ATV

Author: ATVLive

  • Kurti tregon se a pati tentim-atentat ndaj tij gjatë vizitës në Shkup

    Kurti tregon se a pati tentim-atentat ndaj tij gjatë vizitës në Shkup

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka parë forca të shumta policore në Shkup gjatë mbledhjes që pati me partitë simotra të socialistëve, pas raportimeve se ka pasur një tentim-atentat ndaj tij.

    “Kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil”, ka thënë Kurti.

  • 11 komuna përfitojnë 8.3 milionë euro në kuadër të Grantit të Performancës

    11 komuna përfitojnë 8.3 milionë euro në kuadër të Grantit të Performancës

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Komunat që patën perfomancën më të mirë, u shpërblyen nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. 8 milionë e 300 mijë euro u dhanë për 11 komuna si përfituese të skemës.

    “Ky rezultat shënon një arritje të rëndësishme në institucionalizimin dhe qëndrueshmërinë e sistemit të menaxhimit të perfomancës komunale dhe vetë granti përbën një hap të rëndësishëm për të siguruar se të gjitha komunat operojnë bazuar në një kornizë, strukturë të njëjtë”, tha ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

    Derisa uroi komunat fituese, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se reformimi i administratës publike është pikënisje në rrugëtimin drejt BE-së.

    “Nëse duam të avancojmë në rrugëtimin tonë drejt BE-së do të jetë shumë me rëndësi që të jemi të suksesshëm e të vendosur në reformimin e administratës publike, të vendosur në thjeshtësimin e qasjes së qytetarëve dhe bizneseve në shërbimet që kjo administratë ofron dhe një ulje të kostos, qoftë monetare apo në kohë në marrjen e këtyre shërbimeve”, tha Bislimi.

    I pranishëm në ceremoni ishte edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili përshëndeti arritjet e komunave.

    “Përmirësimi i efikasitetit të komunave të Kosovës është aspekt kyç i qeverisjes së mirë, gjithashtu një administratë publike transparente që funksionon mirë e përmirëson jetën qytetarëve dhe kontribuon në mirëqenien e tyre”, tha Szunyog.

    Ndryshe 11 komunat që përfituan nga granti i perfomancës janë Rahoveci, Obiliqi, Skenderaj, Suhareka, Kaçaniku, Shtimja, Malisheva, Dragashi, Ranillugu, Parteshi dhe Peja.

    Ndryshe, ky grand u jepet komunave që përmbushin detyrimet si qeverisje demokratike, menaxhim komunal e ofrim i shërbimeve për qytetarë.

  • Ardian Hajdaraj do ta udhëheqë Këshillin Prokurorial vetëm deri në vitin 2026

    Ardian Hajdaraj do ta udhëheqë Këshillin Prokurorial vetëm deri në vitin 2026

    Përgatiti: Nora Luta

    Vetëm dy vjet do të jetë në krye të Këshillit Prokurorial të Kosovës, prokurori nga Peja, Ardian Hajdaraj. Kaq do të zgjasë edhe mandati i zv.kryesueses Jehona Grantolli, ndonëse ligji parasheh mandat trevjeçar.

    Neni 11 i Ligjit për KPK-në përcakton që përzgjedhja e tyre në këto pozita, nuk e zgjat mandatin e tyre si anëtar të Këshillit.

    Monitorues të shoqërisë civile presin që udhëheqësia e re të jetë më transparente dhe bashkëpunuese, në rrugën drejt reformës në drejtësi.

    Ndërkohë nga Zyra e Komunikimit me media në KPK, kanë thënë se Hajdaraj për shkak të angazhimeve dhe agjendës, nuk mund të deklarohet, por në një përgjigje me shkrim, kanë theksuar se KPK-ja mbetet e përkushtuar për çdo iniciativë që është në funksion të sistemit të drejtësisë.

