ATV

Author: ATVLive

  • Murati: Do të shihet sa vota janë për kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit

    Murati: Do të shihet sa vota janë për kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit

    Ai tha se ende nuk kanë informata nëse është dërguar letër te presidentja për interpretim se si duhet të vazhdohet më tej për seancë, raporton EO.

    Ai komentet i bëri në konferencën e përbashkët për media me ministrin në detyrë të Kulturës, Hajrulla Çeku.

    “Besoj që gjatë proceseve të ardhshme aty do të shihet sa vota janë për kryetarin, nënkryetarët. Deri tani nuk kem informata a është dërguar letra te presidentja”.

    Akuza që na është përsëritur disa herë, u pa dje që ne nuk e bllokuam. Ishte opozita që e ngriti dorën për ta bllokuar procesin. Janë faktet, nuk ka fakte që dëshmojnë deri më tani që ne kemi qenë për bllokim të institucioneve. Faktet flasin diçka tjetër. Fakti është që opozita dje votoi kundër mandatit të deputetit. Dje kishim situatën që opozita është e interesuar që të mos kemi krijim të institucioneve”, tha Murati.

  • Hoti: S’ka arsye të rriten tarifat e rrymës – Humbjet e ndërmarrjeve po paguhen nga konsumatorët

    Hoti: S’ka arsye të rriten tarifat e rrymës – Humbjet e ndërmarrjeve po paguhen nga konsumatorët

    Deputeti i zgjedhur nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se nuk ka asnjë arsye ekonomike që të rriten tarifat e energjisë elektrike në Kosovë.

    Hoti deklaroi përmes një shkrimi në Facebook se është për keqardhje që sot Kosova nuk ka Qeveri efektive që të trajtojë me profesionalizëm dhe kujdes maksimal vendime të tilla që prekin standardin e jetës së çdo familje.

    “E para, tregjet e energjisë kanë qenë stabile dhe pritet të mbesin të tilla, pasi nuk ka të ngjarë se do të ketë ndryshime në kërkesë dhe as në ofertë të energjisë. Kjo pasi është bërë progres i madh në tranzicionin energjetik të shumë vendeve të BE-së për t’u pavarësuar nga gazi rus, që nënkupton se është stabilizuar oferta për energji dhe ka siguri shumë më të madhe të furnizimit. Në anën tjetër, janë bërë investime madhore në shumë vende në efiçiencë të energjisë, të cilat investime së paku e kanë bërë më të moderuar rritjen vjetore të kërkesës për energji. Si rezultat, stabiliteti në ofertë dhe në kërkesë për energji pritet t’i mbajë çmimet e energjisë relativisht konstante”.

    “E dyta, nuk ka asnjë logjikë që vit pas viti ndërmarrjeve të energjisë elektrike në Kosovë t’u pranohen humbjet, të cilat arrijnë në dhjetëra miliona euro, dhe të përfshihen në tarifat që paguajnë konsumatorët. Çdo vit miratohet plani i investimeve në rrjet, kostoja e të cilit llogaritet në tarifat që paguajnë konsumatorët. Prandaj, është e natyrshme që humbjet e llogaritura të energjisë në rrjet të reduktohen vit pas viti, e jo të mbesin të njëjta, aq më pak të rriten. Gjithashtu, është e ditur se pagesat nga ana e konsumatorëve për energjinë e konsumuar janë gjithnjë e më të rregullta, e cila gjë duhet të shpie në ulje të humbjeve të llogaritura dhe të reflektuara në tarifa”, shkruan mes tjerash ai.

  • Përgatitje për dy ngjarje ndërkombëtare sportive

    Përgatitje për dy ngjarje ndërkombëtare sportive

    Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrullah Çeku, bëri të ditur se në korrik të këtij viti në Prishtinë do të organizohet Evropiani EA SPORTS. Ai, në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë së Kosovës, njoftoi edhe për ecurinë e përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare më 2030, raporton EO.

