ATV

Author: ATVLive

  • Tahiri për mospjesëmarrjen e Kurtit në samit: I bën dëm sigurisë së Kosovës

    Tahiri për mospjesëmarrjen e Kurtit në samit: I bën dëm sigurisë së Kosovës

    Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, është deklaruar pas përfundimit të kryesisë, ku kritikoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për mospjesëmarrjen fizike në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, që u mbajt dje në Tiranë.

    Tahiri vlerëson se mungesa në këto mekanizma do të jetë një dëm i madh për sigurinë e vendin tonë dhe të rajonit.

    “Me lejoni të shpreh zhgënjimin pra për mospjesëmarrjen e qeverisë së Kosovës, kryeministrit të Kosovës, në samitin që u organizua dje në Tiranë nga Bashkimi Evropain dhe vendet e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Tahiri.

    “Përjashtimi i Kosovës nga një agjendë e tillë është jashtëzakonshëm dëm për agjendën evropiane. Republika e Serbisë për 16 vite e ka luftuar prezencën e Kosovës si shtet i barabartë me të gjitha shtetet e rajonit në të gjitha mekanizmat”.

    “Në anën tjetër ne vijmë në një ditë, ku vet kryeministri i Kosovës e vetpërjashton vetën nga pjesëmarrja në këto forume. Serbia sot nuk ka nevojë që të angazhohet që Kosova mos të trajtohet barabartë me shtetet e rajonit në këto forme rajonale që janë tepër të rëndësishme edhe për çështje sigurie dhe integrimit, është vet kryeministri i Kosovës që e përjashton Kosovën nga këta mekanizma, është një dëm i madh për sigurinë e vendit tonë dhe të rajonit tonë”, vazhdoi ai.

    Ai tregoi se në seancën e ardhshme do të jetë në votim Komisioni Hetimor për rastin Dehari, ku bëri thirrje që të votohet.

    “Në këtë seancë do të jetë në votim komisioni hetimor për rastin Dehari, për humbjen e mostrave të rastit Dehari, e ftoj Lëvizjen Vetëvendosje, që ta votojë këto komision”, tha Tahiri.

  • ​Kosova me nëntë xhudistë në Evropianin për Kadetë në Turqi

    ​Kosova me nëntë xhudistë në Evropianin për Kadetë në Turqi

    Më 2 dhe 3 mars xhudistët e rinj të Kosovës do ta kenë shansin të tregojnë vetën e tyre në arenën ndërkombëtare.

    Bëhet fjalë për Kupën Evropiane për Kadetë, e cila do të zhvillohet në Antalia të Turqisë, raporton KP.

    Nëntë xhudistë do ta përfaqësojnë Kosovën në këtë garë, ku marrin pjesë 371 garues, prej të cilëve 219 janë meshkuj dhe 152 femra, nga 19 shtete e 2 kontinente.

    Kosovën do ta përfaqësojnë:

    Furkan Kelmendi (kategoria deri në 50 kilogramë)

    Andi Reshitaj (kategoria deri në 60 kilogramë)

    Reis Deliu (kategoria deri në 60 kilogramë)

    Besjana Gashi (kategoria deri në 48 kilogramë)

    Estea Arifaj (kategoria deri në 48 kilogramë)

    Enise Zijade (kategoria deri në 52 kilogramë)

    Sidorela Dodaj (kategoria deri në 52 kilogramë)

    Fiona Kuka (kategoria deri në 57 kilogramë)

    Erlule Musaj (kategoria deri në 57 kilogramë)

  • Çfarë synoi Macron me idenë e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë?

    Çfarë synoi Macron me idenë e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë?

    Presidenti francez, Emmanuel Macron është parë i izoluar në skenën evropiane këtë javë, pasi ka thënë se mundësia e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë nuk duhet të përjashtohet, koment që ka nxitur reagime prej shumë liderëve tjerë.

    Zyrtarët francezë kanë tentuar më vonë të japin sqarime për deklaratën e Macronit, ndonëse kanë insistuar në nevojën e dërgimit të sinjaleve të qarta se Rusia nuk mund të fitojë në Ukrainë.

    Kremlini ka paralajmëruar që nëse NATO-ja dërgon forca luftarake, atëherë një konflikt mes aleancës dhe Rusisë do të jetë i pashmangshëm.

    Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se një veprim i tillë mund të rrezikojë një konflikt bërthamor global.

