes që të mbahen këto zgjedhje atëherë këto duhet të bëhen dhe është në dorën e këtyre njerëzve, të cilët janë duke mbledhur të gjitha këto nënshkrime për të filluar procedurën dhe kërkesën për shkarkim. Unë kam dëgjuar se jo të gjithë e dinë se si është kjo procedurë ligjore që duhet të bëhet. Mendoj se duhet të shpjegohet, por në përgjithësi unë nuk mund të them se a është e mundur apo e pamundur. Unë vetëm them se varet nga iniciatorët që të fillojnë të mbledhin nënshkrimet për shkarkimin e kryetarëve të tanishëm dhe pastaj të kemi zgjedhje. Dhe 20 për qind të nënshkruesve është pragu që duhet të mblidhen si nënshkrime. Është diçka që mund të bëhet”, deklaroi Von Cramon.

    Tutje, theksoi se është i papranueshëm presioni ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve nga institucionet e vendit.

    “Sa i përket Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarëve, në çdo kohë nuk është pranueshme presioni ndaj tyre. Dhe e vetmja kohë kur politikani mund ta sulmojë politikisht ose kur mund ta apelojë vendimin në gjykatë dhe jo punën si e bëjnë, apo çfarëdo vendimi që e marrin. Qeveria dhe politikanët nëse e bëjnë një gjë të tillë atakojnë gjyqtarët dhe prokurorë, atëherë e bëjnë një ambient shumë të pasigurt sa i përket kësaj. Dhe mendoj se flas për gjykatën dhe për prokurorët, çka është kërkuar nga shtetet tjera dhe nga opozita është që të ngrisim fondin dhe të kemi kapacitete më të mëdha dhe që të shërbejmë shpejt”, deklaroi ajo.

    Gjatë vizitës së saj disa ditore në Kosova, Von Cramon foli edhe për lirinë e mediave dhe mos-transparencën nga institucionet.

    PO ashtu, përmendi edhe vrasjen e Liridona Ademajt gjatë vitit të kaluar, ku tha se shpreson që prokuroria shpejt ta përmbyll këtë rast dhe të ketë drejtësi për viktimën. /kp

  • Sanduloviq lirohet nga paraburgimi

    Sanduloviq lirohet nga paraburgimi

    Politikani opozitar serb, Nikolla Sanduloviq, është liruar nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri, ka njoftuar avokati i tij.

    Kundër Sanduloviqit rëndon akuza për “nxitje të urrejtjes kombëtare”, pasi ai ishte vendosur kurora lule mbi varrezat e familjes Jashari në Prekaz.

    “Vendimi vjen vetëm një orë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij”, ka shkruar në X, avokati Çedomir Stojkoviq.

    Avokati ka theksuar se vendimi për arrestimin e tij ishte një vendim politik.

    “Vendimi për lirimin e tij për t’u mbrojtur kundër akuzës për ‘vënien e një lule në varrin e një fëmije shtatëvjeçar’ është gjithashtu drejtpërdrejt politik, sepse autoritetet në Beograd urdhëruan lirimin e tij për shkak të presionit në rritje të Perëndimit ndaj Serbia për shkak të këtij vandalizmi të dukshëm ndaj Sanduloviqit”, ka shkruar ai.

    Gjithashtu avokati i Sanduloviqit ka falënderuar Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, Republikën Federale të Gjermanisë dhe të gjithë individët dhe grupet që kanë qenë aktivë në këtë rast të egër nga pushteti ekzekutiv dhe gjyqësor në Serbi.

  • ​Komuna e Rahovecit me seancë përkujtimore për gjenocidin serb në Kosovë

    ​Komuna e Rahovecit me seancë përkujtimore për gjenocidin serb në Kosovë

    Me rastin e 25 vjetorit të gjenocidit serb në Kosovë është mbajtur seanca përkujtimore në Kuvendin Komunal të Rahovecit. Në këtë seancë u kujtuan krimet e luftës dhe masakrat që shkaktuan serbët ndaj luftës në Kosovë.