    “Me datën 7 korrik sivjet fillon kampionati evropian EA SPORTS në Prishtinë dhe do të zgjasë deri më 14 korrik. Do të kemi qindra garues të këtij sporti nga gjithë Evropa në Prishtinë. Dje është nënshkruar edhe një marrëveshje tripalëshe mes Federatës Ndërkombëtare, Federatës Evropiane dhe Federatës Kosovare. Kur jemi te Lojërat Mesdhetare së fundi kemi nënshkruar edhe një marrëveshje për asistencë me Bankën Evropiane për Investime për hartimin e projektit për rivitalizimin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Kjo hap rrugën për kredinë ndërkombëtare për zbatimin e punimeve në viteve në vijim, në mënyrë që Pallati të jetë gati për Lojërat Mesdhetare në vitin 2030”, tha Çeku.

  • ​S’ka më dëshmitarë të prokurorisë, a duhet të lirohen nga paraburgimi ish-eprorët e UÇK-së?

    ​S’ka më dëshmitarë të prokurorisë, a duhet të lirohen nga paraburgimi ish-eprorët e UÇK-së?

    Ndikimi në dëshmitarë ishte një prej arsyeve kryesore sipas prokurorisë në Hagë pse ish-eprorët e UÇK-së duhet të mbahen në paraburgim. Intervistimi i dëshmitarëve ka përfunduar dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka mbyllur çështjen e saj. Megjithkëtë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit iu është vazhduar paraburgimi.

    Avokatë e monitorues të këtij procesi gjyqësor vlerësojnë se duhet të ketë zbutje të masës së sigurisë.

    Sipas tyre, tashmë janë krijuar kushtet ligjore që masa e paraburgimit të zëvendësohet me ndonjë masë tjetër të sigurisë, siç është e ajo e arrestit shtëpiak apo ndalimi për t’iu afruar personave të caktuar.

    “Mendoj se tash plotësohen të gjitha kushtet ligjore për zëvendësimin e masës së sigurisë nga paraburgimi në një masë më të lehtë mund të jetë arrest shtëpiak, masat e paraqitjes në stacion policor, masa e ndalimit për t’iu afruar personave të caktuar. Masa këto të cilat janë më të buta sesa masa e paraburgimit. Për aplikimin e tyre tashmë janë plotësuar kushtet ligjore, ngase e vetmja arsye e cila i ka shërbyer trupit gjykues ta vazhdojë paraburgimin ka qenë rreziku i ndikimit në dëshmitarë. Duke pas parasysh që Prokuroria ka përfunduar rastin e saj se më nuk ka dëshmitarë të prokurorisë mendoj se janë ndryshuar rrethanat, dhe çdo ndryshim i rrethanave duhet të përcillet me zbutjen e masës së sigurisë në këtë rast po i bie që masa e paraburgimit duhet të zëvendësohet me ndonjë masë më të butë e cila është në funksion të arritjes së qëllimeve procedurale”, thotë avokati i akredituar nga Specialja, Artan Qerkini.

    Qerkini thotë se nëse trupi gjykues në procesin gjyqësor i zbaton drejtë qëndrimet e Gjykatës Evropiane atëherë masa e paraburgimit duhet të zëvendësohet me ndonjë masë tjetër.

    “Mendoj se nëse trupi gjykues i zbaton drejtë qëndrimet e Gjykatës Evropiane sipas të cilave gjithmonë masa më e rreptë sigurese duhet të zëvendësohet me një masë më të butë kur ndryshojnë rrethanat. Pra, nëse këto standarde i zbatojnë atëherë nuk do mend se masa e sigurisë duhet të zëvendësohet”, thotë ai.

    Edhe monitoruesi i procesit gjyqësor në Hagë, Amer Alija konsideron se tashmë janë shuar të gjitha arsyet që t’iu vazhdohet masa e paraburgimit “sidomos Veselit, Krasniqit dhe Selimit”.

