ATV

Author: ATVLive

  • Konjufca: Pas Reçakut, bota demokratike e kuptoi se gjuha të cilën e njeh Serbia është gjuha e forcës

    Konjufca: Pas Reçakut, bota demokratike e kuptoi se gjuha të cilën e njeh Serbia është gjuha e forcës

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se Masakra e Reçakut është ndër aktet më mizore të regjimit serb, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka thënë të hënën nëpërmjet Reçakut, bota demokratike e kishte kuptuar se “gjuha të cilën e njeh Serbia është gjuha e forcës”.

    “Ky ishte njëri ndër aktet më mizore të regjimit së Serbisë, e po ashtu për botën demokratike shënoi edhe vijën e kuqe për Serbinë okupatore që i solli edhe bombardimet e NATO-s pastaj. Gjë që i hapi rrugë edhe çlirimit të plotë të Kosovës. Pas Reçakut, bota demokratike e kuptoi se gjuha të cilën e njeh Serbia është gjuha e forcës, sepse nuk do të ndalej lufta dhe masakrat që po i kryente gjithandej Kosovës. Prandaj, gjithmonë do të mblidhemi këtu, për t’i kujtuar edhe martirët e Reçakut, e edhe dëshmorët që rënë në përpjekje për të mbrojtur popullatën civile të Reçakut”, ka shtuar ai.

  • Haradinaj: Para 25 vitesh, një akt çnjerëzor tronditi mbarë botën demokratike

    Haradinaj: Para 25 vitesh, një akt çnjerëzor tronditi mbarë botën demokratike

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se masakra e Reçakut është një akt çnjerëzor që e tronditi mbarë botën demokratike dhe shtyri Perëndimin të mobilizohej dhe të ndalojë me forcë shfarosjen e një populli të tërë

    Haradinaj ka falënderuar ish-ambasadorin amerikan, William Walker, që sipas tij e përkufizoi këtë masakër si krim kundër njerëzimit.

    “Para 25 vitesh, një akt çnjerëzor tronditi mbarë botën demokratike dhe shtyri Perëndimin të mobilizohej dhe të ndalojë me forcë shfarosjen e një populli të tërë. Masakra e Reçakut, mbetet simboli i krimit gjenocidal që aparatura shtetrore ushtarake serbe kreu në Kosovë. Ajo bëri kthesën e madhe historike duke prekur thellë në ndërgjegjjen e kombeve të fuqishme për të lëvizur me NATO-n në krye me ShBA-të”.

    “Sot, në nderim martirëve të kësaj masakre, kam bërë homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak. Me respekt të thellë do të kujtojmë gjithmonë ata që me flijimin e tyre u bënë themelet e lirisë sonë”, ka thënë kreu i Aleancës.

  • ​Kuvendi kishtar i Arbërit dhe mbrojtja e identitetit kombëtar e fetar të shqiptarëve

    ​Kuvendi kishtar i Arbërit dhe mbrojtja e identitetit kombëtar e fetar të shqiptarëve

    Më 14 e 15 janar të vitit 1703, në Mërqi, afër Lezhës, u organizua Kuvendi i Arbërit, Koncili i Kishës Katolike në trojet Shqiptare me dëshirën e Papës Klementit XI, Xhanfrançesk Albanit, me prejardhje shqiptare, i cili këtë ngjarje të madhe kishtare e kombëtare ia besoi kryeipeshkvit të asaj kohe të Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviçit.

    Është thënë se Kuvendi apo Koncili i Kishës katolike i trojeve shqiptare, u mbledh në një situatë tejet të vështirë: populli shqiptar, këndej të krishterët e në mënyrë të posaçme katolikët, pësonin trysnin e sundimit otoman, që dalëngadalë, por me vendosmëri e në mënyrë sistematike punonte për kalimin e popullsisë shqiptare, e jo vetëm, në fenë islame.