    Në këtë seancë prezent ishin edhe disa të mbijetuar të luftës, të cilët me zë të trembur treguan rrëfimet e tyre.

    Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi, tha se qytetarët e Rahovecit e kanë përjetuar në lëkurën e tyre dhunën dhe represionin serb, të cilët bënë krime kundër njerëzimit.

    “Vitet 1998-1999 ishin vitet e vrasjeve dhe të masakrimeve të qindra e mijëra qytetarëve të pafajshëm e të pambrojtur, vite të vrasjeve dhe masakrimeve edhe të fëmijëve, grave e pleqve, të zhdukjes së mijërave shqiptarëve, të një populli të tërë. Faktet dëshmuan se pikërisht këtë e parasheh faza e fundit e skenarit të çmendur serb, kundër shqiptarëve të Kosovës. Në Kosovë pushtuesi serb bëri krime kundër njerëzimit, të cilët ishin të përmasave aq të mëdha saqë ka të bëjë me elemente të pastërta të gjenocidit. Populli i Rahovecit, e kanë përjetuar në lëkurë të vet dhunën dhe represionin serb,” tha Latifi.

    Asambleisti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Hasan Perboqi shtoi se populli shqiptar ende kërkon drejtësinë e vonuar, ku padrejtësisht çlirimtarët e Kosovës që sollën lirinë po përballen me procese të padrejta dhe të montuara.

    “Sot plagët e familjarëve ende kullojnë gjak, ende ju mungojnë më të dashurit e tyre. Sot ende mungon drejtësia për masakrat barbare të parapara deri atëherë për botën mbarë. Sot populli shqiptarë vazhdon të kërkoj drejtësinë e vonuar, por siç e thotë populli vet “ më mirë vonë, se kurrë “, edhe pse mungon drejtësia për krimet serbe, padrejtësisht, çlirimtarët tanë që na sollën lirinë, përballen me procese të padrejta dhe të montuara,” shtoi ai.

    Ndërsa, i mbijetuari i luftës në Masakrën e Krushës së Madhe në Rahovec, Selami Elshani rrëfeu tregimin e tij se si ka mbijetuar nga plumbat dhe zjarri që kaploi dhomën që ai ishte në të.

    “Në mëngjesin e 25-tit të 99-tës qohem në mëngjes dhe shohim magjistralen Prizren-Gjakovë ishte e stërmbushur me polici e ushtri të Serbisë. Në mes të natës ushtria e Serbisë na vjen mbi kokë dhe kërkojnë dorëzimin tonë para tyre, dikush prej neve kishte ngritur një shenjë të bardhë, dhe dorëzohemi dhe të gjithëve na futën në shtëpi njëkatëshe, në mëngjes dolëm përjashta dhe na ndajnë burra e gra veç, na ulën neve burrave në pesë rende dhe në mes lënë një rrugë këmbësore me qëllim që të na digjnin për së gjalli, e në atë korridor kanë lënë hapësirën që të na shohin gratë. Prej mëngjesit e deri në mbasdite serbët janë sillur me neve siç kanë dashur, në çdo lloj mënyre, maltretimi. Për fatin tim një police shkrep një plumb pa urdhër, ku ka rrokë dikë por mu jo, dhe më erdh ideja jam përplasur për dheu dhe kanë filluar kallashët deri kur i kanë rrëzuar të gjithë në tokë, dhe pastaj dhe nga një plumb në tokë se mendonin se ka të gjallë, dhe mu më prek në shpatull plumbi por jo në trup, pastaj dhënë urdhër që të vendosin benzinë përmbi ne dhe u larguan. Duke menduar me vete thosha se “a digjet njeriu për së gjalli” dhe ju luta Zotit e vendosa të dalë dhe mu kthye vetëdija dhe forca ,” rrëfeu Elshani.