    “Pas përfundimit të 15 prillit sigurisht që jemi në një situatë tjetër të shqyrtimit kryesor sigurisht që më prokuroria nuk do ta ketë si opsion që në kërkesat për vazhdimin e paraburgimit ta përdorë që të dyshuarit që në rast se lihen në liri apo u zbutet masa e sigurisë mund të ndikojnë tek provat apo dëshmitarët, për arsye se tani më pas përfundimit të këtij afati më nuk do të ketë këtë arsyetim për vazhdimin e masës. Këtë moment do ta shfrytëzojnë edhe avokatët mbrojtës dhe do të kërkojnë që masa e sigurisë të zbutet për të paraburgosurit për arsye se tani e katër vite gjenden nën masës e sigurisë. Në të kaluarën gjithmonë të akuzuarit për krimet e luftës apo ish-pjesëtarët e UÇK-së sa herë janë kërkuar nga organet e ndjekjes gjithmonë janë përgjigjur pozitivisht ftesave“, theksoi ai.

    Në fund të vitit të kaluar u ngrit edhe një tjetër aktakuzë ndaj ish-presidentit Thaçi, nën dyshimin se pati përpjekje për ndikim në dëshmitarë.

    Alija konsideron se akuza e re e cila rëndon mbi ish-presidentin, Hashim Thaçi e rëndon situatën e tij për tu zëvendësuar masa e sigurisë, nga ajo e paraburgimit në ndonjë tjetër më të lehtë.

    “Ndoshta në krahasim me të akuzuarit e tjerë, Thaçi mund ta ketë pak situatën më të rënduar për shkak të një rasti të ri i cili pritet të fillojë kundër tij. Besoj që tre të akuzuarit tjerë kanë rrethanat pak më të lehta sa i përket këtij propozimi për zbutjen e masave, por realisht trupi gjykues do t’i vlerësojë të gjitha argumentet e palëve në procedurë qoftë të prokurorisë, mbrojtjes, dhe në fund sigurisht është i vetmi trupi gjykues i cili do të marrë vendimin lidhur me masat e sigurisë qoftë masat më të buta”, thotë ai.

    Ish-eprorët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës prej nëntorit të vitit 2020. Prokuroria i akuzon ata për krime të pretenduara të luftës, për çka secili prej tyre është deklaruar i pafajshëm në fillim të procesit gjyqësor në prill 2023.

    Avokati kryesor i Thaçit, Luka Misetiq tha më 2 prill se ish-eprorët e UÇK-së janë mbajtur në paraburgim për një kohë “jashtëzakonisht të gjatë”.

    “Katër vjet e gjysmë të cilat nuk mund t’i kthejnë kurrë mbrapa”, tha ai.

    Ndërkaq, mbrojtja e Rexhep Selimi, Geoffrey Roberts kujtoi se gjykata të tjera kanë liruar individë përkohësisht – në faza të caktuara të procedurave gjyqësore.

    “Kjo është një nga ato faza kur mund të paraqitet një kërkesë”, tha ai.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë njoftoi të mërkurën se ka përmbyllur paraqitjen e provave në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

    Në njoftimin zyrtar të mërkurën më 16 prill, ZPS-ja tha se thirri për të dhënë dëshmi drejtpërdrejtë në sallën e gjyqit 125 dëshmitarë.

    Shumë prej tyre dëshmuan nën masa mbrojtëse dhe pa iu bërë publik identiteti.

    ZPS-ja i ngarkon ish-krerët e UÇK-së me akuza për krime të pretenduara të luftës dhe kundër njerëzimit.

    Thaçi, Veseli, Kransiqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Prokurorisë në Hagë iu deshën dy vjet nga fillimi i procesit gjyqësor që të mbyll çështjen e saj gjyqësore. Pas kësaj do të mbahet konferenca mbi ecurinë e çështjes, e caktuar për datën 23 prill.

    Deri më tash dihet se mbrojtësi i viktimave do të thërras disa dëshmitarë.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës. Prokuroria tha se të akuzuarit kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

    Ndërkaq, avokatët mbrojtës hodhën poshtë të gjitha akuzat dhe argumentuan se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

    Avokatët e ish-eprorëve të UÇK-së janë shprehur optimistë se në fund do të ketë rezultat pozitiv.

