ATV

Author: ATVLive

  • Si përpiqet Rusia të ndikojë në Ballkan përmes Forumit Mysliman Evropian?

    Si përpiqet Rusia të ndikojë në Ballkan përmes Forumit Mysliman Evropian?

    Kur tensionet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit qenë rritur në gushtin e vitit 2022 për shkak të çështjes së targave ilegale serbe të automjeteve, të cilat përdoreshin në veri të Kosovës, Forumi Mysliman Evropian kishte shprehur shqetësimin e tij se myslimanët mund të pësonin nga ndonjë incident i mundshëm.

    Kjo, megjithatë, nuk ka qenë hera e parë që kjo organizatë ka shfaqur interesim për rajonin e Ballkanit.

    Puna e saj është përmendur së voni në një raport që ka përpiluar Royal United Services Institute (RUSI), me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, i konsideruar instituti më i vjetër në botë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

    Në raportin e titulluar “Kërcënimi nga lufta jokonvencionale e Rusisë përtej Ukrainës, 2022–‘24” përmenden taktika të ndryshme të Rusisë për të krijuar përçarje në Evropë.

    Aty përfshihet edhe strategjia e Rusisë për të zgjeruar ndikimin e saj në botën myslimane, nëpërmjet organizatave dhe fondacioneve bamirëse.

    Një ndër to është Fondacioni Ahmat Kadyrov, i cili tenton të popullarizojë si figurë fetare ish-udhëheqësin çeçen, njëherësh babanë e udhëheqësit aktual të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, i cili është aleat i presidentit rus, Vladimir Putin.

    Punë të ngjashme bën edhe Forumi Mysliman Evropian.

    Sipas raportit britanik, “organizata është sidomos aktive në Ballkan, ku ka krijuar lidhje me përfaqësues autoritarë myslimanë (jo vetëm fetarë, po edhe figura politike) në Serbi, Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Kroaci, Greqi dhe Rumani”.

    Në ueb-faqen e saj, në internet, nuk gjenden të dhëna për mënyrën e financimit të organizatës.

    Çfarë raportesh ka Kosova me Forumin Mysliman Evropian?

    Në korrik të vitit 2021, një delegacion nga Forumi Mysliman Evropian, i kryesuar nga kryetari i tij, qëndroi për vizitë në Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) dhe në Fakultetin e Studimeve Islame. Delegacioni qe pritur nga kryetari i BIK-ut, myftiu Naim Tërnava, dhe nga bashkëpunëtorët e tij.

    Atëbotë, zyrtarë të BIK-ut i patën deklaruar se delegacionin e kishin pritur vetëm në shenjë respekti dhe se nuk kishin qenë në dijeni se me kë ka afërsi organizata.

    Delegacioni pati zhvilluar një mori vizitash edhe në vendet e tjera në Ballkanit.

    Në faqen e Këshillit të Myftinjve të Rusisë, vizita ishte paralajmëruar si mundësi për të avancuar në një nivel tjetër bashkëpunimin mes myslimanëve të Ballkanit dhe atyre të Rusisë.

    Çfarë dihet për Forumin dhe kush e udhëheq atë?

    Forumi Mysliman Evropian është organizatë e themeluar në tetorin e vitit 2018 dhe i ka disa zyra në Evropë.

    Udhëheqës i Forumit është Abdul-Vahed Niyazov. Në të kaluarën, ai besohet se ka qenë udhëheqës i lëvizjes “Myslimanët në mbështetje të presidentit Putin”, dhe gjatë një periudhe ka qenë përfaqësues i partisë së Putinit në Dumë, dhomën e poshtme të Parlamentit rus.

    Sipas ueb-faqes së Forumit, ai angazhohet për ofrim të ndihmës për integrim të emigrantëve myslimanë në shoqëritë evropiane, për ndërtim të xhamive dhe qendrave kulturore, apo për zhvillim të industrisë Halal në Evropë.

    Por, Zyra e Departamentit për Siguri Shtetërore e Lituanisë ka thënë në raportin vjetor të 2023-tës se Forumi përhap propagandë kundër Perëndimit.

