ATV

Author: ATVLive

  • Pension varësisht nga Trusti, opozita e kundërshton propozimin

    Pension varësisht nga Trusti, opozita e kundërshton propozimin

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Të palogjikshme e kanë vlerësuar deputetët e opozitës idenë e Ministrit të Financave, Hekuran Murati, në lidhje me reformat ne skemën pensionale.

    Sipas tyre, propozimi që pensionistët ta marrin pensionin bazë, varësisht nga shuma e mjeteve që kanë në Fondin e Kursimeve Pensionale, as nuk duhet të shkojë për votim në Kuvend.

    “Qysh me ja prek njerit paret në Trust, një gjë e tillë nuk guxon me ndodh në Kuvend e as nuk kemi me leju me ndodh. Ky është diskriminim…”, tha anëtari i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu.

    Duke thënë se propozimi përbën shkelje të të drejtave të pensionistëve, ish-ministri Armend Zemaj ka thënë se si parti këtë propozim nuk do ta përkrahin.

    “Kjo është pabarazi dhe e padrejtë, këto ide janë amatoreske…”, tha Zemaj.

    Kjo reformë, sipas deputetit Bekim Haxhiut, do t’i revoltonte pensionistët.

    Reforma në skemën pensionale, si dhe sociale është duke u bërë me Bankën Botërore nëpërmes një kredie në vlerë prej 47 milionë eurosh.

  • Rryma në veri para verës s’ka fatura bazuar në matje të konsumit

    Rryma në veri para verës s’ka fatura bazuar në matje të konsumit

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Së paku deri në verë, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok nuk pritet të nisë faturimi i energjisë elektrike bazuar në matjen e konsumit.

    Deri në realizimin e projektit të financuar nga Bashkimi Evropian për vendosjen e matësve inteligjentë, konsumatorëve do t’u kërkohet pagesë paushall.

    “Për të mbështetur zbatimin e marrëveshjes së Dialogut Prishtinë – Beograd për udhërrëfyesin e energjisë dhe marrëveshjen komerciale ndërmjet operatorit të shpërndarjes së Kosovës – KEDS dhe furnizuesit – Elektrosever, më 16 shkurt, BE-ja publikoi tenderin për furnizim me njehsorë të mençur të energjisë elektrike për komunat veriore të Kosovës. Tenderi përfshin furnizim me katër lloje të pajisjeve matëse, një koncentrator të dhënash dhe transformatorë të rrymës/tensionit. Afati i fundit për pranimin e ofertave është 15 Prill 2024”, thuhet në njoftimin e BE-së.

    Punët në terren për vendosjen e matësve apo njehsorëve nuk pritet të nisin para majit ose qershorit.

    Në draft-kontratën të cilën e ka parë ATV-ja, afati për realizimin e punëve të parapara në tender është 365 ditë, që nënkupton se finalizimi i procesit të faturimit bazuar në sasinë e konsumit mund të vonohet edhe më shumë.

    Në total, në katër komunat me shumicë serbe në veri, parashihet të vendosen rreth 25 mijë matës të mençur, por vlera e kontratës nuk është përcaktuar ende.
    Matësit e konsumit do t’i dorëzohen KEDS-it dhe në pajtim marrëveshjen me Elektroseverin, do të vijohet me vendosjen e tyre.

    Megjithëse, nga 1 Janari ka nisur nominimin e energjisë për katër komunat në veri, Elekstrosever ende nuk u ka dërguar konsumatorëve fatura, duke i njoftuar ata se përkohësisht do të paguajnë paushall ndërmjet 25 dhe 30 euro në muaj.

    Që nga përfundimi i luftës, dëmi buxhetor si pasojë e mos-pagesës së energjisë elektrike në këtë pjesë të vendit llogaritet të jetë rreth 350 milionë euro.

  • S’dihet kush do ta përfaqësojë kosovën në takimin e 27 shkurtit

    S’dihet kush do ta përfaqësojë kosovën në takimin e 27 shkurtit

    Përgatiti: Armand Hoti

    Bashkimi Evropian ka ftuar palën kosovare dhe atë serbe të takohen në kryeqytetin politik të Evropës, në njëvjetorin e marrëveshjes së Brukselit. Por, diskutimi këtë herë do të zhvillohet rreth vendimit të autoriteteve në Prishtinë që ndalon përdorimin e dinarit.