    Të joshur nga premtimet dhe lehtësirat që turqit krijonin e u jepnin myslimanëve, një pjesë e mirë e shqiptarëve kaloi në fenë islame, ose mbeten të krishterë të fshehtë, do të thotë që në shtëpi e mbanin fenë dhe doket e krishtera, derisa në jetën publike paraqiteshin si myslimanë e kishin edhe nga dy emra. Është fjala për ‘kriptokatolikët’ apo ‘laramanët’, fenomen ky ende sot e kësaj dite i pranishëm në disa zona shqiptare, si në Kosovës në pjesën e Karadakut afër Gjilanit e Vitisë, në zonë të Istogut e të Mallishevës, e në disa zona të Shqipërisë. Ky fenomen apostazie u dënua nga Kuvendi kishtar i Arbërit.

    Ndërsa, përsa i përket Kishave, perandoria otomane fillimisht nuk i prishte, por as nuk lejonte që të bëheshin meremetime, apo të ndërtoheshin Kisha të reja, duke e kufizuar e më vonë duke ndaluar jetën dhe veprimtarinë e Kishave shqiptare, e si pasojë erdhi deri te rrënimi i pashmangshëm i sa e sa Kisha e kuvendeve rregulltare – manastireve të krishtera në trojet shqiptare. Përveç aspektit shpirtëror, këndej fetar, luftimi i Kishave nga turqit ishte edhe luftim kundër identitetit etnik dhe orientimit të shqiptarëve drejt kulturës perëndimore evropiane.

    Në kushte të këtilla, pra, mblidhej Kuvendi apo Koncili Kishtar Kombëtar Shqiptar në Mërqi, më 14 e 15 janar të vitit 1703, në të dielën e dytë pas Krishtlindjes, në Kishën e shën Gjon Pagëzuesit. Qe pikërisht kryeipeshkvi imzot Zmajeviçi, ai që e mbajti fjalën e hapjes së këtij Koncili vendor kishtar. Në të bie në sy gëzimi dhe shpresa që, pas kaq shekujsh të tiranisë turke, u bë e mundur një mbledhje e tillë.

    Njëkohësisht, imzot Zmajeviçi u kujtoi të gjithë ipeshkvijve pjesëmarrës të Kuvendit të Arbërit detyrën që të kujdesën me të gjitha forcat për ringjalljen e jetës fetare të popullit, e të punojnë për përtëritjen e rritjen e klerit si dhe për lirinë e kultit e të popullit.

    Kujtojmë se në Kuvendin e Abërit, episkopati katolikë shqiptarë, në njërën anë analizoi aspektet e brendshme kishtare: administrimin e Sakramenteve e kremtimin e riteve liturgjike, lirinë fetare e të kultit, reformën e zakoneve e tjera dhe në anën tjetër gjendjen e popullsisë në realitetin shoqëror, nën sundimin otoman, me të gjitha problemet e rënda që përjetonte çdo ditë, e sidomos me rrezikun e humbjes së identitetit kombëtar e të gjuhës shqipe.

    E vendimet e Kuvendit kishtar të Arbërit qenë të rëndësishme pikërisht për rregullimin e brendshëm të jetës dhe veprimtarisë kishtare, për rigjallërimin e fesë dhe në anën tjetër për nxitjen drejtuar popullsisë shqiptare për mbrojtjen e vlerave dhe të identitetit kombëtar, para pushtimit e sundimit shkatërrimtar otoman. Ky Kuvend kishtar, pra, mori në shqyrtim dhe mbrojti dy çështjet më jetike për shqiptarët: identitetin kombëtar e fetar të shqiptarëve.

    Në përfundim, dekretet, pra vendimet e Koncilit të Arbërit, shkruar në shqip e latinisht nga vetë Imzot Zmajeviçi, iu paraqitën për shqyrtim Papës dhe, pas miratimit më 28 janar 1704, u botuan nga Propaganda Fide nën titullin “Kuvendi i Arbnit o Koncili Provinciall i mbledhun Vjetit mijë shtaqind e tre ndenë Shqiptarin Klementin XI papë Pretëmadhin”.