    Deklarimi i Macronit, reagimi i aleatëve

    Macron e ka përmendur mundësinë e angazhimit të ushtarëve perëndimorë për t’i ndihmuar Ukrainës, teksa ka folur në një konferencë për media, pas një takimi me 20 liderë shtetesh dhe zyrtarë tjerë të lartë në Paris.

    Macron ka thënë se nuk ekziston konsensus për t’i angazhuar trupat, mirëpo “sa i përket dinamikës, asgjë nuk mund të përjashtohet”.

    Nuk dihet se cili ka qenë sinjali i qartë që ka tentuar të dërgojë Macroni, mirëpo “nuk është thënë rastësisht”, ka thënë Phillips O’Brien, profesor i studimeve strategjike në Universitetin Shën Andrews në Skoci.

    “Mund të jetë pak paralajmërim” për Rusinë “që kjo mund të ndodhë, prandaj përgatituni”, ka thënë O’Brien.

    Macron ka qenë më i qartë kur ka folur për evoluimin e qëndrimeve të liderëve evropianë, prej nisjes së luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

    “U rikujtoj që dy vjet më parë, shumë njerëz afër kësaj tavoline kanë thënë se do të ofrojnë helmeta dhe shtretër për fjetje. Sot jemi duke thënë se na duhet të punojmë më shumë dhe më shpejt për të siguruar raketa dhe tanke”.

    Pas këtyre deklaratave, zyrtarë prej Gjermanisë, Polonisë dhe shteteve tjera, që kanë marrë pjesë në takimet në Paris, kanë tentuar të distancohen prej komenteve të Macronit, duke thënë se nuk do të dërgojnë trupa në Ukrainë.

    Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka thënë agjencisë së lajmeve Associated Pres se “nuk ka plane për angazhim të trupave të NATO-s” në terren.

    Sqarimi francez

    Ministri francez i Mbrojtjes Sebastien Lecornu, ka thënë se diskutimet për mundësinë e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë, kanë të bëjnë me mundësinë e dërgimit të njerëzve për të ndihmuar në procese të çminimit dhe operacioneve të trajnimit, larg prej vijës së frontit.

    Ai ka thënë se nuk ekziston ndonjë konsensus prej këtyre diskutimeve.

    Ministri i Jashtëm francez, Stephane Sejourne, ka thënë se ky lloj i prezencës ushtarake nuk do të “kapërcente pragun luftarak”.

    Një diplomat francez, që ka qenë në dijeni të bisedimeve në Paris, ka thënë se synimi ka qenë te “dërgimi i një sinjali të qartë për presidentin Putin që edhe diçka e tillë ekziston si mundësi dhe nuk mund të përjashtojë faktin që asnjë prej partnerëve të Ukrainës nuk do të përfshihet”.

    Ky diplomat ka folur vetëm në kushte anonime për këtë çështje.

    Ai ka thënë se Macron “nuk e ka hedhur poshtë këtë mundësi për një arsye, siç e kemi parë, ne po bëjmë shumë gjëra që i kemi përjashtuar dy vjet më parë”.

    Parisi ka thënë se bisedimet me shtetet aleate do të vazhdojnë në takimet e ministrave të Jashtëm dhe atyre të Mbrojtjes në ditët në vijim.

    Ndryshimi i qëndrimeve të Macronit ndaj Rusisë

    Pasi Rusia e ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë, Macroni e ka mbajtur një linjë të hapur të komunikimit me Putinin.

    Ai pati thënë në qershor të vitit 2022 se presidenti rus e ka bërë një “gabim historik”, mirëpo fuqitë botërore nuk duhet të “nënçmojnë Rusinë, pasi kur luftimet të përfundojnë, ne mund të krijojmë një rrugë të re përmes mundësive diplomatike”.

    Këto deklarata janë kritikuar, atëbotë, prej Ukrainës dhe shumë aleatëve të Francës.

    Macroni ka folur për herë të fundit me Putinin në shtator të vitit 2022, dhe qysh atëherë e ka pasur një qasje më të ashpër ndaj tij.

    Komentet e tij të hënën kanë pasur për qëllim të jenë ‘zile zgjimi’, ka thënë François Heisbourg, analist i mbrojtjes në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, me bazë në Londër.

    “Megjithatë, disa deklarata nuk janë pritur”, ka thënë Heisbourg.