    Të mërkurën, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ai nuk do të marrë pjesë në këtë takim. Por, nga zyra e tij nuk kanë treguar se kush do ta përfaqësojë Kosovën në Bruksel më 27 shkurt.

    Për ATV-në, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se përzgjedhja e përfaqësuesve është lënë në vullnetin e dy vendeve përkatëse.

    “Zakonisht ne nuk i komentojmë korrespondencat me partnerët tanë, por ftesa nga i dërguari i posaçëm Lajçak nuk kishte specifikuar se kush duhet ta përfaqësojë Kosovën dhe kush Serbinë”, ka thënë Stano.

    Stano komentoi edhe deklaratën e Bislimit se emisari Lajçak ka shkelur parimet.

    “Ne shpresojmë se zoti Bislimi do t’i vlerësojë përpjekjet, në vend që, në mënyrë të pabazë, t’i akuzojë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme”, ka thënë Stano.

    Episodin e fundit në raport me Brukselin e komentojnë edhe njohësit. Derisa një palë thotë se çështja e dinarit i takon pjesës teknike të dialogut, pala tjetër thotë se për dinarin sqarime duhet dhënë Banka Qendrore.

    Ftesa për me dialogu për dinarin duhet të shihet si kërkesë legjitime e një shteti që pretendon se qytetarët e atij po trajtohen keq prej Kosovës… Por nuk duhet të diskutohet në nivel teknik, jo në nivel politik”, tha gazetari Zekirja Shabani.

    “Unë mendoj që kryenegociatori nuk duhet të shkojë dhe askush prej Qeverisë së Kosovës nuk duhet të shkojë, por nëse lehtësuesit evropianë, apo amerikanë kanë nevojë për informacione shtesë, atëherë janë njerëzit përgjegjës në Bankën Qendrore të Kosovës”, tha profesori Basri Muja,.

    Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës hyri në fuqi më 1 shkurt dhe parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme.

  • Prezantohet rezultati i ekzaminimit psikiatrik i vëllaut të Butës

    Prezantohet rezultati i ekzaminimit psikiatrik i vëllaut të Butës

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Në ditën kur, ai akuzohet se e vrau Gazmend Hysenin, Qëndrim Januzi kishte mbetur i plagosur. Megjithatë, mbrëmjen e 28 majit të vitit 2022, ai kishte gëzuar shëndet të plotë mendor.

    Të paktën kështu thotë rezultati i ekzaminimit psikiatrik, të cilin e kishte kërkuar vetë pala mbrojtëse.

    “Nuk është konstatuar çrregullim mendor psikik i natyrës së përhershme, apo të përkohshme. Nuk është evidentuar çrregullim i kualitetit psikotik. Nuk është konstatuar prapambetje apo ngecje në zhvillimin intelektual”, deklaroi Jeton Zogaj, psikiatër forenzik në IPK.

    Sipas psikiatrit forenzik, i cili prezantoi rezultatet, Januzi kontrolloi veprimet edhe kur i shkrepi 6 plumbat në trupin e viktimës, sipas aktakuzës.

    “Në momentin e kryerjes së veprës, ne kemi konstatuar se aftësia e tij e të kuptuarit dhe kontrollit të veprimeve ka qenë e ruajtur, që nënkupton ka qenë përgjegjës për veprimet e tij”, shtoi Zogaj.

    Mirëpo, avokati i Qëndrim Januzit ekzaminimin e konsideroi të mangët, meqë sipas tij nuk është analizuar gjendja e tij emocionale.

    Ndërsa, mjeku ligjor insistoi se ekzaminimi është i plotë.

    Pasi përfundoi prezantimi i ekspertit të forenzikës, mbrojtja bëri kërkesë për një tjetër ekzaminim.

    “Kërkoj një tjetër ekspertizë për të mbrojturin tim. Në ekip duhet të ketë edhe psikologë…”, ka thënë Florim Vërtopi, avokat i Qëndrim Januzit.

    Kjo kërkesë u refuzua me aktvendim të trupit gjykues.

    Megjithatë, vendimi përfundimtar do të merret veç pasi aktvendimi të marrë formën e prerë. Më 28 maj të vitit 2022, Gazmend Hyseni u vra me 6 plumba në qendër të Ferizajt. Për veprën akuzohet Qëndrim Januzi, vëllai i rep-këngëtarit ‘Buta’.