    Imzot Zmajeviçi i përcillte dokumentet me një letër, përmes së cilës shihet qartë se kleri katolik shqiptar i qëndroi pranë në gëzim e në vaj popullit të vet dhe i parapriu rilindjes së tij kombëtare. Me që kanë kaluar pothuajse mbi treqind vjet që kur u shkrua letra, u detyruam ta prekim paksa gjuhën e saj, për ta bërë të kuptueshme për lexuesin:

    “Urdhnove, o i Lumtuni Atë, me të vizituem Apostolik, të vërej mbi Kishat e Arbënisë së provinçës seme. Ju binda urdhënit; ju solla dheut; kërkova rruzullimin; pashë plagët e tij. Pashë, – uh, ç’dhimbje, – vu nën haraç atë që dikur kje despoti i Provincjave; (pashë) (Shypninë) Zonjën e gjindëve ndrydhë nën thember, me dhimbje të idhta; shqytin e trimave – shembë; murin e forcës sonë – rrenue! Pashë gjindt, hy në vend shenjt; kishat, të flligta; lterët përlye. Mezi pashë vend ku të mundej populli me u mbledhë në kuvend! Pashë pleqtë tue ulurue; Meshtarët, shërbëtorët e Hyjit, tue gjimue; çobantë, vra; dhentë tretë, tue u shpërnda dy udhëve; murtajën, që pa mëshirë i çoroditëte të gjithë; e plasjen e mortaisun, që trimnohej për të gjanë e për të gjatë.

    Këto pashë e gjimova! U përzien përmbrendcat e mia prej dhimbe për popullin tem e m’u coptuen, tek shihshe mundimet e bijve që po mbyteshin. Tue pamë këta, thashë, populli em u ba rob, përse s’pat dijen. Tue ankue kaq të këqija e ngushtica të paudha, edhe mue më shtrëngoi ngushtica; por, për sa paçë fuqi, nuk lashë ilaç pa përdorë. Nevoja e lypte me gjetë shtigje ma të mira se vizita, as lente moti me e shtymë. Ndihma ma e madhe do të ishte mbledhja e Konçilit. Këtu i përqëndrova fuqitë, këtu ngula mendtë, tue ia himë, pa rrenë, një pune ma të randë se kishe fuqinë. Po Ai, që i ka ndihmue vëllazënt tanë, që ishin përdamë nëpër rruzullim të Fesë, më ndihmoi edhe mue në këtë vend. As detyra që kam, si çoban i shpirtnave, as kujdesi i fortë, që kam për të krishtenët e as mendët e mia të pa afta, nuk do të mujshin me e krye një detyrë kaq të randë. Po Hyji, i cili ndërron motnat e doket, që ep të rritunit e mbaron gjithë punët, Ai bani që një detyrë kaq e vështirë të kryhej si pata dëshirue.

    Nën hije Tande, o i Lumtun Atë, po gëzon dheu Arbënesh e mbas ndërrimit të motit ngrihet, sikur të kishte kenë i mbuluem me njegull, tashti nën papën arbënesh, që latinisht don me thanë i bardhë – e del në dritë, e me zemër të mirë shpejton me mërrijtë përsëri në lumni të shkueme. Mendja e Atit, e cila asht ma e madhe se rrethi i shekullit, i uron me dashtëni të TinZot këtë lumni dheut tonë; për t’iu falë nderës zemrës gazmuese, vijnë si për dhanti në shatorre Apostolike, në katedër të dijes qiellore, Dekretet e Sinodit të Proviçjes Arbëneshe, në mënyrë që, në paçin gabime, të qortohen me fjalë Tande.

    Unë, pra, në paça gabue si Prelat Arbënesh, vij te magjisteri i Pjetrit me u qortue; e nuk më vjen marre me i kthye ndryshe fjalët. Nuk kanë kurrfarë vlere veprat tona të errta; asgja nuk vlejnë Dekretet, në se nuk mbështeten mbi Gurin e palëkundun; e si të jenë provue mbi gurin e fortë, të forcohen me profeci të pushtetes sate.