    Katër ekipet mbrojtëse do të kërkojnë rrëzimin e pjesëve të caktuara të aktakuzës, ku përfshihen pretendime për krime lufte në Kosovë./KP

  • ​NATO riafirmon sigurinë ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës dhe marrëveshjen e Paqes të Dejtonit

    ​NATO riafirmon sigurinë ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës dhe marrëveshjen e Paqes të Dejtonit

    Këshilli i Atlantikut të Veriut të NATO-s ka theksuar angazhimin e vazhdueshëm për stabilitetin në Bosnjë dhe Hercegovinë, për integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit, në përputhje me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit.

    Kështu është thënë në njoftimin e NATO-s, ku është bërë me dije se zëvendës Sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka pritur në takim kryetaren dhe anëtarët e presidencës tripartiake të Bosnjës dhe Hercegovinës, Zeljka Cvijanovic, Zeljko Komsic dhe Denis Becirovic, në selinë e NATO-s, raporton KosovaPress.

    “Ata shkëmbyen mendime me Përfaqësuesit e Përhershëm të Aleatëve mbi zhvillimet më të fundit në vend dhe në rajon, si dhe mbi partneritetin e NATO-s me Bosnjën dhe Hercegovinën. Këshilli i Atlantikut të Veriut të NATO-s theksoi angazhimin e vazhdueshëm të NATO-s për stabilitetin në Bosnjë dhe Hercegovinë, për integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit, në përputhje me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, dhe për bashkëpunimin tonë të qëndrueshëm me Bosnjën dhe Hercegovinën. Gjatë diskutimit, u riafirmua se Aleanca mbetet e shqetësuar për zhvillimet e fundit dhe pasojat e tyre negative, përfshirë për rendin kushtetues të vendit dhe funksionalitetin e institucioneve shtetërore”, thuhet në njoftim.

    Në këtë kuadër, Zëvendës Sekretarja e Përgjithshme riafirmoi se “Marrëveshja e Paqes e Dejtonit duhet të respektohet. Ajo është një gur themel i stabilitetit dhe i arkitekturës shtetërore të Bosnjës dhe Hercegovinës”.

    Ajo theksoi gjithashtu se “NATO mbetet ngushtësisht e lidhur me partnerët e saj ndërkombëtarë”, përfshirë Operacionin Althea të udhëhequr nga BE-ja dhe Përfaqësuesin e Lartë, dhe se NATO “nuk do të pranojë asnjë lloj vakumi të sigurisë në Bosnjë dhe Hercegovinë. Dhe ne nuk do të lejojmë që paqja e fituar me mund të vihet në rrezik”.

    Zëvendës Sekretarja e Përgjithshme Shekerinska e ripërsëriti mbështetjen e Aleancës për progresin e Bosnjës dhe Hercegovinës “në rrugën e saj evropiane dhe euro-atlantike” dhe theksoi se ishte e rëndësishme “të ndërtojmë mbi këtë themel, për përfitimin e të gjithëve që jetojnë atje”.

  • Kurti: Ata që s’pranuan ta merrnin mandatin e deputetit po kërkojnë që të mos jem kryeministër

    Kurti: Ata që s’pranuan ta merrnin mandatin e deputetit po kërkojnë që të mos jem kryeministër

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë të mërkurën tha se moskonstituimi i i Kuvendit dje është pasojë e mosvotimit të raportit të verifikimit të mandateve të deputetëve nga ana e PDK-së, LDK-së e AAK-se. Sipas tij, ata po kërkojnë nga ai që formalisht të mos jetë kryeministër, raporton EO.

    Ai tha se kabineti i tij është i dorëhequr që nga 23 marsi i këtij viti.

