ATV

Author: ATVLive

  • Seancë e jashtëzakonshme të enjten lidhur me çmimet për energjinë elektrike

    Seancë e jashtëzakonshme të enjten lidhur me çmimet për energjinë elektrike

    Kuvendi i Kosovës sesionin pranveror do ta nisë të enjten me seancë të jashtëzakonshme për çështjen e çmimit të energjisë elektrike, raporton EO.

    Kështu ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

    “Me mbështetjen e 40 deputetëve nga partitë tjera opozitare, si Grup Parlamentar i PDK-së kemi thirr seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar çështjen e çmimit të energjisë elektrike në vendin tonë. Konsiderojmë se sot nuk ka gjë më të rëndësishme që sesioni parlamentar mund të fillojë sesa me diskutimin për çmimin e energjisë”, tha Tahiri.

    Ai shtoi se kanë propozuar gjithashtu një rezolutë për uljen e çmimit të energjisë dhe heqjen e bllok tarifave.

    “I dini shqetësimet e qytetarëve që po paguajnë çmimet e larta të energjisë në vendin tonë. I kemi propozuar Kuvendit edhe një rezolutë në bazë të cilës kërkojmë uljen e çmimit të energjisë dhe heqjen e bllok tarifave. Ditën e enjte do ta kemi vetëm këtë seancë të propozuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së”, tha Tahiri.

  • Von Cramon uron qytetarët për liberalizim, kërkon progres të Kosovës para se BE-ja të shkojë në zgjedhje

    Von Cramon uron qytetarët për liberalizim, kërkon progres të Kosovës para se BE-ja të shkojë në zgjedhje

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka kërkuar më shumë progres në dialogun Kosovë-Serbi, para se Bashkimi Evropian të shkojë në zgjedhje, raporton EO.

    Në një konferencë për media të hënën në Prishtinë, Von Cramon, fillimisht uroi qytetarët e Kosovës për liberalizimin e vizave, teksa e quajti vetën “mike të Kosovës”.

    Von Cramon foli për takimin me krerët e institucional e me liderët opozitarë, duke e quajtur gjithëpërfshirëse.

    “Uroj që më në fund Kosova mori liberalizimin e vizave, të gjithë kemi luftuar shumë për këtë. Të gjithë kemi pasur përshtypjen se ka qenë situatë diskriminuese, ku të gjitha shtetet e rajonit kanë mundur të udhëtojnë, përveç Kosovës, për këtë uroj të gjithë”, tha ajo.

    Von Cramon ka thënë se gjatë takimeve në Kosovë ka biseduar për shumë çështje.

    “Lufta kundër korrupsionit është duke vazhduar. Kam kërkuar të rritet buxheti ndaj transmetuesit publik. Po ashtu edhe në dialogun mes qeverisë dhe organizatave civile ka shumë ankesa”, deklaroi ajo

    Sa i përket dialogut me Serbinë, Von Cramon tha “Gjërat janë shumë dinamik, kemi parë pak progres”.

    Kurse, duke folur për zgjedhjet në Bashkimin Evropian ajo tha “Unë si shoqe e mirë e Kosovës, dëshiroj të shoh progres para se të shkojmë në kampanjat në zgjedhje. Pasi Brukseli do të mbyllet dhe do të merren me zgjedhje”.

  • Pasi u kapën duke kontrabanduar cigare, sulmojnë policët

    Pasi u kapën duke kontrabanduar cigare, sulmojnë policët

    Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës ka arritur që të identifikojë dhe parandalojë kryerjen e një rasti të kontrabandimit të mallrave nga tre persona të dyshuar.

    “Me datë 14.01.2024 në fshatin Smirë komuna e Vitisë, policia kufitare ka identifikuar një automjet të dyshuar me targa vendore të cilën ishte duke e drejtuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili njëherësh ishte duke përcjellë automjetin e dytë të dyshuar, të ngarkuar me mall të kontrabanduar, në të cilën ndodheshin edhe dy të dyshuarit tjerë meshkuj kosovarë”, thuhet në njoftim.

