ATV

Author: ATVLive

  • Kryediplomati Hasani: Do të vazhdojmë t’i themi Kosovës që të koordinohet me aleatët, jemi bashkë përballë kërcënimeve

    Kryediplomati Hasani: Do të vazhdojmë t’i themi Kosovës që të koordinohet me aleatët, jemi bashkë përballë kërcënimeve

    Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, duke cituar ambasadoren amerikane në OKB mbrëmë gjatë Këshillit të Sigurimit që ka kërcënime të vazhdueshme që vijnë nga jashtë Kosovës, tha se s’mjafton që sulmi terrorist në Banjskë të dënohet, por duhet të sigurohet që ai të mos ndodhë më.

    “Siç e theksoi ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, dje në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, se ka “kërcënime akute ndaj sigurisë dhe stabilitetit që vijnë nga jashtë Kosovës”. Nuk mjafton vetëm të dënojmë Banjskën. Ne duhet të sigurohemi që kjo të mos ndodhë më kurrë”.

    Kryediplomati shqiptar përsëriti qëndrimin e vendit të tij që qëndron me Kosovën dhe kërkoi nga udhëheqësit e saj të koordinohet me aleatët.

    “Ndërsa qëndrojmë në krah të Kosovës në parandalimin e çdo kërcënimi të jashtëm, Shqipëria do të vazhdojë t’i nënvizojë udhëheqjes së Kosovës rëndësinë e koordinimit të ngushtë me aleatët e saj kryesorë”.

  • Shtohet një kategori e re në çmimet Oscar

    Shtohet një kategori e re në çmimet Oscar

    Nga viti 2026 çmimet Oscar do të aplikojnë një kategori të re për kastin më të mirë.

    Do të jetë kategoria e parë që bëhet pjesë e ceremonisë që prej vitit 2002 kur u shtua filmi më i mirë i animuar.

    Drejtorët e kastit kanë bërë fushata në vitet e fundit që të mund të njihen njësoj si elementët e tjerë të filmit si muzika, kostumografia, flokët dhe grimi. Ata janë ndër hallkat e para të stafit që përfshihen në projektet filmike dhe kanë rol kryesor në formësimin e filmave hollivudianë.

    Roli i tyre është të punësojnë yje të mëdhenj në role protagoniste si dhe të tjerë që shfaqen në role më të vogla.

    Në një deklaratë, drejtuesit e Akademisë thanë se drejtorët e kastit “kanë rol thelbësor në prodhimin e një filmi”.

    Kategoria do të prezantohet në ceremoninë e vitit 2026 për shkak të fushatave të tjera të planifikuara. Megjithëse Akademia po bën përpjekje në vitet e fundit që ta shkurtojë ceremoninë e çmimeve Oscar për t’i mbërthyer shikuesit pas ekranit, shfaqja zgjat më shumë se sa 3 orë.

    Aktualisht, ndahen 23 çmime Oscar por interesi i publikut mbetet në kategoritë kryesore si filmi më i mirë, aktrimi dhe regjisori më i mirë.

    Akademia nuk ka konfirmuar nëse kategoria e re do të përfshihet në transmetim, por me gjasë vendimi do të merret në një afat më të afërt me ceremoninë.

    Veç drejtorëve të kastit, edhe dublantët kanë bërë fushata për përfshirjen e kategorisë së tyre, por përpjekjet nuk kanë pasur sukses./ KultPlus.com

  • Aksion protestues simbolik: Të akuzuarit për dhunë, s’duhet të kenë vend në klubet futbollistike, suspendojeni Solomin

    Aksion protestues simbolik: Të akuzuarit për dhunë, s’duhet të kenë vend në klubet futbollistike, suspendojeni Solomin

    Fourth Wave sot ka mbajtur një aksion protestues në sheshin e Klinës për të dënuar qëndrimin skandaloz të klubit futbollistik “Dukagjini”. Bëhet fjalë për futbollistin Solomon, i cili kërkohet nga Interpol për veprën penale “Dhunim” ndaj të dashurës së tij. Poashtu, ai u arrestua nga Policia e Kosovës për mosrespektimin e rregullit për tu lajmëruar cdo tre muaj në Polici.

    Pavarësisht situatës, ajo që na duket vërtet e tmerrshme është mbështetja e palëkundur e shprehur nga presidenti i klubit të futbollit, i cili me guxim deklaroi: “Do të qëndrojmë pranë tij deri në fund”.

    Kjo deklaratë nuk është vetëm një akt solidariteti por një përforcim i një mendësie që i jep përparësi reputacionit të një individi mbi sigurinë dhe mirëqenien e të tjerëve. Duke qëndruar pranë Solomonit, kryetari i klubit të futbollit dërgon një mesazh të rrezikshëm, se veprat penale si dhunimi mund të justifikohen dhe madje të miratohen për sa kohë që kryesi i veprës ka një status të caktuar.

