ATV

Author: ATVLive

  • Dy serbë pranojnë fajësinë për huliganizëm ndaj KFOR-it, njëri dënohet me 6 muaj burgim, tjetri 6 mijë euro gjobë

    Dy serbë pranojnë fajësinë për huliganizëm ndaj KFOR-it, njëri dënohet me 6 muaj burgim, tjetri 6 mijë euro gjobë

    Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq, të cilët u arrestuan më 29 maj të vitit të kaluar në Zveçan në veri të Kosovës, gjatë përleshjeve mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it, kanë arritur një marrëveshje me Prokurorinë Speciale dhe kanë pranuar fajësinë për veprën “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.

    Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, e ka konfirmuar se aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve u shpall të martën.

    Sipas aktgjykimit, i akuzuari Petroviq është dënuar me 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e tij i zëvendësohet me gjobë 6 mijë euro. Në këtë dënim, të njëjtit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, ku për secilën ditë qëndrimi llogariten nga 20 euro.

    Kurse, i akuzuari Obrenoviq u dënua me 6 muaj burgim, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 29 maji deri më 27 nëntor 2023.

    Sipas aktakuzës, që u ngrit më 5 shkurt të këtij viti, ata akuzoheshin se “kanë marrë pjesë aktive në grupin përkatësisht turmën e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit”, kanë “rrezikuar personat nën mbrojtje ndërkombëtare” dhe po ashtu ishin akuzuar për “sulm ndaj personit zyrtar”.

    Në mesin e vitit të kaluar, policia e Kosovës arrestoi dhjetë pjesëtarë të komunitetit serb për sulme ndaj pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, për akuza kundër rendit kushtetues të Kosovës dhe për sulme ndaj gazetarëve.

    Në veri, tensionet u rritën vitin e kaluar pasi policia e Kosovës asistoi që në ndërtesat komunale të hynin kryetarët e rinj shqiptarë. Kjo u kundërshtuar nga popullata vendase serbe, që nuk pranoi rezultatet e zgjedhjeve lokale të prillit, votime që i bojkotoi.

    Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët u përleshën me KFOR-in dhe mbi 100 persona u plagosën nga të dyja palët.

  • Kosova në basketboll me një fitore dhe një humbje në ndeshjet e shkurtit

    Kosova në basketboll me një fitore dhe një humbje në ndeshjet e shkurtit

    Bilanci i kombëtares së Kosovës në basketboll për ndeshjet e shkurtit ishte një fitore e një humbje.

    Dardanët mundën Irlandën 83:76 dhe pësuan nga Azerbajxhani 88:77.

    Edhe Azerbajxhani ka një fitore e një humbje, kurse lidere është Zvicra me dy fitore (ndaj Azerbajxhanit dhe Irlandës), kurse e fundit është Irlanda me dy humbje.

    Ndeshjet e ardhshme për Kosovën do të jenë në udhëtim, kundër Zvicrës e Irlandës në muajin nëntor, derisa kampanjën për Rrethin e Parë Parakualifikues Evropian për Kupën e Botës 2027 e mbyll në muajin shkurt të vitit të ardhshëm ndaj Azerbajxhanit dhe Zvicrës.

  • Ferizaj: Dërgohen në mbajtje dy persona që sulmuan njëri-tjetrin

    Ferizaj: Dërgohen në mbajtje dy persona që sulmuan njëri-tjetrin

    Dy persona në Ferizaj janë arrestuar për arsye se pas një mosmarrëveshjeje kanë sulmuar fizikisht njëri-tjetrin.

    Policia njofton se të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.

  • Përfundojnë takimet në Bruksel për dinarin

    Përfundojnë takimet në Bruksel për dinarin

    Në Bruksel kanë përfunduar takimet e ndara mes emisarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, dhe delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë.

    Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

    Sipas BE-së, ky vendim ka shkaktuar probleme praktike për komunitetin serb në Kosovë, të cilët kanë përdorur dinarin serb dhe me këtë valutë kanë marrë ndihmë nga Serbia.