    “Në Takimin e 241-të, të mbajtur më 30 janar 2024, ka nxjerrë Vendim për emërimin e Grupit punues për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit që rrjedh nga Deklarata e Përbashkët e Zotimit. Pra, KPK-ja ka caktuar pesë (5) përfaqësues nga radhët e KPK-së për grupin punues, siç e parasheh Deklarata e Zotimit. KPK-ja, thekson se në këtë dokument janë evidentuar sfidat dhe shqetësimet tona dhe në këtë aspekt, KPK-ja mbetet e përkushtuar për të dhënë kontribut në iniciativat ligjore dhe për çdo iniciativë tjetër që është në funksion të fuqizimit të mekanizmave të brendshëm dhe të jashtëm të sistemit të drejtësisë, natyrisht, duke respektuar rolin e saj, që nga faza e konceptimit dhe e zhvillimit deri në finalizimin e këtyre nismave ligjore, në mënyrë që të afirmohet e drejta kushtetuese për pavarësinë e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit si dhe përgjithësisht të sistemit prokurorial”, tha Bedri Gashi, U.D. udhëheqës i Njësisë për Komunikim Publik.

    Kryesuesi i ri i KPK-së është zgjedhur në fund të janarit, pasi Jetish Maloku përfundoi mandatin. Hajdaraj mori shumicën e votave në këtë pozitë, pas tërheqjes nga gara të Veton Shabanit dhe Jehona Grantollit.

    Sipas ligjit aktual, anëtarët e KPK-së qëndrojnë në detyrë për një mandat pesëvjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.

  • Kërkesa e Kurtit për nënshkrim të marrëveshjes në OKB, vullnet politik, jo mundësi reale

    Kërkesa e Kurtit për nënshkrim të marrëveshjes në OKB, vullnet politik, jo mundësi reale

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    “Përkundër ofertave të mia të përsëritura, z.Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë, e ftoj të nënshkruajë këtu, sot, menjëherë, duke theksuar rolin krucial të Kartës së OKB-së në këtë marrëdhënie. Ky akt simbolik do të demonstronte përkushtimin e tij për marrëdhënie paqësore me Kosovën”, ka thënë mbrëmë kryeministri Albini Kurti në fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

    Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ishte ngjarja e radhës, në të cilën kryeministri Abin Kurti këmbënguli në nënshkrimin e marrëveshjes bazë dhe shtojcës me Serbinë.

    Krahas kritikave për mënyrën e zbatimit të rregullores së BQK-së, përfaqësuesja e SHBA-së sqaroi se Brukseli është vendi për diskutimet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

    “Për të qenë e qartë, dialogu i lehtësuar nga BE-ja duhet të jetë kanali për zgjidhjen e këtyre çështjeve që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve, jo Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara”, tha ambasadorja e SHBA-së, Linda Thomas-Greenfield.

    Ajo kritikoi Kosovën në raport me mënyrën e zbatimit të rregullores së BQK-së.

    Javën e kaluar, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se nënshkrimi i marrëveshjes dhe deponimi në OKB, është parakushti i parë për zbatim.

    Pasi theksoi se dialogu Kosovë – Serbi është çështje e BE-së në aspektin ligjor, profesori Kadri Kryeziu vlerësoi se kërkesa e Qeverisë është e parealizueshme.

    “Jo, nuk ka nevojë që marrëveshjet të përfundojnë në OKB, sepse janë marrëveshje ndërkombëtare të karakterit evropian dhe janë shtetet evropiane që po ndihmojnë që të arrihet një marrëveshje e përgjithshme, kështu që nuk ka sens që këto çështje të shkojnë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, tha Kryeziu.

    Teksa përmendi faktin se BE-ja dhe SHBA-ja i vlerësojnë ligjërisht obliguese marrëveshjen dhe shtojcën, politologu Fidan Ukaj këmbënguljen e Kosovës e lidh me atë që e cilësoi qasje destruktive të Serbisë në dialog.

    “Edhe pse nuk ishte një mbledhje e thirrur për nënshkrim apo rreth marrëveshjes, mendoj se tregon ma shumë një gatishmëri të Kosovës, e po ashtu një mosbesim ndaj palës tjetër, duke e ditur se kryeministrja serbe Brnabic ka dërguar një letër në adresë të BE-së, në të cilët tregon se nuk është e gatshme t’i zbatojë të gjitha pikat e marrëveshjes, por që do të ketë selektim”, tha Ukaj.

