ATV

Author: ATVLive

  • Kompletohet kabineti qeverisës në Prishtinë: Këta janë drejtorët e rinj

    Kompletohet kabineti qeverisës në Prishtinë: Këta janë drejtorët e rinj

    Kabineti qeverisës në Prishtinë duket se është kompletuar, pas largimit të Partisë Demokratike të Kosovës nga koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Të enjten, kryetari Përparim Rama ka prezantuar edhe drejtorin e ri të Sportit, drejtori kjo që kishte mbetur e vetmja pa një drejtues të ri.

    Në fillim të këtij shkurti u konfirmuan edhe mosmarrëveshjet e raportuara për një kohë të gjatë mes LDK-së e PDK-së në koalicionin e tyre ne kryeqytet.

    Pas disa përplasjeve të njëpasnjëshme nëpër rrjete sociale, Partia Demokratike e Kosovës e kishte konfirmuar edhe zyrtarisht largimin nga koalicioni.

    Kush janë drejtorët e rinj?

    Fillimisht, siç kishte bërë të ditur më 5 shkurt vet Rama, ai kishte vendosur për një “restrukturim të kabinetit qeverisës”.

    Kështu, drejtori i ri i Drejtorisë për Transformim do të jetë Ilir Murseli, arkitekt i njohur, sipas Ramës.

    Rama ka bashkuar drejtorinë e Planifikimit dhe atë të Urbanizmit në një drjetori të vetme, duke e emëruar në krye të saj, Arbër Sadikin.

    Drejtoria e Pronës dhe ajo e Kadastrit, po ashtu janë shkrirë në një drejtori të vetme dhe udhëheqëse e saj, tash është Doruntina Maloku.

    Drejtori i ri i Shërbimeve Publike është Bekim Brestovci. Ndërkaq, Rama, me theks të veçantë kishte përmendur edhe shkarkimin e Donjeta Sahatçiut së PDK-së, të cilën e kishte akuzuar për ngecje në projektin e digjitalizimit.

    Pozitën e saj, pra si nënkryetare e kryeqytetit, tash do të mbajë Jehona Lushaku – Sadriu, e cila njëherit do të jetë edhe ushturese e detyrës së Drejtores së Arsimit.

    Gjatë kësaj jave, Rama konfirmoi se e ka emëruar në krye të Drejtorisë së Kulturës, Sibel Halimin. Halimi deri më tani, ka mbajtur pozitën si zëdhënëse politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    “Jam i bindur se përvoja dhe përkushtimi i saj do të nxjerrin në pah potencialin e madh dhe pasurinë e shpirtit artistik të Prishtinës.” – kishte thënë Rama, derisa njoftoi për emërimin e saj.

    Donjeta Dragusha në anën tjetër, e cila deri më tani ka qenë asambliste e LDK-së në kryeqytet, është emëruar Drejtoreshë e Zhvillimit Rural.

    Rama njoftoi përmes një shkrimi në Facebook se e ka emëruar edhe drejtorin e Sportit, Bardh Krasniqi.

    “Bardhi, një ish basketbollist i shquar në skenën vendore e ndërkombëtare vjen në këtë pozitë si profesionist për ta quar edhe më përpara fushën e sportit. Ai do të punojë në ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive në kryeqytet, për të mundësuar zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme e të shumta këtë vit në Prishtinën tonë, e shpallur “Qytet i Sportit”.” – tha kryetari i kryeqytetit.

  • Sveçla priti në takim ambasadorin jorezident të Katarit

    Sveçla priti në takim ambasadorin jorezident të Katarit

    Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla ka pritur sot në takim ambasadorin jo rezident të Shtetit të Katarit në Kosovë, z. Jabor Ali Hussein Al Hawashela Al Dosari.

    Ministri Sveçla e njoftoi ambasadorin Al Dosari për mandatin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe prioritetet në sundimin e rendit dhe ligjit, administratës shtetërore efikase dhe shërbime për të gjithë qytetarët pa dallim.

    Në takim u diskutua edhe për situatën e sigurisë dhe përkushtimin e institucioneve tona për të garantuar siguri dhe stabilitet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

    Në anën tjetër ambasadori Al Dosari shprehu mbështetjen e plotë të shtetit të Katarit në ngritjen dhe forcimin e institucioneve tona dhe gatishmërinë për shkëmbimin e përvojave më të mira mes zyrtarëve tanë. Me theks të veçantë palët diskutuan edhe për potencialin dhe mundësitë e investimit në fushën e sigurisë në Republikën e Kosovës.