    “Pas përpjekjes së zyrtarëve policorë për ta ndaluar veturën e dytë të dyshuar, e njëjta duke i rrezikuar seriozisht zyrtarët policorë dhe doganorë ka goditur veturën zyrtare. Zyrtarët policorë gjatë legjitimimit të të dyshuarve, janë kanosur nga njëri prej tyre, dhe gjatë futjes në kontroll të një personi të dyshuar, një zyrtar policor ishte sulmuar, dhe ka pësuar lëndime trupore për të cilat i njëjti ka pranuar tretman mjekësor”, njofton PK-ja.

    Policia thotë se gjatë kontrollit të automjetit të dyshuar, të ngarkuar me mallra të kontrabanduara, janë hasur sasi prej 1299 paketime të tri llojeve të ndryshme cigaresh, në sasi të përgjithshme rreth 260.000 cigare.

    “Lidhur me rastin janë kontrolluar edhe shtëpitë e banimit të njërit nga të dyshuarit por nuk është gjetur asgjë e dyshuar, ndërsa automjeti i dyshuar i lartcekur dhe malli i ngarkuar janë konfiskuar për t’ju nënshtruar procedurave të mëtejme në terminalin doganor Dheu i Bardhë. Për të gjitha veprimet e ndërmarra nga Policia e Kosovës, është njoftuar prokuroria kompetente ku me urdhër të prokurorit përkatës dy persona të dyshuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa i dyshuari i tretë, identiteti i të cilit është i njohur për PK-në ndodhet në kërkim policorë”, përfundon njoftimi.

  • “Nuk mund të shtiremi kinse Kosova nuk ekziston”: Kryediplomati spanjoll flet për pranimin e pasaportës kosovare

    “Nuk mund të shtiremi kinse Kosova nuk ekziston”: Kryediplomati spanjoll flet për pranimin e pasaportës kosovare

    Kryediplomati spanjoll, José Manuel Albares, i cili ka qenë cak i kritikave të mëdha nga opozita spanjolle rreth “pranimin në heshtje” të pasaportës së Kosovës në dritën e liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian për kosovarët, ka shpjeguar sërish se kjo “nuk nënkupton” edhe njohje të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.

    Megjithatë, Albares tha se “nuk mund të shtiremi kinse Kosova nuk ekziston” ndonëse “nuk e njohim sovranitetin e saj”.

    “E kam thënë edhe shumë herë dhe e them edhe sot këtu, se Spanja nuk do të jetë kurrë pengesë për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. As për afrimin mes Prishtinës dhe Bashkimit Evropian. Sepse ai territor i Kosovës është brenda Ballkanit Perëndimor, dhe shkon në samitet e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor. Dhe Përfaqësuesi i Lartë (Josep Borrell) bëri një punë të lavdërueshme dhe ne e mbështesim atë. Nuk mund të pretendojmë se nuk ekziston. Por kjo nuk do të thotë se ne e njohim sovranitetin e saj”, ka thënë ministri spanjoll i jashtëm për “El Periodico”.

  • Walker nga Reçaku: Hera e parë që po vij me shkop, por dua të vij sa herë të më jepet rasti

    Walker nga Reçaku: Hera e parë që po vij me shkop, por dua të vij sa herë të më jepet rasti

    Ish-ambasadori i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka nderuar viktimat e Masakrës së Reçakut në përvjetorin e 25-të të kësaj masakre.

    Walker ka thënë se këtë radhë edhe pse me shkop, ka dashur të jetë prezent në Reçak për të nderuar miqtë e familjarët e këtij vendi.

    “Kjo nuk është vizita ime e parë në Reçak, mendoj se është e 21, 22 apo 23. Unë vij të nderoj fshatin Reçak, vij të përshëndes miqtë e mi, familje nga fshati Reçak, disa prej tyre i njoh prej 25 vitesh, disa fatkeqësisht kanë ndërruar jetë. Kjo është hera e parë që duhet të vij me shkop, por prapë dua të jem në Reçak në çdo rast që mundem.”

    Ai gjithashtu ka thënë se falë sakrificës së shumë djemve të fshatit, Kosova sot gëzon një demokraci plotësisht funksionale.

    “Për mua është shumë emocionuese. Është një histori e mrekullueshme për të cilën populli i këtij fshati fatkeqësisht është dashur të sakrifikojë shumë djem të fshatit. Ju tani keni një Republikë të Kosovës, një president, një kryeministër, një demokraci plotësisht funksionale dhe jam shumë krenar që jam këtu me ju në këtë vend që do të thotë shumë për mua, për popullin e Reçakut dhe për të gjithë Kosovën”, është shprehur Walker.

  • Bildi gjerman: Rusia planifikon të sulmojë NATO-n në korrik me luftë hibride

    Bildi gjerman: Rusia planifikon të sulmojë NATO-n në korrik me luftë hibride

    Rusia ka një plan për të sulmuar krahun lindor të NATO-s, pas një kundërofensivë të suksesshme në Ukrainë dhe zmbrapsjes së ushtrisë ukrainase deri në qershor. Kështu raporton Bild, që shkruan se ka siguruar një “dokument sekret” të përgatitur nga forcat e armatosura gjermane në lidhje me këtë.

    Dokumenti i klasifikuar thotë se Rusia mund të nisë “sulme kibernetike dhe forma të tjera të luftës hibride”, kundër Baltikut në korrik. Do të pasonin disa “përplasje” të paspecifikuara, të cilat Moska do t’i përdorte si pretekst për të filluar stërvitjet ushtarake në shkallë të gjerë në territorin e saj dhe në Bjellorusi, raporton gazeta gjermane, duke cituar dokumentin ushtarak.

    I menjëhershëm ishte dhe reagimi nga Moska.

    “Bild nuk heziton të shkruajë mashtrime, ndaj do të preferoja të mos komentoja”, u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një përgjigje për gazetarët që i kërkuan një reagim ndaj artikullit të gazetës gjermane.

    Frika për zgjerimin e konfliktit në Ukrainë, vjen në një kohë kur autoritetet në Suedi lëshuan alarmin se në vendin nordik mund të shpërthente lufta. Shefi i shtabit të ushtrisë, gjenerali Micael Byden, u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen vullnetarisht organizatave të mbrojtjes për një konflikt të mundshëm të armatosur të nxitur nga Rusia.

    Frikën e vendeve që janë afër shtetit të udhëhequr nga Vladimir Putin e shton dhe fakti që ushtria e tij ka ashpërsuar sulmet në Ukrainë.

    “Nëse Kievi përdor raketa me rreze të gjatë veprimi të furnizuar nga Perëndimi, kundër vendeve të lëshimit në Rusi, Moska mund të përgjigjet me armë bërthamore. Këtë paralajmëroi disa ditë më parë ish-presidenti rus Dmitry Medvedev.

  • Vizat dhe dialogu me Serbinë, temë diskutimi mes Bislimit e Von Cramonit

    Vizat dhe dialogu me Serbinë, temë diskutimi mes Bislimit e Von Cramonit

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, kanë diskutuar të hënën mbi procesin e dialogut me Serbinë, liberalizimin e vizave dhe integrimin evropian.

    Bislimi e ka pritur në takim zyrtaren evropiane, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit duke shtuar se Bislimi e ka falënderuar për rolin e saj në Parlamentin Evropian.

    “Në vijim, u diskutua dhe mbi angazhimin e përkushtimin e Kosovës drejt integrimit evropian, çështjet në lidhje me procesin e dialogut si dhe zhvillimet në vend, rajon e më gjerë. Në përfundim, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu falënderimin dhe vlerësimin e tij për rolin dhe angazhimin e znj. Cramon në Parlamentin Evropian dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

    Për angazhimin në liberalizimin e vizave, Cramonin e ka falënderuar të dielën edhe kryeministri Albin Kurti.

    “Duke folur për zhvillimet pozitive në këtë fillimvit, kryeministri veçoi liberalizimin e vizave për çka e falënderoi znj. Cramon për punën dhe angazhimin e saj. Në më pak se tri vite qeverisje, Kosova prin në rajon për qeverisjen e mirë, demokracinë, sundimin e ligjit dhe zhvillim ekonomik. Kryeministri e falënderoi dhe shprehu vlerësimin për rolin dhe angazhimin e znj. Cramon në Parlamentin Evropian”, thuhet më tej në njoftim.

  • Mbledhja e parë e Kryesisë për këtë vit, në rend dite propozimi për seancën plenare të radhës

    Mbledhja e parë e Kryesisë për këtë vit, në rend dite propozimi për seancën plenare të radhës

    Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ka thirrur sot mbledhjen e parë për këtë vit në të cilën në rend dite është propozimi i rendit të ditës për seancën plenare të radhës, ku janë paraparë 30 pika, raporton Ekonomia Online.

    Në rend dite është votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm, votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm, votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”.

    Po ashtu në rend dite është shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-263 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës, votimi në lexim të dytë i Projekt Kodit doganor dhe të akcizave, nr. 08/L-247, votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-243 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L–037 për metrologji, votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-262 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin nr.05/L-031 për procedurën e përgjithshme administrative faza e dytë, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-267 për letërnjoftimin, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-265 për regjistrin e pronarëve përfitues, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-264 për rininë, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-268 për shpronësimin e pronës së paluajtshme, votimi për emërimin e 3 (tre) anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, votimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028, shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2022, shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2022, shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.02/L-65 Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes, shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.2003/5 për farërat dhe shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.04/L-114 për pasurimin e miellit.

    Po asht në rend dite është formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë, propozimi për përzgjedhjen e një (1) kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës dh themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

  • Krasniqi në Reçak: Krim mizor kundër njerëzimit, Serbia kreu gjenocid dhe spastrim etnik

    Krasniqi në Reçak: Krim mizor kundër njerëzimit, Serbia kreu gjenocid dhe spastrim etnik

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka bërë sot homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak, në ditën kur shënohet 25-vjetori i masakrës.

    “Sot, bashkë me kolegë dhe bashkëpunëtorë nga PDK, bëmë homazhe tek Kompleksi Përkujtimor në Reçak, për të kujtuar 45 viktimat e kësaj masakre, e cila, edhe 25 vjet më pas, mbetet dhembja jonë e madhe. Një krim mizor dhe me paramendim kundër njerëzimit – i cili vulosi qëllimin politik të Serbisë dhe agjendën e saj për të kryer gjenocid dhe spastrim etnik në Kosovë”, shkroi Krasniqi në Facebook.

    Ai shtoi se “Gjithmonë, e posaçërisht sot, vlerësojmë lartë kontributin e Ambasadorit William Walker, i cili, çerek shekulli më parë, nga vendi i ngjarjes në Reçak, krimin e quajti me emrin e të tij të vërtetë”.

    “Kosova nuk do të hesht asnjëherë për krimet ndaj popullatës civile shqiptare, gjatë luftës së viteve 1998/99, derisa drejtësia të vihet në vend për secilën viktimë të vendit tonë. Lavdi martirëve të Reçakut!!, shkroi Krasniqi.

  • Abdixhiku për masakrën e Reçakut: Ta mbajmë si rikujtim të sakrificës së popullit për liri e shtetësi

    Abdixhiku për masakrën e Reçakut: Ta mbajmë si rikujtim të sakrificës së popullit për liri e shtetësi

    Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se masakra e Reçakut ishte një ndër më të rëndat të njerëzimit në fundin e shekullit të XX.

    Abdixhiku ka thënë se ndjen nevojën që këtë ditë të dhimbshme ta mbajmë si rikujtim të sakrificës së popullit për liri e shtetësi.

    Postimi i plotë:

    Reçak. Një çerek shekulli pas. Mes familjarëve të fëmijëve, grave, të moshuarve e burrave, të vrarë e masakruar nga forcat policore, paramilitare e ushtarake të Serbisë; në mëngjesin e ftohtë të 15 janarit të vitit 1999. Në përkujtim të ditës që tronditi një botë të tërë. ‘Krim kundër njerëzimit’ do ta quante ambasadori Walker atëherë.

    Ishte një ndër më të rënda të njerëzimit në fundshekullin e njëzetë.
    Sot, teksa po largohemi një çerek shekulli nga kjo ngjarje e errët e historisë njerëzore, ndjejmë gjithë afërsinë me dhimbjet e asaj dite të familjarëve e të mbijetuarve. Ndjejmë dhe nevojën që këtë ditë të dhimbshme të kujtesës sonë, ta mbajmë sot e gjithherë si rikujtim që s’shuhet të sakrificës së madhe të popullit tonë për liri e shtetësi. Mbi këtë sakrificë, përbashkimi ynë për Kosovën, atdheun tonë, bëhet domosdoshmëri.