    Lajçak fillimisht u takua me delegacionin serb, të udhëhequr nga kryenegociatori Petar Petkoviq.

    Më pas, emisari evropian u takua me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.

    Kosova nuk ka dashur që në këtë takim të dërgojë nivel politik sepse beson se çështja e rregullores së BQK-së për pagesat me para të gatshme nuk duhet të jetë temë e dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë.

    Pas përfundimit të takimeve dypalëshe të Lajçakut me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, mbetet të shihet nëse do të ketë një takim trepalësh.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili njëherësh është edhe kryenegociator për dialogun me Serbinë, nuk ishte pajtuar që çështja e dinarit serb të ishte pjesë e dialogut.

    Kjo, pasi Qeveria e Kosovës e konsideron këtë gjë si çështje të brendshme për të cilën kompetenca të pavarura ka BQK-ja.

    Bislimi javën e kaluar e kritikoi të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, për vendosjen e kësaj teme në agjendë të takimeve në Bruksel, pa pajtimin paraprak të Kosovës. Sipas kryenegociatorit kosovar, Lajçak në këtë mënyrë shkeli parimet e dialogut të vendosura vet ai, sipas të cilave, asnjë temë nuk mund të vendoset në rend dite pa pajtimin paraprak të Kosovës dhe Serbisë.

    Por, nga BE-ja janë përgjigjur se blloku angazhohen për të gjetur një zgjidhje për problemin, që sipas Brukselit, e ka “shkaktuar Kosova me vendimin e njëanshëm dhe pa konsultime as me partnerët, e as me komunitetin i cili ka pasoja të drejtpërdrejta nga ky vendim”. Sipas BE-së, dialogu është forumi ku duhet të gjendet zgjidhja për të gjitha çështjet e hapura mes palëve dhe këtë e kanë thënë edhe vendet anëtare, por edhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

    Një ditë më parë, nga BQK-ja kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm të takohen me përfaqësuesit e Bankës Popullore të Serbisë për të lehtësuar transferimin e parave përmes kanaleve bankare.

    “Në këtë kuptim, [BQK-ja] edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, u tha në përgjigjen e BQK-së dërguar REL-it.

    Serbia ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

    Autoritetet në Kosovë kanë thënë se rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme do të zbatohet përmes një tranzicioni të lehtësuar, jo më të gjatë se tre muaj, ndërkaq kryeministri Albin Kurti, ka insistuar se vendimi nuk do të zhbëhet.

    Shtetet e Bashkuara, ndërkaq, i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e vendimit të BQK-së, pasi kanë argumentuar se ai është marrë pa konsultime paraprake dhe pa pasur për bazë ndikimet negative te popullata serbe në Kosovë./REL

  • Avdiu: Edhe ne do të protestojmë, problemet e zjarrfikësve janë të njëjta në gjithë Kosovën

    Avdiu: Edhe ne do të protestojmë, problemet e zjarrfikësve janë të njëjta në gjithë Kosovën

    Dy ditë më parë, kryetari i Shoqatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, ka thënë se në rast se nuk marrin përgjigje pozitive nga institucionet kompetente lidhur me shtesat e rrezikshmërisë, atëherë zjarrfikësit do të mbajnë protesta.

    Zëvendëskomandanti i brigadës së Zjarrfikësve në Ferizaj, Jeton Avdiu, në një prononcim për ATV-në, tha se edhe zjarrfikësit e Ferizajt e përkrahin këtë protestë, për shkak se sipas tij, problemet e zjarrfikësve janë të njëjta në të gjithë Kosovën.

    Ai thotë se një nga problemet me të cilat ballafaqohen zjarrfikësit, është se ata nuk kanë status të veçantë.