    Protesta jonë e sotme nuk ishte thjesht akt revolte, por thirrje për veprim. I bëjmë thirrje klubit të futbollit “Dukagjini” që të tërheqin deklaratën e tyre dhe ta përjashtojnë Solomonin.

    Ne refuzojmë të mbyllim sytë përballë një sistemi që mbron abuzuesit në kurriz të viktimave dhe do të vazhdojmë të flasim kundër padrejtësisë e t’i mbajmë përgjegjës autorët.

  • Çeku jep lajmin e shumëpritur, Kosova po bëhet dy stadiume të certifikuara ndërkombëtarisht

    Çeku jep lajmin e shumëpritur, Kosova po bëhet dy stadiume të certifikuara ndërkombëtarisht

    Ministri i Ministrisë së Rinisë Kulturës dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku ka zbuluar se gjithçka është gati për nisjen e punimeve në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë.

    Çeku tha se shpronësimet kanë përfunduar, leja ndërtimore është siguruar e Kosova po bëhet me dy stadiume të certifikuara ndërkombëtarisht, raporton KosovaPress.

    “E gjatë dhe e mundimshme ishte rruga për t’i përmbyllur të gjitha procedurat që do të duhej të kishin mbaruar në vitin 2019, para nisjes së renovimit.

    Shpronësimet kanë përfunduar, kushtet e ndërtimit dhe leja ndërtimore janë siguruar, borxhet e akumuluara ndër vite (komunalitë) janë paguar, kontrata me operatorin është zgjatur, zotimi për buxhet është siguruar.

    Punët do t’i monitorojmë në baza ditore, asnjë vonesë nuk do të tolerohet. Kosova do të bëhet edhe me dy stadiume të certifikuara ndërkombëtarisht”, shkroi Çeku në “Facebook”.

  • Hotelet e Kosovës pritën mbi 54 mijë vizitorë vetëm në dhjetor

    Hotelet e Kosovës pritën mbi 54 mijë vizitorë vetëm në dhjetor

    Biznesi i hotelerisë çdo muaj është duke realizuar profit, pasi duket se hotelet janë mjaft të frekuentuara.

    Sipas të dhënave të ASK-së, vetëm në muajin dhjetor numri i vizitorëve nëpër hotele ishte për 40 për qind më i lartë sesa në po të njëjtin muaj të vitit 2022.

    Sipas të dhënave në këtë periudhë hotelet patën mbi 54 mijë vizitorë.

    “Në dhjetor 2023, numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) në hotele ishte 54 832, prej tyre 40.1%, ishin vendorë dhe 59.8% ishin të jashtëm.

    Krahasuar me muajin dhjetor të vitit 2022 (sa ishin 42 042 vizitorë) kishte rritje të numrit të përgjithshëm të vizitorëve në hotele për 30,4%.

    Numri i net qëndrimeve ishte 145 619, prej tyre 43,9% nga vendorët dhe 56,0% nga të huajt”, thuhet në raport.

    Ndërsa, numri i vizitorëve të jashtëm dhe net qëndrimet e tyre në hotele, sipas shteteve nga vijnë.

    “Sa u përket vizitorëve të huaj, krahasuar me periudhën paraprake (dhjetor 2022) ka rritje të vizitoreve për 25,1%. Në total 32 835 vizitorë të huaj, nga të cilët numri më i madh është nga Shqipëria, Zvicra, Gjermania, Turqia etj.”, thuhet në raport.

  • “Homofobët s’kanë vend n’Kuvend”: Pesë organizata i kërkojnë Konjufcës të shkarkojë Duda Baljen

    “Homofobët s’kanë vend n’Kuvend”: Pesë organizata i kërkojnë Konjufcës të shkarkojë Duda Baljen

    Disa Organizata për të drejtat e njeriut i janë drejtuar me një letër publike kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës, në të cilën i kanë kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Duda Balje nga pozita e kryetares së Komisionit për të Drejta të Njeriut.

    Në një letët publike të publikuar në Facebook, CEL Kosovo, ka thënë se mund të lejojmë që një person me qëndrime diskriminuese të drejtojë një institucion kaq të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut në Kosovë.

    “Me këtë rast, kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të Duda Balje nga pozita e kryetares së Komisionit për të Drejta të Njeriut. Nuk mund të lejojmë që një person me qëndrime diskriminuese të drejtojë një institucion kaq të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut në Kosovë. Njëherit, kërkojmë edhe shkarkimin e Labinotë Demi Murtezi nga ky komision për gjuhën e saj shpifëse dhe të urrjetjes ndaj personave LGBTIQ+”, kanë shkruar në letrën publike dërguar Konjufcës.