    Sipas autoriteteve lituaneze, pozitat kryesore në Forum u takojnë udhëheqësve të organizatave myslimane ruse, të cilat kanë lidhje me administratën presidenciale të Rusisë.

    Në të kaluarën, Niyazov është parë në takime me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe me kryeministrin hungarez, Viktor Orban.

    Sipas autoriteteve të Lituanisë, Niyazovit i është ndaluar hyrja në zonën Shengen, në Evropë, prej tetorit të vitit 2022.

    Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban me Abdul-Vahed Niyazovin dhe një pjesëtar tjetër të Forumit në gusht të vitit 2023.

    Cilat janë lidhjet e Forumit Mysliman Evropian me Ballkanin?

    Pjesë e këshillit të Forumit Mysliman Evropian, nga rajoni i Ballkanit, janë myftinjtë e Serbisë, Mevlud Dudiq dhe Abdullah Numan, pastaj Behixhudin Shehapi nga Maqedonia e Veriut dhe Rifat Feiziq nga Mali i Zi.

    Një myfti i Serbisë ka marrë pjesë edhe në themelimin e Forumit, më 2018, në Barcelonë.

    Në faqen e Forumit në rrjetin social Facebook publikohen shpesh fotografi të xhamive nëpër Ballkan dhe aktivitetet e tyre.

    Me raste shprehet edhe mbështetje për ndonjë figurë politike, sikurse Bakir Izetbegoviq, ish-president i Bosnje e Hercegovinës, apo Muammer Zukorliq, zëvendëskryetar tashmë i ndjerë i Parlamentit të Serbisë.

    Në rrjetet sociale, në postime kryesisht në gjuhën ruse, Forumi deklaron mbështetje edhe për figura kontroverse, siç është Andrew Tate.

    Ish-kikboksieri amerikano-britanik është përgëzuar nga organizata për konvertim në islam, me shpresën se ai do t’i promovojë vlerat islamike.

    Aktualisht, Tate po përballet me procese gjyqësore në Rumani, pasi akuzohet për përdhunim dhe trafikim, akuza që ai i ka hedhur poshtë.

    Luftimi i propagandës ruse

    Jakub Kalensky nga Qendra për Ndikim Hibrid COI, me bazë në Finlandë, ka thënë ditë më parë se Evropa duhet t’i rrisë kapacitetet për identifikim dhe dokumentim të dezinformatave që nisen prej Rusisë.

    “Besohet se Rusia tani ndan 2 miliardë euro për operacione dezinformimi brenda vitit, derisa përgjigja e BE-së financohet prej 12 milionë eurove”, ka thënë ai.

    “Nëse i kemi 2 miliardë euro përballë 12 milionë eurove, e dimë qartë fundin. Nuk ka rëndësi nëse fushata e BE-së është më e mirë, në fund Rusia do të fitojë”, është shprehur Kalensky, raporton REL.

  • Osmani: Roli i grave e ka shtyrë përpara paqen në vendin tonë

    Osmani: Roli i grave e ka shtyrë përpara paqen në vendin tonë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i ka quajtur pjesë e kyçe e historisë së Kosovës në të gjitha fazat e saj, gratë në Kosovë, raporton EO.

    Në Konferencën rajonale “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor”, Presidentja Osmani ka thënë se Kosova e meriton të jetë pikë reference në hartën globale sa i përket angazhimit në drejtim të jetësimit të agjendës për gratë.

    “Në bosht të historisë sonë, të popullit tonë, në fazat e ndryshme të saj, si në kohën e rezistencës paqësore ashtu edhe gjatë luftës së UÇK-së, edhe pas luftës në procesin e ndërtimit të paqes, në procesin e shtetndërtimit, edhe sot ndërsa forcojmë pozitën tonë në arenën ndërkombëtare, ka qenë roli i grave që ka shtyrë përpara paqen dhe sigurinë në vendin tonë”, ka thënë ajo.