    Më 2010, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë e cila njeh opinionin këshillëdhënës të GJND-së për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe BE-në si lehtësues të procesit të dialogut.

  • Pas 9 vjetësh mosfunksionalizimi, Komuna e Prishtinës ka ndarë 121 mijë euro për renovimin e pushimores për pensionistët

    Pas 9 vjetësh mosfunksionalizimi, Komuna e Prishtinës ka ndarë 121 mijë euro për renovimin e pushimores për pensionistët

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Me këto pak fjalë përshkruan përditshmërinë e tij si pensionist. Hajrullah Gashi, 77 vjeç, nga Prishtina, thotë se vuan në mungesë të një pushimoreje, për të kaluar kohë me bashkëmoshatarët.

    “Tërë ditën këndej nuk kemi as vend adekuat ku të qëndrojmë, kushte minimale…”, tha Hajrullah Gashi, pensionist.

    Njësoj si Hajrullahu mendojnë edhe pensionistë të tjerë.

    “Ne nuk kemi punë tjetër, të paktën të kemi një vend se ku ta kalojmë kohën, të luajmë shah apo ndonjë aktivitet tjetër”, tha Sabit Gashi, pensionist.

    Por para 9 vjetëve, një qendër e tillë ishte funksionale, ndonëse larg kryeqytetit.

    Përderisa punimet nuk zhvilloheshin, brenda objektit kishin zënë vend qentë endacakë.

    “Unë banoj fare pranë këtij objekti. Për vite me radhë nuk është investuar këtu asnjëherë, madje herë pas here ka qen endacakë, ka qenë pa dyer fare…”, tha Sefer Ademaj, banor.

    Pavarësisht se janë në dijeni për dinamikën e punimeve, drejtoresha për mirëqenie sociale në Prishtinë, Adelina Sahiti, thotë se qendra do të funksionalizohet në fund të vitit 2024.

    VOX: Adelina Sahiti, drejtoresha për Mirëqenie Sociale në Prishtinë
    “Punimet nuk kanë shkuar sipas pritshmërisë tonë, por tashmë jemi duke e përcjellë edhe më tutje, sepse e kemi pa në çfarë gjendje ka qenë, shpresojmë shumë që të përfundojë në fund të vitit”, tha drejtoresha për Mirëqenie Sociale në Prishtinë, Adelina Sahiti.

    Për renovimin e qendrës që parasheh qëndrim ditor pa pagesë për pensionistë, komuna e Prishtinës ka ndarë 121 mijë euro, 61 mijë për punimet e vrazhda dhe 60 të tjera për inventari.

    Derisa nata në këtë pushimore deri para 9 vjetëve ka kushtuar 10 euro të cilat mbulohen nga Komuna e Prishtinës, ende nuk dihet se sa do jetë çmimi pas hapjes.

  • Pas prishjes së koalicionit mes PDK-së dhe LDK-së në Prishtinë, puna në komunë më sfiduese

    Pas prishjes së koalicionit mes PDK-së dhe LDK-së në Prishtinë, puna në komunë më sfiduese

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Funksionimi i Kuvendit Komunal në Prishtinë nuk do të jetë i lehtë pas vendimit të Partisë Demokratike për të prishur koalicionin me Lidhjen Demokratike, pas dy vjetëve bashkëqeverisje.

    Derisa asambleja do të funksionojë njësoj, sipas kryesuesit të kuvendit, Pëllumb Bajqinovci, megjithatë do të mungojnë votat për t’i çuar projektet përpara.

    Edhe sipas monitoruesve të qeverisjes lokale, puna e ekzekutivit në Prishtinë nuk do të jetë fare e lehtë.

    Sipas tij, ka vetëm një zgjidhje se si do të veprohet në këto rrethana.

    Shfuqizimi i vendimit për këmbimin e pronave në Badoc bëri që Partia Demokratike e Kosovës të shkëputë koalicionin me Lidhjen Demokratike. PDK-ja kishte gjithsej 5 drejtori atë të Sportit e Kulturës, Bujqësisë, Arsimit dhe Drejtoria për Shërbime Publike.