    Ministri Sveçla dhe ambasadori Al Dosari u dakorduan për bashkëpunim të ngushtë dhe konkret mes ministrive të shteteve tona.

  • ​Policia serbe detyron emigrantët në kufirin me Maqedoninë të zhvishen në temperatura të ulëta

    ​Policia serbe detyron emigrantët në kufirin me Maqedoninë të zhvishen në temperatura të ulëta

    Videot që duket se shfaqin grupe të burrave vetëm në të brendshme në temperatura afër zeros dhe duke u detyruar nga Serbia që të kthehen në Maqedoni të Veriut janë dëshmi e keqtrajtimit në eskalim të emigrantëve në kufijtë evropianë, sipas grupeve për të drejtat e njeriut.

    Dy video që i janë treguar gazetës “The Guardian” nga organizata joqeveritare maqedonase, “Legis”, shfaqin një rresht të burrave gjysmë të zhveshur në një rrip rruge afër kufirit Serbi – Maqedoni e Veriut, raporton gazeta “The Guardian”.

    Organizata “Legis” thotë se videot ishin incizuar nga një person lokal afër fshatit Lojane, afër kufirit me Serbinë, dhe iu dorëzua më 10 shkurt. Gazeta “The Guardian” nuk i ka vërtetuar videot në mënyrë të pavarur.

    Sipas kësaj organizate, ky incident është i dyti prej dy kthimeve “degraduese” dhe abuzuese për një periudhë 24-orëshe, kur organizata pretendon se mbi 50 persona ishin detyruar që të zhvisheshin deri në të brendshme nga autoritetet serbe para se të detyroheshin që të ktheheshin në Maqedoni të Veriut.

    Organizata “Legis” thotë se stafi lokal më vonë arriti që të bisedonte me këta burra, të cilët e identifikuan veten si sirianë.

    Jasmin Redjepi, president i Legis, tha se kthimet “shqetësuese dhe degraduese” erdhën menjëherë pas një samiti të bashkëpunimit kufitar BE-Serbi, që synonte forcimin e kufirit serb kundër operacioneve të kontrabandës me njerëz.

    “Këto incidente ndodhin kur BE përgatit kufizime për emigrantët në rrugë, dhe në këtë rast vetëm disa ditë pas një samiti të bashkëpunimit kufitar BE-Serbi. Më pas shohim ndikimin dhe pasojat e drejtpërdrejta”, tha Redjepi.

    Edhe pse ka pasur raportime për zhveshjen e emigrantëve në kufijtë e tjerë evropianë, Redjepi thotë se kjo është hera e parë që raportohet në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

    Rados Gjuroviç, drejtor ekzekutiv në Qendrën për Mbrojtjen e Azilit në Serbi tha se stafi i saj kishte parë një rritje të llogarive të kthimit nga Serbia në Maqedoninë e Veriut që nga fillimi i vitit. “Mund të themi se tani është një praktikë e rregullt,” tha ai.

  • BE sërish kërkon që çështja e dinarit të zgjidhet në dialog

    BE sërish kërkon që çështja e dinarit të zgjidhet në dialog

    Bashkimi Evropian ka përsëritur se dëshiron t’u ndihmojë Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë një zgjidhje për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë, pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh euron si valutë të vetme për pagesa me para të gatshme në shtet.

    Zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme dhe sigurisë, Peter Stano, megjithatë gjatë konferencës për media më 23 shkurt nuk deshi të japë detaje rreth një takimi të thirrur për javën e ardhshme në Bruksel për këtë çështje.

    “Duhet t’i kthehemi praktikës së deritanishme që të mos flasim në publik dhe konferenca për shtyp për logjistikën e përgatitjeve të takimeve në nivel të grupeve punuese”, tha Stano.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi të premten se çështja e dinarit “mund të zgjidhet këtu në Kosovë”, duke shtuar se nuk është dashur që kjo temë të shkaktonte “përplasje me aleatët”.

    Ndërkaq, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, më herët gjatë javës ka konfirmuar se zyra e tij ka pranuar një ftesë nga BE-ja për takim për çështjen e dinarit. Ai ka thënë se nuk do të marrë pjesë në këtë takim, duke theksuar se nuk e di se kush mund të marrë pjesë në të nga Kosova.