  • Lufta në Kosovë, aktori i njohur së shpejti vjen me një film

    Lufta në Kosovë, aktori i njohur së shpejti vjen me një film

    Aktori dhe regjisori i njohur amerikan, Louis Mandylor së shpejti do krijojë një film për ngjarjet e luftës në Kosovë në vitet ’90.

    Lajmin e kanë bërë të ditur disa burime për gazetën “Reporteri”, sipas të cilave aktori do të udhëtojë drejt Kosovës së bashku me ekipin e tij të xhirimit dhe disa aktorë të tjerë

    Është bërë me dije se përveç rolit që do ketë si aktor në këtë film, Louis gjithashtu do të marrë përsipër edhe regjinë e filmit.

    Kjo nuk është hera e parë që bëhet pjesë e një filmi që trajton histori të shqiptarëve, pasi aktori ka luajtur një rol në filmin “The Brave”, i cili trajtonte ngjarjet në Lazarat.

  • Avokati i Popullit publikon raportin me rekomandime për sigurinë dhe shëndetin në punë, mbetet shqetësuese mungesa e inspektimit

    Avokati i Popullit publikon raportin me rekomandime për sigurinë dhe shëndetin në punë, mbetet shqetësuese mungesa e inspektimit

    Avokati i Popullit ka përfunduar hetimet për sigurinë dhe shëndetin në punë, me raportin ex officio nr. 252/2021 për të vlerësuar se sa autoritetet publike po i përmbushin detyrimet që kanë në marrjen e masave për parandalimin e aksidenteve në punë, sigurinë dhe ruajtjen e shëndetit në vendin e punës për të punësuarit, si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik.

    Hetimi thuhet se ka filluar duke u bazuar në raportimet në media për rastet e shpeshta të aksidenteve në punë me pasoja deri në fatalitet.

    Raporti trajton situatën aktuale në vend lidhur me sigurinë dhe shëndetin në punë, funksionimi i mekanizmave lidhur me këtë fushë si një hap drejt një mbikëqyrjeje më intensive nga ana e Avokatit të Popullit kundrejt autoriteteve përgjegjëse, që rregullojnë dhe inspektojnë këtë fushë, si dhe situatës në terren, lidhur me të drejtat nga marrëdhënia e punës, me theks të veçantë sigurinë dhe shëndetin në punë.

    “Të dhënat statistikore për aksidentet në vendet e punës, që përfundojnë me fatalitet, janë shqetësuese. Që nga viti 2004 deri në vitin 2021, sipas Inspektoriatit të Punës, kanë humbur jetën 232 persona në vendin e punës ose lidhur me punën. Ndërsa vetëm gjatë vitit 2022, sipas të dhënave zyrtare në Kosovë, 15 persona kanë humbur jetën në vendin e punës, ndërsa janë evidentuar 394 aksidente që kanë përfunduar me lëndime”, thuhet në raportin zyrtar.

    Këto të dhëna sipas avokatit të popullit duhet të jenë thirrje për institucionet që të marrin masa për tu siguruar jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

    “Avokati i Popullit konstaton se shëndeti në punë është fushë ende e parregulluar juridikisht në shumë segmente dhe e patrajtuar në kuptim të organizmit të zinxhirit institucional, i cili do t’i jetësonte detyrimet e autoriteteve publike në mbrojtjen e shëndetit në punë. Veq kësaj, situata rëndohet edhe si pasojë e mungesës së kontratave të punës, mungesës së sigurimit shëndetësor, mosrespektimit të së drejtës në pushim, mungesës së trajnimeve të punëtorëve për siguri dhe shëndet në punë, etj”, thuhet mes tjerash.

    Sipas tij, detyrimet e shtetit konsistojnë në angazhimin për përcaktimin e faktorëve kryesorë, të cilët ndikojnë në ekspozim ndaj rreziqeve, aksidenteve dhe sëmundjeve në punë, përfshirë specifikat sipas dallimeve gjinore, në mënyrë që të ndërmerren masat e nevojshme për eliminimin e tyre, përfshirë masat parandaluese.