    “Edhe zjarrfikësit në Ferizaj e përkrahin këtë protestë për arsye se të gjitha problemet i kemi të njëjta në gjithë Kosovën. Së pari, duke filluar me statusin, zjarrfikësit, janë bërë tash e 20 vite që nuk kanë status të veçantë. Për shembull, pagat na i qet Komuna e Ferizajt, a dokumentacionin e kemi në Ministri të Punëve të Brendshme, gjegjësisht në Agjencionin e Menaxhimit të Emergjencave. Së pari për të krijuar kushte për punë, duhet të caktohet statusi i zjarrfikësve, sepse deri sa nuk është i caktuar statusi, ne do të kemi probleme çdo herë”, tha Avdiu.

    Ai tha se zjarrfikësve duhet patjetër tu kthehet edhe shtesa për rrezikshmëri.

    “Edhe puna e rrezikshmërisë është hequr, nuk e di arsyen se përse. Rrezikshmëria u takon zjarrfikësve sepse bëjnë punë të ndryshme, rrezikojnë edhe jetën e tyre edhe duhet patjetër të na përkrahin në rrezikshmëri”, tha Avdiu. /atvlive.tv

    Më shume detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Osmani publikon fotografi nga Katari: Fuqizim, lidhje dhe mundësi për sektorin e ICT-së nga vendi ynë

    Osmani publikon fotografi nga Katari: Fuqizim, lidhje dhe mundësi për sektorin e ICT-së nga vendi ynë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është duke qëndruar aktualisht në Doha të Katarit.

    Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se së bashku me të rinjtë nga Kosova janë duke mundësuar lidhje për ICT-në.

    Postimi:

    Fuqizim, lidhje dhe mundësi të pafundme për sektorin e ICT-së nga vendi ynë, në WEB SUMMIT në Doha, Katar.🇶🇦

    Jemi bashkë me kompanitë e ICT-së dhe të rinjtë nga Kosova të cilët i kemi ftuar të jenë pjesë e delegacionit tonë për herë të dytë në këta tre muaj.

  • ​Ministri Aliu nuk shkon në Komision, opozita: Frikësohet nga gjendja e vitit 2022-23

    ​Ministri Aliu nuk shkon në Komision, opozita: Frikësohet nga gjendja e vitit 2022-23

    Me debate mes opozitës dhe pozitës është përcjellur mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrje e Financave Publike, ku i ftuar ka qenë për raportim ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, por i njëjti nuk ka marrë pjesë në komision.

    Opozita ka kërkuar që raporti i auditimit të performancës “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”, të shqyrtohet në seancë plenare, por një gjë të tillë e ka kundërshtuar Lëvizja Vetëvendosje.

    Kryetarja e komisionit, Hykmete Bajrami deklaroi se në kabinetin e kësaj ministrie janë dy ministra. Sipas saj, po vjedhet dhe nuk po punohet.

    “Janë 27 persona staf politikë, janë dy ministra. Maksimumi i stafit që lejohet janë 17. Sot nuk e gjen asnjëri prej tyre të vjen të përballen me të gjeturat e Zyrës së Auditorit”, deklaroi ajo.

    Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa tha se ministri Liburn Aliu po ikë nga kjo situatë për shkak të gjetjeve të raportit.

    “Ministri është frikësuar nga gjendja e vitit 2022 dhe 2023 dhe kemi punë më shumë për Prokurorinë e Shtetit se sa për Zyrën e Auditorit”, theksoi Beqa.

    Deputeti Halil Thaqi tha se nuk do ta votojë këtë raport, për çka tha se pa diskutimin e ministrit, nuk duhet të dërgohet në seancë.

    Më pas ka reaguar deputetja, Abana Bytyqi, për çka tha se i njëjti po heziton ta votojë ketë raport për shkak të “dallavereve”.

    Asaj i reagoi deputeti Thaqi i cili tha se “infrastruktura është pikë e dobët e AAK-së”.

    Kurse, deputetja Bytyçi i tha se “Ti pikë të dobët e ke KEK-un. 100 mijë dallavere i keni bërë qe tri vjet”.

  • Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla priti në takim Drejtorin Ekzekutiv të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë

    Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla priti në takim Drejtorin Ekzekutiv të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë

    Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla priti në takim Drejtorin Ekzekutiv të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, i shoqëruar nga Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës Major Bashkim Spahiu, priti sot në takim Drejtorin Ekzekutiv të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Atdhe Hetemi.