  • Pas tri ditëve grevë, punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë i janë kthyer punës

    Pas tri ditëve grevë, punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë i janë kthyer punës

    Përgatiti: Sara Shehu

    Kështu dukeshin hapësirat e shkollave në kryeqytet deri të enjten, pasi rreth 160 punëtorë teknikë hynë në grevë nga e hëna për shkak të pagave të ulëta.

    Por, të premten ata i janë kthyer punës, pasi Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat ka arritur një marrëveshje me komunën e Prishtinës.

    Fahrie Aliu, njëra prej 12 punëtoreve teknike në shkollën fillore “Naim Frashëri”, tha se për tri ditë që nuk kanë punuar, objekti i shkollës ishte mbushur me mbeturina.

    “Sa s’kemi punu, shkollën e kish mbulu papastërtia, ndërkohë si ju kemi kthy punës shkolla është pastru siç po e shihni. Ne jemi të kënaqur që sindikata ka arritur marrëveshje me komunën e Prishtinës për rritje të rrogave, tani po presim zbatimin e marrëveshjes”, tha Aliu.

    Ndërkohë, Kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi, tha se zyrtarët komunalë janë pajtuar rreth kërkesave të punëtorëve, megjithëse deri në fillim të javës së ardhshme nuk do të japin detaje.

    “Realisht të gjitha kërkesat që i kemi parashtruar Komunës së Prishtinës me kënaqësi i kanë pranuar të gjitha dhe unë nuk mundem të jap tani një shifër të pagesës deri ditën e hënë, sepse ashtu i kanë kriteret Komuna e Prishtinës. Të hënën pasdite në momentin kur publikohet, unë mund t’iu jap gjithçka në detaje. Përndryshe, të gjitha kërkesat që ia kemi parashtruar Komunës së Prishtinës i kanë parë të arsyeshme. Prioritet ka qenë rritja e pagës të punëtorëve teknikë që janë paguar direkt nga Komuna e Prishtinës. Kjo ka qenë ajo, sepse punëtorët ndihen të degraduar, derisa këta kanë marrë një pagë 230-270 euro”, tha Azemi.

    Edhe përfaqësuesit komunalë kanë konfirmuar për ATV-në, se tashmë i kanë në fokus kërkesat e punëtorëve teknikë, derisa pritet fuqizimi i bashkëpunimit ndërmjet qeverisjes lokale dhe punëtorëve.

  • Prokuroria Speciale as pas gati dhjetë muajve nga arrestimi, nuk ka ngritur aktakuzë ndaj Krasniqit

    Prokuroria Speciale as pas gati dhjetë muajve nga arrestimi, nuk ka ngritur aktakuzë ndaj Krasniqit

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Gati dhjetë muaj nga arrestimi, Prokuroria Speciale akoma nuk ka ngritur aktakuzë ndaj Nagip Krasniqit, i suspenduar nga pozita e kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës.

    Në lidhje me rastin, Prokuroria u tregua e rezervuar në përgjigjen dërguar ATV-së.

    “Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale është duke punuar në mënyrë intensive lidhur me këtë rast, në këtë fazë të procedurës nuk mund të japim të dhëna të cilat i kërkoni ju, andaj kërkojmë mirëkuptim nga ana juaj”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale.

    Teksa, KEK-u është duke funksionuar me ushtrues detyre të kryeshefit ekzekutiv, që nga muaji prill, duke shkelur afatet ligjore ende nuk ka shpallur konkurs të ri.

    Në gusht të vitit të kaluar, Bordi i Drejtorëve të KEK-ut kishte njoftuar se nuk do ta shkarkojë Krasniqin e as nuk do të shpallë konkurs për kryeshef të ri, “pa një vendim nga organet e drejtësisë, apo pa krijimin e rrethanave të cilat Bordi do t’i konsiderojë të domosdoshme për të sjellë një vendim meritor”.

    Sidoqoftë, sipas ligjit të punës, gjatë kohës së largimit të përkohshëm nga puna, Nagip Krasniqit i takon e drejta e kompensimit në pagë në lartësi prej 50%.

    Përkthyer në shifra, për afro 10 muaj, duke i qenë i pezulluar, llogaritet se Krasniqi mori rreth 17 mijë euro, pasi siç mëson televizioni jozyrtarisht kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, paguhet afro 3500 euro në muaj.