    Po ashtu Selami Hoti, përfaqësuesi i këshillit të personave të pagjetur i familjeve në Komunën e Rahovecit shtoi se kjo datë duhet të shënohet në kalendarin e datave historike, për shkaqe që t’i shërbejë shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë, që t’i përdorin dhe dokumentojnë të gjitha krimet që kanë ndodhur nga serbët.

    “Kjo datë të shënohet në kalendarin e datave historike, në një ndër më të veçantat për faktin se kjo datë duhet të ju shërbej shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë që t’i përdorin dhe dokumentojnë të gjitha krimet që kanë ndodhur në vazhdimësi,” vijoi Hoti.

    Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.

  • “Ua kanë hek organet, vëllaun ma kanë vra edhe 12 kushëri të tjerë” – I mbijetuari i masakrës së Reçakut rrëfen tmerrin që përjetoi mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999

    “Ua kanë hek organet, vëllaun ma kanë vra edhe 12 kushëri të tjerë” – I mbijetuari i masakrës së Reçakut rrëfen tmerrin që përjetoi mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999

    Mëngjesin e hershëm të 15 janarit 1999, fshati Reçak në Shtime u zgjua i rrethuar nga forcat kriminale serbe. Në vendin që asokohe pak kush ia dinte emrin u vranë mizorisht, fëmijë, të rritur e pleq e në mesin e tyre edhe një grua e moshuar i së cilës ende nuk është gjetur.

    I mbijetuari i kësaj masakre, pa tmerrin që përjetuan mëngjesin e hershëm të vitit 1999. Ramë Shabani, 57-vjeçar, rrëfen për ATV-në se rreth 30 banorë të fshatit, atë ditë ishin strehuar në podrumin e Sadik Osmanit, shtëpia e të cilit edhe sot mban shenjat e plumbave që u shkrepen po atë ditë.

    “Fshati Reçak u kanë i rrethuar në të gjitha pjesët dhe ka qenë i ganatum. 15 minuta para se të bëhet ora 7:00, kanë krisë krismat e para. E di orën sepse kam qenë fjetë dhe ka ardhë nëna, më ka thënë zgjohu se kështu është duke ndodhur. I kam thënë nënës a janë duke gjuajtur me armatime të mëdha apo të vogla, më tha ‘më të mëdha, hiç mos dil jashtë’. Kam dalë unë, kur kam dalë jemi taku me bacën Sadik dhe u kanë natë e Katragjeqave atë natë, kemi dalë me pa çka po bëhet, kur kemi dalë e kemi pasur numrin e vëzhguesve në telefon, baca Sadik e ka pasë një telefon ajror dhe i ka thirrë ata. Na kanë thirrë e na kanë thanë nuk po mundemi me ardh se Shtimja e Reçaku është i rrethuar. Jemi tubu e kemi hyrë në shtëpi të baçit Sadik për shkak se u kanë shtëpi me podrum dhe e ka pasë malin ngat, ku shihet vendi i masakrës dhe aty kemi ndejtë”, rrëfen Shabani.

    Ai rrëfen se çfarë kishte biseduar komandanti i ushtrisë serbe në telefon me eprorin e tij, deri sa këta po mbaheshin pengje.

    “Aty kanë ardhë forcat serbe, na kanë marrë, na kanë çitë jashtë, na kanë rrahë, na i kanë marrë çka kemi pasë gjëra, para letërnjoftime e krejt dhe na kanë mbajtë, nuk e di sa ka qenë ora, dhe aty e kanë thirrë në telefon, unë e kam pasë një polic ngat, e kanë thirrë i thanë “komandir, a u kry aksioni, tha po. Sa janë, i tha mbi 30 na numëroi serbisht, dhe tha lëshoni”. Kur na lëshoi, unë qysh kesh i pari, mbeta i mbrami. Na thanë vendosni duart për mbrapa dhe shkoni kodrës për pjetë te UÇK-ja, i vendosëm duart dhe kur kemi shku deri në gjysmë të rrugës, kam shiku a po na vinë mbrapa, nuk na kanë ardhë mbrapa, iu kam thënë shkepnu, bile mos të na vrajnë me një plumb. Kemi shkepë, baca Sadik me ka pritë se e ka pasë djalin, unë e kam pasë nënën, çikën, gruan e mixhës, më tha ku mbet Burimi, i thash e kthyen brenda e shtinën se i ka pasë 14-15 vjet, edhe tha po e mbytkan, kemi shku. Jemi ulë te vendi ku është vendi i masakrës, aty ka dalë një serb dhe ka thënë çka po pritni ju dhe ka fillu të gjuajë menjëherë. Unë kam fillu me ikë të poshtë dhe 7-8 vetë janë vra të poshtë. Unë në trup asnjë, por në tesha kam pasë plumba në krejt teshat dhe e kam pasë kryet në dy vende të çarë prej stupcit”, rrëfen Shabani.