    “Ne kërkojmë që Kuvendi i Republikës së Kosovës të reagojë menjëherë dhe të ndërmerr masa për të garantuar se pozitat publike janë të mbajtura nga persona që respektojnë dhe promovojnë të drejtat e njeriut pa dallim për të gjithë ashtu siç e përcakton Kushtetuta e Kosovës”, thuhet aty tutje.

  • Zbulohen sasi e konsiderueshme e cigareve elektronike në autobusin e linjës Gjermani – Kosovë

    Zbulohen sasi e konsiderueshme e cigareve elektronike në autobusin e linjës Gjermani – Kosovë

    Dogana e Kosovës njofton se në pikë kalimin kufitar të Merdares u zbulua një sasi e konsiderueshme e cigareve elektronike të padeklaruara gjatë tentimit për kontrabandim.

    Në komunikatë thuhet se në pikën kufitare (PKK) Merdare, ka arritur autobusi i linjës së rregullt nga Gjermania për në Kosovë.

    “Në pyetjen e oficerëve doganorë se a kishte diçka për të deklaruar, shoferi është përgjigjur se ka sasi minimale. Oficerët doganorë kanë kërkuar hapjen e të gjitha bagazheve, derisa drejtuesi i mjetit ka deklaruar se bagazhet në pjesën e majtë të autobusit nuk hapen”, thuhet në njoftim.

    Sipas njoftimit oficerët doganorë së bashku me oficerët e policisë kanë hapur bagazhet, ku janë gjetur sasi prej 17 mijë e 290 pako cigaret elektronike të shijeve të ndryshme, së bashku me 10 mijë thithje (puffs) në sasi prej 20 ml secila, fillimisht në pjesën e majtë të bagazhit.

    “Pas kësaj, autobusi është selektuar për kontroll të vijës së dytë, respektivisht për kontroll detal. Kontrolli ka rezultuar me gjetjen edhe të një sasie të konsiderueshme të cigareve elektronike në fund të autobusit dhe nën karrigen e mbuluar me valixhe dhe gjësende të udhëtarëve. Drejtuesi i autobusit ka pranuar verbalisht se malli i takon atij. Tërë sasia është konfiskuar derisa veprimet në lidhje me këtë rast do të vazhdojnë në përputhje me procedurat dhe rregulloret relevante të doganës”, thuhet njoftim.

  • ​Reagon Kurti pas seancës së KS-së: Rregullorja e BQK-së i mbron qytetarët nga krimi dhe terrorizmi

    ​Reagon Kurti pas seancës së KS-së: Rregullorja e BQK-së i mbron qytetarët nga krimi dhe terrorizmi

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka reaguar pas përballjes së mbrëmshme me Serbinë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

    Në llogarinë e tij në X, Kurti tha se fjalimi djeshëm në OKB ka forcuar përkushtimin e tij që të përkushtohet ndaj të drejtave të njeriut.

    Ndër të tjera ka shtuar se Kosova do të jetë e përkushtuar të sigurojë që rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës të mbrojë të gjithë qytetarët nga krimi dhe terrorizmi, ndërkaq serbët të marrin ndihmë për një tranzicion të qetë.

    “Fjalimi im në KS të @OKB. Fatkeqësitë me të cilat është përballur Kosova kanë forcuar përkushtimin tonë ndaj të drejtave të njeriut. Ne jemi të përkushtuar të sigurojmë që rregullorja BQK-së të mbron të gjithë qytetarët nga krimi dhe terrorizmi dhe që serbët e Kosovës të marrin ndihmë për një tranzicion të qetë”, shkroi ai në rrjetin social “X”.

  • Zyrtare: Ernest Muçi, lider i sulmit të Besiktasit

    Zyrtare: Ernest Muçi, lider i sulmit të Besiktasit

    Përmes një komunikate, Besiktasi e ka bërë zyrtare transferimin e yllit shqiptar, Ernest Muçi.

    Besiktasi e konfirmoi sot se ka filluar bisedimet me Legia Warsaw për transferimin e Muçit, dhe tani ai është rrugës drejt Turqisë, raporton KosovaPress.

    Muçi do të arrijë në terminalin e aeroportit Ataturk General Aviation në ora 16:15 sipas kohës lokale në Turqi.