  • IKSHPK-ja bën thirrje për vaksinim të vajzave kundër kancerit të qafës së mitrës

    IKSHPK-ja bën thirrje për vaksinim të vajzave kundër kancerit të qafës së mitrës

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK)ka bërë thirrje për vaksinim të vajzave kundër kancerit të qafës së mitrës.

    Në një thirrje të publikuar në Facebook IKSHPK-ja ka renditur disa nga arsyet se pse duhet marrë vaksinën kundër Human Papilloma Virusit (HPV).

    “Çdo vit, mbi 30 000 gra vdesin nga kanceri i qafës së mitrës brenda Rajonit Evropian të OBSH-së. Kanceri i qafës së mitrës është i parandalueshëm. Vaksina HPV mund të parandalojë mbi 90% të kancereve të shkaktuara nga Human Papilloma Virusi. Vaksina HPV është e sigurt dhe efektive. Vaksinat HPV janë pjesë e përpjekjeve globale për ta eliminuar kancerin e qafës së mitrës deri në vitin 2030”, thuhet në këtë postim.

    Tutje theksohet se Kosova u është bashkuar këtyre përpjekjeve dhe ka filluar vaksinimin e vajzave të klasave të VI-ta kundër kancerit të qafës së mitrës.

    Vaksinimi bëhet në shkolla. “Asnjë vajzë/grua nuk duhet të vdesë nga kanceri i qafës së mitrës. Askund. Informohu, vaksinohu, kontrollohu … dhe tregoi shoqes suaj se je vaksinuar”, thuhet në apelin e IKSHPK-së.

  • Konjufca kërkon të rritet pjesëmarrja e grave në politikë

    Konjufca kërkon të rritet pjesëmarrja e grave në politikë

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka quajtur presidenten Vjosa Osmani si shtysë e madhe për gratë në Kosovë. Konjufca, tha se Kosova është shembulli i përkushtimit për përmbushjen e agjendave globale sheh paksa kufizime, raporton EO.

    Kreu i Kuvendit, në konferencën rajonale “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor”, tha se ndonëse ka shumë gra të përfshira në politikë, numri i tyre është larg nga ai burrave, dhe kjo siç tha ai, duhet të ndryshohet.

    “Mirë që është Kuvendi i Kosovës që na ka mbledhur sot për ta trajtuar këtë temë siç është për rolin e kuvendeve në zbatimin e rezolutës 1325 të Kombeve të Bashkuara për avancimin e agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë. Dua ta përgëzoj grupin e grave deputete që pavarësisht dallimeve partiake, po punojnë fuqishëm për promovimin e fuqizimit të grave në sferën politike e publike. Ky aktivitet është dëshmia më e mirë e këtij bashkëpunimi”, tha ai.

    “Agjenda për gratë, paqen dhe sigurinë qëllim kryesor e ka pozicionimin e grave si partnere të barabarta në të gjitha fushat që lidhen me paqen dhe sigurinë. Kosova është shembulli më i mirë i përkushtimit për përmbushjen e agjendave globale pavarësisht faktit që jemi shpesh të kufizuar për t’i dhënë zë këtyre organizmave në të cilat ende s’jemi anëtarë”.

    “Përfshirja e grave në procese të paqes dhe sigurisë është parakusht për paqe dhe demokracinë e qëndrueshme. Kemi një numër të madh të grave të përfshira në politikë dhe sektorin e drejtësisë e sigurisë, ndonëse numri i tij është larg nga ai i burrave dhe kjo duhet të ndryshohet”, u shpreh tutje Konjufca.

  • Shenjat paralajmëruese të një sulmi në tru

    Shenjat paralajmëruese të një sulmi në tru

    Goditja në tru lidhet me presionin e lartë të gjakut, stilin e jetesës dembele dhe një tepricë të radikaleve të lira. Është e nevojshme të njihen dhe të identifikohen shenjat paralajmëruese të një goditjeje, pasi ajo është shkaku i dytë kryesor i vdekjeve në mbarë botën, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

    Goditja në tru prek rreth 15 milionë njerëz në mbarë botën. Ndër faktorët e rrezikut të tij janë duhani, konsumimi i tepërt i alkoolit apo stresi. Kur gjaku nuk rrjedh siç duhet në tru, qelizat nuk marrin lëndët ushqyese dhe oksigjenin që u nevojitet për të funksionuar dhe për këtë arsye ato vdesin. Goditja në tru klasifikohet në lloje të ndryshme në varësi të zonës së trurit që prek.

