ATV

Author: ATVLive

  • Ngjarje e rëndë në Durrës: 19-vjeçarja vret babain dhe e varros në oborr, thotë se donte ta fejonte

    Ngjarje e rëndë në Durrës: 19-vjeçarja vret babain dhe e varros në oborr, thotë se donte ta fejonte

    Detaje të tjera janë zbardhur për ngjarjen e ndodhur në Durrës, ku 50-vjeçari Pëllumb Meta u vra nga vajza e tij.

    Policia i ka marrë në pyetje të gjithë familjarët dhe po vijojnë hetimet, pasi ka dyshime se 19-vjeçarja mund të ketë pasur bashkëpunëtorë për të vrarë të atin. Krimi i rëndë u zbulua sot nga policia, pas kërkimeve 10 ditore të Pëllumb Metës, i cili ishte denoncuar nga familjarët i zhdukur.

    Hygerta Meta, 19-vjeç, ka dëshmuar se e ka qëlluar të atij me pistoletën e tij.

    Ajo ka deklaruar para hetuesve se babai i saj, Pëllumb Meta e mbante armën pasi punonte si roje nate. 19-vjeçarja rrëfeu se pasi e ka vrarë me armë zjarri e ka varrosur të atin në oborr.

    “Doja të ndiqja ëndrrat e mija, të vazhdoja shkollën. Dita më e lumtur e jetës time ka qenë kur fitova shkollën. Ai donte të më fejonte me dikë që nuk ishte në nivelin tim. Me një djalë nga fshati, emigrant në Itali. Por unë nuk doja dhe e vrava”, mësohet të jetë shprehur e reja para policisë.

    Kur është bërë zhvarrosja e trupit të 50-vjeçarit, nga kqyrja paraprake është vërejtur se e kishin lidhur me litar para se ta varrosnin.

  • ​Shqipëria aranzhon edhe një tjetër miqësore

    ​Shqipëria aranzhon edhe një tjetër miqësore

    Shqipëria do të luajë një ndeshje miqësore në muajin qershor ndaj Lihtenshtejn. Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur akordin me Federatën e Lihtenshtejnit që ky takim të zhvillohet më datë 3 qershor 2024 në Austri. Orari dhe stadiumi do të përcaktohen në ditët në vijim.

    Sfidat miqësore janë në kuadër të përgatitjeve për Europianin “Gjermani 2024”. FSHF fillimisht ka zyrtarizuar dy ndeshje miqësore që do të luhen në muajin mars ndaj Kilit (22 mars, stadiumi “Enio Tardini”) dhe Suedisë (25mars, stadiumi “Friends Arena”).

    Në ditët në vazhdim FSHF do të njoftoj edhe për biletat e ndeshjeve miqësore, duke nisur me dy sfidat e muajit marsit ndaj Kilit dhe Suedisë .

    Përveç Lihtenshtejnit, FSHF po punon për të zyrtarizuar edhe një miqësore tjetër për muajin qershor. Sa i përket takimit me Lihtenshtejn, kjo do të jetë hera e katërt që dy përfaqësueset do të përballen në një ndeshje futbolli.

    Në të kaluarën Shqipëria i ka fituar të treja sfidat ndaj Lihtenshtejn me rezultatin e njëjtë 2-0. Një ndeshje ka qenë miqësore dhe dy të tjera të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror.

    Shqipëria do ta nisë rrugëtimin e saj në Kampionatin Europiani “Gjermani 2024” më 15 qershor ndaj Italisë. Sfida do të luhet në orën 21:00, në stadiumin “BVB Stadion Dortmund”. Katër ditë më pas, më datë 19 qershor kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e dytë të Europianit kundër Kroacisë duke nisur nga ora 15:00, në stadiumin “Volksparkstadion Hamburg”.

    Ndeshjen e fundit në Grupin B, Shqipëria do ta luajë ndaj Spanjës më datë 24 qershor në stadiumin “Dusseldorf Arena” në orën 21:00.

  • SHBA ngre akuza ndaj oligarkëve rusë

    SHBA ngre akuza ndaj oligarkëve rusë

    Departamenti amerikan i Drejtësisë më 22 shkurt bëri të ditur për ndërmarrjen e veprimeve ligjore në pesë raste të ndara federale kundër oligarkëve të sanksionuar rusë dhe rrjeteve që mbështesin Rusinë.

    Veprimet, që përkojnë me dyvjetorin e nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, përfshijnë ngritjen e akuzave kundër kreut të bankës shtetërore ruse VTB, Andrei Kostin, dhe dy bashkëpunëtorëve të tij me seli në SHBA, tha Departamenti.

    Akuzat u ngritën në Nju Jork kundër Kostin dhe bashkëpunëtorëve të tij, Vadim Wolfson dhe Gannon Bond, të cilët u arrestuan.

    Kostin, që është nën sanksione të SHBA-së, për një kohë të gjatë është president i Bankës VTB, që është banka e dytë më e madhe në Rusi. Ai po akuzohet se është përfshirë në një skemë për shmangie të sanksioneve dhe pastrim të parave për të mbështetur dy superjahte. Kostin dhe dy bashkëpunëtorët e tij po ashtu akuzohen se kanë tentuar të shmangin sanksionet e lidhura me një shtëpi luksoze në shtetin amerikan të Kolorados.

    Michael Khoo nga Departamenti i Drejtësisë, i tha gazetarëve se ky njoftim nënkupton dërgimin e mesazhit të presidenti rus, Vladimir Putin, se “ne nuk do të largohemi” dhe ne “po ashtu mund të luajmë lojën e gjatë” për aq kohë sa lufta të vazhdojë.

    Veprimet e tjera të ndërmarra më 22 shkurt po ashtu përfshijnë ngritjen e një aktakuze në Floridë ndaj një oligarku ukrainas pro-rus, Serhiy Kurchenko, për shkak të dyshimeve se ai është i lidhur me një skemë të shkeljeve dhe shmangieve të sanksioneve amerikane.

    Po ashtu në Floridë, agjentët federalë kanë ngritur një kërkesë civile për konfiskimin e dy ndërtesave luksoze që i përkasin biznesmenit të sanksionuar rus, Viktor Perevalov, i cili është bashkëpronar në një kompani ndërtimore në Rusi.

    Departamenti amerikan i Drejtësisë po ashtu njoftoi për ngritjen e aktakuzës ndaj Vladislav Osipov, i cili akuzohet për mashtrime bankare në lidhje me operimin e një jahti të oligarkut të sanksionuar rus, Viktor Vekselberg. Osipov, me shtetësi ruse, jeton në Zvicër.

    Në aktakuzë thuhet se bëhet fjalë për superjahtin Tango, që i takonte oligarkut të sanksionuar i cili kishte lidhje të ngushta me Kremlinin. Jahti u konfiskua me kërkesë të Qeverisë amerikane pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

    Departamenti i Drejtësisë tha po ashtu se Feliks Medvedev është deklaruar fajtor më herët gjatë këtij muaji për ndihmën që kishte dhënë për pastrimin e mbi 150 milionë dollarëve përmes llogarive bankare që ai kontrollonte. Mevedev, shtetas rus, jeton në shtetin amerikan të Xhorxhias.

    Përmes një deklarate, prokurori i Përgjithshëm, Merrick B. Garland, tha se Departamenti i Drejtësisë “është më i përkushtuar se kurrë për të ndalur rrjedhjen e fondeve ilegale që po financojnë luftën e Putinit dhe për të mbajtur përgjegjës të gjithë ata që vazhdojnë të ndihmojnë Putinin”.

  • ​Nga Agjencia e Anti-dopingut tregojnë nëse ka sportistë kosovar që po vuajnë dënime për shkelje të këtij ligji

    ​Nga Agjencia e Anti-dopingut tregojnë nëse ka sportistë kosovar që po vuajnë dënime për shkelje të këtij ligji

    Ditëve të fundit u raportua se basketbollisti kanadez, Jordy Tshimanga është përfshirë në testet pozitive për doping, por deri më tani asgjë nuk është e konfirmuar.

    Në lidhje me këtë çështje, për KosovaPress ka folur Bernard Tahirbegolli nga Agjencia Kosovare e Anti-Dopingut (KosADA). Ai ka thënë se kjo agjenci deri më tani marr asnjë vendim për suspendimin e ndonjë lojtari në Kosovë.

    “Çështja është se ne nuk kemi asnjë vendim për suspendim të atij lojtari, lojtarit në fjalë që jeni duke pyetur dhe ai nuk është i suspenduar. Nëse është testuar ndoshta është në proces të ndonjë analize të tij, mirëpo për këtë nuk mund të jap asnjë informatë sepse janë konfidenciale të laboratorit. Ne si KosADA, ose komisioni disiplinor që është nuk e kemi marr asnjë vendim, jo për këtë, por për asnjë prej kur kemi filluar në vitin 2021 të testojmë deri më tani nuk është marrë asnjë vendim për të thënë është suspenduar ky apo ai tjetri”, ka thënë Tahirbegolli.

    Tutje, Tahirbegolli ka bërë të ditur se deri pak muaj më parë ka pasur lojtar kosovar që kanë vuajtur dënime për shkak se kanë rezultuar pozitivë në testet anti-doping.

    Tahirbegolli: Ka pasur lojtar kosovar që janë dënuar për shkelje të anti-dopingut

    “Ne kemi lojtar edhe kosovar por edhe të huaj që kanë dal pozitiv në vende të tjera edhe e kanë vuajtur dënimin. Aktualisht nuk kemi në Kosovë asnjë lojtar që është duke e vuajtur dënimin, mirëpo kemi pasur deri para pak muajve kemi pasur lojtar të Kosovës që janë duke e vuajtur një dënim por janë testuar diku tjetër, nuk e kemi testuar ne, mirëpo e kemi monitoruar që ai nuk po vie të luajë ose e kemi bërë të ditur me federatën që një lojtar i caktuar nuk mund të luaj

    Ndryshe, KosADA, është organizatë e përcaktuar nga vendi si autoriteti kryesor në nivel kombëtar për programet anti-doping në nivel vendi.

  • ​Lajçak: Normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, nevojë urgjente

    ​Lajçak: Normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, nevojë urgjente

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, po qëndron në Romë të Italisë, prej nga ka njoftuar që çështja e negociatave Kosovë-Serbi, ishte pjesë e diskutimit në disa takime.

    Duke dhënë sinjale sinjale paralajmëruese për hapat që do të bëhen në këtë proces, Lajçak ka bërë të ditur se me zyrtarët italianë, kanë theksuar nevojën urgjente të normalizimit të raporteve mes të dyja vendeve.

    “Diskutuam për zhvillimet e fundit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, çështjet më të gjera rajonale dhe hapat e tjerë në muajt në vijim”, ka shkruar ai në Facebook.

    Emisari evropian nuk la pa përmendur as Konferencën e Sigurisë që u mbajt në Munih javën që shkoi.

    “Kam marrë pjesë në ngjarje të shumta të fokusuara në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë një panel diskutimi publik për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, ku theksova nevojën urgjente për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

    Sipas Miroslav Lajçakut, ky normalizim është thelbësor për stabilitetin e rajonit, zhvillimin ekonomik dhe përparimin drejt Bashkimit Evropian.

  • ​Kurti: Dardanët i dalin zot Kosovës

    ​Kurti: Dardanët i dalin zot Kosovës

    Kosova e ka nisur mbarë rrugëtimin në kualifikimet për në Kampionatin Botëror të basketbollit që zhvillohet në vitin 2027.

    Dardanët triumfuan ndaj Irlandës me rezultat 83-76. Me këtë fitore, Kosova renditet e dyta në Grupin A me dy pikë, aq sa ka edhe Zvicra në vendin e parë.

    Fitores së Dardanëve i është gëzuar Kryeminsitri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili ka reaguar në Facebook duke shkruar se besimi në sukses është mjaftë i madh, sidomos ne mështetjen e madhe të tifozëve.

    Postimi i plotë i Kurtit në Facebook:

    Në palestrën e mbushur përplot të Pallatit të Rinisë dhe Sportit, në çerekun e fundit të lojës të gjithë ishim në këmbë në kërkim të fitores. 83 me 76 ishte rezultati fitues i basketbollistëve tanë ndaj Irlandës.

    Këtë të diel, e luajmë ndeshjen e radhës si mysafir kundër Azerbajxhanit.

    Duke besuar në sukses, vazhdojmë me hapa të sigurt në rrugëtimin tonë për parakualifikimet e Kupës së Botës.

    Ndeshja e radhës për Kosovën në kuadër të këtyre parakualifikimeve është kundër Azerbajxhanit më 25 shkurt.

  • 4374 punëkërkues zyrtarë në veri, skepticizëm për masat qeveritare

    4374 punëkërkues zyrtarë në veri, skepticizëm për masat qeveritare

    Përgatiti: Haris Ademi

    Që nga marrja e detyrës së kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore, qeveria i ka shtuar masat që mundësojnë punësimin e qytetarëve të kësaj zone të dominuar nga etnia serbe.

    Dy ministra nga Prishtina i shkuan Lulzim Hetemit në Leposaviq, për të treguar se do t’i mbështesin dy mijë të punësuar nga i gjithë veriu, me subvencionim të 70% të pagës për gjashtë muaj.

    Aktivitetin e ka shtuar edhe Agjencia e Punësimit. Në përgjigjen dhënë ATV-së, APRK-ja tregoi se i ka në listë 4374 punëkërkues nga Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani e Zubin-Potoku. Në këto dy të fundit, nuk janë aktive Zyrat e Punësimit, pasi kryetarët funksionojnë në objekte alternative.

    Për këto masa është skeptik ish-kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu.

    “Çdo çështje ekonomike është politizuar, a i përgjigjen serbët kësaj, a ka biznes mjaft për 2000 vende pune, qeveria po e përdor si manovër politike…”, tha Gërxhaliu.

    Përveç masave për sektorin privat, ka nevojë edhe për staf në institucionet veriore.

    Të mërkurën, Ministria e Punëve të Brendshme hapi konkurs për 35 vende pune, për Zyrtar të Regjistrimit Civil dhe të Automjeteve.

  • Anëtari i LV-së emërohet ushtrues detyre i kryeshefit në KEK

    Anëtari i LV-së emërohet ushtrues detyre i kryeshefit në KEK

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Dhjetë muaj pas arrestimit dhe pezullimit të Nagip Krasniqit nga pozita e kryeshefit ekzekutiv, bordi i drejtorëve i KEK-ut emëroi një ushtrues detyre të ri.

    Detyrën e kryeshefit në këtë ndërmarrje publike do ta ushtrojë Bekir Gërguri, ndërsa Përparim Kabashi, i cili ishte caktuar në këtë detyrë më 25 Prill të vitit të kaluar, është kthyer në pozitën e tij të mëparshme.

    “Bordi i Drejtorëve të KEK sh.a njofton se në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv (ushtrues detyre) në Korporatën Energjetike të Kosovës është emëruar z. Bekir Gërguri. Sot, gjatë ceremonisë së pranim-dorëzimit, z. Gërguri ka pranuar detyrat dhe autorizimet e plota për udhëheqjen e të gjitha operacioneve të KEK sh.a” , thuhet në njoftimin e KEK-ut.

    Në pozitën e zëvendëskryeshefit u emërua Ramadan Budakova.

    Megjithatë, KEK-u nuk sqaroi nëse ka ndryshim në marrëdhënien e punës me Nagip Krasniqin.

    KEK-u nuk sqaroi as nëse Gërguri do ta ushtrojë detyrën deri në shpalljen e konkursit për kryeshef të ri apo krijimin e rrethanave eventuale për kthimin e Krasniqit në pozitë.

    Bekir Gërguri ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për asamblist, ndërsa Ramadan Budakova njihet si përkrahës i kryeministrit Albin Kurti.

    Nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës, Nagip Krasniqi u arrestua më 19 Prill 2023, u suspendua nga detyra disa ditë më vonë. Ai është liruar nga paraburgimi dhe ndaj tij është caktuar masa që i ndalon t’i afrohet KEK-ut.

  • Dështon miratimi i projektligjit për fertilizim të asistuar mjekësor

    Dështon miratimi i projektligjit për fertilizim të asistuar mjekësor

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Nga 30 pika sa ishin në rend dite në Kuvend, rreth 20 ishin shqyrtime në lexim të parë e të dytë të projektligjeve.

    Projektligji që solli përçarje edhe në mesin e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, ishte ai për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

    Për këtë projektligj ishin propozuar 42 amendamente prej tyre, 20 vetëm të deputetit Visar Korenica.

    “Pasi po flasim te dhurimi i qelizave riprodhuese për aplikim te njerëzit, që nuk kufizohet te çifti, por i jepet hapësirë edhe individit. Në versionin e parë ka qenë e specifikuar që edhe gruaja e pamartuar të ketë të drejtë të pranojë qeliza për riprodhim, tash i jepet mundësi edhe individit, gjinisë mashkullore. Kjo i jep më shumë problem, pasi individ mundet të jenë edhe të gjinisë së njëjtë, jo vetëm gjinisë së kundërt”, tha Korenica.

    Megjithatë, as për amendamentin e parë të Korenicës, nuk pati përkrahje të mjaftueshme. Votimi u përsërit tri herë, derisa as deputeti tjetër nga Vetëvendosja, Eman Rrahmani, nuk votoi.

    “Me qëllim që të pamundësohet që të procedohet më tej projektligji njëri nga deputetët nuk po voton”, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca

    Për këtë reagoi deputeti Rrahmani.

    “S’kam nevojë me ta përmend emrin. Kjo është për të kuptuar teknikisht pse s’po ndodh. Deputetët e kanë shpjeguar pozicionin e vet”, tha Konjufca.

    Në votimin e tij në herën e tretë, 12 deputetë votuan për, 32 kundër dhe 14 abstenuan, duke shtyrë shqyrtimin e projektligjin për ndonjë seancë tjetër.

    Ndërkohë, debat pati edhe për projektligjin për noterinë, të cilin ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për prezantim e kishte ngarkuar ministrin e Kulturës, Hajrullah Çeku.

    Ndërkaq, ndryshe nga Haxhiu, si rrallëherë në Kuvend për prezantimin e disa prej projektligjeve të Ministrisë që ai drejton, ishte i pranishëm ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    Deputetët me shumicë votash arritën të miratojnë Projektligjin për letërnjoftimin, atë për kontrollin e kufirit shtetëror, ndërkaq për projektligjin për gjendjen civile nuk pati kuorum.

  • Në Podujevë nxënëset nga 11 deri në 16 vjeç, morën vaksinën “Human Papilloma Virus”

    Në Podujevë nxënëset nga 11 deri në 16 vjeç, morën vaksinën “Human Papilloma Virus”

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Detyra jo, por një pyetje që përmban përgjigje me rëndësi, u shkrua në dërrasën e zezë të një klase, në shkollën fillore “Hyzriu e Samiu”, në fshatin Letanc të Podujevës.

    Mesazhi i shkruar ka për qëllim vetëdijesimin e nxënësve për të marrë vaksinën Human Papilloma Virus”.

    Po fillojmë vaksinimin e vajzave të klasave të gjashta me vaksinën HPV, e cila parandalon kancerin e qafës së mitrës. Kosova edhe në shekullin e kaluar ka vuajtur nga sëmundjet ngjitëse dhe ka pasë vdekje të panumërta të qytetarëve tanë gjatë shekullit të kaluar, si pasojë e këtyre sëmundjeve. Unë mora vesh që dje ka filluar në Komunën e Podujevës, përmbi 80 për qind e vajzave të klasave të gjashta në vendin ku është bërë vaksinimi e kanë marr këtë vaksinë që është jashtëzakonisht lajm i mirë dhe për fund apeloj të gjithë prindërit pa përjashtim, t’i stimulojnë vajzat ta marrin këtë vaksinë”, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Se mosha 11-vjeçare është idealja për marrjen e kësaj vaksine e tha edhe Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani.

    “Nuk ka asnjë dyshim dhe nuk do të ketë sepse është paraparë në shumicën e rasteve në hulumtimet e gjithëmbarshme në botë se kjo është mosha ideale kur mund të parandalohet kanceri i qafës së mitrës përmes kësaj vaksine”, tha Ramadani.

    Që procesi i vaksinimit ka filluar në këtë komunë, i lumtur u shpreh edhe i pari i kësaj komune.

    “Jemi shumë të lumtur që ky proces po vazhdon edhe në komunën tonë. Nga ajo që kemi informacion deri tani, vërej që është një përgjigje në shkallë të lartë në këtë proces të vaksinimit”, tha kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

    Vaksinimi me vaksinën “Human Papilloma Virus”, që nga e marta ka filluar edhe në shkollat e Prishtinës. Nxënësit e shkollës Model “Qamil Batalli”, ishin të parët që i morën këto vaksina.

    Ndërkaq, Ministri i Shëndetësisë, të enjten, në Podujevë, tha se këtë vit MSH-ja ka investuar rreth 5 milionë euro, përfshirë sigurimin e vaksinave e po ashtu edhe investimin që po bëhet në Klinikën e Onkologjisë.