    Ndërkohë, moshapja e konkursit konform afateve ligjore, sipas Zekirja Shabanit ndodh për shkak të politizimit të Bordit në ndërmarrjen kryesore energjetike në vend.

    Nagip Krasniqi ishte arrestuar më 19 Prill nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konfliktit të interesit.

  • Rregulli për qese te plastikes pa logo, nuk po respektohet

    Rregulli për qese te plastikes pa logo, nuk po respektohet

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Qeset e plastikës janë bërë me pagesë.

    Mirëpo, edhe pse Udhëzimi administrativ i Ministrisë së Mjedisit parasheh që ato të jenë pa logo të biznesit, një gjë e tillë nuk po respektohet. Ndërkohë ka markete të cilat vazhdojnë të japin qese pa pagesë.

    “Shumica e bizneseve kryesisht pemëtaritë japin akoma pa pagesë dhe disa prej tyre i shesin në favor të tyre me logo të tyre, gjë e cila nuk është e pëlqyeshme por meqenëse ky udhëzim nuk parasheh gjoba, atëherë të gjitha bizneset e shfrytëzojnë këtë vakum të shesin produkte dhe të bëjnë marketing”, tha Alban Hyseni, ambientalist.

    Sipas Hysenit, udhëzimi administrativ duhet të plotësohet.

    “Duhet të kthehet edhe një herë në shqyrtim dhe të jetë rekomandues edhe këshillues, por edhe sanksionues… për keqpërdorimet e këtij udhëzimi… të jetë sa më i zbatueshëm dhe më efikas”, tha Hyseni.

    Megjithatë, qytetarët thonë se ka biznese që kanë filluar ta respektojnë udhëzimin administrativ për qese.

    “5 centë po e paguaj, por në marketin që unë shkoj, janë pa logo, qese të thjeshta të bardha. Besoj që është në rregull”, thotë një qytetar.

    “Kështu është edhe në perëndim duhet me qenë qeset me pagesë. Ka markete që nuk kanë logo, por shumë prej tyre e shesin qesen dhe e kanë logon në qese”, thotë një tjetër qytetar.

    Udhëzimi administrativ për ndalimin e qeseve të plastikës me logo, ka hyrë në fuqi nga 29 shtatori. Ndryshe, Kosova është vendi i fundit në rajon në të cilin qeset e plastikës për një përdorim, janë bërë me pagesë për konsumatorët.

  • ​KOK-u rrit mbështetjen për Fazliun, Sadikun e Akil Gjakovën

    ​KOK-u rrit mbështetjen për Fazliun, Sadikun e Akil Gjakovën

    Bordi ekzekutiv i KOK-ut në mbledhjen e fundit ka vendosur të bëjë ndryshime në listën e bursistëve për Lojërat Olimpike Paris 2024.

    Duke marrë parasysh rezultatet në vazhdimësi të xhudistëve, Laura Fazliu dhe Akil Gjakova, atyre iu është rritur mbështetja nga 750 në 1000 dollarë, raporton KosovaPress.

    Fazliu dhe Gjakova ndodhen brenda normës olimpike Paris 2024, dhe që ë dyve pritet t’iu konfirmohet norma në muajin qershor.

    Vlera e bursës iu ngrit edhe boksieres, Donjeta Sadiku, e cila nga 850 dollarë, tani do të përfitojë 900 dollarë.

    Ngritje të bursës u bë edhe për atleten, Gresa Bakraqi, e cila nga 380 tani do të përfitojë 450 dollarë, për shkak të përmirësimit të rezultateve të saj në vazhdimësi.

    Po ashtu, me kërkesë të Federatës së Shenjëtarisë Sportive të Kosovës, shenjëtari Drilon Ibrahimi, u përfshi në bursë, falë ngritjes së rezultateve në vazhdimësi në garat ndërkombëtare. Ibrahimi do të mbështet me 250 dollarë në muaj.

    Për shkak të lëndimeve dhe në pamundësi për të vazhduar rrugëtimin për normë olimpike Paris 2024, nga bursa është tërhequr me vetiniciativë mundësi, Egzon Shala.