    Ishemike – Goditja ishemike, e quajtur edhe “infarkt cerebral”, ndodh kur furnizimi me gjak në tru humbet papritur. Është për shkak të mbylljes së disa arterieve përgjegjëse për bartjen e gjakut në masën e trurit. Mund të shkaktohet nga një akumulim i kalciumit ose arterioskleroza.

    Hemorragjike – Kjo lloj goditjeje ndodh kur një enë gjaku në tru çahet, qoftë për shkak të një aneurizmi kongjenital ose për shkak të rritjes së tensionit. Kjo hemorragji çon në një goditje, sepse privon zonën e trurit nga furnizimi me gjak ose sepse gjaku ushtron presion mbi strukturat e trurit. Pasi të hiqet mpiksja, duhen 24 deri në 48 orë për të përcaktuar se cila zonë është prekur.

    Pavarësisht nga shkaku apo lloji i goditjes, është gjithmonë një urgjencë mjekësore, pasi ndodh papritur. Në disa minuta mund të lërë pasoja serioze të përhershme. Në varësi të sasisë së gjakut të përfshirë, mund të jetë një goditje e lehtë ose e rëndë. Ashpërsia e dëmtimit mund të ndryshojë në varësi të shpejtësisë së marrjes së ndihmës mjekësore. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme të jeni të vetëdijshëm për shenjat paralajmëruese të një goditjeje në tru.

  • Takime pa rezultat, Qeveria ende pa përgjigje për 14 kërkesat e policëve

    Takime pa rezultat, Qeveria ende pa përgjigje për 14 kërkesat e policëve

    Përkundër takimeve që janë duke realizuar tash e një kohë, Sindikata Policisë së Kosovës dhe Qeveria ende nuk kanë arritur një zgjidhje sa i përket kërkesave të parashtruara nga policët.

    Të pakënaqur me kushtet e punës, policët e Kosovës kanë protestuar dy herë para Qeverisë së Kosovës, ku edhe kanë paraqitur 14 kërkesat e tyre.

    Në mesin e kërkesave ishte ligji për pensionim në moshën 55 vjeçare, sigurim jetësor, përfshirja e njësive të caktuar në tregun e punës, etj.

    Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri bëri të ditur se në javën e ardhshme do të zhvillojnë edhe një takim me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    “Javën e ardhshme e kemi planifikuar një takim me ministrin e Punëve të Brendshme, do t’i analizojmë edhe një herë kërkesat dhe do t’i vendosim prioritetet se cilat mund të realizohen menjëherë dhe cilat mund të mbesin për më vonë. Kështu ka qenë dakordimi që është bërë më herët me ministrin”, theksoi ai në një deklaratë për Telegrafin.

    Kryesindikalisti më herët ka deklaruar se gjatë vitit 2023, rreth 100 zyrtarë policorë kanë dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës, dhe se kjo po ndodhë për shkak të kushteve jo të mira.

    “Deri në fund të nëntorit të viti të kaluar dorëheqja vullnetarë kanë dhënë nga Policia 87 zyrtarë policor. Pa përfshirë muajin dhjetor, e që mendoj që ka rrit shifra afër 100 dorëheqje e që nuk janë pak. Po e them me pak përjashtime mund të jetë ndonjë zyrtar që ka filluar para tre ose katër vitesh, përndryshe, të gjithë ata janë më një përvojë 10 ose 15 vjeçare në Policisë e Kosovës”

    Më poshtë kërkesat e paraqitura të Policisë së Kosovës:

    1. Përmirësimi i kushteve, veshmbathje, mjete të punës, objektet policore dhe pajisjet tjera;

    2. Rrezikshmëria për policët të jetë permanente dhe të mos varet nga një vend, dhe shtesat të jenë 25 deri 50 përqind e pagës bazë dhe të formohet komisioni i cili do të bëjë kategorizimin e shtesave;

    3. Përfshirje e njësive të caktuar në tregun e punës;

    4. Ligji për pensionim në moshën 55 vjeçare;

    5. Sigurimi jetësor dhe rritja në fondin shëndetësor;

    6. Invaliditeti, policë të cilët janë lënduar gjatë kryerjes zyrtare;

    7. Përfshirja e stafit civil në shtesat për punë specifike;

    8. Shujta ditore për të gjithë pjesëtaret, jo në mënyrë selektive;

    9. Pagesa e udhëtimit të atyre që udhëtojnë larg;

    10. Shtesat për fundvit, për ata që kanë treguar performance të mirë gjatë vitit;

    11. Rikthimi i përvojës së punës siç ka qenë, dhe njohja e shkollimit;

    12. Të rikthehen tri paga përcjellëse për ata që pensionohen;

    13. Të lejohet një pagë për policët që mund të kenë një rast vdekje në familje;

    14. Përkujdesje për mirëqenien e pjesëtarëve të policëve, për ata që kanë rënë gjatë detyrës zyrtare.

  • Stoltenberg: NATO e përkushtuar që Ukraina të triumfojë, është investim për sigurinë tonë

    Stoltenberg: NATO e përkushtuar që Ukraina të triumfojë, është investim për sigurinë tonë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleatët e aleancës janë të përkushtuar që të bëjnë më shumë për t’u siguruar që Ukraina “të triumfojë” në betejën e saj për t’i zmbrapsur forcat pushtuese ruse, me aleancën që ka “ndryshuar ndjeshëm” qëndrimin e saj, duke i ofruar armë më të avancuara Kievit.

    Në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë në përvjetorin e dytë të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, shefi i NATO-s tha se solidariteti me Ukrainën nuk është vetëm korrekt, por po ashtu “është në interes të sigurisë sonë”.

    “Ne mund të presim që aleatët e NATO-s të bëjnë më shumë për t’u siguruar që Ukraina të triumfojë, sepse kjo është thënë shumë qartë nga aleatët e NATO-s”, tha Stoltenberg.

    “Gjithmonë e kam theksuar se kjo nuk është bamirësi. Ky është investim për sigurinë tonë dhe mbështetja jonë bën dallimin në fushëbetejë çdo ditë”, shtoi ai.

    Ukraina ka shumë nevojë për ndihmë financiare dhe ushtarake në mes të sinjaleve për lodhje politike në Perëndim, teksa pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës shënon përvjetorin e dytë të nisjes më 24 shkurt.

    Në një pjesë të kësaj interviste, të publikuar më herët gjatë javës, Stoltenberg tha se vdekja e politikanit opozitar rus, Aleksei Navalny, dhe fitoret e para ruse në fushëbetejë pas muajsh të tërë duhet të ndihmojnë që vëmendja e NATO-s dhe aleatëve të saj të përqendrohet në nevojën urgjente për të mbështetur Ukrainën.

    Vdekja e Navalnyt në një burg në Arktik më 16 shkurt, nën rrethana të dyshimta – autoritetet ruse thonë se do të duhen edhe dy javë para se trupi i tij t’i dorëzohet familjes së tij – shton nevojën për të siguruar që udhëheqja autoritare e presidentit rus, Vladimir Putin, të mos kalojë pa u ndëshkuar.

    “Besoj fuqishëm se mënyra më e mirë për të nderuar kujtimin e Aleksei Navalnyt është të sigurohemi që presidenti Putin të mos fitojë në fushëbetejë, por Ukraina të triumfojë”, tha Stoltenberg.

    Stoltenberg tha se tërheqja e forcave ukrainase nga qyteti i Avdijivkës javën e kaluar, pas muajsh të luftimeve intensive, dëshmon nevojën për më shumë ndihmë ushtarake “që të sigurohemi që Rusia nuk bën më përparime”.