    Gjithashtu raporti thuhet se gjen që ka mungesë të kushteve të sigurta për punë, veçmas në ata sektorë që janë identifikuar si më të predispozuar për sa i përket rrezikut për shkak të natyrës së punës/profesionit dhe se në këtë aspekt mbetet shqetësuese mungesa e inspektimit dhe mbikëqyrjes intensive dhe të vazhdueshme.

  • Osmani takohet me Hovenierin dhe flasin për rregulloren e BQK-së dhe planin e tranzicionit

    Osmani takohet me Hovenierin dhe flasin për rregulloren e BQK-së dhe planin e tranzicionit

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim të rregullt Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, përcjell Reporteri.net.

    Siç njofton Presidenca, në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend me fokus të veçantë në propozimet të cilat ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për planin e tranzicionit për zbatimin e rregullores së BQK-së.

    “Duke diskutuar për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit bilateral, Presidentja Osmani ripotencoi mirënjohjen e thellë për mbështetjen e përhershme të SHBA-së për sovranitetin, kushtetueshmërinë dhe integritetin territorial të Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Në mes tjerash, në takim u diskutua po ashtu edhe për bashkëpunimin për sa i përket agjendës ndërkombëtare në muajt në vijim si dhe për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

    Të mërkurën, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se e refuzoi një ftesë të Brukselit për të biseduar lidhur me çështjen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë dhe e akuzoi të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, për shkelje të parimeve.

    Bislimi tha se, Lajçaku, me dërgimin e kësaj ftese, kishte shkelur “parimet që i ka vendosur vetë”, pasi, sipas tij, “është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa pajtim paraprak me palët dhe është munduar që të përcaktojë agjendën përkundër parimeve që ai ka vendosur në vitin 2021, që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa pajtimin e palëve”.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka reaguar lidhur me këtë.

    “Ne shpresojmë se zoti Bislimi do t’i vlerësojë përpjekjet, në vend që, në mënyrë të pabazë, t’i akuzojë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme”, tha Stano.

    Stano konfirmoi se BE-ja i kishte ftuar Kosovën dhe Serbinë për të biseduar për çështjen e dinarit në një takim që parashihej të zhvillohej më 27 shkurt.

    Ai tha se ftesa e të dërguarit të posaçëm të BE-së, megjithatë, nuk specifikonte se kush prej secilës palë duhej të merrte pjesë në takimin e ftuar nga ai për 27 shkurt.

    “Zakonisht, ne nuk i komentojmë shkëmbimet me partnerët tanë. Megjithatë, ftesa përmes letrës nga i dërguari i posaçëm Lajçak nuk kishte specifikuar se kush duhet të përfaqësojë Kosovën dhe kush Serbinë, kjo u ishte lënë palëve të vendosin”, sqaroi Stano.

    Ai shpjegoi se ftesa u bë pas takimeve ndarëse që përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Joseph Borrell, kishte me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Munih të Gjermanisë javën e shkuar, ku u diskutua çështja e dinarit, sipas tij.

  • Dogana dhe Policia kontrollojnë 11 biznese në tri rajone të Kosovës, dyshohen për mallra të falsifikuara

    Dogana dhe Policia kontrollojnë 11 biznese në tri rajone të Kosovës, dyshohen për mallra të falsifikuara

    Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë organizuar sot një aksion për luftimin e piraterisë dhe falsifikimit.

    Në këtë aksion janë kontrolluar 11 subjekte tregtare në Prishtinë, Prizren e Gjakovë. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci.

    “Dogana e Kosovë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike dhe Inspektorati i Tregut si anëtarë të Task Forcës për luftimin e piraterisë dhe falsifikimit, pas pranimit të informatave dhe punës në teren për verifikim të informatave kanë zbuluar se subjektet tregtare posedojnë mallra që dyshohet se janë të falsifikuara.

    Andaj, si rezultat i dyshimit institucionet e kompetente në bashkëpunim dhe koordinim të veprimeve konform kompetencave ligjore kanë planifikuar veprimet operative në terren dhe është zbatuar Plani Operativ, ku janë kontrolluar 11 subjekte tregtare në 3 regjione të Republikës së Kosovës (Prishtinë, Prizren dhe Gjakovë)”, tha Stavileci.