    Pëlqe, pra, o i Lumtuni Atë, dhantitë e nderimet e përvujta, sheje të Kombit tem, por ma fort tandit. E, n’e pashë se ndokund puna duhet lëmue, godite e ndreqe me gjykimin e shenjtnueshëm e të pagabueshëm… Po, sepse kështu këto pak të falna, që përkojnë me vobësinë tonë, me gjykimin e hyjnueshëm pagabim kanë për t’u shumue fort. E ndërkaq unë, me vëllazën të mij të tjerë të Arbënisë… lusim Hyjin t’ju ruejë Ju, Papën Arbënesh Pretmadhin, për shumë mot në Kishë e edhe ne të na ruejë shëndosh pa kurrnjë të keqe… Shkrue në Perastti, ditën e dhetë të korrikut, në vjetë të Krishtit njimië e shtatqint e tre”.

    Marrë nga “Concilli i ZÉUT ‘SCCIPNIIS” Bot. III N’Rom, me sctamp T’ Cuvenit S. T’ PROPOGANDS, 1878 – FQ XI

    Po radhisim më poshtë klerikët që nënshkruan Konçilin e Parë të Shqipërisë, mbajtur në Merqi në vitin 1703 nën kryesinë e Shkelqësisë së Tij, Imzot Vincenc Zmajeviq, arqipeshkëv i Tivarit:

    Imzot Vincenz Zmajeviq, arqipeshkëv i Tivarit, Primat i Serbisë, Vizitator apostolik në Shqipni.

    Imzot Pjeter Karagjiku, arqipeshkëv i emnuem i Shkupit.

    Imzot Gjergji, Ipeshkëv i Zadrimës.

    Imzot Nikollë Vladanji, ipeshkëv i Lezhës.

    Imzot Ndue Babi, ipeshkëv i emnuem i Shkodrës.

    Imzot Marin Gjini, ipeshkëv i zgjedhun i Pultit.

    Atë Fra Egjidi de Arsenta, Prefekt Apostolik i Misioneve t’Arbënisë.

    Atë Fra Frano Maria a Lycio, Prefekt Apostolik i Misioneve të Maqedonisë.

    Atë Fra Martini nga Gjonima (Gjonmi), i pari i Provinçes së Fretënve.

    Po kujtomë se materialet e punimeve të Kuvendit të Abërit u hartuan nga imzot Vinçenc Zmajeviçi dhe u botuan në Romë më 1706. Botimi i dytë, me disa shtesa latinisht, u botua në Romë i përkthyer nga dora e shkrimtarit të njohur shqiptar, dom Engjëll Radojës më 1868. U përsërit nga i njëjti shkrimtar më 1872. Rëndësi e dorës së parë iu dha qartësisë së gjuhës, në mënyrë që dekretet e Kuvendit të Kishës shqiptare të ishin sa më të kuptueshme për masat e popullit.

    Botimi shqip i punimeve të Kuvendit të Arbënit çmohet porsi i pari botim aktesh kishtare sinodale në gjuhën shqipe, me sa dihet deri më sot. Ato dalin nga një mbledhje e nivelit të lartë sinodal të Kishës për Shqipërinë veriore e të mesme. Në këto akte gjejmë një material shumë të çmueshëm për gjendjen e vështirë ekonomike të shqiptarëve në atë kohë, për gjeografinë, për çështjet e shkollimit, për situatën e lirisë njerëzore e fetare, për të drejtat themelore njerëzore që u mohoheshin sistematikisht e me një tragjedi të mirëmenduar të turqve.

    Teksti shqip i Kuvendit të Arbenit është një dëshmi e rëndësishme e 1706-es për historinë e shkrimit të shqipes, e po kështu ka edhe vlera të mëdha për historinë dhe gjuhën e shqiptarëve. (radio vatikani)

  • ​Vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve në Hagë

    ​Vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve në Hagë

    Pas pushimit dimror do të rifillojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Seancat për vitin 2024 fillojnë, të hënën, më 15 janar, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

    Deri më tash janë paraqitur 38 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).