    Me këtë rast, Ministri Sveçla i uroi z. Hetemi detyrën e Drejtorit të këtij Instituti të rëndësishëm për Republikën e Kosovës. Bashkëpunimi ndërinstitucional e veçanërisht mes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë kontribuon në evidentimin e të gjitha dëshmive të krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë dhe ndihmon në sjelljen e të gjithë kryesve para drejtësisë.

    Ministri Sveçla e njoftoi Drejtorin Hetemi mbi angazhimin serioz dhe të suksesshëm të Policisë së Kosovës në sjelljen e të dyshuarve për krime lufte para drejtësisë dhe theksoi përkushtimin për bashkëpunim të ngushtë mes dy institucioneve.

    Hapja e Institutit dhe angazhimi i të gjithë akterëve në fuqizimin e tij do të ndihmojë në ruajtjen e kujtesës kolektive, në adresimin institucional të gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë dhe në drejtësi për të gjitha viktimat që i mungojnë shoqërisë dhe vendit tonë.

  • ​Basketboll/ Ja kur rikthehet Kosova në aksion

    ​Basketboll/ Ja kur rikthehet Kosova në aksion

    Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll e ka nisur fazën parakualifikuese për në Kampionatin Botëror të basketbollit 2027 me një fitore dhe një humbje.

    Bilanci i Kosovës për ndeshjet e shkurtit ishte një fitore e një humbje. Dardanët mundën Irlandën 83:76 dhe pësuan nga Azerbajxhani 88:77.

    Edhe Azerbajxhani ka një fitore e një humbje, kurse lidere është Zvicra me dy fitore (ndaj Azerbajxhanit dhe Irlandës), kurse e fundit është Irlanda me dy humbje.

    Ndeshjet e ardhshme për Kosovën do të jenë në udhëtim, kundër Zvicrës e Irlandës në muajin nëntor, derisa kampanjën për Rrethin e Parë Parakualifikues Evropian për Kupën e Botës 2027 e mbyll në muajin shkurt të vitit të ardhshëm ndaj Azerbajxhanit dhe Zvicrës.

  • ​Ish-sulmuesi i Arsenalit shtrihet në spital

    ​Ish-sulmuesi i Arsenalit shtrihet në spital

    Mesfushori suedez Kristoffer Olsson është vendosur në një ventilator në spital pasi humbi vetëdijen në shtëpi. Raportohet se ish-lojtari i Arsenalit, 28 vjeç, po vuan nga ajo që duket të jetë një sëmundje akute e lidhur me trurin.

    Klubi danez Midtjylland njoftoi se ai u dërgua në Spitalin Universitar Aarhus më 20 shkurt.

    “Të gjithë në FC Midtjylland sigurisht që janë thellësisht të prekur nga sëmundja e papritur e Kristoffer”, tha klubi në një deklaratë të martën.

    “Kristoffer Olsson po vuan nga ajo që duket të jetë një sëmundje akute e lidhur me trurin, e cila nuk është as për shkak të ndonjë dëmi të vetëshkaktuar dhe as për shkak të faktorëve të jashtëm”.

    Olsson erdhi përmes akademisë së të rinjve të Arsenalit dhe bëri një paraqitje për Topçinjtë përpara se të bashkohej me Midtjylland në mes të sezonit 2014-15 të Premier Ligës, përcjellë KosovaPress.

    Olsson, i cili ka bërë 47 paraqitje për Suedinë, ka luajtur në skuadrën suedeze AIK, Krasnodar në Rusi dhe Anderlecht në Belgjikë mes dy sezoneve me Midtjylland.

    Olsson ka munguar në dy ndeshjet më të fundit të Midtjylland në Superligën daneze dhe për herë të fundit është paraqitur për klubin kundër Fredrikstad në Kupën e Atlantikut më 9 shkurt.