    Rusia shihet si armike agresive

    Macron ka thënë se është i shqetësuar që Rusia është duke u bërë më e ashpër në muajt e fundit.

    Ai e ka përmendur vdekjen e liderit opozitar rus, Aleksei Navalny, shtypjen e opozitës politike ruse, dhe ashpërsimin e luftimeve përgjatë vijës së frontit në Ukrainë.

    Qeveria e Francës ka gjetur së fundi se forcat ruse kanë kërcënuar me rrëzim të një aeroplani vëzhgues që ka patrulluar në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Detin e Zi.

    Më herët këtë muaj, Parisi e ka akuzuar Moskën edhe për përhapje të dezinformatave nëpër Evropë.

    Këto qëndrime për Rusinë në Evropë vijnë teksa rriten shqetësimet nëse do të miratohet në Kongres ndihma amerikane për Ukrainën.

    Zyrtarët evropianë janë të shqetësuar edhe për mundësinë e fitores së ish-presidentit amerikan Donald Trump, më vonë gjatë këtij viti, duke ndryshuar politikën amerikane për kontinentin e vjetër.

    “Siguria jonë evropiane është në rrezik”, ka thënë Macron.

    “A duhet t’ua delegojmë votuesve amerikanë të drejtën tonë? Përgjigja ime është jo, pavarësisht se çfarë votimi është”.

    Pa marrë parasysh se cilat kanë qenë mesazhet e Macronit, analistët kanë thënë se ai mund të ketë ngatërruar mënyrën e dërgimit të mesazhit.

    “Macroni dëshiron t’i dërgojë Rusisë mesazh të fuqisë. Mirëpo për të funksionuar, duhet të jetë mesazh kredibil”, ka thënë Jana Puglierin, udhëheqëse e Këshillit Evropian të Berlinit për Marrëdhënie me Jashtë, institut ndërkombëtar.

    “Ai e ka krijuar pa nevojë një potencial për ndasi brenda NATO-s”.

    “Kjo nuk është mënyra e duhur për të promovuar unitetin dhe forcën e Evropës”, ka thënë Puglierin në disa deklarata me shkrim. /REL

  • ​Rama nga Azerbajxhani: Synojmë të ndërtojmë një qendër gazi të lëngshëm në Vlorë

    ​Rama nga Azerbajxhani: Synojmë të ndërtojmë një qendër gazi të lëngshëm në Vlorë

    Kryeministri shqiptar, Edi Rama mori pjesë këtë të premte në Samitin e 10-të të Korridorit Jugor të Gazit, që po mbahet në Baku të Azerbajxhanit.

    Në fjalën e tij kryeministri Rama theksoi rëndësinë e Korridorit Jugor të gazit, në një kohë kur furnizmimet e gazit rus në BE kanë rënë në 8% dhe së shpejti do të shkojnë drejt zeros.

    Rama tha se me ndihmën e Azerbajxhanit, Shqipëria po kryen gazifikimin e vendit dhe së shpejti pritet të ndërtohet një qendër gazi të lëngshëm në qytetin e Vlorës. “Aktualisht në Shqipëri po përpiqemi të ecim para në procesin e gazifikimit të vendit. Duke u mbështetur në përvojën e suksesshme me TAP synojmë të ndërtojmë një qendër gazi natyror të lëngshëm në Vlorë, një qytet strategjik në jug të Shqipërisë”, tha Rama.

    Rama u ndal dhe tek progresi i Shqipërisë për diversifikimin e burimeve energjitike.

    “Sot ky format është shndërruar në një urë ku pjesë e re përbërëse është bërë edhe dimensioni i energjisë që gjelbër. Sot jemi të gjithë dëshmitar se korridori jugor i gazit ka ndryshuar tashmë shumë jetë dhe e ka bërë Evropën më të sigurt. Ndërsa Evropa po mbledh furnizimet me gaz të lëngshëm natyror korridori jugor i gazit do të mbetet një nga burimet e pakëta konkurruese të gazit që vjen në BE.

    Me përqindjen e gazit rus në BE që po bie nga 40% në aktualisht 8% dhe së shpejti në 0%, me agjendën e gjelbër dhe përpjekjet për shkarbonizim në pikën më të lartë, gazi i Azerbajxhanit dhe rajoni Kaspik janë thelbësor për të ardhmen tonë të përbashkët. Për sa i përkon Shqipërisë, ne jemi të pozicionuar startegjikisht në rrugën e gazsjellësit trans-adriatik, që është një lidhje jetike në korridorin jugor të gazit.