    “Ne nuk besojmë që fakti që forcat ukrainase u tërhoqën nga Avdijivka, në vetvete përbën ndryshim të ndjeshëm të situatës strategjike”, tha ai.

    “Por, kjo na kujton ne se Rusia ka vullnet që të sakrifikojë shumë ushtarë. Ajo gjithashtu bën përfitime të vogla territoriale dhe Rusia ka marrë ndihmë të rëndësishme ushtarake nga Irani, Koreja e Veriut, dhe ka qenë në gjendje të rrisë prodhimin e saj”.

    Aleatët e Ukrainës janë përqendruar në paketën e ndihmës ushtarake të SHBA-së në vlerë prej 61 miliardë dollarësh. Por, përderisa kjo ndihmë mbetet e bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve, shtetet e tjera, përfshirë Suedinë, Kanadanë dhe Japoninë kanë rritur ndihmën e tyre për Kievin.

    “Sigurisht, ne jemi të përqendruar te Shtetet e Bashkuara, por ne po ashtu shohim se si aleatët e tjerë veçse kanë nisur të rrisin dhe të dërgojnë mbështetje të rëndësishme në Ukrainë”, tha Stoltenberg.

    Në pyetjen se kur Ukraina do të jetë në gjendje të dislokojë avionët luftarakë F-16, Stoltenberg tha se nuk mund ta thotë. Ai përsëriti se aleatët e Ukrainës duan që këta avionë të dërgohen në Ukrainë sa më shpejt që të jetë e mundur, por efekti i avionëve F-16 do të jetë më i fuqishëm nëse pilotët stërviten mirë dhe nëse ekipet e mirëmbajtjes dhe personeli mbështetës janë të përgatitur mirë.

    “Pra, unë mendoj se duhet të dëgjojmë ekspertët ushtarakë saktësisht kur do të jemi gati apo kur aleatët do të jenë gati të dërgojnë dhe dorëzojnë avionët F-16”, tha ai. “Sa më shpejt, aq më mirë”.

    Ukraina vazhdimisht ka kërkuar të posedojë avionët F-16 të prodhimit amerikan, për ta ndihmuar që të luftojë superioritetin ajror që ka Rusia. Gushtin e vitit të kaluar, Uashingtoni miratoi dërgimin e avionëve F-16 në Ukrainë nga Danimarka dhe Holanda dhe fluturaket do të dërgohen në Ukrainë sapo pilotët të përfundojnë trajnimin.

    Do të jetë në duart e çdo aleati që të vendosë nëse dëshiron të dërgojë në Ukrainë avionë F-16 dhe aleatët kanë politika të ndryshme, tha Stoltenberg. Por, në të njëjtën kohë, lufta në Ukrainë është një luftë agresioni dhe Kievi ka të drejtë të vetëmbrohet, përfshirë kryerjen e sulmeve ndaj caqeve legjitime ushtarake ruse jashtë Ukrainës.

    I pyetur për mundësitë që ish-presidenti amerikan, Donald Trump, të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, Stoltenberg tha se pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve presidenciale amerikane që mbahen këtë vit, SHBA-ja do të mbetet një aleate e përkushtuar i NATO-s sepse është në interes të sigurisë së SHBA-së.

    Trump, që aktualisht është kandidati kryesor për të marrë nominimin për president të Partisë Republikane, nxiti kritika të ashpra nga presidenti Joe Biden, liderët evropianë dhe NATO-ja, pasi gjatë fushatës zgjedhore më 10 shkurt sugjeroi se SHBA-ja mund të mos mbrojë shtetet aleate nga një pushtim i mundshëm rus, nëse aleatët nuk paguajnë mjaftueshëm për mbrojtjen e tyre.

    Stoltenberg tha se SHBA-ja është më e sigurt dhe më e fuqishme së bashku me mbi 30 aleatë, diçka që Kina dhe Rusia nuk e kanë.