    Në njoftimin javor të Speciales është bërë e ditur se trupi gjykues ka pranuar pjesërisht kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) që të pranohen si prova deklaratat me shkrim të disa dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmi në çështje të tjera, kërkesë kjo në të cilën përfshiheshin edhe deklaratat e disa dëshmitarëve që tashmë kanë vdekur.

  • ​Perez përgjigjet për të ardhmen e Mbappes

    ​Perez përgjigjet për të ardhmen e Mbappes

    Real Madridi mposhti Barcelonën në derbin e finales së Superkupës së Spanjës, të luajtur në Arabinë Saudite. Brazilianët e skuadrës së Carlo Ancelottit bënë një spektakël ndaj katalanasve. Vinicius Junior shënoi hat-trick, ndërsa golin e katërt e shënoi Rodrygo. Golin e vetëm të katalanasve e shënoi Robert Leëandoëski.

    Florentino Perez, presidenti i Real Madridit, ka folur në fund të ndeshjes së fituar me vendosmëri nga skuadra e tij dhe ka komentuar edhe një nga temat më “djegëse” në merkato.

    I pyetur për Kylian Mbappe, i cili ka hyrë në muajt e fundit të kontratës me PSG-në dhe është në listën e objektivave të Real Madridit, Florentino Perez ka dhënë një përgjigje të prerë.

    “Nuk është dita për të folur për këtë, është një ditë kur duhet të urojmë lojtarët që kemi, jo ata që kanë skuadrat e tjera”, tha presidenti i Real Madridit, përcjellë KosovaPress.

    Interesimi i Real Madridit për yllin francez vazhdon të jetë i madh tash e shumë vite, por PSG këmbëngul për të mos e shitur atë.

  • ​Podujevë: Theret një person, arrestohen dy të dyshuarit

    ​Podujevë: Theret një person, arrestohen dy të dyshuarit

    Të dielën në Podujevë janë arrestuar dy persona të cilët dyshohen ta kenë therur me thikë një person tjetër.

    “Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që, të njëjtit kanë therur me thikë viktimën mashkull kosovar”, thuhet në Raportin e Policisë së Kosovës.

    “Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Podujevë dhe më pas është dërguar për në QKUK Prishtinë”.

    “Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje”.

  • ​Liderët e shtetit bëjnë homazhe në Reçak

    ​Liderët e shtetit bëjnë homazhe në Reçak

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti si dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, të shoqëruar edhe nga ish-ambasadori, William Walker, ish-Kryesues i Misionit Verifikues në Kosovë në vitet ’99, kanë bërë homazhe në Reçak me rasim e 25-vjetorit të masakrës në këtë vend.

    Pas nderimeve, liderët do të marrin pjesë edhe në akademinë përkujtimore që mbahet me rastin e 25-vjetorit të masakrës së Reçakut.

    Edhe Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka bërë homazhe tek varret e të vrarëve në Reçak.

    Homazhe ka bërë edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

    Qytetarë të shumtë janë mbledhur para orës 09:00 për të kujtuar viktimat e masakrës se Reçakut.

  • Shkolla dymilionëshe në Dragash që nuk priti kurrë nxënës

    Shkolla dymilionëshe në Dragash që nuk priti kurrë nxënës

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Dryni iu vu ende pa filluar.

    Kjo shkollë në Dragash nuk mirëpriti asnjëherë nxënës, ndonëse u ndërtua në 2016-tën. Madje, për të u harxhua një shumë e majme parash.

    Këtu parashihej të vendosej shkolla e mesme profesionale. E në mungesë të saj nxënësve u duhet të udhëtojnë deri në Prizren, për çka prindërit ankohen se kanë shumë shpenzime.

    Megjithatë, atë që nuk e bëri udhëheqësia e shkuar e Dragashit, tentoi ta bëjë pushteti aktual vetëm se plani nuk pati sukses.

    Si shkollë jo, por megjithatë ky objekt me raste po shfrytëzohet për disa aktivitete TË tjera.