  • ​Granti i performancës, 11 komuna përfitojnë 8.3 milionë euro

    ​Granti i performancës, 11 komuna përfitojnë 8.3 milionë euro

    Rahoveci, Obiliqi, Skënderaj, Suhareka, Kaçaniku, Shtimja, Malisheva, Dragashi, Ranillugu, Parteshi dhe Peja janë 11 komunat përfituese të grantit të performancës komunale në vlerë prej 8.3 milionë euro, të cilat kanë nënshkruar marrëveshje me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

    Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Besnik Bislimi, tha se pikënisje për çfarëdo suksesi në rrugëtimin drejt BE-së është reformimi i administratës publike.

    Bislimi derisa ka uruar të gjitha komunat që kanë dalë të parat në këtë vit, theksoi se në mënyrë që ky potencial të mos keqpërdoret është shumë me rendësi që gjatë zbatimit të grantit të performancës të ketë korrektësi në raportimin e zyrtarëve komunal.

    “Nëse duam të avancojmë në rrugëtimin tonë drejt BE-së do të jetë shumë me rendësi që të jemi të suksesshëm e të vendosur në reformimin e administratës publike, të vendosur në thjeshtësimin e qasjes së qytetarëve dhe bizneseve në shërbimet që kjo administratë ofron dhe një ulje të kostos, qoftë monetare apo në kohë në marrjen e këtyre shërbimeve…Kjo e bën grantin e përformancës politikisht shumë atraktiv për udhëheqësi të përgjegjshme komunale, por në të njejtën kohë edhe rrisin koston e mos interesimit të lidershipit komunal për kualitetin e administratës së tyre lokale. Në mënyrë që ky potencial të mos keqpërdoret është shumë me rendësi që gjatë zbatimit të grantit të përformancës të kemi korrektsi në tre rrafshe. Korrketësi në përcaktimin e kritereve të vlerësimit, korrektesi në raportimin e zyrtarëve komunal, dhe në vlerësim të sukesit të komunës. Poashtu të shihet edhe trendi në përformancën e komunave, a i kemi të njejtat komuna që në mënyrë të vazhdueshme dallojnë nga të tjerat në kualitet të qeverisjes, apo ndoshta gara është shumë më e barabartë siç duket dhe vit për vit shohim kryetar të rinj të cilët dallohen pak më shumë sesa kolegët e tyre. Në rastin e dytë qytetarët por edhe ne mund të ndihemi më të sigurtë në përzgjedhjet politike të cilat kemi bërë në rrafshin e komunave. Andaj, i bëj thirrje MAPL-së që të avancojë edhe më tej këtë sistem vlerësimi në mënyrë që në vazhdimësi të kemi një pasqyrë reale dhe garë të barabartë”, tha Bislimi.

    Ndërsa, ministri i Administrimit të pushtetit lokal, Elbert Krasniqi ka thënë se ky grant mbështetet në ligjin përkatës të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

    “Ceremonia e grantit të performancës është mbyllje e një procesi i cili përfshin raportim, kontroll dhe vlerësim gjithmonë objektiv, transparent dhe të paanshëm. Sot kur flasim për grantin e performancës, dua të rikujtoj se në vitin 2021 e gjetëm këtë grant të anuluar në qeveritë e mëhershme të cilat për më tepër kishin vlerësuar këtë grant vetëm në 4 milionë euro. Që nga vitit 2021 deri në vitin 2023 janë financuar mbi 143 projekte në mbështetje prej 20 milionë euro. Në vitin 2024 janë ndarë 8.3 milionë euro shtesë për projektet tjera, për më tepër tashmë ky plan bazohet në ligj të miratuar në Kuvendin e Kosovës… Ky rezultat shënon një arritje të rëndësishme në institucionalizimin dhe qëndrueshmërinë e sistemit të menaxhimit të performancës komunale dhe vet granti përbën një hap të rëndësisishëm për të siguruar se të gjitha komunat operojnë bazuar në një kornizë, strukturë të njejtë…Të dhënat e performancës do të ndihmojnë për të identifikuar pabarazinë dhe sfidat, kështu komunat do të mund të zbatojnë politikat të cilat adresojnë këto sfida dhe të përmirësojnë jetën e këtyre qytetarëve”, tha Krasniqi.

    Ai shtoi se si MAPL synojnë që të mbështesin projektet të cilat bazohen në rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve, siç janë shtimi i hapësirave të gjelbërta, rregullimi i shtratit të lumenjëve apo reduktimi i hapësirave të mbeturinave.

    Kurse përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, është shprehur i lumtur me arritjet e komunave të Kosovës.

    Sipas tij, përmirësimi i efikasitetit të komunave të Kosovës është aspekt kyç i qeverisjes së mirë.

    “Përmirësimi i efikasitetit të komunave të Kosovës është aspekt kyç i qeverisjes së mirë, gjithashtu një administratë publike transparente që funksionon mirë e pëërmirëson jetën qytetarëve dhe kontribuon në mirëqenien e tyre”, tha Szunyog. /kp