    “Dërguam letrën për palët dhe sqaruam në detaje se si presim të merren me çështje të caktuara. Ne shpresojmë që të dyja palët do të gjejnë zgjidhje për një çështje që ishte krijuar me një vendim pa afat dhe pa konsultime të njërës palë, që pati ndikim te pala tjetër”, tha Stano.

    “Ne nuk jemi komentues, por lehtësues dhe bëjmë përpjekje t’iu ndihmojmë palëve që të gjejnë zgjidhje”, shtoi ai.

    Duke u përgjigjur në pyetjen se çfarë pasojash mund të ketë për Kosovën nëse nuk merr pjesë në takim në Bruksel, të cilin e ka thirrur i dërguari i posaçëm evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, Stano tha se “nuk mund të spekulojmë se çfarë do të ndodhë, nëse do të ndodhë”, duke shtuar se ftesat për palët janë dërguar dhe BE-ja vetëm bën përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje.

    Më herët është konfirmuar se Lajçak u ka dërguar ftesë Kosovës dhe Serbisë që të marrin pjesë në një takim në Bruksel më 27 shkurt për të diskutuar rreth çështjes së dinarit.

    Bislimi, gjatë një deklarimi për media, kishte thënë se kjo ftesë e Lajçakut përbënte shkelje të parimeve nga ana e tij sepse, sipas praktikave të mëhershme, asnjë temë nuk mund të vendoset në agjendë të një takimi, pa pajtimin paraprak të të dyja palëve.

    Kosova mendon se çështja e dinarit nuk është një temë që duhet diskutuar në dialog, por autoritetet bankare në Serbi kanë kërkuar që zgjidhja për këtë çështje të gjendet në kuadër të dialogut të Brukselit.

    Më 1 shkurt, në Kosovë ka nisur të zbatohet rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme.

    Rregullorja e BQK-së është kritikuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se vendimi është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimin te komuniteti serb.

    Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, duke argumentuar se mospërmbushja e kësaj kërkese veçse ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Prishtinës.

    BQK-ja ka thënë se vendimi do të zbatohet përmes një faze transitore jo më të gjatë se tre muaj.

  • Haxhiu kërkon angazhim të shoqërisë për mbrojtjen e të drejtave të grave

    Haxhiu kërkon angazhim të shoqërisë për mbrojtjen e të drejtave të grave

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se bashkëpunimi dhe angazhimi i shoqërisë është thelbësore për të krijuar një shoqëri me të drejte dhe të barabarta. Me këtë rast, Haxhiu ka kërkuar që të jenë bashkërisht që të jenë në mbrojtje të grave të cilët janë cak i sulmeve në bazë gjinore, raporton EO.

    Në kuadër të konferencës “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325”, Haxhiu tha se në luftën kundër këtyre dukurive duhet të jenë të bashkuar.

    “Sigurisht që angazhimi jonë i përbashkët kundër luftës në baza gjinore është edhe një detyrim moral edhe shoqërisë që nuk duhet të jetë me kufizime kulturore apo etnike. Përtej dallimeve e etniteteve ky angazhim është i domosdoshëm për të garantuar respektim dhe mbrojte të të drejtave të grave e të gjithë personave qe janë të prekur”.

    “Në një realitet ku dhuna e grave është ende një problem i hapur, bashkëpunimi e angazhimi i të gjithë individëve dhe shoqërive është thelbësore për të krijuar një shoqëri me të drejte dhe të barabarte për gjithë, duke refuzuar që të pranojmë dhunën në bazë gjinore dhe ta përforcojmë mesazhin se çdo individ meriton të jetojë në një mjedis të sigurt duke respektuar pavarësisht origjinës së tyre kulturore apo etnike në këtë kontekst promovimi edukimit dhe ndërgjegjësimit është etik për të arritur një shoqëri të drejt po ashtu të barabarte”, u shpreh Haxhiu.

  • Shqetësime për ndërhyrje në pavarësinë e KPM-së, mohohet nga pushteti

    Shqetësime për ndërhyrje në pavarësinë e KPM-së, mohohet nga pushteti

    Anëtarët e Komisionit të Pavarur për Medie (KPM), kanë raportuar sot në Komisionin parlamentar për Medie, për të tretën herë me radhë, në lidhje me vendimin e tyre për kthimin e kanaleve të “Arena Sport”-it në platforma kabllore.

    Gjatë diskutimit nga deputetët opozitarë u ngritën shqetësime për ndërhyrje në pavarësinë e KPM-së, gjë e cila u mohua nga deputetët e pushtetit.

    Në anën tjetër, u shpërfaqën edhe dallime brenda anëtarëve të KPM-së, ku mes tyre u tha se ka pasur kërkesa që çështja e “ArtMotion” dhe “DigitAlb” do të duhej dërgohej në Prokurori, por se kështu nuk kishte vepruar KPM-ja.

    Anëtari i komisionit, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se nuk duhet të rrezikohet pavarësia institucionale të KPM-së, derisa përmendi edhe reagimin e Bashkimit Evropian.

    Megjithatë, kryetari i komisionit, deputeti i LVV-së, Valon Ramadani tha se është i bindur se nuk është shkelur pavarësia e KPM-së, në bazë të raportimit të anëtarëve të tyre në legjislativ.

    Në debat u përfshi edhe deputeti tjetër i LVV-së, Armend Muja, i cili nuk është anëtar i këtij komisioni, por që theksoi se KPM-ja duhet të sqarojë si e ka licencuar “ArenaSport” në Kosovë, kur e njëjta e njeh Kosovën si pjesë të Serbisë.

    Në anën tjetër, anëtarja e KPM-së, Luljeta Aliu, tha se për këtë çështje ka pasur parregullsi dhe mungesë të transparencës edhe brenda KPM-së.

    Sipas saj, çështja “ArtMotion” dhe “Digitalb” do të duhej të shkonte në Prokurori. Këtë kërkesë tha se ka mbështetur edhe anëtari tjetër i KPM-së, Fitim Veliu.

    Megjithatë, në mungesë përkthimit të materialeve të dërguara, deputetët vendosën që kjo çështje të diskutohet edhe në mbledhjen e radhës të komisionit.

    Pjesë e mbledhjes së sotme ishte edhe kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Nazim Rrahimi, i cili foli për shkeljet e kushteve të kontratave nga operatorët kabllorë.

    Ai tha se në rregulloren e re i kanë dhënë të drejtë konsumatorit të shkëput kontratën, në rast se operatori ka ndryshim të kanaleve.

    Edhe kryetari i Bordit të KPM-së, Jeton Mehmeti, ka thënë se në fillim të këtij viti kanë pranuar 340 ankesa se janë ndryshuar kanalet.

    Ai ka thënë se konsumatori duhet të njoftojë 30 ditë më herët nëse ndryshojnë pakon operatorët.

  • Stano flet për ftesat për takim më 27 shkurt: Kemi bërë shpjegime të detajuara, nuk spekulojmë për skenarët

    Stano flet për ftesat për takim më 27 shkurt: Kemi bërë shpjegime të detajuara, nuk spekulojmë për skenarët

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, sot sërish ka folur për ftesat e dërguara për Kosovën dhe Serbinë rreth një takimi në Bruksel, të cilin e ka refuzuar kryenegociatori Besnik Bislimi.

    Stano tha se nuk e komentojnë organizimin e takimeve përmes mediave dhe domenit publik, por shtoi se ftesat janë bërë dhe se shpresojnë që palët të pajtohen për zgjidhje,

    “Ne i kemi dërguar ftesat te partnerët për t’u marrë me çështje të caktuara dhe u kemi shpjeguar në thellësi dhe tash shpresojmë që të dyja palët të jenë në gjendje të pajtohen dhe të zgjidhin çështjen që u shkaktua nga një vendim i pafat dhe i pakonsultuar nga njëra palë që ka ndikuar tek pala tjetër”.

    Ai tha se roli i BE-së është për të lehtësuar palët të arrijnë deri te zgjidhja dhe se nuk do të komentojnë se çka janë duke bërë në këtë drejtim.

    Stano u pyet edhe se çfarë pasoja mund të ketë një refuzim i ftesës për të marrë pjesë për zëvendëskryeministrin Bislimi, por refuzoi të përgjigjet.

    “Ne asnjëherë nuk spekulojmë rreth skenarëve “çka nëse”. Ne kemi dërguar ftesat, kemi vënë objektivat dhe kemi bërë publike përgatitjen tonë për të ndihmuar palët që të gjejnë zgjidhje”.

  • Policia e Kosovës shqipton 2314 gjoba në trafik në 24 orët e fundit

    Policia e Kosovës shqipton 2314 gjoba në trafik në 24 orët e fundit

    Policia e Kosovës ka shqiptuar 2314 gjoba në trafik gjatë 24 orëve të fundit.

    Ndërkaq aksidente me të lënduar në këto 24 orë janë gjithsej 18.

    Kurse 30 aksidente janë shkaktuar me vetëm dëme materiale.

  • Përfundon gjyqi ndaj Konjufcës për hedhje të gazit lotsjellës, të hënën jepet vendimi përfundimtar

    Përfundon gjyqi ndaj Konjufcës për hedhje të gazit lotsjellës, të hënën jepet vendimi përfundimtar

    Ka përfunduar seanca e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend, raporton EO.

    Kështu, fjala përfundimtare do të mbahet të hënën në ora 15:00.

    Në aktakuzë thuhet se në Kuvendin e Kosovës në 10 gusht 2016, në cilësi të deputetit, Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në seancën e 25 tetorit 2023, gjykatësja Çanta tha se Konjufcës i është parashkruar vepra penale “Pengim i pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkon me dy vepra penale.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri Konjufca po akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.

    Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën, me çka i pandehuri Konjufca ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.

    Me këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

    Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, me datë, në kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, i pandehuri Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq në kryerjen e detyrave zyrtare, ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.

    Për këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” parashikuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

  • NASA kërkon katër vullnetarë për në Mars

    NASA kërkon katër vullnetarë për në Mars

    A keni menduar ndonjëherë se si është të jetosh në Mars? Tani ju mund të përjetoni jetën në Planetin e Kuq në një simulim të drejtuar nga NASA, shkruan cbsnews.com.

    Agjencia hapësinore është në kërkim të pjesëmarrësve për të jetuar në një Mars dhe për t’i ndihmuar ata të përgatiten për eksplorimin njerëzor të planetit.

    ”Ky është i dyti nga tre misionet, i cili do të shohë katër vullnetarë të jetojnë në një zbulim të Marsit prej 1 700 metrash katrorë”, njoftoi NASA.

    Misionet, të quajtura CHAPEA, për Analogun e Eksplorimit të Shëndetit dhe Performancës së Ekuipazhit, zhvillohen në një habitat marsian të printuar në 3D në Qendrën Hapësinore Johnson të NASA-s në Hjuston, Teksas.

    Simulimi, i quajtur ”Mars Dune Alpha”, simulon një habitat të ardhshëm në Mars me zona të veçanta për të jetuar dhe punuar.

    Ai përfshin katër dhoma banimi për secilin vullnetar, një hapësirë ​​pune, një stacion mjekësor, zona të pritjes, një kuzhinë dhe stacione për rritjen e ushqimit.

    Ashtu si jeta në Mars, burimet do të jenë të kufizuara. Vullnetarët në simulim do të kryejnë shëtitje të simuluara në hapësirë ​​dhe do të duhet të punojnë për të ruajtur habitatin, për të rritur të korrat dhe për të punuar me robotikë.

    Ata do të përjetojnë stresorët tipikë mjedisorë të planetit, si dhe dështimet e pajisjeve dhe vonesat e komunikimit.

    Misioni tokësor do të fillojë në pranverë të vitit 2025 dhe të interesuarit kanë kohë për të aplikuar deri më 2 prill. Për t’u kualifikuar, ju duhet të jeni një shtetas i “motivuar” i SHBA ose banor i përhershëm i saj midis moshës 30 dhe 55 vjeç.

    ”Ju duhet të flisni anglisht dhe të jeni jo duhanpirës. Aplikantët duhet të kenë një dëshirë të fortë për aventura unike dhe shpërblyese dhe një interes për të kontribuar në punën e NASA-s për t’u përgatitur për udhëtimin e parë njerëzor në Mars”, thekson NASA.

    Aplikantët duhet gjithashtu të kenë përvojë pune në fushën STEM, me diplomë master në inxhinieri, matematikë, biologji ose shkenca të tjera dhe përvojë profesionale ose të paktën dy vjet punë doktorature në këto fusha ose një program pilot provë.