    Që gjithë investimi të mos shkojë dëm, Xheladini thotë se po e shqyrtojnë mundësinë që objektin t’ia japin ndonjë biznesi, me kushtin që t’i punësojë qytetarët e Dragashit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • “Bruhi” dhe “Zorra qorre” operacionet më të shpeshta në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve

    “Bruhi” dhe “Zorra qorre” operacionet më të shpeshta në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Rreth 736 operacione të planifikuara dhe 352 operacione urgjente, janë kryer në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK, vetëm gjatë vitit 2023.

    Operacionet më të shpeshta në këtë klinikë, janë ajo e bruhit dhe e zorrës qorre.

    pediatri i kësaj klinike, Dëfrim Koçinaj, thotë se është rritur numri i shërbimeve, për dallim nga vitet e kaluara.

    “Gjatë viteve pandemisë ka pasur rënie të dukshme të operacioneve të realizuara, por pastaj jemi rikthyer në suaza të normales. Kemi shtuar intervenimet me kirurgji minimale invazive dhe me endourologjinë, ofrojmë shërbime me gamë shumë të gjerë se vitet kaluese. Ditët që punojmë me kapacitetin tonë normal që është dy salla paradite prej të hënës deri të premten, mund të kryhen mbi 30 operacione në javë, shto edhe operacionet e urgjencës që mund të jenë si një mesatare dy intervenime urgjente”, tha Koçinaj.

    Koçinaj tha se kanë mungesë të stafit mjekësor, derisa sipas tij, pjesa e shërbimit urgjent, ka nevojë për një projekt të ri.

    “Sigurisht që kemi mungesë të stafit, që lidhet me një dukuri të përgjithshme në mjekësinë kosovare, por jo vetëm. Për shembull një numër i anesteziologëve në një farë mase e kanë liruar institucionin publik dhe kanë shkuar nëpër spitale private. Ndërsa pjesa e shërbimit urgjent 24 orë ka nevojë për një projekt të ri, është spital i ri ka nevojë për organizime të reja, hapësirat i kemi. Besoj se së shpejti do ta funksionalizojme pjesën e emergjencës 24 orëshe për të gjitha patologjitë urgjente në moshën pediatrike”, tha Koçinaj.

    Ndërkaq, Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve është në pritje të pajisjes me vertikalen e gastroskopit dhe koloskopit, për ekzaminimin e traktit tretës.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Protestohet kundër mbylljes së rrugës “Xhorxh Bush”

    Protestohet kundër mbylljes së rrugës “Xhorxh Bush”

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Së pari duan largimin e shtëpizave bashkë me mbeturinat përreth.

    Më pas këta protestues kërkojnë që edhe rruga “Xhorxh Bush” në Prishtinë të hapet për qarkullimin e mjeteve motorike.

    “Gjendja faktike po shihet, asnjë hap zhvillimi nuk është bërë këndej, nuk e di qëllimin e tyre por sheshe mendoj se ka mjaftueshëm”, tha Kosum Mjekiqi, protestues.

    “Kolona të gjata, vetëm mbyllja e rrugës i ‘u ka mbetur…”, tha Ramize Curri, protestuese.

    Protesta për lirimin e rrugës u përkrah edhe nga deputetja Jeta Statovci.

    “Mbyllja e rrugës është një hap komplet i pa nevojshëm duke parë hapësirat përreth të cilat ka boll sheshe…”, tha deputetja e VV-së, Jeta Statovci.

    Rruga “Xhorxh Bush” në Prishtinë është mbyllur për qarkullim nga 26 nëntori i vitit 2022. Që nga kjo kohë, hapësira u shfrytëzua për aktivitetet e organizuara nga Komuna e Prishtinës.

    Ndërkaq, një ditë para protestës është prezantuar plani i ri për transformimin e sheshit.

    Kështu kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se sheshi i ri do të ketë ndërlidhje me disa pjesë të qytetit, duke u shndërruar në një hapësirë urbane bashkëkohore e më shumë gjelbërim.

    Por për asnjërën nga këto nuk dihet afati i përfundimit madje as kostoja.

    Protestë me qëllimin si kjo e të dielës, pritet të mbahet edhe të shtunën në ora 12:00 në sheshin “Skënderbeu”.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: