ATV

Author: ATVLive

  • “Marshojmë S’festojmë”, kundër deputetëve që po kundërshtojnë Projektligjin për shëndet riprodhues

    “Marshojmë S’festojmë”, kundër deputetëve që po kundërshtojnë Projektligjin për shëndet riprodhues

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Përveç deputetëve e zyrtarëve të tjerë, në oborr të Kuvendit erdhi edhe një grup protestuesish.

    Kolektivi “Marshojmë, S’festojmë” të enjten ka organizuar një aksion simbolik lidhur me reagimet e deputetëve kundër Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

    Protestueset, po ashtu, vendosën pankarta me mbishkrime për deputetët që kanë votuar kundër këtij projektligji.

    Ato patën edhe disa kërkesa.

    Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, ka nxitur debat nga koha kur u prezantua dhe ka dështuar të miratohet në lexim të dytë.

  • Freedom House, Kosova vend “pjesërisht i lirë”

    Freedom House, Kosova vend “pjesërisht i lirë”

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Me 60 pikë nga 100 njësoj si vitin e kaluar, është vlerësuar Kosova nga organizata “Freedom House”.

    Kosova, sipas Freedom House, vlerësohet si vend “pjesërisht i lirë”, pavarësisht përparimit në disa fusha për avancimin e të drejtave të njeriut dhe lirive të qytetarëve.

    Ekspertja e organizatës “Freedom House” për Ballkanin, Alexandra Karppi, tha për Zërin e Amerikës se situata në Kosovë nuk mund të shkëputet nga dinamika e zhvillimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Vitet e fundit Kosova ka shënuar përparim, çka pasqyrohet te rezultatet, sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirive qytetare, proceseve më të dobishme politike, që u kanë mundësuar qytetarëve pjesëmarrje më të lirë, dhe shoqërisë civile veprimtari më aktive. Këto gjëra gjithsesi kanë shënuar përparim në vitet e fundit”, deklaroi Karppi.

    Raporti, sipas të cilit, vlerësohet përparimi i 195 shteteve dhe 15 territoreve gjatë vitit 2023, bazuar në vlerësimet në fushën e të drejtave politike dhe lirive qytetare, e cilësoi gjendjen e përgjithshme globale të të drejtave politike dhe lirive të njeriut si “situatë të përshkallëzuar gjerësisht”.

    Në krye të listës së organizatës renditet Finlanda me 100 pikë, pasuar nga Zelanda e Re dhe Suedia me 99 pikë.

  • Kanalizimi nxjerr jashtë funksionit hyrjen nëntokësore të Pallatit të Drejtësisë

    Kanalizimi nxjerr jashtë funksionit hyrjen nëntokësore të Pallatit të Drejtësisë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Mënyra e vetme për ta çuar në gjykatore këtë të pandehur, është dera kryesore nga e cila kalojnë edhe punëtorët e gjykatës themelore dhe palët e tjera.

    Hyrja nëntokësore që është e planifikuar për “futjen” e të pandehurve, sërish ka dalë jashtë funksionit, siç kupton ATV-ja për shkak të kanalizimit.

    Derisa, Gjykata Themelore nuk ka konfirmuar se kur pritet të kthehet sërish në funksion, njohës të çështjeve të drejtësisë përmendin pasojat nëse të dyshuarit ekspozohen.

    “Nuk do të thotë se të gjithë janë fajtorë… ata mund të lirohen nga akuza. Kur shpërfaqet imazhi i tij i prangosur, ndikon negativisht meqë mbetet te njerëzit”, tha avokati Arbër Jashari.

    Në fakt, prej kur u ndërtua gjithë objekti hyrja nëntokësore nuk ishte funksionale kohë pas kohe. Të fundit herë u hap në mesin e vitit 2023.

    Ndërtesa ku ndahet drejtësia kishte edhe të tjera probleme ndër vite, kryesisht me mungesën e ajrosjes. Punëtorët madje kishin protestuar disa herë, duke lënë punën në gjysmë.

  • Ligji i ri i prokurimit, shoqëria civile, KRPP-ja dhe OSHP-ja me kritika

    Ligji i ri i prokurimit, shoqëria civile, KRPP-ja dhe OSHP-ja me kritika

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Nga viti 2018, Kosova synoi hartimin e Ligjit të ri të Prokurimit Publik. Por, vetëm pas 6 vjetëve, prej kur ka nisur puna, një Draft i Projektligjit pritet të miratohet nga Qeveria muajt në vazhdim.

    Megjithatë, Shoqëria Civile ka kritika. Abulena Nrecaj, nga INPO, tha se Drafti i Projektligjit nuk ishte ai në të cilin ka punuar grupi punues.

    Teksa u theksua nevoja për ligjin e ri, u përmendën edhe disa problematika.

    Andaj, për legjislacionin u tha se duhet të merren praktikat më të mira të vendeve të rajonit.

    Ndërkaq, për një ish-ministre të Financave duhet të rritet transparenca sa i përket shpenzimit të parasë publike dhe ligji i ri duhet të jetë në harmoni me direktivat e Bashkimit Evropian.

    Në tryezën me titull “Çka po ndodh me Projektligjin për Prokurimin Publik?”, të organizuar nga INPO-ja në partneritet me Institutin e Kosovës për Drejtësi dhe Lëvizjen FOL, ishte i ftuar edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, por ai nuk ishte i pranishëm.

  • Në veri nis shpërndarja e faturave të rrymës

    Në veri nis shpërndarja e faturave të rrymës

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Në ditën e fundit të muajit, kompania Elektrosever ka nisur shpërndarjen e faturave të energjisë në 4 Komunat Veriore.

    Qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin-Potokut do të paguajnë nga 21.60 euro në formë paushalli, të llogaritur për shpenzim të energjisë, shkruan Evropa e Lirë.

    Fatura mban logon e kompanisë Elektrosever, që është në pronësi të kompanisë publike energjetike të Serbisë, Elektroprivreda Srbije.
    Fatura është printuar në të dyja gjuhët. Siç njoftoi Elektroseveri, përveç faturës përdoruesit do të pajisen me një kopje të kontratës për inspektim.

    “Me pagesën e një shume prej 21.60 eurosh, Marrëveshja e Furnizimit me kompaninë ‘Elektrosever’ do të konsiderohet e lidhur. Zyrtarët e Elektroseverit do t’ua sjellin qytetarëve për nënshkrim Marrëveshjet për furnizimin me energji elektrike”, thuhet në njoftimin e Elektrosever-it.

    Pagesa në formë paushalli do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm, deri në vendosjen e njehsorëve të rinj.

    Megjithatë, edhe vendosja e njehsorëve të financuar nga Bashkimi Evropian mund të marrë kohë disa muaj, meqë procesi është në fazën e tenderimit.
    Nga 1 Janari, përgjegjësia e plotë për energjinë elektrike në veri, i takon Elektroseverit.

    Në janar, Rregullatori i Energjisë i hoqi KOSTT-it përgjegjësinë për mbulimin e humbjeve në katër komunat në veri.

    Që nga përfundimi i luftës, dëmi buxhetor si pasojë e mos-pagesës së energjisë në këtë pjesë të vendit, llogaritet të jetë rreth 350 milionë euro.

  • Ngrihet kallëzim penal ndaj biznesmenit, nxirrte zhavorr në tokën e tij

    Ngrihet kallëzim penal ndaj biznesmenit, nxirrte zhavorr në tokën e tij

    Përgatiti: Armand Hoti

    Rërën dhe zhavorrin po e nxirrte nga prona e tij në Viti. Pikërisht aty po e bënte edhe përpunimin e resurseve.

    Por, puna nuk i zgjati, meqë inspektorët e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, evidentuan se në tokën e pronarit të kompanisë “Godeni Sh.p.k”, po eksploatohej e seperohej pa leje.

    Referuar dosjeve që ATV-ja i ka siguruar, ndaj personit në fjalë janë shqiptuar dy gjoba me vlerë prej mbi 70 mijë eurosh.