    “Konstituimi i Kuvendit dje u pamundësua se partite opozitare nuk votuan për verifikimin e mandatave. Në thelb ata që nuk pranuan ta merrnin mandatin e deputetit po kërkojnë nga unë që të mos jem kryeministër. Krahas përmbushjes së mandatit të plotë qeverisës deri në fund të qeverisë së re unë u jam drejtuar kuvendit me një letër për të cilën e kam njoftuar për statusin e qeverisë dhe dorëheqjen time.

    Më shumë se kaq nuk është e mundur që të jap dorëheqje. Më shumë se kaq do të ishte braktisje e institucionit. Është insistim për të lënë qeverinë pa zot shtëpie. Mbledhja sot dhe ushtrimi i kompetencave të tjera qeveria janë madje të detyrueshme. Ne kemi funksione të kufizuara por assesi s’mund të ketë ndalim funksionimi.

    Kemi nga e kaluara shembullin e ish kryeministrit Thaçi që ndonëse kishte dhënë betimin si deputet kishte vazhduar të jetë kryeministër. Ish- kryeministri Hoti mbeti në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë Kurti, përkundër faktit që qeveria e tij u shpall e jashtëligjshme….. një qeveri e dorëhequr nga VV-ja ndonëse ka përmbushur mandatin e saj katërvjecar na u dasht të largohet nga zyra e saj orë e më parë”, tha Kurti.

  • Murati për shtrenjtimin e rrymës: Ndikuan kostot operacionale dhe çmimi i importit

    Murati për shtrenjtimin e rrymës: Ndikuan kostot operacionale dhe çmimi i importit

    Ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati, tha se si qeveri nuk kanë kontroll mbi çmimet e importit të energjisë elektrike. Sipas tij, kjo është njëra nga dy çështjet që kanë ndikuar në shtrenjtimin e energjisë elektrike, raporton EO.

    “Ajo çfarë mund të themi si qeveri është se një pjesë ku qeveria ka kontroll se paku në afat shkurtët, është se çmimi i energjisë elektrike që në KEK-u prodhimi vazhdon të jetë 30 euro për megavat orë.

    Çka ka ndikuar në tarifat janë dy çështje kostot operacionale dhe çmimi nga importi i energjisë elektrike. Ne si qeveri kontroll mbi cmimet e importit nuk kemi, ashtu siç nuk kemi mbi naftën”, tha Murati në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

  • Haradinaj në përvjetorin e vëllait Shkëlzenit me bashkëuftëtarë: Turpëruan armikun në shumë beteja

    Haradinaj në përvjetorin e vëllait Shkëlzenit me bashkëuftëtarë: Turpëruan armikun në shumë beteja

    Me rastin e 26-vjetorit të rënies heroike të Shkëlzen Haradinajt, Fatmir Nimanajt, Hasim Halilajt dhe Luan Nimanajt, si dhe 20-vjetorit të rënies së luftëtarit të lirisë Enver Haradinaj, sot në Gllogjan dhe Maznik janë mbajtur homazhe dhe është zhvilluar ecja tradicionale “Marshi i Lirisë”.

    Me këtë rast, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Shkëlzeni, Fatmiri, Hasimi, Luani dhe Enveri ishin ndër më të mirët që kishte Kosova, luftëtarët e orëve të para dhe krenaria e Kosovës.

    “Kur dita e lirisë po afrohej dhe armiku përpiqej të shfaqte forcë përpara kapitullimit të pashmangshëm, ishte beteja e Maznikut ajo që vulosi një kthesë të madhe. Një betejë që dha mesazhin e qartë, ne do të qëndrojmë në trojet tona, dhe armiku do të largohet me turp e disfatë,” tha Haradinaj.

    Ai shtoi se gjaku i derdhur dhe jeta e flijuar e këtyre luftëtarëve të lirisë janë gurthemel i shtetit të Kosovës dhe udhërrëfyes për brezat që vijnë.

    “Lavdi përjetë Shkëlzenit, Fatmirit, Hasimit, Luanit dhe Enverit! Pushofshin të qetë në lavdinë e përjetshme të Kosovës,” përfundoi Haradinaj.