    Ne do orientojmë investimet drejt projekteve të energjisë së ripërtëritshme dhe zhvillimit të infrastrukturës së qëndrueshme. Ajo që ne po bëjmë është do e diversfikojmë në burime tona të energjisë që mbështeten kryesisht në burime hidrike. Investimet në energjinë e qëndrueshme dhe të ripërtëritshme janë thelbësore, vitet e fundit ato e kanë shndërruar Shqipërisë në një vend të natyrshëm të tranzicionit të gjelbër dhe të inovacionit në sektorin energjitik”, tha Rama. /Euronews.al/

  • ​Murati takohet me Zëvendës Shefin për Ekonomi në Zyrën për Zhvillim të Mbretërisë së Bashkuar

    ​Murati takohet me Zëvendës Shefin për Ekonomi në Zyrën për Zhvillim të Mbretërisë së Bashkuar

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, priti në takim Fergus Cumming, Zëvendës Shefin për Ekonomi në Zyrën për Zhvillim dhe Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar (FCDO)

    Gjatë takimit, Ministri Murati e njoftoi Cumming për disa nga prioritetet e qeverisë, siç janë rritja e punësimit dhe krijimi i kushteve për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Rritja ekonomike si dhe thjeshtimi i procedurave tatimore në vitet e fundit u konsideruan si tregues për përshtatshmërinë e Kosovës në tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

    Fokus i takimit ishte gjithashtu thellimi i ndërveprimit ekonomik mes dy vendeve ku u përmendën disa sektorë potencialë për investime përfshirë: minierat, kapacitetet e reja energjetike, teknologjinë e informacionit si dhe industrinë e përpunimit të drurit.

    Cumming e vlerësoi potencialin e Kosovës për bashkëpunim të ndërsjellë, duke theksuar nevojën për rritje të tregtisë dypalëshe. Ndër të tjera, Cumming premtoi vazhdim të mbështetjes së Republikës së Kosovës drejt një zhvillimi gjithpërfshirës ekonomik.

    Të dyja palët u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit në fusha të cilat janë në interes të qytetarëve të Kosovës, dhe për rritje të vëllimit tregtar në mes të dyja vendeve.

  • Bordi i Drejtorëve miraton shpërndarjen e mjeteve të 20% për pesë Ndërmarrje Shoqërore

    Bordi i Drejtorëve miraton shpërndarjen e mjeteve të 20% për pesë Ndërmarrje Shoqërore

    Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e tij të rregullt ku u informua lidhur me aktivitetet mujore të AKP-së.

    Në këtë takim Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit shqyrtoi dhe miratoi Planin e azhurnuar të Punës dhe Performancës së AKP-së për vitin 2024. Këtu Bordi i Drejtorëve pas shqyrtimit miratoi Raportin e Shqyrtimit të Ankesave dhe shpërndarjen e mjeteve ndaj listave të 20% për: 1) N.Sh “Mofast”, Pejë (PEJ106); 2) N.Sh “Stacioni i Veterinës”, Gjilan (GJI145); 3) N.Sh KB “Morava”, Partesh (GJI018); 4) N.Sh “Bagat”, (MIT152) dhe 5) N.Sh “Borovo”, (MIT144) si dhe Raportin e për 5 raste Komisionit të Banesave në pronësi shoqërore.

    Veç kësaj Bordi i Drejtorëve shqyrtoi dhe miratoi Propozimet e Autoritetit të Likuidimit për heqje dorë nga 16 asete të Ndërmarrjeve Shoqërore, të cilat janë rajone ujore si përrenj dhe lumenj ndërkaq disa janë rrugë. Përmes këtij procesi prona bartet në regjistrat kadastral të komunave përkatëse dhe hapet rruga për likuidim të ndërmarrjeve shoqërore.

    Bordi i Drejtorëve gjithashtu shqyrtoi dhe miratoi shpërndarjen e mjeteve në likuidim për NSH Energomontimi në vlerë prej 308,985.68 € duke ju siguruar punëtorëve që të marrin pagesat për të cilën kanë pritur kohë të gjatë.

    Në pamundësi të gjetjes së një kandidati adekuat për të menaxhuar kompleksin Brezovica në këtë mbledhje Bordi i Drejtorëve anuloi konkursin për Drejtor Menaxhues të N.Sh-së Inex Sharr Planina dhe vendosi që pozita të mbulohet me ushtrues detyre deri në përfundim të sezonit dimëror.