    Prokuroria Themelore në Gjilan ka udhëzuar hetuesit e Stacionit Policor të Vitisë, të ushtrojnë kallëzim penal ndaj biznesmenit.

    “Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se për këtë çështje, prokurori i rastit pas analizimit të provave ka udhëzuar Stacionin Policor në Viti, që ndaj pronarit të kësaj kompanie të ushtrojë kallëzim penal, i cili është dorëzuar në Prokurori”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gilan.

    Policia respektoi udhëzimin e prokurorisë, duke iniciuar rastin si “Ndotje, degradim ose shkatërrim i ambientit”, katër muaj pasi KPMM-ja kishte dorëzuar gjetjet në polici.

    “Stacioni Policor Viti, me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjilan për çështjen e potencuar nga ana e juaj, ka iniciuar rastin “Ndotje, degradim ose shkatërrim i ambientit” duke ngritur kallëzim penal ndaj një personi mashkull kosovar, kallëzim penal i cili është proceduar në Prokurorinë Themelore në Gjilan”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Rajonale në Gjilan.

    Ndërkaq, inspektorët komunalë po sigurohen që aktiviteti minerar ilegal të mos vazhdojë.

    “Inspektori Komunal, Afrim Sylejmani, me datë 13.11.2023 e ka vizituar vendin e ngjarjes dhe gjatë inspektimit “Godeni SH.P.K” nuk ka qenë duke operuar dhe kemi bërë procesverbal. Do të jemi në vëzhgim të operatorit”tuhhet në njoftimin nga Inspeksioni Komunal – Viti.

    Ndërkaq, biznesmeni i gjobitur tha për ATV-në se zhavorri i përpunuar nuk do të përdorej për qëllime tregtie, por private, meqë ai synonte të ndërtonte një bodrum. Megjithatë, ATV-ja kupton se ai nuk posedon leje ndërtimi.

  • Opozita me kritika për gjendjen në shëndetësi, Vitia ua hedh përgjegjësinë qeverive të kaluara

    Opozita me kritika për gjendjen në shëndetësi, Vitia ua hedh përgjegjësinë qeverive të kaluara

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Si rrallë në rend dite, deputetët kishin vetëm një pikë, atë të shqyrtimit të propozim-rezolutës për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore.

    Por, si rëndom rezoluta e propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e mori mbështetjen e pushtetit.

    “Ekspertë të cilët pastaj është parë që nuk dinë as për vete dhe janë paguar për t’i trajnuar ekspertët, për të shkuar për t’i trajnuar stafin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Fatkeqësisht kjo ka ndodhë që unë pajtohem komplet me konkluzat e juaja, staf i patrajnuar, por kur i kanë bërë qeveritë e papërgjegjshme këto, nuk kam fjalë”, tha Vitia.

    Për situatën në shëndetësi mospajtime gjatë debatit, ministri Arben Vitia pati me shumë deputetë të tjerë opozitarë.

    Replika Vitia pati edhe me paraardhësin e tij. Ata i përmendën keqmenaxhimet e dështimet e njëri-tjetrit.

    Ligji për sigurime shëndetësore ishte miratuar në Kuvend para një dekade, por nuk është zbatuar asnjëherë.

  • Prishtina G Talks, “Gruaja Lidere” me Grida Duma vjen në Klan Arena

    Prishtina G Talks, “Gruaja Lidere” me Grida Duma vjen në Klan Arena

    Prishtina G Talks, një ngjarje e organizuar nga Grida Duma Event, do të mbahet më 9 Mars në Klan Arena, duke sjellë temën “Gruaja Lidere”. Ky event është pjesë e nismës për të nderuar dhe promovuar rolin e gruas në shoqëri, duke theksuar fuqinë dhe ndikimin e tyre në çdo sferë të jetës.

    Ky aktivitet do të udhëhiqet personalisht nga Grida Duma, një personalitet i njohur dhe frymëzues në skenën mediale dhe shoqërore në Kosovë. Gjatë kësaj ngjarjeje, do të ketë biseda dhe diskutime rreth roli dhe sfidat që hasin gratë në udhëheqje.