    Kritikat për NATO-n kanë pasur për synim aleatët që shpenzojnë më pak për mbrojtjen e tyre, tha ai.

    Por, Stoltenberg tha se të dhënat e reja tregojnë se gjithnjë e më shumë aleatë po përmbushin synimin e shpenzimit të 2 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm në mbrojtje, dhe kjo sipas tij tregon se aleanca ka bërë përparim që kur u vendos ky cak i shpenzimit më 2014.

    Atëbotë, vetëm tre anëtarë të NATO-s shpenzonin 2 për qind të BPB-së në mbrojtje. Tani, ky numër, sipas Stoltenbergut, është 18.

    “Nëse i mblidhni së bashku të gjitha ato që bëjnë aleatët evropianë dhe të krahasonin atë me BPB-në totale në Evropë, në fakt sot është 2 për qind”, tha ai. “Kjo është e mirë, por nuk është e mjaftueshme sepse ne duam që çdo anëtar i NATO-s të shpenzojë 2 për qind. Ne po ashtu sigurohemi që 2 për qindi të jetë një minimum”./REL

  • Me projektligj ndryshojnë rregullat e trafikut rrugor, Aliu jep detaje

    Me projektligj ndryshojnë rregullat e trafikut rrugor, Aliu jep detaje

    Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka dhënë detaje lidhur me miratimin në shqyrtim të dytë të Projektligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.

    Sipas Aliut, nëpërmjet këtij ligji përcaktohen rregullat bazë të sjelljes së pjesëmarrësve dhe subjekteve tjera në trafikun rrugor.

    “Nëpërmjet këtij ligji përcaktohen rregullat bazë të sjelljes së pjesëmarrësve dhe subjekteve tjera në trafikun rrugor dhe meqenëse Ligji Aktual ka zbraztësira ligjore si në aspektin e harmonizimit me AQUIS të BE-së, si në ato të Konventave Ndërkombëtare, si Konventa e Gjenevës (1945) dhe Vjenës (1968) për Trafikun Rrugor, në mungesë të anëtarësimit në këto dy Koventa, në vijim janë paraqitur ndryshimet e domosdoshme nëpërmjet këtij Projektligji:”, thuhet në njoftimin e tij.

    Tutje, ai ka përmendur edhe ndryshimet që janë bërë në përmes këtij Projektligji.

    “Transpozon pjesërisht Direktiven 2015/413 të datës 11.03.2015 që ka të bëjë me lehtësimin e shkëmbimit të informative ndërkombtare në çështjet e gjobave të lidhura me sigurinë në trafik; Në përgjithësi janë rritur shumat e gjobave për kundërvajtje në trafik. Kundërvajtjet në trafik janë të përshkallzuara; Janë të përcaktuara dispozitat e trafikut të cilat e rregullojnë trafikun e trotineteve elektrike. Dispozitat që rregullojnë veprimet në autoudhë ku parashihen ngritjet e gjobave për shkak të rrezikshmerisë. Dispoziatat për drejtimin e mjetit motorik ku janë përshkallëzuar gjobat pa patentë shoferë dhe me patentë shofer jo valid. Përcaktimi i përdorimit të video incizimeve si provë e shkeljeve nga pjesëmarrësit në trafik. Identifikimi i kundërvajtjes me pajisje elektronike për shqiptimin e gjobave elektronike; Bartja e përgjegjësisë tek pronari i automjetit, për rastin kur nuk mund të identifikohet shoferi i cili ka bërë kundërvajtje në trafikun rrugor; Dispozitat e veçanta ndaj shoferëve që ndosin rrugën me rrotat me baltë nga rruga e dheut, vendpunishtja dhe çfardo materiali që e ndotë rrugën; Rregullimi i dispozitave lidhur me çështjen e masës mbrojtëse “ndalim i drejtimit të mjetit me veprim motorik” për përsëritësit e shkeljeve. Pasojat juridike të dënimeve janë rregulluar në mënyrë të detajuar”, ka shkruar Aliu në një postim në “Facebook”.