  • Lojëra bixhozi në veri, policia konfiskon pajisje në një lokal

    Lojëra bixhozi në veri, policia konfiskon pajisje në një lokal

    Policia e Kosovës gjatë kontrollit në një lokal të të dyshuarit si prova materiale ka konfiskuar një sprej dhe disa pajisje të dyshuara për organizimin e lojërave bixhozi.

    Kontrolli i këtij lokali, sipas Policisë, është bërë mbrëmë në veri të Mitrovicës, ku lidhur me rastin i njëjti është intervistuar dhe me vendim të prokurorit, është liruar.

  • Pesë organizata e padisin deputeten e VV-së dhe Kuvendin për diskriminim ndaj komunitetit LGBTIQ+

    Pesë organizata e padisin deputeten e VV-së dhe Kuvendin për diskriminim ndaj komunitetit LGBTIQ+

    Organizatat Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS), Qendra për Barazi dhe Liri (CEL Kosova), Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD), Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Civil Rights Defenders, kanë dorëzuar padi në Gjykatën Themelore ndaj Kuvendit të Kosovës dhe deputetes Labinotë Demi- Murtezi.

    Ata janë paditur për “Cenim të dinjitetit, trajtim çnjerëzor apo poshtërues dhe diskriminim ndaj personave LGBTIQ+”, që sipas këtyre organizatave ka ndodhur në seancën e 16 marsit 2022.

    Sipas tyre në atë seancë deputetja Demi-Murtezi kishte thënë se “personat LGBTIQ+ shpërndajnë sëmundje”.

    Demi-Murtezi është deklaruar kundër projektkodit civil i cili dështoi të miratohej në mars të vitit 2022. Si arsye ishte përmendur pika e dytë e nenit 1138, që lejon bashkësitë civile mes personave të seksit të njëjtë.

  • Dështon seanca ndaj 70-vjeçarit që akuzohet për vrasjen e bashkëshortes, kjo është arsyeja

    Dështon seanca ndaj 70-vjeçarit që akuzohet për vrasjen e bashkëshortes, kjo është arsyeja

    Në mungesë për mbrojtësit të viktimave Gentrit Begolli ka dështuar të mbahet seanca e rigjykimit ndaj Izet Godenit, i cili akuzohet se kishte privuar nga jeta gruan e tij S.G në mënyrë mizore.

    Paraprakisht gjykatësi i rastit Naser Foniqi tha se ka tentuar të kontaktojë më mbrojtësin e viktimave por i njëjti nuk është lajmëruar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dënuar me 25 vite burgim Godenin për shkak të veprës penale vrasje e rëndë.

    Gjykata e Apelit me 26 shtator 2023 kishte kthyer çështjen në rigjykim me arsyetimin se vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë është i përfshirë në shkelje esenciale të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Gjithnjë sipas vendimi të Apelit, thuhet se vendimi i Themelores nuk ka dhënë arsye për çdo pikë të aktgjykimit dhe se nuk është paraqitur në mënyrë të qartë dhe të plotë se cilat fakte konsiderohen të vërtetuara apo të pavërtetuara.

    Sipas aktakuzës thuhet se me 25 nëntor 2022 rreth orës 4 në mënyrë mizore Izet Godeni kishte privua nga jeta anëtarin e familjes, konkretisht bashkëshortë e tij S.G.

    Andaj me këto veprime Izet Godeni po ngarkohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”nga nenin 173 paragrafi 1 pika 1.3 dhe 1.4 e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • ​Theret për vdekje një 14-vjeçar në Prilep të Maqedonisë së Veriut

    ​Theret për vdekje një 14-vjeçar në Prilep të Maqedonisë së Veriut

    Një djalë 14-vjeçar është gjetur mbrëmë rreth orës 19:30 pa shenja jete me plagë të shumta therëse dhe gjakderdhje të jashtme në qendër të Prilepit në trotuarin e bulevardit “Goce Dellçev” përballë Shtëpisë së Kulturës “Marko Cepenkov”. Ai nuk dha shenja jete dhe u dërgua në spitalin e qytetit, ku të gjitha përpjekjet për ta ringjallur rezultuan të pasuksesshme.

    Policia dhe prokurori themelor publik kanë bërë kontroll. Në trupin e 14-vjeçarit është urdhëruar autopsia. /Alsat.m/