  • ​Maqedonci: Vuçiq po e zvarritë dialogun për ta pritur përfundimin e luftës në Ukrainë

    ​Maqedonci: Vuçiq po e zvarritë dialogun për ta pritur përfundimin e luftës në Ukrainë

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se grupet e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjska kanë përdorur armatim të thelluar në fabrikat shtetërore të Republikës së Serbisë dhe se kanë qenë të trajnuar nga instruktorë ushtarakë.

    Kështu tha ai në “Samitin e Ballkanit për dezinformim”, teksa theksoi se janë duke punuar në ndërtimin e një qendre trajnuese kombëtare për sigurinë kibernetike e cila do të inaugurohet më 26 mars.

    Maqedonci shtoi se ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë mekanizmat e saj për t’u përballur në anën e dezinformimit.

    “Normalisht gjithmonë që kërcënimeve hibride përgjigja duhet të jepet përmes një qasje hibride që nënkupton angazhimin e shumë elementeve të fuqisë shtetërore për t’u përballur me këtë sfidë të kohëve moderne sfidë që është e vërteta ka qenë edhe më herët, mirëpo kërcënimet hibride si format i luftës janë duke u rritur në aspektin e aplikimit nga vendet kryesisht autokratike të cilat normalisht këtë pjesën etike dhe morale nuk e kanë në politikën e tyre. Në këtë aspekt, ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës ka mekanizmat e saj për t’u përballur, gjithçka fillon me një analizë që bëhet në sistemin tonë, më saktësisht në proceset tona të vendimmarrjes gjithmonë faza e parë është analiza që nënkupton që nga ajo analizë të nxjerrim konkludimiet, dhe të ndahen supozimet prej fakteve por edhe të ndahet pjesa e dezinformimit që është një metodë e theksuar kohëve të fundit. Dezinformomi në kuptimin e mbrojtjes nënkupton edhe pjesën e mashtrimit operacional, kundërshtari dezinformon jo vetëm me një qëllim të krijimit të një ambienti të paqartë por edhe për të krijuar një mundësi që të bëjë një mashtrim operacional për forcat që zhvillojnë mbrojtje të territorit apo të vendit, kjo është parë shumë herë. Aktualisht jemi duke punuar në ndërtimin e një qendre trajnuese kombëtare për sigurinë kibernetike, që gjithashtu është një pjesë e luftës kundër dezinformimit dhe luftës hibride. Këtë qendër planifikojmë ta inaugurojmë gjatë muajit mars më saktësisht me datën 26 do të bëjmë nënshkrimin e kurrikulës trajnuese të kësaj qendre,” tha Maqedonci.

    Po ashtu, Maqedonci vlerëson se inavizioni rus në Ukrainë në një formë ka ndikuar edhe në destabilizmin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, më saktësisht në veri të Kosovës. Ai shtoi se ka evidenca për grupet e 24 shtatorit në Banjska të Zveçanit kanë përdorur armatim të thelluar në fabrikat shtetërore të Republikës së Serbisë si dhe kanë qenë të trajnuar nga instruktorë ushtarakë si dhe dyshojnë që gjatë kësaj periudhe prej që ekziston qendra humanitare ruse në Nish mund të jenë të trajnuar dhe të përgatitur nga kjo qendër.

    Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Maqedonci tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po neglizhon përmbylljen e procesit, pasi sipas tij, ai po pret rezultatin e luftës në Ukrainë në mënyrë që të vlerësojë situatën e cila do të ishte e favorshme për shtetin e Serbisë.