    Ai ende i ka të freskëta çdo dejat të tmerrshëm që kishte parë atë ditë.

    “Dhe aty, qysh shihen pa kokë, pa zemër, pa pjesë të trupit, unë aty e kam vëllain të vrarë dhe 12 kushërinj, ka prej çdo familje nga 2-3, sikur Fatmir është me dy vëllezër, Jashari po ashtu është me dy vëllezër, baçi Shyqë është me gjithë djalë, baçi Rizah është me dy djemtë, baçi Bajram me çikë, baçi Haki me dy vëllezërit, gruan e ka të zhdukur”, rrëfen Shabani. /atvlive.tv

    Rrëfimin e plotë për ATV-në nga i mbijetuari i masakrës së Reçakut, Ramë Shabani, e gjeni ën videon më poshtë:

  • Nga e enjtja do të ngritën temperaturat, ky është parashikimi i motit për 7 ditët e ardhshme

    Nga e enjtja do të ngritën temperaturat, ky është parashikimi i motit për 7 ditët e ardhshme

    Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, për emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, ka dha parashikimin e motit për 7 ditët e ardhshme në Kosovë.

    Ai tha se temperaturat e ulëta do ta shoqërojnë vendin tonë deri ditën e mërkurë, ndërsa nga dita e enjte, temperaturat do të fillojnë të ngritën.

    “Do të jetë një javë me mot të pa qëndrueshme pasi që vendi i ynë është në ndikimin e ajrit me presion të ulët atmosferik. Do të kemi vranësira të dendura të cilat në pjesën e dytë të ditës sot do të shoqërohen me riga të dobëta të shiut, pastaj rigat e shiut gjatë natës do të shndërrohen me fjolla bore. Kështu do të jetë moti edhe ditën e nesërme, por do të kemi reshje pak më intensive se sot. Kryesisht, reshjet do të jenë të dobëta gjatë gjithë javës, nuk do të kemi sasi të larta, por që ditët me reshje do të jenë sot, nesër dhe ditën e premte. Nga dita e sotme deri të mërkurën, mëngjeset do të jenë të ftohta me ngrica, kurse nga dita e enjte do të kemi rritje të temperaturave, ku nga 4-5 gradë sa do të jenë maksimale deri ditën e mërkurë, të enjten do të kalojnë me 11 apo 12 gradë Celsius”, tha Aliu. /atvlive.tv

    Parashikimin e plotë të motit për 7 ditët e ardhshme e gjeni në videon më poshtë:

  • Aksident me fatalitet në Klinë, humb jetën një person

    Aksident me fatalitet në Klinë, humb jetën një person

    Një aksident trafiku ka ndodhur në mes një veture dhe një kamioni në fshatin Krushevë të Vogël në Komunën e Klinës, ku si pasojë ka vdekur vozitësi i makinës.

    Lajmi është konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

    “Rreth orës 12:52, ka ndodhur një aksident në magjistralen Klinë- Gurakoc, në fshatin Krushevë e Vogël. Në aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, një veturë dhe një kamion. Për vozitësin e automjetit, mjeku kujdestar e ka konfirmuar vdekjen, ndërsa vozitësi i kamionit ka pësuar lëndime”, ka theksuar Gashi.