    Tema “Gruaja Lidere” ka bërë që shumë njerëz të jenë të interesuar për këtë ngjarje, treguar nga shumë reagime dhe entuziazëm.

    Biletat me zbritje për këtë event mund të blihen duke kontaktuar në numrin e telefonit 048 488-882 apo përmes e-mailit: [email protected].

    Prishtina G Talks sjell një mundësi të shkëlqyer për të mësuar dhe frymëzuar nga rrugëtimi i grave në lidership. Ngjarja pritet të sjellë energji dhe motivim për të gjithë pjesëmarrësit, duke pasuar me histori dhe eksperienca të fuqishme nga gratë lidere në fusha të ndryshme.

  • ​Bëhet thirrje që edukimi mediatik të përfshihet në planprogramet shkollore

    ​Bëhet thirrje që edukimi mediatik të përfshihet në planprogramet shkollore

    “Edukimi mediatik duhet të përfshihet në planprogramet mësimore shkollore”. Kështu u tha në përfundim të sesionit trajnues në Ferizaj, ku u diskutua me temën “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për nxënësit nga komunitetet jo-shumicë në Kosovë”.

    Të rinjtë e komuniteteve rom, ashkali e egjiptian të shkollave të mesme kanë ndarë përvojat e tyre, ku treguan për rastet kur janë atakuar me lajme të rreme.

    Rreth 20 nxënës nga Ferizaj, në grupe të ndara, kanë ilustruar rastet e informimit keqdashës, lajmit të rremë, keqinformimit e propagandës që bëhen nga mediat në Kosovë.

    Profesori Emin Sadiku nga shkolla ekonomike “Faik Konica” thotë se të rinjtë e komuniteteve po atakohen në masë të madhe nga lajmet e rreme.

    “Nxënësit shpesh ka mundësi debatojnë mes vete përmes rrjeteve sociale, nganjëherë mund të vie edhe deri tek ndonjë ngatërresë e vogël, shtyrje apo sharje apo ndonjë mosmarrëveshje…vijnë si pasojë e keqinformatave dhe keqpërdorimeve që mund të bëjnë”, tregon ai.

    Ai flet edhe për rastet se si pas pushimeve, nxënësit kanë paqartësi nëse do të rifillojë mësimi, si shkak i shpërndarjes së dezinformatave.

    “Kur përfundojnë pushimet dimorore, ka raste nganjëherë ku si shkak i keqinformimit thuhet “jo s’po fillojmë këtë të hëne, jo shtyhet mësimi’. Këto raste shkaktojnë ndonjëherë huti tek nxënësit e tek të rinjtë”, shton ai teksa flet për raste të keqinformimit.

    Teksa flet për trajnime mbi edukimin mediatik, ai konsideron se të tillat ndihmojnë të rinjtë që të arrijnë të identifikojnë lajmet e rreme dhe të mos bijnë pre e tyre.

    Ndërkaq, sipas trajneres Linda Baleta, edukimi mediatik duhet të përfshihet në programet mësimore shkollore në mënyrë që të rinjtë të kenë sa më shumë njohuri rreth rrezikut që vijnë nga lajmet e rreme.

    “Ajo çfarë kemi identifikuar gjatë këtyre sesioneve që nga fillimi i këtij projekti, është sa e madhe është nevoja që të rinjtë dhe jo vetëm të rinjtë por edhe grupmoshat e tjera të kenë sa më shumë njohuri rreth rrezikut dhe kërcënimit qe na vjen nga lajmet e paverifikuara, nga lajmet e pavërteta dhe nga dezinformata. Ndoshta është koha që të mendohet seriozisht që edukimi mediatik të përfshihet në planprogramet mësimore shkollore”, shprehet ajo.

    Më tej, ajo thekson se në sesionet trajnuese është identifikuar nevoja e madhe që të rinjtë e komuniteteve të arrijnë të dallojnë lajmin e pavërtetë.

    “Programi ‘edukimi mediatik’ e ka fokusin tek të rinjtë që vijnë kryesisht nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian, duke qenë edhe kërkesa e Ambasadës amerikane. Ne kemi qenë në shumë komuna dhe do të vazhdojmë të shkojmë edhe në komuna të tjera, akoma nuk kanë përfunduar. I mbulon të gjitha komunat e Kosovës, besoj që do të jemi të paktën një herë në secilin qytet për t’u takuar me të rinjtë e këtyre grupmoshave dhe profesorët e tyre të cilët po ashtu bëhen pjesë e trajnimeve”, përfundon Baleta.

    Gjatë së enjtes, të rinjtë e shkollave të mesme në Ferizaj janë trajnuar në lidhje me burimet e informatës, me synimin që të zhvillojnë mendimin kritik sa i përket përmbajtjeve mediatike.

    Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për mësimdhënësit, nxënësit dhe aktivistët e shoqërisë civile nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian” mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

  • Parlamenti Evropian: Të hiqet vetoja në procesin e zgjerimit

    Parlamenti Evropian: Të hiqet vetoja në procesin e zgjerimit

    Parlamenti Evropian ka miratuar të enjten një rezolutë për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), përmes së cilës kërkoi që ky proces të bëhet më efikas, përfshirë duke e hequr përdorimin e vetos për vendet anëtare.

    Rezoluta kërkon gjithashtu që BE-ja ta ketë një buxhet më efikas, në mënyrë që të jetë në gjendje ta përballojë zgjerimin me vende të reja anëtare.

    Rezoluta u mbështet nga 305 deputetë, ndërsa 157 deputetë votuan kundër dhe 71 abstenuan.

    Bashkimi Evropian, aktualisht, për secilin vendim në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë, ku hyn edhe procesi i zgjerimit, duhet të gjejë konsensus. Kjo ka bërë që shpesh vendimet të bllokohen nga ndonjë shtet anëtar përmes vetos, edhe kur të gjitha tjerat ishin në favor.

    Kjo është rezoluta e fundit për procesin e zgjerimit që miraton Parlamenti Evropian në këtë përbërje, pasi zgjedhjet e reja në bllok do të mbahen në qershor.

    Ky institucion i BE-së e ka mbështetur fuqishëm procesin e zgjerimit, ndërkaq me këtë rezolutë kërkon që BE-ja të reformohet para se të zgjerohet.

    Parlamenti Evropian mbështet edhe integrimin gradual të vendeve kandidate në tregun unik të BE-së përgjatë procesit të zgjerimit, edhe para se ato të bëhen anëtare formale të bllokut.

    “BE-ja ka nevojë për një vizion afatgjatë politik dhe për reforma institucionale dhe financiare për të siguruar kapacitete për absorbimin e anëtarëve të ri”, thuhet në tekstin e rezolutës të cilën e kanë miratuar deputetët e Parlamentit Evropian të enjten.

    Eurodeputetët kërkojnë që përgatitjet për zgjerim të zhvillohen paralelisht edhe në Bashkimin Evropian edhe në vendet kandidate. Ata kërkojnë po ashtu edhe mbrojtje më të fuqishme të vlerave demokratike të Bashkimit Evropian dhe sundimit të ligjit.

    Sa i përket reformave institucionale të Bashkimit Evropian, rezoluta kërkon që ato reforma ta lehtësojnë procesin e miratimit të vendimeve, të hiqet miratimi i vendimeve me konsensus dhe të ketë mekanizma më fleksibil. Ajo propozon që të përdoret votimi me shumicë të kualifikuar për të përmirësuar baraspeshën mes vendeve më të mëdha anëtare dhe atyre më të vogla.

    Parlamenti Evropian po ashtu kërkon që institucionet e BE-së të fillojnë ta adresojnë ndikimin që pranimi i vendeve të reja anëtare do të ketë në përbërjen e Komisionit Evropian dhe të Parlamentit Evropian.

    Ndonëse kërkojnë që BE-ja të vendosë qëllime konkrete për reformat e vendeve kandidate, ata janë kundër vendosjes së afateve kohore për anëtarësim të ndonjë vendi në BE. /REL