  • Kosova duhet të mësojë nga Gjermania

    Kosova duhet të mësojë nga Gjermania

    Shfaqja e djeshme në Kuvendin e Kosovës ishte trishtueshme. Mos konstituimi i tij është një akt sa i rëndë dhe i pa precedent, por edhe një shpërfillje brutale e vullnetit të qytetarëve të saj, të cilët, si përherë dhe si rrallëkush tjetër në rajonin tonë, edhe në zgjedhjet e fundit treguan një nivel të lartë të pjekurisë politike dhe qytetare.

    Sabotimi i seancës solemne të konstituimit të Kuvendit është një parathënie e qartë për atë që duket se do të pasojë: përpjekjes për krijimin e një krize politike bash në mesin e një situate gjeopolitike plot të papritura; paqartësi dhe rreziqe për të gjithë, por më së shumti për vetë Kosovën. Një krizë politike në Kosovë do të ishte kontributi më i keq për të ardhmen e saj që do të inkurajonte dhe lehtësonte përpjekjet e forcave të shumta destruktive, të cilat nuk kanë dhënë shenja lodhjeje në aksionin e tyre për destabilizim e rajonit tonë, e posaçërisht të Kosovës.

    Në të vërtetë, Kosova nuk ka sot asnjë arsye të qenësishme për një krizë të re, nëse vërtet partitë e saj kryesore politike do të mbeten besnike misionit të tyre të shpallur publikisht. Kosova ka bërë edhe kësaj herë zgjedhjet më të mira që bëhen në rajon dhe në mënyrë krejt të natyrshme pret sendërtimin e tyre në organet kryesore kushtetuese që burojnë prej tyre: Kuvendi dhe Qeveria.

    Ndoshta nuk është e tepërt të shihet me këtë rast një model i mirë: Gjermania.

    Edhe në Gjermani, si në Kosovë, u zhvilluan zgjedhjet politike në muajin shkurt të këtij viti. Madje atje zgjedhjet u zhvilluan me 23 shkurt, ndërkohë që Kosova i bëri ato më 9 shkurt.

    Partia e parë në Gjermani u rendit CDU/CSU me 28,5% të votave, ndërkohë që SPD mori rezultatin më të ulët në historinë e saj me vetëm 16,4%. CDU/CSU dhe SPD përfaqësojnë dy polet kryesore të spektrit politik gjerman, të vendosura përkatësisht në qendrën e djathtë dhe në qendrën e majtë. Duke e lexuar qartë vullnetin e qytetarëve, këto forca politike nuk humbën asnjë minutë, por filluan negociatat për hartimin e programit të përbashkët qeverisës, përmes një cikli shumë intensiv dhe serioz negociatash, që u finalizuan më 10 prill në një marrëveshje koalicioni, një dokument prej rreth 145 faqesh, që, në njëfarë mënyre, është edhe programi i qeverisjes për katër vitet e ardhshme. Negociatat u përqendruan tek programi dhe jo tek ndarja e posteve ministrore apo e emrave përkatës. Madje, aq e pa rëndësishme duket se ishte kjo gjë, sa që partia fituese e zgjedhjeve, CDU, mbajti për vete vetëm gjashtë poste ministrore, duke i lënë shtatë të tilla SPD (!!!), e cila ishte renditur si forca e tretë politike, me një numër votash thuajse sa gjysma e atyre të CDU.

    Udhëheqësit politikë të Kosovës sot do të bënin mirë të hidhnin sytë nga Gjermania për të mësuar disa leksione themelore të demokracisë. Kur votuesit nuk i japin mandatin një force politike për të krijuar e vetme qeverinë, kjo nuk mund të kuptohet si një vullnet qytetar për të shkuar në një krizë politike. Kur qytetarët votojnë kështu, kjo do të thotë se ata duan një qeveri me bazë më të gjerë se ajo e një partie të vetme. Ata duan thjesht një koalicion. Dhe në këtë rast partitë normale nuk kanë opsione të tjera përpos negociatave për të arritur një program të përbashkët qeverisjeje.