  • Zë i fuqishëm në Parlamentin Evropian që Kosovës t’i liberalizoheshin vizat, Mandl kërkon mbështetje për rizgjedhjen e tij si deputet

    Zë i fuqishëm në Parlamentin Evropian që Kosovës t’i liberalizoheshin vizat, Mandl kërkon mbështetje për rizgjedhjen e tij si deputet

    Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl ka dhënë disa informata mbi zgjedhjet që do të mbahen në Parlamentin Evropian.

    Mandl thotë se të gjithë qytetarët mbi moshën 16-vjeç, që janë banorë të Austrisë apo vendeve të Bashkimit Evropian mund të regjistrohen për të votuar për të zgjedhur përfaqësuesit në Parlamentin Evropian.

    “Kushdo qoftë me seli ne Austri, shtetas i një prej 26 shteteve të tjera anëtare të Bashkimi Evropian, mbi 16 vjeç mund të regjistrohet për të votuar për 20 përfaqësuesit austriakë në Parlamentin Evropian. Regjistrimi do të jetë i hapur deri në mes të marsit”, ka njoftuar ai.

    Eurodeputeti Mandl, vazhdimisht ka lobuar për Kosovën, ka qenë në Prishtinë disa herë ku është pritur në takim edhe nga përfaqësues të shtetit. Ai ka qenë zë i fuqishëm në Parlamentin Evropian sidomos gjatë procesit të stërzgjatur të liberalizimit të vizave për Kosovën.

    Mandl vazhdimisht ka bërë thirrje për heqjen e vizave, madje njëherë kishte deklauar se edhe atij i ka humbur durimi dhe se janë bërë shumë vonesa në këtë proces.

  • Ende s’ka filluar faturimi i rrymës në veri – PDK e AAK e quajnë mashtrim të radhës

    Ende s’ka filluar faturimi i rrymës në veri – PDK e AAK e quajnë mashtrim të radhës

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e kanë quajtur mashtrim të radhës deklarimet e Qeverisë se faturimi i energjisë elektrike në veri të vendit do të nisë më 1 janar, raporton EO.

    Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, këtë proces e quan jotransparent që nga fillimi, ndërsa është skeptik nëse faturimi do të fillojë nga 1 marsi.

    “Ky proces ka qenë një proces shumë jo transparent edhe për mënyrën. Ne kemi shumë pak informacione për mënyrën se si janë faturuar dhe çfarë ka ndodhur deri tani nga janari deri në fund të shkurtit dhe po hymë pra në mars pra kemi shumë pak informacione si rezultat i jotransparencës së tyre, kjo është vetëm si një lloj mashtrimi i tij i radhës siç ka mashtruar edhe shumë herëve të kaluara edhe tani, pra me gjasë prapë buxheti Kosovës do paguaj për ata”, tha Tahiri.

    Mashtrim e quan edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj. Ai përmend milionat që janë paguar nga Qeveria Kurti, të cilat kapin shifrën e 110 milionë euro.

    “Sa i përket faturimit të energjisë apo shpenzimit të energjisë mendoj që është një mashtrim i radhës i kësaj qeverie sepse nuk e kanë dëshmuar që qytetarët po paguajnë, ata tani po thonë që prej 1 marsi mirëpo dihet që faturimi është shpërndarë dy muaj përpara por deri më sot nuk e ka dëshmuar asnjë qytetarë e as ZRrE-ja as KEDS që ne kemi pas ndonjë pagesë të qytetareve të asaj ane. Ju e dini që përmbi 110 milionë euro janë paguar për veriun e Kosovës për shpenzueshmërin por që them edhe tani e tutje do të vazhdojnë këta me mashtrime sepse deri më tani nuk kemi pasur një qëndrueshmëri të qeverisë në atë që e ka thënë dhe për me impelementua. Nuk e di ku janë duke shkuar këto pare por unë e di që ende nuk kemi pagesë të qytetareve të asaj ane për shpenzimin e energjisë elektrike”, u shpreh Lekaj.