    “Gjithë ambienti global i sigurisë ka ndryshuar pas invazionit rus në Ukrainë dhe kjo është manifestuar edhe me incidentet dhe luftimet që po ndodhin në Lindjen e Mesme. Por, edhe me rritjen e tensioneve në Ballkanin Perëndimor, më saktësisht në veriun e vendit tonë, ku vlerësoj që lufta e Ukrainës pra invazioni rus në Ukraninë në një farë forme ka ndikuar edhe në destabilizmin rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe inkurajimin e elementeve të caktuara si brenda strukturave shtetërore të Serbisë, por edhe elementëve të tjerë që gjenden në rajon për të zhvilluar aktivitete të stabilitetit dhe për të minuar integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Kjo është manifestuar haptazi me 24 shtator të vitit të kaluar kur në grup paramilitarësh i armatosur dhe i uniformuar mbështetur nga strukturat e sigurisë së Republikës së Serbisë ka tentuar një kapje tereni, një invazion të pjesshëm të një pjese të territorit të vendit tonë. Vlerësoj që kjo nuk është bërë rastësisht, kjo është bërë edhe me influencën që shërbimi sekret rus ka në shoqërinë serbe por edhe në institucionet e Republikës së Serbisë…Kemi evidencat që këto grupe bazuar në faktet që janë gjetur kanë përdorur armatim të thelluar në fabrikat shtetërore të Republikës së Serbisë, kanë qenë të trajnuar nga instruktorë ushtarakë si dhe dyshojmë që gjatë kësaj periudhe prej që ekziston qendra humanitare ruse në Nish mund të jenë të trajnuar dhe të përgatitur nga kjo qendër… 06:46 Vlerësojmë që presidenti Vuçiq, politika aktuale në Serbi janë duke neglizhuar çështjen e përmbylljes së dialogut, të marrëveshjes me qëllim që të presin rezultatin e luftës në Ukrainë, rezultatin për të marrë anë që ata vlerësojnë që është e mirë për ta,” shtoi Maqedonci.

    Gjithashtu, ai tha se ekziston një plan gjithëpërfshirës i tranzicionit që parasheh krijimin e kapacitetit të mbrojtjes të vendit i cili është duke u ndërtuar që nga viti 2019, i cili do kulmojë në fazën e tretë që do të fillojë nga viti 2025 deri në vitin 2028 ku Forca e Sigurisë së Kosovës do të mbështetet edhe me elemente tjera të nevojshme ushtarake.

    “Në Forcat e Sigurisë së Kosovës ekziston një plan që ne e quajmë plani gjithë përfshirës të tranzicionit, plan që parasheh krijimin e kapacitetit të mbrojtjes të vendit tonë, më saktësisht kapaciteteve tona luftarake për mbrojtjen e territorit. Ne jemi duke ndërtuar këto kapacitete prej vitit 2019, aktualisht gjendemi në fazën e dytë të tranzicionit ku kulmimi i saj do të jetë në ndërtimin e tre regjimenteve të këmbësorisë të gatshme për të zhvilluar operacione të mbrojtjes të territorit. Të gjitha do të kulmojnë në fazën e tretë që do të fillojnë në vitin 2025 deri në vitin 2028 ku Forca e Sigurisë së Kosovës do të mbështetet edhe me elemente të tjera të nevojshme ushtarake siç janë mbrojtja ajrore dhe mbështetja ajrore”, u shpreh ai.

    Në këtë samit, përveç tjerash, është diskutuar për dezinformimin, luftën në Ukrainë, Inteligjencën Artificiale (AI), mediat si dhe influencën e Kinës në Lindje të Mesme./kp

  • Fermerë nga 10 shtete evropiane i bashkojnë forcat kundër politikave të BE-së

    Fermerë nga 10 shtete evropiane i bashkojnë forcat kundër politikave të BE-së

    Fermerët nga Republika Çeke, Sllovakia dhe vende të tjera të Evropës Qendrore protestuan përgjatë kufijve çekë të enjten, duke bllokuar disa pika kalimesh pasi kërkuan më pak burokraci dhe ndryshime në politikën e BE-së.

    Fermerët në të gjithë Evropën kanë rritur protestat këtë vit, duke përfshirë Poloninë, Francën, Gjermaninë, Spanjën dhe Italinë, duke u ankuar për çmime të ulëta dhe kosto të larta, importe të lira dhe kufizime nga nisma e ndryshimeve klimatike të Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së.

    Fermerët bllokuan kalimin Hodonin-Holic në kufirin çeko-sllovak, ndërsa qindra traktorë, shumë të veshur me flamuj çekë ose sllovakë, mbushën autostradën. Në mesin e turmave të mbledhura u panë edhe fermerë hungarezë, raporton Reuters.

    Fermerët çekë dhe polakë gjithashtu bllokuan pjesërisht një vendkalim në cepin verilindor të Republikës Çeke, ku dhjetëra traktorë ishin parkuar përgjatë rrugës, njoftoi agjencia çeke e lajmeve CTK.

    Pika të tjera kufitare çeke, duke përfshirë Gjermaninë, ishin vendosur për të parë protesta. Dhoma Agrare Çeke tha se 3,000 traktorë po merrnin pjesë në protesta vetëm në Republikën Çeke.