    Mandatet e marra nga partitë politike nuk janë certifikata pronësie apo armë të luftës politike, por prokura përfaqësimi të lëshuara nga qytetarët. Partitë nuk shkojnë në Kuvend për të plotësuar as thjesht vizionet e tyre politike apo, për më keq, për të kënaqur egot e shefave të tyre. Ato shkojnë në Kuvend për të plotësuar vullnetin e qytetarëve, që në rastin e Kosovës sot do të thotë : KOALICION, koalicion sa më i gjerë.

    Partitë politike në Gjermani nuk humbën asnjë minutë për dyzime politike, larje hesapesh apo kërkim të një krize të re. Përballë një situate globale shumë të errët dhe të rrezikshme ato ndërtuan një program që synon një ekonomi të fortë për të përballuar luftën tregtare në nivel botëror, një ushtri më të fortë për të përballuar një kërcënim ushtarak, që vetëm miopët politikë nuk arrijnë ta perceptojnë si dhe një gjendje të brendshme shumë më të konsoliduar e të sigurtë.

    E nëse Gjermania ka një herë arsye për t’u shqetësuar për sigurinë e saj, Kosova ka të paktën dhjetë herë më shumë arsye për këtë gjë. E ndodhur përballë pretendimeve territoriale, deri edhe kushtetuese, të Serbisë, që po armatoset ethshëm, Kosova do të duhet që të marrë masa të gjithanëshme për të fuqizuar kapacitetet e saj për mbrojtje, ku kryesojnë ekonomia, ushtria dhe diplomacia. Për fat të keq, asaj i duhen përpjekje të jashtëzakonshme në këtë aspekt edhe për të kompensuar një periudhë të gjatë fjetjeje mbi dafina, të shkaktuar si prej rrethanave ndërkombëtare, ashtu dhe prej papërgjegjësisë së politikës së saj.

    Kriza e vërtetë e Kosovës sot janë kapacitetet e pamjaftueshme për të marrë përgjegjësinë e mbrojtjes së saj, edhe e vetme, në kushtet e paqartësive alarmante gjeopolitike globale dhe të rreziqeve akute që ka përballë. Kosova nuk ka kurrfarë luksi sot për lojra meskine partiake. Krijimi i një krize të re dhe krejt artificiale politike, do të ishte një lojë e rrezikshme, prej të cilës në Kosovë nuk mund të ketë asnjë përfitues. Përfituesit e vërtetë nga kriza politike që po merr trajtë në Kosovë do të ishin vetëm jashtë saj.

  • Pas shtrenjtimit, rryma nga 7.79 centë në 9.05 centë

    Pas shtrenjtimit, rryma nga 7.79 centë në 9.05 centë

    ZRrE-ja sot edhe zyrtarisht ka aprovuar tarifat e reja të rrymës pas shtrenjtimit të çmimit.

    Besnik Shabiu, njëri nga organizatorët e protestive, ka publikuar në rrjete sociale çmimet e reja të tarifave.

    Tarifa e ditës për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj, ka shkuar në 9.05 centë nga 7.79 centë.

    Kurse, tarifa e natës nga 3.34 centë në 3.88 centë.

    Postimi:

    Tarifa e ditës për ata që shpenzojnë 800 kilovatë në muaj, nga 7.79 centë ka mbërritur në 9.05 centë për kilovat.

    Tarifa e natës për ata që shpenzojnë më pak se 800 kilovatë në muaj nga 3.34 centë ka mbërritur në 3.88 centë për kilovat.

    Për kilovatët e shpenzuar mbi blloktarifën prej 800 kilovatësh, nga 13.29 centë në 15.43 centë,

    Ajo e natës nga 6.27 centë në 7.28.

    Cmimi i energjise elektrike per tarifen e larte eshte rritur per 128.59% ne kater vitet e fundit (nga 6.75 cente ne 15.43 cente per kilovat)

    A po doni hala shifra apo po e mbushim sheshin te shtunen, ju vendosni?